Kryeministri edi rama e ka nisur diten sot me nje lajm te mire per shqiptaret. Ai uron dite te mbare me videoprojektin e terminalit Lindor i Tiranës në Farkë.
Sipas Rames, brenda vitit 2019 do te behet aty një stacion modern i autobuzave ndërurbanë dhe ndërkombëtarë në kryeqytet.
“MIRËMËNGJES 😃 dhe me këtë projekt që brenda vitit 2019 do të bëhet Terminali Lindor i Tiranës në Farkë, një stacion modern i autobuzave ndërurbanë dhe ndërkombëtarë në kryeqytet, ju uroj një ditë të mbarë 🌹”- shkruan Rama.
I ftuar dje në forumin e organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, të moderuar nga drejtuesja e Departamentit të Komunikimit, Belina Budini, gazetari Armand Shkullaku u ndal tek evolucioni i medias tradicionale, që ka nisur një rënie të pandalshme qysh prej vitit 2001, theksoi ai.
“Këto media u krijuan sepse i duheshin politikës për t’i përdorur. Ishte koha ku një gazetë ishte baras me një tender, me një pallat etj. Gjithçka u bë e bleshme. U ndanë pasuritë publike; Kinostudio, Uzina e Autotraktorëve, Pallati i Sportit.. iu dhanë mediave nga qeveria si shpërblim për shërbimin që bënë. Madje edhe nga buxheti i shtetit u morën 700 milionë lekë për një fushatë kundër drogës dhe ato para iu dhanë televizioneve”, -tha Shkullaku, ndërsa shtoi se në ato kohë nuk u konceptua si industri fitimprurëse nëpërmjet asaj që prodhonte media vetë, por si aksesor për një biznes tjetër më të madh. Media si industri dëmtoi median si besueshmëri, që për një gazetar shihet si investimi më afatgjatë, shkruan ‘Mapo’.
Duke e rikthyer edhe njëherë fokusin te media tradicionale ai tha se rënia e medias dhe zgjedhja nga publiku të lajmeve të karakterit argëtues vjen edhe për shkak të lodhjes.
“Ne flasim edhe shkruajmë, por a jemi në gjendje ta ndryshojmë realitetin. Beson disa vite se një televizion është i djathtë, befas kthehet i majtë e anasjelltas. Ky treg interesash e ka zhvlerësuar edhe fjalën, edhe punën tonë”, -tha ai, ndërsa pranoi se kishte patur një ofertë nga “Top Channel” për post drejtues dhe e ka refuzuar, duke thënë se arsyeja është mungesa e një qëndrimi të konsoliduar nga ana e mediave. “Unë me vështirësi lëviz, sepse nuk besoj se duke ndërruar mediat mund të shtosh autoritetin dhe besueshmërinë tënde. Kam përvoja në Klan Kosova dhe ABC. Që të ndërtosh diçka duhet besim; te vetja, te projekti, që do kohë. Duhet t’ua ilustrosh njerëzve me të cilët punon, duhet t’i motivosh. Të ndërtosh diçka nga e para dhe pas një viti të të thonë “shih se më thirri Rama dhe u kthyem aty ku ishim…Kam 27 vjet që e kam provuar këtë vazhdimisht. E provova edhe me ABC News, provova të bëj diçka për 4-5 vjet dhe m’u tha që është mirë siç është”, – tha ai, duke mos e mohuar se edhe vetë ka bërë kompromise. “Kam pasur edhe unë raste ku i kam thënë derrit dajë”.
Fjalimi i mëposhtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge.
Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:
Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të pa censuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim «mendjelehtësia e një princi», u shkaktojnë dëme njerëzve; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë.
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës.
Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit ».
Qeveria shqiptare po shikon mundësinë e hapjes të një tuneli në Llogara, për të ulur distancën kohore nga Vlora ne Bregdet, por edhe për të thithur më shumë turistë. Deklarata u bë nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, në studion e “Tonight Ilva Tare”
Gjiknuri: Po bëhet një studim, po shihet interesi i shoqërive të huaja, për një tunel alternativ për në Llogara, për të nxitur turizmin dhe për të shmangur kalimin nga ana e Parkut të Llogarasë dhe zbritjen që merr gati një orë.
Tare: Po bëhet një studim për këtë apo ka ndonjë ofertë?
Gjiknuri: Jemi me qasjen që ka ardhur një moment që mund të bëhet një tunel në mënyrë që distanca nga Dhërmiu në Vlorë mos jetë më shumë se 20-25 minuta.
Tare: Po kosotja sa do të jetë, se e beri edhe Podgorica në Kolashin po çoi turizmin e gjithë rajonit atje.. ne ia dalim dot?
Gjiknuri: A ka potenciale për turizëm? Që turizmi të zhvillohet duhet të jetë aksesueshëm. Që të jetë i aksesueshëm duhet një infrastrukture, por ça zgjidhje ka? Me parashutën do hidhemi? Do hapen tunele.
Shqipëria vazhdon të përmendet si njëra nga destinacionet më të mira të turizmit për vitin 2018, nga shumë gazeta në shtete të ndryshme.
Këtë herë, ka qenë prestigjozia britanike “The Guardian” që ka renditur Shqipërinë në 20 vendet ku ku mund të zhvillohet turizmi i udhëtimeve të aventurës.
“Ylli i Shqipërisë është në rritje, me më shumë udhëtarë që çdo vit dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e saj, siç janë Alpet në veri dhe plazhet e bukura të bardha të jugut”, shkruan The Guardian.
“agjencia e udhëtimeve ‘Frontiers Wild’ sugjeron dy aventura të reja për grupet turistike, nga një në çdo skaj të vendit. Në paketën tetëditore në jug të vendit, ecjet përgjatë bregdetit dhe shtigjeve malore e çon grupin drejt Rivierës Shqiptare, qyteteve otomane dhe parkut kombëtar të Butrintit”, -shkruan më tej britanikja.
Veshkat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në organizmin tonë.
Ato përpunojnë pjesën më të madhe të mbetjeve ushqimore.
Nëse lëngjet trupore nuk dalin nga sistemi, kripërat minerale bashkë me substanca të tjera kimike ngurtësohen duke formuar në atë që ne njohim si gur në veshka.
Prania e tyre shkakton dhimbje dhe mund të përkeqësojë shëndetin.
Përmasat e këtyre gurëve janë të ndryshme dhe në shumë raste bllokojnë zbrazjen e fshikëzës duke i çelur rrugën infeksioneve urinare.
Gurët në veshka mund të trajtohen nëpërmjet medikamenteve ose kurave natyrale.
Megjithatë, nëse një gur është i përmasave të mëdha, ai duhet hequr nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale.
Gurët Në Veshka Dhe Roli i Kurave Natyrale
Shurupi me limon dhe majdanoz është një kurë shumë e mirë natyrale që mund të përdoret krahas trajtimeve të tjera kundër gurëve në veshka.
Përpara se ta përdorni atë, duhet të dini se çelësi i parandalimit të gurëve në veshka është që të pini shumë lëngje.
Nëse organizmi nuk është i hidratuar, atëherë lëngjet qëndrojnë në organizëm dhe kështu krijohen gurët në veshka.
Bashkë me ujin, rekomandohen produkte që kanë efekt diuretik siç janë majdanozi dhe limoni.
Vlerat e Limonit
Limoni përmban dy acidë të rëndësishëm që parandalojnë formimin e gurëve në veshka.
Acidi citrik dhe ai fosforik inkurajojnë nxjerrjen e kripës dhe toksinave nga organizmi.
Limoni promovon eliminimin e lëngjeve që akumulohen në inde dhe nxit nxjerrjen e lëngjeve.
Për më tepër, lëngu i limonit ka vlera kundër baktereve dhe mykut dhe parandalon shfaqjen e infeksioneve.
Vlerat e Majdanozit
Majdanozi është një nga barishtet më të shëndetshme dhe më të vyera për shëndetin e veshkave.
Vajrat esencialë rrisin nxjerrjen e lëngjeve, nëpërmjet të cilave toksinat dhe yndyrnat largohen nga organizmi.
Majdanozi përmban shumë vitaminë C që forcon sistemin imunitar dhe kuron infeksionet.
Shurupi me Limon dhe Majdanoz
Në këtë recetë do të përzieni limonin, majdanozin, mjaltin dhe vajin e ullirit.
Përbërësit:
Lëngu i një limoni
Një tufë majdanoz
Një filxhan çaji me vaj ulliri
Një filxhan çaji me mjaltë
Përgatitja:
Shtrydheni lëngun e limonit dhe përziejeni me majdanozin në një mikser.
Përzierja e të dy produkteve do të krijojë një masë të gjelbër të cilën duhet ta përzieni me mjaltin në të njëjtin mikser.
Kur shurupi të jetë gati, hidheni në një kavanoz qelqi.
Mbylleni kapakun dhe ruajeni në një vend të errët dhe të freskët.
Si Ta Përdorni Shurupin
Merrni një lugë çaji nga ky shurup çdo ditë me stomak bosh.
Nëse dëshironi mund ta tresni në një gotë ujë që ta pini më lehtë.
Gjatë ditës duhet të pini dy litra ujë që të shumëfishoni ndikimin e shurupit.
Shurupi duhet pirë vazhdimisht që të vëreni përmirësime.
Kjo këshillë vlen për pacientët që kanë gurë të vegjël dhe sasi të vogla gurësh në veshka.
Pacientët që janë diagnostikuar me gurë më të mëdhenj, duhet ta marrin shurupin si shoqërues të medikamenteve.
Gërhitja është një problem që prek shumë njerëz në mbarë botën.
Zhurma e bezdisshme e gërhitjeve gjatë natës, prish gjumin e çdo personi me të cilin ndan dhomën. Gërhitja ndodh gjatë thithjes së ajrit nga rrugët e frymëmarrjes. Zakonisht gërhitja konsiderohet si çrregullim i gjumit por sipas intensitetit mund të ketë pasoja serioze mjekësore dhe sociale.
Në botë gjenden produkte të pafundme kundër gërhitjes, por shumica prej tyre nuk kanë rezultuar efikase.
Ndonëse nuk ka një kurë mrekulli-bërëse kundër gërhitjes, duhet pranuar që disa ndryshime në stilin e jetesës dhe receta tradicionale e natyrale mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të saj.Më poshtë disa kura krejt natyrale kundër gërhitjes.
Mendra
Mendra lufton inflamacionin dhe enjtjen në membranat e shtresës së fytit dhe flegrat e hundës. Rrjedhimisht ajo promovon një frymëmarrje të lehtë dhe të qetë. Kurat me mendër funksionojnë mirë edhe për gërhitjen e përkohshme që shkaktohet nga alergjitë, ajri i ftohtë apo i thatë.
Vaji i ullirit
Vaji i ullirit është një anti-inflamator i fortë dhe qetëson të gjitha indet përgjatë rrugëve të frymëmarrjes duke ulur enjtjen dhe ofruar një kalim të paqtë të ajrit. Ai përdoret edhe kundër pezmatimit të rrugëve të frymëmarrjes.
Avulli
Bllokimet e hundës janë një nga shkaktarët kryesorë të gërhitjes. Një nga zgjidhjet më të mira kundër këtyre bllokimeve janë trajtimet me avull.
Kardamom
Kardamom është një produkt natyral që ndihmon në çlirimin e sekrecioneve dhe zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Ai është efikas ndaj këtyre dy problemeve dhe rrugët e pastra të frymëmarrjes do të shkaktojnë më pak gërhitje.
Shafrani i Indisë
Ai është një antiseptik dhe antibiotik i fuqishëm. Shafrani i Indisë mund të trajtojë inflamacionin dhe pakëson gërhitjen e rëndë. Shafrani i Indisë duhet të kombinohet me qumështin për të qenë efikas kundër gërhitjes. Kjo pije do ju ndihmojë të merrni frymë lirisht ndërsa flini.
Hithra
Nëse ju gërhisni në një periudhë të caktuar të vitit, kjo mund të jetë si pasojë e një alergjie të stinës që shkakton inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes. Gërhitja e përkohshme trajtohet me hithra, një barishte që lufton inflamacionin dhe luan rol kundër alergjive. Nëse pini dy ose tre filxhanë me çaj hithër në ditë gjatë stinës së alergjive do të gërrhisni më pak.
Hudhra
Hudhra pakëson akumulimin e mukusit dhe lufton inflamacionin në rrugët e frymëmarrjes. Nëse gërhisni si pasojë e sinozitit, hudhra do t’ju vijë në ndihmë. Përtypni një ose dy thelbinj hudhër dhe më pas pini një gotë ujë përpara se të flini. Do të keni një gjumë të qetë dhe pa gërhitje.
Mjalti
Lufton inflamacionin dhe pakëson enjtjet dhe bllokimet në zonat e frymëmarrjes. Për më tepër, mjalti zbut fytin dhe parandalon problemet e lartpërmendura që shkaktojnë gërhitjen.
Kamomili
Vlerat anti-inflamatore të kamomilit janë të pranuara gjërësisht. Rrjedhimisht kamomili ndihmon në ndalimin e gërhitjes. Ai qetëson nervat dhe muskujt e fytit dhe ju ndihmon të flini më mirë
Deri më tani, kemi dëgjuar dhe besuar në shprehjen popullore: “Një mollë në ditë dhe i thua mjekut ik.”
Të gjitha varietetet e mollëve përmbajnë vlera të jashtëzakonshme, por ato jeshilet janë të pasura me proteina, vitamina, minerale dhe mbi të gjitha,fibër.
Mollët jeshile rregullojnë problemet me tretjen, nivelet e glukozës në gjak dhe përmirësojnë oreksin.
Mollët jeshile mund të konsumohen që në fillim të ditës me stomak bosh dhe ju ofrojnë përfitimet e mëposhtme.
Antioksidantët
Mollët jeshile janë një nga burimet më të mira të flavonoidëve dhe vitaminës C.
Së bashku, këto përbërës funksionojnë si antioksidantë dhe shfarosin radikalet e lira që dëmtojnë qelizat.
Avantazhi i të ngrënit një mollë jeshile me stomak bosh është se organizmi pajiset me armë të forta për largimin e këtyre substancave të rrezikshme dhe shmangien e sëmundjeve kronike.
Rënie në peshë
Ngrënia e një molle jeshile me stomak bosh është e rëndësishme në përpjekjet tuaja për të rënë në peshë.
Mollët jeshile përmbajnë pak kalori dhe shumë fibër, duke shuar urinë menjëherë.
Me mollën jeshile, metabolizmi do të punojë më së miri.
Glukoza në gjak
Molla jeshile me stomak bosh balancon nivelin e sheqerit në gjak.
Kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit që vuajnë nga diabeti dhe jo vetëm.
Duke qenë se mollët jeshile janë të pasura me fibër të tretshme, ngrënia me stomak bosh vonon përthithjen e sheqerit dhe ky efekt zgjat për shumë kohë.
Studimet tregojnë se gratë që hanë një mollë jeshile me stomak bosh çdo ditë kanë 30% gjasa më pak për tu prekur nga diabeti i tipit 2.
Mjekët thonë se ne kemi nevojë për 28 gramë fibër në ditë.
Një mollë e vetme ka 5 gramë.
Dhëmbë të bardhë e të pastër
Me ngrënien e mollës jeshile në mëngjes ju mund të pastroni dhëmbët.
Fibra shkatërron bakteret e gojës dhe shmang akumulimin e baktereve të tjera.
Rrahje të shëndetshme të zemrës
Një arsye tjetër përse duhet të hani mollë me stomak bosh është kaliumi që balancon lagështinë e qelizave.
Kjo është e nevojshme për rrahje të rregullta të zemrës.
Shkencëtarët thotë se njeriu ka nevojë për 4.700 miligramë kalium në ditë.
Çdo mollë përmban 115 miligramë kalium që mjafton për të mbajtur rrahjet e zemrës në nivele optimale.