Aleati i Lulzim Bashës, deputeti Nard Ndoka, ka bërë një deklaratë të fortë, teksa ka komentuar shkurtimisht aktualitetin në vend.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ndoka shkruan se i vetmi institucion që po funksionon në këtë vend është opozita, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese ka rënë, Prokuroria është gjynjëzuar dhe Policia e Shtetit është shpartalluar, ndërsa qeveria është bërë njësh me krimin.
“Pushteti që ka rrëzuar shtetin. I vetmi institucion që po funksionon në këtë vend është Opozita. Gjykata Kushtetuese ka rënë, Prokuroria është gjunjëzuar, Policia e Shtetit është shpartalluar, qeveria është bërë njësh me krimin! Kemi një pushtet, që ka rrëzuar shtetin. A do mundet “Opozita e Bashkuar” të frenojë rrënimin? Unë mendoj, se do prekim fundin!”,shkruan Ndoka.
Prokuroria e ka cilësuar si të manipuluar përgjimin ku përfshihej vëllai i ministrit të Brendshëm. Për këtë arsye është arrestuar kunati i Albert Veliut dhe vetë ky i fundit, i njohur ndryshe si “Babalja”.
“Panorama” ka siguruar ekskluzivisht akt-ekspertizën e Prokurorisë për dosjen “Babalja”, ku edhe përcaktohet si joorigjinal materiali i paraqitur në media. Në dokumentin e siguruar nga “Panorama” sqarohet se kompania që ka realizuar ekspertimin teknik të audio-përgjimit të “Babales” është kompania “JP French Associates” në Britaninë e Madhe. Sipas kësaj akt-ekspertize regjistrimet nuk janë origjinale, por ajo që e bën të dyshimtë këtë konstatim është fakti që në fjalinë pasardhëse të kompanisë “JP French Associates” theksohet se materiali që i është vënë në dispozicion është një regjistrim video që është marrë nga pamjet e mediave dhe joorigjinal. Sipas përgjimeve, që janë kryer në numrat telefonikë të Fredi Alizotit, Albert Veliut dhe disa personave të tjerë më të cilët këta komunikonin, bëhet e qartë biseda rreth inskenimit të audio-përgjimit.
Ka qenë Alizoti ai që pranon në disa biseda se rolin e Agron Xhafajt në përgjim e ka luajtur ai dhe se i janë premtuar 100 mijë euro për këtë rol. Madje, në disa biseda, ai tregon se ato para nuk i ka marrë, por Veliu, sipas tij, ka marrë 70 mijë euro përpara se të nisej për në Kosovë. Në përgjime janë edhe dy biseda interesante mes tij dhe “Babales”, ku Alizoti i kërkon atij që të kërkojë shumën e premtuar. Gjithashtu, interesant është fakti se ka qenë Alizoti që nuk ka duruar më dhe ka telefonuar në Policinë e Fierit, duke treguar gjithçka, përpara se të drejtohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka folur për audio-përgjimin dhe se si u realizua ai.
PËRGJIMET
Në datë 01.06.2018 i janë marrë deklarime shtetasit Fredi Elmaz Alizoti. Komunikimet telefonike të këtij shtetasi kanë qenë në përgjim me vendim të prokurorit të datës 22.05.2018, të vlerësuara me vendimin e Gjykatës nr. 457 datë 24.05.2018. Ky shtetas ka deklaruar që rreth orës 16:00, të datës 01.06.2018, kishte kërkuar të komunikonte me Drejtorinë e Policisë Fier, pasi donte të deklaronte disa fakte. Kishte kontaktuar me drejtorin, i cili e kishte orientuar që të jepte deklarime në Prokurorinë për Krime të Rënda. Ky shtetas ka deklaruar që shtetasin Albert Veliu (Babalja) e njihte prej 20 vitesh. Rreth muajve tetor-nëntor të vitit 2017, ai kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi nuk e afronte. I kishte ofruar që të bënin një regjistrim, shtetasi Fredi të hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Për këtë shërbim, “Babalja” i kishte thënë që do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte shtetasi Agron Xhafa. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100 mijë euro dhe zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me “Babalen” ishte zëri i tij. “Babalja” deri në këto momente nuk i ka dhënë asnjë lekë. Në datë 27.09.2018, i janë marrë deklarime shtetasit Fredi Alizoti në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në praninë e mbrojtësit të zgjedhur prej tij. Ai u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në datën 01.06.2018. Përgjimi ishte kryer me një mjet stilolaps, kishte qenë vetëm me Albertin. Nuk mbante mend periudhën e saktë, por mund të ketë qenë në janar të vitit 2018, ku kanë regjistruar bisedën. Kohë para kryerjes së regjistrimit, Alberti i kishte thënë të bënin një regjistrim bisede ku Fredi do hiqej sikur ishte shtetasi Agron Xhafaj. Këtë gjë do e bënin kundrejt një shpërblimi 200 mijë eurosh, që do e ndanin përgjysmë. Këto para do ia jepte Ervin Salianji, “Babales” kur biseda të shfaqej në televizion. Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi është vendosur lejimi i përgjimit të komunikimeve të disa numrave telefonikë. Nga procesverbalet e transkriptimeve ka rezultuar: -Në datë 20.05.2018, ora 09:25, përdoruesi i nr. të tel *****599 (Albert Veliu) telefonon përdoruesin me nr. tel. ****770 dhe bëjnë këtë bisedë:
Veliu: Ku do e pimë një kafe?
770: Të thashë dhe dje, do të marrim vetë…
Veliu: O vlla, unë jam në mes të katër rrugëve, në rregull, s’kam çfarë pres më tani vllai jot, se jam shumë i stresuar dhe i lodhur. Ka edhe të tjerë për lart e për poshtë, s’dua të flas në telefon. Ka mundësi të takohesh 5 minuta…
-Në datë 20.05/2018, ora 19:55 përdoruesi i nr. të tel ****692 Albert Veliu, telefonon përdoruesin me nr. ****327 dhe bëjnë këtë bisedë:
Veliu: E më thuaj se tani po ulem po flas me lart, mos flas shumë unë, ça të thanë ata zotërinjtë ty?
327: Ata zotërinjtë ishin anë shoqërore e juaja nga ana e atij tjetrit?
Veliu: Po e atij shokut tim, po shokut tim nga Vlora, po vazhdo.
327: Bravo, vetëm njëri nga ata, edhe erdhën dy edhe thanë, ne kemi si urdhër që ik e gjejuni një shtëpi një muaj tha, pastaj gjëra të tjera jo.
Veliu: Gjëra të tjera s’bëjnë asnjë gjë ata, vetëm shtëpi një muaj? Kaq të tha?
327: Po, po, po, pastaj ne nuk dimë, tha se as njëri as tjetri nuk kanë sqaruar asnjë gjë…
Veliu: Ka dhënë urdhër dikush të vijnë t’ju marrin, t’ju sistemojnë e të gjitha ça të duan, kshu është puna.
327: T’ia them hapur atyre?
Veliu: Po më kanë dërguar thuaj, e di vetë ti, emrin E-ja me L-në.
327: Nuk e di Berti, na e shkruaj me mesazh.
Veliu: L-ja është ai i madhi, krushku im. E-ja është ai poshtë.
327: Shkruaji një mesazh Ledios (Jetmir Olldashit) të na e shkruajë ne.
Veliu: L, si Luli jot shoqje.
327: Puna është nuk duhet të flas unë, të flasin ata gojarisht dhe ata të jenë se unë kur ika, ika me urdhër. Veliu: Mos fol shumë në telefon, Luli me Ervinin kaq e di vetë ai.
327: Kush?
Veliu: Luli me Ervinin, kaq…
-Në datë 29.05.2018, ora 21:00, përdoruesi i numrit telefonik ****000 i telefonon përdoruesit të numrit telefonik *****091 (Fredi Alizoti) dhe gjatë bisedës u fol për premtimin që duhet të mbante dikush që e kishte dhënë atë.
000: Unë nuk kam dit gjo fare, as u kam thon hajeni, as hiç, por ai që ju ka premtue, ça u ka than, duhet t’u rri tek kamt e me ja marr.
Alizoti: Nuk kemi marrë asgjë akoma, po do llafosemi, do pimë kafe dhe do të të sqaroj unë. Jo me se më premtun diçka këtu, prit eee, kupton ti. Çunat po e mbajnë nga brenda se thesin e kam unë, po ta hap unë thesin mbaron çdo gjë… e kupton vetë ti muhabetin.
000: Nëse i ka hy për lek, ka bo gabimin më të madh, e mo, shoku jem, po ça boni, o burrë.
Alizoti: …unë prap po rri fisnik. Ato që janë premtuar… nuk kam marrë asgjë… dhe unë një llaf tani dhe përmbyset bota, kthehet nga e para e del çdo gjë falso… kupton. Janë falso, janë falso, po ta them me shpirt.
000: Eni pra, mos u bini në qafë njerëzve kur janë falso, mos u bini në qafë njerëzve kot, o vlla… Atë ditë takova rastësisht Babalen dhe i thashë… vetja i thashë, ke hi i merr në qafë robt kot. Me i bo letrat për azil, nuk e di si i boni kto punë.
Alizoti: Është e vërtetë kjo vllai, është e vërtetë.
-Në datë 01.06.2018, ora 16:40, përdoruesi i numrit telefonik ****091 (Alizoti) i telefonon nr. 129 (Policisë) dhe bën këtë bisedë:
Alizoti: Dëgjo mua, dëgjo mua një sekondë, do më dëgjosh me vëmendje, a më dëgjon?
129: Po ju dëgjoj zotëri, fol.
Alizoti: Ajo dëshmi e Babales është falso dhe unë jam ai origjinali.
129: Mirë, mirë, ja po të merr drejtori në telefon tani, lëre atë e di unë…
-Në datë 01.06.2018, ora 16:52, përdoruesi i numrit telefonik ****3316 i telefonon numrit ***091, Alfred Alizoti. Midis tyre ishin realizuar disa komunikime ku i kërkohet drejtuesit të Policisë së Qarkut Fier që posedon numrin e parë, që do t’i komunikohej diçka shumë e rëndësishme dhe zhvilluan bisedën si më poshtë:
Alizoti: Ajo që është bërë mes telefonatave dhe përgjimi, kam qenë unë që e kam bërë atë… Ai që është bërë në përgjime… ajo që është bërë me Babalen në përgjime… kam qenë unë që e kam bërë.
Drejtuesi i Policisë Fier: Me kë ke qenë kur e ke bërë?
Alizoti: Me Babalen, me asnjëri tjetër.
Drejtuesi i Policisë Fier: Nuk ke qenë ti bashkë me Agronin?
Alizoti: Jo, jo, ka qenë Babalja, unë kam qenë në vend të Agronit.
Drejtuesi i Policisë Fier: Je i sigurt për këtë?
Alizoti: Jam i sigurt, më dëgjo mua, do më dëgjosh me vëmendje, më dëgjo mua dhe do të të flisja me fakte… na premtuan 200 mijë euro, unë s’kam marrë asgjë, i mori Berti 70 mijë euro dhe iku, e kupton. Jam i sigurt dhe me dorë në zjarr.
-Më datë 06.06.2018, ora 21:33, përdoruesi i numrit telefonik ****091 Alfred Alizoti telefonohet nga numri *****272, dyshohet si Albert Veliu dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Alizoti: E takova, jo ktej, jo andej, jam keq, po dridhej. Veliu: Ore, thuaj bëj likuidimin që kemi lënë, thuaj kaq, asgjë në botë o Fredi vllai se me atë s’kam lidhje fare kontakti, besomë se jam në azil, për shpirt të plakës, unë flas me anë të tjetrit, me kosovarin, me atë. Thuaj e vlla, bëj likuidimin si e lamë, thuaj….
-Në datë 07.06.2018, ora 13:49, përdoruesi i numrit telefonik ****091 (Fredi Alizoti) telefonohet nga numri ****272 (Albert Veliu) dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: Fol një herë me ata miqtë e vlla se unë s’dola dot andej poshtë. Mua më erdhën më degjeneruan dy herë në mëngjes, më mbajtën katër orë aty, më bënin presion. Mendo dhe për mua i q… motrën.
Veliu: Ore, po s’bëhet llaf, po rri rehat tani, boll tani.
Alizoti: Ai miku që ti njëherë më thoshe mua, fol, hap gojën sa do ore, unë sikur e kam…
-Në datë 12.06.2018, ora 12:55, përdoruesi i numrit telefonik *****091 telefonohet nga një numër ****974 dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: Muhabet nuk ke dëgjuar në televizor ti, me shoku, po fola unë gjëra e ai muhabeti jam unë, e kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh, dëgjon e?
974: Hë..
Alzoti: Bëra sikur isha vëllai i atij, e kupton ti, që do merrnim nga një bindshme e kupto ti?
974: eee. Alizoti: Po këta re burrë, po s’ishte e mirë ajo gjë, kupton ti, nga një qindëshe erdhi muhabet, prit re nga një qindëshe për një dyqindëshe e më tha mua nuk marrim dyqind, më tha mua do marrim njëqind, ore, mirë i thashë unë, mendova unë v.k. Mendova që po devijonte, ke parasysh ti çfarë tipi që ka ai. I thashë unë nëm një njëzetëshe, unë iki andej, lëviz, kupton ti./ PANORAMA
Kryeministri Rama prezantoi sot nismën për një ligj të ri, të veçantë në llojin e tij që do të ketë të bëjë me trajtimin e elementëve kontigjentë nga policia. Ligji do të marrë emrin “Të fortët”, njësoj siç njihen në zhargonin e rrugës.
“Qeveria ka nisur draftimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për “Të fortët”. Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të policisë së shtetit në çdo territor, do t’u rezervojmë edhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit” deklaroi Rama.
Por vetë kryeministri ka një histori të gjatë miqësie me të fortët. Janë të njohura tashmë në Partinë Socialiste katapultimet e të fortëve nga gjobat, grabitjet dhe përdhunimet drejt tribunave politike, drejt parlamentit apo edhe në krye të bashkive. Prandaj mbetet për t’u parë nëse kur të veprojë ky ligj, do të shkëputet Edi Rama nga miqësitë e vjetra me kriminelët, apo do të jetë në anën e policëve?
Kryeministri ka folur sot për çështjen e shitjes së “Telekom Albania” dhe ardhjes së një kompanie serbe që do kishte në dorë informacionet e shqiptarëve.
Shitja e `Telekom Albania` e cila aktualisht posedohet nga të ‘Deutsche Telekom’, u kthye në një çështje të sigurisë nga partnerët strategjik të Shqipërisë, SHBA dhe NATO.
Sipas ekspertëve të njohur të ekonomisë, largimi i investitorit gjerman nga telekomunikacioni shqiptar dhe shitja e gjigantit të komunikacionit ‘Telekom Albania’ te kompania shtetërore serbe ‘Telekom Serbia’, ku ka të dhëna se ka edhe aksione ruse, përbën jo vetëm një sinjal jo të mirë për ekonominë tonë, por edhe sigurisë kombëtare.
Kjo pasi kompania që ka dalë në shitje, posedon të dhëna të hollësishme, të shumicës së qytetarëve shqiptarë.
Në këtë situatë kryeministrit të Shqipërisë, i kanë ardhur së fundmi nga SHBA dhe NATO sinjale dhe ultimatume të qarta, që të tërhiqet nga ky angazhim që ka ndërmarrë së bashku me mikun e tij, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Kjo është edhe arsyeja që më në fund ditën e sotme, Edi Rama, u prononcua publikisht për këtë çështje të rëndësishme për sigurinë kombëtare, duke shpallur njëkohësisht edhe tërheqjen nga synimi serbo-rus, për të marrë nën kontroll një aset të madh të telekomunikacionit shqiptarë.
‘Bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik (Telekom Albania) nuk është preferenca jonë’, deklaroi Rama paraditen e sotme gjatë një komunikimi për median, pasi u pyet nga gazetarët për këtë çështje.
Kujtojmë se ditën e djeshme, më 8 tetor, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se do të bisedonte me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për raportimet se investimi i planifikuar i Telekomit serb në kompaninë e telekomunikacionit të Shqipërisë nuk është i mirëpritur.
‘Do të flas me Ramën sot ose nesër dhe shpresoj ta zgjidhim këtë situatë,’ tha Vuçiç në një event të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Beograd. ‘Telekom Serbia’ në tetor konfirmoi interesin e saj për blerjen e ‘Telekom Albania’, aktualisht në pronësi të ‘Deutsche Telekom’.
Në farmacitë e kryeqytetit pranohet se shumë të rinjtë blejnë qetësues në mungesë të drogës që përdorin. Kjo ka bërë që antidepresantët dhe qetësuesit të konsumohen gjerësisht nga të rinjtë dhe adoleshentët.
Por jo vetëm kaq, kamera e fshehtë e emisionit “Stop” pritet të sjellë sonte me zë dhe figurë, llojet e lëndëve narkotike të ndaluara, që u shiten nën dorë nxënësve dhe të rinjve për t’u droguar. Mësohet se në një investigim të gazetarëve të Stop janë siguruar dëshmi dhe filmime sesi në rrugët e Tiranës, shiten qetësues kuajsh që të rinjtë i përdorin për t’u droguar.
Mjafton një interesim i thjeshtë dhe paratë me vete dhe njerëz jashtë cdo dyshimi, të tregtojnë me shumicë e pakicë, lëndë narkotike të ndaluara, të cilat përdoren për anestezinë e kafshëve. Mësohet, se gjatë investigimit, shitësja e lëndës së ndaluar, shfaqet e qartë mbi cfarë është duke bërë, por thotë, se “mallin” e saj e marrin shumë të rinj dhe ata dinë edhe si përgatitet. Investigimi pritet të publikohet ditën e sotme nga emisioni “Stop”.
Kontrolli ushqimor në Shqipëri nuk ekziston në terma aktivë, sepse paratë i marrin çdo fillim muaji si institucion.
Në një hetim ushqimor të kryer në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi e Malin e Zi, nga Organizata Botërore e Ushqimit, rezulton se proteina në miellin që përdoret për bukë përbëhet nga 9 përbërës kimikë, të cilët në vendet e BE-së janë të ndaluar kategorikisht në çdo zinxhir ushqimor.
Pra, përveçse me miell serbo-rus të prodhuar para 30-40 vitesh që përdorej si tagji për kafshët, buka në Shqipëri prodhohet me 9 përbërës kimikë, shkruan gazeta Dita. Këto proteina janë lejuar me Udhëzim Nr.15, datë 20 tetor 2014, të ish-ministrit Edmond Panariti.
Proteina në miellin që përdoret për bukë është një shqetësim i ngritur nga më shumë se dy vjet, meqë standardet e prodhimit të miellit nuk ishin ndryshuar që nga koha e komunizmit. U kërkua rritja e standardit të cilësisë së miellit (niveli i proteinave ishte 7%) dhe u vendos që standardi i proteinës të jetë 12%.
Proteina në grurin serb arrin në 11%. Në miell është shumë më e ulët, shkon në 10.5%, që është standarti i tagjisë për kafshët.
Që ta nxjerrin miellin më të bardhë, ulin rrezen dhe gjitha vlerat ushqimore ikin gjatë këtij procesi.
Sikur të mos mjaftonte ky miell, prodhuesit e bukës, për të fituar edhe më shumë, po përdorin “armë” tjera, me të cilat manipulojnë formën, strukturën, përbërjen, cilësinë, rezistencën dhe ngjyrën e bukës, për të joshur konsumatorin.
Një kopje e këtij hetimi u dorëzua në fillim të muajit shtator 2018, edhe në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
Në pjesën për Shqipërinë hetimi konstaton fakte, që sipas ekspertëve, përbëjnë “krim ushqimor masiv”.
Sipas të dhënave, 60%-70% e bukës në Shqipëri, prodhohet me miell gruri serbo-rus, prodhim i viteve 1988-1992, pa asnjë vlerë ushqimore dhe i infektuar me virusin “Coli Bacil”, manipuluar me disa larje, aromatikë e përbërës proteinik kimik.
Ky miell kancerogjen, tregtohet vetëm në Shqipëri, Bosnjë, Veriun e Kosovës dhe vendet e Botës së Tretë, megjithëse ndalohet të hidhet në treg për konsum njerëzor.
Mirëpo, sipas hetimit të OBU, tregtarë të lidhur me zyrtarë të lartë në Shqipëri, kanë lejuar një ‘shteg”, për importin e këtij gruri e mielli, në tregun shqiptar.
Më poshtë substancat e rrezikshme kimike, që përdoren në bukën shqiptare, të ndaluar nga BE
FOSFAT NATRIUMI – E – 339
FOSFAT KALIUMI – E – 340
E-341 FOSFAT KALCIUMI – E – 341
KLOR – E-925
DIOKSID KLORI E-926: Zbardhues, mutagjen që krijon elementë kancerogjen
AGENE (triklorid azotike): Agjent zbardhues i bukës, shkakton çrregullimeve neurologjike (eksperimentuar tek qeni, macja, gomari)
AZODIKARBONAMID: Agjent e zbardhues, dënton furmëmarjen e rregullt, krijon hapësira për efekte bronkiale dhe acarim të “Traktit gastrointestinal”, me pasoja diare të shpeshta, dëmtim në veshka dhe aktivizim të sistemit endokrin (hypofunksioni) tiroidet, ndaluar kategorikisht në Evropë, Australi, Singapor.
PEROKSID BENZOYL: Agjentë zbardhues, eviton qullosjen e bukës
924 Bromati kaliumi : Agjentë zbardhues, shkaktojë dëmtime e dhimbje në stomak dhe diare, zhduk vitaminën “E” në miell.
Në veçanti bromati i kaliumit krijon fiktivisht bukë “origjinale”, me pasoja kancerogjene. Përdorimi i tij në bukë e prodhime brumi është veprim kriminal.
Një ditë më parë policia njoftoi marrjen në mbrojtje të 25-vjeçares.
Dy efektivë të forcave speciale të policisë ndodhen para hyrjes së shtëpisë ku jeton Xhisiela Maloku. Një furgon policie, me një tjetër efektiv brenda saj shihen pranë banesës.
Masat që ka marrë policia vijnë pas shpërrthimit që ndodhi pranë banesës në fshatin Larushk të Fushë-Krujës rreth orës 23:30 të së dielës.
Pas shpërthimit të një mase tritoli në ambientet e jashtme të banesës së gjyshërve të Xhisiela Malokut, banesë në të cilën jeton edhe ajo me nënën dhe motrën, policia e Krujës e ka marrë në mbrojtje familjen Maloku.
Në një intervistë ditën e sotme për mediat, ajo u shpreh se deri dje nuk ndihej e kërcënuar, por tashmë po, ndërsa për këtë shpërthim ka akuzuar opozitën.