Aurora

Serbia në panik: Shqiptarët e Kosovës po e blejnë jugun e Serbisë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, tha sot se qeveria e Serbisë do të ndalojë blerjen e pronave serbe nga shqiptaret e Kosovës në Luginën e Preshevës.

Stefanoviq, kur u pyet në një konferencë shtypi që policia po punojnë për të parandaluar shqiptarët e Kosovës që janë gjithnjë e më shumë bleres të pronës në jug të Serbisë dhe në këtë mënyrë po bëhet ndryshime demografike, tha se ekziston një pjesë e qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare të cilët janë duke u përpjekur për të blerë pronat serbe.

Disa qytetarë të nacionalitetit shqiptar janë duke blerë prona, dhe  tokë te kompanive në territorin e Serbisë qendrore./njekomb

Serbia në panik: Shqiptarët e Kosovës po e blejnë jugun e Serbisë Read More »

“Shteti ku askush nuk është i papunë dhe askush nuk është i pasur”

Në vitet ’80, në Shqipëri një kompani turistike britanike arriti të kishte lidhur një  marrëveshje me Albturist dhe çdo vit sillte në Shqipëri të paktën 10 grupe turistësh nga Britania e Madhe, pavarësisht Shqipëria komuniste dhe Britania nuk kishin marrëdhënie diplomatike miqësore.

Në vitin 1982, grupit të turistëve britanikë në Shqipëri iu bashkëngjit edhe Philip Ward, një shkrimtar udhëtimesh – shkruan autori i dossierëve ekonomikë Kreshnik Kuçaj në portalin Scan.

Një vit pas pushimeve në Shqipëri, në vitin 1983 Ward do të publikonte në Londër  një libër me 166 faqe që në thelb përbën edhe një nga guidat e para turistike të huaja për Shqipëri që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Koha e kaluar në Shqipëri mund të konsiderohet më shumë si një aventurë sesa si një pushim. Kjo guidë është hartuar nga një britanik që s’ka qëllim as të kritikojë e as të mbështesë” shkruhet në parathënien e botimit të 1983.

Autori, ndër të tjera, e përcakton Shqipërinë si “një shtet ku askush nuk është i papunë dhe askush nuk është i pasur”.

Ai evidenton se aksidentet rrugore janë virtualisht të panjohura sepse ka aq pak automjete dhe se janë shumë plazhe të bukura që nuk mund të mbipopullohen sepse ka pamjaftueshmëri hotelesh.

“Unë e vizitova Shqipërinë në periudhën maj-qershor 1982 si një anëtar anonim i një turi të zakonshëm dhe nuk m’u dha asnjë privilegj i asnjë lloji dhe të gjitha i pagova vetë pa kërkuar ndere. Grupi ynë vizitoi një fabrikë tekstile, një kopësht fëmijësh, një fermë shtetërore në qendër dhe në jug të vendit dhe një librari publike, shfaqje filmi, takim me një gjyqtar dhe një takim me një poet dhe kryeredaktorin e DRITA-s, gazetës kulturore javore” shkruan Ward.

Ndër të tjera, në botimin e tij Ward vlerëson pozitivisht organizimin, ambientin që ka Shqipëria, mënyrën e mikpritjes, historinë  e megjithatë nuk lë mënjanë disa rezerva por që lidheshin me politikën e kohës.

“Autoritetet shqiptare janë të bindura se çdo grup turistësh fsheh brenda tij një agjent të fshehtë të CIA-s, KGB-së MI5 ose British and Foreign Bible Society.  Kompania “Regent” na kishte paralajmëruar frikën e Shqipërisë. Qytetarët amerikanë nuk lejohet të hyjnë dhe as personat e punësuar si gazetarë. Punonjësja e Albturistit, Flora na mirëpriti dhe na kërkoi që t’i bindeshin dy ndalimeve: Jo fotografim ndërtesave ushtarake, porteve apo bunkerëve dhe asnjërit me uniformë ushtarake. Në fakt, unë isha udhëzuar që të mos i bëja foto askujt pa i marrë më parë leje” shkruan ai.

Kompania britanike që operonte me Shqipërinë në ato vite  ofronte ture duke nisur nga prilli deri në janar. Turi më i shkurtër ishte 10 ditor dhe në vitin 1982 paketa për këtë kohëzgjatje varionte nga 265 deri në 275 paund.

“Dy ture verore bazohen në Durrës dhe kushtojnë 280 paund për 13 ditë dhe 305 paund për 17 ditë. Padyshim më të vlefshme janë dy turet e përgjithshme që zgjasin 2 javë në qershor dhe shtator dhe që kushtojnë 350 paund. Një dhomë teke kushton 2.70 paund për natë përgjatë sezonit dhe 23.50 paund për natë mes 28 korrikut dhe 28 shtatorit” shkruhej në guidë.

Turistët e huaj, në këtë guidë këshilloheshin që të tregonin kujdes me atë që hidhnin në koshin e mbeturinave apo atë që linin pas, për faktin se “pasi ju të lini dhomën e të dilni, një kërkim sistematik  bëhet në dhomën tuaj për t’u siguruar se nuk keni lënë pas asgjë”.

Porositë: Mos lër bakshish në lekë, mos merr libra fetare e shpenzo të gjitha lekët

Autori i këshillon ata që duan të vizitojnë Shqipërinë që të mos marrin me vete ndonjë libër fetar, si bibla apo kurani, që e kanë për përdorim personal pasi vendi është ateist e kjo mund të sjellë jo vetëm konfiskimin e tyre por edhe deportimin e menjëhershëm.

Po ashtu, ai këshillon që të bëhet kujdes me librat e revistat që mund të konsiderohen si ofenduese nga autoritetet shqiptare.

Në listën e gjatë të këshillave, grave e vajzave u këshillohet që të mos marrin minifunde apo fustane “madhështore” pasi mund t’u kërkohet që të ndërrohen, ndërsa burrave e djemve që të mos mbajnë flokë e mjekër të gjatë pasi mund t’u kërkohet të shkojnë te berberi.

“Mos provo të importosh apo eksportosh lekë shqiptare. Çdo para e vogël për këmbim që të ka mbetur mund të shpenzosh në pije, cigare, shkrepësa ose dhurata në Shkodër. Sasi të mëdha lekësh duhet të këmbehen në Tiranë ose Durrës në ditën e fundit para nisjes. Disa dyqane hotelesh pranojnë vetëm lekë dhe disa të tjera valutë të huaj. Aktualisht 1 paund është i barabartë me 12.5 lekë. Me lër bakshish në para. Mund të qerasësh me cigare shoferin ose me ndonjë libër apo çorape korrierin” këshillohet gjithashtu në guidë.

n.s. / dita

“Shteti ku askush nuk është i papunë dhe askush nuk është i pasur” Read More »

Kreu i zjarrfikësve në Tiranë: Më të rrezikuara në Shqipëri janë vendet bregdetare!

Pas zjarrit masiv që shkrumboi disa zona në periferi të Athinës, duke lënë pas mbi 88 viktima e qindra të lënduar, ngrihet shqetësimi nëse edhe vendi ynë rrezikohet nga zjarret.

Vala e nxehtësisë në verë është rritur dukshëm në dekadat e fundit, çka sjell për rrjedhoje edhe rrezik të shtuar për prani të vatrave të zjarrit. Në parashikimet e tyre, sinoptikanët flasin për rritje të temperaturave në ditët në vijim, ndërsa vendi pritet të pushtohet nga i nxehti afrikan.

Instituti i Gjeoshkencave ka dalë me një njoftim ku sqaron se Shqipëria nuk kërcënohet nga zjarret këtë verë, dhe kjo për faktin se vendi është dominuar nga masa ajrore të paqëndrueshme, ku nuk kanë munguar reshjet e shiut.

Megjithatë, rreziku mbetet. Precedentët kujtojnë se dukuritë natyrore nuk janë i vetmi shkaktar i vatrave të zjarrit. Dora e njeriut, apo zjarret e qëllimshme, mbeten ende një rrezik i këtij fenomeni.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës për Tiranën, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se edhe vendi ynë është i rrezikuar nga zjarret në pyje, shkurre dhe kullota. Sipas tij, më të rrezikuara janë vendet bregdetare.

Në emisionin “Kjo javë” në “News24”, ai tha Shërbimi Zjarrfikës ka marrë një sërë masash për të parandaluar zjarret, dhe për të koordinuar strukturat në mënyrë që situata të tilla të menaxhohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Mendoj se edhe vendi ynë është i rrezikuar nga zjarret në pyje, shkurre dhe kullota. Më të rrezikuara janë vendet bregdetare. Siç kem parë dhe nga viti i kaluar, pavarësisht se Tirana pati një numër të madh zjarresh, ne nuk patëm dëme në banesa ose në jetën e qytetarëve. Kjo për arsye edhe të rrymave të ajrit. Vitin e kaluar zjarret më të rrezikshme kanë qenë në Lezhë, Vlorë, në Llogara. Edhe në zonën e Tiranës jemi gjendur nën ndryshimin e rrymave të ajrit në zona të ndryshme, duke ndikuar tek përhapja e zjarreve”, u shpreh Goxhaj.

Ai bëri apel që qytetarët të bëhen më të ndërgjegjshëm sa i takon rrezikut nga zjarret, dhe të mos tentojnë të djegin mbeturina, apo territore të caktuara me të mbjella, apo bimësi./news24

Kreu i zjarrfikësve në Tiranë: Më të rrezikuara në Shqipëri janë vendet bregdetare! Read More »

Jahti më i madh në botë, ankorohet në Sarandë/Foto

Jahti më i madh në botë është ankoruar këtë fundjavë në gjirin e Sarandës.

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në instagram.

Rama shprehet se pak vite më parë, diçka e tillë as nuk imagjinohej. “Jahti më i madh në botë sot në gjirin e Sarandës. Deri pak vjet përpara as mund të imagjinohej fluksi i jahteve që po vizitojnë këtë sezon Shqipërinë”, deklaron kryeministri.

Numri i jahteve dhe anijeve turistike që kanë hyrë në hapësirën detare të vendit tonë në 6 muajt e parë të këtij viti,  është rritur me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, treguesit më të lartë i mban Porti i Sarandës, ku deri tani kanë hyrë 276 jahte e veliera e 43 tragete turistike.

Ndërsa në Portin e Durrësit kanë hyrë 112 jahte, në atë të Vlorës 90 dhe në portin e Shëngjinit janë regjistruar 30 jahte e veliera. /atsh

Jahti më i madh në botë, ankorohet në Sarandë/Foto Read More »

Vetingu vijon të godasë korrupsionin në drejtësi, opozita hidhet përpjetë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimeve të vazhdueshme të opozitës lidhur me vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Në një postim në facebook, Rama thekson se “Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodin e korrupsionit degjenerues në drejtësi”.

“Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun, njësoj si gjithë qytetarët e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje. Humbësa Pa Pikë Dinjiteti”, deklaron Kreu i Ekzekutivit./atsh

Vetingu vijon të godasë korrupsionin në drejtësi, opozita hidhet përpjetë Read More »

Liderët shqiptarë i japin lamtumirën Mandelës së Kosovës

Me nderime të larta shtetërore, i ëtshë dhënë sot lamtumira e fundit veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi. Ai vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82-vjeçare.

Gjatë fjalimit të tij në ceremoni, Presidenti Hashim Thaçi, vlerësoi lart jetën dhe veprën e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Kreu i Shtetit në ceremoninë mortore kushtuar Demaçit, tha se sot po i thonë lamtumirë personit më emblematik prej periudhës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Sipas tij, kombi shqiptarë po ndahet fizikisht nga “kolosi Adem Demaçi”.

“Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik, i jashtëzakonshëm, me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar. Bota po ndahet nga mandela i Europës. Adem Demaçi me tërë qenien fizike, mendore, intelektuale e morale, jetoj për një qëllim, çlirimin e shqiptarëve nga Jugosllavia dhe Serbia de bashkimin e shqiptarëve. Rininë, shpirtin e talentuar e plotë dhunti dhe moshën e burrërisë Adem Demaçi i flijoj 28 vite në burgjet jugosllave pa u thyer e pa u mposhtur ndonjëherë”, tha Thaçi.

Vdekja e Demaçit, sipas presidentit Thaçi ka lënë një zbrazëtirë të madhe në historinë e kombit shqiptarë. Kreu i shtetit shtoi se ngjarjet e mëdha e të lavdishme ishin vet Adem Demaçi.

“Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare e demokratike, simbol i qëndresës e humanizmit, i burgosuri shqiptar politik numër një në ish Jugosllavi, i burgosur i ndërgjegjes numër një në Evropë. Nga i munguar në 28 vjet, ai u shndërrua në frymëzues të gjithë pranishëm për brezat e ardhshëm që ndoqën dhe përqafuan idealin e lirisë dhe rrugën e çlirimit. Adem Demaçi ideal jetësor e kishte bashkimin e shqiptarëve. Parmi themelor i filozofisë së tij politike mbështetej tek ideja që hapi i parë i lirisë dhe çlirimit duhet të merret nga vetvetja. Prandaj Adem Demaçi ishin ngjarjet dhe kthesat politike të Kosovës me 1968, 1981, 1989, Adem Demaçi, ishte lufta e lavdishme e UÇK-së”, theksoi Thaçi.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se sot t’i japin lamtumirën e fundit heroit të pa shembullt të rezistencës për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

“Qëndroj, luftoj dhe fitoj, duke u bërë për të gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun, i sakrificës dhe i dashurisë për të, i vetëmohimit dhe i dedikimit për gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishte luftë, dhe ti këtë luftë e fitove, jeta jote ishte sakrificë pa mbarim, por ti ja dole ta përballosh e t’i sfidosh ato si rrallë kush me urti e fisnikëri, sepse ti ishe dhe mbete Adem Demaçi i Kosovës dhe Kosova, dashuria e shpirtëzuar në ty”, ka thënë presidenti Meta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “baca Adem i mësoi rrugën drejt lirisë” të gjithëve.

Haradinaj, e ka quajtur veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçin si të vetmin që dha me së shumti për së gjalli nga të gjithë.  Sipas kreut të Qeverisë, Demaçi ishte sikur të gjithë, por i veçantë në veprën e tij, ndërsa i vetmi në brezin e tij.

“Kur të tjerët u ndalen, bac, ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e djeshme. Ti ishe i vetëm në të drejtën e plotë, kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, ty të mundonte robëria e djeshme, ti ishe për liri me të drejta të plota. Nuk ka si ti baca Adem që për së gjalli dhanë kaq shumë sa dhe ti nga e drejta jote për jetë, e për liri, që ne të jetojmë të lirë. Ti dhe nga liria jote për lirinë tonë me së shumti, nga gjithë ne për së gjalli. T’i na mësove rrugën deri të liria”, tha Haradinaj.

Për ta nderuar këtë ceremoni, mori pjesë edhe kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti i cili tha se një jetesë si kjo e bacë Ademit që ka ndikuar tek tjerët nuk shuhet asnjë herë, vijon përjetësisht.

“Një jetë që u shndërrua në frymëzim për të gjithë ne, i një veprimtari që më së miri përfytyron rezistencën kombëtare, një karakter që qëndron themeli i pavarësisë së Kosovës, një kontribut që u bë shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri. Qiriri digjet, shkrihet për të bërë dritë të tjerëve, jeta e Demaçit i ngjason qiririt që u bë dritë dhe do të vazhdon të na ndriçon rrugën tonë përpara. Ky burrë para nesh, Adem Demaçi, i madh, i pa përsëritshëm, i pa arritshëm, i përhershëm”, u shpreh Ahmeti.

Në emër të familjes Demaçi, fjalë rasti para të pranishmëve mbajti e bija e Demaçit, Abetarja. E cila tha se ndau babain e saj me të gjithë shqiptarët.

“Ai tha, më e rëndësishme në jetë është të njohësh vetveten. Me këtë unë shumë mirë e kuptova thellësinë e mesazhit. Jam i bindur se një njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin dhe çdo që ndërlidhej me shqiptarizmin, ai donte të thoshte se po ta njihnin shqiptarët vetën mirë do të mund të ishin kritik ndaj vetveten, do të kuptonin se si çdo e keqe rrjedh nga vetvetja, do të përpiqeshin ta përmirësonin vetveten si individ e pastaj do ta kuptoni se vetëm në mënyrë kolektive do të luftohet e keqja, do të kërkonin ta nxjerrin me të mirën nga vetvetja. Në këtë mënyrë ata asgjë nuk mund t’i ndalte çfarëdo që kërkojnë dhe donë ata. Po kështu si jemi nuk e njohim vetveten, nuk e dinë rëndësinë e bashkimit për një rrugë e një qëllim, do të na përsëritet historia”, u shpreh ajo./kosovapress

Liderët shqiptarë i japin lamtumirën Mandelës së Kosovës Read More »

“Historia e Diplomacisë Shqiptare”, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA

Këtë javë, rubrika “Histori e Diplomacisë Shqiptare” prezanton pjesë nga përpjekjet e qeverisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, proces që u finalizua me 28 korrik 1922.

Pas vendimit të 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve , i cili rinjohu statusin juridik të shtetit shqiptar, si shtet i pavarur e sovran,  dhe kufijtë politikë të tij të përcaktuar në Konferencën e Ambasadorëve 1913, u hap drita jeshile për njohjen e qeverisë së re shqiptare. Pas njohjeve të para nga disa prej Fuqive të Mëdha, qeveria shqiptare nxitoi të kërkonte edhe njohjen e qeverisë amerikane. Me 17 nëntor 1921, Komisionieri (përfaqësuesi jo-zyrtar) i qeverisë shqiptare në Uashington, Konstantin Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit.

Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922. Qeveria e SHBA kishte dërguar në Shqipëri përfaqësuesin e saj  jo-zyrtar  Maxwell Black,  me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje. Black kreu disa takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare si dhe ndoqi zhvillimet politike në vend .

Me 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit në cilësinë e Kryeministrit të vendit  dhe Ministrit të Punëve të Jashtme notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Deri në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike Black do të qëndronte në Shqipëri si Komisionier i SHBA në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të SHBA. Në fillim të dhjetorit 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane  U.Grant-Smith, në cilësinë e  Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Me 4 dhjetor ai paraqiti letrat kredenciale.

Deri në prill 1922 qeveria shqiptare u përfaqësua nga Komisionieri Çekrezi në Uashington.  Me 25 gusht 1922 qeveria shqiptare vendosi të hapte Legatë shqiptare  në Uashington dhe caktoi si Ministër Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të Shqipërisë në SHBA Mit’hat Frasherin. Për arsye financiare të shtetit shqiptar Frasheri nuk u nis në Uashington dhe qeveria shqiptare u përfaqësua nga konsujt e saj në New York, Koço Tashko e më pas Abdi Sula. .

Në korrik 1926 emërohet Ministri i pare Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington, Faik Konica, i cili hapi Legaten shqiptare në SHBA dhe kreu këtë detyrë deri pak muaj pas pushtimit të Shqipërisë Gjatë kësaj periudhe  u nënshkruan  disa marrëveshje midis dy vendeve, ku mund të veçojmë disa prej tyre si; traktati mbi njohjen e pasaportave amerikane shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, traktati mbi suprimimin e taksës së vizës për pasaportat shqiptare dhe amerikane të personave joemigrantë, , traktati i arbitrazhit, traktati i miqësisë për paqen e përgjithshme, traktati i neutralitetit, traktati i ekstradimit të personave keqbërës,ej.

Rubrika “Historia e diplomacisë shqiptare”, synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare.

Plot 6 milion dokumente të cilat paraqesin dëshmi arkivore mbi ngjarje e figura të caktuara, të cilat lanë gjurmë në politikën e jashtme duke vendosur standarde në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar do të publikohen online për të gjithë ata qe janë te interesuar.

Kjo rubrikë do të pasurohet çdo javë me informacione dhe dokumente të reja dhe synon të nxisë interesin dhe kuriozitetin publik mbi pasuritë tona arkivore. /atsh

“Historia e Diplomacisë Shqiptare”, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA Read More »

Check-up falas, MSH: Akuzat e PD qesharake

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar sot ndaj akuzave të PD lidhur me check up, duke shtuar se në 6 muaj rreth 225,643 qytetarë  kanë përfituar nga kontrolli falas.

“Në përgjigje të akuzave të hedhura për Programin Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, duke dashur të vazhdojë, ashtu si deri më sot, komunikimin zyrtar dhe transparent me qytetarët shqiptarë, ju përcjell të dhënat me të fundit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili është institucioni përgjegjës për ndjekjen dhe monitorimin e ecurisë së këtij programi. Të dhënat janë të përditësuara, ndryshe nga akuzat, që janë po të njëjtat, të mbushura me fjalë që i merr era pa dalë ende nga goja e atyre që keqinformimin e kanë mjet per t’u ushqyer me mediokritetin dhe amoralitetin e tyre ne politike e në media”, thuhet në deklaratën për mediat të ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas MSH, këto të dhëna janë edhe një konfirmim i besimit të qytetarëve tek ky program, si edhe i mbështetjes së drejtë që Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë Check Up-it FALAS që ditën e parë, pavarësisht baltës se hedhur që ditën e parë po ashtu, me akuza qesharake që fyejnë inteligjencën e çdo njeriu te arsyeshëm, por që fatmirësisht, i besojnë gjithnjë e më pak qytetarë”.

“Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një database mjekësore për sëmundshmërinë por edhe për identifikimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve invalidizuese me kosto të lartë sociale dhe financiare. Ajo që vihet re referuar të dhënave zyrtare është rritje e ndërgjegjësimit të popullatës për vetë rëndësinë që mbart kontrolli mjekësor bazë për identifikimin e çdo problematike shëndetësore që ky kontroll mjekësor vlerëson, nëpërmjet setit të analizave që çdo qytetar i moshës 35-70 vjeç ka mundësi të kryejë falas, çdo vit”, nënvizon MSH.

Duke u mbështetur në të dhënat për 6 mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer Kontrollin Mjekësor Bazë. Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute.

Më tej, MSH sqaron se “analizimi i treguesve statistikor të kontrollit mjekësor bazë gjatë këtij viti vlerësojnë se nga kontrolli i kryer kanë rezultuar 19% me rrisk të lartë, 34% me risk të moderuar dhe 47% me rrisk të ulët. Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, ku përqindja e rasteve të referuara nga kontrolli mjekësor bazë për periudhën janar – qershor 2018 rezultojnë: rreth 84,754 raste janë referuar tek mjeku specialist. Ndër këto: 49.61 % të rasteve janë referuar tek mjeku kardiolog për ndjekje të specializuar, për sëmundje kardiovaskulare, 20.14 % janë referuar me Diabet Mellitus tek mjeku Endokrinolog, 10 % janë referuar për tek mjeku Hematolog”.

“Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë arma më efikase kundër sëmundjeve. Ky program jo vetëm përmirëson aksesin e popullatës në shërbimin shëndetësor parësor, por mbi të gjitha ndikon në përmirëson e shëndetit të qytetarëve. Ndikon në uljen kostot e trajtimit të pacientëve në spitale si dhe drejton në mënyrë të drejtë financimin e politikave dhe programeve shëndetësore”, thuhet në deklaratë. /atsh

Check-up falas, MSH: Akuzat e PD qesharake Read More »