Aurora

Vjen reagimi i Ramës për thirrjet e ekstremistëve grekë:Janë qenie të mjera, çdo popull ka derrat e vetë

Pas funeralit të Kostandino Kaçifas që u shoqërua me thirrje antishqiptare nga ekstremistët grekë që kishin shkuar në Bularat, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.

Në një replikë me qytetarët në rrjetin e tij social Facebook, Rama i konsideron qenie të mjera ekstremistët grekë, të cilët nuk mund të përfaqësojnë një shtet si Greqia.

“Mëso të shkruash shqip njëherë zotrote, se patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, po të duash vendin e gjuhën tënde dhe mos e përdor termin “greku”, se është po kaq e neveritshme sa kur të pagdhendurit si puna jote në anën tjetër, thonë “shqiptari”! Minoriteti grek, njerëzit e mirë të minoritetit e të Bularatit, nuk janë “greku”, po janë qytetarë të respektuar e të pazevendësueshëm të Shqipërisë.

E ti që as emrin s’merret vesh si e ke, rri pa merak se Shqipëria as nuk merret, as nuk cënonet e as nuk trishtohet nga ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba! Janë qenie të mjera që përdhosin të vdekurin që medemek respektojnë dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit të tyre – një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit; një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kanë gjetur grekët strehë tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet”, i është përgjigjur Kryeministri një qytetari në rrjetet sociale.

Vjen reagimi i Ramës për thirrjet e ekstremistëve grekë:Janë qenie të mjera, çdo popull ka derrat e vetë Read More »

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet

Kanë ikur kohët kur buka që blihej ishte e një cilësie aq të mirë sa gjysma e saj konsumohej pa shkuar akoma në shtëpi.
Nuk ka të krahasuar buka e shtëpisë! Ajo të tundon që në momentet kur nis të piqet në furrë kur mbush gjithë shtëpinë me aromën fantastike të saj.

E më pas, e sapo dalë nga furra, e ngrohtë, me pak gjalpë e djathë apo vaj ulliri, kripë e rigon, shija e saj të përfshin tërësisht. Është diçka krejt e natyrshme dhe dashje pa dashje i dorëzohesh pa kushte që në kafshatën e parë.
Megjithatë, në larminë e ofertave që gjejmë sot në treg, njëzëri mund të biem dakord që buka e bërë në shtëpi është më e shëndetshmja dhe më shpërblyesja në kënaqësi dhe vlera.

Të bësh bukë vetë në shtëpi jo vetëm që është më e shëndetshme për stomakun por edhe për portofolin. Kostoja e pjekjes së bukës është më e ulët se një bukë e blerë në furrën e lagjes.

Pse buka e shtëpisë është më e shëndetshme
Sot, buka e blerë përmban shtesa produktesh nga më të ndryshmet, të dukshme dhe të padukshme, duke justifikuar shqetësimin e çdo konsumatori që tashmë nuk e di se çfarë po ha.

Ndonëse qeveritë e ndryshme në botë ushtrojnë kontrolle të imtësishme në përbërësit e industrisë ushqimore, numri i substancave shtesë në ushqime rritet gjithnjë e më shumë.

Syri nuk i sheh këto substanca, por shëndeti ynë vuan pasojat. Industria ushqimore e bën bukën me gjëra shtesë që ajo të rrojë më gjatë. Substanca të tjera përdoren që korja e saj të jetë më krokante apo fermentimi i majasë të përshpejtohet.

Këto shembuj janë të pakët në krahasim me ‘ushtrinë’ e adititivëve që përdoren në gatimin e bukës apo ushqimeve të tjera.

Si gjithmonë, zgjedhja është e konsumatorit. Nëse vendosni të bëni bukën vetë, atëherë është në dorën tuaj se çfarë përbërësish do të ketë ajo.

Në shtëpi, ju mund të gatuani bukë të ndryshme jo vetëm për nga madhësia por edhe përmbajtja. Siç e përmendëm më lart, arsyet për të gatuar bukën vetë në shtëpi janë të shumta. Megjithatë, arsyeja kryesore mbetet shëndeti dhe shija.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë të thjeshtë, të shijshme të bukës së përgatitur në kushtet e shtëpisë.

Si t’a përgatisim në shtëpi
Përbërësit
1 kg miell

300 ml ujë të vakët

200 ml qumësht të vakët

2 lugë maja birre

4 lugë vaj ulliri

2 lugë të vogla kripë

Përgatitja
Në një tas të vogël hedhim majanë dhe e tresim me pak qumësht të vakët dhe e lëmë aty për 15 minuta, në mënyrë që të fermetohet.

Më pas, në një tjetër enë hedhim qumështin e vakët, majanë e fermentuar, vajin e ullirit, ujin e vakët dhe kripën.

I përzjejmë të gjitha bashkë me një lugë dhe nisim të shtojmë gradualisht miellin duke e përzjerë si fillim me lugë e më pas nisim punimin e brumit me dorë. Gjithë sekreti i një buke të mirë shtëpie qendron tek punimi i brumit me duar. Brumi do të jetë gati në momentin që masa do të jetë e fortë, kompakte dhe nuk ngjitet në duar.

Brumin e mbulojmë me një pecetë të pastër. E vendosim në një vend të mbyllur dhe të ngrohtë përreth një orë, në mënyrë që masa të dyfishohet.

Pasi burmi të ketë ardhur, e ndajmë në 12 toptha dhe i vendosim me rradhë në tepsi me letër pjekjeje. I lëmë ashtu edhe për 30 minuta të tjera në një vend të mbyllur. Më pas i fusim në furrë për t’i pjekur.

Para se t’i fusim në furrën e nxehtë, bukën e lyejmë me pak qumësht të vakët të përzier me një lugë vaj ulliri.

I pjekim në 200 gradë përreth 25 minuta derisa buka të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë, të praruar./AgroWeb.org

Buka e shtëpisë – Aromë, shije dhe shëndet Read More »

Kek në tigan – Receta me shije të lehtë dhe butësi delikate

Furra nuk është e domosdoshme për të përgatitur kekun tuaj të preferuar.

Me këtë metodë që AgroWeb.org ju tregon, mund të përgatisni të gjitha llojet e kekëve pa i pjekur në furrë.
Po, e lexuat mirë, një kek që nuk ka nevojë të piqet në furrë, madje ka shijen më të lehtë dhe butësinë më delikate se çdo kek tjetër që keni provuar.

Sekreti qëndron tek përgatitja e tij në tigan. Merrni recetën bazë, e më pas mund të krijoni lloje të pafundme të tij.

Keku në tigan është krejt i lehtë dhe i nevojiten vetëm pak përbërës.

Ideal për çdo rast dhe pa shpenzuar shumë kohë.

Për ta përgatitur ju duhet këto përbërës
3 vezë

150 g sheqer

120 g miell

40 ml qumësht

40 g gjalpë

Përgatitja
Si fillim në një tigan shkrini gjalpin, por AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes të mos e lini të digjet.

Pasi përveç aromës së pakëndshme, krijohen dhe disa kokrriza të zeza të cilat janë jo të shëndetshme.

Kalojeni gjalpin në një tas të vogël dhe lëreni të ftohet pak.

Ndërkohë merrni një tas të madh dhe hidhni aty vezët dhe sheqerin dhe përzjejini me rrahësen elektrike.

Këtë proces mund ta bëni dhe mekanikisht me telin e kuzhinës. Masa duhet të rrihet derisa të marri një ngjyrë të lehtë të verdhë dhe kokrrizat e sheqerit të jenë tretur.

Më pas shtoni miellin duke e kaluar më parë në sitë. Kështu do t’i jepni brumit të kekut më shumë ajër, duke krijuar një brum poroz.

Kur të keni përzjerë të gjithë miellin, shtoni gjalpin e shkrirë dhe në fund qumështin.

Përzjeni përsëri derisa masa të jetë homogjene.

Tiganin ku keni shkrirë gjalpin, hidhini dhe një lugë çaji me gjalpë të shkrirë dhe lyeni mirë sipërfaqen e tij.

Kaloni brumin që përgatitët dhe me ndihmën e një luge përhapeni në të gjithë sipërfaqen e tij.

Ndizni vatrën e sobës me korent dhe vendoseni tiganin duke e mbuluar me një kapak.

AgroWeb.org ju këshillon që të mos përdorni për këtë recetë vatër gazi pasi intensiteti i flakës duhet shumë i ulët.

Pasi të kenë kaluar rreth 30 minuta, hapeni kapakun dhe me nje thikë shponi kekun.

Nëse sipërfaqja e saj del e pastër, atëherë keku është gati.

Keku duhet të hiqet nga tigani në mënyrë që të mos lëshohet dhe nga nxehtësia e tiganit të ngjitet.

Kështu vendosini sipër një pjatë dhe kthejeni atë. Sipërfaqen e kekut mund ta spërkasni me sheqer pluhur, mjaltë apo kakao sipas dëshirës.

Me të njëjtën metodë mund të përgatisni dhe kekun me copëza çokollate, me kakao apo dhe fruta të thata.

Ju ngelet vetëm që ta prisni e ta servirni për familjarët e të dashurit tuaj./AgroWeb.org

Kek në tigan – Receta me shije të lehtë dhe butësi delikate Read More »

Presioni çon konkurrentin në vetëflijim? Renato Mekolli zbulon të vërtetën

Sot ka qarkulluar një lajm i pazakontë rreth spektaklit që drejton shefi i kuzhinës, Renato Mekolli.

Thuhej se një prej konkurrentëve pjesëmarrës në “Hell’s Kitchen” ishte gati të priste damarët për shkak të presionit që ka përjetuar. Renato ka vendosur t’i japë fund këtyre spekulimeve duke zbuluar të vërtetën nëse spektakli do vazhdojë të transmetohet. “Në fakt, e vërteta nuk është kështu.

Me lajmin që ka qarkulluar sot është ekzagjëruar shumë. Në lidhje me programin, asgjë nuk do të ndryshojë. ‘Hell’s Kitchen’ do të vazhdojë me transmetimin e tij ashtu siç ka nisur dhe siç ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve gjatë këtyre javëve”, tha ai pasi u kontakua nga ‘Revista Class’.

Presioni çon konkurrentin në vetëflijim? Renato Mekolli zbulon të vërtetën Read More »

Reagon Shoqata e Çamëria

Shoqata ‘Çamëria’ ka reaguar pas thirrjeve nacionaliste të grekëve gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandino Kacifas në Bularat të Gjirokastrës. Përmes një deklarate, Shoqata Çamëria ngre pyetjen se çfarë do ndodhte nëse në Greqi do brohorasin shqiptarë se “Çamëria është Shqipëri”?.

Shoqata kërkon gjithashtu nga shteti dhe politika të reagojnë ashpër përballë një rasti të paprecedent të rrezikimit të integritetit territorial të Shqipërisë

Reagimi i Shoqatës Çamëria:

Po sikur të marrim flamujtë shqiptarë dhe të shkojmë në Çamëri e të brohorasim të vërtetën “Çamëria është Shqipëri”?

Qendrimi apatrit i të gjithë aparaturës shtetërore është shenja më e qartë se shtetarët shqiptarë s’kanë dinjitet, burrëri, aftësi e mbi të gjitha nuk kanë atdhe.

Lejimi i shpërthimit të “vorioepirotizmit” brenda territorit shqiptar, ku policia dhe diplomacia i bën sehir, vërteton atë që kemi thënë përherë: çdo cedim ndaj Greqisë, çdo varrezë që lejohet, sa herë heshtet për çështjen çame, hap orekset e sëmura të nacionalizmit grek. Shtetarët shqiptarë, po u ka mbetur më e vogla cilësi, sot duhet të reagojnë ashpër, përballë një rasti të paprecedent të rrezikimit të integritetit territorial të Shqipërisë.

Ndaj çdo deklarate qesharake të këtyre apatridëve që duan të relativizojnë ngjarjen, ne i pyesim: Po sikur të marrim flamujtë shqiptarë dhe të shkojmë në Çamëri e të brohorasim të vërtetën “Çamëria është Shqipëri”? Do na mbështesni? Apo do i bëni fresk “vorioepirit” të injorancës suaj?.BW

Reagon Shoqata e Çamëria Read More »

Peshkatari nga Suhareka kap një peshk 10 kilogramësh

Peshkimi është njëra nga veprimtaritë që njerëzit e bëjnë me shumë dëshirë.
Në Kosovë ka shumë njerëz që merren me peshkim dhe gjithashtu ekzistojnë edhe klube apo grupe të peshkimit. Shpesh kemi parë edhe gara të shumta që zhvillohen nëpër qytete të ndryshme te ne.

Mirëpo, duket se një peshkatar nga Suhareka, ia ka kaluar të gjithëve me peshkun që ai e ka kapur.

I riu suharekas Albert Mamaj ka kapur një peshk të llojit krap, i cili sipas tij peshonte 10 kilogramë. Peshku është kapur në ujërat e Drinit të Bardhë, mirëpo pas fotografisë peshku është lëshuar përsëri në ujë./njekomb

Peshkatari nga Suhareka kap një peshk 10 kilogramësh Read More »

Ja çfarë i ndodh trupit tuaj,nëse hani hudhër me mjaltë për shtatë ditë

Ka një arsye pse gjyshet gjithmonë ju sugjerojnë të hani pak hudhër. Hudhra mund të bëjë mrekulli në shëndetin tuaj!

Shkenca ka filluar të zbulojë atë çfarë gjyshja juaj tashmë e dinte; hudhra mund të forcojë sistemin imun kundër baktereve dhe mund të ndikojë për të mirë në zemrën tuaj.

Një përzierje e re e cila përfshin mjaltë dhe hudhër është bërë hit kohët e fundit online. Shumica prej nesh tashmë e dimë se hudhra është e mirë për ne, por a e keni ditur se ajo mund të kombinohet me mjaltë për përfitime më të mëdha?

Hudhra është e njohur për reduktimin e efekteve të arteriosklerozës, transmeton Gazeta Express. Në një hulumtim të kryer në Los Anxhelos nga Instituti për Hulumtime Biomjekësore ‘Harbor-UCLA’, u gjet se hudhra mund të parandalojë përparimin e sëmundjeve të zemrës.

Hudhra jo vetëm që ju ndihmon në luftimin e sëmundjeve të zemrës, por ajo ju ndihmon gjithashtu edhe në reduktimin e shtypjes së lartë të gjakut.

Kombinimi i mjaltës me hudhër jo vetëm që është i shijshëm, por edhe duket mirë. Mjalti është një produkt që ka treguar se redukton kollën kur merret gjatë gripit. Ta merrni këtë përzierje në mëngjes para gjitha ushqimeve tjera, do t’ju përgatisë për gjithë pjesën tjetër të ditës.

Përfitimet shëndetësore nga hudhra janë të mëdha, poashtu edhe nga mjalti. Nëse i kombinoni këto dyja së bashku do të përgatisni një ‘bombë’ për të gjitha komplikimet shëndetësore që mund t’i keni.

Konsumojeni përzierjen me një lugë mesatare çdo mëngjes, dhe ndjehuni të shëndetshëm gjatë gjithë ditës! /Gazeta Express

Ja çfarë i ndodh trupit tuaj,nëse hani hudhër me mjaltë për shtatë ditë Read More »

Kush e ka ditur se Shqipëria e shekullit gjashtëmbedhjetë ka qenë kaq interesante

Historia, së paku prej kohës së grekëve, është shkruar prej fitimtarëve. Mund të thuhet se vetëm krejt së fundi e ashtuquajtura «histori nga poshtë» ka nisur të sfidojë rrëfimet me histori alternative të «humbësve», të atyre njerëzve dhe vendeve që e kishin të shkruar të mos përmendeshin.

Një arkiv i pasur, i lënë në harresë, i jetës së njerëzve të atyre që zakonisht janë humbur në histori, nuk ishte vënë në pah si rezultat i kësaj.

Por çfarë zihet në mes të gjithë kësaj hallakatjeje, diplomatëve, spiunëve, ushtarëve, priftërinjve e përkthyes, që veprojnë si ndërmjetës në drama të mëdha historike të një epoke si ajo e renesancës? Këta njerëz janë çelësi i historisë.

Ata shpeshherë përmenden aty-këtu dhe harrohen papritmas, zërat e tyre humbin në shkretëtirë a në dokumente të shkruara të lënë anash apo në shkrime të koduara në një larushi të pasur gjuhësh.

Në «Agents of Empire» («Agjentë Perandorie», v.j.), Noel Malcolmi ka nxjerrë në pah një element të mrekullueshëm të kombinimit të rrëfimeve të fundit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë të triumfuesve dhe humbësve të Evropës me ato të ndërmjetësuesve të saj, në formën e kalorësve, piratëve dhe spiunëve, që nuk janë shkruar prej perspektivës metropolitane të Romës, Sevillës ose madje Londrës, por prej këndvështrimit të Shqipërisë dhe bregdetit Adriatik, që shtrihet në pjesën jugore nga Kroacia deri në Greqinë moderne.

Mund të mos ta mbushë syrin Shqipëria si vend prej të cilit të shkruash një rrëfim të Mesdheut, ama, siç argumenton Malcolm në këtë vepër mjeshtërore, është kufiri i harruar aty ku takohen Lindja e Perëndimi, myslimanët e të krishterët, italianët e turqit, aty ku u përplasën, e ku nganjëherë luftuan, por më shpesh u munduan të binin në një gojë.

Shqipëria ishte një kufi poroz ku religjioni – prej katolicizmit e protestantizmit e deri në islamizëm e judaizëm – formësoi jetën e njerëzve, por jo me domosdoshmëri të përcaktonte mënyrën e jetesës, dhe ku prosperiteti ose mbijetesa elementare nënkuptonte ndryshimin e vazhdueshëm të aleancave politike, fetare e tregtare që të përmbusheshin nevojat e një bote të sunduar një ditë prej venedikasve e ditën tjetër prej osmanëve.

Duke i bashkuar të gjitha këto qëndrime, Malcolmi i shkon deri në fund jetës së dy familjeve të lidhura shqiptare, Brunëve dhe Brutëve. Rrëfimi i tij nis në qytetin që laget prej Adriatikut, Ulqin në Malin e Zi modern, që në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ishte një prej kufijve të fundit të territorit venedikas që kufizohej me Perandorinë Osmane, dhe seli e tregtarit, diplomatit dhe «ndërmjetësuesit dallaveraxhi», Antonio Bruti.

Lindur më 1518, Bruti kishte krijuar lidhje me botën e «ndërlidhjeve ndërkufitare, ku besimi në persona me lehtësi do të mund të shndërrohej në armiqësi zyrtare», duke vepruar si ndërmjetësues ndërmjet Venedikut dhe Stambollit, duke mbikëqyrur tregtinë vitale të drithërave dhe duke manipuluar një rrjet të ndërlikuar të lidhjeve e aleancave personale osmane-krishtere, që nuk kishin kurrfarë kuptimi kur vinte puna te ndasitë ndërmjet dy kulturave që tradicionalisht karakterizonin njohjen tonë për rilindjen.

Duke shpërblyer besnikërinë dhe arritjet e tij, Dogji i Venedikut e shpalli Brutin kalorës të Urdhrit të Shën Markut më 1559. Ama nuk ishte i vetmi anëtar i klanit që po përfitonte prej një bote jostabile. Edhe anëtarët e tjerë të fisit do të shëtisnin anembanë Italisë, Ballkanin dhe ishujt osmanë gjatë dyzetë viteve në kërkim të përfitimit tregtar, zellit fetar dhe preferencave politike që do t’u sillnin atyre ndikim të madh, që shpeshherë u kushtonte me çmim të tmerrshëm personal.

Njëri prej kunative, Giovanni Bruni, nuk iu nda thirrjes së tij nëpërmjet kishës, duke u ngritur deri në detyrën e Ipeshkvit të Tivarit, duke u konfrontuar me problemin e një dioqeze që po haste në telashe në territorin osman dhe ishte në garë për ringjalljen e bindjeve fetare luteriane dhe të Kishës Greke.

Pozita e Giovannit, si njeri që angazhohej në ballë të frontit kundër «herezive» të përçudnuara të kishës, bëri që ai të fitonte edhe vëmendjen e papatit, që më 1562 e thirri t’i adresohej Këshillit Kundërreformues të Trentit (1545-63), përpjekje e kishës katolike që të vinte shtëpinë e saj nën kontroll dhe t’i kundërpërgjigjej sfidës së protestantizmit.

Derisa Giovanni zbatoi thirrjen fetare, vëllai Gasparo rroku shpatën dhe iu bashkua Kalorësve të Maltës më 1547, tamam atëherë kur sulltani i ri osman, Selimi i Dytë, kërcënonte me një tjetër fushatë detare kundër Maltës dhe interesave spanjolle e venedikase anembanë Mesdheut. Me osmanët që kishin mprehur shpatat për luftë, Ulqini ra në duar të tyre në verën e vitit 1571.

Pushtimi osman ishte katastrofë për shumicën e anëtarëve të familjes: Antonio u vra dhe Giovanni ishte skllavëruar në galerat turke, por Gasparo u bë njeriu i dytë në komandën e aleancës detare të krishterë që konfrontoi flotën osmane në tetorin e vitit 1571.

Në njërin prej momenteve më dramatike të veprës, Malcolmi me gjallëri rikrijon tablonë e Betejës së Lepantos, ku u vra Giovanni, mbase vetëm nja njëqind hapa larg vëllait të tij në bordin e anijes me flamurin papal, edhe pse jo në duar të turqve, por duke u sfiduar me spanjollët plaçkitës, që e kapën teksa ai po përgjërohej: «Jam ipeshkëv, jam i krishter».

Si te rënia e Ulqinit, Lepanto kishte shifra të larta të të vrarëve në mesin e familjeve Bruti dhe Bruni, por disa prej nipave të Gasparos mbijetuan dhe ia dolën të vazhdonin traditën e ndërmjetësuesve Lindje-Perëndim, duke vepruar si dragomanë, dhe menjëherë nisën të paguheshin si spiunë të spanjollëve dhe venedikasve, me ndërmjetësim të marrëveshjeve me vezirin e madh osman (që e kishte dashur fati që të ishte i afërt i tyre), dhe u përfshin në emërimin e Vojvodës (sundimtarit princëror) të shtetit klient osman të Moldavisë.

Më 1592, kur një vojvodë i ri ishte emëruar, Bartolomeo e teproi me kërkesat e tij, dhe ishte dërguar krejt papritur në Dnjester (edhe pse Malcolmi zbulon një dimension tjetër të vrasjes së tij, një rrëfim më prozaik që e lidh atë me bela parash). Xhaxhai i tij, Gasparo, ishte shpërblyer për trimëri në Lepanto me komandë në fund të viteve shtatëdhjetë në shekullin gjashtëmbëdhjetë për të mbrojtur enklavën papale të Avignonit nga një kryeneçësi heretike, kësaj here prej hugenotëve protestantë francezë.

Ai dërgoi të birin, Antonio, në një shkollë jezuite në Romë, ku e trajnoi për drejtësi, dhe kah vitet tetëdhjetë në shekullin gjashtëmbëdhjetë po e ndihmonte kushëririn e tij Bartolomeon të administronte Moldavinë. Ndikimi i klanit madje arriti deri te agjentët e Mbretëreshës Elizabetha e Parë. Edëard Barton, administrator anglez në Stamboll, udhëtoi më 1596 me sulltanin osman, Mehmedi i Dytë përgjatë historisë me dragomanin e tij: Pasquale Bruti, nip i Bartolomeos. Fatkeqësisht, Pasquale pati një fat të ngjashëm me atë të xhaxhait, vrarë prej autoriteteve osmane në Beograd më 1597 me dyshimin se ishte spiun.

Jeta e Brunëve dhe Brutëve, dhe historia që sjellin ata janë më shumë se të rëndësishme, por edhe më të rëndësishme për faktin se kanë elementin kyç të njohurive që na sjell shprushja e kryer prej Malcolmit. Ai kishte hallakatur në dokumente gjithë historinë e Brunëve pothuajse njëzet vite derisa po lexonte një libër italian për shekullin e gjashtëmbëdhjetë të osmanëve.

Kjo kishte nxitur atë të krijonte një rast studimor, duke kërkuar nëpër arkiva prej Mbretërisë së Bashkuar deri në Itali e Ballkan, dhe u përfshi në këshillime me mijëra dorëshkrime e tekste në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase dhe rumune, siç e thotë edhe Malcolmi me modesti, «në gjuhë të ndryshme të Evropës Perëndimore».

Tradicionalisht, rrëfimi i Evropës dhe Mesdheut të shekullit të gjashtëmbëdhjetë është rrëfyer sipas trashëgimisë intelektuale greko-romake, që nënkuptonte se shumica e dijetarëve me pak njohuri të greqishtes dhe latinishtes dinin diçka për rilindjen si fillim që niste diku në perëndim të Stambollit (ose Kostandinopojës) në shekullin pesëmbëdhjetë dhe që mbaronte në Anglinë e Tudorit në fillim të shekullit gjashtëmbëdhjetë.

Vende si territoret osmane në Evropën Lindore, përfshirë Shqipërinë, thjesht nuk konsideroheshin se kishin farë interesi, por as dijetarët nuk kishin njohuritë e nevojshme për të kuptuar thellësinë e minierës së materialit arkivor që gjendej në to. (Madje edhe Malcolmi kërkon falje pse ka vetëm «njohuri elementare të leximit të turqishtes moderne»)

Problemi ishte lënë në hije edhe prej Luftës së Ftohtë, por edhe kur ra Perdja e Hekurt anembanë Evropës Lindore, historianët ishin frenuar që të merreshin me zbardhjen e rolit të vendeve si Polonia dhe Hungaria në rilindjen e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, sepse nuk kishin ide për ndasitë e atëhershme që do të mund të ndikonin në shekujt pasues në Evropë.

Ka shumë pak dijetarë me shkathtësitë gjuhësore dhe vizion historik si Malcolmi, që është një prej arsyeve pse «Agents of Empire» është vepër kaq e rëndësishme. Hapet me vështrime për të ardhmen e kërkimit në zemër të Evropës së renesancës, duke e lëvizur qendrën e gravitetit kohor në lindje dhe larg prej Italisë, pikërisht në kohën kur ngjarjet e fundit në dhe përreth Turqisë mund të provohet se janë vendimtare në fazën e ardhshme të historisë mesdhetare.

Por kini mendjen: dituria e jashtëzakonshme e Malcolmi të mban peng, dhe durimin e lexuesit të thjeshtë mund ta testojnë edhe digresionet e tij të zgjatura për qarkullimin e lajmit, historia e tregtisë së drithërave, pirateria, lufta e galerave dhe spiunazhi. Ky nuk është libër plazhi – veç nëse ia keni mësyrë rivierës shqiptare. Kush e ka ditur se Shqipëria e shekullit gjashtëmbëdhjetë paska qenë kaq interesante?

‘Daily Telegraph’, Nga Jerry Brotton

Kush e ka ditur se Shqipëria e shekullit gjashtëmbedhjetë ka qenë kaq interesante Read More »