Aurora

Shkencëtarët britanikë: Zbulim historik për kancerin, shpëtojnë mijëra jetë

Shkencëtarët britanikë zbulojnë një nga sekretet më të mëdha të kancerit. Ata kanë zbuluar se si sëmundja futet në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe përhapet më pas në mushkëri, mëlçi dhe në organet e tjera jetësore. Zbulimi i hap rrugën shpikjes së një kure që do të mund të shpëtojë me mijëra jetë njerëzish.

Kanceri i gjirit është një ndër llojet më të përhapur në Britaninë e Madhe dhe, sipas statistikave, një në tetë gra preket të paktën një herë gjatë gjithë jetës së saj nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.

Nëse diagnostikohet që në faza të para, gjasat për shërim janë shumë të larta, por, kur fillon të përhapet në pjesë të tjera të trupit, ai bëhet i pashërueshëm.

Si rezultat, pjesa më e madhe e 11.500 vdekjeve në vit, të shkaktuara nga kanceri i gjirit, ndodhin pasi sëmundja është përhapur. Shkencëtarët kanë zbuluar një kimikat që është përgjegjës për përhapjen e kancerit të gjirit.  Ai quhet endosialin dhe e ndihmon kancerin të futet në enët e gjakut, nga ku më pas e ka shumë të lehtë të lëvizë në të gjithë trupin dhe të përhapet në organet e tjera. Dihej që kanceri i gjirit përhapej me anë të gjakut, por nuk dihej mënyra se si kanceri futej në sistemin e qarkullimit të gjakut. Testet e kryera tek minjtë konfirmojnë faktin se endosialina është elementi përgjegjës që ndihmon kancerin te kalojë nga qelizat e prekura në sistemin e qarkullimit të gjakut.

Një studim i kryer mbi 334 gra të prekura me kancer gjiri zbuloi se sëmundja kishte më shumë shanse të përhapej te gratë të cilat kishin sasi më të madhe të endosialinës. Në të ardhmen do të bëhet e mundur që gratë që kanë nivele të larat të kimikatit në trup, do të marrin një trajtim më intensiv, në mënyrë që ta mbajnë sëmundjen nën kontroll dhe të mos e lejojnë të përhapet.

Zbulimi, i botuar edhe në revistën “Hulumtimet mbi kancerin”, hap rrugën për krijimin e një ilaçi kundër endosialinës. Endosialina përbëhet nga qeliza të quajtura pericite, të cilat janë qeliza jo kanceroze që mbështjellin enët e gjakut.

“Studimi hedh dritë mbi rolin e perciteve në përhapjen e kancerit të gjirit. Ne zbuluam se një molekulë e quajtur endosialin, dhe që formohet në sipërfaqe të periciteve ka një roj themelor në ndihmën që u jep qelizave kanceroze të përhapen. Njohja e shkaqeve dhe mënyrës se si qelizat kanceroze përhapen, do ta bëjë më të lehtë krijimin e një ilaçi që do ta pengojë këtë gjë”, tregon Clare Isacke, anëtare e Institutit të Hulumtimeve mbi Kancerin në Londër.

Të gjithë personat që morën pjesë në studim, hulumtuesit shkencorë, financuesit dhe pacientët besojnë se ky zbulim premton shumë për krijimin e një kure që në mos shëron kancerin e gjirit, të paktën parandalon përhapjen e tij.

Shkencëtarët britanikë: Zbulim historik për kancerin, shpëtojnë mijëra jetë Read More »

Vlahutin ‘injoron’ Bashën

Që Lulzim Basha dhe Romana Vlahutin nuk e durojnë dot njëri tjetrin kjo nuk është më një sekret në rrethet politiko diplomatike të Tiranës. Por kjo është parë sot në mënyrë shumë të qartë gjatë takimit të kerut të PD në sallën VIP të aeroportit të Rinasit, me shefen e diplomacisë europiane Federica Mogherini.

Basha u tregua tejet i përzemërt dhe miqësor me italianen, ndërsa i ofroi një ftohtësi korrekte kroates

(Shihni si i jep doren/ foto 1). Kur u ulën për bisedën e shkurtër Basha dhe Mohherini qënduar gati kokë më kokë duke e lënë më njëanë ambasadoren e BE në Tiranë, që është mësuar zakonish me shumë më tepër vëmendje sesa kaq.

Por edhe Vlahutin nuk është se e la veten të binte pre e momentit të vështirë. Ajo përdori armën më të mirë për të treguar se e injoronte tjetrin (foto).

Sapo Basha filloi të flasë me shefen e saj, Romana bëri të pa interesuarën, kerkoi gjatë në çantën e saj dhe filloi të lundrojë në celular (foto 2 dhe 3).

 

Shenjë kjo tipike ose e atyre që gjenden ne siklet ose e atyre që kërkojnë te tregojnë se respekti për dikë ka mbëritur drejt fundit./lapsi.al

Vlahutin ‘injoron’ Bashën Read More »

Fiq të Thatë me Vaj Ulliri, Kura 40 Ditore e Shëndetit

Në shumë vende bregdetare të zonës së Mesdheut, njerëzit betohen për të mirat që vijnë nga një kurë e thjeshtë dhe shumë e shëndetshme.

Bëhet fjalë për përzierjen e vajit ekstra të virgjër të ullirit me fiqtë e thatë.

Kjo kurë 100% natyrale këshillohet të konsumohet kundër sëmundjeve dhe problemeve të cilat i lexoni më poshtë.
Problemet Shëndetësore që Trajton Kura me Fiq të Thatë
Gurët në Veshka,

Diabeti,

Konstipacion,

Hemorroidet,

Problemet me stomakun,

Anemi,

Kolesterol të lartë,

Bronshit,

Azmë,

Probleme me fertilitetin
Vlerat Shëndetësore Të Fiqve Të Thatë
Fiqtë, të thatë dhe të freskët kanë efekt laksativ në organizëm sepse janë shumë të pasur me fibër dietike.

Këto fruta janë shumë efikasë për rënien në peshë.

Fiqtë janë një alternativë e shkëlqyer për trajtimet terapeutike të njerëzve që janë alergjikë ndaj produkteve të bulmetit.

Këto fruta janë një burimet më të pasura bimore të kalçiumit.

Fiqtë e thatë janë jashtëzakonisht të pasur me antioksidantë.

Studimet më të fundit që AgroWeb.org disponon konfirmojnë se konsumi i vetëm 2 fiqve të thatë në ditë, ofron përmirësim të ndjeshëm të sasive të antioksidantëve në organizëm.

Fiqtë përmbajnë edhe sasi të mëdha të kaliumit.

Ky mineral është i dobishëm për rregullimin e tensionit të gjakut dhe funksioneve të tjera të organizmit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org prania e acideve yndyrore omega-3 dhe omega-6 ndihmon në parandalimin e atakut në zemër dhe mirëmbajtjen e tensionit të gjakut.

Fiqtë janë të mirë edhe për diabetikët dhe për njerëzit që vuajnë nga veshkat.

Nëse keni gurë në veshka, zieni 6 fiq të thatë dhe konsumoni lëngun çdo ditë për një muaj.

Prania e vitaminës C tek fiqtë zbardh lëkurën e fytyrës dhe i jep asaj shkëlqim dhe shëndet.

Fiqtë janë të këshillueshëm edhe për problemet me gjumin sepse përmbajnë tryptophan.

Për më tepër, vitamina B6 tek fiqtë vjen në ndihmë nëse vuani nga të përzierat e mëngjesit.
Receta e Fiqve Me Vaj Ulliri
40 fiq të thatë

Vaj ulliri (aq sa për të mbuluar fiqtë që do të futen në kavanoz)

Kavanoz qelqi
Përgatitja:
Futini fiqtë në një kavanoz qelqi dhe mbusheni me vaj ulliri.

Mbylleni kapakun dhe lëreni kavanozin në një vend të freskët dhe të errët për 40 ditë.

Gjatë këtyre ditëve, fiqtë do të përthithin vajin e ullirit.

Konsumoni nga një fik përpara çdo vakti.

Fiq të Thatë me Vaj Ulliri, Kura 40 Ditore e Shëndetit Read More »

Supa e artë e kungullit – Receta plot shije dhe pasion

Cilado qoftë koha e vitit – kungulli është një perime krejt e mrekullueshme dhe për më tepër është baza e një supe krejt shijeplotë me të cilën mund të krenoheni në kuzhinë.
Më poshtë do të mësoni një recetë fantastike për supën e kungullit, por së pari mësoni disa vlera të saj
Vlerat shëndetësore
Përmirëson shëndetin e zemrës. Vajrat esencialë të kungullit përmbajnë një substancë me bazë bimore të njohur si fitosterol. Sipas studimeve të ndryshme, kjo substancë ul ndjeshëm kolesterolin e keq.

Redukton rrezikun e tumoreve. Beta-karoteni është një nga antioksidantët më të efektshëm në botë dhe kungull përmban sasi shumë të larta të këtij ushqyesi që cilësohet nga mjekësia zyrtare si zgjidhja natyrale ndaj sëmundjes së shekullit.

Mbron dhe rinon lëkurën.Një tjetër përfitim i mrekullueshëm i supave të kungullit dhe është se karotenoidet që gjenden në këtë ushqim ndihmojnë në mbajtjen e lëkurës të shëndetshme dhe largojnë rrudhat e fytyrës.

Forcon sistemin imunitar. Supa me kungull është e pasur me Vitaminë C, e cila është një nga vitaminat kryesore e njohur në rolin e rritjes së sistemit imunitar. Në fakt, kjo është një nga përfitimet më të rëndësishme shëndetësore të supave të kungullit, sepse pengon trupin të sulmohet nga sëmundje të ndryshme virale dhe bakteriale.

Përbërësit e supës së kungullit:
2 kunguj mesatarë, 2 qepë, 2 lugë gjelle vaj ulliri, 2 gota me lëng pule, 1 gotë ujë, 1 lugë gjelle mjaltë, 1 lugë çaji kanellë, një lugë çaji xhinxher të grirë ose pluhur

Ngrohni furrën në temperaturën 200 gradë. Merrni dy kunguj të verdhë të madhësisë mesatare dhe ndajini në dysh. Hiqjani farat dhe vendosini në furrë nga ana e lëkurës mbi një letër kuzhine.

Lërini të piqen për 35-40 minuta ose derisa tuli i kungullit të zbutet. Nxirrini nga furra dhe me një lugë gërryeni dhe mblidheni të gjithë tulin e kungujve.

Tulin kalojeni në mikser që t’i jepni formën e puresë. Në një enë metalike hidhni vajin e ullirit dhe qepët e grira mira dhe kavërdisini për 5-10 minuta. Më pas në të njëjtën enë, bëni bashkë tulin e kungujve dhe shtoni lëngun e pulës, ujin, një lugë gjelle mjaltë, si edhe erëzat.

Lërini të ziejnë duke i trazuar nga pak në zjarr të avashtë për 30 minuta. Lëreni të ftohet paksa dhe servireni bashkë me fara të pjekura kungulli dhe pak piper të kuq.

Supa e artë e kungullit – Receta plot shije dhe pasion Read More »

Sterilizimi edhe në Vlorë, reduktohen infeksionet

Sterilizimi i instrumenteve kirurgjikalë po kryet edhe në spitalin rajonal në Vlorës. Në këtë spital kryhen rreth 5 mijë operacione në vit dhe mjekët besojnë se me këtë shërim të ri ulen infeksionet post-operatore

Pas spitaleve universitare të Tiranës, spitaleve rajonale të Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit si dhe spitalit bashkiak të Librazhdit, shërbimi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë ka nisur edhe në spitalin rajonal të Vlorës.

Sipas mjekëve, në këtë spital kryhen mesatarisht 5 mijë operacione. Për mjekët kirugë, sterilizimi ndikon në uljen e infeksioneve post-operatore.

“Realisht nuk kemi parë infeksione post-operatore me përdorimin e këtyre instrumenteve dhe cilësia por edhe sasia e veglave që përdorim sot nuk ka të krahasuar me ato që përdornim më parë”.

Gjithashtu ky shërbim ka ndikuar edhe në punësimin e bluzave të bardha. Autoritetet e shëndetësisë raporojnë se janë punësuar 216 vetë.

Sterilizimi edhe në Vlorë, reduktohen infeksionet Read More »

Ministri Xhafaj: Kanabisi, dy arsye pse e luftojmë

Ministria e Brendshme, së bashku me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë një nismë të re. Këtë herë, forumi Qytetar për Sigurinë u ndal në Dibër, aty ku ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha se arsyet që luftohet kanabisi nuk është bima, por janë dy arsye të tjera.

”Bie dakord që është një e keqe e madhe, 25 vjet që duhet të na bëjë të mos ndjehemi mirë, pavarësisht se kujt krahu politik i takojmë në këtë vend, është kultivuar kanabis. Këtu nuk është te bima e pasojat në vetvete, por mbi të gjitha dhe kjo është arsyeja kryesore pse kemi hyrë në luftë pa kompromis me këtë gjë, sepse është shfrytëzuar nga disa grupe kriminale për tu fuqizuar ndër vite, dhe nga ana tjetër ka shndërruar tek brezi i ri, të rinjtë, kulturën se mund të pasurohesh shumë më lehtë në jetë dhe duke sakrifikuar diçka nga jeta jote, duke kaluar përmes burgut që të pasurohesh. Nëse flasim për parandalim a ka detyra policia? Absolutisht po. Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm. Po nëse ndëshkimi është aktiviteti dhe funksioni ynë kryesor, pa dyshim parandalimi është një përgjegjësi dhe detyrë për ne, por besoj fort që është një detyrë dhe angazhim jo thjesht dhe vetëm për policinë por për të gjithë”, tha Xhafaj.

Ministri Xhafaj: Kanabisi, dy arsye pse e luftojmë Read More »

‘Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!’

Kujtime të ish-partizanit të kësaj Brigade Heroinë.

Kalimi i lumenjve Vjosa dhe Shkumbin dhe rënia heroike e Mitro Xhanit dhe 10 dëshmorëve të tjerë në luftë për çlirimin e fshatit Dukaj të Tepelenës

Nga Sevo Tarifa

Malet ishin “foleja” e partizanëve. Por luftëtarët s’qëndronin në një vend. Lëviznin gjithandej, shkonin ku i thërriste Atdheu, në beteja për çlirimin e tij. U duhej të ecnin ditë e natë, rrugë e pa rrugë, të kapërcenin male me dëborë, kodra, fusha dhe lumenj.

24 korrik 1944. Ditën, vapë e madhe. Batalioni i dytë “Abaz Shehu”  u nis nga Damësi i Tepelenës. Natën zbriti tatëpjetën drejt rrugës automobilistike. Udhë këmbësorësh, që gjarpëronte përmes terrenit të thyer. Marshim me hapa. Qetësi, pa fjalë. Partizanët 5 metra largësi njëri-tjetri. Porosi të komandës transmetoheshin me “telefon partizan”: fjala me zë të ulët, gojë më gojë tek shoku përpara. Iu afruam xhadesë. Pararoja partizane ishte në ballë të kolonës dhe dy të tjera majtas e djathtas, vigjilonin dhe ruanin forcat tona nga ndonjë autokolonë gjermane. Të dhënat ishin që mund të kalojmë, forca armike s’ka. Dhe xhadeja u kalua. Mbërritëm pranë Vjosës.

Që nga larg dëgjohej gurgullima e saj. Vjosa e bukur kishte marrë një ngjyrë në të verdhë, nga shirat që kishin rënë ato ditë korriku. Po rrinim në këmbë, në anë të lumit. Një fshatar udhërrëfyes na udhëhoqi drejt vahut për të hedhur lumin. Ndërkaq, komandanti i batalionit Sefedin Meçe dha porositë: “Shokë partizanë, do mbahemi fortë dorë më dorë që Vjosa të mos na vëjë përpara. Duart shokut para e pas, mos ia lëshoni. Nuk e dimë deri ku do na vijë uji në trup, por frikë të mos kemi. Zemra të bashkuara. Pionierët dhe shoqet mund të merren në kurriz nga partizanë të rritur dhe notarë. Armët secili krahë-qafë. Pas meje!”

Dhe komandanti priu përpara. Para tij pararoja. Në vazhdim vargu i partizanëve! Këmbë e trup në ujë! Duart shtrënguar fortë. Atyre me trup të gjatë, uji po u shkonte deri në gjoks. Problemi ishte për ata me trup të shkurtër. Porosia u dha që këta dhe shoqet partizane të merren në kurriz nga luftëtarë dhe notarë të fortë. Por asnjëri prej tyre nuk pranonte.  Risto Palit, që ishte i shkurtër, uji i vate te gusha. Ecte me majat e gishtërinjve të këmbës, që “të bëhej pak më i gjatë”! Me zë të ulët i tha Tahir Skrelit që kishte në krah: “Po më tej, sikur të jetë më thellë, çdo bëhet me mua? “Mos u tremb, or burrë, se na ke neve, shokëve”. Megjithatë, Ristua nuk iu drejtua Zotit, se nuk besonte, por iu drejtua Vjosës me fjalët: “Moj Vjosa bukuroshe,  se mos më mbytësh mua të shkurtrin, më lër të luftoj për çlirimin e vendit!”.

Një valë uji u ngrit lart dhe Ristos iu duk sikur Vjosa qeshi e i ktheu përgjigje! U kthye nga Elmaz Lani që e mbante nga dora dhe i tha: “E dëgjove ti, Maze, si ç’më tha Vjosa? Më tha: “Të vegjlit unë  nuk i mbyt, se janë të lehtë dhe uji i mban në sipërfaqe”! Kjo bisedë mbeti midis tyre dhe Vjosës, se era që frynte atë natë mund t’i çonte fjalët tek armiku… Ristua, ose “Cironku”, siç i thërrisnin shokët, ishte partizan me humor.

Ndërkaq kolona ecte lumit dhe doli përtej. Qëndruam aty dhe u siguruam se mbërritëm të gjithë. Të lagur ujë. Rrobat qull. Ishte natë korriku dhe s’kishte ftohtë. Një pushim të shkurtër. Nuredin Matushit iu afrua Besho Nikolla dhe i tha në vesh:  “Shpëtuam, Nuro. Tani merrja një kënge!”. “Këngë?

Po rrotull nesh ka gjermanë e ballistë. Apo të shkojmë tek ata si dashi te kasapi”. Nuredini ishte këngëtar i mirë dhe quhej “Bilbil”, por këtë “kokërr ulliri nuk e hëngri”.  Batalioni u radhit. Sipas kompanive u bë nisja drejt aksionit në Dukaj të Tepelenës….

Këtë lumë e kisha parë në hartë, në shkollën fillore. Solla ndërmend mësuesin dhe bashkënxënësit, të cilët sikur më jepnin fuqi e guxim. Tani po e shoh nga afër, do ta kaloj natën. Por me shokë merr krah e fluturon. Dhe ja mbërritëm te ky lumë i gjatë e vende-vende i thellë. U nisëm nga Tomori, ku më 4 gusht u krijua Divizioni i Dytë Sulmues. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha do të marshonim drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në goditje të forcave të armikut.

Nga Tomori Brigada VI Sulmuese vazhdoi marshimin drejt zonës së Gramshit. Partizanët e kaluan natën këtë qytet të vogël. Forcat e armikut i kishin nuhatur kolonat partizane dhe ishin strukur nëpër qytete. Patrullat e xhandarmërisë hapnin zjarr nga larg dhe iknin në panik. Sipas planit të tyre u bënë gardh buzë Shkumbinit, me qëllim që të pengonin kalimin e  tij nga forcat partizane. Brigada vazhdonte marshimin, kaloi në Drizë, Dumre, Gjinar, Shpat etj. Shkumbini U kalua në grykën në të hyrë të Labinotit.

Natë gushti. Moti me re e mjegull. Ditën kishin rënë shira dhe lumi qe turbulluar. U prit sa të errësohej mirë. U gjet ku ishte vahu. Forcat e batalionit të parë u futën në lumë dhe dolën te bregu në anën tjetër. U vendosën në pozicione për të mbrojtur shokët që do vazhdonin kalimin e lumit. Por sa filloi të hyjë në ujë  batalioni i  dytë, në rrugën automobilistike u duk një kolonë e gjatë makinash gjermane! Problemi ishte serioz. Duhej gjakftohtësi dhe manovrim. Komanda  dha urdhër që partizanët të rrinë në ujë, në këmbë, pa lëvizur, “që të duken sikur janë pemë, trungje, shelgje”, nga të cilat kishte shumë rreth e rrotull lumit.

Dritat e makinave rrezatonin rreth e qark. Ndriçimi i makinave vinte dhe në lumë. Kolona s’po mbaronte. Partizanët s’lëviznin. Ky veprim i zgjuar e trimëror partizan bëri që armiku të mashtrohej e Shkumbini të kalohej. Ishim lidhur dorë më dorë me njëri-tjetrin. Duart e mia ishin: njëra në dorën e xha Azbi Këndellës nga Prongjia, partizan 51 vjeçar, dora tjetër mbahej me Hekuruan Bathën nga Plesati, një partizan shakatar, i thjeshtë, sybardhë, mjekërvogël, që nisi nga humori partizan. Ai filloi një dialog me Shkumbinin: “O Shkumbin i gjatë, o lum i mirë! Se mos na mbytësh ore, se ne nuk duam ta japim shpirtin në gjoksin tënd, duam të vritemi në luftë me armiq”! Pastaj Hekurani ndryshonte zërin, sikur po i përgjigjej Shkumbini: “Dëgjo këtu, ti, partizan. Po të ishe ballist, do të të mbytja, por partizanët i kam miq dhe nuk i mbyt. Kaloni, por bëni kujdes, sa të shkojnë makinat gjermane. Aty ku jeni juve është vahu. Kujdes, më djathtas mos shkoni, se atje ka thellësi!”.

Humori ishte kurdoherë karakteristikë e jetës partizane, por në raste të tilla s’kishte ilaç më të mirë, të hiqte pesimizmin, të ngrinte moralin. Dhe Hekurani humorin e kishte xhan. S’rrinte dot pa të. Keq e kishte kur ishte në llogore, që s’fliste dot, se atje fjalën e kishte pushka. Batalioni i dytë doli lart në kodër, u hap në formacion lufte si i pari. Përsëri u duk një autokolonë tjetër gjermane, por tani lumi ishte kaluar. Pritej urdhër për goditjen e kolonës, por ky urdhër nuk u dha nga komanda. Partizanët pasi kaluan Shkumbinin, u ngjitën përpjetë dhe qëndruan në Labinot-Mal për veprime të mëtejshme luftarake…

Këtë episod për kalimin e Shkumbinit po ua tregoja një ditë Sado Bebeçit që ishte aty afër komandant në pikën ushtarake të Mirakës dhe Refat Bufit nga Polisi i Madh, që punonte me rininë e rrethit Librazhd.

Lufta në Dukaj

Ajo mbrëmje behari e 24 korrikut 1944 ishte e nxehtë, por atmosferën e ngrohnin më tepër pritja e ngrohtë e partizanëve te batalionit “Asim Zeneli” nga populli i fshatit dhe kënga labe, e cila “është një lule që mban vesën, është një shpirt, që mban besën…” (Zaho Vasili).  Dallohej timbri i zërit të dy partizanëve “bilbilë” Hajro Shkrelit e Nuredin Matushi. Të nesërmen do të luftohej për çlirimin e fshatit Dukaj.

Më 17 janar 1944 nazisto-ballistët kishin djegur shumicën e fshatit. Me pushkë e bajonetë bënë masakrën duke vrarë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve kishin marrë lidhur këmbë e duar dhe e pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij,  Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan, i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj!

Në Dukaj armiku kishte pikëmbështetjen e tij. Ishin një njësit gjerman, një skuadër italianësh, një togë ballistësh, një kompani xhandarësh, të cilët përbënin batalionin famëkeq “Vermoshi”me komandant major Dod Nikolla. Gjithsej 207 armiq:  kriminelë, vrasës, hajdutë, të zhytur thellë në llumin e tradhtisë, të pajisur deri në dhëmbë me armë: mitralozë të rëndë e të lehtë dhe mortaja. Batalioni “Vermoshi”, përveç forcave të tjera armike qëndronte edhe në Salari, i cili mbahej nga regjimi kuisling i Tiranës, si një forcë e zgjedhur dhe e armatosur më së miri. Në Salari do të vepronte batalioni i III. Në kodrën shkëmbore në Dukaj ndodheshin llogore të profilit të plotë, qendra zjarri prej betonarmeje, të përhershme, të ndërtuara në kohën e luftës italo-greke, të përdorura më vonë nga pushuesit fashistë e veglat e tij vendëse. Shumë shtëpi fshati e veçanërisht shkolla ishin kthyer në fortesa për të luftuar në kushtet e qendrës së banuar.

Në fshat vepronte çeta territoriale e armatosur, që do t’i kundërvihej reprezaljeve e vrasjeve të armiqve. Më 22 prill të atij viti zuri pritë në befasi dhe asgjësoi një patrullë naziste. U vranë 9 ushtarë dhe oficerë gjermanë, u zunë 14 robër e mjaft materiale luftarake. Hitlerianët vazhduan përsëri edhe më egërsisht:  gjakosnin, pushkatonin. Ato ditë armiqtë vranë një fshatar të pafajshëm, që kalonte rrugës me kalë! Vandalë! Ja pse ky garnizon armik në Dukaj e Salari duhej likuiduar, kjo ishte kërkesa e popullsisë.

Ora 4.00. Ende pa u gdhirë dita. Gjëmoi thirrja “Para partizanë!”. Forcat armike të pozicionuara në kodrën shkëmbore qëllonin, forca të tjera të tij po delnin nga vendstrehimet dhe drejtoheshin te kodra në qendër të fshatit. Skuadra sulmuese zuri pozicione fare afër armiqve. Zjarr nga të gjitha anët. Të gjithë shtinim drejt armiqve në kodrën e fortifikuar, në lagjen Muçaj. Predhat tona goditnin në frëngjitë e llogoreve të kundërshtarit.  Armiqtë e kishin vështirë të gjuanin nga frëngjitë, hidhnin bomba përpjetë pa objektiv, me hamendje. Mortaja partizane qëllonte pozicionet armike me precizion që të mos dëmtoheshin forcat tona.

Teatri i luftimeve vazhdonte. Skuadra  sulmuese e përbërë nga 11 partizanë lufton me automatikë. Afrër tyre mbërrin Mitro Xhani (Balena). Pas tij vinte skuadërkomandant Mehmet Karabolli, i cili në një dorë mbante pushkën, në tjetrën kapelen  e kokës me granata dore. I shkoi pranë Balenës, i cili mori një granatë, i hoqi sigurecën dhe e vërviti mbi llogoren armikut. Llogorja u hodh në erë, armiqtë që ishin brenda saj u vranë. Por zhdukja e kësaj llogoreje bëri që të shfaqej trupi i Balenës. Në çast një armik tjetër mori shenjë dhe plumb i tij e zuri në ballë! Balena ra… Mbërritën shpejt edhe shokë të tjerë, edhe shoqja e jetës së tij, Athinaja. E pa të shtrirë Balenën. E përmbajti veten. Pa lot në sy të atij grupi partizan dhe me kurajë tha: “Trimat nuk qahen, por këndohen”! Dhe nisi kënga: “Shokë të mbajmë dy minuta zi / u vra Mitro Xhani nga Piqerasi”.

Me rënien heroike të Balenës, luftëtarëve u hipi gjaku në kokë. Tani në sulm nuk ishte vetëm skuadra sulmuese si në fillim betejës, por i gjithë batalioni. Partizanët lanë pozicionet dhe po ngjiteshin asaj të përpjete të kodrës shkëmbore. Shikohej me krenari përparimi i tyre, kush barkaz, kush ecje me gjunjë e kush në këmbë dhe secili merrte krahë, fitorja po i buzëqeshte… Janë çaste që luftohej kryesisht me granata dore. Partizanët, sa më afër llogoreve të armikut, aq më shpejt ngjiteshin me këmbë e duar. Ecnin dhe vrojtonin, qëllonin, hidhnin  bombën në llogoren e armikut. Armiqtë s’kishin mundësi të qëllonin as nga frëngjitë, dilnin fare nga pozicionet. Secili  kishte hallin e kokës. Lum ai partizan që kishte akoma granata! Zhurma e tyre mbuloi vendin. Krismat e armëve u rralluan…

Lufta në Dukaj ishte drejt mbarimit. Armiqtë s’dinin nga t’ia mbanin. Një pjesë e tyre zbrisnin tatëpjetë përroit për të ikur. Por fshati qe i rrethuar. Një pjesë dorëzoheshin. Të tjerë vriteshin në luftë duke ikur. Oficeri i xhandarmërisë Isuf Dema me pesë kriminelë të tjerë, dezertuan, u bënë sa një grusht drejt Bregut të Shkozës dhe mbërritën buzë lumit Vjosë, prej nga mundën të largohen në Vlorë.  Kështu veproi edhe komandanti i batalionit armik, major Dod Nikolla, i cili kur mësoi për asgjësimin e plotë të batalionit “Vermoshi”, u çmend dhe mundi të shkonte në komandën gjermane në Vlorë duke folur përçart: “Para partizanë”, 207…207… (Kaq ishte numri  armiqve që u asgjësuan).

Pas marrjes së kodrës shkëmbore nga partizanët, në sytë e tyre dukeshin lot gëzimi për fitoren, lot zemre për shokët e rënë.  Pashë lot në sytë e dy shoqeve partizane Antigoni e Mandeli Rrapi, por dhe lot hidhërimi që shihnin rreth e rrotull shokë partizanë të rënë heroikisht!  Armiqtë u asgjësuan. U vranë në luftë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë, (midis tyre 5 nënoficerë dhe 5 ballistë). Armiq vinin grupe-grupe të çarmatosur, të shoqëruar nga partizanë, të cilët ishin dorëzuar e kapur rob. Përleshja me forcat gjermane dhe tradhtarët e vendit, përfundoi me fitoren e thellë të partizanëve. U kapën rob: (4 gjermanë, njëri marshall); 59 xhandarë, (midis tyre 1 toger, 1 kapter e dy rreshterë); 4 italianë; 17 ballistë. Robrit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Të tjerë u lanë të lirë. Dy djem të rinj xhandarë, me kërkesën e tyre, u pranuan në radhët e partizanëve, por më vonë u arratisën.  U kapën 5 mitralozë të rëndë dhe 6 të lehtë; një sasi e madhe armësh e municionrsh, 10 revolverë,10 orë xhepi, 3 dylbi, 15 kafshë ngarkuar me sende ushqimore, veshmbathje e sende të ndryshme, që i ishin grabitur popullit. Midis tyre ishte edhe paja e vajzës së Isuf Hysenajt, që u gjend në valixhet e mercenarëve dhe iu dorëzua familjes, sepse ishte caktuar data e dasmës për martesën e saj!

Armiku u shpartallua. Kodra u pushtua. Patizanët u bënë zot të saj. Beteja u fitua. Dukajt u çlirua. Luftëtarët e lirisë takohen me njëri-tjetrin. Mungojnë shokët që e lanë me gjak atë vend. Ranë 11 dëshmorë dhe u plagosën 11 luftëtarë të tjerë:

Apostol Çuni me 6 bomba në gji, u nis barkas drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. U gjend pas shpine të tij, Iu afrua mitralozit të rëndë që villte zjarr pa pushim dhe na vriste shokët. Hodhi dy bomba dhe i vrau të dy, mitralierin dhe ndihmësin e tij! I qeshi buza. I gëzoi zemra. Mori hakë. Mitralozi i armikut, pushoi. Mbeti pa zot. Dhe i doli një “zot”, një trim shqiptar, një djalosh nga Piqerasi, fshati i heroit Vasil Laçi dhe Mitro Xhani. Trimi Apostol Çuni vriste gjermanë me mitralozin e tyre dhe, kur u diktua, njëri nga ata e qëlloi dhe Apostoli ra mbi mitralozin e armikut! Zemra e tij pushoi. Dora e tij nuk lëvizte më. Por mbetën gjallë heroizmi, emri, nderi dhe kujtimi i tij.

Mërtiko Velçi e Jorgo Jovani nga Kudhësi, të dy mitralierë, ishin afër pozicioneve të armikut, shtrirë në të përpjetën e zhveshur që çonte tek Shkëmbi i Prerë. Qëllonin me mitraloz, predhat e të cilit hynin në frengjitë e armiqve. Këta, në pamundësi që të shkrepnin armën e të gjuanin nga frengjitë, hidhnin bomba përpjetë, njëra prej tyre ra tek tek mitralozi dhe vrau dy shokët tanë, Mërtikon dhe Jorgon.

Rushan Guxho, zëv. komandanti i kompanisë së 4-t, nga Nivica. Vazhdonte papushim zjarrin kundër armikut. Iu vranë shokë para syve dhe kjo e shtyu atë të merrte hakë, të zgjaste krahun e të hidhte granatën e fundit që i kishte mbetur. E drejtoi atë në llogoren e armikut. Dhe u turr mes plumbave e bombave drejt tyre, por një predhë e armikut e shtriu përdhè.

Koço Koçollari, me mitraloz në dorë. Korrte armiq dhe lëvizte e manovronte me shkathtësi për ta dëmtuar armikun sa më shumë. Iu afrua llogores armike. Nuk i pritej, donte t’i “paloste” sa më parë. Ishte duke pritur urdhër të qëllonte mbi ta. “Duro dhe pak, Koço,- i thoshte komandanti, do vijë ai çast. Dhe çasti erdhi. U dha sinjali për sulm. Mitralozi i Koços filloi “këngën”… Por një plumb e godit, ai prapë e shkrep mitralozin dhe ra duke luftuar…

Intendenti Ismail Xhemaliu, zvarritet, afrohet drejt llogores armike. Në krah iu vra i riu Kudbi Gjeçi, nga Fushëbardha, ndërsa përpiqej t’i ndalonte gjakun, por kjo qe e pamundur, atëherë bëri përpara, u hodh në sulm. Hidhet me kërcim të shpejtë afër një llogoreje të armikut, hedh dy granata njëra pas tjetrës dhe sulet të rrëmbejë mitralozin nga duart e mercenarit të vrarë.  Thërret me zë “Para …por s’arrin ta mbaroj fjalën, ia preu në mes një plumb që e mori në gjoks. Ai mblodhi forcat. Qëndroi pak në këmbë, pa shokët që kapën llogoren  e armikut dhe ra pa frymë, me dorë të shtrënguar në qytën e armës.

Dëshmorët e tjerë ishin: Abdyl Demiri, zv.komandanti i kompanisë së dytë, nga Kallarati; që nuk e njihte frikën, ishte kritikuar se luftonte në këmbë, por ai vazhdonte në të tij; Jaho Braja nga Gjirokastra; Ismail Cacaj e Barxho Abazi nga Progonati.

Në pasdite, tek sheshi para shkollës u mlodhën partizanët e batalionit të dytë, luftëtarë të batalionit tretë dhe banorë të fshatit, ku u bë ceremonia e varrimit të dëshmorëve. Foli komisari i batalionit , Abdyl Hakiu, Hero i Popullit. E mori fjalën Athina Xhani, e cila u betua: “Më lejoni shokë, që nga Mitrua të mbaj për kujtim automatikun dhe bustinën e tij. Ju premtoj se ky automatik në duart e mia do të bëjë po atë që bënte deri në fuind në duart e Mitros”.

25 korriku i vitit 1944 mbeti dita e çlirimit të fshatit Dukaj. Epopeja e kësaj brigade është gdhendur qysh në atë kohë në vargjet e mirënjohura: “Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!”

‘Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!’ Read More »

Masakrat në Çamëri, “Kushërirën time Kadrijen, zervistët e varën në pemë…”

73 vjet pas masakrës në Paramithi, dëshmia rrënqethëse e Halit Mehmetit që rrëfen vrasjet, plaçkitjet dhe torturat që kishte parë me sytë e tij…

Nga Admirina Peçi

27 qershori i 1944-ës ka lënë një shenjë të pangjashme dhimbjeje në historinë e Çamërisë. Vrasjet makabre, torturat, përdhunimet dhe plaçkitjet mbetën në memorien e atyre pak camërve të mbijetuar e të larguar në tmerr për në Shqipëri. Ata kishin memorizuar dhjetra skena tmerri të përgjakshme që kishin parë me sytë e tyre, apo ku kishin qenë vetë ata, prindërit apo fëmijët e tyre viktima. Pas largimit të tyre, instaluar në çadra në fshatra kryesisht të qarkut të Vlorës e Fierit e më vonë edhe në zona të tjera të Shqipërisë, këta të mbijetuar lanë dëshmitë e tyre me shkrim për gjithë tmerret që kishin parë me sy.

Një prej këtyre dëshmive është dokumenti që sjellim sot ekskluzivisht në Shqiptarja.com, në përkujtim të 73-vjetorit të kësaj masakre. Dëshmia është nënshkruar nga Halit Mehmeti nga Paramithia, i cili jetonte në Fier në kohën kur shkruante dëshminë, drejtuar komisionit hetimor të OKB-së në Athinë, me kërkesën për të bërë hetime mbi krimet që ai kishte parë të kryheshin me 27 qershor 1944 në Paramithi.

Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e nënshkruar  nga Halit Mehmetit, ku përmend vrasjet emër për emër në Paramithi ditën e masakrës së 27 qershor 1944.

T E L E G R A M
KOMISJONIT HETIMORË TË KËSHILLIT SIGURIMIT
A T H I N Ë

Unë i nënshkruari Halit Mehmet nga Paramithija po i paraqitë atij komisjoni dekllaratën t’ime si ma posht vijon:

Më 27 Qershorë 1944 kanë ardhurë forcat Monarko-fashiste të Zervës të komanduara nga Majorë Xhoga nga Kallarati Janinës dhe Kapiten Kristo Stavropulli, banus në Paramithi me detyrë më parë avukat. Major Foto Kiçua i foraskios n’Ushtri dhe Toger Lefter Strungari nga Paramithija më kanë vrarë kushurin t’onë Barjam Rushitin nga Patrovnila e banus në Paramithi, Mehmet Sejkon nga Paramithija vllaj gruas t’ime, kushuririn e gruas t’ime Miftin e Paramithisë me gruanë e tij Naize Hasan Avdullan, djalin dhe dy vajzat e tij, Adele Sybi Dinen e pushkatuan përjashta shtëpis saj e Kadria Qazim Rexhepin të dyja këto kushurira të para të mijat,
Kadrien e kanë varur në nji pemë dhe masi u tregoj parat i muar 100 lira dhe pastaj e vranë. Ka shkuar e ka parë e motra e sajë Fatime Sybi Dinua që e kishte litarin në grykë të prerë nga pema që kishte qënë varurë.

Veç këtyre dhe nga populli, elementat e posht shënuarë: 1) Mexhushme Lueri, 2) Hajri Jakupi, 3) Nurie Nuhedino, Hasim Dino, Bide Isa Nurçe, Eubrika Nurçe, Nuso Shabani, Sami Dino, Esat Hyseni, Enver Hyseni, Emin Hyseni, Hoxh Shehu Imam, Avduramen Hini, Xhevdet Arapi, Daut Nunesh, Sali Muhedini, Ferat Muhedini, Nuh Muedini, Haki Muhedini, Shaban Kaxiri, Fiko Tare, Sulo Tare, Xhaferr Salica, Avdullah Salica, Vejsel Breka, Rexhep Breka, Tazer Xaxe, Zudi Hasani, Maksut Beqiri, Jakup Beqiri, Isuf Adem Veli, Abedin Prenjo, Mehmet Prenjo, Sali Prenjo, Shuaip Pronja, Meko Prenjo, Nuf Beko, Malo Rakipi, Hajrije Rakipi, Omer Xhelili, Abedin Bako, Gani Baka, Qazim Rexhepi, Rexho Malo me gruan dhe dy çupat, Gjylo Nushi, Zeqir Zeqo, Xhelal Bullati, Mysafer Bullati, Luf Bullati, Fuat Bullati, Nail Bullati, Osmen Bullati, Agaka Bullati, Metat Bullati, Bejtulla Bullati, Sano Bullati këtë të fundit e kanë djegur me benzinë; Shaban Latifi, Ferik Hiso, Hysni Himo, Nuh Lami, Harun Mezani, Niazi Tali, Bila Ormeni, Met Gello, të gjithë këta janë vrarë nga bandat e Zervës që unë Halit Mehmeti që bëj këtë dekllarat kam parë vetë me syt e mijë, mbasi ndodhesha prezent, ma vonë më muarë në burgë dhe më dërguan në Janinë. Kur erdhën forcat e EAMIT më 20 shëndre që sulmuan Janinën unë jam liruar.

Veç kësaj Major Nikolla Shapera ka marë gruan Makbule Aga kah Pronjari me gjithë djemë me forcë dhe Toger Kristo Foti ka marë vajzën e Haxhi Dragonis.
Prandaj për të gjitha këto krime i lutemi atij komisjoni që për hir të drejtsis të hetoj për to, dhe kryeminelët që kanë kanë kryer këto, të marin dënimin e merituar.

DEKLLARUSI
Halit Mehmet Dalipi emigrant çamë nga Paramithija dhe banus në Fier.

Masakrat në Çamëri, “Kushërirën time Kadrijen, zervistët e varën në pemë…” Read More »