Aurora

Ai nuk meriton ta shohë të birin!Histori e trishte…

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam një nënë e divorcuar prej më pak se një viti. Kam një djalë 6 vjeç dhe aktualisht, po jetoj me prindërit e mi, nënën dhe babanë.

Jam 30 vjeçe dhe u martova shumë e re, pasi burrin tim e njoha kur isha në gjimnaz. Ai ishte disa vjet më i madh se unë, ndërsa unë isha vetëm 18 vjeçe.

Ishte dashuri me shikim të parë. Për shkak të moshës së tij pak më të madhe dhe sepse ishte njeri pa shkollë të lartë, prindërit nuk ishin dakord që ne të martoheshim, por dashuria jonë ishte më e madhe.

U fejuam mbasi unë mbarova gjimnazin. Ai kishte një dyqan të familjes dhe herë pas here shkonte për furnizim jashtë vendit.

Unë vazhdova shkollën e lartë për Gjuhë të Huaja dhe prej disa vitesh punoj si mësuese në një shkollë nëntë-vjeçare.

Qëndruam të fejuar për gati 3 vjet dhe mund të them me plot gojën se lidhja jonë ishte e përkryer.

Ai ishte mashkulli ideal! Më bënte dhurata, më sillte lule, sa herë ikte jashtë për të marrë mall për dyqanin më sillte gjithmonë veshje nga më të fundit.

Kur isha në vitin e fundit të universitetit, unë mbeta shtatzënë. Vendosëm të martoheshim ndonëse akoma nuk kishim një shtëpi.

Morëm me qira një apartament të vogël, por ishim të lumtur. Vitet e para të martesës ishin të qeta dhe unë mendoja se gjithçka ishte në vendin e duhur.

Lindëm një djalë i cili ishte bekim për të dy, por ndonëse të dy punonim, paratë nuk ishin të mjaftueshme sepse kishim një qira për të paguar dhe një fëmijë për të ushqyer.

Rroga ime dilte vetëm për të blerë ushqimet dhe gjërat e tjera të nevojshme, ndërsa im shoq kishte probleme me dyqanin. Shitjet filluan të binin e kështu filluan problemet me mungesën e parave.

Djali rritej çdo ditë e më shumë dhe rriteshin edhe kërkesat e tij, por biznesi po shkonte gjithnjë e më keq dhe kështu, im shoq u detyrua ta mbyllte.

Që nga ai moment, nisën edhe problemet që i dhanë fund martesës sonë. Ai nuk ishte mësuar të bënte punë tjetër përveç dyqanit, nuk kishte profesion tjetër.

Në momentin që e mbylli atë, u gjend i papunë dhe pa asnjë mundësi punësimi. Rroga ime nuk ishte e mjaftueshme prandaj insistoja çdo ditë që të gjente punë.

Ai e kalonte ditën në shtëpi duke parë televizor ose në lagje me shokët e tij. Mua më ra përsipër të mbaja gjithë familjen ndërkohë që nuk kishim të ardhura të tjera. Shumë shpejt nisën debatet në shtëpi.

Tensioni ishte i madh dhe marrëdhënia midis meje dhe bashkëshortit nisi të përkeqësohej çdo ditë e më shumë.

Në vend që të kërkonte për çfarëdolloj pune, ai nisi ta kalonte gjithë ditën jashtë me shokët e tij duke pirë e duke treguar çdo ditë e më pak interes e përkushtim për familjen e tij.

Po më vinte shpirti në majë të hundës! Gjithë ajo dashuri e madhe, kur lekët që sjell në shtëpi nuk dalin as për gjysmën e muajit, zhduket.

Shpesh ndodhte që vinte i dehur në shtëpi, gjithashtu më kërkonte edhe para. Kjo situatë vijoi për disa muaj, derisa prindërit e mi të cilët më ndihmonin herë pas here, më thanë se nuk ishin më në gjendje të më mbanin mua, fëmijën dhe bashkëshortin tim. Kjo situatë kështu nuk mund të zgjaste më shumë.

U kërkova prindërve të mi të rikthehesha tek ata, të paktën derisa im shoq të kthehej në gjendje si më parë e të kishte gjetur një punë.

Ata pranuan. Kur i thashë se do të ikja bashkë me djalin dhe se nuk mund ta përballoja më mungesën e tij dhe sjelljen prej të papërgjegjshmi, ai, sigurisht, nuk ishte dakord dhe shpërthehu në ulërima.

I kërkova të shtrohej e të gjente një punë. Mbase atëhere do të rikthehesha me të. U largova mes një sherri të tmerrshëm dhe ulërimave. Për disa ditë nuk dëgjova asgjë nga ai.

Dija që shtëpinë që kishim me qira nuk kishte më mundësi për ta paguar dhe me siguri ishte rikthyer te prindërit e tij.

Pas një muaji a më shumë, ai trokiti te dera e prindërve të mi. Fillimisht m’u duk në rregull, por kur filloi të fliste, e kuptova se gjërat për të ishin përkeqësuar.

Ai kishte ardhur për të më thënë se nëse nuk do të kthehesha me të, do të kërkonte kujdestarinë e djalit.

Pas një sherri tepër të madh, u desh ndërhyrja e babait tim që ai të largohej. Sherret vazhduan të ishin të njëpasnjëshme derisa një ditë më erdhi një fletëthirrje për t’u paraqitur në gjyq.

Qëkur isha larguar nga shtëpia ku jetonim bashkë, ai ishte rikthyer te prindërit e tij.

Me siguri i kishte bindur ata se për ndarjen tonë isha fajtore unë, ndaj tashmë unë isha e padëshiruar për prindërit e tij.

Ata nuk ishin sjellë ndonjëherë keq me mua, por as kur kishim nevojë nuk na kishin ardhur ndonjëherë për ndihmë, madje vetëm shikonin ku e ku t’i merrnin ndonjë lek të birit.

Pas rikthimit në shtëpinë e tyre, ata i kishin gjetur punë te një dyqan i kushëririt të tyre, ku ai punonte si roje natën.

Duke qenë se unë isha ajo që isha larguar nga shtëpia, ata e kishin bindur se unë i kisha “rrëmbyer nipin”, ndaj kishin zgjedhur ta merrnin atë në rrugë ligjore.

Shumë shpejt erdhi kërkesa për paraqitjen për në gjyq. Kërkesa për të më marrë djalin bazohej te fakti se unë kisha qenë një bashkëshorte e keqe, që tradhtoja burrin dhe nuk isha kujdesur për familjen në kohën kur im shoq kishte qenë në vështirësi ekonomike.

Ndonëse kishte vendosur të më merrte djalin me rrugë ligjore, ai vinte herë pas here në shtëpi, madje e takoja edhe rrugës dhe vetëm më kërcënonte.

Në një seancë gjyqi tha se unë nuk e lija as ta takonte djalin, kur unë vetë i kisha thënë që të caktonim dy ditë në javë ku ai të kishte mundësi të vinte të takonte të birin. Gjithë çfarë thoshte ai, ishin gënjeshtra.

Sipas avokatit tim, gjyqi nuk po shkonte në favorin tonë dhe më tha se duhej të paguanim gjykatësin që ne të fitonim çështjen.

Bëhej fjalë për një shumë jo të vogël, të cilën, unë nuk kisha ku ta gjeja. Ditët e vendimit të gjykatës po afroheshin dhe frika na kishte pushtuar të gjithëve.

Një mikesha ime e cila punonte në bankë, më këshilloi të merrja një kredi me interes afatgjatë.

Fatkeqësisht, kjo ishte e vetmja mënyrë, kështu që u detyrova të merrja kredi, vetëm për të mos rrezikuar tim bir. Një nënë është e aftë të bëjë gjithçka për fëmijën e vet, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikojë e madje të japë edhe rryshfet.

Im bir nuk u nda kurrë nga unë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Aktualisht, vazhdoj të paguaj kredinë e marrë dhe bëj njëkohësisht dy punë.

Pavarësisht se kam shumë pak kohë të rri me të, jam e lumtur që ai është pranë meje; kjo më bën të ndjehem e qetë dhe e sigurtë.

Sa për ish-bashkëshortin tim, që pas ditës së gjyqit, nuk e kam lejuar as të afrohet te pragu i derës sonë.

Ai nuk meriton ta shohë të birin!Histori e trishte… Read More »

Re të zeza mbi qeverinë, bota shpall Edi Ramën lider global të korrupsionit, tejkalon edhe Berishën

Java që lamë pas u karakterizuar me dy lajmë të zymta, për rritjen e nivelit të vjedhjes nga kjo qeveri, por që të dy lajmet u përzien me mjegullën e madhe të skandaleve, arrestimeve, akuzave politike dhe teatrit të qeverisë. Bëhet fjalë për dy sondazhe, të realizuara nga organizma prestigjioze dhe të besueshme, që flasin për rritjen e korrupsionit në Shqipëri. Sondazhi i parë është realizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku sipas të cilit rreth 89 për qind e shqiptarëve besojnë që korrupsioni në Shqipëri është gjerësisht i përhapur.

Sipas të dhënave të OKB, Shqipëria rezulton të jetë vendi i 20 më i korruptuar në botë, ku gati 9 në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni në shtet dhe në qeveri është gjerësisht i përhapur. Sondazhi i dytë, është kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).

Sipas sondazhit të dytë, 88 për qind e shqiptarëve besojnë që korrupsioni ka kapur Shqipërinë. Sipas këtij, sondazhi krahasuar me vitin 2016, për vitin 2017 shifrat e përballjes personale me korrupsionin në qeverisjen vendore janë rritur me 6 pikë përqindje, ndërsa për qeverisjen qendrore me 5 pikë përqindje. E thënë ndryshme, shqiptarët vidhen gjashtë pikë më shumë nga kryetarët e bashkive dhe pesë pikë më shumë nga qeveria, krahasuar me vitin 2016.

Me Edi Ramën kryeministër Shqipëria po njeh nivelet më të larta korrupsionit. Edi Rama po tejkalon edhe Sali Berishën për korrupsion dhe afera. Nëse dy sondazhet do të ishin pozitive, propaganda qeveritare nuk do të pushtonte disa ditë. Por, të dy sondazhet kanë shembur propagandën qeveritare për gjoja luftë qeveritare. Sondazhet thonë se kryetarët e bashkiave dhe qeveria janë në garë se cila palë të vjedhë më shumë paratë e shqiptarëve dhe pasuritë publike.

Ministrat vijojnë abuzimet në terezi të tyre, kryeministri shpërndaj si plaçkë pasuritë publike në terezi të tij, drejtorët vjedhin me tendera sa munden, kryebashkiakët vjedhin me tendera dhe leje ndërtimi, administrata merr ryshfet sa të mundet dhe ku si të mundet. Në këtë situatë ka ndikuar edhe opozita, e cila e frikësuar mendon vetëm se si të mbrojë pasuritë që ka vjedhur kur ka qenë në pushtet dhe ankohet se qeveria po vjedh më shumë se ajo.

E gjithë demagogjia e Edi Ramës për të luftuar korrupsionin në këto pesë vite të qeverisjes së tij konsiston vetëm në propagandë, teatër, nisma qesharake që i rrëzon vetë më vonë, në strategji në letër, konferenca dhe fjalime.

Për të parë se sa serioz është Edi Rama në kundër korrupsionit, po sjellim në vëmendje një shembull të thjeshtë, por trishtues dhe poshtërues për shqiptarët.

Në fillim të vitit 2015, Edi Rama prezantoi me bujë një portalin atikorrupsion, duke e prezantuar si një rezolucion. Në fillim të 2015, Edi Rama tha: “Ka ardhur koha që të kurojmë imazhin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria nuk është atdheu i korrupsionit, por që kjo të kthehet në një të vërtetë të dëshiruar ne duhet të luftojmë së bashku. Duhet ta çlirojmë imazhin e vendit me zgjidhjen e problemit dhe jo me makijazh. Kushdo që gjendet përballë një situatë korrupsioni, ka në dispozicioni një armë që ne e ftojmë që ta përdorë. Kemi hapur një front të gjerë reformash dhe në funksion të çdo sektori kemi çelur kantiere të mëdha transformimi rrënjësor. Nëse ka një veçori të përbashkët të gjithë të këtyre kantiereve, që kanë të bëjnë me riorganizimin dhe mirëqeverisjen e territorit, rritjes së cilësisë së kujdesit shëndetësor, arsimit, bujqësisë, kulturës, turizmit e të tjerë, është lufta kundër korrupsioni”.

Gati tre vite më vonë, në fund të vitit 2017, Edi Rama e hodhi poshtë këtë portalin që prezantoi në fillim të vitit 2015, si një nismë që nuk dha rezultat. Në tetor të vitit 2017, Edi Rama prezantoi nismën e radhës, bëri shfaqjen e radhës.

Këtë radhë Rama tha: “Platforma nuk është një portal, po një mekanizëm inovativ për të përfshirë drejtpërdrejtë qytetarët në qeverisjen e vendit në proceset vendimmarrëse, në luftën kundër korrupsionit. Kjo platformë është mundësia e çdo shqiptari për të qenë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të këtij vendi. Kjo ka për ta bërë këtë vend të denjë për fëmijët tanë dhe po ashtu është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqenie”.

Ky është serioziteti i Edi Ramës në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që shemb teatro dhe ndërton kulla, bllokon të gjithë pronat në bregdet për t’ua dhënë klientëve të tij, emëron shokët dhe dashnoret në postet kyçe, bën paratë e popullit rrush e kumbulla, jep me koncesion paratë e shëndetësisë dhe një pjesë të mirë të parave i investon në propagandë për të çoroditur njerëzit.Pamfleti.

Re të zeza mbi qeverinë, bota shpall Edi Ramën lider global të korrupsionit, tejkalon edhe Berishën Read More »

Berisha “masakron” Bashën në mbledhjen e grupit parlamentar

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD, Sali Berisha ka “kryqëzuar” në mbledhjen e grupit parlamentar kreun e PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me lëvizjen dhe tentativën për të zhdukur nga kalendari i datave historike, 20 shkurtin.

CNA.al mësoi se Berisha ka folur gjatë në mbledhjen e grupit, ku ka shpjeguar simbolikën e asaj date si dhe arsyen pse është shpallur me vendim qeverie si simbolikë e persekutimit komunist.

Ish-kryeministri Berisha i është drejtuar me ton Lulzim Bashës, duke theksuar, se PD ka më shumë se dy vite që nuk e përkujton 20 shkurtin dhe nuk zhvillon asnjë aktivitet.

Ish-kryeministri i vendit dhe lideri historik i PD-së, mesa duket e ka të qartë dhe të fotografuar mjaft mirë çdo detaj që ka të bëjë me 20 shkurtin dhe lëvizjen e Lulzim Bashës për të zhdukur këtë datë dhe simbolikën e saj.

Mësohet se ish-kreu i PD-së ka theksuar në mbledhje se, “data dhe ngjarje ka shumë, por 20 shkurti ka një simbolikë të veçantë dhe askush nuk mund ta ndryshojë.”

Kjo ndoshta ka qenë edhe arsyeja pse ish-kreu i qeverisë ka mbajtur një leksion të gjatë për deputetët duke ju shpjeguar vendimin e qeverisë së tij për 20 shkurtin dhe simbolikën e saj.

Berisha “masakron” Bashën në mbledhjen e grupit parlamentar Read More »

Abuzimet, hetim kryebashkiakëve Dritan Leli Vlorë, Vangjush Dako Durrës, Eduart Kapri Pogradec, Qazim Sejdini Elbasan, Voltana Ademi Shkodër

Faza e parë e kapjes së “peshqve të mëdhenj” nga ana e organeve ligjzbatuese me sa duket do të jetë niveli vendor i qeverisje.

Pas arrestiit shtëpiak të kreut të bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj për abuzim dhe tjetërsim të pronave te “Rana e Hedhun” e me shumë gjasa dhe në Ishull Lezhë, Kune, Vain dhe në Tale, radha pritet t’ju vijë dhe disa kryebashkiakëve të tjerë të rëndësishëm. Ku ka drejtues bashkish të propozuar nga PS por dhe nga PD.

Dritan Leli, kreu i bashkisë së Vlorës është akuzuar fillimisht se vetëm për fasada ka investuar 500 milionë lekë në Vlorë për të ndërtuar “Sistemi Multifunksional “Smart City”, ku do të bëjnë pjesë edhe stola inteligjentë. Por që sipas tij ky projekt përmban një sistem multifunksional teknologjik që do të mundësojë një rrjet komunikimi të shpejtësisë së lartë i bazuar mbi fiber optike ne qytetin e Vlorës, shërbim Wi‐fi free në të gjithë zonën e Lungomares, stola interaktivë për banorët dhe turistët e shumë shërbime të tjera. Por ky është një investim që është nën hetimin e prokurorisë.

Ndërkohë kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, është akuzuar se në një tender për “Rehabilitimin e rrugëve Ramize Gjebrea-Gjon Bocari Loti I”, është vendosur një kriter “që paracakton fituesin”.

Duke e akuzuar se fituesi është jo vetëm i paracaktuar por dhe bën pjesë në interesat klienteliste të Lelit dhe njerëzve afër tij.

Ndërkohë ka akuza edhe për leje ndërtimi, por që janë në verifikim, si dhe një tentativë për blerjen e një makinë superluksoze me vlerë 60 milionë lekë. Pa llogaritur fondet e shpërdoruara të dhëna për pastrimin e kanaleve dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Ndërkohë që prokuroria e Elbasanit, ka nisur një hetim pasuror me bazë të dhënat tatimore edhe për aktivitetet e biznesit për familjarët e kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Nisja e këtij hetimi për pasuritë e familjarëve të një kryebashkiaku, përfaqësuesi të fuqishëm të pushtetit aktual, tregon se drejtësia ka nisur të veprojë edhe mbi të paprekshmit.

Dhe, nëse ky hetim ka synim zbardhjen reale të pasurive, bizneseve, llogarive bankare e pronave fizike të familjarëve të kryebashkiakut, ky hap është tregues i nisjes së pastrimit nga jeta publike e drejtuesve dhe të zgjedhurve që përdorin pushtetin për ta shtuar pasuritë personale e familjare. Pasuri këto të krijuara nëpërmjet klientelizmit dhe abuzimit me tenderët, me qiratë, me shitje-blerjet, shërbimet, taksat publike, pagesat private me fondet e bashkisë.

Burime nga prokuroria, thonë se shkak i përfshirjes së familjarëve të kryebashkiakut të Elbasanit, në listën e hetimit pasuror, janë pasuritë që disponon kjo familje komandon gjithë qytetin, pasi ka mbështetje nga politikanë dhe shtetarë në kupolën e pushtetit!

Njëherësh janë nën hetim dhe lidhjet e Qazim Sejdinit me kupolën e krimit, pasi dhëndërri i tij Sokol Sanxhaktari, ka qënë dhe është nën hetim për lidhje me krimin dhe trafiqet.

Pa u zgjatur më tej hetimi ndaj Sejdinit vijon.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ka shkatërruar aq shumë qytetin bregdetar të Durrësit, sa nuk ke nga e kap.

Që nga projekti “Veliera” në Durrës që e ka shëmtuar aq shumë qytetin e deri tek ndërtimet ku ka një metër të lirë në Durrës. Dhe që është nën hetim për abuzimet me fondet publike. Po ashtu dhe për pasurinë e vënë pa i justifikuar të ardhurat.

Vangjush Dako është një drejtues Bashkie shumë i pasur. Prona më e madhe që ka Dako në pronësinë ë tij 100% është një palat 11 katesh me sipërfaqe totale 3 640 m2 në vlerën 72 000 000 lekë. Që e bën automatikisht një njëri shumë të pasur.

Prona tjetër e rëndësishme e Dakos është një toke truall me sipër 1 800 m2 në vlerën 50 000 dollar.

Një tjetër pronë e kryetarit Dako është  një apartament me sip. 130 m2 në vlerën 40 000 dollar.

Por Dako është pronar edhe i dy magazinave.

Për të gjitha pronat e sipër përmenduara Vangjush Dako është pronar i vetëm me 100 % te aksioneve.

Vangjysh Dako deklaron se është Pronar me 100%  i dy automjeteve të shtrenjta,  një veture tip Mercedes Benz në vlerën 25 000 euro. Gjithashtu edhe një veturë tjetër  tip BMW në vlerën 700 000 lekë. Të dyja këto makina janë marka të shtrenjta dhe makina të konsumit të lartë të karburantit.

Pasuria e kryebashkiakut Dako e lejo atë të mbaj këto dy makina të shtrenjta. Kaq ka të deklaruara.

Ndërkohë kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi akuzohet me abuzimin me ndihmën e ekonomike, investimet në ujësjellësa dhe pronat në Shkodër dhe Velipojë. Madje ajo ka 10 pasuri të paluajtshme si apartamente, njësi tregtare apo dhe truall.

Përmes një statusi në Facebook, Ademi e ka pranuar se disponon pasuri të konsiderueshme në emër të saj, por sqaron se i ka të trashëguara nga të parët dhe jo të vendosura nga puna e saj si kryebashkiake apo angazhimi në politikë.

Ndërsa pas kontrollit të kryer në në ndërmarrjen “Ujësjellës Kanalizime Shkodër” SHA. mbi auditimin e ligjshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën nga data 01.07.2015 deri më datën 30.06.2017, KLSH, kërkon largimin nga detyra të administratorin e Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Mark Molla. Largim ky për një sërë shkeljesh që KLSH ka evidentuar në këtë ndërmarrje. Por Voltana se largon Markun, i sjell shumë kënaqësi ai përmes çantave me para.

Ndërkohë që abuzime ka kryer dhe kreu i bashkisë së Pogradecit Eduart kapri. Një audit i brendshëm i kryer në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Pogradec nga ana e drejtuesve të rinj të emëruar nga kryebashkiaku i qytetit 4 ditë më parë, kanë nxjerrë në pah abuzime të kryera nga ish-titullarët.

Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit dyshohet të jetë 2 milionë euro. Sipas auditit, ish-drejtuesi i Ujësjellësit kishte shtuar 77 punëtorë mbi organikë, me paga të justifikuara e disa prej të cilëve nuk paraqitesh në punë.

Kryebashkiaku Eduart Kapri tha se ish-drejtori Gora e kishte pagën sa kryeministrit, 2.5 milionë lekë të vjetra. Abuzime ka dhe me pronat.

Kryebashkiaku i Pogradecit Kapri është proceduar penalisht dhe nga policia pasi ka ndaluar një përmbarues të ushtrojë detyrën.

Mësohet se shtetasi F.B pretendon se është goditur nga kreu i Bashkisë. Pra janë këta kryebashkiakë në “radarin” e drejtësisë për abuzimet që kanë kryer, ndërkohë që shpresojmë të mos ndalohen dhe të kalojnë më pas në arrest shtëpiak. Siç ndodhi sot me kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj që është drejt lirisë.

Abuzimet, hetim kryebashkiakëve Dritan Leli Vlorë, Vangjush Dako Durrës, Eduart Kapri Pogradec, Qazim Sejdini Elbasan, Voltana Ademi Shkodër Read More »

Basha: Kur do shkojë para drejtësisë Tahiri? Pse nuk hetohet, Dako, Sejdini …

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zbardhur mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar mesditën e sotme.

Sipas Bashës, nuk do të ketë drejtësi nëse nuk shkon para drejtësisë, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Damian Gjiknuri, etj.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Ne duam të dimë kur do të dalë Saimir Tahiri para drejtësisë, i kapur nga antimafia italiane si njeriu kyç në  trafikun e drogës dhe njeriu më i afërt i Ramës.

Ne duam të dimë se kur do të kapet kupola e policisë dhe të shpallurit në kërkim për drogë.

Ne duam të dimë kur do të hetohet Vangjush Dako.

Ne duam të dimë se kur do të dalë para drejtësisë, Qazim Sejdini dhe banda ballkanike e drogës.

Kur do të hetohet Damian Gjiknuri, që ka bërë pazare me banditët dhe ka blerë votat, që nga Dibra e në zgjedhjet e fundit.

Pa u vënë, pa u hetuar këto raste të denoncuara me fakte flagrante, kjo do të thotë se drejtësia është e kapur dhe krimi është futur në drejtësinë.

 

 

Drejtësi do të thotë kur të gjithë janë të barabartë para ligjit. Pse nuk u arrestua Elvis Roshi, për të njëjtat akuza?

Basha: Kur do shkojë para drejtësisë Tahiri? Pse nuk hetohet, Dako, Sejdini … Read More »

Zv/drejtorja e Policisë: Në 2018 Shqipëria nuk do flitet për kanabis

Gjatë një takimi me përfaqësues vendor në Gjirokastër, zv/drejtorja e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, theksoi se gjatë këtij viti nuk do të flitet më për Shqipërinë e kanabisit.

Kërkesa e saj për punonjësit e policisë së shtetit, është që të informojnë për të gjitha rastet, duke shtuar se do të rikontrollohen të gjitha zonat e kontrolluara gjatë vitit të shkuar.

”Policia është vendosur që në 2018 nuk duhet të flitet më për Shqipërinë e kanabisit .Çdo oficer policie punonjës i Policisë së Shtetit duhet me patjetër të evidentojë dhe te informojë mbi të gjitha rastet që evidentohen në zona caktuara për kultivimin e kanabisit. Të gjitha objektet të cilat janë kontrolluar nga policia gjatë 2017 do të rikontrollohen”,-tha zv/drejtorja e Policisës së Shtetit.

Gjatë 2017 u vu re mungesa e informacioneve, çka do të thotë që informacionet janë të nevojshme për të gjithë. Duhet të kemi më shume hetime proaktive.

Zv/drejtorja e Policisë: Në 2018 Shqipëria nuk do flitet për kanabis Read More »

Paralajmërimi i Ramës për ndihmën ekonomike: Nëse refuzohet puna, ndërpritet

Kush është me ndihmë ekonomike dhe refuzon një vend pune, do të humbasë automatikisht përkrahjen financiare që merr nga shteti. Ky është paralajmërimi që Kryeministri dha gjatë vizitës në një fabrikë këpucësh, në Kamëz.

“Ligji është shumë i qartë: në qoftë se ti ke një ofertë për punë edhe ti e refuzon, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike! Kjo është e qartë, sepse është e pamundur që të vazhdojë të jepet ndihmë ekonomike për dikë që është fizikisht i aftë për punë”, tha Rama.

Për të lehtësuar mundësinë e punësimit, Rama tha se Qeveria ka ngritur një skemë pagese për këdo që dëshiron të trajnohet.

“Ne kemi dhe këtë skemën tani që, ne japim pagesë për trajnimet. Pra, kushdo që është i gatshëm që të trajnohet, atëherë ne japim 55 mijë lekë të vjetra në muaj mbështetje për trajnimin”, tha kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit, ndihma ekonomike nuk mund të trajtohet si një status i përhershëm.

Paralajmërimi i Ramës për ndihmën ekonomike: Nëse refuzohet puna, ndërpritet Read More »

Lufta e madhe e Vlores qe nuk harrohet lehte – Viti 1920, viti i çobanëve që hidhen mbi gjeneralët.

Lufta e Vlorës është nga ato luftëra që nuk harrohen lehtë se është bërë për liri, për dashuri ndaj dheut të të parëve. Brigjet e Shqipërisë do të goditeshin shumë fortë, po po aq e fortë ishte edhe kundërpërgjigjia që ata morën

Në vargun e luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e tyre kombëtare, bën pjesë edhe epopeja legjendare e Vlorës e vitit 1920, e cila, pas Kongresit Historik të Lushnjës, shënoi një nga faqet e ndritura në historinë e popullit shqiptar. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, midis Fuqive të Mëdha, Gjermanisë e Austro–Hungarisë nga njëra anë dhe në anën tjetër, Fuqive të Atlantës: Angli, Francë e Rusia Cariste, Shqipëria u ndodh në këtë udhëkryq historik, duke u bërë një nga vatrat e lakmive të fuqive ballkanike dhe synimeve të tyre për ta eliminuar vetëqenien e shtetit kombëtar shqiptar.

Fuqitë Ndërluftuese, me miratimin e Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare i pushtuan, duke krijuar një dramë të re historike. Në vjeshtën e vitit 1914, Greqia pushtoi viset jugore të vendit, Italia u vendos në ishullin e Sazanit dhe pushtoi Vlorën, në qershor 1915 Serbia pushtoi Shqipërinë e Mesme, ndërsa Mali i Zi, zaptoi viset veriore.

Në kundërshtim me këto fuqi luftarake, në fillim të vitit 1916, drejt trojeve shqiptare vërshuan edhe ushtritë austro-hungareze e ato bullgare, ndërsa ushtritë franceze u vendosën në rajonin e Korçës. Lufta e Parë Botërore krijoi një dramë të re në fatin e jetën e shqiptarëve, fshatra të tëra të djegura e shkatërruara, u rrënua bujqësia e blegtoria, mijëra të vrarë, plagosur e internuar, mijëra të vdekur nga uria dhe epidemitë.

Personalitetet e shquara të Europës si: Miss Durham, Herbert, Berthold e të tjerë, i bënë thirrje Fuqive të Mëdha për të ndalur këtë dramë fatkeqe të shqiptarëve në Ballkan. Pas debateve të ashpra në Konferencën e Paqes në Paris 1915-1919, shqiptarët ngritën zërin e tyre për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, përballë barbarive të ushtrive të huaja.

Një varg protestash, mitingjesh e memorandumesh të vitit 1919-1920 iu drejtuan Fuqive të Mëdha dhe Konferencës së Paqes në Paris, jo vetëm nga qytetet kryesore të vendit, por edhe mëmëdhetarët në Europë e ShBA., ku kërkohej largimi i ushtrive pushtuese nga trojet shqiptare dhe bashkimi i krahinave të Vlorës me pjesën tjetër të Atdheut.

Qysh në verën e vitit 1919, nëpërmjet shtypit të huaj, vlonjatët mësuan për marrëveshjen Titoni–Venizellos, e cila kërkonte aneksimin e viseve shqiptare nga fqinjët ballkanikë. Për të kundërshtuar këto synime shoviniste, me nënshkrimin e atdhetarëve më në zë të Vlorës si Osman Haxhiu, Et’hem Vlora, Spiro J. Koleka, Tol Filipi, Jani Minga, Hamza Isai, Halim Xhelo, Abaz Mezini, Tol Arapi, nënshkruar edhe nga parësia e qytetit dhe e krahinave më 24 shtator 1919, i dërguan një memorandum kryetarit të delegacionit anglez në Konferencën e Paqes në Paris z. Lloid Xhorxh, ku i shkruanin:

“Prej kaq shekujsh po vuajmë martirizime të tmerrshme për të fituar lirinë tonë dhe kemi derdhur pa pushim gjakun tonë kundër popujve invazorë dhe, megjithëse të dobët dhe të pakët si numër, nuk e kemi përkulur kurrë kurrizin dhe nuk kanë mundur kurrë të na sundojnë, duke treguar në shumë raste se edhe ne ishim të denjë për të jetuar të lirë dhe të pavarur si fqinjët tanë…”.

Ky memorandum iu dorëzua edhe komandës së ushtrisë italiane, gjë që e tronditi gjeneral Piacentinin. Më 28 Nëntor 1912, atdhetarët e Vlorës, me në krye Osman Haxhiun, demonstruan tek xhamia e Tabakëve, duke manifestuar për ditën e shenjtë të flamurit kombëtar. Ky manifestim dhe përleshja e vlonjatëve me ushtrinë italiane nëpër rrugët e qytetit, e tronditi mjaft komandën e ushtrisë italiane.

Në mbështetje të manifestimit të Vlorës u organizuan protesta e manifestime edhe në mjaft qytete të tjera të vendit, në Berat, Skrapar, Lushnjë, Gjirokastër, Shkodër, Krujë, Elbasan e gjetkë.

Kongresi i Lushnjës, janar 1920, me vendimet e veta, shënoi një kthesë të re në jetën historike shqiptare, ai hodhi poshtë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për copëtimin e trojeve shqiptare, duke rritur ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Në ditët e para të gushtit 1920, qeveria e Sulejman Delvinës, duke kuptuar rreziqet që po i kanoseshin fatit të Shqipërisë, lëshoi një thirrje ku kërkohej “një besë e përgjithshme” për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Në këto kushte, pas Kongresit të Lushnjës, atdhetarët vlonjatë u mblodhën në fshatin Armen më 23 shkurt, ku diskutuan për organizimin e rezistencës anti-italiane. Një rol të veçantë në organizimin e Luftës së Vlorës 1920 kundër pushtuesve italianë ka luajtur komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës dhe i krahinave të tjera në Mallakastër, Tepelenë, Kurvelesh, Gjirokastër e Përmet. Sipas Pr Muin Çamit, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua në Vlorë, më 10 mars 1920 “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të zgjidhej me armë…”.

Këtë gjë e dëshmojnë në kujtimet e tyre edhe H. Xhelo, A. Agalliu, G. Iljazi, etj., të cilët shënojnë se “një muaj pas Kongresit të Lushnjës në Vlorë, në shtëpinë e Osman Haxhiut, u krijua komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili kishte për qëllim përgatitjen e kryengritjes së armatosur.

Osman Haxhiu dhe komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, në ditët e fundit të marsit dhe fillimin e prillit 1920, dërguan përfaqësuesit e vet në Mallakastër, Tepelenë, Berat e Përmet për të biseduar me parësinë e krahinave. Krahas kësaj veprimtarie, edhe qeveria e Sulejman Delvinës, deklaroi hapur “për marrjen e masave dhe sigurimin e pavarësisë së vendit dhe bashkimin politik dhe administrativ të krahinave.”

Në fillim të majit 1920, komanda e ushtrisë pushtuese italiane, duke parë përgatitjet për luftë që bëheshin në Vlorë dhe krahinat e saj, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, bëri arrestime dhe urdhëroi bllokimin e rrugëve që lidhnin Vlorën me krahinat. Nga ky shkak shpërthyen protesta e mitingje në qytete të ndryshme të vendit.

Disa nga anëtarët e Këshillit Kombëtar propozuan që të bëheshin edhe bisedime me Komisar Kastoldin, por përfaqësuesit e Vlorës, Qazim Koculi e Spiro J. Koleka, kundërshtuan çdo marrëveshje që mund të bëhej në dëm të sovranitetit kombëtar dhe sidomos ndaj Vlorës.

Më 18 maj 1920, komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, dërgoi për bisedime në Tiranë, me qeverinë e Sulejman Delvinës, një delegacion të përbërë nga: Osman Haxhiu, Rexhep Sulejmani dhe Gani Aliko. Pas takimit me Osman Haxhiun, në mbledhjen e senatit të 23 majit, kryeministri do të deklaronte:

“Qeveria e jonë, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës…”. Pas takimit me kryeministrin Sulejman Delvina, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u përqendrua në krahinën e Mesaplikut. Aty Osman Haxhiu mori dhe letrën e Sulejman Delvinës, i cili më 25 maj, e vinte në dijeni se qeveria e Tiranës kishte ndërprerë marrëdhëniet me Komisar Kastoldin, duke i deklaruar atij “bashkimin politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit”.

Më 29 maj 1920, në pllajën e Barçallait, të fshatit Dukat, u thirrën 200 përfaqësues të krahinave. Publicisti Halim Xhelo, në faqet e gazetës “Politika” e jep të gjallë kronikën e këtij kuvendi: “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29 maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…”

Në Kuvendin e Barçallait u zgjodh edhe komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, për organizimin e luftës kundër pushtuesit: Osman Haxhiu (Kryetar), anëtarë: Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Luftës u zgjodh Ahmet Lepenica.

Pas Kuvendit të Barçallait, sipas urdhrit të komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, forcat luftarake u përqendruan në pllajën e Beunit mbi Velçë. Më 2 qershor 1920, në Beun u zgjodh edhe Komisioni i Luftës i përbërë prej rreth 37 vetësh. Prej Beunit luftëtarët i dërguan një ultimatum Komandës së Trupave pushtuese italiane dhe gjeneral Settimo Piacentinit, në të cilin shënohej: “Sot, populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës, si shpërblim italo-serbo-grek, vendosi të marrë armët në dorë dhe të cilat do t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare në Tiranë”.

Ultimatumi, në radhët e tij, i kërkonte gjeneral Piacentinit përgjigje të prerë deri në orën shtatë të mbrëmjes, të datës 4 qershor 1920, për largimin e ushtrisë italiane nga Vlora. Luftëtari i shquar popullor Mehmet Selim Mallkeqi, mori këtë përgjigje nga gjeneral Piacentini: “Përgjigjen do t’ua japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…”.

Në mbarim të afatit të Ultimatumit, Kryetari i komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, Osman Haxhiu, urdhëroi fillimin e luftimeve në Kotë, Gjorm, Llogora, të cilat pas luftimeve të përgjakshme ranë në duar të luftëtarëve. Në Luftën e Vlorës 1920, çdo fshat e krahinë, sipas traditës popullore, u organizua me çeta luftëtarësh, në krye të së cilave ishin kryetarët e tyre, nga atdhetarët dhe luftëtarët më të shquar popullorë. Krahas Vlorës, një kontribut të shquar dha Kurveleshi, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli, por edhe çetat e Çamërisë me Muharrem Rushitin dhe Alush Takën, çeta e Tiranës me Said Toptanin, si dhe çeta e Himarës me Nase Labin e Naqe Konomin.

Në mbështetje të kësaj lufte, erdhën dhe 155 bashkatdhetarë nga ShBA së bashku me Bandën Muzikore “Vatra”, me në krye kompozitorin Thoma Nashi, i cili kompozoi këngën e pavdekshme “Vlora–Vlora”.

Në fazën e dytë të luftimeve kundër pushtuesit, në mes të qershorit, Komandant i Fuqive Vetëdashëse u caktua Qazim Koculi. Beteja e Drashovicës, e Vreshtave të Mëdha, Kalasë së Kaninës, Qafat e Vlorës, Batrovës, e Kuzumbabasë, dëshmuan qartë trimërinë dhe heroizmin e shqiptarëve për lirinë e atdheut të tyre. Humbjet e mëdha të ushtrisë italiane e detyruan qeverinë e Romës të hynte në bisedime me shqiptarët. Bisedimet shqiptaro-italiane përfunduan më 2 gusht 1920, duke nënshkruar në Tiranë një protokoll, ku qeveria e Romës “respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”.

Sipas këtij protokolli ushtria italiane u tërhoq nga Vlora brenda një muaji. Fitorja e Luftës së Vlorës, pasuroi më tej traditat luftarake e atdhetare të shqiptarëve. Krahas kësaj, në arenën ndërkombëtare, Protokolli i Tiranës, i dha një goditje të rëndë edhe pretendimeve të Romës ndaj protektoratit mbi Shqipërinë, që kishte kërkuar në Konferencën e Paqes.

Lufta e Vlorës 1920 shkroi një epope heroike për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Me të drejtë publicisti Halim Xhelo në gazetën “Politika” të kohës, do të shkruante: “Kur në brigjet e Vlorës e të Kaninës binin dëshmorë për liri dhe në fushat e Koplikut, në Shkodër, në malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut kundër sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonim Atdheun.

Viti 1920 është viti më i shënuar në përlindjen tonë, se pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrëshin, luftuan krah për krah kundër të huajve. Pra, nëse pati Greqia e moçme një Spartë dhe një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut”.

Festimet e fitores së Luftës së Vlorës u bënë me madhështi më 3 shtator 1920.

Bazuar tek shkirimi i Pr. Dr. Bardhosh Gaçe

Lufta e madhe e Vlores qe nuk harrohet lehte – Viti 1920, viti i çobanëve që hidhen mbi gjeneralët. Read More »