Aurora

Oraret e zgjatura dhe intensiteti në punë, ndikim në shëndetin mendor

Gjithnjë na është thënë se po të punojmë më shumë do të ngrihemi në detyrë, do të marrim rritje rroge dhe do të jemi më të lumtur por një studim i ri ka zbuluar se të punosh më shumë se sa duhet jo vetëm që dëmton shëndetin tuaj por edhe karrierën.

Kërkuesit e universitetit të Londrës dhe Europe Business School zbuluan se të punësuarit që përpiqeshin dhe punonin më shumë se të tjerët kishin problem me shëndetin dhe ishin të pakënaqur me sigurinë e punës dhe ngritjen në detyrë. Studiuesit thonë se nëse punëdhënësit  nuk u ushtrojnë presion punëmarrësve duke i lënë atyre të zgjedhin kur dhe se si të punojnë kompanitë do të shohin më shumë produktivitet dhe besnikëri nga punëtorët e tyre, shkruan Daily Mail.

Në studim u përfshinë 52.000 punëtorë të vendeve europiane të cilët morën pjesë në Vëzhgimin e Kushteve Eurpoiane të Punës (European Working Conditions Survey). Që prej 1990-ës ky vëzhqim ekzaminon aspektet e ndryshme të kushteve të punës dhe identifikon rreziqet e grupit të punës.

Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve rreth intensitetit të punës, faktorëve të mirëqenies duke përfshirë këtu stresin dhe lodhjen e tepërt dhe se sa të lumtur ishin me të ardhurat që u siguronte karriera e tyre.

Studiuesit i kontrolluan kërkimet e tyre duke krahasuar njerëz që kishin punë të ngjashme dhe të njëjtin nivel edukimi. Ata zbuluan se ata që punonin më tepër se sa duhet  pra me një ritëm shumë të shpejtë kishin një shëndet jo të mirë fizik dhe mendor, për më tepër shefat e tyre nuk ishin të impresionuar nga ritmi i punës së tyre.

”Një nga problemet e rritjes së intensitetit të punës është se cilësia dhe përmbajtja e punës preket”, tha Dr.Argyro Avgoustaki, një asistent professor që mori pjesë në studim.

”Ne mendojmë se kjo është një ndër arsyet pse shefat e këtyre puntorëve nuk janë të impresionuar dhe nuk i ngrenë në detyrë. Është më mirë që të shmanget ritmi i shpejtë i punës dhe orët e zgjatura, por nëse duhet të zgjidhni zgjidhni më mirë orët e zgjatura. Në shumë profesione, njerëzit i shmangin pushimet e drekës për të mbaruar punët që kanë nëpër duar por ne duam që punëtorët ta kuptojnë se duhet të marrin pushimin e drekës dhe të ngadalësojnë pak punën”, tha Dr. Avgoustaki.

Studiuesit thonë se një mënyrë shumë e mirë për të larguar presionin e punës është që puntorët të zgjedhin orare dhe metoda me të cilat mund të përmbushin detyrat e tyre.

Disa shtete janë përpjekur që të limitojnë orarin e punës për të patur balancën e duhur mes jetës personale dhe asaj profesionale. Franca është shteti i parë që ka marrë këto masa duke reduktuar orët e punës në javë nga 39 orë në 35 në vitin 2000 dhe vendosjen e ligjit ‘e drejta për tu shkëputur’ në 2017. Ky ligj i lejon puntorët që pas orarit të punës të mos merren më me mesazhe apo e-maile që kanë të bëjnë me punën.

Një studim i Universitetit të Karolinës së Jugut studioi bankierët për rreth 9 vite dhe zbuloi se në vitin e tretë te ata zhvilloheshin tike të ndryshme si kafshimi i thonjve ose gjëndje si pagjumësia. Ndërsa studime të tjera kanë treguar se puntorët vuanin nga shëndeti i dobët mendor dhe kjo rezultonte në biliona dollar humbje./atsh

Oraret e zgjatura dhe intensiteti në punë, ndikim në shëndetin mendor Read More »

STUDIM – Djepi i pesimizmit ndodhet në tru

Djepi i pesimizmit është evidentuar në tru. Kjo është pjesa e quajtur nyja që lidhet me vendimet negative.

Studimi, i publikuar në revistën Neuron, të nënshkruar nga grupi në “Massachusetts Institute of Technology” (MIT) drejtuar nga Ken-Ichi Amemori dhe Satoko Amemori, mund të ndihmojë për të kuptuar origjinën e depresionit dhe ankthit tek personat që kanë probleme neuropsikiatrike dhe për të zhvilluar trajtime të reja të mundshme.

Studimi është pjesë e një projekti kërkimor në qarqet nervore që kontrollojnë emocionet, veçanërisht ato që lidhen me analizën e kostove dhe avantazheve në zgjedhje.

Studiuesit kanë vërejtur tek minjtë e laboratorit , se stimulimi i këtij pjese të trurit krijon një efekt paralizues, duke tkurrur aftësinë e tyre për të marrë vendime.

Një situatë që zgjat edhe një ditë pas stimulimit të kesaj pjese të trurit.

“Ne kemi vërejtur që stimulimi i bërthamës caudate i bën kafshët më hezituese duke i shtyre ato të mbivlerësojnë shpenzimet kundrejt përfitimeve që mund të kenë në veprimet e tyre”, theksojnë studiuesit.

Hapi tjetër i studimit do të vlerësohet me anë të teknikave të imazherisë, nga rezonanca magnetike, veprimtaria e bërthamës caudate dhe lidhjet me sistemin limbik, djepi i emocioneve, tek personat që vuajnë nga depresioni dhe ankthi.  /atsh

STUDIM – Djepi i pesimizmit ndodhet në tru Read More »

Turistët e huaj “pushtojnë” Durrësin

Fluks i madh hyrjesh me turistë në qytetin bregdetar të Durrësi kryesisht të huaj, institucionet ligjzbatuese në gatishmëri për të garantuar qetësinë, sigurinë e pushuesve, deklaroi sot për ATSH, Prefekti i Durrësit, Roland Nasto.

Vetëm një ditë më parë, u përpunuan 5 tragete hyrje -dalje. Në hyrje, janë regjistruar 3543 shtetas shqiptar dhe 2262 shtetas te huaj.

Ndërsa mjetet shqiptare 1026 dhe të huaja 676. Gjithashtu kanë hyrë 2 jahte me flamur të huaj dhe kanë dalë po dy. Mjete shqiptare në dalje 198 dhe të huaja 606.

Po ashtu, janë ankoruar 6 Jahte të mërkurën dhe të enjten dy jahte me turistë të huaj. Janë përpunuar dy jahte me flamur të huaj në hyrje dhe dy në dalje.

Prefekti i Durrësit deklaron se porti i Durrësit shënon një fluks daljesh, por numri më i madh i vizitorëve është ai i hyrjeve dhe ky trend pritet të vazhdojë deri me datën 23-24 gusht.

“Janë marrë të gjitha masat për të garantuar pushime të qeta e të sigurta për turitët vendas dhe të huaj. Që nga kullat e vrojtimit dhe vrojtuesit. Të gjitha institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit, Policia Kufitare, firma që ka në zotërim portin, Policia Bashkiake, Zjarrfikësit, shëndetësia, organet e Tatim Taksave të gjithë në terren në shërbim të qytetarëve”, shprehet Nasto.

Po ashtu, Naso shton se fluks të lartë turistësh ka dhe në qytet dhe janë marrë të gjitha masat për qarkullimin e lirshëm të qytetarëve, parkimi dhe lëvizjen me automjete.

“Durrësi afron shumë për turizmin, qoftë nga vlerat e trashëgimisë kulturore, vlerat tradicionale të gatimit, vlerat natyrore, peizazhi, plazhi dhe masat që kanë marrë institucione në shërbim të qytetarëve, e ka bërë Durrësin të ngjitet në krye të pritjeve të vizitorëve si asnjë herë, thjesht Durrësi është i “pushtuar” nga turistët”, shprehet Nasto. /atsh

Turistët e huaj “pushtojnë” Durrësin Read More »

Klosi: Pushuesit nga Kosova, besnikë të shkëlqyer të bregdetit shqiptar

Një ofertë e përbashkët turistike për Shqipërinë dhe Kosovën për një bashkëpunim në fushën e turizmit është diskutuar midis ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, gjatë takimit të mbajtur në Prizren.

Ministri Klosi tha se palët do të punojnë në ndërtimin e një strategjie në mes dy vendeve në fushën e turizmit për të realizuar një ofertë të përbashkët përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Në këtë kuadër ministri Ministri Bajrami tha se pritet që në fillim të vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëhet hapja e sezonit turistik, për tërheqjen e sa më të madhe të turistëve nga vendi dhe rajoni.

“Ne jemi për bashkëpunim sidomos me shtetin shqiptar, sepse ka mundësi për fushën e bashkëpunimit edhe sa i përket turizmit. Biseduam që në fillim të sezonit së vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëjmë hapjen e sezonit turistik dhe t’i japim një mesazh dhe t’i ftojmë të gjithë turistët të na vizitojnë dhe se ka shumë vend për të na vizituar edhe turistët nga shteti shqiptar”- u shpreh tha ministri Hasani.

Në takimin e tyre ministrat ndanë edhe zhvillimet më të fundit të sezonit turistik në Shqipëri .Ministri Blendi Klosi u shpreh se është rritur me 17 përqind numri i turistëve këtë korrik krahasuar me vitin paraardhës, ku rritje ka patur edhe numri i pushuesve nga Kosova/atsh

“Kemi një besnikëri të shkëlqyer të familjarëve për të vizituar bregdetin shqiptar dhe ata me këtë besnikëri kanë përzgjedhur sivjet bregdetin shqiptar. Në Shqipëri 600 mijë familjarësh kosovarë që kanë hyrë nga 1 janari deri më 1 korrik sikurse vitin e kaluar, pavarësisht kushteve atmosferike që kanë qenë shumë të këqija. Në Shqipëri ka një shtim prej 17 për qind nga viti i kaluar”- u shpreh ministri Klosi duke shtuar se po punohet me problematikat e shfaqura gjatë këtij sezoni për të siguruar një mbarëvajtje më të mirë deri në fund të shtatorit.

Ministri Klosi theksoi gjithashtu se duhen politika të përbashkëta për të promovuar agro-turizmin, fshatrat turistikë dhe trashëgiminë kulturore.

Ministri Hasani falënderoi ministrin Klosi për gatishmërinë në hartimin e infrastrukturës ligjore për turizmin në Kosovë. Gjatë vizitës së tij në Prizren ministri Klosi u takua edhe me kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ku u bisedua për një shkëmbim të mëtejshëm në fushën e turizmit dhe përgatitjen e oferte të përbashkët për veriun e Shqipërisë dhe juglindjen e Kosovës./a

Klosi: Pushuesit nga Kosova, besnikë të shkëlqyer të bregdetit shqiptar Read More »

Zhvillimi i turizmit malor në Pukë, ambasadorja Sakiqi premton tërheqjen e investimeve

Kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj priti ambasadoren e Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi.

Nevoja e investimeve të huaja në Bashkinë Pukë ishin thelbi i diskutimi mes kryetarit të Bashkisë Pukë, Gjonaj dhe ambasadores së Holandës në Shqipëri.

Në takim, kryebashkiaku Gjonaj  i parashtroi diplomates nevojën për thithjen e investimeve holandeze, gjë për të cilën znj. Sakiqi premtoi angazhimin maksimal.

Po ashtu në bashkëbisedim u hodhën ide rreth fushave ku mund të investohet, ku një mundësi e mirë është investimi për panelet diellore.

Ndër fushat që do i prezantohen investitorëve nga ambasadorja u ra dakord të ishte ndërtimi i parqeve me panele diellor, ndërtimi i këndit të lojërave të aventurës si dhe krijimi i hapësirave për kultivimin e luleve.

Ambasadorja e Holandës në Shqipëri,  Adia Sakiqi teksa përgëzoi kreun e bashkisë për ndryshimet e realizuara, u angazhua maksimalisht në thithjen e investitorëve të huaj në zonën tonë duke dhënë dhe disa sugjerime për zhvillimin e turizmit malor. /atsh

Zhvillimi i turizmit malor në Pukë, ambasadorja Sakiqi premton tërheqjen e investimeve Read More »

Shqipëria shembull në rajon për ndalimin e qeseve plastike

Shqipëria po merret si shembull në rajon për nismën nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për ndalimin e qeseve plastike.

Revista ndërkombëtare ”Environmental News Digest”, e cila ka në fokus mjedisin i ka kushtuar një artikull Shqipërisë për këtë nisëm.

Ajo shkruan se, Shqipëria ka marrë masa për të reduktuar mbeturinat plastike dhe ndotjen duke ndaluar importimin, prodhimin, përdorimin dhe shitjen e qeseve plastike të lehta.

Zv/ministria e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi tha se qeset e lehta plastike nuk janë të riciklueshme.

“Ato duhet të kenë një trashësi minimale prej 35 mikronësh në mënyrë që të jenë të ripërdorshme dhe të kenë një vlerë riciklimi”, tha ajo.

Vendimi ka për qëllim inkurajimin e prodhimit të qeseve me shumë qëllime të biodegradueshme që mund të prishen në 36 muaj.

Prodhuesit dhe importuesit që nuk arrijnë të zbatojnë ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri do të gjobiten 100,000-150,000 lekë (700-1186 euro)./atsh

Shqipëria shembull në rajon për ndalimin e qeseve plastike Read More »

30 vjetori i varjes Havzi Nela, inaugurohet rindërtimi i shtëpisë së poetit

Me rastin e 30 vjetorit të varjes nga diktatura të poetit Havzi Nela, Bashkia e Kukësit inauguroi sot shtëpinë e poetit.

Në Kollovoz të Kukësit, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të shtëpisë së rindërtuar të poetit martir Havzi Nela nga Bashkia Kukës, nën kujdesin e veçante të Kryetarit, Bashkim Shehu.

Poeti u la i varur në mes të Kukësit 10 gusht 1988

Diktatura komuniste në Shqipëri në prag të rrëzimit të saj, shënoi  krimin monstruoz për t’i treguar shqiptarëve dhe botës se regjime mizore nuk kursejnë askënd, madje vrasin dhe poet.

Poetin e tregojnë të brishtë, të imët, sy mprehtë por që brenda tij jetonte revolta për liri, jetonin vargje, poezia, frymëzimi i një bote të tërë që kërkonte ta shpaloste për shpirtin e tij dhe të tjerët.

Brenda tij, kishte një jetë tjetër nga ajo e diktaturës, ishte bota e lirisë, dimensioni i saj që e shtynte poetin nga brenda të çlironte dritë, të thurte vargje, të shkruante vaj e kujë për vendin e izoluar dhe lirinë e burgosur.

Siç tregojnë dëshmitarët dorëshkrimet e fundit i kish groposur në fshatin Kollovoz të Kukësit që të mos binin në duart e sigurimit të shtetit dhe njerëzve të regjimit komunist.

Kush ishte poeti i martirizuar?

Havzi Nela, lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. U arsimua  në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij.

Pas shumë vështirësish, ai gjeti një punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit i cili u dëbua për shkak të aktivitetit të dyshimtë.

Më pas ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme të tilla si Kruma, Lojma, dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan.

Havzi Nela kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë, dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe se ku ai mund të jetonte.

Pasi u lexoi nxënësve të tij poemën “Shko dallëndyshe” shkruar nga Filip Shiroka, Havzi Nela, me gruan e tij, Lavdie, rrezikuan jetët e tyre duke marrë rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill, 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit.

Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllav i vunë në prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij, i burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj, 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB.

Më 22 maj, 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg.

Më 8 gusht, 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit.

Më 19 dhjetor, 1986, ai u lejua tën dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor, 1987, ai u arrestua dhe u dërgoi internua në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje.

Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës.

Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Poeti Havzi  Nela la një sërë veprash dhe dorëshkrimesh si “Në qelitë e burgut”, “Nuse më dhanë robninë”, “Eni të vajtojmë Shqipërinë” dhe “Nusja e flamurit”, “Asnjë çast lumnije” e dorëshkrime të tjera. /atsh

30 vjetori i varjes Havzi Nela, inaugurohet rindërtimi i shtëpisë së poetit Read More »

Ja si të shkoni pa viza dhe të fitoni qëndrimin në Gjermani, ndryshon ligji

Në vjeshtën e këtij viti, në Gjermani pritet të ndryshojë ligji sa i përket marrjes së lejeve të punës dhe lejeve të qëndrimit të përhershëm në shtetin gjerman.

Duke parë kërkesa të shumta për fuqinë punëtore, ministri gjerman i Punës Hubertus Heil nga partia Social Demokrate, në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung”, ai foli për një vizë të kufizuar në kohë.

“Mund të përfytyroj, që fuqi punëtore nga jashtë të vijë për një gjysmë viti në Gjermani dhe të kërkojë punë këtu. Nëse nuk ia dalin dot të gjejnë punë, atëherë ata duhet të kthehen sërish në vendin e tyre pas përfundimit të afatit. Synimi është të kemi, sa më pak procese burokratike, për ata që kërkojnë punë”, deklaroi ministri gjerman i Punës Hubertus Heil, për “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung”, përcjell “Bota sot”.

Por çfarë pritet të ndryshojë sa i përket asaj që ka paralajmëruar ministri gjerman?

DW ka kontaktuar entin për punësim në Gjermani, dhe në një linjë direkte për emisionin e mëngjesit në televizionin publik të Kosovës, ka zbuluar detajet se si do të jetë procedura e pajisjes me vizë pas ndryshimit të ligjit.

Ja si të shkoni pa viza dhe të fitoni qëndrimin në Gjermani, ndryshon ligji Read More »