Aurora

Dyndje turistësh në Korçë, sot Festa e Birrës

Korça mirëpret sot Festën e Birrës, eventi më i madh festiv veror.

Stafi organizativ në bashkinë e Korçës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, po vijon punën për organizimin e kësaj Feste, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.

Nëse ende nuk e keni vendosur se ku duhet të jeni këto ditë, mos u mendoni gjatë. Nga data 8-12 gusht do të jenë 5 netë befasuese, 2 skena, emrat më në zë të muzikës dhe shumë surpriza.

Gjatë ditës mund të vizitosh atraksionet e qytetit ndërsa në mbrëmje mund të shijosh festën te Pazari i Vjetër dhe sheshi para stadiumit “Skënderbeu”.

Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Mbi 100 000 persona pritet të vizitojnë Festën e Birrës në 5 netët e organizimit të saj (8-12 gusht).

Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm.

Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës promovohet një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.

Festa e Birrës nuk është thjesht një festë, por konsiderohet si eventi më i madh veror në Shqipëri.

Përgjatë 5 ditëve i gjithë qyteti i Korçës do të jetë në festë. Superkoncerte, birrë, gatime tradicionale, pranë Stadiumit Skenderbeu dhe festë tek Pazari i Vjetër… Kështu e kanë menduar organizatorët Festën e Birrës 2018.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë.

Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon./atsh

Dyndje turistësh në Korçë, sot Festa e Birrës Read More »

Apeli i efektives së policisë: Pushimet veniten kur nuk respekton rregullat

Polica e Elbasanit është në gatishmëri të plotë për të ardhur në ndihmë të qytetarëve në raste të problematikave të caktuar.

Punonjësja e Policisë së këtij qarku, Daniela, rrëfen se falë punës së bërë nga policia rezulton se këtë 6 mujor krahasuar me një vit më parë, janë parandaluar 25 raste më shumë ngjarje e konflikte me pasoja.

Ajo i bënë ftesë të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo problematik në numrin 112 pa pagesë.

“Jam Daniela, 26 vjeçe, punonjëse në Komisariatin e Policisë Elbasan. Prej 3 vitesh punoj në Sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike. Në qarkun tonë, këtë 6 mujor krahasuar me një vit më parë janë parandaluar 25 raste më shumë ngjarje e konflikte me pasoja”, shprehet efektivja e policisë.
“Në shërbimin tuaj 24/24, për një komunitet të sigurt e të qetë. Pushimet veniten kur nuk respekton rregullat! Për çdo emergjencë telefononi Policinë e Shtetit në numrin 112”,apelon Daniela. /atsh

Apeli i efektives së policisë: Pushimet veniten kur nuk respekton rregullat Read More »

AKU zgjeron kontrollet në vend, bllokime dhe gjoba në qarkun e Vlorës

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.

Konkretisht, trupat inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndaloi një furgon në qytetin e Sarandës me 40 kg qumësht të skaduar para 4 muajsh, 31 kuti me çaj sherebel të skaduara para një viti.

Menjëherë u bë bllokimi i produkteve të skaduara dhe u mor masa administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë.

Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale AKU Vlorë ka nisur aksioni për kontrollin e të gjithë restoranteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark.

Konkretisht nga kontrolli i trupës inspektuese të DRAKU Vlorë rezultoi se subjekti me aktivitet bar restorant ushtronte aktivitetin e tij në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Për shkeljet e konstatuara për subjektin u mor masa administrative me gjobë në vlerën 300.000 lekë.

Tolerancë zero ndaj çdo subjekti abuzues me sigurinë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

Gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./atsh

AKU zgjeron kontrollet në vend, bllokime dhe gjoba në qarkun e Vlorës Read More »

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për investimin e Aleancë së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, tha se investimi kap vlerën e 51 milionë eurove.

“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për ATSH, Cazalet.

Në prononcimin për ATSH, ai sqaroi më tej se “financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.

Gjithashtu, në prononcimin për ATSH, zëdhënësi i NATO-s tha se Aleanca i është mirënjohëse Shqipërisë për kontributin në Aleancë.

“Ne jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. Shqipëria gjithashtu i jep një mbështetje të fortë partnerëve tanë, përfshirë kontributin në Fondet tona të Kujdestarisë për Ukrainën, ndihmën në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake”, deklaroi ai.

Shqipëria, theksoi Cazalet për ATSH, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër ISIS-it, duke kontribuar me pajisje dhe trajnime për Irakun.

“Shqipëria gjithashtu na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, tha Zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për polic-imin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.  /atsh

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri Read More »

Nëse punoni në Shqipëri: Pse të paktën 1 herë, ishit si kjo milingonë… (Fabula ku do gjeni veten)

Fabula e mëposhtme, me siguri që të ka ndodhur të paktën një herë në jetë.

Nëse ke punuar ndonjëherë, sidomos në institucionet shtetërore ku burokracitë janë më të mëdha, por edhe nëpër ndërmarrje, ju apo dikush që njihni, ka një histori të ngjashme për të treguar…

Kjo rrëfenjë po shpërndahet rishtazi në rrjetet sociale dhe po pëlqehet jashtë mase, ndaj menduam që ta ndajmë me ju.

Nuk dimë cili është autori, por duket se kanë qenë të shumtë ata që e kanë identifikuar me realitetin shqiptar.

A është kjo historia jote shqiptare, me punëdhënësit dhe vartësit e tij, që nuk mbarojnë?…
Lexoni këtë fabul tejet interesante!
– Si çdo ditë në mëngjes, milingona u nis të bëjë punën e saj gjithë energji dhe optimizëm.

Ajo ia dilte mbanë të realizojë shumë gjëra gjatë ditës.

Një ditë, luani e vuri re milingonën teksa e kryente punën me sinqeritet dhe përkushtim, pa pasur nevojë që dikush t’i qëndrojë tek koka.

Me vete, mbreti i pyllit mendoi:

“Nëse kjo milingonë punon kaq shumë dhe plot entuziazëm pa pasur njeri tek koka, imagjino sikur t’i caktoj dikë ta kontrollojë.”

Menjëherë ai punësoi një buburrec, të cilin e ngarkoi me përgjegjësinë e supervizorit të milingonës.

Që ditën e parë të punës, buburreci vendosi një rregullore sipas të cilës rregullohej orari i paraqitjes në punë, qendrimi dhe largimi.

Ai mori dhe merimangën si sekretare personale të tij, e cila do të merrej me arshivën dhe kontrollin e bisedave telefonike, por dhe përdorimin e internetit.

Kur luanit i mbërriten raportet e para të mënyrës si po organizohej puna, u ngazëllye nga gjithçka që ishte arritur.

Ai i kërkoi buburrecit që të thellohet më shumë me shkresurinat, t’i pasurojë me të dhëna dhe t’i paraqesë në mbledhjen e bordit administrativ.

Buburreci bleu një printer lazer dhe një laptop të shpejtë.

Ai caktoi mizën si përgjegjëse për sektorin e informacionit.

Milingonës që po i dilte shpirti duke punuar, filluan të mos i pëlqejnë fort këto ndryshime administrative, mbledhjet e shpeshta dhe burokratizmat që thjesht i merrnin kohën.

Pas disa kohësh, luani vuri re se diçka nuk shkon në performancën e stafit, prandaj vendosi të ndryshojë ca gjëra.

Si ekspert të çështjeve administrative, ai emëroi karkalecin, i cili si hap të parë, ndryshoi të gjithë mobiliet dhe shtresën, për të ofruar kushte optimale për stafin.

Ai mori dhe një asistent personal, për ta ndihmuar në vendosjen e strategjive dhe përgatitjen e buxhetit.

Luani, pasi i hodhi një sy kostos së përgjithshme të shpenzimeve, vendosi të ulë shpenzimet.

Për ta bërë këtë, ai caktoi bufin si këshilltar në financa.

Bufit, iu deshën tre muaj për studimin e situatës financiare.

Në fund, ai përgatiti një propozim për t’ia paraqitur luanit, sipas të cilit duhej reduktuar paksa numri i punonjësve.

Menjëherë, luani vendosi që milingona të largohej nga puna, me arsye:

Performancë e dobët dhe produktivitet i ulët!

Me siguri po kujtoni vetveten, miqtë apo familjarë, që ju kanë treguar një histori të ngjashme…

Shpërndajeni nëse ju pëlqen, dikush do ta gjejë veten Patjetër në këtë fabul, sidomos në Shqipëri!

Nëse punoni në Shqipëri: Pse të paktën 1 herë, ishit si kjo milingonë… (Fabula ku do gjeni veten) Read More »

Blick: A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete?

Ideja e Shqipërisë së Madhe është sërish e pranishme, shkruan e përditshmja zvicerane Blick, duke shtuar se kundërshtarët e kësaj ideje janë duke ndjekur qasjen graduale të Shqipërisë dhe Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova, të cilat janë të banuara pothuajse ekskluzivisht nga shqiptarët, po ecin me hapa të mëdhenj, shkruan mediumi zviceran në artikullin me titullin “A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete?”
Eksperti gjerman Andreas Wildermuth thotë se Shqipëria dhe Kosova donin të “krijojnë sa më shumë unitet të jetë e mundur nën bashkimin formal”.

Ai tha ai për agjencinë e lajmeve gjermane DPA se ky “është një qëllim legjitim, sepse nuk mund t’i mohohet atyre rregulla që janë standarde në BE”.

Një erë shtesë në vela mori gjatë ditëve të kaluara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po kërkon “korrigjime kufitare”, që do të thotë “bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën”, shkruan gazeta.

Sipas vlerësimeve, deri në 100,000 shqiptarë jetojnë në këtë zonë nëpër qytetet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ky korrigjim kufitar është i mundshëm dhe i domosdoshëm, sepse Serbia nuk ka arritur të garantojë të drejtat e pakicave, citon gazeta presidentin Thaçi.

Cilat fusha do të përfshijnë një Shqipëri të Madhe, e cila refuzohet rreptë nga të BE-ja dhe SHBA-të? Pikë kryesore do të ishte Republika e Shqipërisë dhe Kosova e sotme. Përveç kësaj, gjysma e shqiptarëve ende jetojnë në Maqedoni, plus bashkatdhetarët në Serbinë jugore dhe dhjetëra mijëra në Mal të Zi, përkujton gazeta./njekomb

Blick: A po bashkohen Kosova dhe Shqipëria në mënyrë sekrete? Read More »

Çfarë ndodh nëse i hani 12 kumbulla në ditë

Kjo mbretëreshë e pashmangshme e bart një tjetër “brez mbretëror”: është zgjedhja e parë tek kapsllëku.

Ajo është një përzgjedhje e pashmangshme e çdo amvise e cila e përgatit ushqimin për dimër, ndërsa përveçse që përdoret për përgatitjen e marmelatës dhe reçelit, sigurisht që është e këshillueshme për ta ngrënë edhe të freskët, sepse përmban vitamina C (5 deri 8 mg për 100g, në varësi të llojit), vitaminë B6, bakër, vitaminë B2, B3, vitaminë C, magnez, hekur, kalcium, madje dhe 240 mg kalium për 100g. Kumbulla është e pasur me fibra, 2g për 100g, dhe me gjithë këtë është një fryt me pak kalori.

Studimet e mëparshme kanë treguar se kumbulla i forcon eshtrat, e zvogëlon rrezikun e kancerit të zorrës së trashë, dhe se konsumi i 12 kumbullave me madhësi mesatare në ditë për dy muaj e zvogëlon nivelin e kolesterolit të keq LDL.

Dhe, edhe këtu nuk ndalojnë përparësitë e kësaj “mbretëreshe”. Konsumimi i rreth 12 kumbullave në ditë, ose 100 gramëve për tre muaj do t’i rritë ndjeshëm markerët e gjakut të cilët tregojnë për rritje të densitetit të eshtrave, sipas një hulumtimi.

Isatin dihidroksi-fenil, është një nga komponentët për të cilat kumbulla, ndër të tjera, është fryti me efekt më të fortë laksativ. Asaj i ndihmojnë edhe sorbitolet, fenolet dhe fijet dietetike. Vetëm 25 gramë kumbulla të thara, që është e barabartë me një mesatare prej tre frutave, na japin 5% të sasisë së nevojshme ditore të fibrave./njekomb

Çfarë ndodh nëse i hani 12 kumbulla në ditë Read More »

Ku ndodhet “Tajlanda shqiptare”?! Ja lumi që po marros pushuesit vendas dhe të huaj (Video)

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në dy vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.
 
Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme megjithatë është e gjatë dhe e larmishme. Nisja nga Tirana bëhet ende pa lindur dielli, në 5 të mëngjesit dhe ha rreth 2 orë deri në Vaun e Dejës dhe rreth 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.
 
Oraret e tragetit janë 6 dhe 9 e mëngjesit. Megjithatë, për 90 euro në total (5 euro personi) varka me rreth 20 vende vihen në dispozicion të vizitorëve për të shijuar nga afër pikat interesante të liqenit të Komanit dhe të lumit të Shalës.
 
Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.
 
Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.
 
Megjithatë, izolimi dhe mungesa e vizitorëve deri më tani ofron ende kapacitete të kufizuara akomodimi, ndërsa fluksi i të ardhurve nga qytete të ndryshme ka nënvijëzuar shërbimin e dobët dhe ushqimin që lë për të dëshiruar.
 
Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.
 
Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij si për shembull Guri i Lekës, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.
 
Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme,” tha për BIRN Eduard Kocli, guidë e agjencisë Albania Alpine Adventure.
 
Ai shton se ky bum turistësh në dy vitet e fundit, i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e shërbimit dhe akomodimit të kërkojnë mundësi zhvillimi me nisma që do të financojnë bujqësinë e zonës, në mënyrë që vizitorët të shijojnë prodhime vendase.
 
Donald Balla, një i ri nga Tirana i është bashkuar një prej guidave të agjencive aventuriere për të eksploruar këtë destinacion të ri të Alpeve. Pas disa zhytjeve në ujin e akullt të lumit të Shalës, ai shprehet mjaft optimist për të ardhmen e këtij vendi.
 
Për lumin e Shalës u informova në Facebook dhe vendosa ta vizitoj. U kënaqa shumë këtu dhe do t’jua rekomandoja të gjithëve. Është një natyrë e paeksploruar dhe shumë e bukur,” tha ai për BIRN.
 

Pas disa orëve plazh dhe një dreke të konsumuar në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët e qeshur i hipin sërish varkave të vogla për të shijuar rrugën e kthimit e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit.

Ku ndodhet “Tajlanda shqiptare”?! Ja lumi që po marros pushuesit vendas dhe të huaj (Video) Read More »