Aurora

Shqipëria – Toka e shqiponjave ofron shumë për të gjithë (Foto)

Blogeria e famshme italiane për udhëtimet Marianna Norillo, i ka dedikuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë dhe vendeve turistike të vendit tonë duke sugjeruar eksplorimin e këtij të fundit.

Ajo ka ndarë eksperiencën e saj në vendet që ka vizituar duke dhënë disa sugjerime interesante turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Marianna Norillo e nis shkrimin në blogun e saj për Shqipërinë duke u shprehur se ”toka e shqiponjave me të vërtetë ofron shumë për të gjithë. Unë propozoj një artikull me rreth 10 vendet më të bukura për tu vizituar në Shqipëri të cilat i kam vizituar dhe vet. Zgjidhni atë që ju intrigon më së shumti”, shprehet ajo.

  1. Kruja
    Ndër gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri, nuk mund të mungojë Kruja e heroit kombëtar Skënderbeut, qyteti ku kam vizituar kështjellën me të njëjtin emër dhe pazarin e vjetër. Ky është një qytet i vogël i qetë dhe me vlerë të rëndësishme historike të kalasë, me praninë e muzeut historik “Gjergj Kastrioti”, një itinerar mbi historinë e qytetit të Krujës dhe historisë së Skënderbeut dhe rezistencës së tij kundër osmanëve, ngjarje që kujtohet me krenari nga të gjithë shqiptarët.

  1. Tirana
    Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë gjithashtu meriton të jetë në listën e vendeve më të bukura për të parë në Shqipëri. Dhe jo sepse është madhështorë, emocionues, modern, kozmopolitë, por sepse është një kryeqytet i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Një kryeqytet që nuk kujdeset për tu mbushur me gjëra të padobishme, por dëshiron të paraqitet thjesht për atë që është me të vërtetë. Tirana është një kryeqytet i këndshëm dhe i vërtetë. Për ta çmuar atë, është e nevojshme të shkojmë përtej klisheve dhe konceptit stereotipik të bukurisë. Në këtë mënyrë mund të përshtatesh me bukurinë e saj, një bukuri që tejkalon pamjen.

  1. Berati
    Në listën e asaj që duhet të shohim në Shqipëri duhet të përfshihet Berati, “qyteti me një mijë dritare” trashëgimi e UNESCO-s që nga viti 1992. Për të arritur atje, duhen dy orë për të udhëtuar nga Tirana. Pasi të arrini, përveç një shëtitje në qytetin e vjetër dhe një shëtitje përgjatë lumit Osum, nuk mund të humbisni një vizitë në kala, një nga monumentet më të mëdha historike në Ballkan.

  1. Vlora
    Vlora është një nga vendpushimet më të famshme turistike në bregdetin shqiptar, edhe për shkak se ajo gëzon një klimë vërtet të mrekullueshme gjatë gjithë vitit. Vera është e nxehtë, por edhe në dimër është shumë mirë dhe reshjet janë të rralla: në 365 ditë, të paktën 266 janë me diell, dhe Vlora konsiderohet si një nga qytetet me ditët më me diell në Shqipëri. Nuk është çudi që është një nga destinacionet më popullore për turistët të cilët mund të shijojnë si detin e qetë ashtu edhe plazhin me rërë tipike të Adriatikut dhe ato plazhe shkëmbore tipike të detit Jon.

  1. Zverneci
    Ka një vend shumë të veçantë në periferi të Vlorës që pak e dinë: Ishulli i Zvernecit, i vendosur në mes të lagunës së Nartës. Ai ofron një pamje spektakolare dhe mistike veçanërisht në perëndim të diellit, një pjesë e vogël toke të çon në manastirin ortodoks të Shën Marisë, që daton në shekullin e 13-të dhe 14-të, dhe që i mbijetoi braktisjes së filluar në vitin 1966 pas fushatës së ateizmit të dëshiruar nga diktatura e Hoxhës. Ndër të gjitha gjërat që kam parë në itinerarin tim 5-ditor në Shqipëri, Zvernec është një nga më të bukurit, më besoni,shprehet blogeria Norillo.

  1. Llogaraja
    Shëtitja në Llogara është një kalim i pabesueshëm malor brenda në Parkun Kombëtar me të njëtin emër , është një nga gjërat më të bukura për të parë në Shqipëri. Prej këtu ju mund të shijoni një pamje të jashtëzakonshme të Rivierës Shqiptare, të arritshme në pak minuta një pamje spektakolare dhe panoramike, midis detit dhe malit të Çikës. Gjithashtu në Llogara do të keni një mundësi për të shijuar një ëmbëlsirë shqiptare tipike të kësaj zone, kos me mjaltë dhe arra të grira.

  1. Port Palermo
    Të gjitha vendet e Rivierës Shqiptare janë të bukura. Unë mendoj për plazhin e Dhermiut dhe atë të Himarës, me vendet karakteristike ku mund të pini diçka me pamje nga deti. Një pikë e e veçantë është gjiri i Porto Palermo që më ka lënë pa fjalë aq shumë sa që unë mendoj se kam marrë të paktën 50 fotografi në të njëjtin peizazh. Këtu qëndron kalaja e Ali Pashës, e quajtur në mënyrë të pahijshme kështjellë, të cilën ushtarët italianë që ishin në këtë vend të shkretuar gjatë Luftës së Dytë Botërore e quajtën “Porto Palermo”, në kujtim të portit të njëjtë italian.

  1. Syri i kaltër
    Syri i Kaltër është një parajsë natyrore e bukurisë së rrallë, e mbushur nga turistët dhe e përfshirë në çdo itinerar udhëtimi në Shqipëri. Emri nuk është i rastësishëm, por i referohet formës së burimit që ngjan me një sy të madh ngjyrë blu dhe blu të errët. Unë e pashë atë në fund të një dite të gjatë, paksa me shpejtësi. Nëse keni më shumë kohë, ndaloni ta admironi syrin e kaltër dhe peizazhin përreth.

  1. Saranda

Saranda, një qytet në Shqipërinë jugore, i pasur me histori dhe bukuri natyrore, është ndër më të dashurit nga vendasit dhe turistët e huaj që kalojnë pushimet në plazhet e rërës së bardhë ose gëlqeror, plazhe me ujëra të pastër kristalor dhe marinës magjepsëse me restorantet me pamje nga deti për të kaluar mbrëmjet e ngrohta të verës. Ndër gjërat që duhen parë në Shqipëri, kjo është një nga më të bukurat, atë që vështirë do ta harroni. Më pëlqeu vërtet!

Image result for butrinti

  1. Butrinti
    Një vend tjetër për të parë në Shqipëri është Butrinti, një domosdoshmëri për ta vizituar. Vizita në parkun arkeologjik të Butrintit, një tjetër trashëgimi e madhe e UNESCO-s në Shqipëri, ishte vërtet emocionuese, më besoni jo vetëm për rëndësinë e saj kulturore, historike dhe arkeologjike, por edhe për ambientin romantik dhe poetik . Nëse jeni të interesuar për arkeologjinë ose thjesht dëshironi të përjetoni një mrekulli të vërtetë të Shqipërisë, shkoni atje!/ATSH

Shqipëria – Toka e shqiponjave ofron shumë për të gjithë (Foto) Read More »

Aksident në Kamëz, makina përplas për vdekje këmbësorin

Një aksident me pasojë një të vdekur ka ndodhur para pak minutash në Kamëz. Aksidenti ka ndodhur në rrugën ‘Skëndërbej’, ndërsa mjeti ka përplasur një këmbësor rreth 70 vjeç.

Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e ngjarjes. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet.

Vijon…

Aksident në Kamëz, makina përplas për vdekje këmbësorin Read More »

I dogjën audin 60 mijë eurosh, dyshimet se i riu vlonjat…

Dje në Vlorë u dogj një automjet tip “Audi A7”, në pronësi të Admir Malajt. Ngjarja ndodhi në fshatin Bishan të Novoselës, ndërsa automjeti që u shkrumbua totalisht kap një shifër prej 60 mijë eurosh.

Policia thekson se pronari i automjetit dyshohet se merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Malaj kishte vetëm disa ditë që kishte mbërritur në vendin e tij të lindjes nga Italia, ku edhe jeton prej vitesh, ndërsa automjeti i tij luksoz është djegur plotësisht nga zjarrvënia.

Përveç pistës së hetimit që lidhet me aktivitetin e tij në shtetin italian, po hetohet edhe për ndonjë problematikë të krijuar kohë më parë në fshatin e tij të lindjes.

Sipas Policisë, Malaj nuk rezulton person me precedent penal, megjithatë grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, nuk ka përjashtuar asgjë rreth hetimeve dhe pas dyshimeve se është i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

“Më datë 09.04.2018, në fshatin Bishan ka marrë flakë automjeti tip ‘Audi A7’, në pronësi të shtetasit A.M., të cilin e kishte të parkuar pranë banesës”, bën të ditur Policia.

I dogjën audin 60 mijë eurosh, dyshimet se i riu vlonjat… Read More »

Trafikantët pikasin policinë dhe braktisin çantën me drogë në mes të pyllit në Janinë

Rreth 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë është gjetur mëngjesin e sotme në kufirin Greqi-Shqipëri.

Sipas policisë greke, droga u gjet e futur në një çantë, e cila ishte braktisur në një zonë pyjore në Neohori të Pogonit, në Janinë.

Dyshohet se trafikantët kanë pikasur policinë, dhe janë larguar me shpejtësi duke braktisur drogën.

Pas sekuestrimit të drogës dhe peshimit të saj, ka rezultuar së në çantë kishte ekzaktësisht 19 kg 450 gramë marijuanë.

Sakaq, policia greke po vijon kontrollet në zonë dhe po punon për kapjen e poseduesve të lëndës narkotike.

Trafikantët pikasin policinë dhe braktisin çantën me drogë në mes të pyllit në Janinë Read More »

Biznesi i vogël proteston, reagon Qeveria, Ahmetaj: Më tregoni një çmim të vetëm të rritur!

Ulja e pragut të TVSH-së, Ahmetaj: Fokusi janë bizneset e mëdha – 56% e sipërmarrjes ngelet jashtë skemës
Biznesi i vogël dhe i mesëm do të ulë sot qepenët nga ora 11.00-12.00 për të kundërshtuar futjen në TVSH.

Në një takim me gazetarët, ministri i Financave, Arben Ahmetaj po sqaron vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.

“Nuk ka asnjë tatim të ri, nuk ka asnjë ngarkesë të re, nuk ka asnjë taksë të re. Opozita në qëllimshmëri kërkon të përdorë një masë anti-informaliteti të duhur për të turbulluar ambjentin shqiptar për një masë që që këtë muaj provohet kollaj që është e duhur. Ju ftoj të më tregoni një çmim të rritur në dyqane. Mosrritja e çmimeve është premtim i mbajtur, përkundër rritjes së inflacionit”- theksoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj tregoi dy vendime të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha në protokoll të Ministrisë së Financave të ish-ministrit Ridvan Bode.

“Në vendimin e parë është ulja e pragut të TVSH-së nga 8 milionë lekë në muaj në 5 milionë lekë në muaj xhiro. Në vendimin e dytë të qeverisë Berisha, sipas Ahmetajt, tregohet vendimi i ish-ministrit Bode për ta ulur më tej pragun e TVSH-së për bizneset nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë në muaj”- tha Ahmetaj.

Ministri i Financave ka theksuar se fokusi i punës së ministrisë është biznesi i madh, jo i vogli. Sipas Ahmetaj, kjo reformë nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por ka në fokus saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh. Sipas ministrit, 56% e sipërmarrjes do të ngelet jashtë detyrimit për deklarim, rreth 60 mijë sipërmarrje të vogla me xhiro nën 2 milionë lekë.

“Nuk synohet që biznesi i vogël të jetë gjeneratori i të ardhurave të TVSH-së. Nga bizneset e vogla me TVSH arkëtohen rreth 1 miliard lekë TVSH, kjo përfaqësohen vetëm 0,08% të totalit të TVSH-së të mbledhur nga tatimet dhe doganat. 90,2% e totalit të TVSH-së mblidhet nga biznesi i madh.

Fokusi është te biznesi i madh, është te qartësia e transaksionit për të mbledhur më shumë TVSH nga biznesi i madh. 56% e sipërmarrjes do të ngelet jashtë detyrimit për deklarim, që janë rreth 60 mijë biznese me nën 2 milionë lekë.” – ka sqaruar ministri Arben Ahmetaj.

Ahmetaj dha si shembull rastet e vendeve të ndryshme të Europës, të cilat kishin aplikonin TVSH-në edhe për bizneset e vogla, shpesh me një prag xhiroje më të ulët se Shqipëria.

Biznesi i vogël proteston, reagon Qeveria, Ahmetaj: Më tregoni një çmim të vetëm të rritur! Read More »

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën

Në prill të vitit 1991 në Shqipëri ndodhi një ngjarje që konfirmoi plotësisht rrëzimin e sistemit komunist. Me dekret të presidentit Ramiz Alia u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Njëri prej tyre ishte Bedri Blloshmi, i cili në vitin 1976 u dënua me vdekje për agjitacion e propagandë. Por ndërsa të vëllanë Vilsonin e pushkatuan, atij ia konvertuan dënimin në 25 vjet burg nga të cilat bëri 16 vjet. 27 vjet më pas ai rrëfen për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” momentin e lirimit, kalvarin në burgje por edhe arsyen e madhe përse arrestuan për shkaks e nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Për lirimin e të burgosurve

“Më 27 mars të vitit 1991 ndodhesha në burgun e Burrelit. Më thanë që do lirohesha me kusht. Kjo ishte absurde. Unë bashkë me të burgosurit e tjerë kishim dëgjuar që në Shqipëri kishin ardhur përfaqësue stë Komitetit të Helsinkit dhe ata kishin kërkuar lirmin e të burgsurve politikë, por në fakt nuk besonim te ky lirim.

Kur më thanë që do lirohesha me kusht, nuk pranova. U habitën të gjithë. Më thanë që të ikja, të shkoja në shtëpi. Por si mund të pranoja unë lirimin por me kusht. Kisha bërë 16 vjet burg pa bërë asgjë dhe më kishin pushkatuar vëllanë. Por një i burgosur që i lirua atë ditë, përpara se të shkonte në shtëpinë e vet, shkoi në Tiranë dhe u dorëzoi përfaqësuesve të Helsinkit një letër që ne kishim shkruar se ndodheshim ende në burg.

U bë rrëmijë e madhe. Përfaqësues të Komiteti i Helsinkit ditën tjetër u nisën për në burgun e Burrelit, ndërsa ne që ishim në burg për gjithë natën na transferuan në Qafën e Barit. Kështu që kur ata kontrolluan qelitë nuk gjetën asnjë të burgosur politik.

Më 29 mars më liruan mua. Njeriu i parë që mendova ishte nëna. Ajo ishte njeriu që kishte vuajtur më shumë. Unë 16 vjet në burg dhe Vilsoni u pushkatua pa llogaritur babanë, xhaxhanë e të tjerë. Udhëtova deri në fshatin tim Bërzeshtë të Librazhdit.

Në orën 01.00 të natës mbërrita në shtëpi. Ishte një moment prekës. Rastësisht, edhe pse ishte vonë, dera ishte gjysmë hapur sepse babai dhe vëllai priteshin të ktheheshin nga ara ku punonin. Kur nëna më pa, shtangu dhe menjëherë i ra të fiktë. Thirra me të madhe të më ndihmonin.

Erdhën dy nuset e kushërinjve dhe e përmendëm nënë. Ajo vetëm më puthte dhe më merrte erë. Të dy qamë si fëmijë. Ishte moment prekës. Në fund tha: Ah sikur të ishte edhe Vilsoni! Pak më vonë ika në Greqi. Kur u ktheva ne të burgosurit bëmë disa greva. Mbaj mend se zumë me forcë godinë e shkollës së Partisë këtu në Laprakë. Qeveria e Ylli Bufit na pajisi me viza greke ne nja 100 të dënuar politikë dhe të gjithë bëmë pushime 1 mujore në Greqi, falas.

Oferta për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit

Xhaxhai im i mërzitur më tha se më kërkonin në Degën Ushtarake por sipas tij kjo nuk ishte shenjë e mirë. Unë isha në Berzeshtë dhe sipas fletëthirrjes duhet të paraqitesha për të verifikuar ditët e zborit që bënim në atë kohë. Por sipas xhaxhait kjo ishte shenjë e keqe. Më porositi të qendroja si burrë. Shkova në degën ushtarake dhe prej andej më dërguan në degën e Punëve të Brendshme.

Oficeri që më priti më tha shkoqur. Je i ri, 25 vjeç, e ke jetën përpara. Çdo bësh ti në kooperativë. Që të dalim në temë: Ti do bëhesh bashkëpunëtor i Sigurimit dhe do jetosh mes të mirave në qytetin e Librazhdit. Do kesh para sa të duash, do kesh vajza sa të duash, por vetëm me zor jo. Vetëm ama do na shërbesh ne. Do na tregosh armiqtë e popullit në Berzeshtë dhe më tej. Do ti zbulosh cilët janë. Unë nuk pranova. Ai më tha dy rrugë ke: Ose me Sigurimin, ose në burg. Unë ia ktheva kurrën e kurrës nuk bashkëpunoj. Nuk mund ta bëja këtë gjë ishte një ofertë e ndyrë që unë tu bëja keq njerëzve. Më lanë 24 orë kohë të mendohesha.

Më dërguan në hotel turizmin e Librazhdit. Ishte vatër e Sigurimit atje. Atje bëheshin të gjitha. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Në mëngjes erdhën dhe më morën. Përsëri nuk pranova të bashkëpunoja. Pra mua që më kishin arrestuar dhe dënuar pothuajse të gjithë paraardhësit të bëhesha bashkëpunëtor i tyre?! Ishte e papranueshme. Më futën në burg me akuzën agjitacion porpagandë dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor. Më pas arrestuan dhe vëllanë Vilsonin. Sipas atyre që kam zbuluar im vëlla Vilsoni ndiqej nga 11 bashkëpunëtorë, ndërsa unë nga 3. Në jetë të jetëve nuk do ti fal kurrë ata që më dënuan. Nuk jam hakmarrë por nuk do ti lë kurrë. I kam kërkuar instancave që ata të dënohen por nuk e kanë bërë. Më kanë marrë jetën. Nuk i fal.

Për lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës
11 prilli 1985 ishte dita më e lumtur e jetës sime. Enveri nuk merrte më frymë. Ndodhesha në Spaç. Lajmi mori dhenë dhe vërtetë ne u gëzuam. Na pikasën. Ne festonim, ata më arrestuan sepse kuptuan që ne ishim të gëzuar. Më futën në izolim në qeli dhe atje torturat ishin çnjerëzore. Më lidhën kokë e këmbë dhe më varën në një hekur. Në kokë me vendosën hekura. Unë i rashë murit me kokë dhe me doli gjak. Ky ishte shpëtimi im. Erdhën në zgjidhën dhe më lanë të lidhur në dysheme. Në fakt ata thurën një plan për të më eleminuar. Futën një të dënuar politik për të më vrarë në burg. Por ai më tregoi dhe kështu plani nuk u realizua. Qelitë ishin mizerabël. As nevojat personale nuk na linim ti kryenim. I kryenim në qeli. /Ora News/

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën Read More »

Pse jo lugë metali për mjaltin? Mësoni të vërtetat

Të gjitha këshillat e ekspertëve për konsumin e mjaltit. Këtë ndoshta nuk e dinit, por ka ekspertë që besojnë se disa enzima mirëbërëse tek mjalti shkatërrohen nga kontakti me bakrin dhe hekurin.

Madje këto metale mund të prodhojnë edhe disa kripëra toksike të dëmshme. Ndaj ata janë kundër përdorimit të lugëve metalike për mjaltin. Në këtë mënyrë shmanget ndryshimi i shijes apo transferimi i substancave të padëshiruara metalike. Ky paralajmërim i beftë ngjall habi për vetë faktin se shumica e bletërritësve përdorin mjete inoksi. Kjo që do të thotë se kontakti minimal mes mjaltit dhe lugëve metalike ka shumë pak gjasa të shkaktojë probleme.

Mjetet metalike të përftimit të mjaltit nga bletërritësit janë të inoksiduara prandaj problemi nuk ekziston në prodhim. Të gjithë mund të biem dakord se lugët e drurit janë më të mirat në kuzhinë, por ngrënia e mjaltit me një lugë inoksi, porcelani, qeramike apo plastike nuk duhet t’ju shqetësojë.

Megjithatë, jo të gjitha mjetet e kuzhinës janë inoksi ndaj nëse në etiketën e tyre nuk lexohet një gjë e tillë, atëherë më mirë mos e përdorni për mjaltin.

Nëse keni lugë ose pirunj, sipërfaqja e të cilave ka çarje dhe gërvishjte, këto nuk duhet t’i përdorni për mjaltin, madje për asnjë ushqim tjetër. Të vetmet metale të cilët nuk kanë asnjë lloj problemi me mjaltin janë ari dhe argjendi i pastër. Nëse pjesa e pasme e dorezës së lugëve, pirunjve dhe thikave tuaja shkruan ‘Stainless Steel’ tregon se metali i përdorur është material inoksi.

Ruajtja e mjaltit

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ndaj të cilit duhet të tregojmë kujdes është mënyra se si duhet ruajtur mjalti. Mjalti duhet ruajtur në kavanozë qelqi të mbyllur mirë ose plastikë të një cilësie të lartë.

Kavanozët duhen mbajtur në një vend të errët dhe larg dritës së diellit. Moti i ftohtë dhe ruajtja në kushte frigoriferike mund ta kristalizojë dhe forcojë mjaltin. Rrjedhimisht kjo mënyrë ruajtje mund të shkaktojë humbjen e shijes dhe errësim të ngjyrës.

Klima e ngrohtë dhe kushtet e ambientit ku e ruani mjaltin mund të kenë ndikim të ndjeshëm në ngjyrën e tij. Mjalti mund të marrë një ngjyrë më të errët dhe mund të bëhet më i hollë, duke u rikthyer në gjendjen fillestare të lëngut. Mjalti që forcohet mund të kthehet në gjendjen e mëparshme duke e futur në një enë me ujë të ngrohtë. Por duhet të siguroheni që temperatura e ujit të mos i kalojë 35-37 Gradë Celsius. Parimisht, mjalti duhet ngrohur që të zbutet dhe ftohur që të trashet.

Një tjetër këshillë që ka të bëjë me ruajtjen e mjaltit në kuzhinë. Mos e vendosni në dritare, pranë sobës ose në raftet sipër vendit të gatimit. Kjo për faktin se temperaturat e larta e zhveshin mjaltin nga shija karakteristike.

Pse jo lugë metali për mjaltin? Mësoni të vërtetat Read More »

Regjisori rrëfen skenat e censuruara në filmat para ‘90: Si reagoi Enveri për “Kapedanin”

Të ulesh me një regjisor për të folur për paskuintat e sheshxhirimit, do të thotë të ngrihesh pas disa javësh, prandaj këto që po sjellim më poshtë, merret me mend që janë vetëm copëza të papërfillshme të asaj që ka ndodhur në të vërtetë.

Edhe të donte, regjisori Muharrem Fejzo, apo kushdo që të ishte, nuk do të mund t’i kishte të qarta kujtimet e 60 viteve karrierë. Prandaj, gjatë bisedës me të, u përpoqëm që t’i kujtojmë të gjitha nga pak, duke qëndruar te disa nga filmat e rëndësishëm të punës së tij si regjisor si “Kapedani”, “Montatorja”, dhe filmi i tij i fundit i vitit 1989, “Muri i gjallë”. Po e nisim nga i pari…

“Montatorja” është filmi juaj i parë me aktore kryesore një vajzë, që nuk kishte të bënte me aktrimin… Ashtu ndodhte përgjithësisht atëherë, ne dilnim dhe i gjenim disa prej personazheve duke kërkuar.

“Montatorja” (1970) është filmi im i parë, me të cilin mora pasaportën, ishte me skenar të Dhimitër Xhuvanit dhe me regjinë time. Kisha kohë që i kisha propozuar drejtorit disa skenarë që i kisha shkruar vetë, por nuk më përfillnin sepse unë vija nga një fushë tjetër, grimi, dhe nuk kisha bërë asnjë film dokumentar që të kishin një garanci, dhe me të drejtë nuk më besonin film artistik.

Por duke qenë mik i ngushtë me Endri Kekon, i them atij që të më ndihmonte. Pas kësaj, ai i thotë dhe drejtorit të Kinostudios, Vaskë Aristidhit. Ai më thirri dhe më tha se çfarë po bëja, i thashë që kam një skenar të Dhimitër Xhuvanit dhe doja një kamion dhe një aktor, që të kishte një film me pesë akte. Pas këtij filmi, më besuan më pas “Kapedanin” bashkë me Fehmi Oshafin, “Operacion zjarri”, për të vijuar më pas dhe me filma të tjetër.

Çfarë kujtimesh keni nga “Montatorja”, ngjarje nga ato që ne nuk kemi arritur t’i shohim në ekran?

Aty kanë ndodhur disa ngjarje interesante, por në fakt kjo ishte e zakonshme në çdo film. Duhet të rrish t’i shkruash në momentin që ndodhin gjithë ngjarjet e të qeshurat e sheshxhirimeve, përndryshe humbasin.

Ju keni shkruar gjatë, për secilën prej përvojave, edhe në librin “Të pathënat”

Po, por asnjë libër nuk do të mund t’i mbante të gjitha kujtimet, as unë nuk arrij t’i kujtoj të gjitha. Sidoqoftë, kthehemi te “Montatorja”… Personazhi kryesor, Fatbardha, nuk ishte aktore profesioniste, kështu që kishte pasiguritë e saj gjatë gjithë xhirimeve. Mirëpo, nuk ishte vetëm çështja tek ajo, pati edhe ndërhyrje nga jashtë. Gjatë xhirimeve tona në Pogradec, vajza ishte duke xhiruar, kur ndalon një makinë te këmbët e saj. Ishte një djalosh i nervozuar që i thoshte se pse kishte ikur. E morëm vesh që ishte i fejuari i saj, të cilit nuk i pëlqente që ajo e kishte pranuar rolin pa e pyetur atë. Xhirimet u ndërprenë dhe rifilluam vetëm pasi ndërhyri Saimir Kumbaro, që i thoshte djalit se këto ishin punët e partisë dhe se do të pendohej po t’i prishte. Aty djali, si duket, u tremb dhe u largua. Një episod tjetër ishte skena e dashurisë. Kur Fatbardha duhej të realizonte skenën e dashurisë me Vangjush Furxhi, ishte shumë në siklet sepse nuk dinte si të reagonte, pasi ai t’i shprehte dashurinë. Atëherë bëmë plan-portret dhe e lamë që unë t’i bija te supi në momentin që duhet të ngrinte sytë, pas shprehjes së dashurisë, janë truket e sheshxhirimit…

Pas tij ju bëtë filmin “Kapedani”… Ishte udhëzim partie evidentimi i forcës së gruas, apo zgjedhja juaj?

Jo, ishte e rastësishme në fakt! Pa dyshim, që fryma e kohës ishte e tillë, por nuk pata porosinë e askujt për ta realizuar. Qëlloi që miku im Skënder Plasari kishte këtë skenar prej kohësh dhe askush nuk po e merrte përsipër, nuk ishte e thjeshtë të bëje një komedi. Në një moment, ma propozuan mua bashkë me Fehmi Oshafin dhe të dy e bëmë.

Megjithatë, sikur e ‘tepruat’ pak me komedinë…

“Kapedani” pati dhe vërejtje, sepse skematikët thanë po tallen me një veteran të luftës. Mirëpo, e kishte parë Enver Hoxha dhe kishte buzëqeshur dhe një buzëqeshje e tij atë kohë do të thoshte që filmi ishte i suksesshëm. Ka qenë dhe një tjetër rast te një kolegu ynë, kur erdhi dhe Ramiz Alia, aty isha me Ndrek Lucën, dhe sa më pa, më tha: “Kur do ta bëjmë një tjetër ‘Kapedan’”. Kështu që, ai film mori rrugë dhe arriti që të jetë filmi më familjar për të gjitha familjet shqiptare dhe që qarkulloi në botë. Madje, “Kapedani” është dubluar edhe në Kinë. Nuk ka humor më të madh që të dëgjosh Albert Verrinë apo Nikolin Gjojën që të flasin kinezçe.

Në një mënyrë tjetër, por ka qenë po aq shënjuese edhe Fata, te “Muri i gjallë”… Aty Luiza Xhuvani ishte vërtet shtatzënë. Kujtoni të keni pasur pengesa gjatë xhirimeve, për këtë arsye?

Jo, përkundrazi, në episodet që vinin, barku i Luizës ishte krejtësisht i justifikuar dhe aktorja e ndiente veten të njëjtësuar me rolin mrekullisht. Gjergji, gjasme i shkujdesur, e ndiqte ecurinë e foshnjës që aktronte bashkë me të ëmën me një ngazëllim të fshehur. Disa herë i dhashë të drejtën të xhironte, por ai i bishtnonte kërkesës sime me atë buzëqeshjen e tij të ndrojtur, duke më falënderuar, por nuk mundte.

Ishte rasti kur Fata (Luiza) ulet e lumturuar rrëzë një mullari me bar dhe fërkon barkun, fëmijën e adhuruar. Përlotet… dhe muzika, në këtë rast, do të fliste në vend të saj. U mundova shumë, duke kërkuar dhe i gjeta dy lule fushe nga ato që kanë formën e globit dhe që era ia shpërndan sporet, fekondimin e saj. Ideja ishte pllenimi i luleve dhe njeriut, simboli i vazhdimit të jetës, por askush nuk e pikasi këtë detaj, metaforën. Fundi i shkurtit do të na gjente në pyjet e mrekullueshme të Qafështamës, me valëzim malesh në një kaltërsi të jashtëzakonshme. Do të xhironim “Lindjen e Fatës”.

Qengji që po piqej në hell, ajri i pastër dhe uji i burimeve rrëzë lajthive, e bëri grupin të punonte me përkushtim. …Mëngjes herët. Fata e çmeritur, me një sëpatë në dorë, vrapon pyjeve e zgërbonjave për t’u shpëtuar “kalorësve të zinj”, të cilët kanë shembur murin dhe kanë varur Klaudin (V.Toçe). Papritur, ajo ndalon dhe përkulet nga dhembja. I kanë plasur ujërat. Klithma e saj përhapet në rrjedhat e rrëmbyera të lumit Valbonë… male, pyje e dete. Lëngata e saj. Ajo është e shtrirë midis rrënjëve të një rrapi madhështor. Me sytë e Fatës: vështrimi në panoramën në trungun e një ahu.

Një mahisje e tij ka dukjen e një barku të fryrë me kërthizën në mes. Kamera ngjitet te degët e shumta e më pas kurora e rrapit në një sfond qielli të kaltër me re. Duart e Fatës dërmohen te rrënjët. Sytë e përlotur. Goja e shtrembëruar nga dhimbja. Përtej maleve po lind dielli. (Improvizim: për të mposhtur dhembjen, tehun e sëpatës i them ta vendosë midis dhëmbëve). Klithma e fëmijës. Lindja e diellit. Përbri saj duket spikthi i një luleje mali të sapoçelur. Në një montazh vetëtimë të planeve të njohjes me Gjeton; dashuria e tyre; rrënjët e rrapit; mahisja e të tjera panorama që përfundojnë në një det të qetë, i xhirova pa qenë në skenar. Gjithë këtyre planeve të xhiruara me frymëzim, u ra rrufeja. M’i hoqën. I quajtën efekte moderniste. Lanë vetëm lulen e sapoçelur.

Në këtë film, përpara këtij moment, jeni gjendur në një vështirësi. Aktorja Makoçi është larguar nga xhirimet, është zëvendë- suar me Raimonda Bulkun, çfarë ndodhi?

Ishte një gjë krejt e papritur për mua. që më ka vënë jo pak në vështirësi. Kishin nisur xhirimet, ishin formuar gjërat kur befas na u desh të ndryshonim gjithçka. Nuk pati shumë shpjegime, në fakt, prej saj dhe unë nuk e takova më.

Çfarë ndodhi? Si e zgjidhët?

Xhirimet u ndërprenë. Duheshin ribërë gjithë ato skena me një aktore tjetër. Nuk ishte e lehtë. Ishte një goditje në brinjë të filmit. Një ditë të diel, në shëtitoren e gjerë të qendrës së qytetit, takoj Matildën. Dukej tepër e brengosur. Erdhi e ndrojtur me një fytyrë të vrarë nga pagjumësia dhe me fjalët që i mbeteshin në grykë: -Të më falni, më falni shumë. Nuk arrita dot t’ju njoftoj”, e ndërpreu fjalën e frikësuar, se në drejtim të saj po vinte djali i Kristaqit, shokut tim të liceut, Edi. Me ngut dhe lot në sy, foli e përshpejtuar: -Do të nisem për Greqi.

Kam një hall të madh… të më kuptoni”,-dhe duke i tërhequr zvarrë fjalët e fundit, me lot në sy, u zhduk, e përcjellë nga Edi, i cili në ecje e sipër vazhdonte të na hidhte disa vështrime të ftohta. Kushedi ç’fjalë të tjera gatuheshin në shpirtin e saj. Që nga ajo kohë, më humbi nga sytë, deri sot e kësaj dite. Punë e tyre. Filluam prapë peripecitë me administratën e “Teatrit të Popullit”, ministrinë e të tjera. Ndërkohë, u futa në sallën e montazhit për të zgjedhur gjithçka kishim xhiruar.

Shpresa Papapavllo, regjisorja e montazhit, ishte mjaft entuziaste për filmin që po fillonte të merrte trup. Ishte Gjergji dhe Artan Minarolli, të cilët bënë çmos dhe sollën në sheshin e xhirimit sykaltrën, të thjeshtën, të ëmblën aktore tashmë të mirënjohur, Rajmonda Bulku. E kishte pritur me shumë kënaqësi bashkëpunimin me mua, shokun e hershëm të atit të saj, Skënder Bulku. Viti i ri 1989 do të vinte me rrathët e syve të zmadhuar mavi, të ndezur plot angështi, të lodhur nga trysnitë e mbrapshta të kohës. Sytë e zmadhuar, në përpjekje për të parë ç’do të vinte nga gjithë ato përpjekje që po bëheshin për rrëzimin e Murit të Berlinit.

Mavi nga netët pa gjumë, ngarkuar me frikë, pabesi, dyshime e pasiguri. Kudo sundonte e panjohura, sikur e gjithë bota të priste një shpërthim përmbytës. Ashtu si po kaloja dhe unë me ndërdyshjen e pandarë: për t’u qëndruar mbi kokë vërejtjeve apo të shkelja mbi to për të dalë në përfytyrimin tim. Nguroja me një shkurajim të thellë. Duhej të kapërceja këtë lumë ahtesh me kujdes e gur më gur, gjurmuar nga frika dhe ndjenja e zbrazëtirës dhe humbjes. (Ende diçka prej atyre viteve mjegullore pluskon deri në ditën e sotme). Gjithë ajo atmosferë e ngarkuar me pandehma dhe të papritura, do të hynte dhe në xhirimet e dekorit.

Aktorët dhe sidomos Edmond Budina, ishte pjesëmarrës i zellshëm, por i heshturi i atyre mbledhjeve të fshehta apo të hapura. Jashtë, temperatura kishte rënë shumë dhe era befasisht ndryshonte drejtim pa pushim, ngarkuar me një shi që s’kishte të pushuar. I lagur deri në palcë, rashë pa ngrënë, duke lënë të shqetësuar Nardin dhe djemtë. E nesërmja kishte një episod me rëndësi për t’u xhiruar.

Regjisori rrëfen skenat e censuruara në filmat para ‘90: Si reagoi Enveri për “Kapedanin” Read More »