Aurora

Do qeshni me lot! Fustanet më të pazakontë të dasmave

Ceremonia e dasmës është e veçantë për çdo çift dhe për këtë dëshirohet perfeksion edhe në detajet më të vogla. Një aksesor shumë i rëndësishëm për nuset është fustani. Megjithatë, ka edhe raste kur jo gjithçka shkon mirë…

“CNN Turk” sjell një fotogaleri me “fustanet më të çuditshme të dasmave”.

Do qeshni me lot! Fustanet më të pazakontë të dasmave Read More »

‘Artisti i merituar’,.’Mjeshtri i madh’ ,biri i dukatit Birce Hasko ne nje rrefim : Cfare i tha Fan Noli ne enderr tim eti

<

article id=”post-612468″ class=”post-612468 post type-post status-publish format-standard has-post-thumbnail hentry category-aktualitet category-kulture tag-birce-hasko tag-interviste tag-kulture”>

<

div id=”entry_content_paragraphs” class=”entry-content”>

-Një pyetje disi “patriakale”, Birçe. Familja juaj, Haskot, jeni të gjithë të kënduar, të arsimuar. Trashëgimi, genet, apo…?

-Jo, jo. Janë ca nga të gjitha. Ne kemi qenë 8 fëmijë, 6 vëllezër e dy motra. Shtatë nga këta morën arsim të lartë. Vetëm një motër mbeti me arsim të mesëm. Të tërë kemi qenë me nivel të lartë në mësime. E di pse? Sepse babai ynë, ndjesë pastë, ishte shumë arsimdashës. Ishim të varfër, nga më të pikurit në Dukat. I thoshte fshati babait: dërgoji djemtë tek filani për të ruajtur bagëtitë. Ishte fjala për të nxjerrë bukën e gojës. Ai kurrë nuk e bëri këtë. Mesa duket kishte vendosur të zhdukte injorancën në familje.

Është disi e pabesueshme, por unë do ta tregoj. Kishim disa prona në Llogora, pyje e kryesisht kullota. Atje në stan, ku edhe flinte, babait i kish dalë Fan Noli në ëndërr. I paskësh thënë: Ju Haskot do të përparoni, do të bëheni njerëz të kënduar, do shkolloheni.

-E vërtetë?

-Po, po, kjo është shumë e vërtetë. Babai ishte arsimdashës i thekur, por ajo ëndrra me Fan Nolin ia përforcoi dëshirën që të na dërgonte nëpër shkolla. Ai nuk të falte, ishte nopran i madh. Edhe 50 vjeç apo më shumë, njeriu duhet të mësojë, mbaj mend të na thoshte. Ka qenë vetëm ai që na nxiti për të vazhduar shkollat. Nuk të falte për këtë. Kunatën, Shanen, edhe pse ishte me fëmijë, e detyroi të mbaronte Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ajo në fillim nguroi, nxori njëmijë e një yçkla, por ai një ditë iu hakërrye e i tha: Mos të të dëgjoj më nga këto që më thua, do të vesh në institut që ç’ke me të! Ka qenë i çuditshëm babai ynë.

-E veçanta tek ju Haskot është se, që të gjithë, kini mbaruar arsimin e lartë…

-Është e vërtetë. Për mësimet të gjithë jemi përgjigjur vetë. Që të gjithë, pa përjashtim. Vëllai i madh, Bilbili, mbaroi për inxhinier elektromekanik në Çekosllovaki. E mbaroi shkëlqyeshëm, mori medalje të artë. Skënderi, vëllai tjetër, mbaroi për gazetari. Edhe ai shkëlqeu në mësime e në punë. Edhe ju e dini që mbeti një ndër shkrimtarët më të mirë për fëmijë. Jo se e kam vëlla, por Skënderi ka lënë një emër të mirë si krijues, si shkrimtar dhe publicist. Edhe vëllai i tretë, Halili, mbaroi për inxhinier mekanik. Ishte i talentuar si inxhinier, por ai u mor më shumë me politikë. Ka punuar në Berat, Fier, Vlorë etj. Ka qenë edhe deputet në Kuvendin Popullor. Nga ne vëllezërit Halili mbetet si më i drejti, njeri që luftoi e lufton për ideale të pastra.

-Na thuaj diçka nga vetja, nga vështirësitë për shkollimin tënd…

-Dy vjet të shkollës fillore i kreva në Dukat. Mbaj mend edhe shokët e klasës. Kam patur Hasan Halilin, Ago Nezhën, Siri Allushin dhe Vexhi Nelon. Vexhinë e lash të fundit, por ai ishte i pari në mësime. Ishim në një bankë. Ai pati fatin e keq sepse nuk mundi të vazhdonte shkollën e lartë për arsye të biografisë.

Në shkurt të vitit 1951 u shpërngulëm përfundimisht në Radhimë. Nuk mund ta linim babanë vetëm. Aty rrinim në shtëpi me qira. Kemi bredhur të gjithë fshatin. Aty mbarova shkollën fillore.

Shtatëvjeçare nuk kishte Radhima, ishte në Tragjas. Të gjithë ne fëmijët, të tetë, shtatëvjeçaren e kemi kryer në Tragjas. Shkolla ishte larg, shumë larg, 12 kilometra vajtje-ardhje. Na duhej të bënim më shumë se tre orë udhëtim në ditë. Ngriheshim çdo mëngjes në orën 5 në mënyrë që në orën 6 të merrnim rrugën për në shkollë. Mbaj mend që ne nxënësit e Radhimës vinim 5-10 minuta më përpara se të tjerët, madje edhe ata që i kishin shtëpitë aty tek dera e shkollës. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm, me të gjitha pesa.

Pastaj më doli e drejta e studimit për mësues, në shkollën “Jani Minga” të Vlorës. Sigurisht me bursë nga shteti sepse ne ishim familje e varfër, nuk mund ta përballonim dot pagesën. E kam mbaruar pedagogjiken me nota të larta, shumë të mira në të gjitha lëndët.

-Mban mend ndonjë detaj nga shkolla e mesme?

-Mbaj, si jo. Po tregoj diçka që nuk më ikën nga mendja edhe tani. Në klasë ishim 52 nxënës. Unë përgatitesha përditë, por për më shumë se një muaj nuk po më vinte radha që të ngrihesha në mësim. Mua më kish qëlluar që banka të ish afër dritares, e cila e kishte shikimin nga godina e Teatrit. Një ditë fillova të qaja. Isha i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk kisha ikur ndonjëherë nga shtëpia. Më kishte marrë malli sidomos për nënën. Më pa mësuesja e matematikës, Bubulina Arapi, e motra e Fatos Arapit. Pa ngriu ti atje, tha, dhe drejtoi gishtin nga unë. Me sy të përlotur vajta tek dërrasa e zezë. Shkruaj, më tha, dhe po më jepte ca ushtrime për t’i zgjidhur. Nuk ka nevojë, ia ktheva, i them pa shkruar, i them me gojë. Uaaa, ia bëri e habitur mësuese Bubulina! Nga vjen ti?, më pyeti. Nga Tragjasi, mësuese. Cilin mësues ta ka dhënë matematikën? Shezai Radhima, iu përgjigja. Ajo e dinte, ia kish dëgjuar namin mësues Shezaiut. Më dha dy problema dhe unë fap-fap i zgjidha. Që atë ditë mua më doli nami si nxënës i mirë. Mësuese Bubulina kishte folur për mua në katedër dhe nga ajo ditë mua më zhdëpën me nota shumë të mira, në të gjitha lëndët.

-E pastaj?

-Pastaj vajta në Tepelenë, ç’të bëja. Dyqind mësues kishte atëherë i gjithë rrethi i Tepelenës. Shef arsimi ishte një Nase Guga nga Gjirokastra. Ishte burrë shumë i mirë, i shkëlqyer. Na mblodhën për të na caktuar shkollën ku do të punonim si mësues. Në debat e sipër dëgjova që do të më caktonin në një fshat ku do jepja mësim në katër klasa kolektive. U çudita. Si ishte e mundur të punoja njëherësh me katër klasa? Mora guximin dhe iu drejtova atij që bëri komunikimin, sekretarit të Komitetit Ekzekutiv: Ne, i thashë, kemi bërë praktikë me dy klasa kolektive, me katër më duket e pamundur, sot po e dëgjoj për herë të parë. Ç’bëri ai? Për të më trembur dha urdhër: Këtij djalit, tha, do t’i shkoni çdo javë për kontroll! Po unë isha më kokë mushkë se ai. Për kontroll dua që të më vish ti, por kam frikë se, po erdhe, do të grisen opingat. Ai i ra tavolinës në atë mënyrë sa u prish edhe mbledhja. Kot që e bëra edhe unë kërkesën. E kush më pyeste mua.

-E zbatove urdhrin, vendimin e seksionit të arsimit?

-Me një këmbë. Shkova aty ku më caktuan. Ishte një fshat i thellë, shumë larg, në Amarikaj. Binte mbi Qesarat. Sapo vajta, e di si u thash disa fshatarëve që luanin domino aty afër shkollës? E dini ju ç’do të thotë Amarikaj? Jo, thanë ata, dhe ngritën supet. Ja u thotë mësuesi juve. Amarikaj do të thotë “aman se ika”. Qeshën ata, qesha edhe unë. Atje u ambientova, kalova shumë mirë. U jam mirënjohës edhe sot, që kanë kaluar më shumë se një gjysmë shekulli. Respektin e kishim reciprok, unë për ata dhe ata për mua.

-Po kontrolli, porosia që dha sekretari i Komitetit Ekzekutiv, u bë si tha ai?

-Jo, jo, asnjëherë. E kush mund të ngjitej deri në Amarikaj. Vetëm në fund të vitit më vijnë për inspektim nga seksioni i arsimit. Odise Zhupa e kish emrin inspektori, i ati i poetit Ilirian Zhupa. Ishte burrë shumë i mirë, por edhe metodist i shkëlqyer. Ishte mjeshtër, tepër korrekt. Këtu në karrigen tënde do të rri unë, më tha, pasi u përshëndet me nxënësit. Ti qëndro atje, në fund të klasës. Ashtu bëra. Ai i mori të gjithë nxënësit në provim, me shkrim e me gojë, nga klasa e parë deri tek e katërta. Qëndroi aty, me mua, plot një javë. Në fund më falënderoi. Ke bërë punë të shumë të mirë, më tha. I mori të gjitha fletët e provimit me vete. Kishin mbetur edhe tri ditë që të mbyllej viti shkollor. Më duhej të qëndroja aty por inspektori ato tri ditë mi dha pushim, si shpërblim për punën e mirë. Kështu m’u desh ta mbyllja shkollën dhe të shkoja bashkë me inspektorin në Tepelenë.

-Vitin tjetër, sigurisht, të duhej të vije përsëri në Amarikaj?

-Jo, nuk qe e thënë. Vitin tjetër më emëruan në Nivicë, mësues të shkollës 7-vjeçare. Aty jepja matematikë dhe rusisht. Drejtor kam patur Daut Gumenin. Mbaj mend që na erdhi për inspektim Xhevdet Pataj. Ka qëndruar aty të gjithë javën. I kontrolloi të gjithë me radhë. Diku, aty nga fundi inspektimit, përpara se të jepte konkluzionet, më ftoi për kafe Xhevdeti. Unë prisja të më thoshte ndonjë vërejtje rreth kontrollit, por ai më tha: “Ty Birçe do të transferojmë në Memaliaj”. Unë kujtova se po bënte shaka. Ai e kuptoi që unë e mora për të tillë, pra shaka, m’u drejtua prapë: E kam seriozisht Birçe, nuk është çështje shakaje kjo punë more djalë. Një gjë po të porosis, më tha në kofidencë Xhevdeti: mos u thuaj gjë shokëve!

-Të duhej të prisje vendimin zyrtar?

-Fiks pas një jave erdhi zarfi. Ishte vendimi për transferimin tim në shkollën e mesme të qytetit të Memaliajt. Në zarf ishin edhe tre mijë lekë. Tre mijë lekë ishin shumë, gati sa gjysma e rrogës së një muaji. Në Memaliaj e mbylla atë vit, por qëndrova edhe vitin tjetër si mësues gjimnazi. Aty kam kaluar mirë. Nga klasa e parë deri tek e fundit ishin një mijë e njëqind nxënës. Mos kujton se është ai qytet i Memaliaj që është sot? Jo or jo! Memaliaj ishte qytet minatorësh, qytet me shumë gjallëri. Mbaj mend që ne arsimtarët, që nuk ishim vendas, trajtoheshim njësoj si të ishim minatorë, me një kompensim prej 25 për qind për ushqimet që merrnin.

-Aty fillove të punoje edhe si “artist”, të merreshe me veprimtari kulturore?

-Unë, sapo vajta, angazhohesha me estradën amatore të qytetit. Kujtoj që sa dilja në skenë për të luajtur numrin e radhës, spektatorët më prisnin me duartrokitje. Bënim katër premiera në vit. Investimet i bënte shteti. Sigurisht, kjo bëhej për minatorët. Aty mori udhë jeta ime që më pas do të shkollohesha për aktor.

-E si ndodhi, ç’qe ky fat dhe nga të erdhi?

-Edhe tani kur e kujtoj ia bëj këtë pyetje vetes. Vjen një ditë zv/ministri i Energjetikës, Pupo Shyti e kish emrin. Ai nuk kishte ku ta kalonte pasditen dhe me disa drejtues të minierës vjen në shfaqjen tonë. Në fund të shfaqjes më thonë se më kërkonte i deleguari që kish ardhur nga Tirana, pra zv/ministri. Shkoj. Pash që mbante një komposto në dorë. Ishte komposto kumbulle. Merre, më tha, më ke kënaqur, qenke artist i vërtetë. E mora komposton. E di ç’ke ti, më tha, ti do të shkosh në shkollë për aktor. Unë nuk kisha haber fare nëse ekzistonte ndonjë shkollë për aktor. E dëgjoja për herë të parë. Aty mora vesh që kjo shkollë ishte hapur qysh në vitin 1959. Viti që e mora vesh unë, ishte 1962. Unë ngurova, por ai insistoi: Do të shkosh patjetër, dëgjomë mua. I thashë një “faleminderit” dhe ika, nuk ia vara fare kësaj pune. Do ti që ai erdhi prapë pas një muaji! Erdhi edhe në shfaqjen e radhës. Pas shfaqjes më thirri ta takoja. Vajta. Tani, më tha, dua prej teje një dopjo raki. Në vend, i thashë, dhe porosita të vinte gota e rakisë. Hë, vazhdoi zv/ministri, si vendose për atë që të kam thënë? Po lëre, i thashë, ta harrojmë këtë muhabet. O njeri, insistoi ai, pse nuk do, ç’do të humbasësh ti nga kjo punë? Unë jam artdashës, nuk kam lënë film apo teatër pa parë me tët vëlla në Çekosllovaki. Aty mora vesh që ai na ishte edhe shok i tim vëllai, Bilbilit. Mora pak siguri. Epo hajde, jepe llafin o Birçe, thashë me vete. Ashtu bëra. Vajta në Tiranë, konkurrova. Më thanë që kisha fituar. Nuk ma merrte mendja kurrë, nuk e mora për të vërtetë. U ktheva në Vlorë unë i ziu.

-Fati të erdhi në dorë, të duhej që të shkoje në Institutin e Arteve në Tiranë apo jo?

-Jo. Konkurrimi që bëra unë nuk ishte i planifikuar nga rrethi. Kur erdha në shtëpi mora vesh që më kishin caktuar drejtor shkolle në Poro. Pra në Vlorë nuk e dinte kush që unë kisha konkurruar për aktor dhe që kisha fituar. Ua thashë këtë, por nuk më besonte njeri. Vajti puna deri tek sekretari i parë. Sekretar i parë për Vlorën ishte Mihallaq Gjinikasi, një burrë i shkëlqyer, shumë i drejtë. Më dha një kafe. Tani, më tha, u bëre i madh, të kemi bërë drejtor. Unë rezistova, por ai ma preu shkurt: O drejtor në Poro, o shko në shtëpi, në Radhimë. Zgjidh e merr. Nuk kisha nga t’ia mbaja. Dola tek Sheshi Flamurit për të gjetur ndonjë makinë për në Poro. Çudi! Përpara më doli një makinë “zis”, e cila na paskësh qenë makina e kooperativës së Poros.

-Më në fund u harrua pasioni për të vazhduar shkollën për aktor?

-Jo ore, ku më linte “miza” mua. Vajta përsëri për të konkurruar për aktor. Konkurrova dhe përsëri fitova. Më thonë ata të komisionit: ore përse konkurron ti Birçe, të lënë apo nuk të lënë të fillosh akademinë ata të Vlorës? Jo, jo, këtë vit do të më japin lejë se s’bën, nuk kanë ç’të bëjnë, ua ktheva përgjigjen. Për dreq shokët më propozuan për të vajtur tek stadiumi “Qemal Stafa”. Shkuam për t’u argëtuar pak, të kalonim disa orë duke luajtur futboll. Kur mbaruam lojën, thashë me vete: more, përse të mos shikoj, se ndoshta kanë dalë listat për të drejtat e studimit. Kur vajta tek Teatri, sepse aty afishoheshin listat, ç’të shihja? Birçe Haskos i kish dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve. Fluturova nga gëzimi. Kur vajta në shtëpi, në Radhimë, mora vesh se aty kishte mbërritur edhe telegrami që më njoftonte për tu paraqitur pranë shkollës së lartë “Aleksandër Moisiu” që të regjistrohesha për të filluar shkollën për aktor. Aty qëndrova vetëm një vit sepse në 1966 u krijua Instituti i Latë i Arteve ku u bashkuan Artet Figurative, Arti Skenik, Muzika dhe Kultura.

-Kur, në cilin vit u diplomua për aktor Birçe Hasko?

-U diplomova në vitin 1969. Diplomën ma ka dhënë ish-Ministri i Arsimit, Thoma Deljana. Atëherë kishte një vendim të posaçëm, i cili diktonte që 5 për qind e studentëve që kishin mbaruar shkëlqyeshëm, mbaheshin në Institut si pedagogë. Tek ky 5-përqindësh hyra edhe unë. Mirëpo Vlora insistoi të më merrte si regjisor të estradës, por ministri, Thoma Deljana, i vuri vulën kësaj pune. I jam mirënjohës!

-Sa është e rëndësishme shkolla për ju sepse kam dëgjuar të thuhet në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson?

-Shkolla, sipas meje, është e rëndësishme, por nuk është ajo që të mund të shkëlqesh në jetë. Shkolla të jep një çelës kopil, pastaj varet nga ty nëse je i zoti të hapësh derën e suksesit. Kërkesa që ka jeta me ato që bën në shkollë janë ku e ku larg. Ka njerëz që nuk shkëlqejnë në shkollë, por bëhen të tillë në jetë, bëhen të zotët e vetes për të ngjitur maja. Sepse ka nga ata që e përfundojnë shkëlqyeshëm shkollën, por kur dalin në jetë as dinë të marrin e as dinë të japin. Mbeten shkollareskë.

-Mund ta konkretizoni këtë, mbasi ju kini ushtruar detyrën e profesorit plot 43 vjet në Akademinë e Arteve?

-Unë, në radhë të parë, me studentët kam qenë edhe prind edhe pedagog. Punën e kam bërë me ndershmëri maksimale. Kur shkoj në ndonjë rreth vijnë e më takojnë, më përqafojnë, më janë mirënjohës. Unë si mësimdhënës kam qenë nopran, kam qenë shumë kërkues. Madje studentët dëgjoja që thoshin “ky të fik derën, ky të merr shpirtin”. Kur dilnin në jetë thoshin tjetër gjë: ke patur të drejtë profesor. Sepse jeta, profesioni që merr, nuk është e lehtë ta përballosh. Ajo të rrëzon, të jep grushte, të gjakos, të ngre përsëri, prapë të godet me grusht, e ti prapë ngrihesh. Ja, kështu është ndërtuar jeta.

Pastaj njeriu duhet të jetë modest. Anglezët kanë një thënie të shkëlqyer: njeriu shet mend aq sa i mungojnë. Mjerë ai njeri që stërmundohet për t’u treguar i madh, i ditur. Akademia e Arteve që nga viti 1963, kursi i parë, kur ka mbaruar Marjo Ashiku, Edi Lualasi, Bexhet Nelku etj.

-Ka ndonjë sekret këtu, profesor Hasko?

-Ka, si s’ka. Arti ka dy sekrete, shpjegimin dhe demonstrimin. Nëse studenti nuk të kupton kur ti shpjegon, vjen demonstrimi. Nëse nuk kupton edhe demonstrimin atëherë ai duhet të ikë, nuk është i aftë për këtë punë. Unë kam qenë i prerë që në momentin që bëhej konkurrimi. Kam një rast që nuk mund ta harroj. Kur erdhi Xhevdet Ferri për të konkurruar dikush nga komiteti i partisë më porositi që të mos e fusja për konkurrim. Për çështje biografie. I di si ia ktheva? Unë, i thashë, nuk punoj në komitetin e partisë, unë punoj në Institutin e Arteve. Një rast si ky më ka ndodhur me një konkurrues nga Pogradeci të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kishte nga ta që përuleshin, por unë nuk kam pyetur dhe nuk i kam marrë në konsideratë “porosi” që bënin me spërkla balte profesionin si artist.

-Sa rëndësi ka për pedagogun krijimtaria si artist?

-Shumë. Pedagogu duhet t’i tregojë studentit krijimtarinë. Me patjetër. Ndryshe ai, nën zë, të thotë “kush je ti?”. Pastaj nëse luan një rol të caktuar, studenti të vlerëson, t’i rrit vlerat si mësimdhënës.

Më duhet të them se roli si artist është më i vlerësuar se ai i mësimdhënësit. Sepse atë e shikon dhe e shijon një masë shumë më e madhe njerëzish. Një filozof thotë: çdo punë i trembet mjeshtrit të vet. Kjo thënie më pëlqen shumë.

-E kini ndjerë veten të vlerësuar në sistemin e kaluar Profesor?

-Në atë kohë artistët nuk paguheshin, por moralisht ishin në majë. Populli i kishte idhuj. Tani është futur në mes leku. Nuk investohet siç investohej atëherë. Mirëpo dëgjoj të thonë: Atëherë shteti investonte për politikë. Mirë, more zotni, investo edhe ti për politikë! Në atë kohë ka patur regjisorë të shkëlqyer, mjeshtër. Dhe kështu do të mbeten. Ç’do brez ka “të mëdhenjtë” e tij. Problemi është që ky brez, sa është në gjendje të nxjerrë “të mëdhenj”, ashtu si ne paraardhësit e tyre. Për mua, si Birçe, duhet kohë që artistët ta marrin veten. Janë bërë përmbysje epokale ndaj edhe punët e mira e duan një kohë të caktuar, nuk bëhen me vrap, o burra tutje. Arti është finesë, është edhe ideologji. Ashtu duhet të jetë edhe politika.

-Të bëjmë pak politikë. Çmendim ka profesor Birçja për zhvillimet në vend, për këtë tranzicion kaq të lodhshëm?

-Kam një mendim të hidhur. Ky vend është krimbur dhe nuk ka zot që e ç’krimb. Por kam mendimin se të gjithë ata që po e vjedhin këtë vend i hapin varrin e parakohshëm vetes së tyre. Unë për veten time jetoj në një apartament dhomë e kuzhinë. Mirë të ka gjetur, më thonë disa shokë, sepse ti je humbameno. Unë nuk fyhem, përkundrazi më bëjnë nder kur më thonë “humbameno”. Në kohën time kishim mentalitet krejt tjetër. Edhe pse kam patur detyra partiake që mund të bëja si të më donte kokrra e qejfit, kurrë nuk e bëra këtë. Absolutisht kurrë. Edhe një frigorifer nuk ma thosh ndërgjegje ta merrja përpara shokëve. E di kush ma siguroi frigoriferin, meqë ra fjala? Pëllumb Kulla ma solli, nga Fieri. Kurrë nuk iu afrova “të mëdhenjve” për të përfituar. Unë kisha vëllanë Sekretar të Parë në disa rrethe të vendit, por asnjëherë nuk i kërkova të më bënte ndere të pamerituara. Nuk i kam dashur servilët, të përulurit që duan të përfitojnë padrejtësisht. Birçe Hasko ka qëndruar servil vetëm para punës. Në aspektin krijues. Në aspektin shpirtëror jam servil ndaj fëmijëve të mi. Sot, miku im, kanë ndryshuar shumë gjërat, janë përmbysur. Sot ka njerëz që po t’u thuash kafshë, ofendon kafshën. Megjithatë, për çka shikoj e dëgjoj, jam i aftë vetëm të dëshpërohem, nuk mund të urrej dot. Këtë ia dëshiroj edhe politikës. Ajo, pra politika, duhet të konkurrojë për të çuar vendin përpara, aty ku na kanë premtuar.

Megjithatë, si qytetar i thjeshtë i vendit tim e kam një dhimbje. Kam atë që po e trajtojnë Shqipërinë si vend pa zot. Është e dhimbshme dhe e frikshme. Nga e kaluara kemi mohuar gjithçka. Është njësoj sikur të mohosh prindërit. Po mirë, kopilë po na bëni more zotërinj që na mohoni gjithçka të kaluar? Këtë pyetje e bëj unë, nuk e di çmendim kanë të tjerët. E kam fjalën që nuk duhet fluturuar.

-Një fjalë të fundit?

-Unë Birçe Haskua, ndjehem i privilegjuar që kam jetuar me ndershmëri. Nuk kam frikë nga kurrkush. Unë, “Artisti i Merituar”, “ Mjeshtri i Madh”, e plot dekorata të tjera si këto, do të përcillem në atë botë me një pension shumë të vogël dhe nga një banesë po kaq të vogël. Por kënaqësitë shpirtërore ama, i kam deri atje, në majë.

‘Artisti i merituar’,.’Mjeshtri i madh’ ,biri i dukatit Birce Hasko ne nje rrefim : Cfare i tha Fan Noli ne enderr tim eti Read More »

“Dil nga vallja, do të hedh nga kati i 2”, Lisa tregon torturat: Burri dyshonte për…

“Ka një mesazh për ty” vijoi me rastin e një gruaje të re, nënë e dy fëmijëve e cila ka qenë në të kaluarën, pre e dhunës në familje. Ajo ka pasur një martesë 14-vjeçare ku është dhunuar vazhdimisht dhe sistematikisht nga bashkëshorti i saj.

Lisaveta ka bërë kompromis me këtë gjë për hir të fëmijëve, dhe për shkak të mentalitetit në zonën ku jetonte. Megjithatë ajo sot jeton e qetë me fëmijët e saj, dhe ka ardhur në studio për të falënderuar motrën Dashurien.

Lisaveta: Unë jam Lisaveta, kam lindur në Pogradec, rritur në një fshat të Lushnjës, dhe martuar po në një fshat të Lushnjës. Nga kjo martesë unë kam dy fëmijë por për fat të keq, martesa ime nuk rezultoi e suksesshme. Përfundoi për 14 vjet martesa.

Ardit Gjebrea: Pas 14 vjetësh, përfundoi gjithçka. Pse?

Lisaveta: Arsyet janë të shumta. Ai që në fillim ishte një person jo i dashur, jo i respektueshëm. Nuk humbiste asnjë rast pa më ofenduar qoftë edhe në sy të njerëzve. Vazhdova me të për shkak të paragjykimeve, mendoja se çfarë do të thonin njerëzit. Ishte e papranueshme që unë të divorcohesha.

Kisha hallin e prindërve të mi dhe të mentalitetit përreth. Ishte shumë e vështirë Ardit. Një rast që ishte i patolerueshëm, ishte në dasmën e një kushërires sime. Ishim në valle, mami, motra edhe unë. Duke kërcyer, në dasmë. Dhe ai ngrihet më tërheq nga krahu, më thotë dil nga vallja ose do të të hedh nga kati i dytë.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Lisaveta: Për shkak se erdhi burri i motrës më kapi mua për dore në valle. Siç ishin motrat me radhë, unë isha e fundit, e vogla. Dhe ai erdhi në fund, mbas meje. Për këtë gjë, ai erdhi më nxorri mua nga vallja, më tha dil ose do të të hedh nga kati i dytë. Dhe unë e lë vallen, ulem.

Ai nuk u mjaftua me aq. Filloi pastaj, më gjuante me shkelma, thoshte mos e ngri kokën, shiko vetëm pjatën. Dhe në momentin që mbaron vallja dhe ulet burri i motrës, ai i thotë: me ty s’dua të kem të bëj më fare! As për gëzim as për hidhërim. Për vite me radhë unë nuk kam folur me motrën time.

Pastaj dhuna vazhdonte, psikologjike, fizike. Për vite me radhë nuk kam pasur kontakte me motrën e madhe. Edhe kur linda djalin, unë bëra drekë, ajo nuk ishte e pranishme. Ishte një gjë shumë e dhimbshme por nuk e shmangnim dot. Pastaj filluan konfliktet, sa vinin dhe rëndoheshin.

Paragjykimet ishin të shumta. Ai ishte emigrant në Greqi, kur vinte njerëzit fillonin i flisnin atij. Kam qenë 6 muajshe shtatëzënë, nuk e di se çfarë i kishin thënë njerëzit, dhe ai më kap për fyti, më rrëzon. Dyshonte se fëmija në bark nuk ishte i tij. Edhe në sy të të tjerëve nuk përtonte të më dhunonte. Nuk linte rast pa më ofenduar dhe pa më poshtëruar.

Ardit Gjebrea: Familja jote çfarë bënte ndërkohë?

Lisaveta: Familja ime rrinte e tërhequr Ardit. Babai ndërhynte, vinte e këshillonte. I jepte fjalën, një ditë, dy ditë ndryshonte, të tretën fillonte prapë. Por guximin nuk e merrja që të ikja që aty. Nuk mund të ikja për hir të fëmijëve.

I pari që erdhi në jetë ishte djali. Quhet Arsen. Arseni ka qenë prezent në sjelljet e të atit.

Ardit Gjebrea: Si e jetonte këtë sjelljen e babait ndaj nënës së tij?

Lisaveta: Ai e jetonte shumë keq Ardit. Kohët e fundit ai po rritej po kuptonte më shumë. Sa herë vinte i ati nga puna, ai mbulonte kokën, bënte sikur po flinte. O ma erdhi babi më thoshte, mos i thuaj që unë jam zgjuar. Sepse nuk e duroj dot thoshte kur bërtet. Dhe nga mësimet, ra. Ka qenë nxënës shumë i mirë.

Pastaj erdhi edhe vajza në jetë, fëmija i dytë. Prapë mendova se gjërat do të rregulloheshin, me ardhjen e fëmijës së dytë, por ndodhi e kundërta. Gjërat u përkeqsuan.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ti vendose të ndahesh?

Lisaveta: Ka qenë një moment, kur ky më ka përzënë në orën 10.30 të darkës, sepse unë kisha lyer flokët pa lejen e atij. Dhe vjen fillon konfliktet dhe debatet.

Pse ke lyer flokët, kush të dha leje, pa më thënë mua, pa lejen time. I thashë që bojën ma ka blerë djali dhe më tha “ma nuk ti shoh dot flokët pa lyer, dua që t’i lyesh”. Dhe unë për t’i plotësuar dëshirën djalit, i leva.

Ai ishte mësuar që unë t’i merrja leje për çdo gjë atij. Më thotë mua zhduku shporru dhe i merr të gjitha rrobat që më kishte blerë ai, i hedh nga dritarja. Më thotë zhduku tani, me gjithë fëmijët e tu, më tha. Unë u largova të nesërmen në mëngjes, mora fëmijët dhe rrobat e mia.

Por ai dërgonte nënën të më lutej. Më lutej që unë të kthehesha. I dhashë edhe një mundësi. Por torturat vazhdonin. Ika përsëri dhe pas shumë mundimesh arrita të marr fëmijët me vete, pasi familja e tij nuk më lejonte. Gjykata m’i dha në kujdestari të përkohshme derisa divorci përfundoi.

Ardit Gjebrea: Më trego pak, për çfarë e ke thirrur motrën sot?

Lisaveta: Motrën e kam thirrur, sepse ajo ishte mbështetja ime më e madhe. Ajo është një përkrahje qoftë shpirtërore, qoftë morale. Ajo ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për mua, dhe unë dua ta falënderoj shumë, sepse nëse unë jam kjo që jam sot, vjen vetëm falë saj.

Unë u zhvendosa në Durrës. Fillimet ishin të vështira, por motra dhe familja e saj më ndihmonin shumë.

Mesazhi në studio: E dashur motër, të falendëroj që ti ke ardhur këtu sot, dhe dua të të falënderoj me gjithë shpirt, për gjithçka që ti ke bërë për mua. Ty edhe familjen tënde, sepse keni qenë një mbështetje shumë e madhe për mua, në momentet më të vështira të jetës sime.

Unë sot kisha ftuar edhe burrin tënd, Shkëlqimin, për ta falënderuar edhe atë. Doja t’i thoja edhe diçka tjetër, që ai të vijë më shpesh në shtëpinë timë. Ai është distancuar. Kjo ndoshta edhe për shkak të paragjykimeve të shumta. Do t’i kërkoja që edhe të të lejonte ty të vije pak më shpesh, dhe fëmijët në shtëpinë time. Ju e dini që unë vetëm juve ju kam.

Motra e Lisavetës, Dashurie: Të premtoj që do të bëj më shumë se ç’kam bërë. Do të të ndihmoj me aq sa mundësi kam, besoj se do t’ia dalim.

Lisaveta: Unë dua vetëm prezencën tuaj, asgjë tjetër.
Mes shumë emocionesh Dashuria i premton motrës që do ta ketë gjithmonë mbështetjen e saj.

“Dil nga vallja, do të hedh nga kati i 2”, Lisa tregon torturat: Burri dyshonte për… Read More »

Cfare i ndodh organizmit nese gelltit camcakez – Zbuloni te vertetat

Çamçakëzi nuk është bërë për t’u ngrënë, por ka shumë njerëz që kanë gëlltitur një të tillë, kryesisht pa dashje.

Paralajmërimi nga më të rriturit ka qenë gjithnjë i njëjtë: “ Po gëlltite çamçakëz të ngjiten zorrët.”

Të jetë e vërtetë vallë?

Këtë e zbulojmë në rreshtat e mëposhtme në këtë artikull .

Mesa duket, çamçakëzi ndjek të njëjtin rrugëtim si çdo ushqim ose pije tjetër.

Megjithatë ai është shumë i vështirë për t’u tretur.

Gëlltitja e çamçakëzit sigurisht që e vështirëson punën e stomakut.

Por, sistemi tretës i njeriut është shumë i fortë.

Nëse ia del të tresë një biftek apo bërxollë derri apo viçi, atëherë me siguri mundet të përballojë edhe një çamçakëz. Por jo pa vështirësi.

A Ngjitet Çamçakëzi Në Muret e Stomakut?

Stomaku ka lëvizjet e veta, acidet dhe enzimat që shpërbëjnë çdo ushqim që futet brenda.  Megjithatë çamçakizi nuk tretet plotësisht për shkak të përbërjes kimike.

Shumë njerëz kanë besuar me të vërtetë se çamçakëzi ngjitet në muret e stomakut në të njëjtën mënyrë si në dërrasën e bankës.

E vërteta është sipas mjekëve, që me trupin e njeriut ajo që futet brenda do të dalë jashtë patjetër.

Koha se kur ndodh kjo është diçka tjetër sepse sistemi tretës është i ndryshëm në çdo njeri.

Mjekë që kryejnë ekzaminime shprehen se nuk kanë arritur asnjëherë të gjejnë çamçakëz që ka qëndruar më shumë se një javë në zorrë ose në stomak.

Ata e krahasojnë çamçakëzin me çdo substancë tjetër ngjitëse që gjithësesi del nga trupi e patretur.

Përse Nuk Duhet Të Gëlltisim Çamçakëz

Përtypja e çamçakëzit nuk ka asnjë vlerë ushqimore ndaj eskpertët më në zë të mjekësisë janë të mendimit se duhet treguar kujdes.

Nëse gëlltisni një çamçakës, mund edhe të mbyteni, pasi mund t’ju kalojë keq, thonë ekspertët duke rekomanduar hedhjen e tij sapo shija humbet.

Cfare i ndodh organizmit nese gelltit camcakez – Zbuloni te vertetat Read More »

Buka me ullinj,kryevepra e shijes.Si ta beni vete

Kjo është receta fantastike e bukës së përgatitur në shtëpi me ullinj, erëza e hudhër.

Një shije mahnitëse që shoqëron e i shton lezetin çdo gatimi po aq sa të kënaq nepsin e oreksin duke e ngrënë edhe thjeshtë pa asnjë ushqim tjetër shtesë.

E ngrohtë, pak krokante nga jashtë dhe e butë brenda, buka me ullinj është ndër gatimet më të shijshme për të shoqëruar të gjitha vaktet, sidomos drekën e darkën.

Ata që kanë provuar të pjekin bukë në shtëpi, nuk kanë hequr më dorë prej saj.

Recetat e bukës së bërë në shtëpi janë të shumta dhe tepër të shijshme.

 

Buka e Pjekur me Ullinj

Buka me ullinj të zinj është një recetë tipike mesdhetare.

Ajo është shumë e shijshme, sidomos për ata që preferojnë ullinjtë.

Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe ka nevojë për pak përbërës.

Përbërësit:

3 filxhanë me miell gruri

2 lugë çaji me maja buke

Kripë

Pak sheqer

Një lugë e gjysëm çaji me hudhër pluhur

1 lugë çaji me erëza (piper, rigon, rozmarinë)

Gjysëm filxhani me ullinj

3 lugë gjelle me vaj ulliri

1 filxhan e gjysëm me ujë të ngrohtë

1 lugë gjelle me miell misri.

Udhëzimet

Në një enë të madhe përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën, hudhrën, erëzat, ullinjtë e zinj, vajin e ullirit dhe ujin.

Përziejini mirë dhe më pas transferojeni brumin në një sipërfaqe të sheshtë.

Punojeni brumin me duar për 5-10 minuta dhe lëreni të vijë për 45 minuta deri sa të dyfishohet në masë.

Pasi të ketë ardhur brumi, punojeni sërish për 5 deri në 10 minuta dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Më pas, punojeni sërish dhe jepini brumit një formë rrumbullake.

Mbështilleni me një napë të lyer me miell dhe dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.

Teksa brumi fryhet për të tretën herë, ndizeni furrën dhe në të vendosni një tenxhere të vogël me ujë.

Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtas me vaj ulliri dhe me miell misri.

Jepini brumit formën e preferuar dhe futeni në furrë.

AgroWeb.org u sugjeron ta piqni për 15 minuta në temperaturë prej 250 gradësh dhe më pas 30 minuta të tjera në temperaturë 180 gradësh deri sa të piqet plotësisht.

Buka me ullinj,kryevepra e shijes.Si ta beni vete Read More »

Farat e mandarines : Pse cmohen nga mjekesia popullore

Mandarinat janë ndër agrumet më të preferuara në vendin tonë, madje edhe prodhimtaria është e lartë.

Ato konsiderohen një thesar vlerash, sepse ofrojnë shumë vitaminë C, folat dhe beta karoten.

Për më tepër, konsumi i mandarinave ndihmon në parandalimin e diabetit, ishemisë e shumë sëmundjeve të tjera.

Përveç frutit dhe lëkurës, farat e kësaj agrumeje konsiderohen të shkëlqyera për shëndetin.

Farat e Mandarinave dhe vlerat potenciale

Antioksidantët

Mandarinat dhe farat e tyre përmbajnë shumë antioksidantë, të cilat ju mbrojnë kundër radikaleve të lira.

Këto të fundit prodhohen nga trupi si kundërpërgjigje e ndotjes, radiacionit, tymit të duhanit, etj.

Radikalet e lira dëmtojnë qelizat dhe i çelin rrugën një sërë sëmundjesh.

Polifenolët

Polifenolët janë antioksidantë të fuqishëm.

Studimet shkencore për sasinë e polifenolëve në agrumet dhe farat e tyre kanë treguar se mandarinat dhe farat e tyre kanë sasinë më të madhe të polifenolëve në krahasim me agrumet e tjera.

Limonoidët

Limonoidët janë përbërës që gjenden tek farat, lëkura dhe fruti.

Këto substance pengojnë formimin e qelizave kancerogjene.

Limonoidët tek farat ulin edhe kolesterolin e keq.

Farat e Mandarinave në Mjekësinë Popullore 

Ekspertët e mjekësisë tradicionale përdorin farat e thata të mandarinës për të rregulluar energjinë trupore dhe larguar dhimbjet e organizmit.

Ata shprehen se farat e thata përdoren dhe janë efikase kundër hernies diskale.

Mjekët popullorë përdorin zakonisht fara të thata e të bluara.

Niveli i Toksinave tek Farat e Mandarinave

Megjithatë në shumë vende, farat e mandarinës nuk kanë gjetur përdorim të njëjtë dhe mjekët kanë rekomanduar kujdes.

Në vendet perëndimore, shkencëtarët besojnë se farat e agrumeve siç janë portokallet, qitro, limonët, limonët jeshilë dhe mandarinat përmbajnë sasi të vogla toksinash.

Megjithatë farat e një fruti të vetëm nuk përmbajnë mjaftueshëm toksina sa të shkaktojnë dëm në organizëm.

Farat e mandarines : Pse cmohen nga mjekesia popullore Read More »

Supe krem me bizele : Shije e lehte plot shendet

Bizelet janë ndër perimet e para që njeriu ka kultivuar në tokë. Kjo besohet të ketë ndodhur mijëra vite më parë.

Asokohe, njerëzit i konsumonin bizelet të thata, deri sa arritën në konkluzionin se kokrrat e gjelbra mund të haheshin edhe të freskëta.

Jo më kot, bizelet konsiderohen si një prej ushqimeve më të shëndetshme në botë. Recetat për gatimin e bizeleve janë të larmishme.

Një prej këtyre recetave është ajo e supës kremoze e cila është ideale për këtë stinë gripi dhe virozash.

Përgatitja e Supës Krem me Bizele

Përbërësit

Një lugë gjelle me vaj ulliri

Një qepë të madhe të grirë hollë

2 filxhanë me lëng pule ose perimesh pa kripë

Gjysëm luge çaji me kripë

Piper të Zi

300 gramë bizele

4 lugë çaji me kos

1 patate mesatare

Përgatitja

Merrni një tenxhere të madhe dhe vendoseni në zjarr. Shtoni vajin e ullirit dhe më pas qepët.

Kavërdisini në zjarr mesatar për pesë minuta. Shtoni patatet, lëngun e pulës ose të perimeve, kripën dhe piperin.

Lërini të ziejnë deri sa patatet të jenë zbutur tërësisht. Më pas shtoni bizelet dhe lërini të ziejnë për 5-7 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak. Më pas transferojeni supën në një mikser.

Nëse keni mikser të madh mund ta përpunoni në një herë të vetme. Nëse mikseri është i vogël, përpunimin mund ta bëni në dy herë.

Pasi supa të jetë bërë tërësisht kremoze, hidheni sërish në tenxhere. Lëreni të marrë një valë dhe shtoni kosin.

Patatja dhe kosi i japin supës trashësinë e duhur. Sipas preferencës mund të shtoni sërish pak piper, majdanoz dhe lëng limoni.

Nëse bizelet zihen së bashku me qepën dhe kanellën, mund të transformohen në një shije edhe më të veçantë.

Vlerat Ushqyese Të Bizeleve 

Bizelet janë një burim i shkëlqyer i vitaminës K, manganit, fibrës dietike, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.

Kokrrat e gjelbra përmbajnë gjithashtu vitaminë B6, niacinë, vitaminë B2, zink, proteinë, magnez, hekur dhe kalium.

Bizelet e ushqejnë sistemin imunitar me vitamina.

Një filxhan me bizele të njoma përmban 58 miligramë vitaminë C, duke plotësuar 65% të dozës ditore të nevojshme për meshkujt dhe 77 përqind për femrat.

Kjo do të thotë se një racion me bizele përmban të njëjtën sasi të vitaminës C që merren tek dy mollë dhe më shumë fibër se një fetë buke integrale.

Supe krem me bizele : Shije e lehte plot shendet Read More »