Aurora

Digjen 2 hektarë pisha në pyllin e Semanit, flakët janë duke përhapur

Zjarri në pyllin e Semanit ka shkaktuar djegien e 2 hekarëve pisha dhe shkurre, ku vatra kryesore mësohet se është në vendin e quajtur ‘Popma e Semanit’.

Mësohet se nuk ka banesa të cilat janë afër me pyllin apo biznese të cilat mund të dëmtoheshin nga flakët.

Prefekti i Fierit, Baki Bala ka kërkuar që qytetarët të jenë më të kujdeshëm në situata të tilla.

Gjithashtu ai ka thënë se janë rreth 60 forca zjarrfikëse të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës. Nga raportimet për Fax News mësohe se flakët janë duke përhapur në vatra të tjera.

Ndërkohë forcat e emergjencave po punojnë për shuarjen e tyre.

https://youtu.be/kooJuMdL8iQ

Digjen 2 hektarë pisha në pyllin e Semanit, flakët janë duke përhapur Read More »

Historia prekëse e djalit nga Elbasani, veprimi i tij ka përlotur dynjanë pasi i vëllai, para 4 vitesh iku…

Nje djale i quajtur Alfi nga Elbasani, ka bere nje gjest prekes në kujtim të vëllait të tij që ka ndërruar jetë në vitin 2014. Ai ka treguar ne mediat sociale se ka vënë në makinën e tij emrin dhe foton e të vëllait, por jo në përmasat që po mendoni ju.

Alfi ka vendosur foton e të vëllait, Altin Kasa në të gjithë pjesën e kofanos, ndërsa mbrapa shkruan “Altin, shefi im”.

Alfi shprehet: Ky është vëllai im që më ka lënë që në nëntor të vitit 2014 dhe ia kam bërë këtë makinë për ta kujtuar. Ai quhesh Altin Kasa dhe e njihte i gjithë qytetit, doja ta bëja publike këtë thjesht si një kujtim për të”, shkruan “joq”.

 

Historia prekëse e djalit nga Elbasani, veprimi i tij ka përlotur dynjanë pasi i vëllai, para 4 vitesh iku… Read More »

“Ministrat pijnë kafen e hidhur të ndryshimeve në Qeveri…dhe cila mund të jetë rivalja e Veliajt nga PD”

Në një shkrim te Panorama, analisti Agron Gjekmarkaj analizon se cili mund të jetë kandidati i Partisë Demokratike përballë Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës. Ai thotë se emri më i diskutuar është ai i Jorida Tabakut. Ndërsa më tej flet për ndryshimet e pritshme në qeveri.

AGRON GJEKMARKAJ

Filloi me shi e po mbyllet me rrebesh kjo verë! Askush nuk i përmbylli planet e veta siç desh! Të gjithë pushuan si mundën me përjashtim të skribeve, që nuk rrimë dot gjatë pa krypur mend! Përveç ndonjë glase që hodhën personazhe të dorës së dytë, si Qeveria dhe Opozita, për gati 20 ditë na lanë në të shenjtën paqe! Utopistët e përqendruar mbi ndonjë shishe birre mes gromësimave, bareve të kryeqytetit hidhnin ide për një shtet të lumtur pa qeveri dhe pa opozitë!

Ëndrrat dhe realiteti janë në kontradikite historike krejt si dashuritë e njëanshme e të pamundura, që ia plasin xhanin të vluarit që rraskapitet psherëtimash! Ministrat filluan të duken një nga një, pas tyre opozitarët dhe vetë kryetari i PD-së, teksa Kryeministri qeth leshrat e pakta rraheve të Dhërmiut! Edhe ai do të kthehet si benzina mbi zjarrin e lagur nga shirat e pabesë e tahmaqarë të gushtit! Ministrushja e Shëndetit, Manastirliu, para se të përleshej në mejdan me Tit Vasilin gjuhëpërveshur, doli syrin nepsqar të paparacëve me artilerinë e rëndë plazheve të jugut, duke këllasur në mendime një dynja të tërë!

Të tjerët erdhën pa bujë e zhurmë në zyrat e tyre, ku pihet shumë kafe e hidhur këto ditë! I madhi po mejton për ndryshime në kabinet! Ndarja me karrigen është më e rëndë se ajo me familjen. Karrigia është edhe nënë, edhe babë. Edhe atdhe, edhe botë! Është dije universale, këshillë, libër dhe trashëgimia më e mirë për fëmijët. Është shëlbim, thagmë, tharm, lezet e bereqet. Të rrotullohesh mbi të nuk ia ke lakmi as Juri Gagarinit e as ekuipazhit të Apollos.

Ajo të bën të mençur e ashik! Ajo të bën të bukur, hijerëndë dhe me raste të pasur. Thonë se ata që e ndiejnë se do largohen, mbyllin derën dhe e lajnë me lot, e lëpijnë dhe me oiii mallkojnë të prapmet e atyre që do fërkohen mbi të. Gushti, i cili po shkimet më ngadalë seç duhet, vazhdon ende me surprizat e tij. Taulant Ballën nuk po e lënë rehat. Ja zunë verën në fyt maluketërit. Akuzë pas akuze! Tani së fundi, Gazmend Bardhi, një djalë, mbase më dinjitozi i teknikëve ministra që pat ofruar Basha për qeverinë e çuditshme që menaxhoi zgjedhjet e shkuara, çdo ditë i bën nga një pyetje a ndonjë akuzë numrit 2 të socialistëve.

Tani për një të ndaluar në Greqi. Bah, duket e gjitha si xhelozi pas takimit të tij me Trampin. Pas një heshtjeje kurioze, Grida Duma kishte darovitur mjegullat e opozitës duke u mejtuar gjatë mbi hendekun që gërryen Kryeministri për të ndarë popullin nga opozita. Kësisoj i kishte dhënë një leksion enigmatik Bashës se si hendeku mund të shndërrohet në urë. Të jem si Basha, do mërzitesha me miq e armiq, me kundërshtarë e kritikë.

Do të dilja në një konferencë shtypi e do iu nxirrja gjuhën, duke iu thënë hajt sikter se do vej siç dua vetë se ma ka falur Doktori mua. Si do jetë shtatori e vendos ky fundmuaji. Do bjerë Teatri apo do mbahet? Do të dijë ta mbrojë opozita, duke korrur një fitore që do t’i duhej shumë pas kaq vitesh? Do të rishpikë ajo (PD) vetveten dhe fabulën e re? Mbetet për t’u parë. Enigmë e madhe pas kaq tulatjesh nëse do ketë sukses arroganca e pafre e Kryeministrit apo do të kompozohet një vullnet qytetar për t’u përballur?

Një gjë është e sigurt. Që në shtator fillon fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Sytë janë zgurdulluar mbi Tiranën. Nga “Rilindja” me gjasë mbetet Erion Veliaj, një kandidat i vështirë, mjeshtër i propagandës dhe autor i disa punëve publike me spikamë qytetare, sado që mbi to nuk reshtin preferencat dhe diskutimet. Nga opozita ka ende mjegull. Analistët thonë se përballë Velisë do të jetë Jorida Tabaku, një nga asetet më me vlerë që ka opozita aktuale në rrafshin qytetar dhe politik.

Do të ishte një betejë interesante ndërmjet dy profilesh të kithta. Në Kosovë, krahas kufijve që po bën tërkuzë Thaçi, diskutohet edhe për Albanologjinë. Seminar i përvitshëm mes dy Fakulteteve Filologjike, atij të Prishtinës dhe Tiranës. Çeljen e punimeve e inauguruan Kryeministri Haradinaj dhe ministrja Nikolla, detaj njerëzor e politik ky me domethënie kombëtare për një gjë kaq themelore për kombin tonë, siç eshte Albanologjia.

Kur duan, disa politikanë bëjnë edhe ndonjë gjest të lëvdueshëm. Personalisht ndahem me keqardhje me kronikën time të dashur verore, meqenëse për një batutë e djeg jorganin. Pirandelo, shkrimtar i madh italian për ata pak që nuk e dinë, shkruante që humori është forma më serioze e komunikimit.

Sa ia kemi dalë të jemi seriozë në të qeshur, një Zot e di e po aq lexuesit. Në shtator kthehemi te gjerat e bezdisshme e serioze, të cilat mbesin të tilla vjeshtë pas vjeshte, si një ëndërr e keqe që nuk i shqitet vendit tonë. Ndërkohë, si dikur në radio poste, ju përshëndes me këngën e Modugnos: “Amara terra mia”!/PANORAMA

“Ministrat pijnë kafen e hidhur të ndryshimeve në Qeveri…dhe cila mund të jetë rivalja e Veliajt nga PD” Read More »

Lufta Ballkanike u bë vetëm për portet e Shqipërisë

Nga George Fred Williams

Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Evropës? Është e nevojshme që t’i përgjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigja e së cilës trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë evropiane. Përgjigja e shkurtër është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Adriatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelësat e dyerve të Evropës Lindore për në detin Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelësa diplomacia e Evropës ka punuar për dy shekuj rresht.

Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe

Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi kryesor politik i së cilës ka qenë me patur kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e pa të arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin 1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të liruar të krishterët ortodoksë dhe gjithë popujt që flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave. Këto kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard Greit (ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i cili ishte vendi i zakonshëm i diplomacisë evropiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë popujsh sllavë kundrejt Austrisë gjermane. Ëndrra për t’i bashkuar këta popuj në një perandori sllave qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një tmerr për popujt gjermanë dhe për të gjithë Evropën Perëndimore. Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Evropës kanë ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as aleatët e saj sllave me zënë vend ose me krijuar ndonjë kalim për në detin Mesdhe.

Por, fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se fuqitë evropiane e përkrahën sundimin turk në Evropë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku deri në Stamboll do të shkaktonte ndarjen e këtyre vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë mënyrë do të hapej çështja e madhe e sllavëve për të dalë në detin Mesdhe. Lufta e Krimesë u bë prej Anglisë dhe Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo u pranua që të marrë pjesë në marrëveshjet e fuqive evropiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë kërkesë.

Traktati i Berlinit

Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh bullgar, që nga ana jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive evropiane të cilat bënë Traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasë një port në detin Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet sllave të Bosnjës dhe Hercegovinës në Adriatik iu dhanë Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për Evropën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Evropës.

Kërkesat e Serbisë në Adriatik

Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë evropiane. Historia e saj është e njohur, por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekurudhave të ardhshme. Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Evropës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.

Austria dhe Italia rivale

Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me radhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikëpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shumë e paarsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 kilometra larg bregut Italian në mes të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il mare nostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjetër, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.

Perandoria sllave

Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandori të tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjën dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat. Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takua detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe tërhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive evropiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohë është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë, ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.

Shqipëria dhe lufta botërore

Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcënuese për hakmarrje. Qëllimi i gjallë i Evropës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga deti Mesdhe shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjën dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë evropiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak ditëve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Evropa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Evropës. Kjo është historia e diplomacisë evropiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj, përshtatet posaçërisht titulli “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha”.

Faji i diplomacisë Evropiane

Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin perëndimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë, pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por, në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëherë diplomacia evropiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur ballkanasit nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjja e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie. Edhe në qoftë e vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetl shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqësitë e Shqipërisë varen mbi duart e tyre, sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po të kish prishur Evropa një shekull më parë sundimin otoman në Evropë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri. Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerëzore dhe vëllazërore të përdoret, atëherë do të kujtojmë faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëherë sllavët, gjermanët, anglezet, turqit dhe shqiptaret mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.

Diplomacia e shastisur e Evropës

Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Evropës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar një statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re në vendin e së parës. Por, diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Evropës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por, në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellë fuqi të madhe të armatosur për të përkulur shqiptarët. Por, këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre. Ata prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në veri, në jug dhe në lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë. / Telegrafi/

(George Fred Williams (1852-1932) ishte gazetar dhe diplomat amerikan. Ka qenë përfaqësues i SHBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi dhe një nga lobuesit më në zë të kohës për çështjen shqiptare. Është autor i librit “Shqiptarët”, ku përshkruan padrejtësitë që në fillim të shekullit XX u janë bërë shqiptarëve. Teksti i mësipërm është nxjerrë nga ky libër, i cili në shqip është botuar më 1934)

Lufta Ballkanike u bë vetëm për portet e Shqipërisë Read More »

“Mos u skandalizoni kur vriteni për një ngritje vetulle, po e gatuajmë vetë këtë çorbë”

Ka ngjallur jo pak debati sondazhi i publikuar dje nga Monitor, ku thuhej se 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kishin lexuar asnjë libër vitin e shkuar.

Një ndër personazhet që ka reaguar është edhe moderatori Turjan Hyska, i cili në fakt shprehet i revoltuar dhe gishtin e drejton edhe tek mediat duke thënë se “kjo është çorbë e gatuar nga promovimi i modeleve të shëmtuara.”

Në statuset e tij në Instastory, Turjan Hyska shkruan:

Libri është në ditën e tij më të keqe. Dija është e vetmja rrugë për një shoqëri të emancipuar. Ne si shoqëri po ndërtojmë analfabetë krenarë përditë dhe kjo është një minë me sahat që shumë shpejt do shpërthejë.
Mos u skandalizoni kur dëgjoni për luftë me sëpata, kallashë apo antitanke! Mos u skandalizoni kur vriten për një ngritje vetulle! Mos u skandalizoni kur rrihen nga burrat e nuk thonë asnjë llaf.
Mos u skandalizoni pse e shohim të ardhmen tek 1, X, 2! Mos u skandalizoni kur s’dinë të shkruajnë as emrin! Mos u skandalizoni kur i mbushim hundët me kokainë që 15 vjeç!
Mos u skandalizoni që të gjithë kanë model një me Lamborgini, doktor shkencash në Medellin të Kolumbisë! Mos u skandalizoni që pothuajse nuk do kemi më një rini të që do muzikën e bukur, sportin, zanatin apo familjen!  Çorbën po e gatuajmë vet duke promovuar modele të shëmtuara.
Politika, shoqeria civile, media por mbi te gjitha familja kane deshtuar ne menyre spektakolare per te ndertuar nje shoqeri qe lexon, meson, nderton!”

“Mos u skandalizoni kur vriteni për një ngritje vetulle, po e gatuajmë vetë këtë çorbë” Read More »

Ambasada e SHBA-së: Vizat turistike nuk janë për të punuar në Amerikë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë u kujton të gjithë qytetarëve se vizat turistike nuk janë për të punuar apo ndjekur shkollën në Amerikë.

“Vizat turistike janë për një qëndrim të shkurtër në SH.B.A. – jo për të punuar apo për të ndjekur shkollën atje”, shprehet ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Po ashtu, ambasada e SHBA-së në Tiranë sqaron se “Sigurohuni që ju po zbatoni rregullat e vizës tuaj kur të udhëtoni në SHBA. Nëse keni pyetje se çfarë është e lejueshme me vizën tuaj, më pyesni mua! Jam gjithmonë e lumtur t’ju ndihmoj”

Ambasada e SHBA-së: Vizat turistike nuk janë për të punuar në Amerikë Read More »

Nëse nuk keni plotësuar vitet e punës për pension të plotë, ja si mund ta zgjidhin…

Për të gjithë ata që kanë disa vite pune mungesë për të përfituar pension të plotë, mund të paguajnë sigurimet shoqërore për vitet e kaluara. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga . Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara? Çdo person që kam mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk i ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha e studimeve pasuniversitare është me pagesë. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojne ato nëpërmjet sigurimit vullnetar. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara? Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve). Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara: – Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension; – Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.

Sigurimi vullnetar për vitin korent

Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që: – Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension; – Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm; – Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi; – Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar. Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korent?

Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 5 184 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 lekë x 21.6%.

Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: – 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar); – 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); – 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). 3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 5 184 lekë, deri në kufijtë e pagës maksimale.

Të vetpunësuarit në bujqësi

Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh. I e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.

Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm, sipas dispozitave të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.

Dokumentacioni për të vetëpunësuarit në bujqësi

I vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori përkatës i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi këto dokumenta: – Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Vërtetimin mbi tokën e marrë në përdorim, lëshuar nga strukturat përkatëse, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar;

– Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim” dhe ia jep fermerit;

Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese; 4.

Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” fermeri paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”; Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale;

Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Me kërkesën e të vetëpunësuarit në bujqësi ai pajiset nga organet e sigurimeve shoqërore edhe me vërtetimin tip “Për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

Sigurimi vullnetar

Kush mund të sigurohet në skemën e sigurimit vullnetar? Të gjithë shtetasit shqiptarë që: Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar? 1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues, sipas rastit, i: – Pensionit të plotë të pleqërisë; – Pensionit të reduktuar të pleqërisë; – Pensionit të invaliditetit; – Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. – Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm. 3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.

Nëse nuk keni plotësuar vitet e punës për pension të plotë, ja si mund ta zgjidhin… Read More »

Alarmi nga OBSH, ministria shqiptare thirrje qytetarëve: Kujdesuni nga mushkonjat, mos t’u pickojnë se…

Alarmi për virusin e Nilit Perëndimor që shpërndan ethet vdekjeprurëse eshte dhene pak dite me pare, kur mediat maqedonase raportuan se ai ishte perhapur ne rajon dhe madje kishte shenuar viktimat e para.

Alarmi ka mbërritur edhe tek Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, e cila i është përgjigjur thirrjes së OBSH-së që qeveritë të marrin masa.

Ministria e Shëndetësisë ka pulikuar masat e mëposhtme në rrjetet sociale, për popullatën, me shënimin në fjalë:

“Transmetimi i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara.

Disa nga masat që duhen marrë për t’u mbrojtur nga mushkonjat:

Alarmi nga OBSH, ministria shqiptare thirrje qytetarëve: Kujdesuni nga mushkonjat, mos t’u pickojnë se… Read More »