Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar sot nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës: Petrit Çenon, Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin.
Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar.
Për këtë vendimin ka reaguar ekskluzivisht për Javaneës.al edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Sipas tij, Ambasada e SHBA mirepret këtë vendim.
Ja reagimi i tij:
“Ambasada e SHBA mirepret pezullimin e tre gjyqtareve te Gjykates se Apelit Durres, perfshi kryegjyqtarin, nderkohe qe jane marre te pandehur per korrupsion te rende.
Shtetet e Bashkuara mbeshtesin hetime dhe ndjekje penale serioze per krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Gjyqtaret e pandehur per korrupsion duhet te pezullohen nderkohe qe presin gjyqin”.
Disa copëza kronikash televizive të emetuara pa kujdes aty këtu, disa filmime të një tubimi të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe më pas disa deklarata konfuze artistësh, kanë krijuar zhurmën e mjaftueshme për të ngritur pyetjen: ç’po ndodh mes ministres Mirela Kumbaro dhe artistëve?
Dilema u bë më e fortë kur Robert Ndrenika doli përpara kamerave për të shpallur se plani ogurëzi i Edi Ramës, për të shkallmuar Teatrin Kombëtar dhe për të ngritur aty një tjetër kullë oligarkësh, ishte ringjallur pas një dekade e gjysëm. Pastaj, të tjerë aktorë, denoncuan vendimin e ministres së Kulturës për të zhvendosur në sallën historike të teatrit kolegët e tyre të operas dhe për t’i degdisur ata në ish palestrën që tani është pagëzuar me emrin eksentrik “Turbina”.
Në vorbullën e qëllimeve të ndryshme që i kishin bërë bashkë ata krijues, u daravit mes zhurmës dhe titujve, sa reduktues aq edhe sensasionalë, zëri i atyre që po protestonin për diçka tjetër: për projekt ndryshimet në ligjin “për artin dhe kulturën”.
Duhet thënë që në fillim: sado monoton që të duket shqetësimi i tretë, ai është shumë më i rrezikshëm edhe se zhvendosja e teatrit për ca kohë, madje edhe se ngritja e një rokaqielli më tepër në Tiranë.
Nëse protesta për të parat ngjan më e kapshme nga qytetarët dhe më seksi për titujt e portaleve, ndryshimet që propozohen janë një atentat ndaj komunitetit artistik. Ato dënojnë me vdekje një tabu të paprekshme: lirinë e krijimit artistik.
Po të futesh në faqen e ministrisë së Kulturës dhe të lexosh një për një ndryshimet e propozuara, mbetesh i befasuar. Në projekt parashikohet që ministri të caktojë jo vetëm drejtuesit e institucioneve si Teatri Kombëtar apo Qendra Kinematografike, por ai të emërojë (madje dhe të shkarkojë kur të dojë) anëtarët e bordeve të tyre. Shkurt dhe shqip, kjo do të thotë që liria artistike të jetë totalisht e varur nga qeveria, nga forca politike që është në fuqi dhe në sinkron me interesat ditore të pushtetit. Këta njerëz të emëruar drejtpërdrejt nga ministrja kanë në dorë të vendosin nëse një shfaqje apo një spektakël janë ose jo politikisht korrekt. Është ekskluzivisht në dorë të tyre të quajnë shoqërisht të papërshtatshme vënien e një pjese që trajton dashurinë brenda të njëjtit seks, financimin e një filmi që e sheh Skënderbeun me sytë e Oliver Shmidit, apo diskriminimin që pëson në vendin e punës një grua e mbuluar.
Në fakt, raportet e vështira mes lirisë artistike dhe rolit kufizues që ka pushteti, janë tejet fraxhile edhe në vende shumë më të emancipuara se ne. Jo më larg se dy vite më parë, një vend si Franca, që ministrja aktuale e kulturës e njeh shumë mirë, u përfshi nga një debat për ndalimin ose jo të shfaqjeve të një komiku, që një pjesë e shoqërisë e konsideronte si provokues dhe përçarës. Por më pas, ish qeveria socialiste miratoi një ligj ku liria dhe shpërndarja artistike fitonin një hapsirë më të madhe. Dhe pikërisht gjatë miratimit të këtyre ndryshimeve, ish homologia franceze e zonjës Kumbaro u tha deputetëve: “Ne duhet të krijojmë të gjitha mundësitë që arti të vazhdojnë të na bezdisë dhe të na shqetësojë”.
Pikërisht, nga kjo e drejtë për provokim, ngacmim dhe reaksion e zhvesh komunitetin artistik emërimi i censorëve që parashikon projektligji i ri.
Natyrisht, për shumëkënd, insistimi në këtë shqetësim, mund t’i ngjajë një debati për seksin e ëngjëjve. Aktorët, regjisorët dhe skenaristët shqiptarë prej kohësh janë shndërruar në disa rrogëtarë që mbijetojnë për bukën e gojës dhe që prej kohësh as nuk i flasin më shoqërisë, as krijojnë reaksion dhe as tentojnë të thyejë tabutë e saj. Katandisja në këtë gjendje e këtij komuniteti mund t’i japi të drejtën kryeministrit aktual t’i trajtojë edhe një herë si të mbathurat e të ndierës Violeta Manushi. Kjo agoni, mund t’i lejojë ministres së Kulturës t’i zhvendosë ata si topa lecke nga një godinë tek tjetra. Kjo mospërfillje mund ta yshtë Erion Velinë të planifikojë një kullë me teatër brenda.
Por të gjitha këto bashkë, sado të rënda qofshin, janë ku e ku më të pakapërdishme se tentativat liberticide për të kontrolluar me burokratë të qeverisë, lirinë e krijimit artistik. Sepse ajo nuk është një e drejtë që u takon vetëm atyre aktorëve që janë rebeluar, por një çështje që lidhet me të drejtat tona dhe me lirinë e shprehjes, prandaj na heq të gjithëve të drejtën për të qenë spektatorë.
Sonte gjatë natës, vranësira të dendura mbulojnë të gjithë vendin duke sjellë reshje shiu gjatë gjithë së shtunës, në të gjithë territorin, parashikon “Meteoalb”. Ndërsa reshje dëbore priten në 600 m mbi nivel deti.
E diela mbetet me vranësira por reshje më të pakta shiu e dëbore, kryesisht në Jug dhe zonat Lindore.
Temperaturat do të ulen me 2 – 3°C mesditën e së shtunës ndërsa e diela sjell një tjetër rënie me 2°C në të dy ekstremumet termike të ditës, duke luhatur vlerat e tyre nga –3°C në 12 – 13°C.
Aida Shtino, për herë të parë pas 3 vitesh, jep një intervistë për një televizion shqiptar. Në një rrëfim të gjatë për “Pasdite në Top Channel”, prezantuesja e njohur e emisionit “Njerëz të humbur” ka treguar detaje mbi jetën personale dhe se me çfarë po merret aktualisht.
“Kjo periudhë 3-vjeçare ishte pushim, analizë me veten time dhe një lloj reflektimi”, shprehet Shtino.
Kthimin në Shqipëri pas 13 vitesh në Greqi, gazetarja e kujton kështu: “Sapo ishte zhvilluar ndeshje Shqipëri-Greqi, ku ne fituam dhe andej u acaruan marrëdhëniet. Djali më erdhi nga shkolla duke qarë një ditë e më tha që e kishin ngacmuar ngaqë ishte shqiptar. Aty diskutuam dhe menduam të ktheheshim. E nisa karrierën te Telenorba, në emisionin “Ku je”. E nisa pas kuintave, me organizimin e emisionit, por vajza që e prezantonte e la emisionin dhe më provuan mua”.
Aida thekson se “historitë e njerëzve në atë emision më kanë bërë njeri më të mirë”, por kujton se ka pasur edhe kërcënime.
“Kam marrë kërcënime, sidomos kur kërkonim vajza të humbura, pasi hasnim në rrjete trafikantësh. Një herë, në zyrë më kishte ardhur një letër ku shkruhej se vajza që kërkonim ndodhej në adresën e shtëpisë sime. Aty u alarmova dhe kam njoftuar policinë”, kujton Shtino.
Duke folur për divorcin, Aida thotë se e përjetoi shumë keq. “Si person publik, isha në qendër të vëmendjes. Atë periudhë mbylla telefonin se nuk pushonte së rëni, kërkonin të gjithë intervista. U përfshiva komplet në punë për të harruar situatën time”, u shpreh Aida.
Në lidhje me emisionin që e bëri të famshme, Aida Shtino theksoi: “Njerëz të humbur është si një fëmijë i rritur me shumë dashuri e përkushtim. Nuk doja që të ndërpritej dhe ndërprerja nuk është bërë për fajin tim. Aktualisht, po shkruaj një libër me historitë që kam dëgjuar. Jam në hapat e parë, por besoj se do të jetë një roman historik”.
Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.
Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.
Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.
Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.
A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?
Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.
Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.
Është një gur në formën e një pllake tepër të madhe ciklopike, që rri varur mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.
Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.
Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.
Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.
Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.
Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.
Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.
Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.
Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.
Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.
Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.
Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës, një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.
Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.
Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.
Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.
Pas raportit të bujshëm së autoriteteve britanike, edhe Drejtoria e Antimafias Italiane (DIA) ka ngritur alarmin për bandat e rrezikshme shqiptare.
Në raportin e vitit 2017, për rajonin e Brindisit, DIA radhit krahas klaneve vendase edhe shqiptarët, duke theksuar lidhjet e tyre të fuqishme me trafikantët e lëndëve narkotike.
Sipas Antimafias Italiane, klanet shqiptare janë fuqizuar fale afërsisë gjeografike të vendit tone me Italinë dhe se mbjellja e kanabisit vazhdon të jetë edhe problemi kryesor i Shqipërisë.
Autoritetet shprehen se Italia vazhdon të jetë e shqetësuar për trafikun e drogës që nis nga Shqipëria e përfundon në Brindisi, për tu shpërndarë më pas nëpërmjet lidhjeve kriminale në zonat e tjera.
Në raportin e saj, DIA bën të ditur se:
Trafiku i drogës vazhdon të jetë edhe burimi kryesor i grupeve kriminale.
Por në këtë biznes janë përfshirë fuqishëm dhe me goditje të fortë shumë shqiptarëve, rezidentë në zonë të cilët janë kthyer në partnerë me grupet vendase.
Kjo edhe falë afërsisë gjeografike me Shqipërinë, ku mbjellja e kanabisit vazhdon të jetë edhe problemi kryesor i vendit.
Trafiku që nis nga Shqipëria nuk ka ndaluar gjatë vitit 2017″.
Për mua ka qënë një privilegj të zgjidhem për të tretën herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve kam kontribuar më përkushtim të plotë në politikë si njeri i çështjeve të drejtësisë.
Sot kam dorëzuar mandatin e deputetit pasi nga nesër i përkushtohem një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një network në Ballkan, projekt që është afatgjatë dhe kërkon që vendimin ta marr sot.
Kam qënë një njeri me fat në këto vite sepse kam pasur në krah bashkëpuntorë të shkëlqyer, të përkushtuar e të ndershëm me kontributin e te cilëve arrita të lija gjurmë, por mbi të gjitha që kam dalë faqebardhë nga të gjithë detyrat që kam pasur. Me punën e tyre ata i hoqën mundësinë kundërshtarëve politikë të hidhnin ndaj meje dhe atyre, baltën e kudogjendur në politikë. Ndaj dua ti falenderoj ata të gjithë sot publikisht.
Dua të falenderoj Sali Berishën, që më dha mundësinë të kontriboj ne jetën politike të vendit në këto vite.
Falenderoj Lulzim Bashën, për besimin në detyrat politike prej 2013, për bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite dhe për mirëkuptimin në çdo vendim prej ditës së parë e deri më sot.
Falenderoj të gjithë kolegët e nderuar të grupit parlamentar për gjithë bashkëpunimin në këto vite në politikë.
Së bashku ne i bëmë një shërbim të madh vendit me paketën ligjore të dekriminalizimit dhe paketën kushtetuese të drejtësisë në 22 korrik 2016.
Falenderim dhe mirënjohje për gjithë votuesit e PD në qarkun e Durrësit dhe Beratit që më zgjodhën 3 herë deputet të Kuvendit. Kontributi im në Partinë Demokratike do të vijojë për gjatë gjithë jetës sime si një antar i thjeshtë dhe i përkushtuar.
Falenderim mediave dhe gazetarëve të palodhur për bashkëpunimin në këto vite.
Shihemi së shpejti në një hapësirë tjetër të rrjeteve sociale.
Kryeministri Edi Rama i është pergjigjur serish disa komentuesve në profilin e tij në Facebook.
Në statusin e tij të fundit për kanionet e Osumit, një prej qytetarëve nuk i ka kursyer kritikat ndaj Ramës dhe është shprehur se kësaj radhe nuk mund të thotë që fajin e ka Saliu.
Por kryeministri shprehet: “Ilir, qetesohu i dashur, une them te verteten te pelqen ty s’te pelqen ty! Dhe e verteta eshte sic po ta them une, jo sic do ti(!), sepse po, sinjali i pare edhe nga Platforma e Bashkeqeverisjes dhe pastaj folen edhe te tjere! Dhe po, procedura ishte e nisur me kohe, kjo eshte e. verteta, do ti nuk do ti! Sa per Shqiperine ate nuk ma tregon dot as ti dhe askush tjeter, sepse une punoj dite nate, me mish e me shpirt per Shqiperine dhe ishalla e do ti Shqiperine sa e dua une, se me shume nuk ka shans!”