Aurora

Xhensila feston ditëlindjen, urimi emocionues i Bes Kallakut

Këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj feston sot ditëlindjen.

Në 25-vjetorin e saj të lindjes, nuk mund të mungonte urimi i bashkëshortit të saj Bes Kallaku.

Aktori i humorit i ka postuar një dedikim emocionues në Instagram.

“Urime ditëlindjen e bukura, e mira, e ëmbla, ditët e mia, jeta dhe familja ime që pres. Të dua”-shkruan Besi.

Xhensila dhe Bes Kallaku vetëm pak javë më parë konfimuan lajmin se janë në pritje të një fëmije.

Këngëtarja ka lënë të nënkuptohet se do të sjellë në jetë një vajzë.

Xhensila feston ditëlindjen, urimi emocionues i Bes Kallakut Read More »

Flet profesorja amerikane e arrestuar nga policia

Pasditen e 2 prillit, profesorja amerikane Lori Amy dhe një koleg i saj shqiptar, u arrestuan nga policia shqiptare dhe u mbajtën në paraburgim për 7 orë, pa pasur mundësi të flisnin me avokat apo përkthyes.

Lory Amy jeton aktualisht në Shqipëri pasi po studion efektet traumatike të krimeve të komunizmit në shoqërinë bashkëkohore shqiptare.

Amy dhe kolegu i saj janë paditur nga policia shqiptare sipas nenit 242 të Kodit Penal për “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe nenit 293 “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Policia e ka referuar rastin e tyre në prokurori.

Ngjarja, pas së cilës Amy dhe kolegu i saj u arrestuan, ndodhi gjatë protestës së qytetarëve dhe familjarëve të të arrestuarve nga Kukësi, përpara Drejtorisë së Policisë. (19 persona u arrestuan në natën e 31 marsit pas protestës në aksin Milot-Morinë kundër vënies së tarifave për kalimin e këtij aksi. Qytetarë e familjarë të të burgosurve që prej 1 prillit po protestojnë për lirimin e të burgosurve.)

Exit.al foli me Profesore Amyn në datë 3 prill. Ajo e shpjegoi përvojën e saj:

“Ne ishim duke shkuar për të protestuar para stacionit të policisë në Rrugën “Sami Frashëri”, kur pamë se disa makina ishin bllokuar në rrugë për shkak të protestës. Ishte një situatë shumë e rrezikshme: kishte makina duke u përpjekur të ktheheshin dhe njerëz të shqetësuar që po protestonin.

Ne shkuam te një oficer policie dhe i thamë të shkojë tek kryqëzimi i rrugës me lumin Lana dhe t’u tregojë njerëzve se rruga është e bllokuar. Oficeri i policisë na tha se nuk mund ta bënte këtë sepse nuk kishte marrë asnjë urdhër. Kështu shkuam tek një tjetër polic afër kryqëzimit dhe i kërkuam të njëjtën gjë. Nuk na u përgjigj njeri. Më nisëm t’i tregonim vetë shoferëve në kryqëzim se rruga ishte bllokuar. Shoferët ishin të kënaqur që po i njoftonim.

Pastaj erdhi një grup prej tre policësh dhe ne menduam se ata do të na ndihmonin. Ata na thanë: “Faleminderit për ndihmën, por tani do ta marrim ne përsipër situatën”. Kështu, lamë kryqëzimin dhe shkuam të merrnim një kafe. Më pas vumë re, se policia ende po lejonte makinat të hynin në rrugë. U kthyem dhe pyetëm se çfarë po ndodhte. Policët thanë: “Ne kemi marrë urdhr për të mos devijuar trafikun sepse kjo lloj proteste [përpara stacionit të policisë] është e paligjshme”.

Me fjalë të tjera, për shkak se policia e gjykonte protestën të paligjshme, ajo nuk pranoi të mbronte sigurinë e qytetarëve, si të atyre që ngisnin makinat në një rrugë të bllokuar, ashtu dhe të atyre që protestonin.

“Më pas ata na akuzuan për bllokimin e rrugës, megjithëse vetëm i kemi dhënë shoferëve informacion se rruga Sami Frashëri është bllokuar!” vazhdoi rrëfimin zonja Amy.

“Dymbëdhjetë oficerë policie na rrethuan dhe na thanë që të mos u tregonim njerëzve se rruga ishte bllokuar, veprim të cilin e refuzova. Kishte disa oficerë policie, të cilët e njihnin të kaluarën komuniste, dhe qartësisht ishin në konflikt me urdhrat e dhëna. Ata donin të mbronin sigurinë e qytetarëve, por nuk kishin marrë urdhër për ta bërë. Kjo tregon se ne kemi disa njerez të mirë në forcat e policisë, të cilët ndihen të dyzuar sepse e dinë çfarë është moralisht e drejtë, por kanë urdhra për të bërë diçka që është kundër ndërgjegjes së tyre.

Meqë unë nuk pranova të mos njoftojë shoferët se rruga është e bllokuar, policët na thanë se ne duhej të shkonim në stacionin e policisë për të “dhënë informacion”. Ata thanë se nuk isha e arrestuar, por ata gjithashtu nuk më thanë se për çfarë e donin këtë “informacion”. Policët e detyruan kolegun tim të hipte në një makinë policie dhe e lidhën me pranga, e pastaj dhe unë u dorëzova. I pyeta: “A jam duke u arrestuar?”, dhe ata thanë “Jo” Asnjë shpjegim, asnjë informacion rreth asaj që po ndodhte.”

Në stacionin e policisë, rreth orës 15:00, Lory Amyt iu sekuestrua laptopi dhe celulari. Atë e futën në qeli dhe nuk i dhanë mundësi për të folur me avokat apo përkthyes, sepse ajo nuk pranoi të dorëzonte dokumentet e saj. Ajo gjithashtu nuk pranoi t’i jepte deklaratë policisë:

“Nuk e kisha idenë se si do ta përkthenin atë që do t’i thoja, dhe cila do të ishte vlera ligjore e një deklarate të tillë. Ishte situatë aq e çuditshme! Unë vazhdoja t’i pyesja: “A jam nën arrest?”, dhe ata sërish më thanë “Jo”. “Por pse atëherë,” pyeta, ” jam në një qeli burgu me derën e mbyllur? Unë nuk jam nën arrest, por nuk jam e lirë të iki. Çfarë do të thotë kjo?”

Profesore Lory Amy dhe kolegu i saj u liruan dhe dolën nga komisariati i policisë rreth orës 22:30. Lory Amy këmbëngul që ngjarjet e asaj dite duhet të konsiderohen veçmas nga protesta “jashtëzakonisht e rëndësishme” në Kukës:

“Ne duhet të ndajmë dy raste specifike. Protesta në Kukës, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, është një gjë, për të cilën unë kam shumë respekt. Situata jonë është një tjetër. Kjo ka të bëjë me rrezikun e sigurisë publike. Unë thjesht nuk mund të largohesha kur njerëzit po hynin në rrugë në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme që i vinte njerëzit dhe jetën e tyre në rrezik. Si rezultat unë kam shkelur dy nene të Kodit Penal.

Në një moment rreziku të sigurisë publike, përgjegjësia e çdo qytetari është të veprojë për atë që është e drejtë. Nëse nuk kemi ndërgjegjen morale për të vepruar për atë që është e drejtë përballë një urdhri që na thotë të bëjmë atë që është e gabuar, atëherë ne kthehemi në bashkëpunëtor të strukturava të dhunës që vazhdojnë të na plagosin

Flet profesorja amerikane e arrestuar nga policia Read More »

Atentat shqiptarit në Greqi, i riu qëllohet me armë zjarri në mes të rrugës

Një shqiptar ka mbetur i plagosur mëngjesin e sotëm në Agios Panteleimon, pasi është qëlluar me armë zjarri.

Sipas të pranishmëve në vendngjarje, një person i është afruar 35-vjeçarit shqiptar, dhe e ka qëlluar me armë në mes të rrugës.

Ende nuk bëhet i ditur identiteti i shqiptarit, i cili është dërguar menjëherë në spital.

Autori i plagosjes u largua menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.

Atentat shqiptarit në Greqi, i riu qëllohet me armë zjarri në mes të rrugës Read More »

Azil në Spanjë? Punë dhe strehim për familjet me fëmijë

Ndonëse Britania, Gjermania dhe Franca kanë parë milion azilantë, kryebashkiaku i Portell, një fshat spanjoll ka dalë me një zgjidhje origjinale për të evituar që shkolla e fshatit të mos mbyllet për shkak të mungesës së nxënësve.

Ai planifikon t’i ofrojë familjeve me fëmijë një vend pune dhe strehim me qira për 50 euro në muaj, në këmbim të vendosjes në Portell, një fshat në Spanjën lindore.

“Ne u takuam me bordin e shkollës në janar, para se të fillojë semestri i dytë dhe kishte në total 7 nxënës. Vitin e ardhshëm do të ishin vetëm katër dhe ishin dy motra dhe dy vëllezër. Mësimi do të ishte monoton, duhet më shumë diversitet”, thotë kryebashkiaku Alvaro Ferrer.

Duke folur për familjet e përzgjedhura, Ferrer thotë se ato do të ishin zgjidhje nëse vendosin të qëndrojnë në Portell. Sidoqoftë, ai thotë se i ka ruajtur të dhënat e kandidatëve të tjerë, në rast se nuk funksionon me familjet e përzgjedhura.

Provinca e Castellon, ku edhe ndodhet Portell, vuan nga depopullimi. Sipas të dhënave rajonale, 86% e komunave të saj kanë më pak se 5 mijë banorë dhe 19 prej tyre, më pak se 100 banorë.

Azil në Spanjë? Punë dhe strehim për familjet me fëmijë Read More »

Atentati ndaj Artan Cukut, i arrestuari Mikel Shallari merr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë

I dyshuari si atentator i Artan Cukut, Mikel Shallari merr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë

Shallari aktualisht është i vetmi i arrestuar lidhur me atentatin ndaj ish komisarit të policisë, Artan Cuku.

Ndërkohë nga hetimet ka rezultuar se porositësit e vrasjes janë persona që ndodhen jashtë Shqipërisë.

Dosja e hetimeve të ndjekura nga prokurori Henrik Ligori janë drejt fundit.

Ish drejtori i Policisë së  Vlorës Artan Çuku u ekzekutua  me armë zjarri rreth orës 20:45 (8 prill 2017) në zonën e njohur si “Rruga e Kosovarëve” në Tiranë.  Ekzekutimi, i cili mendohet se është kryer nga 2 autorë  ka ndodhur në hyrjen e pallatit ku Çuku banonte.

Pista e hetimit e ekzekutimit mafioz është ajo për shkak të detyrës.

Vijon …

Atentati ndaj Artan Cukut, i arrestuari Mikel Shallari merr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Read More »

Trileçe ëmbëlsi e parezistueshme – Si ta përgatisni

Një ëmbëlsirë klasike e lehtë, shumë e dashur për shqiptarët, gosti fisnike për miqtë, fantastike për festat është Trileçe.

Është një ëmbëlsirë plot finesë, e thjeshtë në përgatitje dhe me pak përbërës por shija e saj është unike. Aq sa vështirë se mund t’i rezistosh.

Shoqërohet në një mënyrë fantastike me çajra të ndryshëm të ndryshëm por mbi të gjitha ëmbëlsira perfekte për të mbyllur me shijen më të mirë drekat apo darkat familjare.

Trileçe është ëmbëlsira perfekte për të ëmbëlsuar shpirtin dhe organizmin në çdo orë të ditës.

Me shijen e saj të kombinuar mes qumështit e krem karamelit kjo ëmbëlsirë është mahnitëse dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë.

Më poshtë  keni një recetë fantastike të përgatitjes së trileçes në shtëpi, një mënyrë e lehtë për të ëmbëlsuar familjen apo të dashurit tuaj.
Si të përgatisim Trileçen në shtëpi
Përbërësit
1 l qumësht

500 ml krem qumështi (krem pana)

10 kokrra vezë

10 lugë gjellë sheqer

10 lugë miell

350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)

300 ml karamel (gjeni në supermarkete)
Përgatitja e pandispanjës
Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.

Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.

Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.

I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.

Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.

Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.

Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.

E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.
Përgatitja e Qumështit
Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.

I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.

Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.

Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.

E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.

Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm.

Trileçe ëmbëlsi e parezistueshme – Si ta përgatisni Read More »

Luani i zemrës – Bima mbrojtëse e jetës

Që në lashtësi, luani i zemrës është përdorur për të trajtuar rrahjet e çrregullta të zemrës të shkaktuara nga ankthi.

Grekët dhe Romakët e lashtë e vlerësonin luanin e zemrës sepse besonin që ai i shëronte nga shqetësimet fizike dhe emocionale të zemrës.

Emri botanik i luanit të zemrës është Leonurus cardiaca dhe përshkruan më së miri paraqitjen dhe përdorimin mjekësor të kësaj bime.

Leonurus do të thotë “bishti i luanit” sepse shumë njerëz mendonin se gjethet e bimës i ngjanin bishtit të luanit. “Cardiaca” do të thotë “për zemrën.”

Në Shqipëri, kjo bimë rritet e egër në natyrë.

Njerëzve u duket si një barishte e zakontë, por ata që sigurojnë të ardhura falë bimëve mjekësore, e konsiderojnë veten me fat kur e gjejnë luanin e zemrës, pasi ia dinë mjaft mirë vlerat.
Vlerat shëndetësore të luanit të zemrës
Substanca alkaloid lenourine që gjendet tek luani i zemrës qetëson muskujt dhe parandalon mpiksjen e gjakut. Ajo ul tensionin e gjakut dhe largon yndyrnat prej tij.

Disa prej vlerave më të shquara shëndetësore të luanit të zemrës janë :
Përdoret për kurimin e problemeve me zemrën

Aftësitë diuretike të luanit të zemrës shmangin kalcifikimin e arterieve dhe ulin hipertensionin. Luani i zemrës ul tensionin e gjakut sepse ka vitaminat A dhe C.

Ai përdoret edhe për të trajtuar sëmundjet kardiovaskulare, ul ritmet e larta të rrahjeve të zemrës, çrregullimet me zemrën dhe ul rrezikun e mpiksjes së gjakut.

Kjo bimë ul rrahjet e çrregullta të zemrës të shkaktuara nga stresi, tensioni apo ankthi.

Përdorimi i luanit të zemrës për këtë çrregullim është miratuar edhe nga Autoriteti Gjerman i Mjekësisë.

Hipertiroidizimi është një simptomë që shkakton rrahje të çrregullta të zemrës dhe Komisioni Gjerman shprehet se luani i zemrës mund të përdoret edhe kundër kësaj simptome.
Tonik për femrat

Luani i zemrës është një nga tonikët më të mirë bimorë për femrat.

Ka plot vlera për shqetësimet shëndetësore duke përfshirë edhe irritimin nervor.


Çrregullimet e lëkurës

Ekstrakti i luanit të zemrës ndihmon për të trajtuar disa probleme me lëkurën siç janë dermatiti, ekzema dhe kruarjet e tepërta.
Kundër irritimit dhe problemeve me sytë

Luani i zemrës përdoret kundër kruarjeve, problemeve me sytë dhe parandalimin e mpiksjes së gjakut.
Lufton ethet, temperaturën dhe probleme të tjera të frymëmarrjes

Luani i zemrës parandalon ethet dhe temperaturën. Trajton kollën dhe simptomat e bronshitit.
Kundër edemës dhe problemeve me veshkat

Luani i zemrës përmirëson funksionet e veshkave dhe trajton edemën e shkaktuar nga problemet në këtë organ.
Shton oreksin

Luani i zemrës ka një shije të hidhur që nxit tretjen. Ajo duhet kombinuar me disa bimë të tjera aromatike në përgatitjen e një tretësire e cila duhet konsumuar me pika përpara çdo vakti.

Luani i zemrës është i dobishëm edhe kur pihet si çaj.

Shija e hidhur mund të zbutet duke shtuar erëza ose ëmbëlsues. Mjalti është një prej tyre.

Luani i zemrës kombinohet mirë edhe me trëndafilin e egër për përgatitjen e tonikëve të shëndetshëm të zemrës.

Luani i zemrës – Bima mbrojtëse e jetës Read More »

Shmanget tragjedia në Itali, polici shpëton shqiptaren me fëmijën

Është shmangur një tragjedi e vërtetë. Ndërhyrja në kohë nga një punonjës policie ka bërë që të shpëtohet nga vdekja një grua shqiptare, bashkë me fëmijë disa muajsh.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në Komo, Itali.

Siç shkruajnë mediat e vendit fqinj, rreth orës 17:50 minuta të ditës së djeshme, në tentativë për të kaluar, një makinë që drejtohej nga një grua shqiptare 34-vjeçare, kishte mbetur mbi shina.

Fatkeqësisht makina kishte mbetur mes dy barrierave të ngritura, për shkak se po vinte treni.

Situata dukej se do të bëhej e rëndë. Në makinat që ndodheshin duke pritur për të kaluar treni, ndodhej një punonjës policie, por që ishte jashtë orarit të shërbimit.

Duke parë makinën që kishte mbetur mbi shina dhe panikun e gruas, ai menjëherë kishte ndërhyrë. Fillimisht ka njoftuar policinë, që të ndalohej treni, më pas ka nxjerrë nga makina gruan me fëmijën disa muajsh.

Pas këtyre veprimeve polici, kishte nxjerrë dhe makinën nga shinat me qëllim që të mos përplasej. Nga ana tjetër, policia kishe njoftuar në kohë makinistin e trenit i cili kishte ndaluar duke pritur që situata të ishte e sigurtë.

Pas gjithë veprimeve, gruaja shqiptare bashkë me fëmijën shpëtuan e treni kaloi në mënyrë të sigurtë mbi shina.

Shmanget tragjedia në Itali, polici shpëton shqiptaren me fëmijën Read More »