Aurora

Nënë Tereza: Dashuria e vërtetë është të duash derisa të dhemb

Shën Nënë Tereza është thesar i papërsëritshëm, si në mësim e porosi ashtu edhe në veprimtarinë e saj të dashurisë, bamirësisë dhe humanizmit. Për të shpjeguar konceptin e dashurisë së vërtetë, atë dashuri e cila arrin deri në fund, derisa sa dhemb. Shën Nënë Tereza tregon dy ngjarje të bukura dhe unike që i ka përjetuar në jetën e saj, si dëshmi, provë e gjallë si realizohet ajo.

Ngjarja e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, se si dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Ata thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’

Dhe unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duami ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.

Ngjarje e dytë
Para se unë të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se unë do të shkoja atje. Ata kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë.

Ata vinin, dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël erdhi tek un dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjeshtë nuk kam asgjë. Por, e kam këtë copë çokollate. Dhe ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë. Dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri në Etiopinë e largët. Kjo do të thotë gëzim i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb.

I dhembte Krishtit, që na donte neve, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar neve se si duhet të duami. Kjo është rruga, se si duhet të duami edhe ne: derisa të dhemb.
(Pjesë nga libri: Leo Maasburg, Nënë Tereza. Histori Magjepsëse, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup 2010, f. 88-89.) / KultPlus.com

Nënë Tereza: Dashuria e vërtetë është të duash derisa të dhemb Read More »

TË MOS E SHESIM TË ARDHMEN!! / Nga Gogo Malaj

MBAS 5 VJETËSH!!!
Më pyet nipi:-” Gjyshi, pse e kanë ndërtuar këtë urë këtu, ku është lumi”? Këtu ka qënë një lumë, Shushica,….por “e kanë mëshehur”!
Që brezat të mos na gjykojnë si të pazotë, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që ai HEC të mos ndërtohet. Në radhë të parë, të ndërgjegjësohemi për dëmet që ne kemi. Dhe kjo fillon që me diskutimin me komunitetin, për dëmet dhe “Dobinë” që do kemi. Të njihen njerzit me të dhëna të përgjithëshme, të projektit, ku do jetë vepra e marrjes, ku do kalojnë tubat, sa sipërfaqe do prishet nga rrugët dhe tubacionet, cili do jetë ndikimi në faunën dhe klimën, si do zgjidhet nevoja për të marrë ujë , me stacione pompimi, në një të ardhme etj. Vetë komuniteti, mund të organizohen, të financojnë një projekt, për futjen nën ujë të gjithë fshatit, në një të ardhme, po ku do t’i gjëjnë ato 50 apo 100 litra në sekondë (sa të jetë nevoja)? Apo projekte të tjera, të cilat kanë domosdoshmëri ujin?
Te vepra e marrjes do bëhet një digë, e lartë, 4-5 m dhe do krijohet një “Liqen” rreth 100- 150m dhe me thellësi, maksimale, sa diga. Dhe që aty, nuk ka më lumë! Të mos besojmë në përrallën e “ujit ekologjik”! 1 m3 në sekondë është baras me një prodhim energjie prej 1 MEGA, ose e barabartë me 1000 € fitim në ditë, për firmën. Prandaj, s’kanë për të lënë asnjë litër!!! Në periudhën e verës, që është problem uji, çmimi i energjisë është më i lartë dhe konçensionari atëhere ka fitim.
E kam thënë edhe herë tjetër që rezistenca jonë duhet të jetë e organizuar dhe e fuqishme! Hapi i parë:- peticion Qeverisë.
. -Caktimi i një Avokati , që kjo të ndiqet ligjërisht. Në momentin që çështja është në gjykatë, punimet janë të pezulluara.
TË MOS E SHESIM TË ARDHMEN!!

Nga Gogo Malaj

TË MOS E SHESIM TË ARDHMEN!! / Nga Gogo Malaj Read More »

Shkrimi më i vjetër i shqipes, ja ç’shkruhej më 1210

Nga Arkivat e Vatikanit shkrimi më i hershëm se “Meshari” i Buzukut/ I gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë. Ndërsa në fund fare, në f. 208, autori është firmosur vetë me emrin e tij: Teodor Shkodrani.

Është folur e shkruar, por gjithnjë deri tani në formë të supozimeve, “duhet” të ketë libra, dorëshkrime apo dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të hershme sesa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe “Meshari” nga viti 1555.

faqe-nga-meshari-i-gjon-buzukut-2

/njekomb

Shkrimi më i vjetër i shqipes, ja ç’shkruhej më 1210 Read More »

Si po shkatërrohen lumenjtë e fundit të paprekur nga dora e njeriut.kërcënimi që i vjen Shqipërisë!

Lumenjtë e fundit të virgjër të Europës janë në Ballkan. Tani ata kërcënohen nga shkatërrimi prej ndërtimit të mini-hidrocentraleve private. Qytetarët përreth brigjeve të lumejve janë kundër.

Një mëngjes kantieri i ndërtimit ishte hapur. “Fillimisht askush në fshatin tonë nuk  e dinte, se për çfarë po punohej”, thotë Tahira Tibold, kryetare bashkie e komunës Krushçica në Bosnjen Qendrore. Lumi që mban emrin e këtij fshati të vogël, shtrihet në një zonë të mbrojtur natyrore dhe furnizon me ujë të pijshëm disa fshatra. Vetëm pas disa ditësh u bë e qartë, që atje po ndërtohej një shkallë dige për një të ashtuquajtur mini-hidrocentrali 10 MVA.

Bosnje-Hercegovinë

Mini-hidrocentralet janë komplekse me kapacitet deri në 10 Milivoltampere (MVA) . Ato funksionojnë sipas të njëjtit parim si edhe hidrocentralet e mësha – vetëm se ato ndërtohen në lumenj të vegjël. Të tillë lumenj në formën e tyre origjinale të natyrshme në Europë gjenden vetëm në Ballkan.

Kur banorët e Krushçicës e realizuan se çfarë e priste “lumin e tyre”, u bë menjëherë e qartë që ndërtimet do t’i jepnin fund mënyrës së deritanishme të jetesës. Ndaj gratë e fshatit më 24 gusht 2017 bllokuan të vetmin kalim për tek kantieri i ndërtimit. “50 vetë prej natën ulidhën në urë njëra pas tjetrës”, tregon Tahira. “Mëngjesin tjetër u shfqanë 75 policë, ndër ta anëtarë të një njësie speciale dhe e liruan rrugën me forcë.”

Megjithëse portestueset gjatë largimit me forcë nga bllokada u plagosën, ato nuk u dorëzuan. Përkundrazi: me t’u larguar policët, aksioni në urë vazhdoi – dhe qytetarët e Krushçicës bënë kallëzim kundër menaxhuesit të kantierit.

Një vit më üas, në qershor 2018 gjykata përkatëse në Novi Travnik e pezulloi ndërtimin e centralit. sipas bindjes së gjyqtarit popullsia e prekur nuk ishin informuar përmes një procesi licensimi dhe as nuk ishin njoftuar mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

Aktivistet – të emërtuara në media që prej fillimit të aksioneve si “gratë e guximshme të Krushçicës” – vazhdojnë të jenë skeptike dhe e vëzhgojnë urën natë e ditë. “Këtë ne do ta ndërpresim vetëm nëse marrëveshja me investitorin e hidrocentralit do të shpallet e pavlefshme”, thotë kryetarja e bashkisë Tibold.

“Autoritetet gënjejnë”

“Në fakt uji i lumenjve rrjedh për të gjithë. Por qysh në momentin, kur ndokujt i jepet një koncesion për përdorim, lumi rrjedh vetëm për poseduesin e koncesionit. Kjo do të thotë një privatizim i së mirës së përbashkët – në Ballkan po ndodh ndërkohë privaizimi më i madh e këtij lloji në Europë”, tërheq vëmendjen Ulrich Eichelmann nga OJQ-ja Riverwatch nga Vjena.

“Ndërtimi i mini-hidrocentraleve kërcënon lumenjtë e fundit të virgjër të Europës. 3.000 diga të vogla janë planifikuar ose janë në ndërtim që nga Sllovenia deri në Greqi”, sipas Eichelmann. Në bashkëpunim me Fondacionin gjerman për Mjedisin EuroNatur dhe partnerët lokal në vendet e Ballkanit ai drejton fushatën “shpëtoni zemrën e kaltër të Europës”, për të ndalur valën e shkatërrimeve.

Sia rsye për dhënien në masë të koncesiioneve vlen, që interesat private në Ballkan favorizohen kundrejt atyre publike.  “Autoritetet lokale këtu tek ne nuk e bëjnë punën e tyre ose nuk e bëjnë atë si duhet”, shpjegon Jelena Ivanić nga Qendra për Mjedisin në Banja Lukë të Bosnjes, “studimet e fizibilitetit që ato paraqesin, janë sipërfaqësore dhe pa asnjë kuptim”.

Përveç kësaj poseduesit e koncesiioneve shpesh janë të afërt me politikanët përkatës në pushtet në Bosnje, vëren Eichelmann. Madje studimet pëpr mjedisin falsifikohen. “Autoritetet nuk i vizitojnë asnjëherë vendet, ku do të ndërtohet. Në vend të kësaj ata i shkruajnë rapportet e tyre nga tavolina e punës. E kësisoj ata gënjëjnë e mashtrojnë për të mundësuar ndërtimin”.

Si shembull Eichelmann përmend lumin Vjosa në Shqipëri. Përgjatë Vjosës do të ndërtohen 38 diga. Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 500 dhe në mbarë Ballkanin 3.000 ndër të cilat 91 përqind janë mini-hidrocentrale. Një e treta e tyre në fakt ndodhen në rajone që janë klalsifikuar si zona të mbrojtura natyrore, si në parkun kombëtar në Mavrovë të Maqedonisë, përgjatë lumit boshnjako-kroat Una, përgjatë Krkas në Kroaci apo Tarës në Serbi.

Lumi Vjosa në Shqipëri

Si funksionojnë këto projekte financiarisht?

“Secili, që ka mjaftueshëm para, mund të bëhet pronar i një mini-hidrocentrali”, shpjegon Jelena Ivaniq dhe shton, se investimi i nxjerr fitimet në shtatë vjet. Financimi bëhet përmes subvencioneve shtetërore dhe kredive nga institucionet kredituese si Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin, BERZH, apo edhe nga Banka Europiane e Investimeve, Societe Generale nga Franca, Uni Credit nga Italia, Raiffeisen dhe Erste Bank nga Austria si dhe KFë nga Gjermania.

“Këto institucione i financojnë projektet e hidrocentraleve, sepse energjinë e përftuar prej tyre e konsiderojnë si të rigjenerueshme. Por energjia nga hidrocentralet nuk është e rigjenerueshme, sepse natyra e shkatërruar nuk është e rigjenerueshme”, tërheq vëmendjen Eichelmann.

Krahas shkatërrimit të natyrës kundër ndërtimit të mini-hidrocentraleve flet edhe fakti, që ato nuk janë rentabël. “Aktualisht ka shumë energji, çmimi për kilovat/orë tashmë nuk është as tre Cent të Euros”, shpjegon Eichelmann. “Ky çmim është kaq i ulët, sa askush nuk do të ndërtojë diçka për nivele të tilla çmimesh. Kësaj i shtohet edhe fakti, që qeveritë e involvuara duan t’i mbështesin burimet e energjive të rigjenerueshme ndaj dhe i subvencionojnë ato. Në Bosnje ndërkohë premtohen 9 deri në 10 Cent për kilovat/orë, tri herë më shumë se sa çmimi në treg. Kjo do të thotë: pa subvencione askush nuk do të ndërtonte asnjë digë.”

“Nuk ka asnjë vend tjetër, ku lobiistët mund të shkojnë”

Ballkani është një rajon i pastabilizuar politik, në të cilin sipërmarrësit mund të bëjnë para me projekte, që në BE nuk do të ishin të mundura. Lumenjtë në pjesën tjetër të Europës janë të izoluar tërësisht me diga. Nuk ka asnjë vend tjetër, ku të mund të shkojnë lobiistët e hidrocentraleve, për të nxjerrë edhe më shumë para”, thuhet në filmin “Blue Heart”, i cili financohet nga Patagonia dhe ndërkohë po shfaqet në mbarë botën.

Pyetjes, se si mund ta bllokojnë projekte të tilla afrimin e vendeve të Ballkanit në BE, Eichelmann i përgjigjet: “Nga këndvështrimi i BE-së natyra në Ballkan duhet të mbrohet, në rast se këto vende duan të bëhen pjesë e Europës. Por kjo është vetëm njëra anë e së vërtetës, sepse në BE ka të tjera interesa, që nxisin angazhimin për ndërtimin e veprave të tilla, sepse deri në vitin 2020, 20 përqind e energjisë në Europë duhet të jetë e rigjenerueshme  – me çdo kusht. Kundërshtarët e kësaj ideje dhe ambjentalistët janë shumë të dobët, për t’i mundur investitorët”, konstaton eksperti. “Komisioni Europian duhet të bindet, që lumenjtë në Ballkan janë një thesar i çmuar i Europës.”

Por deri atëherë do të jenë planifikuar e ndërtuar mini-hidrocentrale të rinj. Njëri ndër investitorët kryesorë është ylli i basketbollit nga Bosnja Mirza Teletoviq. “Ai mendon, se një investim i tillë ndihmon komunitetin lokal. Por kjo vetëm mund ta dëmtojë atë, nënvizon Jelena Ivaniq nga Banja Luka./njekomb

Si po shkatërrohen lumenjtë e fundit të paprekur nga dora e njeriut.kërcënimi që i vjen Shqipërisë! Read More »

“Unë nuk kam qenë engjëll, por u përpoqa të jem njeri”. Letra prekëse e Charlie Chaplin për të bijën

“Unë flas me ty për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve.

Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa eksperiencë, dhe…. ata pa eksperiencë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta. Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë. Dhe, kur të vijë koha që ti do të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. Unë i thashë nënës tënde, që ajo të të shkruante lidhur me këtë.

Ajo e kupton dashurinë më mirë nga unë, ndaj është më mirë që ajo të flasë me ty për këtë. Puna jote është e vështirë, unë këtë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh. Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Mos u frikëso, po qe se kuptimi im për këtë çështje të duket shumë i vjetër dhe u përket kohëve të shkuara. Mos u tremb, këto dhjetë vjeçarë nuk të plakin. Por, unë dëshiroj që ti të jesh e fundit, prej atyre që do të bëhen qytetarë të ishullit të karkaculëve. Unë e di, që midis etërve dhe fëmijëve, gjithnjë, zhvillohet një duel.

Unë luftoj me veten, me mendimet e mia, vajza ime! Nuk i dua fëmijët e nënshtruar. Ndërkaq, përpara se nga sytë e mi të pikojnë lot mbi këtë letër, unë dëshiroj të besoj, që kjo është nata Krishtlindjeve, nata e mrekullisë. Dua që të ketë ndodhur mrekullia dhe ti, vërtet, t’i kesh kuptuar të gjitha ato që dëshiroja të të thosha. Çarli tani u plak, Geraldina. Shpejt ose vonë, në vend të fustanit të bardhë të skenës, do të të duhet të veshësh teshat e zisë, për të ardhur tek varri im. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm sa herë do të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mia. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia do të ketë ndaluar, unë dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarlin. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti.

Të puth, Geraldina. Çarli yt”.

“Unë nuk kam qenë engjëll, por u përpoqa të jem njeri”. Letra prekëse e Charlie Chaplin për të bijën Read More »

“New York Times” Shqiptaret jane raca me e bukur ne Europe

“Shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë”. Ky është konkluzioni i një shkrimi në New York Times publikuar më 21 maj të vitit 1911, e cila sillet tashmë sërish në vëmendje.

“Fizikisht shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë. Gratë shqiptare janë shumë të bukur, me flokë të errët dhe nganjëherë sytë e tyre janë gri. Ecja e tyre është një kënaqësi për t’u parë, kështu janë edhe vallet e tyre kur konkurruan në Serbi. Herën e parë që pashë vallen shqiptare, më dhanë një kënaqësi të veçantë”, shkruhej në “New York Times”.

Artikulli vlerëson edhe kërcimet tradicionale shqiptare, por nuk lë pas as bukurinë fizike dhe inteligjencën e meshkujve shqiptarë.

“Lëvizjet janë elegancë dhe tregojnë forcë. Po ashtu, ato janë shumë të bukura dhe shumë të talentuara. Ata janë si skocezët në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Me këtë kuptoj që janë raca më e mirë nga inteligjenca dhe fiziku në Ballkan. Nëse shkoni në Kostandinopojë, ju do të gjeni se njerëzit më të mirë, jo vetëm ushtarët, por edhe zyrtarët janë shqiptarë”, thuhen në shkrimin e “New York Times”.

“New York Times” Shqiptaret jane raca me e bukur ne Europe Read More »

Videoja e gruas shqiptare që po bëhet virale në internet: Vallëzon me burrin 10 minuta para lindjes

Diola, gruaja e gjinekologut shqiptar, Dardan Baftiu, ka ndarë një moment interesant dhe inspirues për nënat e reja. Në profilin e saj zyrtar, Diola, ka publikuar një video duke vallëzuar me burrin, 10 minuta para lindjes. Çifti duken shumë të ëmbël duke e menaxhuar stresin para lindjes së fëmijës.

Lëvizjet e tilla të ndihmojnë për qetësim, shkruan Diola, krahas videos.

“Ai momenti kur gjinekologu qëllon të jetë burri jot dhe kërcimtar i zoti. Lëvizjet e tilla ndihmojnë në qetësimin psikologjik dhe lindje më të shpejtë.

Theksoj, janë ushtrime të bëra 10min para lindjes së vajzës tonë të tretë. Faleminderit doktor obstetër/gjinekolog Dardan Baftiu”, shkruan Diola,

https://www.facebook.com/mesimetedioles/videos/1719803401436222/?t=0

Videoja e gruas shqiptare që po bëhet virale në internet: Vallëzon me burrin 10 minuta para lindjes Read More »

E vërteta e Himarës, ja çfarë fshehin dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli në qytetin e Himarës në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, ekspozitën “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror, një ekspozitë dokumentare dhe fotografike”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr. Ardit Bido.

Kryetari i Bashkisë, Goro falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe theksoi faktin që bashkëpunimi midis dy institucioneve do të vazhdojë, sepse Himara është e mbushur me dokumente dhe histori. “Kjo ekspozitë është shumë interesante për vendasit dhe pushuesit për të treguar historinë e kësaj treve, që nëpërmjet atdhedashurisë arriti të ndërtoj këtë realitet”,  tha Goro.

Bido falenderoi Kryetarin e Bashkisë së Himares, i cili u gjend tërësisht i gatshëm për këtë iniciativë.

“Himara është shumë e bukur, ka histori të gjallë. Në këtë mënyre ne i promovojmë këto vlera të veçanta të cilat gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, si arkivi unik nga lloji vet në Shqipëri, në mënyrë që të gjithë të shohim paraardhësit e tyre, ku jetonin, si jetonin dhe si frymëzim për të tashmen”- tha Bido.

Në këtë ekspozitë paraqiten dokumente historike dhe fotografi të Himarës dhe fshatrave përreth, duke u përqendruar në gjysmën e parë të shek. XX. Përmes këtyre dokumenteve shpërfaqet veprimtaria publike dhe private e banorëve të zonës, si dhe peizazhet e virgjëra të rivierës shqiptare, siç dukeshin pothuaj 100 vjet më parë.

Publiku do të njihet me dokumentin e parë të vitit 1922, ku kërkohet krijimi i Bashkisë së Himarës, e cila në atë kohë ishte Nën-Prefekturë e Vlorës; me korenspondencën e përditshme dhe praktike mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore për problemet e shëndetit të njerëzve dhe të agrumeve; me kërkesat e thjeshta, si ato për bursa studimesh apo leje gjuetie; por edhe me kërkesa të rëndësisë publike, siç është rindërtimi i skelës së portit dhe krijimi i një flote kombëtare tregtare.

Siç informon drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, interesante është marrëveshja mes Ministrisë së Punëve Botore me një shoqëri private më 1925 për ndërtimin e urës së Palasës, e cila pas më pak se 20 vite jetë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, një histori e shoqëruar me dokumente dhe fotografi.
Materiali fotografik tregon viset e krahinës së Himarës dhe personalitetet e atyre viseve, apo fabrikat e vajit para Luftës II Botërore. Mes dokumenteve që nuk i përkasin periudhës nga Pavarësia deri më 1944 paraqitet një pasaportë udhëtimi e lëshuar nga kavalieri Luigi de Medici i Toskanës për kavalierin Mihal Spiro nga Himara më 7 maj 1829, si dhe një një VKM e vitit 1960, përmes të cilës Republikës Demokratike Gjermane i jepen me qira 2 ha tokë, me qëllim ndërtimin e një kampi pushimi për rininë e lirë gjermane.

Përmes kësaj ekspozite, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Himarës kërkojnë t’u ofrojnë banorëve apo pushuesve sezonalë edhe një mënyrë tjetër pushimi, përmes informimit dhe argëtimit me dokumente dhe fotografi.

Po ashtu, institucionet tona kërkojnë të ndikojnë pozitivisht ndërgjegjësimin qytetar se vlerat e trashëgimisë së tundshme dhe të patundshme kulturore duhen ruajtur: jemi përdorures të tyre, nuk na përkasin ne, por brezave që do të vijnë/njekomb

E vërteta e Himarës, ja çfarë fshehin dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror Read More »