Aurora

Si do të nisë java juaj, njihuni me parashikimin e yjeve për sot

Dashi
Mbrëmja juaj do të shënohet me emocione të përziera të cilat mund t’ju mbajnë të tensionuar. Por nuk duhet të shqetësoheni shumë, pasi mbremja do të jetë argëtuese. Përmirësimi i financave është i sigurt.

Demi
Tregohuni i kujdesshëm për shëndetin, sidomos nëse keni probleme me tensionin. Marrëdhënia juaj romantike nuk do të jetë në momentet më të mira. Disa kërkesa të partnerit mund t’ju shtojnë nivelin e stresit.

Binjaket
Shmangni konfliktet pasi mund të përkeqësojnë shëndetin tuaj. Ju do të jeni shumë të ndjeshëm ndaj vërejtjeve të bëra nga partneri. Nëse i kushtoni më shumë kohe dëshirave tuaja do të ndiheni i lumtur.

Gaforrja
Nuk është një ditë shumë e mirë për të udhëtuar. Megjithatë mbremja do të jetë shume e qetë duke ju bërë të hidhni pas krahëve momentet e tensionit, veçanërisht në punë.

Luani
Kaloni më shumë kohë me miq të ngushtë për t’u çlodhur. Mos shpenzoni shumë për të bërë përshtypje të tjerëve. I dashuri juaj do të kërkojë më shumë përkushtim nga ju. Përpiquni të shmangni përplasjt me partnerin.

Virgjeresha
Mund të merreni me aktivitet sportiv i cili do të ruajë aftësinë tuaj fizike. dhe mendore. Investimet duhet të bëhen me një perspektivë afatgjatë. Sot dikush nuk do t’ju thotë gjithë të vërtetën.

Peshorja
Vitaliteti juaj i ulët do të veprojë si helm kronik në sistemin shëndetësor. Është më mirë të mbani veten të angazhuar në ndonjë punë krijuese. Është më mirë të jesh i kujdesshëm për të ardhmen tënde sesa të shqetësohemi për të.

Akrepi
Kjo është dita e përkryer për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve pa shumë lodhje. Planetet do t’ju sjellin shumë arsye për t’u kënaqur sot. Ju mund të keni mjaft kohë sot, por mos i humbni momentet tuaja të çmuara duke ndërtuar kështjella në ajër.

Shigjetari
Ju do të shijoni kënaqësinë e kohës së lirë. Një marrëveshje e re financiare do të finalizohet duke ju siguruar më shumë të ardhura. Pasditja me miqtë do të ishte një alternativë pikante.

Bricjapi
Përdorni idetë tuaja inovative për të bërë më shumë para. Mos e neglizhoni jetën tuaj shoqërore. Gjeni kohë nga orari juaj i ngarkuar dhe dilni për të marrë pjesë në një festë familjare.

Ujori
Shëndeti do të jetë i përsosur sot. Natyra juaj konkuruese do t’ju mundësojë të fitoni ndonjë konkurs. Pas shumë kohësh, mund të jeni në gjendje të plotësoni dëshirë për më shumë qetësi në romancë.

Peshqit
Përpiquni të përmirësoni shëndetin tuaj dhe personalitetin e përgjithshëm për një jetë më të mirë. Parashikohet të përjetoni ditën më të mirë të jetës suaj në çift. Edhe nga ana shpirtërore do të ndiheni i plotësuar.

Si do të nisë java juaj, njihuni me parashikimin e yjeve për sot Read More »

Transformohet spitali i Gjirokastrës, aparatura moderne diagnostikuese

Spitali Rajonal i Gjirokastrës është rikonstruktuar plotësisht.

Ministria e Shëndetësisë publikon detaje nga transformimi në të gjithë repartet e këtij spitali.

Në kuadër të investimeve të qeverisë shqiptare në spitale dhe qendrat shëndetësore në vend, edhe në këtë spital është bërë e mundur rehabilitimi i ambienteve pritëse për qytetarët ndërsa në shërbimin e urgjencës janë vendosur aparatura të reja.

Transformim kanë pësuar edhe shërbimet e Patologjisë, Pediatrisë dhe Maternitetit.

Në spitalin e Gjirokastrës është zgjeruar gama e analizave që mund të kryhen.

Falë këtij investimi, janë vendosur gjithashtu edhe aparatura moderne diagnostikuese dhe një standard i ri në sallat operatore. /atsh

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/277100316461299/?t=0

Transformohet spitali i Gjirokastrës, aparatura moderne diagnostikuese Read More »

PD: Sulmi ndaj prokurorëve antimafia, skenar për të prishur dosjet nën hetim

“Sulmi i kryeprokurores Arta Markut ndaj prokurorëve antimafia eshtë pjesë e skenarit për të prishur dosjet nën hetim të bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës”.

Kështu deklaroi sot këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Sipas tij, “shpërbërja dhe ndëshkimi i grupit hetimor për Saimir Tahirin, erdhi pas urdhrit të këtyre të fundit për sekuestrimin e 31 pasurive të Habilajve”.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë goditje të paprecedentë gjatë këtyre ditëve nga Arta Marku, që me veprime të qëllimshme dhe me paramendim, po godet, dekurajon dhe shantazhon, grupin e prokurorëve antimafia”, tha Bardhi.

Transferimi i paligjshëm i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, sipas PD-së, “është pjesë e një skenari për të shantazhuar prokurorët që janë në betejë të përditshme me krimin e organizuar, pushtetarët e lidhur me të dhe qeveritarët e korruptuar”.

“Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurorit tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”, është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet”, tha Bardhi./atsh

PD: Sulmi ndaj prokurorëve antimafia, skenar për të prishur dosjet nën hetim Read More »

Rezoluta e KiE për kompensimin e pronave, Gjonaj: Përgjigje për retorikën e opozitës

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar pas rezolutës së miratuar nga Këshilli i Europës për çështjen e pronave në Shqipëri.

“Vendim i rëndësishëm për pronarët. @coe  rikonfirmon efektivitetin e mekanizmit të kompeNsimit të pronës miratuar  @AlbGov. Vlerësim maksimal për punën e qeverise & agjencive të pronës që e trajtuan me seriozitet e i dhanë zgjidhje ligjore problemit të madh të kompensimit të pronave”, thekson ministrja.

Gjonaj shprehet se kjo rezolutë vjen si përgjigje dhe për opozitën, që veç retorikes politike s’ka dhënë asnjë zgjidhje për pronarët.

“Qeveria Shqiptare është vlerësuar pasi ka përmbushur të gjitha masat lidhur me pronat, duke ofruar mbështetje  politike, financiare e teknike që nga viti 2014 e në vazhdim. Vendimi i CoE, përgjigje dhe për opozitën, që veç retorikës politike s’ka dhënë asnjë zgjidhje për pronarët”, deklaron Gjonaj.

Këshilli i Europës konfirmon si funksional dhe efektiv mekanizmin e kompensimit të pronës të miratuar nga Qeveria Shqiptare. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, miratoi Rezolutën për Shqipërinë, me konkluzionin se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv.Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi. /atsh

Rezoluta e KiE për kompensimin e pronave, Gjonaj: Përgjigje për retorikën e opozitës Read More »

“Air Albani”, të udhëtosh shqip në qiejt e botës/Foto

“…Ju uroj mirëseardhjen në bordin e avionit të “Air Albania”, Airbus 319”. Këto janë fjalët e para që të presin sapo akomodohesh në bordin e avionit të parë shqiptarë. Një ndjesi dhe emocion i veçantë teksa mendon që për herë të parë po udhëton me një avion shqiptar, aty ku çdo gjë flitet dhe lexohet në gjuhën amë.

“Do të jetë kënaqësia e jonë që të ju asistojmë gjatë gjithë udhëtimit”, vijon më tej Elvis Maja, shef kabineti i “Air Albania”.

Pas fluturimit të parë me studentët ekselentë dhe të dytin, me një grup pensionistësh, udhëtimi i  tretë i kompanisë me ngjyrat kuq e zi, ishte me gazetarë të medias së shkruar dhe vizive, por edhe me artistë.

Djem dhe vajza të kuruar në çdo detaj, me veshjen me motive kuq e zi të urojnë mirëseardhjen sapo hyn në derën e avionit të quajtur “Lasgushi”, për nder të poetit të njohur lirik, Lasgush Poradeci.

Janë rreth 40 vajza dhe djem nga e gjithë Shqipëria, pjesë e ekuipazhit të “Air Albania”.

Me ngjyrat e flamurit shqiptarë dhe emblemën e stilizuar të shqiponjës dy krenare në trupin e “Airbus 319”, Air Albania me rreth 100 gazetarë nis fluturimin drejt Stambollit.

Sapo akomodohesh, të bien në sy udhëzimet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, teksa zëri i Elvisit të shoqëron në shqip duke dhënë këshillat e para për pasagjerët.

”Lidhni rripin e sigurimit kur të uleni. Jeleku i shpëtimit ndodhet poshtë karrikes tuaj”, është këshilla e parë me të cilën përballesh sapo akomodohesh, ndërsa të tjera udhëzime i gjen të shkruara po në shqip, krahas shpjegimeve përkatëse të stjuardeseve në rast emergjence, që paraprijnë fluturimin.

Ndërsa “Lasgushi” fluturon në qiellin e hapur, buzëqeshja, shpejtësia dhe gatishmëria e stafit të shoqëron gjatë gjithë udhëtimit duke mos e ndjerë aspak distancën Tiranë-Stamboll.

Pas udhëtimit tejet komod, gazetarët u pritën në Aeroportin e Stambollit nga përfaqësues të kompanisë “Turkish Airline”.

Stambolli i konsideruar si destinacioni i ëndrrave, ndodhet në breg të Europës ku lindja takohet me perëndimin. E këtë mësë miri e dëshmon ura e famshme që lidh dy kontinentet, atë të Europës me Azinë.

Një qytet që mbart histori dhe kulturë, të bën për vetë edhe sikur të vizitosh vetëm Pallatin e famshëm të Topkapisë, muzeun e Shën Sofisë, xhaminë e Sulltan Ahmetit apo muzeun e Mozaikut.

Dhe “Xhamia Blu”, muzeu “Aya Sofya” dhe sarajet e sulltanit (Topkapi Palace), ishin disa nga destinacionet që u vizituan nga gazetarët të shoqëruar nga guidat profesionale.

Për përfaqësuesit e mediave ishte rezervuar edhe një tjetër vizitë turistike, një udhëtim mahnitës prej disa orësh me anije në Bosfor, e cila përmbylli këtë vizitë një ditore.

Kthehemi sërish në bordin e “Air Albania”, një udhëtim drejt Tiranës që zgjati sa hap dhe mbyll sytë. Në largim, përshëndetemi po në shqip me ekuipazhin e mrekullueshëm të kompanisë së parë ajrore shqiptare.

“Air Albania”, me modelet më të fundit të avionëve është e para kompani ajrore e flamurit tonë dhe e para kompani ajrore me kapital publik brenda saj, në bashkëpunim “Turkish Airlines”.

Në muajin tetor, “Air Albania” do të nisë destinacionet në qytetet kryesore europiane, si Roma, Bolonja, Londra apo Milano, avioni i cili do të marrë emrin “Migjeni”.

“Air Albania” do të ketë një linjë direkte edhe Tiranë-New York, avioni i cili do të quhet “Imzot Noli”, duke u kthyer në një shtëpi të përbashkët për gjithë shqiptarët në qiejt e botës./atsh

“Air Albani”, të udhëtosh shqip në qiejt e botës/Foto Read More »

Cilat janë 5 femrat që ndryshuan botën , në mesin e tyre shqiptarja e njohur

Ato njihen si 5 femrat që ndryshuan historinë e botës. “Lufta” për të drejtat e grave filloi në vitin 1872, për te ndaluar diskriminimin gjinor.

Susan B. Anthony u përpoq për të drejtën e votës për Zgjedhjet Presidenciale. Edhe pse nuk votoi dot, Amendamenti i 19-të në Kushtetutën e SHBA-ve mori emrin e saj: “Susan B. Anthony Amendment.”

E dyta do të ishte Marie Curie. Ajo ishte femra e pare që mori titullin Profesor në Universitetin e Sorbonnës në Paris, në vitin 1906. Njeriu i parë në botë që fiton dy Çmime Nobel. I pari ne 1903 për Fizikën, bashkë me të shoqin dhe një bashkëpunëtor të tretë, i dyti për Kiminë në vitin 1911, për punën e saj mbi radioakrivitetin.

Në këtë listë është edhe një shqiptare. Bëhet fjalë për Nënë Terezën. Shqiptarja që njihet si me origjinë nga Maqedonia. Ajo e ka zhvilluar pjesën më të madhe të aktivitetit të saj humanitar në Indi. Ka arritur armëpushimin në Liban për të evakuar një spital, ka ndihmuar në Etiopi dhe në Armeni. Katolikja dhe humanistja e madhe, është nderuar me Cmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.

E katërta është Mae Jemison. Ajo është astronautja e parë Afro-Amerikane. Fizikante, që përpara nisjes së punës në NASA, është marrë me aktivitet humanitar.

E fundit por jo më pak e rëndëshishmja është shkrimtarja franceze Simone de Bovuar. Ajo luftoi shumë për lirinë e femrave dhe u dha forcë me anë të shkrimeve të saj.

Cilat janë 5 femrat që ndryshuan botën , në mesin e tyre shqiptarja e njohur Read More »

Emigrantët, shqiptarët pa atdhe?!

Nga Astrit KOSTURI* Emigrantët shqiptarë janë pjesa më e diskriminuar e shoqërisë sonë, edhe pse më kontribuesja në krijimin e vlerave materiale shpirtërore të kësaj shoqërie, në zgrip të ekzistencës, në një kohë traumash dhe krizash kolektive, që po përjetojmë tash njëzet vjet tranzicioni pa limit.

Që kur thyen muret e ambasadave dhe deri më sot kur bota moderne theu shengenin e trishtë europian, këta emigrantë kanë dhënë gjithçka për vendin e tyre, djersën, mundin, gjakun, pasionin dhe ëndrrën që vendi i tyre të ishte një vend i denjë në familjen e madhe europiane.

Duhet thënë se standardet jetësore, kriza ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore, me të cilat ballafaqohen shtetet e BE-së dhe ekonomitë e tyre, ndërkohë që emigrantët e veçanërisht ata shqiptarë në këto vende ndihen dyfish të stresuar e në krizë të plotë.

Kjo, pasi ata përcjellin në vendet ku punojnë e jetojnë krizën e vendit nga vijnë, pra krizën e vendit të shqiponjave dhe mbartin me vete krizën e një paragjykimi gati sindromik e racor, që si merimangë mbështjellë jetën e tyre të vështirë në këto vite ku kanë ikur për një jetë më të mirë. Të vjen keq, tmerrësisht keq, kur shikon Shqipërinë e varfër, se si i ka “përzënë” bijtë e saj më të mirë në dhe të huaj, por edhe atje, vëllezërit tanë po vuajnë përsëri.

Damka e paragjykimit i ndjek kudo pas si një mallkim. Mallkim në vendin nga ikën për një jetë më të mirë, mallkim në vendet pritëse. Çfarë dreq fati për këtë vend, për këtë popull të kalvarizuar në një epokë deliri kolektiv, në një betejë fantazmagorike më hijet e së shkuarës, me alibitë e një tranzicioni të sëmurë.

U nda për së gjalli shqiptari me shqiptarin, por tashmë më keq se kurrë, pasi veç lirisë, që na u kthye në një gjerdan shtrëngues në fyt, u ndamë edhe nga mirëqenia e të ardhurat, dhe s’ka më keq se ndarja pasurore.

Politika infantile e Tiranës zyrtare na bëri si dy Koretë, si nata me ditën, njëra Kore – shqiptarët brenda kufijve shtetërorë të imponuar dhe Koreja tjetër -jashtë kufijve, në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Zvicër, SHBA, Australi e gjetkë, kudo ku punojnë e rropaten emigrantët tanë, emigrantët e tokës krenare të shqipeve.
Por duhet thënë se ka disa kohë që emigrantët nuk janë më shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë dhe kjo nuk ka ndodhur as në pushimet verore, dhe as në festat e fundvitit, kur ata vërshojnë zakonisht për të takuar të afërmit e tyre dhe për t’u çmallur me vendlindjen. Tronditja botërore e ekonomisë, ka pështjelluar një krizë të re edhe në komunitetin e tyre.

Për pasojë, ndihma ekonomike për familjet në Shqipëri, është po kaq e pamundur, sa edhe i hidhur është ky realitet për ata. Për herë të parë në historinë e emigrimit shqiptar, bujaria e tyre sot është e brishtë, aq sa nuk mund të thuhet që dashuria e tyre për vendin e tyre vazhdon të jetë siç ka qenë gjithmonë, motivi i ngushëllimeve të ardhshme.

Deri dje, shumë njerëz mendonin se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të sfilitura shqiptare ishin si “diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional”. Kurse sot, janë të paktë ata që mendojnë se heroizmi i tyre përballë shkulmeve raciste, është çështje e ditës.

Dhe kjo, edhe për shkak se morali i ditës shqiptare është marrë peng nga paqartësia e gjërave, nga deliri dhe makutëria e atyre që ngrenë dhe ulin podiumet politike të radhës me emrin e emigrantëve në gojë, por siç thotë populli “fjalë të bukura e gurë në trastë”.
Duhet thënë me plot gojën se shqiptarët, brenda vendit edhe jashtë, sot janë të kërcënuar nga zymtësia e së ardhmes. Ndërsa të parët kanë dëshpërim sigurimin e vështirë të bukës së gojës, të dytët kanë frikë të shpresojnë kthimin në vendin e tyre, ku mbretëron dëshpërimi i të parëve dhe ku pritja e tyre s’ka asgjë të përbashkët me mallin dhe dëshirën që ata të bëhen pjesë e qenësishme e një realiteti të mundshëm që duhet të ndryshojë me shpejtësinë e dritës.

Politika nuk ka se çfarë të thotë më, boll ka gënjyer dhe shqiptarët kanë bërë sikur kanë besuar: emigrantët tanë janë të keqpërdorurit e saj të mëdhenj, një keqpërdorim i vrazhdë, brutal, pa limit.

Ata janë trajtuar si njerëz pa atdhe, të huaj në vendet ku punojnë e jetojnë për një copë bukë, por akoma më të huaj në vendin e tyre, ku vijon të ngjitet në podiumet politike mashtrimi i radhës dhe projeksioni politik ndaj tyre është në kuotat më të larta të këtij supermashtrimi…
Por jo vetëm shqiptarët.

Edhe grekët, edhe italianët, edhe fqinjët e tjerë, duket se e quajnë luks të ushqejnë ende si dikur në shpirtrat e tyre fobinë për të huajt, për emigrantët, sepse hallet e botës sot janë më të mëdha se shkulmet e krenarisë…

Ndoshta edhe për shkak të krizës, është e dukshme një rënie e furisë nacionaliste sidomos në Ballkan, ku dhe kur, kriza e botës është afruar si tajfunet shkatërruese në verë, në brigjet e Floridës apo Meksikës.

Ndërsa stuhia ka prekur Greqinë, as ajo, as fqinjët e saj nuk kanë profetë në gjirin e tyre, të parashikojnë çfarë mund të ndodhë më pas në të ardhmen. Por nëse ata nuk kanë profetë, ne, në këtë vend të zymtë e të trishtë deri në dhimbje, nuk kemi as njerëz të denjë (të paktën ata që kemi në krye të politikës), për të na vënë një dorë te kryet kur na dhemb koka.

Në të vërtetë, racizmi ndaj emigrantëve është tulatur kohët e fundit, dhe kjo jo vetëm falë shpërqendrimit dhe frikës nga fatalitetit ekonomik, që sjell trokitja e pashmangshme e krizës, por edhe falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë ne vendet ku jetojnë.

Të gjithë e dimë se kjo ka qenë një aventurë e vetmuar e shqiptarëve në mërgim për të vërtetuar me vlerat e tyre, vlerat kombëtare në sytë e botës. Por ndërsa janë lehtësuar njëfarësoj prej rëndesës së huaj, përkundrazi, shpërfillja e shtetit shqiptar sot është e dyfishtë.

Aq më pak politika e Tiranës ka interes për ta, sepse sot ata nuk mund të ndihmojnë vendin e tyre. (Madje, ata kishin qenë të harruar e të lënë mënjanë për vite me radhë, edhe atëhere kur dërgonin kursimet e djersës familjeve të tyre për vite me radhë). Sot që ata nuk mund të ndihmojnë, aq më pak qeveria shqetësohet për problemet e tyre, vetminë e tyre, papunësinë e tyre dhe vështirësitë e tyre, në kushtet e krizës.
Pasi e kanë administruar me babëzi dhe mediokritet këtë vend, për njëzet vjet me radhë, çfarë e ka e shtyrë edhe dinjitetin kombëtar drejt greminës, pushtetarët janë shqetësuar jo aq për problemet e shumëfishuara të emigrantëve, sa për kthimet e tyre masive. Sepse ata e dinë, ashtu siç e dinë të gjithë, se dërrasat janë zbërthyer dhe Shqipëria nuk mund të përballojë papunësi të re dhe të papunë të rinj, në mes të rrënimit.

Të gjendur mes dy të këqijave (sa ogurzezë të hezitosh të shpresosh tek baza jote), emigrantët tanë sot janë personazhe të një drame të re. Nëse vështrimet do të bien mbi ta, drama përsëri do të vazhdojë, sepse kjo do të ndodhë vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht, dhe vetëm djallëzisht në fushata elektorale.

Në çdo rast, në çdo kohë, në çdo analizë, zhgënjimi është i pamatshëm dhe këndvështrimi ndaj emigrantëve një këndvështrim gati i sëmurë, duke i përfytyruar vetëm si njerëz në dispozicion të nevojave tona vetjake e kolektive, por jo si njerëz që dhe ata kanë nevoja dhe duan një dorë të ngrohtë mbështetje për t’u integruar në tokën e tyre, në vendin e tyre.
Vëmendja për dilemat e emigrantëve ka pak gjasa të ndodhë: të kthehen në vendin e tyre, të vuajnë me njerëzit e tyre, apo të durojnë deri në fund në emigrim. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës, që është aq më e qartë sa më të mëdha janë problemet për ta, është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje të përjetshme që nuk mund të shpjegohet.

Emigrantët ishin lënë dhe vazhdojnë të janë vetëm në hallet e tyre, sot më shumë se kurrë, si një komunitet rrugëhumbur. Lënia në mugëtirën e tyre dhe poshtërimi social që ju bëhet, ndërkohë që ata janë absolutisht pjesa më e pastër, me e painfektuar dhe më e qytetëruar e shqiptarëve, është dëshmi e sigurtë e krizës së vetëdijes kombëtare, që qëndron mbi të tjerat.

Prandaj, shpërfillja shtetërore ndaj problemeve të tyre dhe ndaj civilizimit të sigurtë që ata kanë fituar gjithë këta vjet në perëndim, nëse deri sot ka sjellë zhgënjim komunitar, sot po provokon një agresivitet të ndërsjellë dhe të shkujdesur ndaj politikës në vendin e tyre…
Por, veç këtij zhgënjimi, shqiptarët perëndimorë, të lodhur e të vetmuar në durimin e përbindshmën për të pastruar fytyrat e tyre, sot janë po aq indiferentë ndaj politikës në Shqipëri, sa mospërfillëse ka qenë edhe politika e shtetit ndaj tyre gjithë këta vjet.

Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti është fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do mund të sjellë shpresën e ndryshimit në të. Me fjalë të tjera, zhgënjimi vazhdon, bile tashmë me një ritëm të çmendur, gati të sëmurë, ankthioz e sindromik!
Pak gjëra thuhen e shkruhen për emigrantët, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, edhe në ditë të mira, edhe në krizë, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë për ata. Nuk është bërë asgjë asnjëherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë, nuk po bëhet dhe mbase nuk do të bëhet kurrë (të paktën jo nga kjo klasë politike).

Ky është një gabim historik, dhe është gjithashtu i pafalshëm, po të llogaritet që për disa bindje të të huajve ne vazhdojmë të jemi një realitet i rëndomtë, i ulët, një vend pa histori, pa vlera, pa kujtesë, ndonëse ato ekzistojnë.

Emigrantët tanë nuk kanë të drejtë vote në vendin e tyre (por as në vendet ku punojnë e jetojnë), nuk kanë asnjë përfaqësues në Kuvend. Për më tepër kur vijnë në Shqipëri, e cila i ka mbijetuar në një farë mënyre krizës klithëse e paditëse vetëm falë kontributit të tyre, i gjejnë pronat të grabitura, llogaritë bankare të boshatisura, por mbi të gjitha gjejnë mosmirënjohje, e cila i mbështjell me një cipë të ftohtë e të akullt, të pamëshirshme.

Ata nuk janë pak, por rreth një milion shqiptarë, shtresa më fisnike e kësaj shoqërie të vrarë nga ky tranzicion primitiv, që presin të gjejnë vetveten në një vend, që ka humbur të paktën përkohësisht shtegun për tek e ardhmja dhe kjo është vërtet e trishtë dhe e dhimbshme. *Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Emigrantët, shqiptarët pa atdhe?! Read More »

HISTORIANI TURK: SKËNDERBEU, TRIM I PAZAKONTË

Historianët bashkëkohorë turq vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për Skënderbeun dhe epokën e tij. Derisa një numër i tyre pëlqen të përmend Skënderbeun kalimthi si pengesë e përkohshme e fushatave pushtuese osmane, të tjerë si Halil Inallçik shprehin konsiderata ndaj rezistencës së tij.

Halil Inallçik, që ndërroi jetë vitin e kaluar, konsiderohet si një prej historianëve më të mirë turq që njihen edhe ndërkombëtarisht, shkruan Konica.al.

Si ligjërues edhe në Universitetin e Çikagos, ai është autor i një varg punimesh serioze për fazat e hershme të pushtimeve osmane në Ballkan.

Në fokus të interesimit të tij kanë qenë edhe zotërimet e para osmane në Shqipëri, përfshirë sistemi i timarit dhe regjistrat e ndryshëm kadastralë.

Portali Konica.al sjell një fragment nga zëri «ARNAWUTLUK» në Enciklopedinë e Islamit, një botim i vitit 1960.

Inallçik, i cili është autor i këtij zëri enciklopedik për Shqipërinë dhe shqiptarët, jep një shpjegim të thuktë për historinë dhe gjeografinë e vendit.

Hyrjen e nis duke pranuar prejardhjen ilire të shqiptarëve, meqë sipas tij «ilirishtja dhe epirotishja e moçme, në bazë të emrave vetjakë dhe atyre të vendeve, mbahen si prototipa të shqipes gegë dhe toskë».

Duke qenë se Skënderbeu dhe bota e tij po ngjallin debate të vijueshme në publicistikën shqiptare, ja disa disa shënime të historianit turk mbi Skënderbeun:

«Nga viti 847/1443 e tutje Skënderbeu dhëndri i Aranitit, mori drejtimin e kryengritjes; energjia dhe trimëria e tij e pazakontë dhe gjendja ndërkombëtare që përftoi në këtë kohë, i dha lëvizjes një karakter të rëndësishëm ndërkombëtar. Duke lënë anash legjendën që është harlisur rreth personit të tij, duhet të theksohet se zanafilla dhe motivet e kryengritjes së tij nuk ishin të ndryshme prej atyre të zotërve të tjerë shqiptarë.

I caktuar si subash i Krujës (Akcahisar), rreth vitit 842/1438, ai u hoq me 1440. Ai dëshironte të kthente Krujën dhe zotërimet e të atit në tërësinë e tyre dhe t’i zotëronte si zot feudal, dhe jo si timar-mbajtës. Është e vërtetë se ai bëri aleancë me familjet e tjera feudale si Topiajt, Balashajt, Dukagjinët, Dushmanët, Lekë Zaharinë dhe Aranitin (mbledhja e Lezhës, më 1 mars 1444), por ideja e një Shqipërie të bashkuar nga një prijës kombëtar është larg prej realitetit.

Ai kontrollonte vetëm Shqipërinë veriore derisa Shqipëria qendrore dhe ajo jugore mbetën nën kontrollin osman. Subashët dhe sanxhakbejtë, nga Gjirokastra, Ohri dhe Berati bënë përpjekje për ta shtypur atë me forca lokale. Ai zhvilloi luftime guerile gjatë tërë kohës.

Shumë prej betejave të përshkruara nga Marin Barleti me figura fantastike nuk ishin veçse përplasje lokale. Forcat vetjake të Skënderbeut duket se asnjëherë nuk kalonin më shumë se 3 mijë.

Me marrëveshjen e 26 marsit të vitit 1451 ai u bë vasal i Alfonsit V të Napolit dhe i dorëzoi Krujën njerëzve të tij. Araniti, që kishte zotërime në Shqipërinë jugore (Vageneti, Vlorë dhe Kaninë) e ndoqi shembullin e tij. Araniti ishte autorizuar nga mbreti për të pranuar në emër të tij besatimin e zotërve të tjerë shqiptarë. Kështu Zenebishi dhe të tjerët u bënë vasalë të Alfonsit. Në këmbim, mbreti u pajtua t’u jipte një pension vjetor që shkonte prej 300 deri në 1400 dukatë për secilin nga këta vasalë dhe t’u jepte strehim në raste të rrezikut.

Ky ndryshim i thjeshtë i zotërve ishte qartësisht i kushtëzuar nga fakti se sistemi aragonez dukej më i favorshëm sesa regjimi osman i zotërve shqiptarë. Por siç provohet nga një dokument aragonez ‘njerëzit e rëndomtë nuk kishin ndonjë ankesë ndaj administratës osmane’ (shih C. Marinesco, Alphonse VIII., Mél. de l’école Roum. en France, Paris 1923, 104). Një regjistrim i timareve i bërë më 871/1466-67 përfshiu Dibrën, Gollobërdën, Rekën, Matin dhe Çermenikën (Bašbakalik Archives, Istanbul, Maliye no. 508).

Prandaj pas shpeditave të Mehmetit II në 870/1466, sistemi i timarit u shtri edhe në këto treva. Cilado të kenë qenë motivet e tij të njëmendëta, Skënderbeu që u rebelua në male kundër Muratit II (më 852/1448 dhe 854/1450) dhe Mehmetit II (më 870/1466 dhe 871/1467) u glorifikua në të gjallë të tij si ‘Kampion i Krishtit’ nga Papa dhe si Hero Kombëtar Shqiptar nga nacionalistët në shekullin e nëntëmbëdhjetë».

/Konica

HISTORIANI TURK: SKËNDERBEU, TRIM I PAZAKONTË Read More »