Policia gjermane, të hënën ka arrestuar dy shtetas shqiptarë (25 dhe 26-vjeçar) dhe një maqedonas 28-vjeçar, të dyshuar për plaçkitje të artikujve ushqimorë për fëmijë. Hetimet i ka ndërmarrë policia gjermane, shërbimi për krime (LKA 26).
Një detektiv përgjegjës i një zinxhiri të barnatoreve në Hamburg, ka vëzhguar se si tre persona kanë vjedhur në tre barnatore të ndryshme. Me këtë rast, ai ka informuar policinë, duke siguruar daljen nga barnatorja.
Gjatë përpjekjes për të dalë nga barnatorja me çanta të mbushura me mall të vjedhur, oficerët e policisë ndërhyjnë dhe i arrestojnë, shkruajnë mediat gjermane, shkruan INA. Nëpër çanta janë gjetur pluhur qumështi në një vlerë prej rreth 390 eurosh, të cilat i janë kthyer pronarit. Sa i përket vjedhjeve paraprake, bëhet fjalë gjithashtu për pluhur qumështi, ka pohuar detektivi që i ka vëzhguar.
Gjatë kontrollit që i është bërë shqiptarit 25-vjeçar, tek ai është gjetur një thikë xhepi e cila i është konfiskuar. Që të tre të arrestuarit dyshohet se kanë qëndruar ilegalisht në Gjermani. Hetimet janë në rrjedhë e sipër deri në ndriçimin e plotë të rastit, pasi dyshohet se ata mund të kenë kryer edhe vepra të tjera penale.
Vrasësi i studentes 21-vjeçare Ariela Murati po mbahet në jetë vetëm nëpërmjet aparaturave mjekësore. Mjekët japin pak shpresë. Plumbi me teë cilin qëlloi veten në kokë i ka shkaktuar plagë të pashërueshme.
Një video e mbërritur në redaksinë e emisionit “Stop” në TV Klan tregon momentin menjëhere pas krimit.
Nga pamjet shihet se trupat e Aldison Belulajt dhe studentes së juridikut që ai i mori jetën, ndodhen ngjitur me njëri – tjetrin. Provë kjo, që sipas ekspertëve të kriminalistikës, tregon se menjëherë pasi ka shtënë mbi Arielën, ai ka qëlluar edhe veten.
Ka rënë përmbys me pistoletë në dorë. Në video shihet se si një efektiv i policisë i heq armën nga dora, ndërsa ai vazhdon të lëvizë.
Motra e Arielës dhe një shoqe e saj që ndodheshin aty, lëvizin të shokuara. Ndërsa 21-vjeçarja ka mbetur e vdekur në vend.
Tre ditë pas ngjarjes që ndodhi pranë Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, mbi motivet e krimit janë hedhur versione të shumta.
Policia po heton mbi disa të dhëna se 23-vjeçari e ka përndjekur prej kohësh studenten dhe se vrasjen e kishte planifikuar, pasi pak ditë më parë kishte blerë edhe një pistoletë.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat Serbe në vizitën e tij në Zvicër, ku ka folur dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
A prisni ju që Serbia dhe Shqipëria do të hyjnë së bashku në BE, apo ka parashikime që ndoshta Serbia mund të hyjë në BE para Shqipërisë. Çfarë mendoni për këtë?
Është një proces i bazuar tek merita dhe ndërsa flasim Serbia është më përpara, sepse Serbia tashmë duke negociuar dhe jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit. Por është një garë e shëndetshme, le të themi.
Procesi i anëtarësimit bazohet në të arriturat. Serbia është para nesh sepse tashmë po zhvillon negociata, por ne shpresojmë se sivjet do t’i fillojmë negociatat.
Porse kjo është konkurrencë e shëndoshë dhe ne kemi dëshirë të përparojmë dhe pse jo, në të ardhmen të jemi në pozitë të njëjtë dhe të hyjmë përnjëherë në BE, me supozimin që Serbia të njohë Kosovën”.
Moderatori dhe opinionisti Erion Kristo ka shpërthyer në një valë akuzash ndaj shoqërisë sonë dhe medias, që promovon vlerat e gabuara, duke u dhënë njerëzve shembuj të gabuar.
I ftuar në emision me Alban Dudushin, Kristo tha se shohim çdo ditë në media njerëz pa pikë vlere, që zënë hapësira të barabarta njësoj si ata që mund të kenë përgatitje.
“Silikoni. Njerëz që nuk kanë as art, as cilësi, asnjë vlerë. Thjesht njihen se i kanë shtuar prapanicat me shtesë kati. Kjo krijon degjenerim. Dhe ndodh që gjithkush rritet në një shoqëri ku më i forti i lagjes ka makinën më të mirë dhe ky është problemi më i madh akoma se të gjithë”.
Më tej ai shtoi: “Roli i figurave intelektuale. Heqin doktoreshat apo psikologet nga një vend në një tjetër, sikur është top basketbolli. Ia bjerr autoritetin moral, etik, profesional. Në vend që të dëgjohen ato, dëgjohet një spurdhjak që nuk peshon as 2 kile. Pra bëhemi të gjithë të barabartë, të gjithë me vlera, të gjithë zëmë hapësira. Duke u bjerrur media, duke u marrë me gjëra boshe, njerëzve u krijohet ideja se jeta është telenovelë turke. Puthje, vrasje, ndarje, bashkim etj.”,- tha Kristo.
Kristo nuk la pa përmendur as elitat e shoqërisë dhe vetë konceptin e familjes se si ajo ka ndryshuar në vendin tonë vitet e fundit: “Është degjeneruar edhe elita e shoqërisë. Këtu edhe mediat vënë në qendër të vëmendjes energjetike të tyre gjithë kohës publike njerëz kot fare. Njerëz vrasës, pa pikë shije. Vendosen në qendër të reflektorëve të shoqërisë.
Një gocë rritet me idenë se do futet në një nga këto organizatat rinore dhe do bëhet doganiere dhe i ka ecur shumë vetëve.
Jetojmë në një shoqëri ku familja ka marrë fund fare, është shkërmoqur. Fakti që ne kemi familje apo kujdesemi nuk do të thotë gjë. E para është degjeneruar nga ana ekonomike, pra familja me zor mbahet. E dyta, nuk ka hapësirë komunikimi, pra mungon komunikimi fare. Unë di me dhjetëra raste që nuk e dinë fare se ku i kanë fëmijët. Vetë fëmijët bëjnë jetë personale, jashtë familjes, dhe e kanë shtëpinë si hotel”,- tha ndër të tjera Erion Kristo.
Një Shqipëri që nuk ekziston më. Pamje të qyteteve shqiptare në vitet 1914-1918 të cilat do t’u befasojnë.
Imazhe nga Shkodra, Tirana, Vlora, Durrësi, Kruja, etj. të sjella me ngjyra rrëfejnë një një realitet aq tq larëgt gati të pabesueshëm.
“I jemi mirënjohës mikut të vjetër të Shqipërisë, z. Johen Blanken nga Hamburgu për dhënien në dispozicion të këtij koleksioni,” shkruan studiuesi Robert Elsie lidhur me albumin e fotografive të konceptuara si kartolina në ato vite.
Kur shqiptarët prej disa vitesh, me një kulmim në vitin 2015, i janë drejtuar shteteve europiane për të kërkuar azil, për ironi ka edhe një rritje të dukshme të kërkesave nga te huajt për azil në Shqipëri.
Shifra në vetvete ndoshta nuk përcjell këtë ide, por rritja me 126%, gjithsesi nuk është se mund të kalojë pa rënë në sy.
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat për të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri për vitin 2016, ku bien në sy një sërë tendencash.
“Azilkërkuesit në Shqipëri, referuar Drejtorisë së Azilit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultojnë 240 persona në 2016, shifër kjo e cila ka shënuar rritje me 126%, krahasuar me 2015.
Duke analizuar vendin e origjinës së azilkërkuesve, në Shqipëri kuptojmë se shumicën e rasteve e përbëjnë ato me origjinë nga Siria, rreth 130 azilkërkues dhe ato me origjinë nga Afganistani, rreth 60 azilkërkues për 2016.
Në 2016, vihet re një rritje e numrit të azilkërkuesve nga Afganistani dhe Iraku” thuhet në raportin e INSTAT.
Të huaj në Shqipëri
“Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2016, përbën rreth 0,4% të popullsisë rezidente. Gjatë 2016, numri i të huajve rezidentë përbëhet nga 8.324 meshkuj dhe 4.195 femra. Meshkujt zënë rreth 66% në numrin e të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.
Të huajt sipas vendit të origjinës në 2016, kryesohen nga vendet e Europës, të cilët zënë 66,5% të të huajve gjithsej.
Të huajt me origjinë nga Europa janë 8.324, duke shënuar një rritje me 10,1%, krahasuar me 2015. Të huajt me origjinë nga Azia janë 3.244, duke shënuar një rritje me 89,6%, krahasuar me 2015.
Të huajt me origjinë nga Afrika, Amerika dhe Oqeania janë 951, duke pësuar një rënie me 26,2%, krahasuar me 2015” vlerëson INSTAT.
Po kështu, referuar arsyes së dhënë nga të huajt në vitin 2016 ata që aplikojnë për leje qëndrimi për punësim zënë 50,0% të të huajve gjithsej, ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar me 22,2%, aplikimet për qëllime humanitare me 19,1%, aplikimet për studime me 5,2% dhe aplikime për arsye të tjera me 3,4 %.
Por atyre që përgjërohen për reformën në drejtësi, vendas apo të huaj qofshin, kam gjithë të drejtën e botës t’iu kërkoj të na shpëtojnë nga Kozmai. Jo nga personi, por më shumë nga fenomeni..
Nga Astrit Patozi
Këtë Kozma Janon, kandidat për KLP, i cili e paska pasur pseudonimin “Telefoni”, nuk kam nga ta njoh, por nuk është vetëm ky problemi, që nuk dua të merrem me të.
Nuhatja më thotë se ai nuk e kupton hiç se për çfarë është atje dhe pse nuk mund të jetë. Ndaj edhe nuk po i drejtohem fare atij për të dhënë dorëheqjen një orë e më parë.
Por atyre që përgjërohen për reformën në drejtësi, vendas apo të huaj qofshin, kam gjithë të drejtën e botës t’iu kërkoj të na shpëtojnë nga Kozmai. Jo nga personi, por më shumë nga fenomeni.
Nuk e di si do ta zgjidhnin, por ikja e tij prej aty do të ishte minimumi që mund të bëhej, për të mos e çuar në fund të këmbëve edhe atë pak shpresë që ka ngelur se diçka mund të ndryshojë për mirë tek kjo drejtësi e kalbur dhe e kapur.
Ndërkohë penetrimi i “Telefonit” deri në buzë të promovimit për njërin nga institucionet e larta të drejtësisë së re është një alarm i madh për krizën e rëndë të sistemit tonë. Unë nuk kam të dhëna që të fajësoj Autoritetin e Hapjes se Dosjeve për këtë “kalim të paligjshëm kufiri”. Mund të jetë pamundësi, por ndoshta edhe neglizhencë e tyre, që “Telefoni” për pak e kaloi pa u detektuar postbllokun i ligjit në emër të ligjit.
Por edhe po të isha i sigurt që ata e kishin bërë qëllimisht unë nuk jam aq naiv sa të fajësoj sot dikasterin e Genta Sulës.
Sepse rrënjët duhen kërkuar tek aktorët kryesorë politikë, të cilët kanë marrë përsipër redormimin e drejtësisë, duke votuar unanimisht në verën e vitit te shkuar.
Të qeverisë në radhë të parë, që është në të gjitha rastet dhe kurdoherë problemi më i madh. Por edhe të opozitës, për aq sa i takon.
Ndaj pasi të na ketë shpëtuar nga Kozmai i KLP-së, Edi Rama dhe mazhoranca e tij mund të na bëjë një nder më të madh. T’i drejtohet Autoritetit Shtetëror për zbardhjen e të shkuarës për cdo titullar të lartë të saj, pa pritur që të na dalin histori të ngjashme me “Telefonin”. Vetëm kështu mund të ketë kuptim ekzistenca e atij institucioni, që të shërbejë si filtër për të penguar fosilet e Sigurimit të Shtetit që të na drejtojnë edhe në demokraci.
Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Lulzim Basha, i cili ka marrë përgjegjësi, jo vetëm për të tashmen, por edhe për trashëgiminë politike të Partisë Demokratike.
Të çojë për verifikim të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të saj. Deputetë, e ish-deputetë, ish-ministra, drejtues të lartë e drejtorë të mëdhenj, pa asnjë dallim në këto 25 vjet.
Sepse vetëm kështu njerëzit do të besojnë që ne i kemi realisht alergji ish-spiunët apo bashkëpunētorët e Sigurimit të Shtetit, dhe nuk kujtohemi për ta vetëm kur “Telefoni” bie nga ana e kundërshtarit.
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, pohoi se, ish-kryeministri Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit për lidhje të mundshme me UDB e ish-Jugosllavisë.
Duke komentuar mundësinë e hapjes së dosjeve mbi rolin e agjenturave të huaja, Klosi pohoi se të dhënat në dosjen e Sali Berishës, për raportet me UDB, ishin zhdukur.
Ish-kreu i SHISH shtoi se, të dhënat duhet të jenë zhdukur gjatë pushtetit të parë të Berishës. Ish-kreu i SHISH tha se UDB, për shkak të çështjes së Kosovës, ka pasur bashkëpunëtorë në të gjitha fushat në Shqipëri.
Por, Klosi pohoi se këto dosje nuk duhet të preken, pasi është e rrezikshme, edhe për shkak se agjenturat jo partnere veprojnë deri në ditët e sotme dhe se ato nuk duhet që të dinë se çfarë dimë ne për ta. Kreu i SHISH u shpreh se Serbia, edhe sot, ka bashkëpunëtorë në të gjitha vendet e rajonit. Ai tha se loja e shërbimeve është e përhershme, madje edhe mes vendeve partnere.
-Z. Klosi, komisioni për hapjen e dosjeve, në kuadër të studimeve dhe edukimit të publikut, mund të trazojë dokumente mbi rolin e shërbimeve të huaja në Shqipëri. A është i mundur një proces i tillë dhe cilat mund të jenë pasojat?
Së pari, shumë gjëra në lidhje me ndikimin dhe rolin e shërbimeve të huaja, janë hamendje, nuk janë bindje. Natyrisht, ka midis tyre plot fakte dhe dokumente, por kuadri asnjëherë nuk është i plotë dhe mbeten në nivel hipotezash. Në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që të hapen dosjet e agjenturave të huaja, pasi ato janë shumë sekret. Ne, në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet t’i themi askujt se çfarë dimë dhe se çfarë nuk dimë për veprimtarinë e shërbimit tjetër.
-Nuk bëhet fjalë për publikim, por thjeshtë njohje në kuadër të edukimit….
Të edukosh njerëzit se si duhet të mbrohen nga armiqtë është shumë e thjeshtë.
-A ka pasur UDB bashkëpunëtorë në Shqipëri dhe në çfarë sferash ka depërtuar?
Sigurisht që ka pasur, por ne dimë një pjesë fare të vogël. Kjo është betejë e gjatë dhe e heshtur. Nuk është e lehtë të luftosh me shërbime shumë të mëdha dhe të fuqishme se shërbimi ynë. Në kuadër të ‘dosjes jugosllave’ ne dimë disa gjëra, por ka edhe shumë hamendje, pasi në të kundërtën do të shkonin në gjyq. Asokohe nuk të falte njeri në këtë fushë. Në këto kushte, nuk kanë dalë emra, qoftë edhe pseudonime.
-Në çfarë sferash ka depërtuar më shumë UDB?
Shërbimi jugosllav ka punuar në të gjitha fushat në Shqipëri, kryesisht në politikë, në ekonomi dhe në ushtri. Ka qenë në mes Kosova, për këtë arsye ata kërkonin që ta njihnin mirë situatën në Shqipëri. Donin të dinin se çfarë bënin ne për Kosovën, çfarë planesh kishim etj. Puna vazhdon akoma edhe sot.
-Pra mendoni se kanë edhe sot bashkëpunëtorë?
Sigurisht, angazhimi i shërbimeve jo partnere vijon edhe sot. Prandaj, këto dosje nuk duhen prekur. Do të ishte absurde të mendohet se ata nuk janë të interesuar se çfarë ndodh në Shqipëri. Kjo është një lojë që vazhdon për gjithë jetën.
Është një lojë e përjetshme që vazhdon edhe midis aleatëve shumë të mëdhenj, siç janë SHBA dhe Gjermania, e jo më midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera, më të cilat kemi ende probleme të mprehta të pazgjidhura. Millosheviçi ka pasur bashkëpunëtor në të gjitha vendet e Ballkanit. Është e paarsyeshme të mendosh ndryshe. Një vend i madh si Serbia, është interesuar dhe ka bashkëpunëtorë në të gjitha vendet e rajonit.
-Kohë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, publikoi një dokument në gjuhën serbe, me të cilin pretendonte se Sali Berisha kishte qenë agjent i UDB. Në dijeninë tuaj, a ka dosje për Sali Berishën për lidhje me UDB?
Duke qenë dhëndër në një familje gjysmë serbe, Sali Berisha është ndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor i mundshëm i UDB jugosllave. Unë nuk kam gjetur gjë në dosje, sepse kur unë vajta në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, Berisha kishte pesë vjet në pushtet dhe i kishte rregulluar të gjitha gjërat. Por që Berisha ka qenë i ndjekur për lidhje të mundshme me UDB, këtë e thonë oficerët që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që e kanë parë dosjen e si i tillë.
-Pra, ka pasur një dosje për të?
Oficerët e kanë parë dosjen e tij. Por, ka një gjë, dosjet e kundërzbulimit asnjëherë nuk janë të sigurta. Unë nuk kam parë asnjë lloj dokumenti dhe të dhëne në dosje.
-Po sa i takon dosjeve për zhvillimet brenda vendit, cilat janë zhdukur?
Dosjet për agjitacion-propagandë dhe tentativë arratisje, në përgjithësi, janë eliminuar. Janë zhdukur në kohën kur ndryshoi Kodi Penal, pra kur u dekriminalizuan si vepra penale. Pra, janë zhdukur në përgjithësi, nuk po e cilësoj vetëm të politikanëve apo njerëzve të thjeshtë. Më vonë, duart i kanë futur të gjithë. Prandaj nuk e kam quajut ndonjë proces të rëndësishëm që të prodhojë surpriza. Thjeshtë shpresoj që ky problem të mbyllet dhe të mos shfrytëzohet më nga politika.
Nuk do prekë figura politike. Figurat politike kanë kaluar në dy komisione të mëparshme. Ka qenë komisioni “Bezhani”, ka qenë komisioni “Mezini”. Çfarë figurash do prekë ky proces?! Nuk ka për të ndodhur gjë. Tani një pjesë e politikanëve janë shumë të rinj, për të qenë të prekur nga ligji i për hapjen e dosjeve. Kanë kaluar 25 vjet. Ka më shumë vlera historike.
-Gjithmonë ka një shqetësim sa i takon influencave ruse në Shqipëri. A ka vend për alarm?
Mirë është që të jemi gjithmonë të vëmendshëm, por deri tani, nuk kemi parë një tentativë ruse për influenca në Shqipëri. Një shqetësim i tillë, sipas meje, është i pambështetur në fakte. Rusët e dinë se, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe në partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra e kanë shumë të qartë se, me çdo përpjekje tyre, do ta kishin shumë të vështirë që të arrinin një rezultat.
Edhe investimet ruse në Shqipëri nuk janë ndonjë gjë për t’u shënuar, janë të papërfillshme, madje unë nuk di për asnjë investim, në ndryshim me investimet në vendet fqinje, siç janë Greqia apo Mali i Zi, mbase edhe Maqedonia. Mënyra më normale për të shtrirë influencën është me anë të investimeve.
Shqipëria nuk ka qenë objektiv i investimeve të tyre. Sigurisht, rusët gjithmonë kanë qenë të interesuar për Ballkanin, por për Shqipërinë nuk ka ndonjë gjë konkrete. Por, që të jemi të vëmendshëm, sigurisht që duhet, për sa kohë që tashmë Rusia është fuqizuar, nuk është më koha e Jelcinit. Me Presidentin Putin janë bërë me ekspansivë, po përpiqen që të shtrinë influencën e tyre në Ballkan, pasi kjo është një ëndërr e vjetër e carëve rus. Sa i takon ndikimit tek vendet fqinje, ne vetë Serbinë dhe Maqedoninë i kemi kujdes. Asnjëherë nuk i kemi konsiderua miq realë dhe që të hapemi ndaj tyre. Ata thjeshtë janë fqinjët tanë.