Aurora

Vlorë, pastrohet plazhi pranë Akademisë së Marinës

Në qytetin e Vlorës po punohet sot për pastrimin e plazhit pranë Akademisë së Marinës.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në qytetin bregdetar po mbështesin Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike për pastrimin e këtij plazhi.

Gjatë aksionit punonjësit po heqin papastëritë që sjell deti, po pastrojnë kanalet, si dhe rërën.

Fundjavën që kaloi plazhet e qytetit të Vlorës ishin në qendër të një aksioni për pastrimin e tyre, në kuadër të ditës ndërkombëtare të pastrimit të plazheve. Gjatë këtij aksioni sensibilizues u pastrua një sipërfaqe e gjatë prej 2 km në plazhet e Vlorës dhe një pjesë e pyllit të Sodës./atsh

Vlorë, pastrohet plazhi pranë Akademisë së Marinës Read More »

Maas – Ramës: Reformat tuaja i njeh e gjithë Europa

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas inkurajoi Kryeministrin Edi Rama të vijojë mënyrën e tij kurajoze të të bërit politikë, me reformat e rëndësishme që ka nisur ku prioritare është reforma në sistemin e Drejtësisë. Kryediplomati gjerman i bëri këto komente në një dalje të përbashkët me Kryeministrin Rama, pas takimit mes tyre në Kryeministri.

Në përgjigje të komentit të Kryeministrit për zgjedhje të mençur në vendimin për ta kaluar drekën në Tiranë, Maas shprehu falënderimet e tij për mikpritjen që i është rezervuar. “Kemi udhëtuar përmes qytetit dhe kemi mundur të shohim gjurmët që keni lënë në Tiranë si kryetar bashkie”, – e nisi ai deklaratën për mediat, duke iu drejtuar Kryeministrit. “Është bërë shumë dhe shumë do të bëhet. Fakti që në Tiranë jetojnë në harmoni të plotë komunitetet e krishtera dhe myslimane i jep shpresë gjithë botës”, – tha ai.

Ai risolli në vëmendje faktin që në qershor të këtij viti, u vendos që në vitin 2019 të nisin bisedimet për pranimin e vendit në BE. “Për këtë reformat duhet të vijojnë, dhe ka pasur e do të ketë rezistencë në këto procese por që do të duhet të tejkalohen në mënyrë që të garantohet perspektiva europiane e vendit”, – theksoi Maas.

Pavarësisht të gjithave, shtoi kryediplomati gjerman, Shqipëria do të mund të mbështetet gjithmonë tek Gjermania. “Do të keni gjithmonë mbështetjen gjermane dhe perspektiva europiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë, nëse do të vazhdoni me rrugën tuaj sikundër viteve të fundit, do përmbushni kushtet, keni mbështetjen tonë të plotë”, – nënvizoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në krah të Kryeministrit Edi Rama në Tiranë. /atsh

Maas – Ramës: Reformat tuaja i njeh e gjithë Europa Read More »

Cili kryeministër shqiptar vdiq nga mbidoza e kokainës?

Gazetari Roland Qafoku ka botuar së fundmi një libër historik me 33 kryeministrat, nga Ismail Qemali deri te Edi Rama.

Mes tyre është edhe kryeministri i pestë i shtetit shqiptar, Iljaz Vrioni, i cili dyshohet se vdiq nga mbidoza e kokainës. Ja çfarë shkruhet në libër për Vrionin

“Historitë e tejkalimit të alkoolit me Iljaz Vrionin ishin kthyer në histori normale në Tiranën e atyre viteve.

Pietro Kuaroni përshkruan këtë gjendje: “Ai pinte gotë pas gote, pothuaj me gërnje dhe pas pak fytyra e tij u bë baltë, goja iu var, qepallat plumb, ai ishte krejtësisht i dehur. E tillë ishte drama e Iljaz Beut: pija mbyllte brenda tek ai një lloj tërbimi.

Dhe ai e duronte keq alkoolin, kalonte orë të tëra duke përsëritur të njëjtat gjëra me atë këmbënguljen ngacmuese të të dehurve: e pamundur të merrje leje për të dalë, biseda kthehej në një kalvar”, transmeton lapsi.al.

E gjitha kjo u ngjante krizave: ai pinte ditë të tëra pa ndërprerje. Fillonte sërish në mëngjes për t’iu dorëzuar ekseseve të pasdarkes në mbrëmje. Pastaj, befas, bëhej esëll, rrinte dy apo tri ditë mbyllur në shtëpi ku e dëgjonim të grindej.

Shërohej si nga një sëmundje: përsëri i qartë, i gëzuar, simpatik, gjer në rifillimin e afërt. Por transferimi i Iljaz Vrionit në Paris në detyrën e ministrit kishte edhe një gjë më shumë.

Historiani amerikan, Bernd Fisher, e çon më tej degradimin me mbidozat të ish-kryeministrit. Sipas tij, jo vetëm alkooli, por edhe kokaina ishin ato që i dhanë një goditje në zemër Iljaz Vrionit.

Asgjë nuk mundën të bënin mjekët e spitalit “Sain Clus” në Paris për ta rikthyer në jetë. Ai vdiq më 17 mars 1938”- shkruan Qafoku në librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”.

auto_krye_1446749858-69384921446754619

Cili kryeministër shqiptar vdiq nga mbidoza e kokainës? Read More »

Tri shkollat e para shqipe pas pushtimit osman

Nga Andreas Dushi

Me ardhjen e osmanëve dhe vendosjen e tyre në Shqipëri deri kur arritën të “bierrin autonominë”, si shprehet atë Donat Kurti, u sanksionua gjuha turke si gjuhë zyrtare, duke ndaluar rreptësisht hapjen e shkollave në gjuhë të tjera, përfshirë edhe atë shqipe. Sipas Ismail Kadaresë, gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj gjatë asaj periudhe në të gjithë Perandorinë.

Pavarësisht kësaj, elementi i klerit katolik në Shqipëri nuk rreshti së punuari për të mirën e kombit dhe të gjuhës. Kështu, qysh pas pushtimit osman, të dhënat tregojnë se janë hapur tri shkolla ku mësimi nuk bëhej turqisht. E para ishte e Pdhanës, e dyta e Blinishtit ndërsa e treta e Shkodrës.

Sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus T, II.  C, II. N. 49 Quaracchi MCCCLXXXVI , në vitin 1638, një prifti i urdhrit të fretërve minorë, P. Hiacinti a Sospitello O. F. M., një “italjan me fis, por shqyptar me zemer” siç shprehet atë Donat Kurti, merr guximin dhe çel një shkollë fillore në Pdhanë, vend i cili asokohe ishte mjaft i banuar.  Shkolla mori famë deri në katunde të largëta të krahinës së Zadrimës, banorët e të cilëve dërgonin fëmijët për të studiuar në këtë shkollë. Sipas dokumenteve, dihet se numri i nxënësve që vinin nga fshatra të tjerë ishte mbi njëzet e pesë, kështu që, mund të ngremë dyshime se aty duhet të ishte edhe një konvikt. Gjithashtu, përpos uratëve e lutjeve në atë shkollë, mësohej edhe letërsi e sigurisht studiohej edhe gjuha vendëse. Pas nëntë vjetëve, kur shkolla qe bërë shumë e njohur, turqit e rrënuan deri në themel.

Edhe pse u rrënua, ajo u hap sërish në vitin 1697. Deri kur vazhdoi të funksiononte si shkollë, nuk dihet, por dokumenti ku përmendet kjo shkollë, i cili daton më 1702, thotë se “ka gjasë të gjindet edhe sot”.

Një vit pasi u hap shkolla e Pdhanës, në vitin 1639, në Blinisht u hap një tjetër shkollë nga fretërit e Kuvendit të Troshanit. Drejtor i kësaj shkollë u caktua P. Karl Mirandulanus O. F. M.. Informacioni për këtë shkollë jepet në një dokument, botuar në numrin pasardhës të Orbis Seraphicus, sipas të cilit thuhet gjithashtu se shkolla ishte mjaft e plotësuar. Ajo frekuentohej nga më shumë se pesëdhjetë nxënës dhe përveç shkrimit dhe këndimit, mësoheshin edhe lëndë të tjera, ku më e rëndësishmja ishte gjuha latine.

Shkolla, sigurisht, kishte edhe armiqtë e saj të cilët, në vitin 1640, sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus C, IV. N. 126-127, dënuan drejtorin e saj me burg, ku u torturua deri në lirimin përfundimtar.

Pas lirimit nga burgu, P. Karli gjendet si mësues në shkollën e Pdhanës, çka dëshmon se shkolla e hapur nga ai në Blinisht nuk ka vijuar funksionin e saj për shumë kohë.

Dokumenti më i paplotë është deklarata e ipeshkvit Spila, botuar nën titullin “Memorie storiche” në Orbis Seraphicus, ku shprehet se në vitin 1698, një prift tjetër i urdhrit të fretërve minorë me emrin Filip e me banim në Shkodër, hap një shkollë private ku mëson fëmijët e tregtarëve e të pasurve.

Fakti se këto shkolla kanë qenë në shqip shpjegohet nga atë Donat Kurti në “Hylli i Dritës”:

“Por kush mundet mandej me dyshue, se në kto shkolla nuk flitej shqyp? Në ç’mndyrë katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s’merrte gja vesht?” /konica.al/

Tri shkollat e para shqipe pas pushtimit osman Read More »

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë

E ndodhur mes qytetit të Përmetit dhe Tepelenës, me një urë të varur të dhuruar nga Pashai i saj Ali Tepelena, aq afër  me lumin e Vjosës dhe me një klimë shumë të favorshme për rritjen e agrumeve dhe bimëve të tjera, e bëjnë këtë fshat të vogël shumë të preferuar.

Në zonën përreth e thërrasin ndryshe edhe “Stambolli i vogël”.

Po flasim pikërisht për Dragotin, vend i cili njihet shumë mirë nga të gjithë jugorët për arsye se është e vetmja urë e cila bën të mundur lidhjen e pjesës juperëndimore me atë juglindore të vendit.

Ura e Dragotit ka qenë një dhuratë nga Ali Pashë Tepelena që vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë në këmbë, sigurisht e rikonstruktuar.

Mendohet se emri “Dragot” vjen nga fjala “Dragoi” qenie mitologjike e fortë, mbrojtëse, për shkak të pozicionit të favorshëm për të jetuar dhe klimës së butë që më të drejtë udhëtarët e kanë quajtur “Stambolli i vogël”.

Rruga kryesore vjen paralel me shtratin e lumit dhe Janina e Konica e kishin si rrugën e tyre kryesore që i lidhte me pjesën tjetër. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Edith Durham, diku nga fillimi i shek. XX.

Është thënë se ishte shoqëruar nga një djalë me emrin Sadik e që udhëtarja paska qëndruar në shtëpinë e tij në Dragot.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet po aq mahnitës si për vendasit edhe për të huajt, por fakti që i tërheq më shumë turistët është se aty afër, në Beçisht ka lindur edhe Ali Pashai, por Dragoti ka edhe një simbolikë tjetër, ka një urë që ka marrë emrin e tij.

Është një urë shumë elegante e që silueta e saj e harkuar duket që larg e harmonia e strukturës së saj të befason.

Është plot 100 metra e gjatë e nuk ka këmbë në mes. Bashkon malin e Golikut me Shëndëllinë dhe është një urë me një peshë të madhe strategjike. Kështu është quajtur në kohë lufte dhe paqeje.

Është ruajtur me rojë në kohën e socializmit. Dhe në historinë e saj të luftërave është bombarduar disa herë, por pozicioni strategjik e ka bërë të pamundur shkatërrimin e saj.

Një pllakë çeliku, e vedosur në një nga harqet e saj lexohet “Asaldo. Genova 1936-XIV”. Asaldo duhet të jetë firma ndërtuese e urës, ndërsa “XIV” është viti i 14-të i “erës fashiste”.

Ndërsa në hyrje të urës, në faqen shkëmbore djathtas, ndodhet një gur i cili nuk është i të njëjtës strukture të shkëmbit mbi të cilin ai rri. Ka ngjyrën e betonit dhe një legjendë se kjo urë do të jetojë sa të jetojë edhe ky gur.

Dikush thotë se ai gur është pikë orientimi për ndonjë thesar të fshehur të Ali Pashës. Këto dhe të tjera histori e gojëdhëna, bëjnë kurioz shumë udhëtarë e vizitorë të ngiten në këto anë e të shikojnë nga afër fshatin dhe historinë e tij.

Dragoti është edhe vendlindja e aktorit të madh hollivudian Stan Dragoti.

Është një vend shumë i bukur për tu vizituar dhe sigurisht për të njohur dhe pak mikpritjen e vendasve e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë tipike e kohëve të vjetra.

Fshati vizitohet sipas intenerarit Tepelenë- Dragot- Përmet

“Stambolli i vogël” i Tepelenës në sytë e historisë Read More »

Plasi grushti në Prokurori, Arta Marku i çoi për hetim, 10 prokurorët thyejnë heshtjen

Një letër e hapur për ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë ka ardhur nga 10 prokurorët e krimeve të rënda pas hetimit disiplinorët të kreut të organit të akuzës, Arta Marku. Ata e kanë dërguar këtë letër të hapur Mediave, Zyrës së BE-së në Shqipëri dhe përfaqësuesve të SHBA-së në Shqipëri.

Letra e plotë/ Drejtuar: Mediave të pavarura të Republikës së Shqipërisë/ Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Shqipërisë/ Misioni PAMECA. Përfaqësisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri/ Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si “Njoftimi” ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si “PKR”), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:

Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar per objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës.

Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9.00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR. Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.

Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.

Plasi grushti në Prokurori, Arta Marku i çoi për hetim, 10 prokurorët thyejnë heshtjen Read More »

Kush është dashnorja e kriminelit, drejtorja e lartë në Kryeministri që merr 3 paga në shtet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, bërë mbrëmjen e kaluar një deklaratë të fortë, teksa tha se një institucion i rëndësishëm në vend drejtohet nga dashnorja e një krimineli të lidhur me kryeministrin Edi Rama.

“Në krye të Prokurimeve Publike është dashnorja e një krimineli të lidhur me Ramën”, tha Kryemadhi në një ekran.

Por për kë bëhet fjalë?

Pamfleti.net gërmoi më tej dhe zbuloi se bëhet fjalë për kryetaren e komisionit të Prokurimeve Publike, Evis Shurdha. Kjo e fundit rezulton të ketë lidhje dashurie me një kriminel nga qyteti i Durrësit.

Nga një kërkim i thjeshtë na rezultoi se Evis Shurdha është një ndër njerëzit ‘e përkëdhelur’ të Kryeministrit Edi Rama. Juristja duket të jetë jo vetëm dashnore e një krimineli, por ka fituar dhe ‘zemrën’ e Ramës, teksa ky i fundit i jep disa paga në shtet. Para se të emërohej nga Rama si kryetare e Prokurimeve Publike, Evis Shurdha, me profesion juriste, ka qenë Drejtore e Shërbimeve Mbështetëse në Këshillin e Ministrave.

Ndërkohë, përveçse juriste dhe me post të lartë në Kryeministri, Shurdha rezulton se me Urdhër Nr. 347 prot., datë 23.06.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a.”Porti Detar”-Shëngjin, si përfaqësuese e ministrisë. Pra, dashnorja e kriminelit durrsak ‘zhvat’ shtetin, duke i marrë disa paga çdo muaj./Pamfleti

Kush është dashnorja e kriminelit, drejtorja e lartë në Kryeministri që merr 3 paga në shtet Read More »

Legjendat mbi një femër Papë mund të jenë të vërteta

Legjendat mesjetare thonë se Papa Joan ishte femra e parë dhe e vetme Papë. Tani një analizë e monedhave të vjetra prej argjendi sugjeron se gruaja mund të ketë jetuar vërtetë. Sipas legjendave të mesjetës një Papë me emrin John ose Johannes Anglicus që ka ushtruar papatin e tij gjatë gjysmës së shek. IX në fakt ishte një grua. Për shembull një histori e shek të 13-të e shkruar nga një prift domenikan nga Polonia me emër Martin thoshte se Papa Joan mbeti shtatzanë dhe lindi fëmijën gjatë një procesioni në kishë. Ka shumë debat nëse ka ekzituar një Papë me emrin Johannes Anglicus, aq më pak nëse ky Papë ka qenë mashkull apo femër.

Dyshimi vjen nga konfuzioni i identiteteve të Papëve gjatë gjysmës së shek. IX, p. sh në kopjen më të vjetër të gjetur të “Liber Pontificalis”, libri zyrtar i biografive të Papëve në mesjetën e hershme, Papa Benedikt i III nuk përmendet. Zbulimi nëse ka ekzistuar një Papë Joan jo vetëm që zgjidh një mister religjoz dhe historik, por është një faktor në argumentet moderne të rolit të femrës mbi kishë. Debati mbi femrat kler në kishë është ende në proces.

Habicht thotë se simbolet në monedhat mesjetare tregojnë se Papa Johannes Anglicus mund të ketë ekzistuar si dhe Papa Joan mund të ketë qenë i vërtetë. Monedhat favorizojnë një histori të fshehur. Habicht po punonte mbi një punë kërkimore mbi varrimet e Papëve në Romë. “Në fillim besoja se historia e Joanit ishte një trillim, por kur bëra më shumë kërkime vura re se kishte më shumë prapa kësaj historie,” – thotë ai. Habicht analizoi monedha argjendi të njohura si denarë që përdoreshin në Europën perëndimore. Emri i tyre vjen nga monedha e argjendtë e njohur si denarius dhe kanë përmasa të vogla.

Monedhat kishin nga njëra anë emrin e perandorit dhe monogramën e Papës –një simbol i bërë nga inicialet- nga ana tjetër. Habicht u fokusua mbi monedhat që i atribuoheshin Papa John VIII nga viti 872 deri në 882. Arkeologu u shpreh se ndërsa disa denarë kishin një monogram që i përkiste Papës John VIII të tjerë kishin një monogram të ndryshëm. Këto monedha të tjera mund t’i kenë përkitur një Pape John tjetër, Johannes Anglicus, Papës Joan. Monograma ishte si një firmë e ditëve të sotme.

Në fakt mund të kemi një lloj shënimi të Papës Joan. Habicht sugjeron se radha e Papëve në mes të shek. IX duhet të përfshijë Leo IV nga 846-853 i ndjekur nga Benedikti i III nga 853-855, Johannes Anglicus nga 856-858 dhe nga Nikolas I nga 858-867. Është vërtetuar shkencërisht se këto monedha nuk janë false. Sipas Habicht-it nuk ka një treg mbledhës për këto monedha mesjetare. Falsifikuesit nuk janë të interesuar për t’i falsifikuar ato. Disa vite më parë disa monedha Papësh të shek. të IX pas krishtit u ofruan në ankand në Nju Jork, por pjesa më e madhe nuk u shit dhe iu kthyen pronarit. “Disa do ta përqafojnë studimin tim dhe do të gjejnë prova të tjera të femrave kler në shekujt e hershëm të kristianizmit,” – u shpreh Habicht. – “Të tjerë do të refuzojnë idenë dhe do të krijojnë zhurmë mediatike kundër pohimeve të tilla. Mund të ngrihet një betejë përbaltje që mund të vazhdojë përgjithnjë.” /bota.al/

Legjendat mbi një femër Papë mund të jenë të vërteta Read More »