Tre shqiptar të vdekur dhe 13 të tjerë plagosur dyshohet se është bilanci paraprak përsa i përket emigrantëve tanë që jetojnë në vendin fqinj.
Zjarri shkatërrimtar që ka pushtuar zonën e Athinës duket se ka lënë pasoja të rënda edhe për shqiptarët.
Nga njoftime të tjera jo zyrtare mësohet se 3 shtëpi shqiptarësh janë shkrumbuar nga zjarri.
Ende nuk dihet zyrtarisht nëse trupi i gjetur në një makinë të shkrumbuar është i një shqiptari nga Tepelena ndërkohë që nga dëshmitë e shumta që vijnë nga Greqia ekziston frika se mund të ketë viktima të tjera pasi numri i të zhdukurve është akoma i lartë. Ndërkohë që ka dyshime edhe për 2 fëmijë shqiptarë të vdekur.
Ka njoftime se në restorantin ku vdiqën nga zjarri 26 persona ka patur shqiptarë të punësuar.
Nga dëshmitë e raportuara shqiptarët kanë mundur t’u shpëtojnë flakëve, pasi kanë qenë njohës të mirë të zonës, duke qënë se jetojnë aty edhe në dimër, dhe kjo i ka ndihmuar që të largohen përmes rrugicave dhe të dalin më shpejt në det.
“Në fakt në zonën e zjarreve ka pasur shumë shqiptarë të cilët punojnë nëpër shtëpitë e grekëve. Kemi informacion se 13 shqiptarë janë lënduar nga flakët. Kam folur me shumë prej tyre. Flitet edhe për një djalë nga Tepelena që dyshohet se është djegur në makinën e tij, por nuk e dimë 100% të saktë” u shpreh për mediat emigranti Mondi Sinaj.
“Zjarret kanë rënë kudo në Athinë në të gjitha anët. Kam parë gra dhe fëmijë që vuajnë dhe digjen, është diçka që nuk përshkruhet me fjalë, kam parë masakër me sy. Ato që hoqëm nuk mund të përshkruhen dot. Njerëzit u hodhën në det për të shpëtuar. Është diçka e tmerrshme. Unë isha në shtëpi dhe u interesova për njerëzit që njihja. Zjarri ishte me shpejtësi për shkak të erës”, është shprehur ai.
Pandeli Sotiri është një nga personalitetet më të mëdha të letrave shqipe. Drejtori i parë i Mësonjëtores do ta bashkojë fatin me institucionin e parë të gjuhës shqipe, mësonjëtoren e parë të Korçës. Por dhe ai si shumë patriotë të tjerë që iu përkushtuan gjuhës shqipe do të kishte një fat tragjik. Në rastin e tij kemi të bëjmë me një kolonë të pestë. E shoqja që ishte vajza e një despoti grek, sajoi me të atin një vdekje aksidentale të patriotit, sigurisht në moshë të re.
Pandeliu do të lindë në vitin 1843 në Selckë të Lunxhërisë në Gjirokastër. Mësimet e para do t’i merrte nga patrioti Koto Hoxhi dhe do të dallohej që në vogëli për zgjuarsinë e tij, duke përfituar shpejt njohuri dhe kulturë të gjuhëve të huaja. Pas fatkeqësive familjare, detyrohet me të vëllain të emigrojë në Austri, ku kryen dhe studimet e larta. Në Vienë do të diplomohet për mjekësi.
Në rrethet intelektuale që frekuentonte, flitej për lëvizje të mëdha kombëtare, ndaj ai do të mësojë më shumë për lëvizjen kombëtare shqiptare, për Rilindjen, dhe vendos t’i përkushtohet me çdo aftësi të tij, çështjes kombëtare. Në vitin 1870 ai do zhvendoset në Stamboll dhe nëpërmjet mësuesit të tij , Koto Hoxhit, do të miqësohet me patriotët e mëdhenj shqiptarë si vëllezërit Frashëri, Vreto, Kristoforidhi etj. Do të marrë pjesë në grupe të rëndësishme patriotike, duke u shquar për vlerat e tij intelektuale dhe atdhetare.
Shoqëria, e cila kishte seli në tre shtete :Bukuresht, Stamboll dhe Kairo, filloi përpjekjen serioze për hapjen e shkollës në Korçë, duke angazhuar gjithë patriotët shqiptarë. Pandeliu hapi disa gazeta të shquara ku dallohet “Prometeu”, “Drita”, “Dituria”, misioni i të cilave ishte krejtësisht atdhetar.
Pandeliu ishte një intelektual shumë i shkathët dhe kudo ku shkoi, u shqua për aftësi të mëdha organizative në hapjen e revistave dhe gazetave që do të kontribuonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.
Shoqëria e Stambollit që pati degët e saj dhe në Bukuresht e Egjipt dhe që drejtohej nga Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Hasan Tahsini nënshkruan “Platformën e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Aty u miratua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe sipas projektit të Sami Frashërit. Alfabeti i Stambollit me anë të të cilit u botua Alfabetarja e gjuhës shqipe solli dhe mundësinë e botimit të librave shqip.
Duke qenë se në Stamboll kishte shumë vështirësi në botimin e librave në gjuhën tonë amtare, Pandeliu u dërgua në Bukuresht, ku ishte një koloni shqiptarësh patriotë që mbështesnin fuqimisht çështjet kombëtare. Kështu u krijua një fushatë për mbledhjen e fondeve të nevojshme. Fushata mblodhi 15 mijë franga, duke krijuar kështu vatrën e përgatitjes së librave, mbledhjes së dorëshkrimeve dhe porositjes së shkronjave në Vjenë. U hap shtypshkronja shqipe, e cila mori emrin Shtypshkronja e Bukureshtit.
Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës
Duke qenë se në Shqipëri ishin hapur shumë shkolla por asnjë shqip, patriotët e mëdhenj e kishin synim të tyre, ndër më madhorin të hapej një shkollë shqipe. Dhe kjo detyrë e madhe kombëtare iu caktua Pandeli Sotirit. Drejtori i ri i shkollës arriti në qytetin e shenjtë të Korçës me 150 abetare nga Bukureshti. Do të arrihej më së fundi misioni i madh historik i Rilindjes: hapja e mësonjëtores shqipe që do hynte në historinë e kombit shqiptar si një ndër ngjarjet më të shënuara të historisë. Shkolla do kishte karakter kombëtar dhe do ishte laike.
7 marsi i vitit 1887 ishte ndoshta një nga ditët më të bekuara të Korçës. Fillimisht u paraqitën 35 nxënës dhe më vonë u bënë 60. Përpara nxënësve dhe prindërve që i shoqëronin, Pandeliu mbajti një fjalim interesant, i cili foli për këtë akt të rëndësishëm me karakter kombëtar, një akt që më së fundi finalizoi përpjekjen e dhjetëra patriotëve shqiptarë që dhe jetën e jepnin që fëmijët shqiptarë të mësonin shqip.
Në shkollë mësohej këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre dhe disa gjuhë të huaja.
Mësonjëtorja e Korçës ishte dallëndyshja e parë që u shoqërua dhe me shkolla të tjera që u hapën në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë e Gjirokastër.
Bazën teorike dhe pedagogjike të mësonjëtoreve e hartuan Naimi, Samiu, Vretoja. Ndërkohë që si mësues përveç Pandeliut u dalluan dhe Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e më pas motrat Qiriazi.
Mallkimi i shkronjave shqipe
Por me gjithë përpjekjet e mëdha të atdhetarëve shqiptarë përsëri vazhdonte mallkimi i shkronjave shqipe. Qarqet shoviniste greke që prej kohësh persekutonin e vrisnin të gjithë ata që guxonin të shkruanin shqip do të martirizonin dhe drejtorin e parë të shkollës shqipe.
Profesor Dhimitër Shuteriqi shkruan: kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe. Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi.I martuar me një grua, e bija e një dhespoti grek, me të cilën nuk kishte lindur fëmijë, ajo së bashku me të atin e saj kurdisën aksidentin e rënies së Pandeliut nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll. Humbja tragjike dhe e parakohshme e tij, e kurdisur nga armiqtë e kombit shqiptar, shkaktoi hidhërime në të gjithë shqiptarët…
E madhe ishte dhimbja për humbjen e këtij njeriu të madh. Doktorit që ia kushtoi jetën veprimtarisë patriotike dhe shkronjave të arta shqipe. Për kontributin e madh që ai dha në historinë shqiptare, në fushën e arsimit dhe bekimin dhe jetën që i dha shkronjave shqipe ai jo vetëm që zë një vend të rëndësishëm ndër patriotët e Rilindjes por do të jetojë në jetë të jetëve Mësonjësi i parë i gjuhës shqipe. /konica.al/
Kryeministrat e parë shqiptarë ishin zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve, bartës të proceseve të mëdha, ndërtues të marrëdhënieve ndërkombëtare të shqiptarëve me shtetet tjera perëndimore, të ndjekur nga komunizmi, themeluan alfabetin dhe shkollat shqipe…
Ata njihnin disa gjuhë të huaja, kurse kishin mbaruar studimet në qendrat më të njohura universitare të asaj kohe si: në Itali, në Austri, në Zvicër, në Stamboll, në Romë…
Kryeministri i parë shqiptar Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.
Njihej si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
Ai u vlerësua nga qeveria turke si një diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar, ndërsa mbajti disa pozita të rëndësishme e larta në qeverinë turke.
Asnjë kryeministër shqiptar nuk njihte më pak se katër gjuhë të huaja
Kryeministri i 2-të shqiptar Turhan Pashë Përmeti rridhte nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës.
Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, ka marrë mësim nga disa pedagogë privatë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare, përcjell “Zeri.info”.
Njihte turqisht, frëngjisht, greqisht , italisht…
Ndër postet që ai ka pasur në perandorinë Otomane ishte Guvernator i Kretës në vitet 1895 dhe 1896 dhe ambasador në Shën Petërsburg.
Delvina, kryeministri që vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja
Një kryeministër tjetër ishte Sylejman Delvina ishte politikan i shquar shqiptar, kryeministër për periudhën 30 janar 1920-14 nëntor 1920 dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit…Studimet i ka kryer në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkie”.
U emërua atashe në MPB-në Osmane dhe më pas sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë, si dhe profesor në liceun e Gallatasarait e në gjimnazin e Vefa-s.
U bë shef seksioni në MPB dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ishte një ndër figurat qendrore të klubit shqiptar të Stambollit. Ishte zë i mbrojtjes dhe zhvillimit të të drejtave të shqiptarëve. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë, transmeton “Zeri.info”.
Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë…
Qeveria Delvina njihet se drejtonte në atë kohë pjesën më të madhe të vendit dhe u përpoq që të kishte jehonë edhe në fushën ndërkombëtare, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet e huaja, me kusht që të respektohej tërësia territoriale e Shqipërisë.
Kryeministri që Franca e dekoroi dhe komunizmi ia humbi varrin
Një tjetër kryeministër është dhe Iliaz Vrioni, tre herë kryeministër nga 1921 deri më 1925, ishte i biri i Mehmet Ali Pashë Vrionit, nën-kryetarit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa vet ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar së. Shërbeu tre herë si kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris, Francë. Shërbeu gjithashtu për një kohë shumë të gjatë si Deputet i Parlamentit të Shqipërisë.
Vrioni, për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare, është dekoruar nga Republika Franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë Grand Officier de la Légion d’Honneur, përcjell “Zeri.info”.
Në vitin 1946, regjimi dikatorial ia zhvarros eshtrat e ish kryeministrit Iliaz Vrioni, siç thuhet për t’i hedhur ato në lumin Osum të Beratit. Eshtrat e e tij vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë ende pa marrë ish kryeministrin shqiptar.
Evangjeli, kryeministri që përpiqej të hapte katedrën e shqipes në qendrat evropiane
Një nga 33 kryeministrat shqiptar Pandeli Evangjeli që ishte katër herë kryeministër luajti një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Si anëtar i shoqërisë “Dituria” në Bukuresht do të jap kontributin e tij në botimin dhe përhapjen e librit shqip në gjithë trevat ku jetonin shqiptarë, me qëllim që ata të mësonin të lexonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre.
Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit, shoqëria “Dituria” botoi abetaret e para shqipe, gjithë librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe shumë të tjera. Librat shpërndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare, transmeton “Zeri.info”.
Pandeli Evangjeli, ishte autodidakt, i kulturuar, që njihte shumë mirë greqishten, rumanishten, frëngjishten. Ai kishte kontakte dhe letërkëmbime me shumë personalitete të huaja, si dhe akademik që lobuan për çështjen shqiptare si akademikun e shquar rumun Vasil Urechea, filologun e shquar francez, doktor Louis Benloew, dekan në Universitetin e Dijonit, ndërsa në bashkëpunim me E.
Legdrand (studiues i njohur francez), që në atë kohë Pandeliu u përpoq të hapte një katedër të gjuhës shqipe në Paris. Këto përpjekje patën rëndësinë e tyre sepse në vitet 1896-1898 bënë të njohur problemin shqiptar në qarqet shkencore evropiane.
Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë për kombin
Një nga kryeministrat që shumë pak i zgjati mandati por dha kontribut të madh në pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar është edhe Hasan Prishtina përndryshe llogaritet kryeministri i 8-të shqiptar. Prishtina ka mbaruar gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge, në Stamboll u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike.
Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë.
Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, transmeton “Zeri.info”.
Në parlament luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare, që ushtria shqiptare të shërbejë në Shqipëri me oficerë vendas, etj.
100 vjet më parë diplomati dhe ideologu shqiptar Hasan Prishtina, shqiptari i pasur që shkriu pasurinë e tij, si dhe mblodhi të holla për të çuar në Shkollën Normale të Elbasanit djemtë shqiptarë nga Kosova.
Kryeministri i 10-të shqiptar Xhafer Ypi ishte ishte një politikan shqiptar, i edukuar në një universitet në Stamboll. Në 1920-1921 ai ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Drejtësisë. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e Ministrit të Rendit Publik. Si udhëheqës i Partisë Popullore, në fund të dhjetorit 1921 ai formoi një qeveri ku Fan S. Noli ishte Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ahmed Zogu ishte Ministri i Punëve të Brendshme….
Kryeministri i 14-të Mehdi Frashëri u diplomua në Stamboll për Shkenca Politike-Administrative/njekomb
Për atë pjesë që quhet Shqipëri, dihet mirë për të, se është e madhe, e frytshme dhe e bukur. Për më tepër, ajo është shumë e pasur me ar dhe argjend dhe, siç dëshmon Aristoteli, një lloj ari i çuditshëm gjendej deri asokohe aty. Gjithashtu, nxirret edhe squfur nga Toka. Për më tepër, Maqedonia prodhon një gur të çmuar të quajtur Peantides Solinus, i cili i ndihmon femrat për të ngjizur dhe për të lindur fëmijë, siç shkruan Solinusi.
Titulli: Historia mundi : or Mercator’s atlas.
Autori: Gerhard Mercator, Jodocus Hondius, Wye Saltonstall
Botues: London, Printed for Michaell Sparke, and are to be sowld in Greene Arboiure, 1637/njekomb
Për shkak të zjarreve në zonën e Athinës numri i personave që humbën jetën ka shkuar në 54, ndërsa akoma më i lartë është ai i të plagosurve dhe i të humburve.
Por a rrezikohet edhe Shqipëria nga zjarret njësoj si fqinji jonë jugor?!
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit sot pasdite pritet rrezik “i ulët” në qarqet Fier dhe Vlorë, ndërsa qarqet e tjera “s’ka rrezik” për zjarre.
Nesër (e mërkurë, dt.25) pritet një rritje e lehtë e rrezikut për zjarre kryesisht në pjesën Perëndimore të vendit.
Sot pasdite (e martë, dt.24) dhe nesër (e mërkurë, dt.25), priten reshje pothuajse në të gjithë vendin. Në pjesën më të madhe të qarqeve ato do të jenë të dobëta, deri lokalisht mesatare.
Reshjet mund të shoqërohen edhe me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark), më të mundshme në zonat kodrinore-malore dhe në zonat pranë tyre gjatë pasditeve.
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 20 / 30 °C, në vendet e ulëta: 19 / 28 °C dhe në vendet malore: 13 / 23 °C./njekomb
“…historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”. Në facebook, dikush pyeti nëse Lamberci tallej me shqitarët me këto fjalë? Jo, Lamberci e kishte seriozisht!
Kur Maksimilian Lamberci i shkroi këto fjalë në studimin “Një vështrim mbi letërsinë shqipe” (1956), ai nisej nga hulumtime të thella që kishte kryer prej dekadash.
Maximilian Lamberc (1882 – 1963) e kishte studiuar shqipen (gjuhë, kulture, foklor) një jetë të tërë. Si albanolog, Lamberc jetoi për një vit (1907) mes arvanitasve në Greqi.
Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi në Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).
Nga maji në qershor 1916, Lamberc shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar.
Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën.
Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore.
Ai ishte ngarkuar për krijimin e sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë.
Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat.
Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit.
Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese.
Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe Institutin e gjuhëve indo – evropiane.
Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në vitin 1957. Edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe vendeve të bllokut sovjetik, Lambers refuzoi t’i shkepuste lidhjet e tij me Shqipërinë në fushën e gjuhës dhe kulturës.
Në pritjet e ambasadës shqiptare në Berlinin lindor, ai merrte pjesë vazhdimisht duke u interesuar për ecurinë e studimeve albanologjike në vend.
Maksimilian Lamberc vdiq më 26 Gusht 1963; autoritetet komuniste gjermano lindore lejuan që trupi të varrosej në Vjenë, duke respektuar dëshirën e tij të fundit./VOA
U hap sot në Prishtinë Panairi tashmë Tradicional, me punime dore, veshje kombëtare e ushqime tradicionale, Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Të pranishëm ishin zv/Kryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe zv/Kryeministri tjetër i Qeverisë së Kosovë, Fatmir Limaj.
Ministri Gashi theksoi se ky panair është një ndër aktivitetet e shumta që Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka organizuar për bashkatdhetarët. Ai u shpreh se MDIS-i çdoherë do t’i mbështesë aktivitete të tilla si ky panair, përmes të cilit ruhet identiteti kombëtar dhe tradita shqiptare.
Në këtë panair, po marrin pjesë me punimet e tyre më shumë se 70 prodhues e shoqata nga vendi e trevat e tjera shqiptare. Përmes këtij panairi, përmes punës së këtyre grave, bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.
Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 27 korrik.
Në kuadër të këtij aktiviteti, më 25 korrik do të mbahet sofra tradicionale me rapsodë të folklorit. /atsh
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në shtetin fqinj grek, ku zjarret kanë shkaktuar me dhjetëra viktima, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave.
“Në këtë moment të vështirë ne jemi pranë fqinjit tonë, Greqisë dhe shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave. I urojmë shërim të shpejtë të prekurve nga kjo tragjedi”, ka thënë Bushati në reagimin e tij.
Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka vënë në dispozicion numrat e kontaktit për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi për të raportuar çdo problematikë. Deri në këto momente, ministri ka konfirmuar se raportohet vetëm një shtetas shqiptar që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Albania in Greece – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke dhe qytetarët shqiptarë të zonave të prekura. Deri në këto momente raportohet vetëm një shtetas shqiptar që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Për çdo nevojë qytetarët t’i drejtohen Ambasadës në Athinë në nr. +30 6941658183”, thuhet zyrtarisht nga ministri./atsh