Prokurorja e Përgjithshme ka urdhëruar caktimin e përkohshëm të prokurorëve: Olsian Çela, nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë e Beratit, ndërsa Sonila Muhametaj nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë e Pukës, sakaq Besim Hajdarmataj nga Prokuroria për Krime të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit.
Këto lëvizje të Arta Markut kanë ardhur fill pas urdhrit për hetim disiplinorë të prokurorëve qe refuzuan shortin për çështjen e Shullazi, ndërsa kujtojmë se Besim Hajdarmataj ka qenë drejtuesi i Prokurorisë se Krimeve të Rënda dhe kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit.
Pas emërimit të Arta Markut, ai është ai caktuar si prokuror i thjeshtë po në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e tashme është spostuar si Prokuror në Pogradec.
Edhe tre ditë moti do të jetë i njëjtë, me temperatura të larta dhe me diell. Kështu bën të ditur Meteoalb.
Ja parashikimi i motit:
MOTI NDRYSHON JAVEN TJETER:
Nesër dhe gjatë fundjavës, moti mbetet me kthjellime dhe vranësira kalimtare në pjesën më të madhe të vendit; më të dukshme vranësirat gjatë orëve të pasdites dhe kryesisht në zonat malore.
Ndërsa mundësia për shira, shfaqet të hënën në zona të izoluara në Veri – Verilindje.
TEMPERATURAT do të vijojnë me vlera lehtësisht mbi normalet gjatë orëve të natës dhe mëngjesve (përfshirë edhe fundjavën) ndërsa temperaturat e mesditës kanë shënuar mesatarisht 6°C, mbi maksimumet tipike të muajit shtator. Konkretisht, deri të dielën, temperaturat sipas zonave do të luhaten: 12 – 30°C në zonat malore; 18 – 34°C në zonat e ulëta dhe bregdetare.
Java QE VJEN SJELL rënie të theksuara të temperaturave në të dy ekstremumet termike të ditës; ku vlerat minimale në rang territori ulen deri në 6°C ndërsa maksimumet nga 34°C gjatë këtyre ditëve, do ulen në 25 – 26°C.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, analisti Andi Bushati komentoi vendimin e sotëm të mazhornacës për të miratuar amendimet në ligjin që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar. Bushati tha se votimi i sotëm i vuri vulën grabitjes.
“Votimi i sotëm është vënia e vulës për një grabitje. U duk sikur pati një reflektim në fillim. U hoq ligji fusha dhe u bë në atë mënyrë që mos e fitojë askush tjetër përveç Fushës. Pra është një tallje se ngelemi tek e njëjta kompani. Tallja tjetër është me publikun. Pra unë po bëj gjoja një garë, por prapë do e marrë kompania Fusha”- tha Bushati.
Ndër të tjera analisti u shpreh se opozita duhet të bojkotojë totalisht sistemin dhe jo vetëm djegien e mandatave të deputetit.
“Pse opozita duhet të qëndroje na atë parlament dhe të bëhet pjesë e këtij sistemi, ku Rama po e përdor sistemin si letër higjienike për t’i shërbyer ligjit Fusha. Nuk po përfillet as populli dhe as presidenti për këtë çështje. Ligji tregoi që këtu kemi të bëjmë me një vjedhje. Pra rolin për të treguar se këta njerëz janë për të vjedhur opozita e ka bërë. Opozita duhet të bojkotojë totalisht sistemin dhe jo vetëm djegien e mandateve”- tha Bushati.
Numri i vrasjeve dhe plagosjeve në Shqipëri ka një ulje të ndjeshme, duke bërë që vendit të ketë shifra të krahasueshme me vendet e BE-së.
Në takimin e mbajtur sot në Tiranë në kuadër të iniciativës kundër trafikimit të armëve, e lançuar nga Gjermania dhe Franca, e cila funksionon nën kornizën e BE-së, ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj tha se “në vitet 2010 – 2013, gjatë atij 4-vjeçari, në veprat penale të regjistruara kishim mesatarisht 119 vrasje me armë zjarri dhe 167 plagosje të rënda me armë në një vit”.
” Në vitet 2014 – 2017 këto tregues zbritën në 69 vrasje dhe 136 plagosje të rënda mesatarisht në një vit. Pra nga 119 në 69 vrasje mesatarisht në një vit. Këto shifra janë shumë më të ulëta edhe gjatë këtij viti, të pakrahasueshme me vitet e mëparshme, por tashmë edhe në një nivel të mirë krahasimi me mesataren e vendeve e BE-së”, tha Xhafaj.
Ministri i Brendshëm lajmëroi dhe ngritjen e një strukturë të posaçme kundër armëve të zjarrit.
“Ministria e Brendshme mbetet tërësisht e angazhuar për ngritjen e Njësisë Qendrore te Armëve të Zjarrit, si strukturë organike, brenda tremujorit të parë të vitit 2019. Bashkëpunimi shumë i mirë me Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë dhe do të forcohet, sidomos në aspektin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve të tepërta. Ne synojmë gjithashtu që të rritet më tej përdorimi i analizës së riskut nga ana e institucioneve tona ligj-zbatuese. Investimet që jemi duke bërë për pajisjet e teknologjisë së lartë si për regjistrimin dhe shënjimin e armëve të zjarrit, por dhe për Institutin e Policisë Shkencore, megjithëse janë ende modeste, në raport me nevojat që kemi, do të rrisin shumë shanset për identifikimin e keqbërësve dhe kontrollin sistematik të armëve të zjarrit”, tha Xhafaj./atsh
Turistët gjermanë kanë zbuluar një mrekulli të vogël, shumë pranë kryeqytetit shqiptar, ndërsa moti i mirë i këtij shtatori ka bërë që të zgjatet sezoni turistik. Kështu, grupe turistësh gjermanë kanë frekuentuar këto ditë kepin e Rodonit, duke shijuar jo vetëm natyrën e bukur dhe detin, por edhe pasuritë kulturore dhe historike të zonës.
Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Durrësit, që kujdeset për zonën, vë në dukje frekuentimin gjithnjë e më të shpeshtë të zonës nga turistët e huaj.
Kepi i Rodonit, vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.
Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.
Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /atsh
Për turistët muaji shtator në Tiranë është më i preferuari. Në këto ditë vjeshte, ku temperaturat i ngjasojnë atyre të verës, rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.
Grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Nuk i mungon itinerarit të tyre, edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.
Por, vendi që vijon të tërheqë më së shumti interesin e vizitorëve të shumtë, është sheshi “Skënderbej”, në qendër të qytetit të Tiranës. I kthyer tashmë në një atraksion të ri për vetë rikonstruksionin modern dhe bashkëkohorë, ky shesh është shndërruar në një vlerë të shtuar për turizmin e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, shprehet se “asnjë grup turistësh nuk ikën nga Tirana, pa ndaluar qoftë edhe një herë në sheshin më të bukur të qytetit”.
“Tirana është në listën e 10 destinacioneve të sugjeruara nga Lonely Planet për vitin 2018”, thekson Veliaj.
Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transforimimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, Qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj./atsh
Në 6 muaj, Gramshi ishte destinacioni i preferuar i 14 e 500 turistëve vendas e të huaj.
Ky informacion jepet për ATSH nga strukturat e Bashkisë Gramsh që mbulojnë lëvizjet turistike në këtë Bashki.
Ergita Kaso, punonjëse në këtë bashki tha për ATSH se “këtë vit, Gramshi ka pasur numrin më të lartë të turistëve ndër vite. Pasi rakorduam të dhënat në të gjitha atraksionet turistike të Gramshit, konstatuam se gjatë 6 mujorit të parë të 2018 ka pasur rreth 14500 turistë deri tani, të cilët kanë vizituar pikat më atraktive turistike të zonës si Kanioni i Holtës me 3000 turistë. Kjo natyrë e veçantë e zonës, vazhdon të vizitohet gati çdo ditë nga turistë shqiptarë dhe të huaj”.
Liqeni i Zi, theksoi ajo, është një tjetër pikë e vizitueshme edhe për efektet e ujit kurativ që ka. “Deri tani janë numëruar nga strukturat tona deri 5000 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë gjatë muajit gusht, pasi vijnë për kurimin e sëmundjeve reumatizmale”, thotë për ATSH, përfqësuesja e kësaj Bashkie, Ergita Kaso.
Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banoret e disa qyteteve si, Elbasani, Lushnja, Berati etj.
Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.
Përballe të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.
Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.
Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacake që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.
“Ujëvarën e Sotirës këtë verë e vizituan 2000 turistë vendas e të huaj, kryesisht gjatë muajit Maj-Qershor, por vazhdon të vizitohet edhe në këtë periudhë”, shton më tej Kaso.
Ajo radhit edhe disa pika të tjera turistike të Gramshit që janë vizituar deri tani si Liqeni i Banjës me 3000 turistë, ku disa operatorë turistik sjellin dhe kajak apo mjete te tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen për t’u vizituar. Një tjetër destinacion, ka qenë dhe fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur, e vizituar nga 700 turistë të historisë dhe të kulturës.
Dy kishat ortodokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore. Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit kanë qenë dhe Liqeni i Dushkut, Shpella e Kabashit e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë. /atsh
Largimi i Lulzim Bashës dhe opozitës së bashkuar nga salla e Kuvendit që prej fillimit të këtij sesioni parlamentar për shumë analistë, opinionistë, ish politikanë është vlerësuar si një fakt që i hap rrugë Ramës të bëjë ç’të dojë në sallën e parlamentit. Dhe duket se kështu do të ndodhë edhe me ligjin për Teatrin Kombëtar.
Një prej tyre është edhe Koço Kokëdhima. Ai thotë se kjo gjë që ka bërë Basha, është maskarallëk. “Qeveria do të kalojë sot me urgjencë ndryshimet në ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Deputetët e saj kanë braktisur luftën në parlament dhe kanë marrë arratinë. Do të “protestojnë” në Vlorë! Është e njëjta skemë që përdorën më 17 shtator për të mbytur luftën e kuksianëve për traun te “Rruga e Kombit”. SHQUP-i është blerë nga Rilindja dhe dashnorët e betonit. Ky është maskarallëk”, thotë Kokëdhima.