Aurora

Fshati shqiptar pa ujë, pa rrugë dhe pa drita

Banorët e fshatit Sopëz, pjesë e bashkisë Divjakë, ankohen se mungojnë uji, rruga, dritat, dhe pastërtia.
Rruga hyrëse është e shkatërruar, kanalet janë të mbushura me plehra, ndërsa përpara çdo banese derdhen ujerat e zeza.

Alfred Peqi vjen nga Greqia dhe ka sjellë me vete edhe turistë grek, por e ka të vështirë t’u shpjegojë arsyet pse ne vendin e tij mungojnë shërbimet bazë.s“Gjithçka i kam bërë me shpenzimet e mia. Edhe ujin e pijshëm e sjellim me lekët tona. Ne i paguajmë tatimet, ku janë shërbimet”, shprehet Alfred Peqi, emigrant në Greqi.

“Njerëzit të shikojnë me dashuri dhe respekt, por fshati ka probleme, rruga, pastërtia, uji”, thotë Tolias Jorgos, turist grek.

Fshati ka rreth 2000 banorë, rruga hyrëse e gjatë 2km është e vështirë për kalimin e automjeteve.

Ujin e pijshëm banorët e blejnë nëpër autobote. Linjat elektrike janë një tjetër problem i shtuar pasi për çdo mot të keq ato nuk kanë drita dhe në shumicën e rasteve janë vetë banoret që blejnë telat për të riparuar demet.

Edhe të rinjtë e fshatit e gjejnë shpresën vetëm tek ideja e emigracionit.

Fshati shqiptar pa ujë, pa rrugë dhe pa drita Read More »

Sërish tërmet në Shqipëri

Shqipëria është goditur këtë të martë nga dy tërmete me magnitudë të dobët në jug dhe në juglindje të vendit.

Lëkundja me magnitude 2.5 ballë është ndjerë në orët e para të mëngjesit rreth orës 06:11 në Borsh.

Tërmeti është regjistruar në thellësinë e 7 kilometrave, 4 km në veri të fshatit, ndërsa tërmeti i dytë shënuar rreth orës dy të mëngjesit në Vinjoll të Burrelit. Nga të dy tërmetet nuk raportohet për të lënduar apo për dëme materiale.

Pak javë më parë, vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 5.1 ballë me epiqendër në rrethin e Matit, lëkundje e cila u shoqërua me qindra pas-goditje të forta.

Sërish tërmet në Shqipëri Read More »

Politika uron festën e Kurban Bajramit

Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj.

Presidenti Meta përcolli urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht besimin që ditë të tilla të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të forcojnë modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës mes bashkësive fetare në vendin tonë.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Mesazhi që sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët tanë, është mesazhi i solidaritetit, i bashkëpunimit, i vëmendjes sidomos për ata të cilët kanë më shumë nevojë për t’u përfshirë, për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar. Sot është një ditë, e cila gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare, që ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore”, tha ai.

Në këtë ditë simbol të sakrificës, devotshmërisë dhe mëshirës, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha se “sot dhe çdo ditë le të tregojmë më shumë vëmendje e përkujdesje për më të dobëtit e të pamundurit dhe të solidarizohemi me të gjithë ata në nevojë për një shoqëri më të drejtë e më të zhvilluar, për më shumë paqe e prosperitet”.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me urimin për festën e Kurban Bajramit, tha se “sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mija shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit”.

“Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, tha Basha.

Edhe Kryetarja e LSI-së  Monika Kryemadhi uroi besimtarët për festën e Kurban Bajramit.

“Në këtë ditë të sakrificës dhe të flijimit të ditës së Kurban Bajramit dua tu uroj paqe, begati, mirësi dhe të ndajmë mirësinë me njëri-tjetrin, të ndajmë begatinë me njëri-tjetrin dhe të largojmë urrejtjen dhe dëshpërimin nga njëri-tjetri. Sot në këtë ditë të shënuar, e cila në njëfarë mënyre na kujton të gjithëve të reflektojmë, që jemi të barabartë përpara Zotit, le të jemi përsëri vëllezër me njëri tjetrin, të jemi përsëri të angazhuar me njëri-tjetrin për të bërë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë”, tha Kryemadhi./atsh

Politika uron festën e Kurban Bajramit Read More »

Problemet shëndetësore që shkaktohen nga ajri i kondicionuar

Ajri i kondicionuar është një lehtësim që na mirëpret kudo në verë: në zyrë, në supermarket, në autobus, në makinë dhe në shtëpi. Megjithatë, duhet pasur kujdes dhe gjithashtu duhen marrë parasysh pasojat negative.

Përveç dhimbjes klasike të fytit dhe qafës së ngurtë, përdorimi i tepërt i ajrit të kondicionuar është një kërcënim për mirëqenien tonë. Para së gjithash, duhet patur parasysh se është e dëmshme kur prodhon thatësi të tepruar në mjedis. Përdorimi i saj me kujdes është mënyra më e mirë për të përfituar nga një prej aleatëve tanë më të mirë kundër të nxehtit.

Le të shohim se cilat janë efektet në shëndetin tonë:

Çrregullime të frymëmarrjes

Ndikimi i parë i ajrit të kondicionuar ndodh në sistemin e frymëmarrjes, shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të papritur të temperaturave. Stresi që prodhon kalimi nga nxehtësia shtypëse në të ftohtët e një supermarketi ose një zyre mund të shkaktojë më shumë se një shqetësim. Për më tepër, qarkullimi i kufizuar i ajrit e ekspozon trupin tonë ndaj infeksioneve respiratore dhe mund të shkaktojë probleme të fytit.

Ata që shpenzojnë shumë orë në një mjedis me ajër të kondicionuar kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje që prekin hundën dhe problemet më serioze të saj, siç është rhinitis.

Infeksionet virale

Një tjetër pasojë e zakonshme e ajrit të kondicionuar është rritja e infeksioneve virale, shpesh të favorizuara nga një sistem imunitar disi i dobësuar. Në një dhomë me ajër të kondicionuar dritaret duhen mbajtur të mbyllura; ajri qarkullon, por nuk ka ajër të pastër.

Ajri i ftohtë mund të transmetojë virusin e ftohjes, gripit dhe baktereve të tjera. Shkurtimisht, nga kjo pikëpamje, një shtëpi pa ajër të kondicionuar është shumë më e shëndetshme.

Dehidratim

Dehidrimi është një tjetër pengesë për ata që kalojnë shumë orë në një dhomë me ajër të kondicionuar. Ndjenja e mirëqenies që ndiejmë është përcaktuar kryesisht nga fakti që kondicioneri filtron dhe heq lagështinë. Për më tepër, temperatura e ulët redukton nevojën për të pirë; rreziku, pra, është që në fund të ditës të jeni të dehidratuar.

Dhimbje koke

Dhimbjet e kokës janë një nga efektet anësore më të zakonshme që sjell përdorimi i ajrit të kondicionuar për orë të tëra, veçanërisht kur dallimi mes temperaturave jashtë dhe brenda është i dukshëm.

Thatësi syri

Thatësia e syrit, shpesh e shoqëruar me kruajtje, skuqje dhe acarim syri është një tjetër efekt negativ, sidomos tek njerëzit të cilët tashmë kanë tendencë të vuajnë nga ky problem.

Në fakt, thatësia e syrit bëhet më e keqe kur kaloni shumë orë në një ambient me ajër të kondicionuar. Nëse ky është problemi juaj, atëherë ne ju rekomandojmë që ta përdorni ajrin e kondicionuar me moderim.

Redukton aftësinë për të përballuar të nxehtin

Nëse kaloni një kohë të gjatë të ekspozuar ndaj ajrit të kondicionuar, ju mund të bëheni më intolerantë ndaj temperaturave të nxehta.

Mbani mend se trupi stresohet kur kalon nga një mjedis i freskët artificial në nxehtësinë e zjarrtë. Ndryshimet e papritura të temperaturës shpesh kanë një ndikim negativ në shëndet.

Ajri i kondicionuar, në momentet më kritike të verës, është një lehtësim, veçanërisht për të moshuarit dhe më të dobëtit. Megjithatë, ana tjetër e monedhës janë efektet negative. Prandaj, zgjidhja është një përdorim i përgjegjshëm dhe i moderuar i sistemeve të kondicionimit të ajrit. /atsh

Problemet shëndetësore që shkaktohen nga ajri i kondicionuar Read More »

“Nostradamusët” Berisha, Meta, Rama, Basha dhe telepatia e “fallxhore” Monës, parashikojnë rënie zjarri edhe në 30 arkiva të tjera

Flakët po shpërthejnë, vetëm në institucione ku qarkullojnë lekë, troje, toka, licenca, koncesione dhe dosje gjyqesh “VIP”
Ndryshe nga viti i kaluar, që zjarret binin në pyje, zjarret këtë stinë vere, po bien vetëm në institucione shtetërore dhe brenda 1 jave, kanë rënë 3 zjarre në Arkivën e Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në Arkivën e Gjykatës së Lartë dhe në Zyrën e Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, por flitet se zjarret, do vazhdojnë të bien “rastësisht” dhe në institucione të tjera, ku ka arkiva pronash, tenderësh, donacionesh, koncesionesh, licenca guroresh, spitalesh, universitetesh private, lejesh ndërtimi e dosje me “punë lekësh shteti”.

Këtë rrezik zjarresh në zyrat e shtetit, Zoti e ka përcjell nëpërmjet 4 “nostradamusëve” të politikës shqiptare Berisha, Meta, Rama e Basha, të cilët të mbledhur mesnatën e 4 ditëve më parë, pasi kanë parë pozicionin e yjeve mbi sarajet dhe vilat e tyre, kanë parashikuar, se në cilat arkiva shtetërore, do të bien zjarret “rastësore” gjatë muajit në vazhdim, parashikim që duhet besuar, mbasi ata e dinë mirë se kujt i vjen, dmth, kujt duhet t’i vijë rrotull zjarri, siç u doli parashikimi, me zjarrin në arkivën e AKSHI-t dhe të Gjykatës së Lartë.

Sipas parashikimit, që ka bërë grupi i 4 “nostradamusve” Berisha, Meta, Rama, Basha, mbështetur dhe në “telepatinë” e vërtetuar të “fallxhore” Monës, thuhet se zjarre “rastësore”, do të bien edhe në këto arkiva zyrash shteti.

Ja parashikimi, se ku mund të bien zjarre “rastësore”

  1. Bashkia Durrës, arkiva e financës, lejeve të ndërtimit dhe tenderëve, Bashkia Durrës
  2. ILDKP, arkiva e pasurive të shtetarëve
  3. Bashkia Tiranë, arkiva e tenderëve dhe donacioneve,
  4. Hipotekat Tiranë, Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier, Korçë
  5. OSHEE, arkiva e financës dhe tenderëve
  6. AKBN, arkiva e licencave të gruroreve, naftës, minierave
  7. Federata Shqiptare e Futbollit, arkiva e financës, donacione, reklama, kontrata
  8. Agjencia e Pronave, arkiva e financës së kompensimeve
  9. Ministria e Shëndetësisë, arkiva e koncesione-tenderëve
  10. FSDKSH, arkiva e rimbursimit të ilaceve
  11. SHISH, arkiva e përgjimit të shtetarëve e politikanëve
  12. Drejtoria e Rrugëve, arkiva e fianncës dhe tenderëve
  13. Prokororia e Përgjithshme, Arkiva e dosjeve “VIP”
  14. ALBPETROL, arkiva e financës dhe Tendera-Koncesioneve
  15. Porti Detar Durrës, arkiva e hyrje-daljeve të anijeve të mallrave
  16. Drejtoria e Lojërave të Fatit, arkiva e licencave dhe të ardhurave
  17. Autoriteti Konkurencës, Arkiva e transaksioneve të bizneseve
  18. AKEP, arkiva e licencave të kompanive celulare e kontratave të tjera
  19. ALBCONTROL-Rinas, arkiva financiare
  20. Ministria e Kulturës, arkiva e licencimeve, koncesioneve, fondeve të krijimtarisë
  21. Ministria e Arsimit, arkiva e njohjes së diplomave të huaja
  22. Ministria e Brendshme, arkiva e sekustrimit të sendeve me vlerë
  23. KESH, arkiva e tenderëve, prodhim HEC-esh dhe import energjie elektrike
  24. RTSH, arkiva e të ardhurave nga reklamat, udhëtimet jashtë shtetit dhe shpërblimet
  25. AZHBR, arkiva e kredive që janë dhënë për fermërët
  26. Ministria e mjedisit, arkiva e koncesoneve të landfilleve të plehrave
  27. Ministria e Mbrojtjes, arkiva e dosjes së biznesit të Gërdecit
  28. Garda e Republikës, arkiva e operacionit të veprimeve më 21 janar 2011
  29. PS, PD, LSI, arkiva e pazareve për koaliconet qeveritare. (Me arkivën e Gjykatës së Lartë, U KRY, parashikimi zjarrit u doli para 2 ditësh)./Pamfleti

“Nostradamusët” Berisha, Meta, Rama, Basha dhe telepatia e “fallxhore” Monës, parashikojnë rënie zjarri edhe në 30 arkiva të tjera Read More »

Bankers dhe Bashkia e Fierit, investime të përbashkëta në shërbim të komunitetit

Projekte dhe investime të përbashkëta në shërbim të komunitetit mes Bashkisë së Fierit dhe kompanisë së naftës Bankers.

Kjo ishte tema e takimit që zhvilloi Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi me Drejtorin e Përgjithshëm të Bankers, Xingyun Sun.

Takimi thekso rëndësinë e bashkëpunimit, kryesisht me kompanitë me impakt të dukshëm në ekonominë e qytetit të Fierit.

“Bashkëpunim për më shumë investime dhe mirëqenie”, u shpreh Subashi, pas këtij takimi.

Bankers Petroleum është kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend. Kompania vepron dhe ka të drejta për të zhvilluar vendburimin e naftës së rëndë në Patos-Marinzë dhe me interes 100% në vendburimin e naftës në Kuçovë./atsh

Bankers dhe Bashkia e Fierit, investime të përbashkëta në shërbim të komunitetit Read More »

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”/Foto

Me mijra besimtarë myslimanë falën sot në orën 05.30, namazin e Bajramit në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, në mesazhin e tij bëri thirrje për më shumë solidaritet, dashuri dhe paqe mes njerëzve.

“Le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje. Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komitetit Mysliman në Shqipëri.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.

“Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes” tha ndër të tjera z. Spahiu.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH. Dorian Demetja, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami është festa e mirësisë, bashkëpunimit, vëllazërimit dhe e mirënjohjes. Kurban Bajrami është një festë për të gjithë, prandaj ti ndajmë të mirat material me të afërmit dhe nevojtarët.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame. /atsh

Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”/Foto Read More »

Rama uron Bajramin me pamje të xhamive të restauruara

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të urojë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, me pamje nga kantieret e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin.

Përmes një poistimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama thekson se këto  xhami janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieret e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin që janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, shkruan Kryeministri Rama.

Xhamia Mbret në Berat, xhamia e Beqarëve Berat, teqeja Helvetive Berat, xhamia e Et’hem Beut Tiranë, xhamia e Pazarit Gjirokastër dhe xhamia e Gjin Aleksit Delvinë, janë disa prej objekteve të kultit që janë përfshirë në listën e restaurimeve./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/300479780758101/?t=0

Rama uron Bajramin me pamje të xhamive të restauruara Read More »