Aurora

“Liqeni i Zi” në Gramsh , monument i Natyrës

Monumentet e Natyrës në rrethin e Gramshit janë kthyer në një atraksion turistik të vërtet për dashamirësit e natyrës dhe të aventurës.

Një ndër këta monumente është dhe ‘’Liqeni i Zi” Gjendet në lartësinë 1634 metra mbi nivelin e detit, në shpatin jug-perëndimor të malit të Valamarës, në afërsi të fshatit Lenie.

Monumenti i natyrës me sipërfaqe 5 ha, përfaqëson një liqen malor me sipërfaqe ujore 2.5 ha, në formë të përzgjatur rreth 1000-1200 m, i gjatë dhe 200-300 metra i gjerë, me origjinë akullnajore dhe faunë të pasur ujore.

Sipërfaqja përreth liqenit është e pasur me drurë e grupe drurësh të llojit ah dhe rrobull, ku derdhen dhe burojnë shumë burime malore me ujë të pastër.

Uji i liqenit frekuentohet nga shumë individë dhe për bërjen e banjove për kurimin e sëmundjeve reumatizmale, numri i të cilëve ka ardhur në rritje.

Vetëm për periudhën 15 gusht -22 gusht, ky liqen është vizituar nga rreth 250 persona, ndërsa vazhdojnë të vijnë çdo ditë e më shumë.
Liqeni vizitohet duke ndjekur itinerarin Gramsh-Kodovjat -Bulcar -fshati Lenie-Bicaj e më pas në Liqenin e Zi. Sipas agjencive turistike që frekuentojnë këto zona, raportohet për fluks vizitorësh vendas e të huaj në monumentet e natyrës së kësaj zone.

“Liqeni i Zi” në Gramsh , monument i Natyrës Read More »

Vettingu në polici, 65 efektivë japin dorëheqjen pa nisur…

Data 5 maj është afati i fundit për 11 mijë punjonjëist e Policisë së Shtetit, për të dorëzuar 3 formularët në kuadër të Vettingut, por duket se ende pa nisur procesi vlerësimit, 65 efektivë të rolit bazë dhe oficerë të niveleve të larta kanë depozituar kërkesat e tyre për dorëheqje.

Më tepër se 60 efektivë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë dorëzuar kërkesat për t’u larguar nga radhët e uniformave blu. Një vendim i tillë duket se është marrë nga një pjesë e efektivëve, të cilët nuk kanë mundur ende të nisin procedurat e mbledhjes së dokumenteve.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, mësohet se janë mbi 5 oficerë që kanë dorëzuar kërkesat për largim. Prej një muaji ka bërë kërkesë për t’u larguar edhe ish-kreu i bluve në Berat, Dilaver Shima. Ai sqaroi se largimi shmang kontrollin, por nëse do ta shohë të arsyeshme për t’u rikthyer, do t’i nënshtrohet vlerësimit.

Zyrtarisht Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme nuk kanë dhënë shifra të efektivëve që kanë kërkuar largimin.

Vettingu në polici, 65 efektivë japin dorëheqjen pa nisur… Read More »

Nxënësi nga Vlora: Specialistët e TIK më të kërkuar se avokatët dhe doktorët

Arsimi profesional po shihet çdo ditë e më shumë si një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar ëndrrat e së ardhmes për shumë nga të rinjtë e vendit.

Një shembull i tillë vjen nga qyteti i Vlorës, ku Thanas Kulaj ka zgjedhur të studiojë në shkollën industriale “Pavarësia”, në degën TIK(Teknologji Informacioni dhe Komunikimi) Vetëm në vitin e parë si student, ai shprehet i kënaqur që ka zgjedhur shkollën profesionale, pasi sipas tij nuk ekziston më mentaliteti që ata që zgjedhin arsimin profesional nuk kanë nivel të lartë akademik.

“Unë jam Thanas Kulaj, një nxënës nga shkolla industrial “Pavarësia” Vlorë , viti parë dega TIK. Shumë njerëz mund të mendojmë se në shkollat profesionale shkojnë vetëm njerëzit që kanë notat të ulëta as në rastin tim, as në rastin tim as në rastin e shokëve dhe shoqeve te mia. Sipas mendimit tim, dega TIK ka nevojë për shumë për më shumë përkushtim sesa arsimi i përgjithshëm. Njerëzit që janë të specializuar në TIK sot janë më shumë të kërkuar e se avokatet apo doktorët sepse vendi si europa po digjitalizohet.

Thanasi ka ndarë një pjesë nga jeta e tij, nga ku ka treguar se interesi i tij për kompjuterat ka lindur që në moshë të vogël.

“Qëkur kam që fëmijë kam pas interes të madh për kompjuterat dhe në arsimin 9-vjeçar studiova shumë për këtë gjë”.

Por, si vendosi Thanasi të zgjidhte arsimin profesional?

Ai ka treguar se informacionin e parë për edukimin profesional e mori nga mësuesit e shkollës “Pavarësia” pasi këto të fundit erdhën në klasën e tij. Më pas Thanasi kërkoi informacione në sajtin zyrtar derisa mori vendimin përfundimtar.

“Disa nga mësuesit më këshilluan që të vazhdoja gjimnazin por të gjithë miqtë dhe të afërmit e mi më thanë të ndiqja endrrat e mia. Me të vërtetët jam shumë i kënaqur deri tani. Në shkollën tonë, mësimi bëhet me anë të klasave të kombinuara duke përdorur mjetë si lap-top, projektore etj. Edhe pse unë jam në vit të parë, ne kemi filluar të bëjmë praktika profesionale me kompani private që ne na japim eksperienca praktike: si është të ndërtosh vetë një website, printer 3-d, eksperienca që në nuk mund t’i marrim në vend tjetër dhe na ndihmojnë shumë për vendin e punës për të nesërmen”. Thanasi u bëri apel të gjithë të rinjve,që ta shohin arsimin profesional si një mundësi për të ardhmen e tyre. z.tosku /ATSH

Nxënësi nga Vlora: Specialistët e TIK më të kërkuar se avokatët dhe doktorët Read More »

Folklori shqiptar prezantohet në zemër të Brukselit

Shqipëria po prezanton kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku do të shpalosë ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet europian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po merr pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”, që po zhvillohet nga 19-22 prill.

Pjesëmarrja e Ansamblit në këtë festival, të çelur mbrëmjen e djeshme në sallën Bozar, u mundësua me mbështetjen e ministrisë së Kulturës.

Me një formacion prej 17 artistësh, solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestra popullore, me grupin polifonik së bashku me zërin e magjishëm të Hysni Zelës, të pranishmit do të mund të udhëtojnë përmes këngë, valles dhe folklorit shqiptare, përfaqësuar nga Ansambli Kombëtar.

Programi përfshijnë vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka theksuar fort se “detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacisë kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.

Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i sapo nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, premton sukses në këtë ngjarje madhore kulturore të vendeve të Rajonit tonë dhe më gjerë në kryeqytetin evropian. Përfaqësimi i trupës së Ansamblit Kombëtar në këtë edicion i dedikohet polifonisë shqiptare si trashëgimi e UNESCOS-s, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar organizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe përfaqësinë tonë diplomatike në Bruksel. /ATSH

Folklori shqiptar prezantohet në zemër të Brukselit Read More »

Pesë fshatra të bregdetit të jugut së shpejti furnizim 24 orë me ujë

Rreth 6 mijë banorë të pesë fshatrave të bregdetit të jugut, Kuç, Kudhës, Pilur, Qeparo-Fushë dhe Qeparo-Fshat do të furnizohen me ujë të të pijshëm 24 orë falë një financimi prej 2 milionë euro të qeverisë shqiptare.

Projektet “Për rikonstruksionin e ujësjellësit në fshatrat Kuç, Kudhës dhe Pilur” si dhe “Për Rikonstruksionin e Ujësjellësit në fshatrat Qeparo-Fushë dhe Qeparo-Fshat”, do të realizohen nga FSHZH. Bashkia Himarë është bashkë-financuese në masën 10% të këtyre investimeve.

Punimet për ndërtimin e këtyre ujësjellësave parashikohet të fillojnë gjatë vitit 2018.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit zhvilloi këto ditë konsultime publike me komunitetin e këtyre fshatrave për fizibilitetin e investimeve, për rikonstruksionin e dy ujësjellësve, që do të furnizojnë banorët jo vetëm me 24 orë me ujë, por edhe higjenikisht të pastër.

Takimi u zhvillua në mjediset e Bashkisë së Himarës, ku përfaqësues të FSHZH, Bashkisë Himarë dhe kompanisë projektuese, informuan të pranishmit nga fshatrat përfitues të projekteve lidhur me investimin.

Banorët e këtyre fshatrave do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga ky investim që parashikon furnizimin me ujë me rënie të lirë nga burimet e Kuçit. Linjat e furnizimit dhe rrjeti i shpërndarjes do të ndërtohen rishtas, ndërsa parashikohet rikonstruksioni i rezervuarëve dhe komponentëve të tjerë të infrastrukturës.

Kërkesa për ujë sipas studimeve arrin në 120L për frymë dhe nëpërmjet këtij investimi synohet që të sigurohet qëndrueshmëri në furnizimin me ujë, kjo sipas standardeve më të mira.

Konsumatorët do të pajisen me matësa uji, ndërsa funksionimi dhe mirëmbajtja e ujësjellësve do të bëhet nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pranë Bashkisë së Himarës./ATSH

Pesë fshatra të bregdetit të jugut së shpejti furnizim 24 orë me ujë Read More »

Abuzime në regjistrimin e 673ha tokë, kallëzohen 3 ish-zyrtarë të Pronave

Dy ish-regjistrues dhe një ish-specialist hartograf në Malësinë e Madhe, janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Shkodrës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përpiluar ndaj tyre një dosje me shkeljet e kryera në regjistrimin e pronave.

Sipas KLSH-së, ata kanë kryer regjistrimin e pasurive pa dokumentacionin e duhur ligjor me dokumente të parregullta të AMTP-së, me sipërfaqe prej 673ha si dhe kanë shmangur procedurat ligjore për arkëtimin e 37,468 mijë lekë të ardhura këto të munguara për buxhetin.

Në bazë të këtyre provave, KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 3 punonjës: E.S jurist, G.K specialist dhe F.SH me detyrë regjistrues.

Për z.I.H dhe A. B ish-regjistrues dhe M.M me detyrë ish-specialist hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

KLSH ka përcjellë me shkresë nr. 1077/11 prot., datë 27.03.2018 indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Njoftimi i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1077/1, datë 23.10.2017, ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe, miratuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit me Vendimin nr.18, datë 27.03.2018 për periudhën korrik 2014 deri më shtator 2017.

Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për z.I.H dhe A. B ish Regjistrues dhe M.M me detyrë ish specialist hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për:

Në 5 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve, të cilat rezultojnë të korrigjuara, duke shtuar parcela për rrjedhojë sipërfaqja takuese, është rritur fiktivisht duke përfituar më tepër 25100 m2, në favor të poseduesve të AMTP-ve.

Në 11 raste , ka regjistruar pasuri të paluajtshme për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP, mbi normën për frymë të çdo fshati, për rrjedhojë nga regjistrimi i tyre kanë përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 274500 m2, se sipërfaqja takuese e ndarë sipas normës për frymë.

Në 8 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme sipas AMTP-ve, të cilat janë lëshuar për persona që nuk janë përfitues të tokës sipas ligjit, pasi nuk janë brenda juridiksionit që ushtron detyrën Komisioni i Ndarjes së Tokës në Fshat.

Në 4 raste me sipërfaqe totale 9696 m2, kanë regjistruar pasuri në favor të poseduesve të AMTP-ve, ndërkohë që në KPP dhe regjistrat përkatës figuron e llojit: “shesh”, “truall” dhe “kullotë”, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, në të gjitha rastet janë lëshuar certifikata pronësie për tokë arë.

Në 11 raste me sipërfaqe totale 139045 m2, kanë kryer veprime në KPP dhe regjistruar sipas AMTP-ve në kushtet kur: Përfituesit e AMTP-ve nuk rezultojnë të kenë qenë subjekte të trajtimit me tokë bujqësore.

Në 2 raste, kanë kryer veprime në KPP për pasurinë e regjistruar sipas AMTP nr. 154 me sipërfaqe 14644 m2, pasi përfituesi i AMTP-së nr.154 e 189, nuk rezulton të ketë qenë subjekt i trajtimit me tokë bujqësore dhe kanë spostuar pronat, duke regjistruar rrugë e sjellë pasoja me probleme sociale.

Në 7 raste, kanë kryer veprime në (KPP) për pasuritë Pyll, kullotë, truall+ndërtesë me sipërfaqe 9064 m2, duke ofruar shërbimin e kërkuar subjektit, pa e hequr më parë kufizimin dhe pa plotësuar kushtin për të cilin ishte vendosur.

Në 8 raste janë regjistruar pasuri me leje legalizimi, pa u përcaktuar marrëdhëniet me truallin, si dhe nuk janë kryer veprimet në KPP për vendosjen e hipotekës ligjore.

Në 1 rast kanë regjistruar leje ndërtimi rikonstruksion objekti, duke regjistruar në pronësi të subjektit E. K, ndërtesë me sipërfaqe 114 m2, rezulton se tjetërsimi i pasurisë shtet është bërë në mungesë të dokumentacionit të fitimit të pronësisë, me detyrim financiar për tu arkëtuar nga subjekti në vlerën 4,617,000 lekë.

Në 643 raste me sipërfaqe totale 610 ha,në ZK 1010 Aliaj, pasuritë janë regjistruar me mungesa të dokumentacionit tekniko ligjor në seksionin (C) të kartelës pronar Shtet dhe në seksionin (E) të kartelës janë regjistruar në posedim me emrat respektivë posedues.

Në 414 raste pasuritë me sipërfaqe totale 145487 m2, në ZK 2220 Koplik janë regjistruar në seksionin (C) të kartelës pronar Shtet dhe në seksionin (E) të kartelës janë regjistruar në posedim me emrat posedues, në mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, për të cilët nuk posedohet dokumentacion në kuptim të nenit 193 të Kodit Civil të RSH.

Në 7 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi regjistrimi i pasurive është kryer duke tjetërsuar pasuritë truall +ndërtesë , duke kaluar truallin në pronësi të individëve posedues të AMTP-ve, ndërsa pasuritë ndërtesë me sipërfaqe totale 932 m2, janë hequr nga KPP, rezulton vlera 37,746,000 lekë mungesë të ardhura për tu arkëtuar.

-Në 8 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme dhe lëshuar certifikatë pronësie, për poseduesit e AMTP-ve përkatëse, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi regjistrimi i pasurive është kryer duke tjetërsuar pasuritë truall+ndërtesë në pronësi “shtet”, duke kaluar truallin me sipërfaqe totale 1362 m2 në pronësi të individëve posedues të AMTP-ve, ndërsa pasuritë ndërtesë me sipërfaqe totale 932 m2 janë fshirë si pasuri duke u hequr nga KPP.

– Në 3 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, kanë regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve: nr. 733; nr. 746; nr. 827, në favor të poseduesve , të cilat rezultojnë të korrigjuara, duke shtuar parcela për rrjedhojë sipërfaqja takuese, është rritur fiktivisht, duke përfituar më tepër në total sipërfaqen 17550 m2.

– Në 18 raste që i përkasin ZK 2220, qyteti Koplik, ka regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve, duke mos zbatuar kërkesat ligjore, pasi janë regjistruar si tokë bujqësore edhe trualli që përmban AMTP-ja përkatëse dhe regjistruar në favor të poseduesve të AMTP-ve, më tepër sipërfaqe toke prej 4810 m2 dhe kanë lejuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme, pasi për një trung familjar janë lëshuar 2 e më shumë AMTP.

– Në 3 raste, kanë lejuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme sipas AMTP-së nr. 920, të cilat janë lëshuar për persona që nuk janë përfitues të tokës, pasi nuk janë brenda juridiksionit që ushtron detyrën Komisioni i ndarjes së tokës në fshat, duke lëshuar certifikatë pronësie për pasuri të paluajtshme sipas AMTP-ve nr. 912 dhe nr. 73 të cilat janë të parregullta dhe nuk mund të shërbejnë si Titull Pronësie.

– Në 2 raste, kanë regjistruar pasuri të paluajtshme sipas lejeve të legalizimit, duke lëshuar certifikata pronësie për pasuri truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale trualli prej 405 m2 dhe ndërtesa me sipërfaqe totale prej 234 m2, rezulton se regjistrimi i tyre është bërë në mungesë të dokumentit që shërben si Titull pronësie, pasi AMTP-ja e përcaktuar si Titull pronësie, nuk mund të shërbejë si e tillë.

– Në 2 raste, kanë kryer veprime në (KPP) për pasuritë: nr. 282/1, truall me sipërfaqe 415 m2 volum 2, faqe 38, ZK 1010; nr. 204/5, Pyll me sipërfaqe 3000 m2, duke i ofruar shërbimin e kërkuar subjektit në kushtet kur: Për VKKP nr. 143, ish/Agjencia Rajonale e KKP Qarku Shkodër me shkresën nr. 908/29 datë 17.07.2008 është shprehur se nuk ka vendim me të dhënat e kërkuara, bashkëlidhur këtij vendimi nuk ndodhet procesverbal i marrjes në dorëzim të pronës dhe nuk janë bërë verifikimet e elementëve dhe të dhënave të aktit.

Në 6 raste, kanë regjistruar troje me AMTP në ZK 3982 Bajze, ndërsa ndërtesa që pasqyrohet në hartën treguese nuk është hedhur në KPP, gjithashtu kanë regjistruar pasuri pa kërkuar konfirmim nga bashkia, në mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, konkretisht; mungon plan rilevimi, çertifikata e gjendjes familjare datë 01.08.1991 dhe pa konfirmim nëse është subjekt i trajtimit me tokë.

– Kanë regjistruar leje ndërtimi për rikonstruksion objekti, duke regjistruar në pronësi të subjektit pasurinë nr. 2/121-Nd3, ndërtesë me sipërfaqe 114 m2 v. 3, faqe 29, lëshuar certifikatë pronësie, nga ku rezulton se tjetërsimi i pasurisë shtet është bërë në mungesë të dokumentacionit të fitimit të pronësisë, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën prej 5,105,000 lekë.

/Ora News.tv/

Abuzime në regjistrimin e 673ha tokë, kallëzohen 3 ish-zyrtarë të Pronave Read More »

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër

Të paktë ishin ata burra shqiptarë që guxuan dhe i dolën kundër Enver Hoxhës. Fati i tyre dihej. Pushkatim, me ose pa gjyq!

Por kishte edhe nga ata që guxuan më shumë duke i shkruar një letër ish-diktatorit duke i plasur në sy të vërtetën e krimeve të komunizmit.

Edip Tërshana, u pushkatu më 18 janar të 1948. Ai u bë simbol kundër diktaturës së Enver Hoxhës.

Letra thuhet se u gjet në xhepin e tij nga hetuesi por fatmirësisht u ruajt.

Tërshana i shkruan Enver Hoxhës se është kundër diktaturës e cila po vret popullin shqiptar. Ai e akuzon edhe për bashkëpunimin me Jugosllavinë, ku sipas tij Hoxha ia fali Kosovën.

Ja letra e plotë:

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave,ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, qëne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia.

Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tue grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët.Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

Enver!

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën, që ju ja falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur! 22.11.1947

Dibrani që guxoi dhe i tha të vërtetën në sy Enver Hoxhës: Po vret popullin, po i kthen në skllevër Read More »

“Nëse më dëgjoni, kapni hundën!”/ Metoda për të bindur fëmijët, pa u bërtitur

Disa këshilla praktike nga profesionistë të huaj që ju ndihmojnë t’iu tërhiqni vëmendjen nxënësve në orën e mësimit. Provojini… Madje, jo vetëm arsimtarët, por edhe ju prindër në shtëpi. Do t’ju binden, pa qenë nevoja të ngrini zërin!

Nëse doni që fëmijët të ju dëgjojnë, uleni zërin kur ju flisni dhe mos u bërtisni atyre.

Pëshpëritini “Nëse më dëgjoni, kapni hundën”.

Pas një farë kohë do shikoni se të gjithë do e bëjnë këtë gjë.

Nëse nxënësit nuk e pëlqejnë një aktivitet, jepuni një minutë kohë që ata të shfryjnë atë që mendojnë dhe pasi të mbarojë minuti atëherë klasa do të jetë kthyer në qetësi.

Nxënësit që nuk shkruajnë gjatë pushimeve janë të prirur të humbasin mprehtësinë e tyre në kohën kur të kthehen në shkollë.

Prandaj inkurajoni nxënësit që të shkruajnë të paktën një fjali çdo ditë.

Pas pushimit ndërmjet orëve për të tërhequr vëmendjen e nxënësve provoni të luani ndonjë lojë të shkurtër.

Kështu do fitoni vëmendjen e tyre dhe ata do të argëtohen gjithashtu.

Fëmijët priren të ankohen më shumë kur e shikojnë veten e tyre nën kontrollin e dikujt, prandaj lejojuni atyre disa minuta lirshmëri në klasë.

Fëmijët e vegjël mësojnë më mirë duke parë se sa duke lexuar apo duke dëgjuar. Prandaj në vend të shpjegimit të mësimit në mënyrë leksioni, provoni t’i mësoni ata me ilustrime, shembuj dhe pamje vizuale si foto ose video.

Ndodh që kur futeni në klasë, gjeni letra në tokë që fëmijët kanë përdorur për ‘luftën’ e tyre në klasë gjatë pushimit ndërmjet orëve.

Mos u bërtisni sepse ashtu nuk do përfitoni asgjë.

Në vend të kësaj provoni që ta përdorni këtë ‘luftë’ në favorin tuaj duke ju shpjeguar fëmijëve që ai që mbledh më shumë letra gjatë ditës dhe i mbledh në një qese do ketë një shpërblim në fund të ditës.

Shikimi i një fëmijë që bën tek ju kur ju po i thoni diçka të rëndësishme është i paçmueshëm.

Prandaj në momentin që doni t’i flisni një fëmije provoni të nisni bisedën me këtë fjali: “Shiko mirë buzët e mia sepse dua të dëgjosh diçka shumë të rëndësishme”.

Kjo do i tërheqë jo pak vëmendjen.

Provoni të mbani një zile të vogël në tryezen tuaj në klasë.

Në momentin që shikoni se fëmijët e humbin vëmendjen përdorni zilen, zhurma e së cilës do i bëjë ata të ju dëgjojnë pasi ju më parë ju keni thënë se zilja do përdoret nga ju vetëm në momentin kur keni diçka shumë të rëndësishme për të ju thënë atyre.

“Nëse më dëgjoni, kapni hundën!”/ Metoda për të bindur fëmijët, pa u bërtitur Read More »