Aurora

Restoranti ku u helmuan 39 dasmorë në 3 dasma, lokali i VIP-ave (foto)

Pas helmimit te 39 personave ne 3 dasma te organizuara ne nje restorant ne Elbasan, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas informacionit ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka konstatuar kushtet e rënda higjeno-sanitare në subjekt.

Dyshohet se helmimi eshte shkaktuar per shkak te pranise se salmoneles.

4

NJOFTIMI

Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Elbasan në bashkëpunim me Krimin Ekonomik gjatë orëve të vona të mbrëmjes (6.08.2018) kanë bërë verifikimin e kushteve dhe prezencës së produkteve sidomos atyre me origjinë shtazore të gjendura në subjektin “Laguna Blu” me aktivitet restorant. 39 personat që pretendohet se janë helmuar nga ushqimi kanë qenë pjesë në dasma të ndryshme (të shtunën drekë/darkë si dhe të dielën në darkë) nga i njëjti lokal në qytetin e Elbasanit, subjekti i lartpërmendur.

Nga verifikimi i subjektit të shtetasit Manol Musaj rezultoi se kishte mungesë të rëndë të kushteve higjeno-sanitare si dhe mungesë të dokumentacionit shoqërues(gjurmueshmëri).

2

Në momentin e inspektimit në subjekt, ndodheshin 12 kg mish vici, 40 kokrra veze, 25 kg mish gici, 5 kg djathë i bardhë si dhe 4 kg djathtë kaçkavall pa etiketë. Për produktet e gjendura në subjekt u realizua marrja e mostrave me qëllim kryerjen e analizave për prezencë të Salmonelës. Për sa më sipër u mora masa administrative bllokim i menjëhershëm i aktivitetit deri në daljen e përgjigjes së analizave si dhe masë administrative me gjobë në vlerën 700.000 lekë.

3

Ndërkaq, po të hedhësh një sy të shpejtë në profilin e Facebook-ut të këtij lokali shohim që ka një eksperiencë disa vjeçare dhe se janë të shumta ceremonitë martesore që janë zhvilluar në ambientet e tij. Madje shpeshherë organizoheshin edhe festa apo party me të ftuar këngëtarë të njohur si Ermal Mamaqi, apo Xhensila Myrtezaj.

Restoranti ku u helmuan 39 dasmorë në 3 dasma, lokali i VIP-ave (foto) Read More »

Ambasadori Muça me kryebashkiakun e Vankuverit për bashkëpunim në fushën e turizmit

Ambasadori ynë në Kanada, Ermal Muça ka zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë së Vankuverit, për shfrytëzimin e potencialeve të dy vendeve në sektorin e turizmit.

Takimi me Gregor Robertson u fokusua mbi mundësitë që ofron sektori i turizmit në vendin tonë, potencialet ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe komunitetin energjik shqiptaro-kanadez në Kanada.

Vankuver është një prej qyteteve kryesore të Provincës së Kolumbisë Britanike në bregun perëndimor të Kanadasë.

Ndërkaq, ambsadori Muça ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të qeverisë Kanadeze, mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendit tonë dhe Kanadasë./atsh

Ambasadori Muça me kryebashkiakun e Vankuverit për bashkëpunim në fushën e turizmit Read More »

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën

“BE mund t’i ndihmojë komunitetet rurale që të adresojnë nevojat e tyre me qeverinë vendore dhe qendrore”.

Kështu deklaroi Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në një takim me banorët e Vermoshit.

Është e rëndësishme, u tha ajo banorëve, që të përqendroheni në nevojat tuaja kryesore dhe të keni vizionin tuaj për ta zhvilluar fshatin dhe për të përmirësuar jetën tuaj”.

Vlahutin i inkurajoi banorët që të shohin mundësitë e shumta që ekzistojnë në partneritetin BE-Shqipëri për të mbështetur zhvillimin vendor.

Një delegacion i BE-së në Shqipëri vizitoi Vermoshin dhe pati një takim me banorët e tij dhe me Kryebashkiakun e Malësisë së Madhe.

Banorët ndanë përvojën e jetës së tyre në Vermosh, shpjeguan shqetësimet e tyre dhe diskutuan mbi idetë dhe mundësitë e zhvillimit për të promovuar Vermoshin dhe Lëpushën./atsh

Vlahutin promovon Vermoshin dhe Lëpushën Read More »

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto

Megjithëse kam shkruar disa artikuj mbi Sarandën dhe kam qenë disa herë vitet e fundit, vetëm këto javët e fundit po mësoj ta njoh më mirë dhe e vlerësoj, sepse, e pranoj, nuk e ka pushtuar kurrë zemrën si vendet e tjera të Shqipërisë si Tirana, Korça, Drimadhes.

Kështu e nis shkrimin e saj Sara Perico, themeluese e portalit të informacionit turistik mbi Shqipërinë “Vado in Albania”.

Qyteti i Sarandës shtrihet në një gji të mbushur me hotele, pallate dhe ndërtesa, nuk është shumë për t’u parë për të treguar të vërtetën, por para se të ndiheni të zhgënjyer, duhet të dini se kjo garë për ndërtimin e egër është pasojë e ngjarjeve historike, politike dhe ekonomike që prekën Shqipërinë në epokën postkomuniste.

Në një mënyrë apo tjetër, muret e bardha të betonit që na përballen nga Korfuzi janë gjithashtu pjesë e historisë së vendit dhe përfaqësojnë një aspekt të tij.
Megjithatë, këto ditë po punohet për shtrimin e shkallëve me një dysheme prej guri të bardhë që e stolis shumë qendrën e qytetit.

Megjithatë, nga pikëpamja e shërbimeve, asgjë nuk mund të thuhet, Saranda ka gjithçka: super markete mjaft të mëdha, dyqane të freskëta të mishit dhe peshkut, dyqane, lokale të frutave dhe perimeve, shërbime administrative dhe madje edhe spital. Ajo është gjithashtu plot me restorante, bare, klube nate, bare plazhi, taverna tradicionale, dyqane suvenire, shesh lojërash për fëmijë, një port tregtar, turistë dhe një shëtitore të gjerë dhe të këndshme për të kaluar.

Sipas mendimit tim, gjëja më e tmerrshme në Sarandë është trafiku, në verë edhe më i mbushur se Tirana. Natyrisht, gjithçka përqendrohet në qendër dhe në rrugën kryesore që çon në Ksamil në njërën anë dhe në Himarë në anën tjetër. Por, duhet të thuhet se për të qëndruar në qytet dhe për të lëvizur nga një plazh në tjetrin, nuk keni nevojë ta merrni makinën dhe gjithashtu për të arritur në Ksamil dhe plazhet përreth, ju mund ta bëni me lehtësi me autobus.

Saranda dhe plazhet përreth

Saranda ka plazhe të ndryshëm, disa hotele private. Personalisht unë gjithmonë kam disa rezerva për të ndaluar në plazhet e qyteteve që kanë portet, sepse sigurisht pastërtia e detit është prekur nga trafiku detar i anijeve gjithashtu të mëdha si anijet dhe anijet turistike.

Kështu që nuk ndalem kurrë në ndonjë plazh në qendër të Sarandës, por isha në vendet fqinje që janë në shtrirjen e tokës, që bashkohet me Sarandën në Ksamil.

Plazhi i Manastirit, Pasqyrat dhe Pulëbardha janë tri mrekullitë që absolutisht nuk duhet t’i humbisni për asnjë arsye në botë! Natyrisht, në qershor dhe në shtator do të ishte më mirë, por unë ju siguroj se ata janë të bukur edhe tani! /atsh

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto Read More »

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për investimin e Aleancë së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, tha se investimi kap vlerën e 51 milionë eurove.

“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për ATSH, Cazalet.

Në prononcimin për ATSH, ai sqaroi më tej se “financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.

Gjithashtu, në prononcimin për ATSH, zëdhënësi i NATO-s tha se Aleanca i është mirënjohëse Shqipërisë për kontributin në Aleancë.

“Ne jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. Shqipëria gjithashtu i jep një mbështetje të fortë partnerëve tanë, përfshirë kontributin në Fondet tona të Kujdestarisë për Ukrainën, ndihmën në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake”, deklaroi ai.

Shqipëria, theksoi Cazalet për ATSH, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër ISIS-it, duke kontribuar me pajisje dhe trajnime për Irakun.

“Shqipëria gjithashtu na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, tha Zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për polic-imin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.  /atsh

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri Read More »

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë

Shqiptarët që lexojnë Shekspirin – njoh nja katër a pesë -, prej disa javësh e kanë patur të pamundur për të mos sjellë e risjellë në mendje monologun e famshëm të Hamletit To be or not to be, that is the question.

Për ta çështja që shtrohej ishte: A do të jetë Shqipëria një mbretëri e pavarur, apo serbi a greku, pavarësisht nga përpjekjet e Vienës apo Konsultës [Italisë] do të vërsulen për të copëtuar territorin e saj?

Por, së pari, ç’është në të vërtetë Shqipëria? Pyetje e çuditshme, të themi. Por jo dhe aq sepse, megjithëqë hasen shqiptarë kudo në Ballkan, nga perëndimi i Vardarit gjer në rrethinat e Athinës dhe në pjesën veriore të Peloponezit drejt Kanalit të Korinthit, Megarës dhe ishujve, ku që prej tre shekujsh ata përbëjnë bazën e popullsisë, prapë është tepër e vështirë të përcaktohen teorikisht kufijtë e një vendi që do të mbante emrin Shqipëri.

Me përjashtim të kohës së Skënderbeut, shqiptarit Gjergj Kastrioti i Krujës, që luftoi si hero epopesh kundër turqve të Muratit, nuk ka patur kurrë mbretëri shqiptare. Dy a tre vjet pas vdekjes së tij, që ndodhi në Lezhë më 1466 [1468], trupat turke rinisën pushtimet e tyre.

Po ashtu, sa më thellë të futemi në histori, do hasim shqiptarët. Janë banorët më të hershëm të gadishullit dhe dorët, që pushtuan Greqinë në shekullin XII [p.e.s.] duke i dhënë fund qytetërimit kretë me themelimin e fuqisë së Spartës, ishin, brenda të gjitha gjasave, një fis shqiptar zbarkuar nga Epiri drejt Jugut. Mbreti Pirro ishte shqiptar. Dijetari Momsen i përafron me pellazgët dhe me fiset italoste. Në atë kohë të largët, ata mbushnin krejt Maqedoninë.

Dhe maqedonët, që shtinë në dorë, me Aleksandrin në krye, Greqinë e Jugut, Egjiptin dhe Azinë, për aq sa njihej kjo e fundit, ishin pasardhësit e tyre.

Por, mjaft t’i thuash një heleni, as më shumë e as më pak që “Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë”, e veç kur do ta shohësh të iki nga mendja apo të arrijë kulmin e shovinizmit.

Një mbrëmje, kur isha në Apirantos për ekskursion, i lodhur pas një marshimi tërë ditën nën diell dhe nëpër dhiare, apo në shtigje mushkash, me potinat që m’u bënë copë, pyeta një naksiot: “Ishulli juaj është i banuar që prej tremijë e pesëqind vjetësh, apo jo? – Oh, ma ktheu, shumë më tepër!

Naksiotët janë bij të pellazgëve, të atyre pellazgëve hyjnorë, siç thotë Homeri. – Bukur, thashë, po si shpjegohet atëhere që, pas kaq e kaq shekujsh, ju ende nuk keni ndërtuar në ishull as edhe një rrugë të vetme?” Më nguli ca sy të çuditshëm, por jo gjatë, për të më thënë: “Po ne këtu s’jemi në Europë dhe s’kemi nevojë për rrugë!”

Kurse tek shqiptarët, ca më keq akoma. Që prej katër mijë vjetësh a më shumë, ata flasin gjuhën e tyre dhe ende nuk e shkruajnë atë.

Shqiptari kurrë nuk ka shkruar dhe kurrë nuk ka patur një libër të tij, si fshatari grek apo muzhiku sllav. Nuk po flas për libra modernë botuar nga propaganda italiane, greke, madje edhe turke me synim politik.

Folkloristë të Athinës dhe Epirit kanë botuar me germa greke këngë shqipe dhe rrëfenja popullore. Por alfabeti grek i përdorur në shqip është i pamjaftueshëm sepse i mungojnë dy a tre germa, j dhe v, për shembull. E njëjta vërejtje vlen edhe për turqit në përpjekjet e tyre.

Po e njëjta vërejtje dhe për librat shqip të shtypur me germa latine. Shqiptarë të greqizuar, që flisnin me lehtësi pothuaj të barabartë frëngjisht, greqisht e shqip, si lexuan një faqe të një broshure shtypur në Siçili, më thanë: “E kuptojmë si gjuhë, si të kuptonim greqisht me germa franceze.

Për ne është një ortografi artificiale dhe shumë nuanca të shqiptimit shqip nuk jepen. Por librat shqipe që përdorin germat greke janë shumë më të vështira për t’u kuptuar”.

Dhe kësaj mungese të një alfabeti praktik shqip i duhet shtuar dëmtimi i kësaj gjuhe gjatë tridhjetë shekujsh nga ndërhyrje dukurish të tilla që e ndryshojnë pa kuptuar fonetikën, si dhe nga prurja e vazhdueshme e fjalëve greke, turke, serbe, italiane apo nga të gjithë popujt me të cilët shqiptarët kanë qenë në lidhje.

Nga Shkodra në Himarë, gjuha vjen e ndryshon, ose të paktën në drejtim të prapashtesave dhe të shqiptimit, sepse Himara pothuaj është greqizuar. Po kush do të jetë gjuha e vërtetë? Ja pra vështirësitë për ortografinë. Dhe vetë kjo fjalë, “ortografi”, a është shqip? Shohim kështu të kapen pas njëri-tjetrit filologë, gjuhëtarë dhe gramatikanë.

E megjithatë, gjuha shqipe ekziston, e pasur me poezi shpërthyese, me përralla gjithë fantazi, me këngë djepi gjithë ngrohtësi, me këngë vaji, satirike a humoristike, si në llojin e pastishit të famshëm të Prosper Merimesë, apo me këngë dashurie e luftarake, që kujtimet e çmuara i kanë regjistruar prej shekujsh të paprekura në kujtesën e këtyre fshatarëve dhe malësorëve kaçakë që kurrë nuk kanë shkruar a lexuar një rresht të gjuhës së tyre. Ja pse ekziston nje Shqipëri.

Por këtë, nuk duhet t’ua kërkosh as grekëve që, ashtu si serbët e reduktojnë në një shirit toke midis liqenit të Ohrit dhe detit Adriatik, as diplomatëve të Romës apo të Vienës, që kanë arsyet e tyre për ta zgjeruar sa më shumë.

Më treguan një hartë austriake ku fjala “albanien” fillon në zemër të Malit të Zi, kur ky vetë aq i ngushtuar, dhe përfundon në det, më poshtë se ishulli i Korfuzit. Me një fjalë, krejt bregu nga gjiri i Kotorrit në gjirin e Artës.

Ç’përfitim për Austrinë sikur sulltani të kishte njohur me një marrëveshje të fshehtë protektoratin e saj në tërë këtë breg mbi treqind kilometra të gjatë!
Shqiptarët e idesë së madhe, sepse ka gjithashtu një ide të madhe shqiptare nuk do të guxonin të pretendonin aq shumë.

Shqipëria e madhe për ta është një territor i kufizuar nga një vijë shumë e çrregullt, me pikënisje Artën e Epirit, për t’u ngjitur në drejtim të Manastirit, pastaj drejt Shkupit, Gjakovës, dhe që andej drejt Shkodrës, kryeqyteti i tyre i vërtetë.

Dhe pretendimet e tyre mbështeten mbi një arsyetim shumë të habitshëm: “Gjithë vendi ku flitet shqip, është i yni, më thotë G., një shqiptar himariot.

Në fakt, gjuha jonë, si më e vjetra, përherë e më shumë është prapsur nga gjuhët e reja, duke i lënë vendin greqishtes ose serbishtes.

Nuk po flas për turqishten, ndaj së cilës është e kollajtë për t’u mbrojtur. E megjithatë, në Artë e në Janinë, madje edhe në perëndim të Manastirit e në Shkup flitet në radhë të parë shqip…”, thotë G., dhe këtu kuptohet përfundimi.

Nisur nga ky arsyetim, unë mund edhe t’i përgjigjesha: “Dafni, dhjetë kilometra larg Athinës, Menidhi, Eleusias [Elefsina] dhe ishujt më grekë nga vetë Athina, Salamina, Egineja dhe Porosi, ku vdiq Demosteni, qenkan ahere shqiptare”. Po a ia vlente? Më mirë të dëgjoja. Sepse të paktën, kështu mëson diçka.

Një tjetër, me mendim më të moderuar, që kërkon thjesht Shqipërinë, dhe jo Shqipërinë e madhe, përshkon me gisht një vijë mbi hartë.

“Shqipëria, thotë ai, kufizohet nga një vijë që do duhej të nisej nga pika më veriore e liqenit të Shkodrës, drejt Prizrenit, dhe që andej drejt Shkupit, dhe nga Shkupi shqiptar, duke lënë në të djathtë Manastirin, do t’i binte qark nga Jugu dy liqeneve të Ohrit e të Prespës gjer në jug të Haxhii-Sarandës përmbi detin Adriatik [Jon]. “

Po mua nuk më takonte në këtë mes të flisja, për më tepër që, për mendimin tim të ndrojtur, vetë Shqipëria nuk e di ku ndodhet me saktësi brenda kufijëve të saj, ndonëse ekzistenca e saj është mëse e sigurt.

Veçse është për të ardhur keq për paqen europiane dhe për zhvillimin industrial e tregtar të popujve të vegjël ballkanikë që Austria, e mbështetur nga ambiciet e pashpallura të aleates së saj, megalomanes Itali, dhe nga bajonetat gjermane mbron dhe nxit pretendime të tilla.

Që pas sukseseve të tyre të para dhe para se Austria ta shpallte tabu bregdetin adriatik, aleatët, për fat të keq, zunë e hallakateshin përherë e më shumë. Dhe, së bashku me ta, edhe ne.

Malazezët merrnin vijën Alesio [Lezhë] – Skutari – Gjakovë, serbët vijën Shkup – Prilep – Durrës dhe grekët vijën Manastir – Vlorë. Shqipëria vazhdonte të ekzistonte me Elbasanin dhe fushën e tij të pasur vaditur nga Genusosi [Shkumbini], me Beratin, apo me Beogradin e arnautëve, aq shumë e tkurrur.

Dhe ja ku Shqipëria shpall sot pavarësinë e saj dhe Austria ua ndalon serbëve dorën mbi Durrësin, dhe Italia, nga ana tjetër, grekëve mbi Vlorën. Të plotëfuqishmit e Londrës do kenë kështu një problem të koklavitur për t’u zgjidhur.

Si përfundim, Shqipëria ekziston në perëndim të Ballkanit. Është më e lashtë nga vetë Europa dhe prapë s’ka histori të vetën [si Shqipëri me kufij të përcaktuar]; ka gjuhë, po s’ka alfabet; ka kufij gjeografikë që e shfaqin territorin e saj sipas oreksit të palëve: ose sa një Mal i Zi, ose sa një Greqi. Dhe prapë, në disfavorin e saj.

Po me vete, ajo ka Austrinë e fuqishme që e lakmon për të mbajtur Adriatikun, dhe Italinë që e dëshiron me të madhe për të mbajtur nën kontroll edhe flotën austriake. Sigurisht që është shumë nga ana e tyre.

Ne francezët, për qetësinë e Europës, për përparimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të gadishullit, dhe në interesin e vetë katolicizmit – dhe këtu e kam fjalën për Serbinë – ne duhet të urojmë një Shqipëri të vogël, por zotëruese të vetvetes, të mbrojtur dhe të siguruar ndaj tekave të politikës midis një Serbie tepër të zgjeruar dhe një Hellade të fortë e të lulëzuar./njekomb

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë Read More »

Më pak se 2 përqind e njerëzve, e gjejnë se kush është vrasësi në këtë figurë

Misteret e vrasjeve janë shumë argëtuese, por vetëm në botën e letërsisë dhe kinemasë. A keni zgjidhur ndonjëherë ndonjë kuiz misteri?

Këto lloje misteresh nuk janë vetëm argëtues për t’u zgjidhur, por edhe i japin trurit tuaj ushtrimin aq të nevojshëm. Fatkeqësisht, ndërkohë që ne kujdesemi shumë për trupin, nuk bëjmë të njëjtën gjë për trurin.

Dhe nëse keni nevojë të bëni pak stërvitje për mendjen, ja një gjëzë që d i japë shtytjen që ka nevojë.

Shihni me kujdes figurën. Në të majtë është trupi i vdekur i një gruaje. Po, ajo është vrarë brutalisht, por pyetja është kush e ka bërë. Janë katër të dyshuar; a e gjeni dot cili është vrasësi?

Provojeni një herë ta gjeni dhe më pas, hidhuni një sy përgjigjeve më poshtë.

Vrasësi është Nr. 4. Sepse;

Thika (mjeti i vrasjes që ndodhet në krah të viktimës) mungon në tryezën e tij të ngrënies!

Rrobat i ka të zhubravitura (shikoni mëngën e këmishës), gjë që tregon se mund të ketë qenë në përleshje me dikë.

Në fund, në veshin e tij dallohet një njollë gjaku.

Më pak se 2 përqind e njerëzve, e gjejnë se kush është vrasësi në këtë figurë Read More »

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior

Akademiku Rexhep Qosja është përfshirë në debatin që po zhvillohet së fundmi për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku i ka dhënë mbështetje presidentit Thaçi.

Në një shkrim për dritare.net Qosja i ka arsyetuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe ka kritikuar ata që kanë dalë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve.

“Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata qe kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë menyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimii territoreve dhe korrigjimii kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës”, ka thënë Qosja.

Ai ka thënë se togëfjalëshin Ndarje e Kosovës nuk e kanë përmendur ata që po akuzohen (Thaçi), por po i vardisen akuzuesit (Ndarjes së Kosovës), duke përmendur disa arsye sipas tij, pse po i bëjnë këto akuza (ndaj Thaçit).

“Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcakojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kluarën e tyre të derivonshme”.

Qosja ka thënë se këta akuzues nuk i merr seriozisht, sepse mendimet e tyre të dikurshme i kanë ndryshuar pas çlirimit të Kosovës.

“Për të gjitha këto arsye pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht. Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat cështë e vërteta i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetëveten e dikurshëm”.

Por, Qosja ka thënë se merr seriozisht përbërjen e delegacionit që po e përfaqëson Kosovën në bisedime ku sipas tij “mbizotërojnë diletantët”.

“Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përtashme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngriten në ato bisedime. Por në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën”.

Akademiku ndër të tjera ka thënë se “faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës”.

Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit, sipas Qosjes duhet ta dinë se “deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën”.

“Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale ( si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”, përfundon shkrimin e tij Rexhep Qosja./Telegrafi/

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior Read More »