Aurora

Tomini: Kurba e COVID-19 në Shqipëri po paraqet shuarje natyrale, mbikëqyrje përgjatë gjithë sezonit të verës

Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, u shpreh sot se ecuria e situatës epidemiologjike dhe evidentimi i rasteve të të prekurve me COVID-19 paraqitet e qëndrueshme.

Në një intervistë televizive, ajo tha se lehtësimi i masave që janë marrë gradualisht kanë sjellë luhatje të numrit të të prekurve nga njëra ditë, në tjetrën.

Ajo tha se, vijon monitorimi i çdo rasti duke e ndjekur atë deri tek vatrat familjare apo në fasoneri siç kanë qenë edhe rastet e fundit, me qëllim izolimin.

Tomini theksoi se, ndjekja e protokolleve mbrojtëse po monitorohet nga inspektorët përkatës në rrethet ku ka vatra, deri edhe nga mjekët e familjes. Pjesa më e madhe e rasteve ndiqen nga mjeku i familjes, pasi kemi një simptomologji shumë të vakët të rasteve pasi paraqesin shqetësime shumë të lehta.

Ajo tha se distancimi dhe higjiena duhet të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë, edhe brenda familjes. “Është një zbritje natyrale e kurbës ose zbritje e rasteve dhe zbehja e rasteve me COVID-19 ka sjellë shuarjen e epidemisë në këto nivele që jemi sot, jo vetëm kundrejt gjurmimit dhe evidentimit, por edhe vetë kurba e COVID-19 në Shqipëri po paraqet një shuarje natyrale”, u shpreh Tomini.

Tomini shpjegoi se, infeksionet respiratore e kanë kulmin në sezonin e dimrit. “Por, edhe gjatë stinës së verës ne parashikojmë të kemi raste sporadike, por sigurisht që ne nuk do të ndalojmë survejancën përgjatë sezonit të verës. Ndërsa vjeshta parashikohet të ketë qarkullim edhe të COVID-19 dhe atyre virale”, theksoi ajo.

Ajo tha se lehtësimi i masave ka ndodhur për shkak të vlerësimit që i janë bërë 3 indikatorëve: trendit të rasteve të reja përkundrejt një mesatareje javore, numrit të të shtruarve në spital dhe numrit të atyre që kërkojnë terapi intensive.

“Të tre indikatorët janë monitoruar dhe vlerësuar nga Komiteti Teknik përkundrejt të gjitha fazave të lehtësimit gradual, monitorim që do të vijojë për të arritur deri në lehtësimin e plotë të masave”, – tha ajo.

Përmirësimi i treguesve i ka bërë të zbatueshme masat lehtësuese dhe rënia e kurbës së epidemisë solli këto nivele lehtësuese.

Lidhur me hapjen e kopshteve dhe çerdheve Tomini tha se, “kemi një prekje shumë minimale të moshës fëminore dhe pa shenja klinike, ndaj për këtë arsye është menduar që të hapen këto institucione më 1 qershor, sipas protokollit, duke respektuar distancat dhe higjienën”.

Lidhur me hapjen e transportit publik, ajo theksoi se Komiteti Teknik po gjykon për masat dhe protokollin që do të zbatohet. Ndërsa për hapjen e kufijve po vlerëson procedurat e mundshme edhe me vendet e rajonit, në planet e afërta, për të kaluar në lehtësimin e hapjes së kufijve.

“Turizmi do të vijojë me protokolle të përcaktuara. Thyerja e distancimit fizik dhe mosmbajtja e maskës janë elemente të rrezikshme për përhapjen e COVID-19”, tha Tomini./atsh

Tomini: Kurba e COVID-19 në Shqipëri po paraqet shuarje natyrale, mbikëqyrje përgjatë gjithë sezonit të verës Read More »

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”, deklaroi sot ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Kim tha se, “Reforma në Drejtësi po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”, tha Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë./atsh

Ambasadorja Kim: Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi të mos jenë të vërteta Read More »

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar 47-vjetorin e revoltës në burgun e Spaçit, ku thirrja e parë e të burgosurve politik ishte Shqipëria do të bëhet si Europa.

Basha shprehet se “47 vjet më parë, kur diktatura komuniste e kishte zhytur Shqipërinë në izolimin e saj më të madh, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie e tronditën nga themelet Sigurimin e Shtetit, aty u thirr për herë të parë me zë të lartë se Shqipëria do të bëhej si Europa”.

“4 heronjtë martirë të Revoltës së Spaçit, Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ishin lajmëtarët se shqiptarët asnjëherë s’do të pajtoheshin as me dhunën, as me diktaturën komuniste e as me çfarëdo regjimi që do synonte t’u hiqte atyre lirinë. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, aty ku raportohet për dhunën çnjerëzore që diktatura përdori për ta shembur rezistencën e të burgosurve politike raportohet me tmerr paralajmërimi profetik që qëndrestarët i bënë zv/ministrit të Brendshëm të diktaturës: “Edhe ju do të përfundoni këtu, sepse është ngushtuar rrethi dhe diktatura po ha bijtë e vet”-tha ai.

Po ashtu, Basha kujton qëndresën 3 ditorë të të burgosurve politikë në revoltën e Spaçit e cila u shtyp me gjak.

“Revolta e Spaçit dhe qëndresa 3-ditore e të burgosurve të Spaçit pati një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Ideja e qëndresës e tmerroi regjimin diktatorial. Për të treguar këtë trashëgimi të qëndresës së shqiptarëve, të cilët nuk e pranuan asnjëherë diktaturën, fiks 11 vjet më vonë, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit, ish-të burgosurit politikë u ngritën sërish në revoltë në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Të burgosurit politikë po e mposhtnin makinën e regjimit, jo vetëm me qëndresë madhështore, shembull në të gjitha vendet ish-komuniste, por edhe me simbole”-tha ai.

Në vijim Basha kujton dhe revoltën e të burgosurve politik të Qafë-Bari që pasoi atë të Spaçit.

“Qafë-Bari ishte një përkujtim i denjë i revoltës së Spaçit, 11 vjet më pas, dhe që të dyja revoltat janë sot një trashëgimi politike që e gëzon çdo rezistencë qytetare kundër padrejtësisë dhe kundër çfarëdo regjimi që e gënjen mendja se mund t’ju marrë shqiptarëve të drejtat e fituara në Lëvizjen e Dhjetorit ’90. Burrat që kryen revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit janë një frymëzim se kauzat fitojnë, edhe nëse ato kanë kundër falanga të armatosura. Nga Revolta e Spaçit vjen edhe paralajmërimi profetik se askush s’duhet të qëndrojë mënjanë, kur atdheu përballet me sfida të mëdha, sepse mekanizmi keqbërës i diktaturës herët a vonë do të mbërrijë edhe tek ata”, tha Basha.

Gjithashtu Basha shtoi se “nga revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit ne trashëgojmë shembullin e atdhedashurisë. Duke nderuar kujtimin e martirëve të Spaçit dhe Qafë-Barit, shqiptarët nderojnë sot historinë e tyre të lavdishme të qëndresës ndaj diktaturës dhe rinovojnë angazhimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë kombëtare që kanë, për ta shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit”./atsh

47 vjet nga revolta e Spaçit/ Basha: Thirrja e parë, Shqipëria do të bëhet si Europa Read More »

“Kur Kadri Roshi e Naim Frashëri këmbëngulnin për teatër”/Regjisori Basha për ATSH: Teatri i ri do adresojë të gjitha nevojat e artistëve

“Teatri i ri Kombëtar që pritet të ndërtohet nga Bashkia e Tiranës, do të adresojë të gjitha nevojat e komunitetit të artistëve për të ardhmen e teatrit në Shqipëri, pasi teatri i vjetër nuk plotësonte asnjë rekuizitë për t’u cilësuar si një i tillë”.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), regjisori i njohur Altin Basha, deklaron se Teatri Kombëtar asnjëherë nuk është konceptuar si i tillë.

Sipas tij, ai është nisur si një teatër provizor, por kurrë nuk mori trajtën e plotë të një Teatri Kombëtar me të gjitha rekuizitet që i nevojiten një skene teatrore.

“Siç është dhe tashmë e njohur, janë bërë disa takime publike dhe analiza për gjendjen e Teatrit Kombëtar. Pas analizave doli që gjendja e tij ishte plotësisht e amortizuar. Ambientet ishin krejtësisht problematike nga pikëpamja e konstruksionit, e gjendjes së tyre teknike, masave kundër zjarrit etj. etj., dhe për këtë arsye u sugjerua mbyllja e aktivitetit të Teatrit Kombëtar”, shprehet regjisori Basha për ATSH.

“Një analizë e hollësishme e asaj se çfarë humbim nëse e shohim ndërtesën dhe çfarë fitojmë ne me përkrahjen ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, duhet të shohim historinë e teatrit. Prej se është themeluar teatri profesionist në Shqipëri, rezidenca e përkohshme në teatrin popullore, në kinoteatrin, siç edhe cilësohej… ka qenë e përkohshme dhe është diskutuar se me kalimin e kohës, në një moment të caktuar, në një moment të dytë, do të ndërtohej një teatër i plotë popullor sepse atëherë, në ato vite, deri në vitin 91’ nuk ekzistonte nocioni kombëtar. Pra, kemi 70 vite që e kemi këtë debat. Në vitet 50’-60’ është bërë edhe më i fortë ky debat pasi aktorët e asaj kohë, Kadri Roshi dhe Naim Frashëri kanë këmbëngulur pranë qeverisë për nevojën e një teatri të ri, pasi ai teatër nuk përmbushte as kërkesat e kohës dhe nuk ishte konceptuar si teatër”,- tha Basha në intervistën për ATSH.

“Por asnjëherë nuk u bë një teatër i ri teksa në vitet ’70 u bë një ndërhyrje në strukturën e tij për të zmadhuar oxhakun, skenën dhe disa elementë të tjerë që mungonin, u mbyll kati i tretë, që u bë garderobë…etj. Por dhe ato të pamjaftueshme pasi me kalimin e viteve u kuptua se adoptimi i vazhdueshëm nuk përmirësonte përfundimisht gjendjen e tij pasi mbetej gjithnjë një ndërtesë hibride mes kinemasë dhe teatrit”,- vijon regjisori Basha.

“Në kushtet kur ndërtesa sugjerohej si e papërdorshme dhe i vetmi opsion ishte rikonstruksioni i saj përmes shembjes, normalisht të shkon mëndja që teatri do të ndërtohej po aty. Por ajo ndërtesë që ishte, nuk vlente më. Nëse mund të ruhej ose jo, kjo është çështje ekspertëve. Ka ekspertë që thonë se duhet ruajtur, ka që thonë jo, por të gjithë bien dakord se ndërtesa duhej shembur dhe opsioni i teatri të ri për mua ishte më i vlefshëm pasi adreson të gjitha problematikat. Gjendja ishte tejet e rënduar. Ishte krejtësisht jashtë kontrollit. Krejtësisht pa kujdes dhe gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë. Në vitin 2008 ka qenë dora e fundit që i është dhënë dhe prej asaj kohe nuk është ndërhyrë. Njerëzit që kanë punuar në atë godinë e dinë se problem më i madh ishin facilitetet skenike që ishin të amortizuara dhe të improvizuara. Nuk kishte infrastrukturë dhe funksionalitetin e një teatri”,- deklaron Basha në intervistën për ATSH.

“Ndërhyrjet ishin bërë për ta sjell në atë gjendje, por pa vizionin për ta zgjidhur përfundimisht problematikën me një vizion të qartë, por vetëm për të shtyrë kohën pa e marrë asnjëherë seriozisht ndërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar. Ajo nuk kishte mundësi për garderobën, e nuk flas për garderobën e spektatorit, por vendet ku prodhohet dhe ruhet garderoba e shfaqjeve apo kabina e fonisë apo dhoma e grimit e improvizuar. Salla e dekoreve..etj. Pra ishte një ndërtesë me mbivendosje të improvizuara. Teatri adreson të gjitha këto probleme dhe e përmbyll krejtësisht atë që mund të quhet nevojë teatrore për të ardhmen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, deklaroi regjisori i njohur Altin Basha në intervistën për ATSH. /atsh

“Kur Kadri Roshi e Naim Frashëri këmbëngulnin për teatër”/Regjisori Basha për ATSH: Teatri i ri do adresojë të gjitha nevojat e artistëve Read More »

Miratohet mbrojtja e tulipanit shqiptar, rritet vetëm në fshatin Surroj

Këshilli bashkiak i Kukësit miraton mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar (Tulipa albanica), i cili ndodhet në një sipërfaqe prej 72 ha në fshatin Surroj.

Me miratimin e këtij vendimit shënohet hapi i parë zyrtar i mbrojtjes së Tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen dhe advokimin e Institutit të Politikave Mjedisore dhe falë punës së palodhur të ekspertëve mjedisorë. Ky vendim u konfirmua edhe nga prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana.

“Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.

Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë.

Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës “Tulipa scardica” dhe me “Tulipa schrenkii”, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.

Biologu Besnik Hallaçi është shprehur se “edhe revista e njohur shkencore “Phytotaxa” në artikullin “Tulipa albanica (Liliaceae), a new species from northeastern Albania”(Tulipani shqiptar –(Liliaceae), një specie e re nga Shqipëria Verilindore), ka publikuar zbulimin e një lloji të ri tulipani në Shqipëri”.

Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.

Sipas Hallaçit, analizat gjenetike të këtij lloji të ri tulipani janë kryer nga prof. Sonja Siljak-Yakovlev e departamentit të Ekologjisë në Universitetin e Parisit.

Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114. /atsh

Miratohet mbrojtja e tulipanit shqiptar, rritet vetëm në fshatin Surroj Read More »

Mjeku Kalo krah Ndrenikës: Me shëmbien e teatrit ra edhe “perdja e teatrit politik” për mbrojtjen e tij si gjoja “vija e kuqe”

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, ka deklaruar se me rënien e Teatrit Kombëtar ra edhe “perdja e teatrit politik” e disa partive politike.
Në një reagim Kalo i cili ka publikuar edhe një fotografi me aktorin e madh Robert Ndrenika, thekson se “mjekët janë shumë të lidhur shpirtërisht me artin dhe artistët”.
“Mantelbardhët janë të lidhur shpirtërisht dhe mjaft të ndjeshëm për artin skenik e atë figurativ, si dhe miq të përkorë me artistët e piktorët…Janë të lidhur shumë dhe “konsumatorë” të uritur të letërsisë e shkruesve të saj…Muzika ishte është dhe mbetet një ushqim i përjetshëm, i shpirtit të tyre mjaft të ndjeshëm dhe human….Teatri si ngrehinë u shemb më 17 Maj 2020 pavarësisht përpjekjeve pa fund përmbi 2.5 vjeçare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrin për ruajtjen e tij…..Kjo datë shënoi njëkohësisht edhe “rënien e perdes së teatrit POLITIK” nga disa parti politike për mbrojtjen e tij, si gjoja “vija e kuqe” e fundit e Demon-kracisë”.
“Një datë e tillë nuk ndikoi aspak dhe nuk e cënoi miqësinë time mbi 40 vjeçare me kolosin e Teatrit dhe të Kinematografisë Shqiptare, Artistin e Popullit Robert Ndrenika, përkundrazi….kurrë të mos heqim nga mendja se miqësitë pa interesa meskine partiake, bazuar vetëm në ndjesitë shpirtërore dhe në respektin reciprok, u rezistojnë gjithmonë kohërave dhe lëkundjeve të këtyre interesave”, shprehet Kalo./atsh

Mjeku Kalo krah Ndrenikës: Me shëmbien e teatrit ra edhe “perdja e teatrit politik” për mbrojtjen e tij si gjoja “vija e kuqe” Read More »

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme

“Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi për parandalimin e përhapjes së COVID-19 rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale”, shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër urimi dërguar kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e 21 majit, Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, Ju dërgoj urimet e mia më të ngrohta. Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi ishte një arritje e madhe popullit malazes drejt mirëqenies dhe të ardhmes së tij, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të rolit e kontributit për zhvillimin, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, është shprehur Ruçi.

“Muajt e fundit të dy vendet tona janë përballur me rrezikun dhe pasojat e pandemisë së COVID-19. Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht kemi ndjekur përpjekjet e mjekëve dhe sistemit shëndetësor të Malit të Zi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit si edhe masat e Qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar nga pandemia. Për fat të mirë, në të dy vendet tona masat rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale. Unë jam i bindur se vendet tona, Europa dhe gjithë njerëzimi do të çlirohen së shpejti nga pasojat e pandemisë dhe do t’u kthehen gëzimeve të jetës”, ka theksuar Ruçi.

“Shpreh gjithashtu bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Malit të Zi do të rifillojë dhe kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e urimit që i ka dërguar Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë./atsh

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme Read More »

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani

Albpetrol njofton se është gati t’i rikthehet prodhimit të naftës, pas përfundimit me sukses të remontit në Pusin Cakrani-34.

Pas një pune voluminoze, ekipet e specializuar të Albpetrol sh.a kanë kryer me sukses remontin e programuar në Pusin Cakrani-34.

Testimet e para të pusit kaluan me sukses duke bërë që pusi të jetë gati për t’u rivendosur në punë me kapacitet të plotë.

Albpetrol sh.a zhvillon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit si dhe në disa blloqe kërkimi, të cilat janë në administrim nga kjo shoqëri, vete ose është pale në Marrëveshjet Hidrokarbureve me kompanitë të tjera (pasi te Licencohet nga Ministria përgjegjëse për hidrokarburet për kalimin e një pjese ose të gjithë të drejtave tek një person juridik), sipas të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuar nga legjislacioni që menaxhon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbure në Republikën e Shqipërisë./atsh

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani Read More »