Aurora

“Kristali” diplomoi edhe 900 italianë

Universitetet private, të cilat u mbyllën në 2014-ën me një vendim të Këshillit të Ministrave, dorëzuan pranë Ministrisë së Arsimit regjistrat e tyre, por universiteti jo publik “Kristal” nuk e bëri një procedurë të tillë. Në këto kushte, Ministria e Arsimit bëri një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale “Mashtrim” dhe “Shpërdorim detyre”. Pasi e shqyrtoi çështjen, Prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e saj.

Në arkivin e Ministrisë së Arsimit, ku ndodhen edhe regjistrat e universitetit jo publik “Kristal”. Regjistrat të vështirë për t’u menaxhuar, jo vetëm në brendi, por edhe fizikisht.

Në përfundim të procesit ishin oficerë të policisë gjyqësore që sollën në Ministrinë e Arsimit 61 regjistrat. Në Ministrinë e Arsimit ka një fluks të madh kërkesash si nga individë e institucione vendase, si dhe nga Kosova e Italia.

Fran Deda interesohet për nusen e djalit në Ministrinë e Arsimit. Nusja dhe djali janë në Itali. Ajo ka marrë një diplomë “Kristali” për infermieri dhe Frani pret që të marrë një vulë nga Ministria e Arsimit e më pas ta çojë për vulë apostile në Ministrinë e Jashtme.

“Unë vij nga Rrësheni dhe jo nga ndonjë zonë e Tiranës. Unë kam 3 muaj që pres”, shprehet Fran Deda. Nusja ka punuar në Shqipëri si infermiere dhe duket se nuk ka problem me vërtetësinë e diplomës. “Më thonë se kanë mbi 4 mijë kërkesa, por unë nuk kam ardhur për të përfaqësuar popullim, por për dokumentet e mia”, thotë Fran Deda.

Kushdo vjen dhe kërkon informacion për autenticitetin e diplomës së vet. “Ministria vendosi t’u referohet regjistrave nga 2017, por duke bërë shënim që nuk garanton vërtetësinë absolute që del nga ato regjistra”, shprehet zëvendësministri i arsimit, Ervin Demo. 22 institucione të arsimit të lartë shumica private u mbyllën me VKM-në e 2014. Zëvendësministri i Arsimit, tregon se sa kërkesa janë trajtuar kohët e fundit nga Ministria e Arsimit.

“Janë 300 apo 400 kërkesa dhe janë verifikuar një sërë problematikash”, thotë Demo. I pyetur në lidhje me 86 diplomat e parregullta që Ministria konfirmoi së fundmi zëvendësmistri shprehet: “Diplomat që kanë qenë dhënë në programe që kanë qenë jo të licencuara, të cilat janë me qindra ndoshta edhe me mijëra mijëra diploma të pavlefshme”.

Zëvendësministri i Arsimit vë theksin edhe tek shtetasit italianë të pajisur me diplomë “Kristali”. “Kanë qenë 900 italianë të regjistruar, kur në “Kristal” nuk ka patur programe në gjuhën italiane apo angleze”.

Por përse nuk ja referon Prokurorisë të gjitha këto raste Ministria e Arsimit? “Regjistrat që ne disponojmë janë regjistra që Prokuroria i ka disponuar. Edhe studentët që nuk i gjejnë emrat nëpër regjistra, pretendojnë që është faji i institucionit që nuk ua ka shkruar emrin në regjistër. Ne jemi të hapur që regjistrat të merren edhe njëherë nëse Prokuroria i dëshiron”, shprehet zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo.

“Kristali” diplomoi edhe 900 italianë Read More »

Vera, tregu 15 milion euro – Konsumi në Shqipëri, 2 litra në vit për frymë

E gjithë industria e verës përfshirë prodhim vendas dhe import vlerësohet të ketë një volum tregtar prej rreth 2 miliardë lekë apo 15 milion euro, ku pjesën më të madhe e zë prodhimi i huaj. Shifrat e sakta të prodhimit të verës mungojnë, por  prodhuesit vlerësojnë që në total të qarkullojnë në treg rreth 500 mijë shishe verë të llojeve të ndryshme.

Konsumi në Shqipëri vijon të jetë i ulët, megjithëse regjistrohet një rritje çdo vit pothuajse 10%,  ndërsa renditemi në vendet e fundit të konsumit të verës në Europë.  Kështu konsumi për individ, llogaritet mesatarisht dy litra në vit.  Raporti në tregun e verës në Shqipëri është 70 për qind import dhe 30 për qind prodhim vendas, gjë që konsiderohet një lajm i mirë për prodhuesit shqiptar të verës pasi vetëm pak vite më parë ky raport ka qenë 90 për qind me 10 për qind.

Raporti i vendosur para disa vitesh ka qendruar në të njëjtat shifra edhe gjatë vitit 2017, duke bërë që prodhimi vendas të jetë i avashtë në fitimin e terrenit ndaj markave të huaja. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, sa i përket importeve, vihet re blerja nga jashtë në masë të madhe e verës prej rrushit të freskët, tregues që ka pësuar rritje gjatë vitit që lamë pas në krahasim me vitin paraardhës.

Kështu, është importuar rreth 4900 ton verë nga rrush i  freskët gjatë vitit 2017 me vlerë 12 milion euro nga 4100 ton që është importuar gjatë 2016-ës me vlerë 8.6 milionë euro.  Sipas prodhuesve dhe të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë,  në të gjithë Shqipërinë janë rreth 100 kantina serioze, ndërsa vetëm rreth 10 prej tyre kanë prodhim sasior më të lartë dhe në normat e prodhimit të standardeve që kërkon kjo industri.

Vera, tregu 15 milion euro – Konsumi në Shqipëri, 2 litra në vit për frymë Read More »

Maqedonia flet edhe shqip. Miratohet ligji për përdorimin e gjuhëve

Deputetët maqedonas kanë miratuar në mesin e një seance të tensionuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota pro dhe asnjë kundër, ndërkohë që nuk janë shqyrtuar aspak amendamentet e VMRO-DPMNE-së.

Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

https://youtu.be/uusFU4ABRpA

Maqedonia flet edhe shqip. Miratohet ligji për përdorimin e gjuhëve Read More »

Shpëtimtarët e refugjatëve në Alpe

Refugjatët që kalojnë kufirin italo-francez përshkojnë një rrugë të rrezikshme për jetën. Popullsia vendase i ndihmon.

“Katër vetë, po kalojnë kufirin. Duhet të nisemi, ndryshe nuk i arrijmë.” – thotë Philippe Zanetti. Së bashku me dy fqinjët e tij ai ndihmon refugjatët në kufirin italo-francez në zonën e Alpeve.

Policia kufitare është në ndjekje të refugjatëve që fshihen kudo në pikë kalimin kufitar në Montgenèvre. Ndihmësit u japin atyre gjëra të ngrohta që të mos ngrijnë gjatë rrugës kur kapërcejnë kufirin.

Njerëzit që u ndihmojnë refugjatëve që të kalojnë ilegalisht kufirin, rrezikojnë pesë vjet burg dhe gjobë prej 30 mijë eurosh. Por Philippe Zanetti thotë: “Ne e marrim parasysh rrezikun. Për ne ka rëndësi jeta e njerëzve.”

Para dy vjetësh dy refugjatë nga Mali ngrinë në përpjekje për të kaluar kufirin italo-francez. Njërit iu desh t’i prisnin këmbët, tjetrit duart. Që atëhere banorët e zonës përpiqen që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Gjithnjë e më shumë refugjatë vijnë me trena nga jugu në veri të Italisë, prej nga kalojnë kufirin për në Francë gjatë natës. Në stacionin e trenit në Bardonecchia është një grup prej rreth 15 refugjatësh. “Ne do ta vazhdojmë rrugën më këmbë, do të shkojmë në Francë, sepse në Itali nuk kemi ç’bëjmë më. Nuk na i japin dokumentet.” – thotë një refugjat.

Ata kanë qenë në kampet e torturave në Libisë dhe kanë kaluar nëpër Detin Mesdhe, prandaj nuk ka frikë të vazhdojnë rrugën as këtu mes Apleve, edhe pse deri në kufirin francez duhen edhe 32 kilometra.

Në 1800 metra mbi nivelin e detit gjendet posta e kufirit. Policia kontrollon me kamera me rreze infra të kuqe. Prej motit të ftohtë disa refugjatë ngrijnë dhe në raste të tilla Philippe Zanetti dhe shokët e tij u vijnë në ndihmë, edhe pse e dinë se nëse kapen me refugjatë në makinë, rrezikojnë të futen në burg.

Philippe Zanetti thotë se ata nuk marrin para për këtë punë, ata ndihmojnë vullnetarisht që refugjatët të mos ngrijnë nga të ftohtët dhe të vdesin.

Në Briançon, ka rreth 200 banorë, mes të cilëve edhe mjekë, që u ndihmojnë refugjatëve. Kryetari i komunës, Gérard Fromm, ka vënë në dispozicion qendrën e komunës për strehimin e refugjatëve, dhe paguan për ushqimin për rreth 2.000 ilegalë që ndodhen këtu në rrugëtim.

“Kur ata vijnë këtu tek ne, na i ka sjellë Zoti për t’i ndihmuar që të marrin forcë dhe të vazhdojnë rrugën më tej. Në fakt më vonë ata do kenë probleme me legalizimin. Por fillimisht kërkush nuk merret me këtë çështje.” – thotë Gérard Fromm.

Shpëtimtarët e refugjatëve në Alpe Read More »

Flini shumë? Kujdes, mund të keni …

Të flesh më shumë se nëntë orë mund të jetë një shenjë e hershme e sëmundjes së Alzaimerit

Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që vazhdimisht kalojnë kohën në shtrat dhe kanë vështirësi të ngrihen prej tij, janë dy herë më të rrezikuar nga Alzaimeri dekadën e ardhshme

Një ndryshim në mënyrën e gjumit është një “kod i kuq” për sëmundjen e trurit, sepse tregon që pjesa e trurit që merret me zgjimin po vuan dëmtime.

Kërkuesit gjithashtu zbuluan se ata që fjetën 9 orë ose më shumë kanë volum më të vogël të trurit, iu desh më gjatë të perceptonin informacionin dhe treguan shenja të një kujtese të zbehur.

Besohet se paaftësia për t’u ngritur nga shtrati mund të jetë një shenjë që truri po ndryshon dhe po shkon drejt sëmundjes së Alzaimerit.

Kjo do të thotë se njerëzit në moshë nuk mund ta shmangin një gjë të tillë duke vendosur zilen e orës më herët.

Flini shumë? Kujdes, mund të keni … Read More »

Raporti i Institutit të Vienës: Në tre vite të parët me rritjen dhe papunësinë

Këtë vit, atë të ardhshëm si dhe në 2020, Shqipëria do të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor, thotë Instituti i Vienës për Studime Ekonomike në një raport të publikuar së fundmi për Europës Qendrore dhe Lindore. Për këtë vit, Instituti i Vjenës, projekton një rritje ekonomike të vendit tonë në 4.1%, ndërsa për vitin e ardhshëm në 4%, për të zbritur më pas në 3.9% në 2020.

Projeksionet e reja shënojnë një zhvlerësim të ekonomisë shqiptare. Në raportin e kaluar vlerësohej se, ekonomia e vendit tonë do të rritej me 4.2% këtë vit dhe 4.1% vitin e ardhshëm. Pra, kemi të bëjmë me një zhvlerësim minimal të projeksioneve, me vetëm 0.1%. Edhe sa i përket normës së papunësisë, projeksionet më të fundit tregojnë se, Shqipëria do të jetë ajo me normën më të ulët këto tre vite, me 13%, 12.5% dhe 12% respektivisht.

Pavarësisht optimizmit të Institutit të Vienës sa i përket indikatorëve kyç makro-ekonomikë, një rënie e papunësisë me vetëm 0.5% në një vit është minimale. Sa i përket normës së inflacionit ndërkohë, projeksionet mbeten të pandryshuara. Instituti i Vienës është i radhës ndër institucionet prestigjioze që ka tentuar të shfryjë disi optimizmin e tepruar sa i përket rritjes ekonomike të vendit tonë.

Tërheqja e investimeve të huaja madhore dhe mosafrimi i investimeve të reja do të prodhojë për rrjedhojë një ngadalësim të hapit të rritjes, duke i`u larguar kështu objektivit të shumë kërkuar të qeverisë, në të paktën 5% rritje ekonomike, që sipas ekzekutivit do të kishte impakt të drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve.

Raporti i Institutit të Vienës: Në tre vite të parët me rritjen dhe papunësinë Read More »

Ana tjetër e medaljes – Portofoli i shqiptarëve më i zbrazëti në rajon

E ndërkohë që projeksionet tregojnë një situatë ku Shqipëria është e para në rajon, realiteti flet ndryshe, duke i vendosur shqiptarët në vend të fundit kur bëhet fjalë për ekonominë reale, pra Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë dhe pagat.

Edhe këto të dhëna janë publikuar nga Instituti i Vienës për studime ekonomike dhe tregojnë se sa larg është realisht një vend nga Austria, e marrë si ekonomia referencë në këtë rast. Kur bëhet fjalë për PBB për frymë, në Shqipëri ky indikator është sa 1 e katërta e Austrisë.

Më keq se shqiptarët e Shqipërisë janë vetëm ata të Kosovës në këtë drejtim dhe ukrainasit. Por ekonomia e Ukrainës është zhytur thellë në recesion pas konfliktit të fundit në vend. Sa i përket pagave ndërkohë, shqiptarët e Shqipërisë zbresin në vend të parafundit, më mirë vetëm se ukrainasit.

Pagat në vendin tonë vlerësohen sa 30% e austriakëve, thotë Instituti i Vienës për Studime Ekonomike. Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, janë të katërta më mirë se Shqipëria në drejtim të ekonomisë reale, asaj familjare, paçka se projeksionet dhe vlerësimet e fundit makroekonomike, po të Institutit të Vienës, tregojnë se Shqipëria i ka lënë pas në 2017 këto vende dhe do të vijojë ti lërë pas në tre vitet e ardhshme.

Ana tjetër e medaljes – Portofoli i shqiptarëve më i zbrazëti në rajon Read More »

Problemet e pronësisë – Rama angazhohet për t’u dhënë fund për institucionet e kultit në vend

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve e kultit në vend. Deklaratën kreu i ekzekutivit e bëri nga Elbasani ku i dorëzoi kishës katolike Shën Piu X certifikatën e pronësisë

“Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brown i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Franceskut.

“Pikë së pari do doja t’ju thoja se sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij. Sot është një ditë e bukur për të qënë këtu në Elbasan, ndërsa festojmë ditën e parë të verës dhe ju falenderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë. Faleminderit Kryeministër!” – deklaroi nunci apostolik Charles John Broën.

Nga ambientet e kësaj kishe Kryeministri Rama uroi edhe besimtarët e pranishëm për ditën e Verës.

Problemet e pronësisë – Rama angazhohet për t’u dhënë fund për institucionet e kultit në vend Read More »