Aurora

10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut

Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka mbetur një destinacion i panjohur nga të tjerët.

Me pamje nga Mesdheu dhe që laget nga dy dete atë të Jonit dhe Adriatikut në një vijë bregdetare të vetme, ofron vende të pakonceptuara dhe plazhe të mrekullueshme.

Me këto fjalë e nisi shkrimin për Shqipërinë revista italiane ”greenMe”.

Plazhet e Shqipërisë së veriut, të cilat lagen nga deti Adriatik, janë ranore dhe me ujëra të cekëta prandaj janë edhe të preferuarit për familjet me fëmijë.
Ekzistojnë laguna dhe ekosisteme natyrore, prandaj ky bregdet është shumë i popullarizuar edhe mbetet i preferuar dhe nga turistët.

Le të shohim se cilat janë 10 plazhet më të bukura në Shqipërinë e Veriut.

  1. Velipoja

Plazhi i Velipojës është plazhi më verior i vendit që ndodhet 22 km nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga destinacionet më të preferuara për atë që duan detin. Katërmbëdhjetë kilometra vijë bregdetare karakterizohen nga një plazh i pasur me jod. Një vend i dashur nga ata që duan të praktikojnë sportet ujore .

  1. Shëngjin
    Plazhi i Shëngjinit është një tjetër plazh ranor pranë rrethit të Lezhës, i vendosur 8 km nga qyteti historik i Lezhës. I njohur për rërën e tij dhe faktin që këtu do të gjeni diellin 300 ditë në vit. Një zonë shumë e populluar , veçanërisht në verë, zona e Shëngjinit është e njohur në të gjithë Shqipërinë, si për detin, gjithashtu dhe për kuzhinën e saj të famshme.

  2. Rana e Hedhun
    Në veri të Shëngjinit, gjendet plazhi i mrekullueshëm i quajtur Rana e Hedhun i cili është i mbrojtur mirë nga erërat e asaj zone. Ky plazh është quajtur kështu për shkak të peizazhit të tij me kodra të larta me pamje nga deti dhe të mbuluara me rërë. Sporti më praktikuar? Rrëshqitni në dunat e rërës!

  3. Gjiri i Lalzit
    Një nga plazhet më tërheqëse të bregdetit shqiptar të Adriatikut është padyshim dhe Gjiri i Lalzit në veri të Durrësit. Uji kristal i pastër, rërë e hollë dhe një pyll me pisha të dendur e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për ata që e duan të relaksohen me detin. Plazhi është vetëm 25 kilometra nga kryeqyteti i Tiranës dhe është lehtësisht i vizitueshëm.

  4. Kepi i Rodonit
    Kepi i Rodonit është një kryevepër natyrore e mrekullueshme prej 7.5 km dhe është një tërheqje e madhe për ata që e duan zhytjen. Në vitet e fundit ai është bërë shumë turistik dhe po vazhdon të ruajë bukurinë e tij.

  5. Durrësi
    Plazhi i Durrësit, i vendosur vetëm 39 km larg Tiranës, është plazhi më i madh dhe më i vizituar në vend. Nuk është rastësi që vija bregdetare është gjithmonë e mbushur me njerëz, pasi ofron një kuzhinë të shkëlqyer dhe shumë argëtim. Thellësia e detit gradualisht rritet, gjë që e bën plazhin të sigurt për familjet dhe fëmijët. Durrësi është qyteti i dytë më i madh në Shqipëri dhe porti kryesor i vendit.

  6. Currila
    Në veri të Durrësit, plazhi i Currilës është më i thellë dhe mbrohet nga era e nxehtë . Duke qenë shumë afër plazhit kryesor ofron shumë atraksione turistike. Është një vend i përshtatshëm për familjet sepse është shumë i mbrojtur.

  7. Golemi dhe Mali i Robit
    Në jug të Durrësit gjenden Golem dhe Mali Robit, të cilët ndodhen pranë njëri-tjetrit. Këtu ka rërë të bardhë dhe detin kristalë. Ka edhe disa monumente natyrore, mundësi për shëtitje ose argëtim me sporte ujore.

  8. Vlora
    Vlora është porti i dytë më i madh në vend dhe është një nga qendrat e turizmit shqiptar, por plazhi ka shumë vende turistike, veçanërisht sepse është një qendër për ata që duan të zhyten në plazhet e vogla dhe shkëmbore të gjirit të Vlorës ose të vizitojnë portin e Orikumit.

  9. Spille
    Plazhi i Spilles është një parajsë e vërtetë e Shqipërisë. E mbyllur në mes të natyrës dhe pishave, ky plazh që është pranë Durrësit është një nga më të pastrit dhe më pranë natyrës./ATSH

10 plazhet më të bukura në bregdetin e Adriatikut Read More »

Aleanca e “katundarëve”, Presidenti Ilir Meta në dorë të Spiten Prullit. Ja në çfarë derenxheje ka rënë kreu i shtetit

Shqiptarët e kanë pasur zakon që të mos gjykojnë në lidhje me cilësinë njerëzore apo drejtuese të një individi thjeshtë dhe vetëm atë. Ata të shohin në kompleks, me kë rri, kë mbron, kush të mbron në përbërje të aleancave.

Pikërisht niveli i përfaqësimit të mbrojtësit që “lë kokën” për individin e caktuar përbën dhe “etalonin” përcaktues për një figurë.

Në këtë këndvështrim mund të përcaktojmë dhe nivelin ku ka rënë presidenti i Republikës Ilir Meta.

I cili pasi u vu në “syrin e ciklonit” që përgatiti vetë për Llallën, shtuar dhe raportin e Freedom House, përfundoi duke u mbrojtur nga Spitën Prulli.

I cili e ka marrë nën mbrojtje Ilir Metën nga “sulmet e panumërta” që po i bëhen nga “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”.

Pra kreu i shtetit, njeriu që ka hedhur miliona euro lart e poshtë për mbrojtje mediatike, ka rënë në dorë të Spiten Prullit.

Për kuriozitetin e të gjithë lexuesve të shumtë të “Pamfletit” Spiteni është një fshat në rrethinat e Lezhës.

Ndërsa Prulli është mali sipër fshatit ku katunarët e Spitenit kullosnin bagëtinë.

Ka dhe ndonjë shtëpi të veçuar në Prull, të mbetur që nga stanet, pa mundësi lëvizjeje poshtë.

Pikërisht një aleancë e tillë katunarësh ka marrë nën mbrojtje presidentin Ilir Meta.

Duke treguar qartë se në çfarë derenxheje ka rënë kreu i shtetit.Pamfleti.com

Për të qënë korrekt, dhe për të plotësuar dhe dëshirën e mëtejshme të lexuesit tonë, po botojmë të plotë mbrojtjen “bio” që Spiten Prulli i ka bërë Ilir Metës. Shijojeni në maksimum:

“Kishin disa muaj pa u bërë të gjallë hienat dhe çakenjtë e oligarkisë, të cilët për të shtuar milionat e tyre me koncensione, leje ndërtimi, privatizime, vjedhje, etj turren te kryeministri, duke bërtitur: “Kë të godasim këtë radhë?!”. Dhe në këmbim, sipas oreksit të kryeministrit, sajojnë historira, paguajnë sondazhe, fusin rrjeshta me dollarë nëpër “Freedom House”, nxjerrin nga arshivat shkresa të mykura nga koha, por iu hedhin parfum nga marketet e tyre të pisllëkut, duke ia shitur publikut si lajm i ri, si skup i madh, ndërkohë që këto janë kurthe e sajesa të vjetra, por që paguhen sa herë ia do interesi kryeministrit.

Edhe në sulmin e fundit ndaj Presidentit Meta u turrën dallkautxhinjë, interesaxhinjë lejesh të tjera ndërtimi, duke filluar nga kullat e deri të toka në bregdet; mediatikxhinjë të kthyer në biznesmenë ndërtimi dhe pastrues parash nëpër ishujt offshore, po që po hetohen nga FBI. Njërin e kanë thirrur hetuesit e FBI-së që ndodhen në Tiranë për pak sqarime! Bile ky është më “punëtori” që po punon për llogari të kryeministrit që të mundet të shpëtojë ndonjë gjë nga sekuestrimet e mundshme në ishujt offshore.

U turrën e gjithë kjo urdi uzurpatore e pasurisë shtetrore, e cila në të vertëtë është për në burg për vjedhje e korrupsion shtetror; sajuan, intriguan bashkërisht, edhe me ndonjë ndërkombëtar që merr tenderime nga BE për ca fonde që vijnë nga Brukseli për Shqipërinë dhe në fund dolën zbuluar, ndonëse bënë dy ditë zhurmë e turbullira.

Publiku kuptoi se përse u turrën ndaj Presidentit të Republikës, ndërkohë që ai po vazhdon punën kushtetuese si Kryetar Shteti dhe historinë me drejtësinë e ka mbyllur 5-0 në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që politikanë dhe zyrtarë të lartë të tjerë i kanë ikur drejtësisë, duke u fshehur edhe sot si qeveritarë.

Loja politikë për të goditur Kryetarin e Shtetit pati kosto. Kosto për shtetin dhe publikun. Urdia e sulmit të kordinuar në shërbim të kryeministrit mori dhe një kullë me shumë në qendër të Tiranës si shpërblim ndaj sulmit kundrejt Ilir Metës. Morën edhe një kullë të premtuar pas presidencës, e cila do ti bëjë hije presidencës dhe publikut tiranas. Morën dhe një koncension për vjeljen e taksave, si dhe po u firmoset edhe një leje ndërtimi për fshat turistik dhe një zonë shfrytëzimi naftëmbajtëse në Fier.

Ky grupim mediatiko-biznes-mafie e morën shpërblimin e sulmit të radhës. Publiku humbi edhe disa milionë dollarë nga buxheti i shtetit si dhe kryeqyetasit morën si kusur humbjen e disa metrave katrorë lulishte nga fitimi i dy lejeve të reja ndërtimit me urdhër të kryeministrit.

Kur të duan prapë para dhe prona do të sulmojnë edhe njëherë. Dhe kështu sa herë iu hapet oreksi”./Spiten Prulli

Aleanca e “katundarëve”, Presidenti Ilir Meta në dorë të Spiten Prullit. Ja në çfarë derenxheje ka rënë kreu i shtetit Read More »

Seksi i mëngjesit, ilaç për gjithçka

Mos e shtyni alarmin – seksi i mëngjesit të hershëm përmirëson imunitetin, ngrit disponimin, rrit pjellorinë, pastron tenin, forcon flokët dhe redukton rrezikun nga sëmundjet e zemrës.
Më shumë se 58 për qind të çifteve të dashuruara me aktivitete seksuale merren në mes orës 11 të mbrëmjes dhe orës 1 të mëngjesit, por ata që bëjnë dashuri në mëngjes kanë më shumë përfitim, shkruan “Medical Daily”. Sipas të dhënave të Kinsey Institute për hulumtim të seksit, gjinisë dhe riprodhimit, çiftet në moshën prej 18 deri në 29 vjet mesatarisht bëjnë dashuri 112 herë në vit, ata prej moshës 30 deri 39, 86 herë, derisa në vitet dyzeta numri reduktohet në 69 herë gjatë vitit.

Pavarësisht a ka të bëjë seksi i natës vonë me shprehi, instinkt, apo komoditet seksi në mëngjes është zgjidhje shumë më e emirë se në mbrëmje, pohon seksologu afrikanojugor, Glen Rowan. “Seksi i mëngjesit inicion intimitetin dhe afërsinë emocionale në fillim të ditës, dhe atëherë ka më së paku pengesa” thotë dr. Fran Walfish.

Ai tutje shton se si shumë studime dëshmojnë që seksi i mëngjesit përmirëson disponimin më mirë se kafjalli i pasur ose një filxhan kafe. Shkaku i kësaj është prodhimi i rritur i hormonit të serotoninës pas orgazmës, i cili vepron si antidepresiv për tru.

Rrit pjellorinë. – Seksi i mëngjesit përmirëson kualitetin e spermës dhe rrit pjellorinë tek femrat, ka treguar hulumtimi i klinikëss për fertilizim artificial në Syndey. Sipas saj me ejakulim të rregullt në mëngjes kualiteti i spermës përmirësohet për 12 për qind, çka rrit shanset për fekondim të suksesshëm.

Pastron tenin dhe forcon eshtrat. – Orgazma gjatë seksit të mëngjesit nxit lirimin e kimikateve që rrisin nivelin e estrogjenit në trup. Për këtë arsye vjen deri përmirësimi i qarkullimit dhe reduktimi i nivelit të testosteronit, çka reflekton në gjendjen e lëkurës dhe flokëve. Kështu, seksi i mëngjesit me të vërtetë u jep shkëlqim të veçantë njerëzve, kanë përfunduar shkencëtarët nga Universiteti në Wisconsin.

Redukton rrezikun nga sëmundjet e zemrës. – Seksi në orët e mëngjesit disa herë në javë mbron shëndetin e zemrës, në veçanti te meshkujt, ka treguar studimi 10-vjeçar i Universitetit në Belfast me më shumë se 1000 njerëz. Përveç që shërben si ushtrim i mirë, seksi i mëngjesit redukton nivelin e hormonit të stresit, kortizolit, i cili rrit rrezikun nga infarkti dhe nga ngushtimi i enëve të gjakut.

Forcon imunitetin. – Prodhimi i imunoglobinës A është më i madh gjatë seksit të mëngjesit se sa seksi në cilëndo pjesë tjetër të ditës. IgA janë antitrupa që shërbejnë për mbrojtjen e organizmit nga infeksionet, ndërsa njerëzit që rregullisht bëjnë seks në mëngjes kanë edhe deri në 30 për qind nivel më të madh të IgA në gjak, ka pohuar studimi.

Seksi i mëngjesit, ilaç për gjithçka Read More »

Zbardhet raporti i SHÇBA, 259 policë u kapën me shkelje gjatë detyrës, hetim edhe për Rrugën e Kombit

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka shqyrtuar dje veprimtarinë e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Vetë drejtoresha e sapozgjedhur e SHÇBA-së, Anila Trimi ishte në komision ku raportoi para deputetëve të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni gjatë 2017.

Por ndonëse mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar gazeta ka mundur të zbardh raportin e SHÇBA-së për vitin 2017. Sipas raportit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave që drejtoresha Anila Trimi prezantoi, gjatë vitit 2017 janë gjetur me shkelje 88 punonjës policie më shumë se një vit më parë.

Pra në ndryshim nga 2016, ku në Prokurorinë e Përgjithshme u depozituan materiale kallëzues për 171 efektivë, në 2017-ën numri i efektivëve të kallëzuar penalisht është 259 policë, shkruan gazeta Sot. Por përveç këtij fakti, është mësuar gjithashtu se drejtoresha Trimi deklaroi në Komisionin e Sigurisë se janë proceduar penalisht edhe 6 oficerë të SHÇBA-së për faktin se, sipas saj, janë gjetur me shkelje. “Drejt kësaj filozofie po shkojmë. Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 6 raste ku vetë oficerë të SHÇBA-së janë gjetur me shkelje të ligjit”, mësohet të ketë thënë drejtoresha e SHÇBA-së gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Hetim efektivëve për ngjarjet në Rrugën e Kombit

Veprimet e policisë më 31 mars në Rrugën e Kombit, ku Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u përleshën me protestuesit e Kukësit po hetohen. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi, e cila përveç se e deklaroi një gjë të tillë para deputetëve në Komisioni e Sigurisë, e pohoi atë edhe para mediave.

Në përfundim të mbledhjes, drejtoresha e SHÇBA, u shpreh para mediave se ka nisur një hetim ndaj veprimeve të policisë por deri tani nuk është arritur në asnjë konkluzion. “Veprimet e Policisë me protestuesit në Rrugën e Kombit po hetohen. Kemi kryer inspektim, por nuk kemi arritur ende në konkluzione. Do njoftoheni kur të merret vendimi në lidhje me veprimet e policisë”, u shpreh para mediave, drejtoresha Anila Trimi.

Ndërkohë, për sjelljen e policisë ditën e protestës kundër taksës në Rrugën e Kombit, që përfundoi me djegien e kabinave të koncesionarit si dhe me disa të plagosur si në radhët e protestuesve ashtu dhe në radhët e efektivëve, është mësuar se po heton edhe Prokuroria e Kukësit, pasi ka dyshime për veprime arbitrare.

Policët e korruptuar drejt largimit

Edhe pse nga viti në vit SHÇBA arrin të identifikojë punonjës të shumtë në shkelje të detyrës duket se së shpejti rastet do të jenë shumë të pakta. Kjo për faktin se prej disa ditësh ka filluar vetingu në radhët e policisë dhe të gjithë efektivët do të kalojnë në sitën e skanimit.

Skanim që do të mundësojë largimin nga detyra të të gjithë efektivëve të implikuar në botën e krimit dhe korrupsionit. Kujtojmë këtu që gjatë viteve të fundit ka pasur shumë raste ku efektivë të lartë policie janë përfshirë në trafikun e kanabisit apo dhe atë të kokainës. Madje, një nga rastet më të fundit ka qenë ai i tre efektiveve të Vlorës të cilët bashkëpunonin me trafikantë të kanabisit. Efektivë që janë shpallur në kërkim nga policia.

Zbardhet raporti i SHÇBA, 259 policë u kapën me shkelje gjatë detyrës, hetim edhe për Rrugën e Kombit Read More »

Rama ‘ua mbledh’ kryebashkiakëve, masat që do të ndërrmerren për sezonin turistik

Qeveria ka nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik. Dje kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim krerët e bashkive dhe prefektët ku i ka porositur që të marrin masat e duhura. Nga ana tjetër shefi i qeverisë tha se nuk do ketë tolerim ndaj asnjë biznesi.

“Hedhja e mbeturinave vend e pa vend, nga njëra anë, ndotja përmes derdhjes së ujërave të zeza nga hotelet apo nga lokalet, nga ana tjetër, si dhe zhurmat duhen sanksionuar në mënyrën më ekstreme dhe nuk ka ekstrem që të jetë i mjaftueshëm karshi këtyre karshillëqeve ekstreme, të zhvilluara e të kthyera në traditë për kaq shumë vite. Këshillat bashkiakë mund dhe duhet ta marrin një masë të tillë, në mënyrë që të gjitha forcat tona, të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ushtrojnë të gjithë kontrollin e nevojshëm dhe të gjitha të ardhurat nga gjobat për këto dëme t’i kalojnë çdo bashkie, sikundër është e merituar. U kemi dhënë prej muajsh, hoteleve dhe lokaleve që derdhin ujëra të zeza në det, mesazhin e qartë që pas 1 qershorit nuk do tolerohen”, tha ai.

Rama tha se do të shmanget çdo lloj forme inspektimi apo kontrolli që krijon pakënaqësi tek pushuesit, por sanksionet për këto struktura do të jenë shumë të rënda.

“Gjëja që duhet të bëjnë është të futen në kornizën e kontratës që kanë me shtetin, kur kanë marrë lejen për të ndërtuar në këto territore dhe ku kanë kusht të shkruar në lejen mjedisore, depurimin e ujërave të zeza me instalime të brendshme të tyre, siç e bën e gjithë bota, aty ku nuk ka një infrastrukturë të lidhur të sistemit të ujërave të zeza me infrastrukturën e përgjithshme. E njëjta gjë vlen për sa i përket respektimit të ligjit për interesin e çdo konsumatori, kur vjen puna tek kontributet e hotelerisë. E kemi ulur 6% TVSH-në për hotelet në rang republike. Nuk mundet më të tolerohet asnjë mashtrim me numrin e pushuese, aq më tepër që të dhënat i kemi shumë të qarta, janë të gjitha plot e përplot përgjatë gjithë sezonit turistik”,  citon “Sot”.

Kryeministri problem cilësoi dhe zhurmën e lokaleve. Ai u shpreh se dhe për të do të merren masa.

“Nëse një problem i madh, i përvitshëm, një sëmundje kronike e sezonit tonë turistik janë zhurmat vend e pavend, që krijojnë shpesh herë tension, stres dhe në vazhdimësi pakënaqësi për pushuesit, ky problem nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Ai zgjidhet duke përcaktuar qartësisht në secilën bashki, zonat dhe oraret mbi të cilat duhet të vigjilojnë forcat që kanë përgjegjësinë shtetërore për ta bërë këtë punë dhe për të garantuar qoftë që jashtë këtyre zonave dhe jashtë këtyre orareve të mos shqetësohet askush, qoftë ata që duan të bëjnë zhurmë e të kënaqen me zhurmën gjithë natën, ta kenë këtë mundësi në pika të specifikuara dhe larg atyre që me të drejtë nuk duan të shqetësohen”, tha ai.

Rama ‘ua mbledh’ kryebashkiakëve, masat që do të ndërrmerren për sezonin turistik Read More »

Paralajmërohet ‘tërmet’ në politikë/ PD bllokon hetimin e Shkëlzen Berishës dhe lidhjeve të LSI me Balilin, zbardhen përplasjet

Partia Demokratike po bllokon hetimin e Sali Berishës, djalit të tij dhe lidhjeve të të shumëkërkuarit Klement Balilit me LSI. Pak kohë më parë, me kërkesë të opozitës u ngrit një komision hetimor për të hetuar rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe fenomenin e kultivimin e drogës. Në vijim të punës së këtij komisioni, anëtarët e Partisë Socialiste, ndryshe nga demokratët, kanë kërkuar që hetimet të shtrihen edhe para vitit 2013.

Për të vijuar hetimet, deputetët e PS para disa ditësh përgatitën 8 shkresa, të cilat do t’ia dërgonin institucioneve të ndryshme, përfshirë edhe SHISH, për të kërkuar informacione dhe detaje në lidhje me çështjet e mësipërme. Që këto kërkesa të dërgohen në institucionet respektive duhet që më parë të firmosen nga kryetari i komisionit, Edi Paloka. Mirëpo deri ditën e djeshme demokrati Edi Paloka nuk e ka kryer një gjë të tillë, duke bllokuar kështu hetimet.

PS në planin e saj do të hetojë ish-kryeministrin Berisha, i cili sipas tyre lejoi drogën në Lazarat. Po ashtu do të hetojë disa deklarata të ish-truprojës së tij, Izet Haxhisë, i cili ka thënë se Shkëlzen Berisha është i lidhur me trafikantët e drogës. Objekt i hetimit do të jetë dhe zbardhja e lidhjeve të LSI me Balilin, i cili ka përfituar benefite nga ish-ministrat e emëruar nga Meta. Por PD duket se po sjell pengesa për këtë proces. Një gjë të tillë e konfirmoi për gazetën edhe socialistja Ermonela Felaj, e cila u shpreh se kjo pengesë tregon se PD ndjehet e frikësuar.

“Kërkesat tona drejtuar institucioneve të ndryshme lidhur me të dhëna për komisionin hetimor, nuk janë nënshkruar nga Z. Paloka duke sjellë për pasojë së pari, mospërcjelljen e tyre në kohë. Pengimi i anëtarëve të mazhorancës së këtij komisioni, për të kërkuar të dhëna apo informacione të ndryshme, nga opozita, veçse një përpjekje e dështuar dhe në flagrancë me ligjin për komisionet hetimore, është shprehje e qartë e frikës se çfarë mund të zbulojë ky komision për ish-qeverisjen e PD dhe përfaqësuesit e saj më të lartë shtetërorë, që lejuan që kultivimi dhe trafiku i drogës të shtrihej gjithandej duke u ngritur në sistem, falë mosveprimit dhe bashkëpunimit haptazi të tyre me grupe ose individë kriminalë”, citon “Sot”.

Tërmet në politikë

Në vijim të reagimit të saj, zv/kryetarja e komisionit hetimor “Tahiri”, Ermonela Felaj paralajmëroi se mazhoranca do të bëjë çdo gjë të mundur që kjo situatë të mos vazhdojë më kështu dhe të zgjidhet “ngërçi”. Sipas saj, anëtarët socialistë të atij komisioni do të punojnë që të nxjerrin në pah fakte që vërtetojnë akuzat ndaj PD.

“Është e paprecedentë, hera e parë në fakt, që pikërisht forca politike në Parlament që kërkon komision hetimor, pengon punën e tij, nga frika se çfarë mund të prodhojë ky komision. Sidoqoftë ju siguroj se nga ana jonë do përdoren gjithë mekanizmat ligjore dhe parlamentare, jo thjesht për të mos lejuar shfrytëzimin abuziv të drejtimit të këtij komisioni nga opozita, apo bllokimin e punës së tij, por për të zbuluar në sytë e publikut edhe me fakte shkresore, të vërtetën që ne kemi paralajmëruar publikisht të vërtetë që PD po kërkon t’i fshihet me lloj-soj artificash”, deklaroi Ermonela Felaj.

Pothuajse një javë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo bëri me dije se deputetët e PS kishin dorëzuar në tavolinën e Edi Palokës shkresat për informacion, por ky i fundit nuk i kishte firmosur nën justifikimin se kërkonte kohë t’i lexonte. Siç duket, situata vijon e njëjtë, duke treguar kështu që opozita nuk është dakord me planin e PS për hetime

Paralajmërohet ‘tërmet’ në politikë/ PD bllokon hetimin e Shkëlzen Berishës dhe lidhjeve të LSI me Balilin, zbardhen përplasjet Read More »

Tentuan të mbillnin tokat me hashash, si ia prishi planin policia trafikantëve në Shkodër

Policia e Shkodrës ka goditur një grup të dyshuar si kriminal që po tentonte të bëhej gati për kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit. Teksa drejtuesit më të lartë të policisë folën nga Shkodra duke thënë se organizatorët dhe financuesit e kultivimit të bimëve narkotike do të goditen, këta të fundit kanë vijuar punën e tyre të pandikuar nga mesazhet e zyrtarëve të lartë të policisë. Një grup prej 5-6 personash kanë shmangur postobllokun e policisë në rrugën Shkodër-Dukagjin. Ata janë futur tek ura e Mesit dhe më pas kanë marrë rrugën malore të Shllakut, pjesë e bashkisë Vau Dejës, shkruan “BalkanWeb”.

Nga aty ky grup bashkë me materialet dhe mjetet për kultivim kanë mbërritur në fshatin Drisht të Postribës duke shmangur kështu kontrollin policor. Përmes urës së Telit kanë menduar që ngarkesën që ju duhej për të nisur kultivimin ta kalonin me krahë fizikisht përmes urës duke ecur në këmbë. Në anën tjetër të urës sipas planit do shkonte një tjetër makinë për të marrë personat dhe materialet për kultivim për t’i çuar më pas drejt Dukagjinit. Autorët përmes informacionit në rrugë operative janë zbuluar nga policia, të cilët u vunë në ndjekje të tyre. Autorët të identifikuar nga policia janë larguar në drejtim të paditur duke braktisur dy mjetet që kishin në fshatin Drisht të njësisë Postribë. Në vendngjarje ka mbërritur edhe vetë drejtori i policisë vendore Vehbi Bushati bashkë me shefin e komisariatit, drejtues të tjerë, forcat Shqiponja dhe dhjetra efektivë për të mos lejuar grupin prej 5-6 personash që të realizonin planin e mirëmenduar për nisjen e punës për kultivimin e cannabisit në zonën e Dukagjinit. Forcat e policisë janë vënë në ndjekje dhe po punojnë për kapjen e këtyre personave që dyshohen se do mbillnin lëndën e njohur si hashash.

Policia e Shkodrës prej ditësh ka ngritur një postobllok në rrugën Shkodër Dukagjin për të patur nën kontroll të gjithë ata që kalojnë në atë aks për të mos lejuar transportimin e materialeve dhe mjeteve për kultivimin e cannabisit. Vetëm një ditë para kësaj ngjarje në Shkodër ishte zëvendës drejtori i policisë së shtetit Gjovalin Loka i cili tha se do goditen kokat e krimit dhe bëri të ditur se që nga 6 prilli mbi Dukagjin dhe zona të tjera me risk po fluturojnë avionët e policisë italiane të Guardia Di Finanza për monitorim të atyre parcelave që mund të bëhen gati për kultivimin e cannabisit. I vendosur u tregua edhe drejtori i policisë së Shkodrës Vehbi Bushati për ta luftuar këtë fenomen shqetësues. Në fund mbetet për t’u parë nëse këtë betejë do ta fitojnë njerëzit e krimit apo policia e shtetit.

Tentuan të mbillnin tokat me hashash, si ia prishi planin policia trafikantëve në Shkodër Read More »

“O Flamur, o pylli i Saliut”/ Jo vetëm miell e ujë, debati pa mikrofon mes deputetëve gjatë sherrit

Parlamenti është shndërruar dje në një arenë të vërtetë, teksa deputetët e opozitës kanë goditur me miell, shishe uji dhe me vezë në drejtim të Kryeministrit Rama dhe kabinetit qeveritar. Lulzim Basha kërkoi nga Kryeministri Rama që të lirojë 11 kuksianët e arrestuar nga Policia për protestën e Rrugës së Kombit.

Ndërkohë që, gjatë seancës janë përdorur një sërë fjalësh fyese nga deputetët e Kuvendit. Sali Berisha e ka quajtur Ramën disa herë si “trap”, ndërsa Rama Flamur Nokën si “pyllin e Saliut”. Kjo acaroi tonet dhe çoi në konflikte të mëtejshme për rreth një orë. “Panorama” zbardh debatin kryesor dhe veçanërisht sharjet pa mikrofon.

SHERRI NË PARLAMENT

Lulzim Basha: Është dita e 13-të që 11 kuksianë të pafajshëm mbahen në burg nga banda kriminale dhe e korruptuar e autokratit Rama. Ky Parlament, që mbron me zell trafikantin ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahirin, i do në qeli 11 kuksianët e pafajshëm. Prandaj, le të bëhet gjithsecili nga ne gjenerator energjie dhe guximi, të gjithë bashkë të krijojmë atë valë të pathyeshme energjie, që do të shembë deri në tullën e fundit murin e krimit, korrupsionit dhe autokracisë kriminale që sundon sot në Shqipëri. Duke nisur me ditën e sotme, duke nisur këtu, nga kjo sallë, ku nuk mund të vazhdojë dhe nuk do të vazhdojë më për asnjë sekondë ky Parlament pa nxjerrë nga salla njeriun, që përdori fjalorin më të ndyrë kundër popullit të tij. Ndale seancën menjëherë, përjashtoje zyrtarisht që të vazhdojë seanca normalisht! Ky është kumti i një populli që nuk mund të pranojë kurrë një sundimtar.

Taulant Balla:Ti s’ke popull..

Lulzim Basha: Populli ta tregoi dhe do të ta tregojë prapë edhe ty edhe atij.

(Deputetët e PD-së rrethojnë foltoren e Kuvendit, Garda bëhet kordon për t’i ndaluar të afrohen)

Gramoz Ruçi- Gardistëve: Shërbimet e Kuvendit të largohen nga aty.. Largohuni.. Shërbimet e Kuvendit, largohen nga podi.. Të largohen…

Paulin Sterkaj: Unë them t’i lejna lirshëm se këta s’të bajnë gja…

Gramoz Ruçi: Zoti Basha, nuk mund të bllokoni foltoren, por t’i lejoni deputetët të marrin pjesë në diskutim.

Monika Kryemadhi: Të përjashtohet Rama.

Taulant Balla: E mër Lul s’të erdhi LSI-ja nga mbrapa..

Monika Kryemadhi: Do t’i vijë do ti vijë, mos ki merak. Ju kemi futur në mes…Mos ki merak.

Edmond Spaho: Zbato rregulloren…

Monika Kryemadhi: Të largohet Edi Rama që shau shqiptarët..

Gramoz Ruçi: Ndërpritet seanca.

Monika Kryemadhi: Pse iku ky trimi (Ramën)…

(Rama futet në seancë)

Ja erdhi, të dalë përjashta, të dalë përjashta..

(Rifillon seanca. Opozita mban të bllokuar foltoren. Brohorasin në grup, “Rama ik”. “Liro kuksianët”)

Erjon Braçe: Ne na duhet ky njeri (Lulzim Basha) sepse është njeriu që mundet më kollaj nga shqiptarët në këtë vend. Nuk dua të shikoj protestues në burg, por..

Flamur Noka: Çohu në këmbë, çohu në këmbë kur flet.(qeshin)

Erjon Braçe: Mos rrini te mesi.. Pash zotin mos rrini te mesi se nuk shikoni gjë. Ngrihuni një çikë më lart. Ka të tjerë që i duan të pamundurit thjesht dhe vetëm për të mbrojtur b*thën e tyre.

(Opozita në kor. “Liro kuksianët”. Sali Berisha vjen në sallën e Kuvendit. Flamur Noka nxjerr qesen me miell nga xhepi i brendshëm i xhaketës, ia hedh Kryeministrit dhe ministrit Bushati. Deputeti Klevis Balliu hedh një qese me miell në ajër dhe godet Gramoz Ruçin)

Gramoz Ruçi: Ndërpritet seanca.

Deputetët e opozitës: Liro kuksianët, liro kuksianët….

(Rinis seanca, Rama vjen pa xhaketë, e cila iu bë pis me miell)

Gramoz Ruçi: Përjashtohet nga seanca deputeti Flamur Noka dhe Ervin Salianji për përdorimin mjeteve të forta.

(Klevis Balliu godet ministrin Bushati me vezë, që e preku në krahë. Bushati i lag deputetët e opozitës me ujë. Acarohet situata. Edi Paloka u sul drejtë gardës. Flamur Noka goditi me shishe plastike drejtë ministrit. Klevis Balliu goditi sërish me vezë. Edi Paloka shkuli monitorin për ta hedhur në drejtim të qeverisë.)

Gramoz Ruçi: Ndërpritet seanca plenare.

(Gjatë pjesës pa media)

Edi Rama- Flamur Nokës: Ti je pylli i Saliut..

(Flamur Noka shkul mikrofonin nga podiumi dhe ia hedh Kryeministrit. Shoqëruesi i Ramës e pret. Noka shkul dhe pjesën tjetër të mikrofonit dhe ia hedh. Sërish e pret garda).

Arben Ahmetaj: O Flamur, çfarë je duke bërë.

Edi Paloka: Mendohu mirë çfarë bën o budall.

Edi Rama: Pylli, o pylli..

Flamur Noka: O hajdut, ke vjedh gjithë Shqipërinë në të sëmës do shkosh. S’do ketë qeli që do të bëjë ty.

Sali Berisha: O rrugaç, o rrugaç..Dil jashtë. Trap

Flamur Noka: S’jam si puna jote që vjedh, as nuk pi kokainë, more vesh, qelbësirë..

Sali Berisha(Ruçi hyn në seancë): E përjashtove Bushatin Gramoz?

Kejdi Mehmetaj: Jo, se Bushati ishte për vetëmbrojtje..

Sali Berisha: Sa të jenë ata në burg (kuksianët), kështu do e keni çdo seancë.. Për urrejtjen e Havzi Nelës..

Edi Rama: Pylli, pylli.

Gramoz Ruçi: Deputeti Klevis Balliu përjashtohet për përdorim të sendeve të forta ndaj kabinetit qeveritar.

Monika Kryemadhi: Hajde gjuajmë të gjithë të na përjashtojë të gjithëve. O Gramoz përjashto Bushatin, çunin e Sulës dhe Letës do e përjashtosh o Gramoz…

(Deputetët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Endrit Braimllari, kanë hedhur ujë në drejtim të Edi Ramës dhe qeverisë)

Sali Berisha: Nxirre jashtë njeriun që shndërroi Shqipërinë në vendin e të burgosurve politikë në traditën e etërve të tij xhelatë. Nxirre jashtë njeriun, që urrente Kukësin siç e njihte i ati i tij Havzi Nelën, nxirre jashtë se Parlamenti do ta nxjerrë atë me lecka. Jashtë Edi Rama…

“O Flamur, o pylli i Saliut”/ Jo vetëm miell e ujë, debati pa mikrofon mes deputetëve gjatë sherrit Read More »