Aurora

Denoncimi/ Drejtori i burgjeve shkon i pirë në punë, ofendon dhe kërcënon punonjësit

Një tjetër skandal ka ndodhur në burgun e Drenovës në Korçë. Një prej anëtarëve të personelit, ka denoncuar një rast skandaloz, ku drejtori i burgut ka shkuar i pirë në punë dhe më pas ka sharë dhe ofenduar këdo që i dilte para.

Punonjësi shkruan se drejtori pasi ka pirë në festën e birrës, u ëhstë drejtuar punonjësve duke i sharë dhe kërcënuar ata. Denoncimi i tij është bërë publik nga ish-kryeministri Sali berisha.

Ja postimi i Berishës në Facebook:

Narkodrejtori i policisë së burgjeve bëhet tapë dhe terrorizon personelin! Lexoni mesazhin e policit dixhital!

Miremengjesi doktor !

Mbreme drejtori i policise se burgjeve mbasi kishte pire mire e mire ne festen e birres ne korce vjen dhe ben reprezale presione te kota dhe te pabaza ofendon, shan dhe perbuz cdo efektiv ne burgun e drenoves Korce .

Mbeshtetemi tek juve se vetem ju denonconi te tilla raste . Turp per nje drejtues te tille . Me respekt nga nje efektiv i ndodhur mbreme aty.

Denoncimi/ Drejtori i burgjeve shkon i pirë në punë, ofendon dhe kërcënon punonjësit Read More »

Do të lëpini gishtat! Ja si të gatuani Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave

Fantastike në shije, krejt e lehtë në përgatitje, hallva vijon të mbetet një nga ëmbëlsira klasike, tradicionale shqiptare.

E përgatitur në mënyra të ndryshme, me miell misri a gruri, me qumësht nëse dëshironi apo e pasuruar me arra e kanellë, kjo ëmbëlsirë pa dyshim është ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë dy receta tradicionale të përgatitjes së hallvës në shtëpi, asaj me miell misri, qumësht dhe arra si dhe hallvës me miell gruri dhe mjaltë.

Hallva me Miell Misri – rbërësit

1 gotë miell misri, Gjysmë gote sheqer, 700 ml ujë, Arra të thërrmuara, Gjalpë i freskët, Kanellë (sipas preferencës)

Përgatitja

Në rastin kur kjo ëmbëlsirë përgatitet me miell misri, sigurohemi që mielli që jetë i situr mirë. Në një tenxhere, kaurdiset me mielli me gjalpë, sa të marrë një ngjyrë në kafe të çelët.nHidhet sheqeri i bërë shurup, bashkë me arrat.

Masa përzihet fortë dhe shpejtë derisa të shkëputet nga anët e enës dhe ndahet lugë-lugë në format e topthave. Për një shije më të plotë, mund të zëvendësoni ujin me qumësht. Në këtë rast, sheqeri shtohet gjatë kohës që mielli i misrit kaurdiset me gjalpin dhe më pas hidhet qumështi i nxehtë bashke me arrat.

Hallva me Miell Gruri – Përbërësit

120 gr miell gruri, 70 gr gjalpë, 150 gr sheqer, 250 ml ujë, arra të thërrmuara, kanellë, Dy lugë mjaltë

Përgatitja 

Në një enë hedhim ujin të cilin e kemi vakur më parë bashkë me sheqerin. E përzjejmë masën derisa sheqeri të shkrijë plotësisht. Në një tenxhere, shkrijmë gjalpin me zjarr të ulët. Pasi gjalpi të ketë shkrirë hedhim miellin, të cilin e përzjejmë pa u ndalur dhe shpejt në mënyrë të që shmangim formimin e kokërrizave.

Kur masa merr një ngjyrë në kafe të çelur shtojmë dy lugë mjaltë dhe më pas në mënyrë të ngadaltë shtojmë shurupin dhe arrat e thërrmuara. Përgjatë gjithë kësaj kohe vijojmë përzjerjen derisa masa të përthithë të gjithë ujin. Pasi ka përthithur ujin, hallva është gati. E heqim nga zjarri dhe e lëmë me kapak të mbyllur për 15 minuta.

Më pas, mund të përdorim dy lugë në dhënien e formës karakteristike të hallvës, por edhe forma të tjera. Në sipërfaqe e spërkasim me kanellë dhe vendosim nga një thelpi arre sipër.

Kjo ëmbëlsirë fantastike mund të shërbehet në temperaturë ambjenti ose e ftohtë. Për një shije më të veçantë, uji mund të zëvendësohet me qumësht. I gjithë procesi i përgatitjes së kësaj ëmbëlsire kërkon durim dhe përkushtim.

Do të lëpini gishtat! Ja si të gatuani Hallvë me miell misri dhe arra nga delikatesat e amvisave Read More »

Berisha trefishoi koston e Rrugës së Kombit. Basha shpëtoi nga burgu me raporte mjekësore, gati hapja e dosjes

Ish kryeministri për rrugën Durrës-Kukës filloi punimet pa projekt, duke rritur hap pas hapi koston e ndërtimit të kësaj rruge. Bashkë me Tiranë-Durrës, shuma e shpenzuar shkon 1.83 miliardë dollarë. Shteti shqiptar paguan 42 milionë dollarë çdo vit për këstët e kredive të Rrugës së Kombit

Durrës-Kukës është padiskutim projekti simbol i mënyrës se si qeverisja e Partisë Demokratike abuzoi me fondet publike nën petkun e ndërtimit të një rrugë kombëtare që lidhte Shqipërinë me Kosovën.

Analizimi i shifrave që gjenden në librat e dokumenteve zyrtare në Autoritetin Rrugor Shqiptar e dëshmon se si rruga e nisur pa projekt degjeneroi në rritje e fryrje kostosh duke qenë një barrë e rëndë për Buxhetin e Shtetit dhe xhepat e taksapaguesve shqiptarë për dekada me rradhë.

Mbi të gjitha, Durrës-Kukës mbeti vetëm një ëndërr pasi ajo në rastin më të mirë është një rrugë që nis në Milot dhe përfundon në Morinë. Edhe këtu, duhet pranuar se segmenti nga Miloti në Rrëshen u investua përgjysëm me vetëm dy korsi jashtë standardit të ndjekur me pjesën tjetër. Gjithashtu, ura e madhe e Kukësit mbeti në letër dhe segmenti Kukës-Morinë i gjymtuar me ura gjysmake, të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Nga fillimi në fund, rruga nuk ka rrethimin që duhet të kishte një autostradë dhe lëngonte nga mungesa e sinjalistikës së përshtatshme për një vepër të asaj kategorie.

Edhe pse e nisur kryekëput në mjegullnaje pa një projekt të qartë teknik dhe me procedura të dyshimta, në kontratat fillestare të lidhura me kompanitë ndërtuese, rruga do duhet të përmbyllej me rreth 819 milion dollar (saktësisht 819,720,982 USD). Në realitet, punimet në këtë rrugë bashkuar dhe me koston e mirëmbajtjes së deritanishme dhe financimin për përmbylljen e segmentit të lënë pezull në Kukës-Morinë kanë arritur në rreth 1,38 miliard dollar.

Pra, edhe pse janë paguar 560 milion dollar më tepër se sa ishin parashikuar në fazën fillestare të fillimit të kësaj rruge, qytetarët shqiptare nuk e kanë mundësinë që të kenë të njëjtin standard rruge nga Miloti në Morinë. Aq më pak të kenë një rrugë që fillon në Durrës dhe përfundon në Kukës siç edhe ky projekt mbajti emrin.

Referuar të dhënave zyrtare të deklaruara nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, çdo vit Buxheti i Shtetit paguan rreth 42 milion dollar për borxhin që Republika e Shqipërisë ka marrë për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Duke llogaritur edhe interesat për kreditë që do të shlyhen për vitet e ardhshme, çdokush mund ta kuptojë se në fakt kostoja totale është shumë më tepër se 1,38 miliard dollar.

Kampion për rritjen e kostos nga ajo fillestare është padiskutim seksioni Reps-Thirrë, e parashikuar të kryhej me 132,259,697 euro por në fakt shteti ka paguar 240,799,996 euro. Thënë ndryshe, ky segment ka kushtuar në realitet 82.1% më shumë se sa ishte parashikuar në kontratën fillestare të qeverisë Berisha.

Sipas dokumentacionit zyrtar, tuneli i Thirrës (të dy tubat verior+jugor) kishte një vlerë totale sipas kontratës fillestare në 124,908,690 Euro pa Tvsh. Vlera përfundimtare e kësaj vepre rezulton të ketë arritur në 280,763,450 Euro pa Tvsh. Thënë ndryshe, vlera e kostos së ndërtimit është rritur 124.8% krahasuar me atë të përcaktuar në kontratën fillestare.

E gjithë vepra, segmentet rrugore dhe tunelet rezulton që të kenë patur një kosto të shtuar me 66.3% më shumë se vlera e parashikuar në kontratat fillestare të lidhura mes shtetit shqiptar dhe kompanive të ndërtimit.

E njëjtë kjo panoramë edhe me rrugën e famshme Tiranë-Elbasan e cila koston fillestare të projektit e kishte312,552,058 USD për të gjithë veprën që duhet të përfundonte në vitin 2014. Kosto e rruges sot kur ende nuk ka perfunduar ka arritur jo pak por 449,318,704 USD. Te gjitha rrisqet e projektit i ka marre përsipër Buxheti i Shtetit duke u renduar konsiderueshem. Nga fillimi deri me sot Tirane-Elbasan ka ngrene 136,766,646 milion USD me shume se sa u mendua dhe tenderua në fillim.

Milot-Morinë dhe Tiranë-Elbasan, që të dyja sëbashku në kontratat fillestare të qeverisë Berisha duhet të kushtonin 1,13 miliard dollar. Sot, asnjëra prej këtyre rrugëve nuk mund të konsiderohet e përfunduar por e lënë në mes dhe kostoja e tyre ka shkuar në 1,82 miliard dollar ose rreth 700 milion dollar më tepër për Buxhetin e Shtetit.

Nuk mbaron me kaq, pasi nuk janë vetëm 1,82 miliard dollar. Nëse llogariten interesat e kredive të marra nga qeveria shqiptare për ndërtimin e këtyre dy veprave, shkaku kryesor i rritjes së nivelit të borxhit publik në masë të frikshme, kostoja për xhepat e taksapaguesve shkon shumë më lart.

Ky vizion i qeverisë Berisha për infrastrukturën rrugore u ka lënë në kurriz shqiptarëve dy gropa financiare, dy rrugë gjysmake. Kostoja për mirëmbajtjen e këtyre dy veprave do duhet të përballohet sërish nga taksapaguesit që pashmangshmërisht do shkojnë drejt kalimit me pagesë në këto dy akse rrugore.

Paradoksalisht, Partia Demokratike e cila ka fryrë kostot e ndërtimit të rrugëve në këtë mënyrë të frikshme duke dërrmuar financat publike, sot është vënë në krye të një sulmi ndaj paketës “1 Miliard për rindërtim” e cila parashikon edhe ndërtimin e 4 segmenteve rrugore Thumanë-Kashar, Rrugës së Arbrit, Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren.

Përmes kësaj forme të Partneritetit Publik Privat, shteti përcakton një tavan buxhetor për projektet dhe më pas kompania private merr përsipër kostot dhe risqet teknike që nga projektimi, ndërtimi deri tek dorëzimi tek shteti dhe zbatimi i kontratës së mirëmbajtjes për gjithë periudhën e koncesionit.

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë vetëm njëherë për ndërtimin e këtyre katër rrugëve pasi Buxheti i Shtetit do të shlyejë kompanitë private me këste për një periudhë prej 13 vitesh. Ndërkaq, mirëmbajtja e akseve është pjesë e kontratës së Partneritetit Publik Privat e rrjedhimisht çdo qytetar do të kalojë pa pagesë në këto rrugë të reja.

Kjo diferencë e dukshme në vizionin e dy qeverive rreth infrastrukturës rrugore duket se është edhe shkaku se përse Partia Demokratike harron këto skandale financiare dhe akuzon qeverinë për fryrje të kostove të ndërtimit të rrugëve.

Çdo qytetar shqiptar që dëgjon këto akuza mjafton të kujtojë dy fakte. Së pari, për rrugën Durrës-Kukës Prokuroria e Përgjithshme ushtroi një hetim penal dhe dërgoi si të pandehur në gjykatë shtetasit Lulzim Basha ish-Ministër i Transportit dhe Andi Toma ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Së dyti, për rrugën Tiranë-Elbasan, prokuroria ka në zhvillim një hetim në ngarkim të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika.

Në të dyja rastet, protagonistët ja kanë dalë ti shpëtojnë hekurave të burgut me procedura e makinacione dhe ndodhen në liri duke patur edhe guximin të bëjnë ekspertin për kostot e rrugëve./Pamfleti

Berisha trefishoi koston e Rrugës së Kombit. Basha shpëtoi nga burgu me raporte mjekësore, gati hapja e dosjes Read More »

A keni vapë? Ja si të flini mirë gjatë netëve të nxehta

Një gjumë i rehatshëm gjatë stinës së verës është padyshim një ëndërr që vështirë të bëhet realitet. Fjetja me ajër të kondicionuar është e dëmshme për shëndetin dhe rrugët e frymëmarrjes.

Temperaturat e larta nga ana tjetër janë aq të parehatshme për trupin sa nuk të lënë të vësh gjumë në sy. Gjumi është një proces shumë i nevojshëm për organizmin.

Sipas të dhënave  arsyeja përse është kaq e vështirë të flemë në temperature të larta është se trupi nuk është i mësuar me to. Trupi pret që temperaturat e larta të qëndrojnë shumë pak gjatë ditës dhe në mbrëmje të ulen normalisht.

Ekspozimi i vazhdueshëm ditë e natë ndaj nxehtësisë e çorodit trupin dhe vështirëson ardhjen e gjumit. Për të zgjidhur këtë parehati të madhe, idealja është që të qëndrojmë në një ambient të freskët, por jo domosdoshmërisht të ftohtë. Lexoni këshillat se si t’i shpëtoni kthetrave të verës e të flini mirë në këtë stinë.
Jastëkë Të Freskët
Pjesa më e madhe e temperaturës së trupit vjen nga koka. Nëse keni një jastëk të freskët nuk do të keni shumë vapë. Jastëkun mund ta mbështillni me qese plastike dhe ta fusni në frigorifer përpara gjumit.
Vendosni Akull Përpara Freskueses
Mbushni një tas me ujë të ftohtë dhe akull dhe vendoseni në fushëpamjen e freskueses. Do të ndieni një freski natyrale.
Përdorni Shishe Me Ujë Të Ftohtë
Gjatë dimrit, shumë shqiptarë mbushin shishe plastike me ujë të nxehtë për të ngrohur shtratin. I njëjti parim vlen edhe në verë, por shishja duhet mbushur me ujë të ftohtë.
Çarçafë Pambuku
Ssugjerohet të përdorni çarçafë të hollë pambuku në shtratin tuaj. Kështu do të mund të mbani nën kontroll temperaturën e trupit.
Bëni Dush
Përpara se të bini për të fjetur bëni një dush të freskët që të ulni temperaturën e trupit.
Shmangni Alkolin
Birra ose vera tingëllojnë të paevitueshme gjatë verës, por alkoli në sistemin tuaj mund të përkeqësojë temperaturën e trupit.
Ushqime të Lehta
Ushqimet e pasura me karbohidrate treten me vështirësi dhe rrisin temperaturën e brendshme të trupit. Konsumoni sallata, fruta dhe ushqime të lehta.

A keni vapë? Ja si të flini mirë gjatë netëve të nxehta Read More »

Mjaltë me sodë buke – Kura plot përfitime për shëndetin

Soda e bukës është përdorur që në lashtësi kundër një sërë sëmundjesh dhe problemesh dermatologjike. Ajo është shumë e suksesshme, jo vetëm në gatim por edhe për pastrim.
Vlerat E Mrekullueshme Të Sodës Së Bukës
Soda e bukës është aleati më i mirë i sistemit tretës. Ajo ndihmon kundër fryrjeve në stomak dhe për tretjen e ushqimeve të rënda. Sipas të dhënave soda e bukës është një kurë që funksionon kundër urthit dhe ndjesisë së djegies në kraharor. Soda e bukës ndihmon mëlçinë të shpërbëjë toksinat që nuk treten dot.

Ajo është e pasur me vitaminë C dhe kalium. Kësisoj, soda e bukës është një nga antioksidantët më të mirë natyralë që ekzistojnë në botë. Soda e bukës zbut infeksionet dhe neutralizon bakteret dhe viruset. Ajo përdoret gjërësisht edhe kundër gripit dhe virozave, sipas informacioneve të AgroWeb.org. Soda e bukës e ndihmon organizmin të ngrejë një sistem mbrojtës kundër baktereve. Ajo është shumë efikase kundër infeksioneve urinare.
Kura E Sodës Së Bukës Me Mjaltë – Përbërësit:
120 gramë sodë buke, 250 gramë mjaltë
Përgatitja:
Përziejini përbërësit në një enë qelqi deri sa masa të jetë homogjene dhe e trashë. Vendosni një tenxhere me ujë në zjarr, dhe ngroheni enën me mjaltë e sodë brenda tenxheres në ujin e valuar për 10 minuta. Më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Ju duhet të konsumoni dy ose tre lugë gjelle çdo ditë për një muaj.

Kurën mund ta konsumoni para ose pas vakteve. Është shumë e rëndësishme që kurën të mos e konsumoni për më shumë se një muaj. Gjatë kësaj kohe, duhet të shmangni mishin e kuq, miellin dhe sheqernat. Kjo kurë funksionon kundër disa sëmundjeve si: stomaku, gripi dhe sëmundjet e veshkave. Nëse vendosni të konsumoni kurën, ju këshillojme të informoni mjekun që ndjek progresin e sëmundjes suaj.

Mjaltë me sodë buke – Kura plot përfitime për shëndetin Read More »

Kjo është java juaj/ Ja kush është shenja më me fat, 13-19 Gusht

Dashi

Teksa ju jeni duke përjetuar momentin kyç të kësaj vere, plot kontradikta dhe shpresa për stinën e vjeshtës, dikush pranë jush mund të kërkojë diçka më tepër, me gjasë përgjigje apo konfirmime.

Pra, yjet nuk e përjashtojnë mundësinë që të lindurit në shenjën e Dashit të gjenden përballë personave polemikë, të cilët nuk falin siguri dhe qetësi dhe kërkojnë gjithmonë përgjigje tejet të vështira. Ndodh kështu deri në fundjavë, kur Jupiteri i favorshëm

do t’ju rikthejë entuziazmin dhe motivimin për t’u përshtatur me stinën e verës dhe personat e pazakontë që e shoqërojnë atë.

Demi

Ju e shfrytëzoni më së miri qetësinë dhe gjakftohtësinë që ju karakterizon për t’u mbrojtur, po ashtu edhe ngadalësinë që, në ditët në vijim, mund t’u japë një përgjigje të përsosur të gjithë atyre që ju bëjnë shumë pyetje. Sepse, nëse Plutoni, të martën, do të ngjallë brenda jush dyshime të pabazuara dhe të pakuptimta, Jupiteri, të enjten, do të mundohet t’i japë fund optimizmit në shenjën tuaj. Pra, duhet të përpiqeni që të mbroheni këtë verë nga sulmet e planetëve që mbjellin dyshime dhe mosbesim te vetja juaj dhe te të tjerët. Doni një këshillë? Në fundjavë kërkojini mendim personave të tretë, sepse ata, ndryshe nga ju, do të gjykojnë me objektivitet.

Binjaket

Duke qenë se kjo është java kulmore e stinës së verës, të lindurit e shenjës suaj, që karakterizohen nga intuita e mprehtë, do të dinë të përshtaten me gjendjen aktuale. Kështu, nuk do t’i lejoni planetët kaotikë që të prishin çlodhjen absolute të pushimeve të shkëlqyera. Dikush mund të ketë dëshirë që të ngjallë polemika apo të ndërlikojë ndonjë situatë ose projekt që, teorikisht, duhej të shërbente për t’i dhënë nuanca argëtimi dhe adrenaline kësaj stine të qetë. Reagoni me kthjelltësi deri në fundjavë, kur do të gjeni sërish pasionin dhe aftësinë për t’i thjeshtësuar gjërat. Sepse kështu e do kjo punë.

Gaforrja

Keni bërë pushime të gjata. Në fakt, ky është momenti më i bukur i stinës së verës, falë një qielli mjaft të favorshëm në shenjën tuaj, i përbërë vetëm nga Afërdita që stimulon gjërat e thjeshta dhe spontane. Kjo liri mund të cenohet gjatë ditëve në vijim nga disa dyshime dhe dilema (me gjasë të martën) që vijnë për shkak se ju nuk besoni që e ardhmja do të jetë miqësore me fatin tuaj (do të ndodhë mes të mërkurës dhe të enjtes). Megjithatë, po ta shikoni me vëmendje, mund të jetë thjesht një iluzion optik

si pasojë e gjendjes emocionale. Ndaj, nuk ia vlen të stepeni nga frika. Qetësia dhe optimizmi do të zënë vend prej të dielës në shenjën tuaj.

Luani

Pikërisht teksa ju po i gëzoheni stinës së favorshme, kur energjitë e kozmosit ngjasojnë së tepërmi me mënyrën tuaj të të qenit dhe ju bëjnë të ndiheni tejet të fuqishëm, mund të paraqitet një sfidë jo fort e lehtë. Sa keq! Problemi juaj mund të ketë të bëjë me raportin me të ardhmen, ose më saktë, me aftësinë tuaj konkrete për t’u dhënë pas gjërave që do të vijnë dhe që do t’ju shoqërojnë pas pak kohësh.

Gaboheni, në fakt! Shmangni dyshimet dhe dilemat e stilit të Otellos që ta kaloni të pacenuar javën më të nxehtë të verës. Qëndroni larg debateve dhe bisedave me polemika dhe prisni fundjavën, kur Jupiteri do ta rikthejë vëmendjen tuaj te diçka pozitive dhe konkrete.

Virgjëresha

Pse duhet të ndërmerrni aventura thuajse të pamundura, kur e dini që s’i keni idetë të qarta dhe që edhe ju vetë keni nevojë për ndihmë, për përgjigje dhe për konfirmime? Vendim me mend do të ishte që ta linit një person të afërt me ju t’i zgjidhte vetë problemet e veta dhe të përballet vetë me mëdyshjet e brendshme, ndaj të cilave ju nuk keni se ç’të bëni. Cila është arma juaj? Durimi, aftësia për të pritur konfirmime dhe zhvillime të reja. Kështu, do ta përmirësoni gjendjen shpirtërore të momentit. Këtë gjë do të vëreni edhe me qartë në fundjavë, kur pasioni dhe entuziazmi do të rikthehen hareshëm në të tashmen tuaj.

Peshorja

Ndonjëherë, nuk është mirë të ndiheni tejet të rëndësishëm dhe vendimtarë, sepse rrezikoni ta mbivlerësoni veten dhe të ushqeni në mënyrë të pabazuar ndjesi dhe përshtypje jo fort konstruktive. Afërdita ju shtyn që të përjetoni çdo ngjarje me vendosmëri, në mënyrë të dukshme dhe duke i kushtuar shumë rëndësi, por ky mund të shndërrohet në një realitet të sikletshëm. Sepse, Jupiteri dhe Plutoni, gjatë ditëve në vijim, do t’ju bëjnë të ndiheni të pafuqishëm përballë disa situatave që do të paraqiten si tejet urgjente. Në fakt, ju do të dini të impononi durimin dhe artin e pritjes deri në fundjavë, kur dikush mund të largojë çdo energji negative. Do t’ia hidhni edhe kësaj here.

Akrepi

Herë pas here ia dilni mbanë të përballoni sfida të vështira, të cilat të krijojnë përshtypjen se nuk kapërcehen vërtet. Ja që do të ndodhë kështu! Marsi ndikon që e tashmja e të lindurve në shenjën e Akrepit të jetë e ngjeshur me ngjarje, edhe pse kjo është java kur, më shumë se kurdo, duhet t’i gëzoheni pushimeve dhe argëtimit. Ndonëse shpesh futeni në mendime dhe ndiheni disi të lodhur, gjatë ditëve në vijim do të kujdeseni për ata persona që nuk ia dalin dot mbanë me forcat e veta. Si për çudi, do të hiqni dorë nga dyshimet dhe dilemat dhe do të dini t’i jepni siguri dhe motivim një personi që, për arsye të caktuara, ka humbur besimin. Një përpjekje kjo që do të paraqitet pozitive edhe për ju vetë.

Shigjetar

Ndërkohë që ndodheni vetëm pak ditë larg çlirimit tuaj personal nga rregullat dhe angazhimet e lodhshme dhe të tepruara, si pasojë e Saturnit, sjellja juaj rrezikon të bëhet jo fort sociale, diplomatike apo mirëkuptuese. Kjo mund të ndodhë kryesisht me miqtë tuaj apo me ata që do t’ju qëndrojnë pranë në këtë periudhë kushtuar çlodhjes dhe argëtimit. Bëni kujdes gjatë ditëve të mesjavës, kur dyshimet dhe dilemat, mund ta bëjnë jo fort harmonike bashkëjetesën tuaj me të tjerët. Tabloja do të përmirësohet në fundjavë, sepse pasioni dhe ndjesitë rinore do të kthehen sërish në favorin tuaj. Do të jeni Shigjetarët e zakonshëm.

Bricjapi

A është e mundur që Afërdita të mos ju lejojë ta kaloni në qetësi këtë javë që i kushtohet pushimit dhe çlodhjes? Kjo varet nga ju, ose më saktë, në aftësia dhe vullneti juaj për të mbrojtur hapësirat personale dhe kohën që i takon relaksimit fizik dhe rigjenerimit. Ndaj, është më mirë që të hiqni dorë nga ndjenjat e fajit dhe të jetoni me qetësi çdo çast të vyer të së tashmes. Bëjeni këtë kryesisht kur Jupiteri do t’ju përcjellë një ndjesi të pazakontë sikur po e çoni kohën dëm. Në fundjavë, Marsi do t’ju ndihmojë që të ndiheni përsëri të fortë, të vendosur dhe të gatshëm për të fituar diçka të rëndësishme.

Ujori

Do të jetë një javë që do ta jetoni në mënyrë shumë vetjake, duke i kushtuar rëndësi të madhe gjendjes tuaj shpirtërore, emocioneve dhe gjithçkaje që zgjon ndjesi brenda jush. Do të ndodhë kështu, sepse shpesh përballeni me dyshime, hezitime, me mënyrën tuaj tejet logjike të të vepruarit, që gjatë mesjavës mund të përballet ashpër me ndjenjat. Pra, është një javë që do të ndërlikohet vetvetiu, deri në atë pikë sa vetëm në fundjavë do të ndiheni përsëri të fortë, të qetë dhe të vetëdijshëm. Mundohuni të mbroheni nga ky pozicionim yjesh, duke shmangur zërat jo fort dashamirëse që do t’ju nxisin të mos ruani qetësinë.

Peshqit

Është periudhë pushimesh, bukurie dhe relaksimi. Është periudhë në të cilën do të përjetoni një raport thuajse të përsosur me kënaqësinë dhe të bukurën, aq shumë sa, nëse diçka rrezikon ta prishë këtë idil, s’do të reagoni hiç mirë.  Plutoni, të martën, do t’ju bëjë hezitues dhe do të sjellë ulje-ngritje humori te ju. Pozicionimi i yjeve ka dëmtuar kthjelltësinë tuaj dhe s’do të jeni fort të lumtur. Situata do të ndreqet nga e premtja e tutje, mbase kur një miku juaj do t’ju ndihmojë të gjeni sërish motivim dhe të merrni hov, duke ju shtyrë të besoni vërtet në atë që bëni dhe të vlerësoni veten. Kështu, do të gjeni buzëqeshjen.

Kjo është java juaj/ Ja kush është shenja më me fat, 13-19 Gusht Read More »

Kjo histori e vërtetë shqiptare, që flet shumë për karakterin dhe moralin, ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.

Në kryeqytet pjesa më e madhe e fshatarëve vinin për të gjetur derman.

Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë.

Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan si shpërblim për vizitën dhe për ilaçin.

Ishte koha kur në Shqipëri ekzistonte një krizë e rëndë ekonomike. Njerëzit vdisnin rëndom nga varfëria dhe kriza  kishte pllakosur gjithë Shqipërinë.

Luftërat e gjata, tranzicioni  i vështirë politik dhe grindjet e një pasnjëshme të qeverive shqiptare, jostabiliteti dhe ndërhyrja e vazhdueshme e fuqive të huaja thuajse e kishte kthyer në kolaps situatën shqiptare. Në qytet gjendja ishte tragjike.

Në fshat ishte pak më ndryshe.

Me gjithë prapambetjen që ekzistonte në fshatin shqiptar, duke u marrë me ekonominë e tyre familjare gjendja ishte disi më ndryshe.

Dhe siç ka qenë gjithnjë zakon në Shqipëri që mjeku është konsideruar si perëndi dhe është stimuluar, vajzat e varfra fshatare kishin marrë ca gjëra të pakta me vete.

Kur mjeku i tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë.

Kjo histori e vërtetë  shqiptare që flet shumë për karakterin dhe moralin, së bashku me fotografinë ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington.

Një histori e vërtetë prekëse që gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, kontribuues jo vetëm në gazetari por dhe në historinë shqiptare, me kujdesin e veçantë i boton herë pas here në faqen e tij në rrjetet sociale.

Ishte një histori e vërtetë shqiptare, e atyre viteve të vështira që menduam t’a ndajmë me lexuesit e njekomb.foto-new-10129

Kjo histori e vërtetë shqiptare, që flet shumë për karakterin dhe moralin, ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington Read More »

Intervista ekskluzive e Ismail Qemalit në Vjenë (1912): “Ne nuk kërkojmë autonomi, por pavarësi”

Letër nga Vjena

Ismail Qemali dhe çështja shqiptare,

Vjenë, 21 nëntor.

Ismail Qemal Beu, një nga udhëheqësit më të padiskutueshëm të Kombit Shqiptar, u ndal për disa ditë në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i rezervuan një mikpritje të ngrohtë dhe ku personazhet zyrtare të monarkisë, pa u distancuar nga rezerva diplomatike e imponuar prej rrethanave, nuk i fshehën atij simpatinë dhe interesin e tyre për çështjen që ai mbron. Ai, me gjithë këmbënguljeve të tij, nuk arriti të takonte dukën Bertchold; gjithsesi atë e vunë në kontakt me disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Momenti i vizitës së tij në Budapest rastisi, për më tepër, në kulmin e krizës austro-serbe : çështja e konsujve shqetësonte opinionin publik, tashmë i pakënaqur me qëndrimin e papajtueshëm të Serbisë për çështjen e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një atmosferë të favorshme për projektet e tij : ai dukej disi i shqetësuar dhe nervoz.

Po largohem sonte, më tha ai, për Trieste. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Miqtë e mi dhe unë do të përpiqemi të organizojmë një komitet mbrojtës në vend, një lloj qeverie të përkohshme. Por, duhet më në fund që Evropa të dalë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me anë të akteve interesin që dëshmon se ka për çështjen tonë të pafat. Në Austri, në Gjermani, si edhe në Francë dhe Angli, opinioni publik është në favorin tonë; e drejta jonë njihet unanimisht dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se është në përputhje jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me interesat e fuqive të mëdha. Çfarë po pret Evropa për të na mbështetur? Do të jetë e padobishme shpallja e të drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne nuk do të ekzistojmë më. Qëllimi i serbëve është i qartë: ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët”.

Ismaili i moshuar uli kokën dhe heshti për disa çaste, pastaj rifilloi:

Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjitha kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë se ne nuk jemi shumë të civilizuar: kemi vuajtur kaq shumë! Por, a është kjo një arsye që një pemë, për shkak të mungesës së kujdesit, të pritet se nuk ka lulëzuar? Ne ishim të parët, pas vitit 1908, që u ngritëm kundër pretendimeve tiranike të qeverisë xhonturke. Duke kërkuar atëherë reforma dhe një trajtim më të drejtë, duke protestuar kundër kërkesave të papajtueshme me zakonet dhe kushtet tona, ne nuk mbronim ekskluzivisht vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive: programet tona asokohe dëshmojnë për këto qëllime. Përpjekjet tona nuk patën sukses: ata u shtypën nga represionet më të padrejta dhe të dhunshme.

Popujt e Ballkanit u bashkuan; ata morën përsipër çështjen që ne tentuam të mbronim. Dhe sot që ata triumfojnë, veprimi i tyre i parë është që të kthehen kundër nesh ! Ata i njohin qëllimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre: ne i konsideronim si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim asnjë plan zgjerimi dhe propagande; ne kërkojmë vetëm një gjë : që të na lënë të jetojmë në territorin ku gjendemi. Dhe këtë pretendim, ne do ta mbështesim deri në fundin më ekstrem. Ne nuk do të lejojmë as aneksimin, as ndarjen dhe as zhytjen e popullit tonë në rrjedhën e një popullsie të huaj. Çështjet e gjetjes së formulës politike apo ajo për krijimin e një qeverie janë dytësore, dhe, në kohën e tashme, na shqetësojnë pak. Pika thelbësore është që tani e tutje ndjenja kombëtare mbizotëron mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, preferencat politike ose rivalitetet konfesionale. Katolikët, ortodoksët, myslimanët, të gjithë shqiptarët janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe pavarësinë e Shqipërisë”.

Ismail Qemali pati përdorur gjatë bisedës fjalët “pavarësi” dhe “autonomi”. E pyeta nëse shqiptarët tashmë ishin të qartë për synimet e tyre. Ai bëri një gjest apatik:

Çfarë vlere ka të luash me fjalët? – tha ai. Askush nuk e kishte dëshiruar më shumë se unë rigjenerimin e Perandorisë Osmane; askush nuk ishte më i vendosur se unë për të sakrifikuar shumë, gjithçka që ishte e mundur për të sakrifikuar, që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. Ne jemi rebeluar vetëm kundër abuzimit të pushtetit nga një parti, e cila paragjykonte të drejtat tona dhe kishte për qëllim të na shtypte si komb. Kjo parti, tashmë, ka shkatërruar Turqinë: çfarë do të mbetet në Evropë nga Perandoria Osmane? Nuk bëhet më fjalë për një Shqipëri autonome që i nënshtrohet sundimit të Turqisë. Lidhjet me një provincë të izoluar dhe të largët nga Perandoria do të ishin artificiale dhe të vështira për t’u mbajtur. Ne nuk kërkojmë autonominë, por pavarësinë : një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe madje u ofron disave garanci”.

Ismail Qemali e dinte se para se të shkoja për ta takuar, kisha takuar Hysen Xhahidin, ish-drejtorin e Taninës, i cili, duke u larguar nga Kostandinopoja, si arsye e kërcënimit të një dënimi, kishte gjetur strehim në Vjenë. Ai më pyeti se çfarë mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e parashikonte të ardhmen. Unë nuk i fsheha se u befasova nga optimizmi i tij. Ai nuk kishte humbur asgjë nga entuziazmi dhe besimi i tij i mëparshëm. Përvoja që kishte dështuar në Evropë do të ripërtërihej në Azi, ku ajo kishte një shans më të mirë për të pasur sukses. Atje, asnjë besdisje, asnjë pengesë. Armenët nuk mund të përbënin një rrezik : ata kishin aq shumë interesa të përbashkëta me turqit ! Arabëve do t’u jepej një autonomi e gjerë. Progresi do të arrihej pak nga pak. Vendi do të organizohej, do të bëhej i begatë.

Ëndrra! – tha Ismaili. Asnjë realitet, kaq brutal dhe i tmerrshëm sa është, nuk do të zgjojë këta njerëz ! Ata kanë shkatërruar, nga gabimet dhe arroganca e tyre, situatën më të bukur e më të pashpresë në botë. Çfarë simpatie dhe besimi gëzonte Turqia në Evropë pas revolucionit! Fakti ishte i papritur, dukej se u shfaq një fuqi jetike dhe energjitike me burime të pazbuluara. Evropa në tërësi i besoi Turqisë së re dhe i ofroi ndihmën e saj. Ata nuk kuptuan dhe shfrytëzuan asgjë. Sa herë kam provuar t’u hap sytë, u lutesha atyre që të mos shpërdornin avantazhet e një situate unike, të cilën vendi nuk do ta gjejë më kurrë; Nuk do të përfitonin vetëm ata, por e gjithë Perandoria. Për disa muaj, ata u tjetërsuan nga të gjithë: fuqitë e mëdha, që u trajtuan me një mëndjelehtësi të pabesueshme, na kthyen shpinën ; në brendësi të Perandorisë, kombësitë e kërcënuara prej një politike të verbër dhe brutale, menduan të shkundnin zgjedhën që u bënte ekzistencën e tyre të pamundur. Rezultati i gjithë kësaj është historia e këtyre ditëve të fundit: pa dyshim, që ende nuk u duket mjaft e qartë”.

Ismail Qemali, ndërsa isha gati t’i them lamtumirë, këmbënguli përsëri me shpresën se do të shihte Fuqitë e Mëdha të Evropës, të mbështesnin, në mënyrë efektive, kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej shumë i kënaqur me aranzhimet që pati në Austro-Hungari, shumë më pak me ato që shtypi italian shkruante prej disa ditësh. Shtypi, i thashë, nuk e përkthen gjithmonë mendimin e qeverisë”. Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj. – M. P.

Intervista ekskluzive e Ismail Qemalit në Vjenë (1912): “Ne nuk kërkojmë autonomi, por pavarësi” Read More »