Aurora

Rruga e Kombit me pagesë, “dynjaja s’ka bukë të hajë”, Rama i hakërrehet komentuesit

Bërja me pagesë të Rrugës së Kombit ka ngjallur shumë reagime si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Pas vendimit ku çdo automjet që do të kalojë nga Rruga e Kombit do të paguajë një taksë që varion nga 2.5 euro për motorët deri në 22.5 euro për kamionët e rëndë, qytetarë të shumtë i janë ankuar kryeministrit Rama në Facebook-un e tij, disa prej të cilëve kreu i qeverisë i ka kthyer dhe përgjigje.

Komentuesi: Akoma me ato 300. 000 vendet e punës ti?! Po vrëm rreklama bëni ju se gjë tjetër nuk shoh. Shqiptarët po vuajnë për bukën e gojës e ti u vë taksa, taksa, taksa! Kur ata nuk kanë punë me se do i paguajnë?! Vendisin jashtë shtetit taksa po kur rruga është bërë nga koncensionari e jo me taksat e popullit. Plus që cilësia e rrugës është skëtërrë.

Edi Rama: Fakti qe nuk sheh ti gje tjeter Ardit, nuk do te thote se nuk ka gje tjeter per te pare, eshte problem sysh dhe mendje domethene! Vendet e punes jane realitet, sepse keta njerez jane reale nuk jane reklame, ndersa sa per rrugen, eshte krejt normale qe te paguhet per perdorimin e rrugeve, pikerisht sepse duhet te mirembahen e me kete pagese garantohet mirembajtja me cilesi e rruges

Komentuesi: 260 mi lek 5 veta e te shty. Mujin e ste vjen zor ta publikosh po drrita uj ja pagun ti ktyne se 260 me cmimet qe jan ktu as per buk sdalin

Edi Rama: Ishte me mire me 67 mije lek te vjetra ne muaj thua ti Antonio? Hajde mendje hajde, lum ti per rradaken bosh, mire qe s’punon per vete po edhe tallesh me ata qe punojne

Komentuesi: Pun me 5e ne dit a jetohet me to vec per buk sdalin. Dhe 14ore pun per 5e ajde Shqipri kemi super shtet ne

Edi Rama:Kane qene shume me pak para kater vjetesh, jame me shume sot dhe do jene shume me teper neser, por shtohen me pune e me kontribute leket, nuk shtohen me frymen e shenjte e as me llogje ne fejsbuk Doni, keshtu qe mbaje te qeshuren per te tjera raste se ketu s’ka asgje per te qeshur e dukesh keq

Komentuesi:Edo, ti o shok flet per Bashkim Kombetar dhe vepron per Ndarje Kombetare, apo si eshte puna? 10 euro o shok eshte shume. Dynjaja ska buk te haje, ti I vendos taks skandaloze. Te kemi dhene voten, jo per te na bere gropen, por per te na cuar perpara. Ndaj rishikoje ate taksen e Rruges se Kombit, mos u be edhe ti me keq se Saliu & Luli

Edi Rama: Nuk ka pagese 10 euro Albi, eshte 5 euro, cmim qe paguhet kudo ne rajon dhe kontribut qe shkon per mirembajtjen e rruges, e cila u ndertua pjeserisht (nderkohe qe kompania do te perfundoje edhe ndertimin) dhe mbeti ne meshire te fatit nga pamundesia e mirembajtjes qe ka nje kosto jo te vogel!

Rruga e Kombit me pagesë, “dynjaja s’ka bukë të hajë”, Rama i hakërrehet komentuesit Read More »

Pushtim i ri? Xhandarmëria serbe zbarkon në veri të Kosovës

Më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e Veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë civilë dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhic’ në Zveçan.

“Vllado Trebjeshanin, Miljan Dragovic, Predrag Rakiç, Bato Llazarevic, janë vetëm disa nga emrat e xhandarëve nga veriu të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Serbia ndodhen në veri”, kanë thënë burimet.

Në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinovic, duke përfshirë edhe ‘Civilna Zastita’-n dhe kreun e saj Stevo Paviçevic.

Ata janë mobilizuar në atë pjesë për sigurinë e drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuricit dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakovic.

Autoritetet kosovare nga ana e tyre kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë pa leje në territorin e Kosovës.

Pushtim i ri? Xhandarmëria serbe zbarkon në veri të Kosovës Read More »

“Reforma e pronës”, Gjonaj: Pezullimi për bregdetin, masë e përkohshme

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, bëri me dije se ka nisur ”Reforma e pronës”, teksa pohon se pezullimi i regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet është një masë e përkohshme.

“Kemi filluar punën dhe për reformën e pronës, që do të jetë e plotë e gjithëpërfshirëse me qëllimin për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës dhe për zhvillimin turistik të vendit. Kaosi i pronës do të mbetet në historinë e shtetit modern shqiptar si pengesa më e madhe në procesin e ngritjes së ekonomisë së qëndrueshme”, tha Gjonaj.

Gjatë konferencës për shtyp, Gjonaj shtoi se skanimi i pronave në vijën bregdetare, nuk do të prekë pronarët e ligjshëm.

“Skemat kriminale të zbuluara së fundmi gjatë vijës bregdetare Lezhë e Kavajë janë shembulli i qartë i modelit të ndjekur nga abuzuesit. Ky vendim synon pikërisht të pastrojë rrugën e shtetit dhe pronarëve të ligjshëm nga abuzimet dhe korrupsioni. Për qartësinë e të gjithëve se kjo VKM nuk pengon kthimin e pronës tek pronarët, sikurse po përdoret në mënyrë të shëmtuar nga opozita prej disa ditësh, përkundrazi, synon të garantojë që prona t’i kthehet pronarit dhe jo shkelësve të ligjit apo mafies së tokave në bregdet. Pezullimi është vetmë një masë e përkohshme që do i lejojë institucioneve shtetërore të verifikojë titujt e lëshuar përgjatë bregdetit dhe të ndajë njëherë e mirë pronarët e ligjshëm nga hajdutët e pronave”, tha ministrja e Drejtësisë.

Ajo shtoi më tej se puna nuk do të ndalet këtu: “Po nuk do të ndalemi këtu, jemi të vendosur për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë dhënë apo kanë përfituar tituj të pronësisë në mënyrë të paligjshme. Task force e ngritur nga qeveria do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli”.

“Reforma e pronës”, Gjonaj: Pezullimi për bregdetin, masë e përkohshme Read More »

PS shet deputetin Hyseni. Rama: Dil sqaro pasurinë

Mbledhja e Grupit Parlamentar Partisë Socialiste ka pasur sot në qendër të vëmendjes deputetin e PS në Vlorë, Alket Hyseni. Deputeti socialist akuzohet nga një qytetare në Dhërmi se i ka përvetësuar 11 mijë metra katrorë tokë me anë të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë Partia Demokratike thotë se Hyseni është përfshirë në një skemë për vjedhjen e pronave në bregdet, pasi personi nga i cili deputetit ka blerë ligjërisht tokën është arrestuar për falsifikim.

Nën presionin e opinionit publik, deputeti Hyseni reagoi të premten duke deklaruar se pronën e ka fituar në bazë të ligjit dhe nuk ka asnjë abuzim.

Sot kjo çështje, ku një deputet akuzohet për vjedhje prone është ngritur dhe në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputeti sqarime në mbledhjen e grupit lidhur me akuzat. Ndërkohë që i ka sugjeruar ligjvënësit që dalë dhe publikisht në media për të sqaruar pozicionin e tij.

Në mbledhjen e grupit, Alket Hyseni ka deklaruar se pronën e ka blerë sipas ligjeve dhe më pas e ka shitur. Ai deklaron se me familjarët e zonjës që e akuzon ka pasur disa procese gjyqësore. Sipas tij, janë tetë procese gjyqësore që janë fituar nga ai kundër paditësve.

Argumenti i deputetit të PS-së me vendimin e gjykatave për pronat është interesant. Janë deputetët e PS-së që në jo pak raste deklarojnë se këto gjykata janë të korruptuara dhe se gjyqtarët që japin vendime për prona shpesh herë vendosin në favor të palës që ka dhënë më shumë lekë. Është po ky deputet që në jo pak raste ka sulmuar gjykatat dhe sistemin e drejtësisë si të korruptuar.

Interesant është fakti se gjykatat janë të korruptuara kur duhet  që PS të bëjë politikë. Ndërsa për çështje konkrete, kur akuzohen deputetët e PS-së, gjykatat befas bëhen institucione serioze që nuk janë të gabueshme. Cilën PS duhet të besojmë; atë që thotë se sistemi i gjykatave është i kalbur, apo PS që mbrohet për pasurinë e njerëzve të saj duke cituar vendimet e gjykatave?

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar ra në sy dhe reagimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe deputetit Alket Hyseni. Zakonisht PS nuk shqetësohet për akuzat e PD ndaj njerëzve të saj. Fakti që Rama është marrë personalisht me këtë çështje dhe madje ka kërkuar sqarime nga deputeti, tregon se PS po distancohet nga çështja e pronave të Alket Hysenit.

Zbardhet pasuria e një prej deputetëve që është vënë së fundmi nën akuzë nga Partia Demokratike, Alket Hyseni. I angazhuar në disa detyra shtetërore të rëndësishme, pjesë e profesionistëve që i bashkohen pushtetit, deputet i ri në legjislaturën e fundit, Hyseni ka një pasuri të konsiderueshme, sipas vetëdeklarimit të depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe të publikuar nga “Open Data”

2005-2017

Pasuri të paluajtshme

1) Kontratë sipërmarrje me shoqërinë ‘S&D INVEST’ sh.a për pasurinë e llojit arë me sip. 5000 m2, në Tiranë, pjesa takuese 50 %.
2) Kontratë sipërmarrje për një tokë bujqësore me sip. 5000 m2 dhe 6000 m2.

Likuiditete (Depozita, Cash, Llogari rrjedhëse, Debi-Kredi, Karta krediti/debit

1) Gjendja e llogarisë bankare më 26.05.2017 në një bankë të nivelit të dytë, pakësuar 2 825 570.57 lekë.
2) Gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë më 26.05.2017, të ardhura më 28.10.2016 nga shitja e apartamentit, 125 718 lekë. ( Në deklaratën e fillimit të detyrës gjendja në këtë llogari ka qenë 105 203 euro)

Të tjera

Të ardhura si Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ndihmës i Kryeministrit, 525 651 lekë. Deri në datën 12. 05. 2017

2003-2016

PASURI TE PALUAJTSHME

1) Pronar me 100 % i dy apartamenti banimi me sipërfaqe 120 m2 secili, porositur më dt. 10.09.2008, blerë me të ardhura nga emigracioni, puna, biznesi e kursime familjare, vlera 93 600 euro (46 800 euro secili).
2) Pronar me 100 % i një apartamenti banimi me sipërfaqe 120.3 m2, porositur më dt. 31.05.2010, burimi me të ardhura nga puna, biznesi dhe sipas akt-marrëveshjes së shkëmbimit, vlera 4 691 700 lekë.
3) Pronar me 100 % i një apartamenti banimi me sipërfaqe 120.3 m2, porositur dt. 31.05.2010, burimi të ardhura nga puna, biznesi dhe sipas akt-marrëveshjes së shkëmbimit, vlera 4 691 700 lekë.
4) Pronar i tre garazheve me sipërfaqe 30 m2 secili dhe i një garazhi me sipërfaqe 50 m2, burimi të ardhura nga emigracioni, puna, biznes e kursime familjare dhe sipas akt-marrëveshjes së shkëmbimit, vlera 2 100 000 lekë.
5) Pronar me 22.2 % (zotëron 2/9 e truallit) i një trualli me sipërfaqe 1913 m2, blerë me të ardhura nga puna në vite dhe biznesi, vlera 16 378 216 lekë.
6) Pronar me 100 % i një apartamenti banimi me sipërfaqe 225.6 m2,në Tiranë blerë më 31.07.2015 me të ardhura nga puna, biznesi dhe hua marrë shoqërisë H&A Law Firm sh.p.k. hua e marrë përmes llogarive bankare, vlera 403 050 euro.
7) Garazh me sipërfaqe 12.5 m2, në Tiranë, i blerë me 13.05.2016 vlera 18 700 euro. me të ardhura nga puna, biznesi dhe hua marrë shoqërisë H&A Law Firm sh.p.k. hua e marrë përmes llogarive bankare
8) Garazh me sipërfaqe 12.5 m2, në Tiranë, i blerë me 13.05.2016 vlera 18 700 euro. me të ardhura nga puna, biznesi dhe hua marrë shoqërisë H&A Law Firm sh.p.k. hua e marrë përmes llogarive bankare
9) Pronar me 100 % i një trualli me sipërfaqe 584.81 m2 dhe ndërtese me sipwrfaqe284 m2, Vlera totale 190 000 euro. nga të cilat, burimi i krijimit 155 000 euro të ardhura nga shitja e tokës bujqësore, përfituar nga ish-bashkëshortja sipas ligjit nr 7501, shitja është bërë me kontratë ku deklaruesi ka përfituar 155 000 euro. Pjesa tjetër kursime familjare.
10) Zotëron 25 % të një toke are me sipërfaqe 3000 m2, përfituar nga ligji nr. 7501.
11) Zotëron 25 % të një toke are me sipërfaqe 1400 m2, përfituar nga ligji nr. 7501.
12) Pronar me 25 % të një toke are me sipërfaqe 500 m2, përfituar nga ligji nr. 7501
Likuiditete (Depozita, Cash, Llogari rrjedhëse, Debi-Kredi, Karta krediti/debiti)

1) Gjendja e llogarisë bankare më 01.07.2016, në një bankë të nivelit të dytë, 88 262 lekë.
2) Gjendja e llogarisë bankare më 01.07.2016, në një bankë të nivelit të dytë, është 105 203 euro. burimi të ardhura nga kthim huaje, shitje pasurie dhe të ardhura nga biznesi.
3) Gjendja e llogarisë bankare më 01.07.2016, në një bankë të nivelit të dytë, të ardhura nga paga, dieta, hua dhe shpërblime nga shoqëria H&A Law Firm sh.p.k, vlera gjendje 4 296 953 lekë.
4) Gjendje para cash, të ardhura nga puna e biznesi, 10 000 euro.
5) Hua dhënë një personi të tretë më dt. 07.03.2013, në shumën 21 500 000 lekë, të ardhura të krijuara nga puna në vite, biznesi dhe shitja e librave. Huaja është dhënë përmes sistemit bankar.
6) Hua dhënë në maj 2010 një personi të tretë, në shumën 67 000 euro. të ardhura janë krijuar nga puna ndër vite dhe biznesi. Nga huaja deri në momentin e deklarimit janë rikthyer 44 010 euro.
7) Detyrim për t’u shlyer ndaj shoqërisë H&A Law Firm sh.p.k në datën e raportimit qershor 2016 është 10 430 000 lekë. Kjo hua është marrë në bazë të kontratës së huasë të datës 05.03.2015, dhe vlera e parashikuar në kontratë është 200 000 euro, (konvertuar në rreth 27 616 000 lekë). Qëllimi i huasë blerjen e një apartamenti. Është marrë hua vetëm në vlerën 15 430 000 lekë. Janë shlyer 5 000 000 lekë pasi është shitur një automjet. Sipas kontratës huaja është pa interes dhe me afat shlyerje jo më vonë se data 31.2020.).

Të tjera

1) Të ardhura nga paga dhe shpërblime (janar – 28.06.2016.) si Drejtor (ekspert ligjor) i shoqërisë H&A Law Firm, 3 809 412 lekë.
2) Të ardhura (janar – 28.06.2016.) si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Rezidenca Studentore Universitare Nr.1, 182 484 lekë.
3) Të ardhura (janar – 28.06.2016.) si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës Ujësjellës Kanalizime, Fushë Krujë, 73 223 lekë.
TË ARDHURAT DHE ANGAZHIMET NË VEPRIMTARI PUBLIKE / PRIVATE 2016
Të ardhura nga Paga dhe Shpërblimet
1) Të ardhura nga paga dhe shpërblime (janar – 28.06.2016.) si Drejtor (ekspert ligjor) i shoqërisë H&A Law Firm, 3 809 412 lekë.
2) Të ardhura si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, 687 502 lekë.

Të ardhura si Këshilltarë/Anëtarë Bordesh

1) Të ardhura (janar – 28.06.2016.) si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Rezidenca Studentore Universitare Nr.1, 182 484 lekë.
2) Të ardhura (janar – 28.06.2016.) si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës Ujësjellës Kanalizime, Fushë Krujë, 73 223 lekë.
3) Të ardhura si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës Ujësjellës Kanalizime, Fushë Krujë, 10 837 lekë.
4) Të ardhura si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Rezidenca Studentore Universitare Nr.1, 80 862 lekë.
Të tjera
1) Deklaron si shtesë pasurie dy “toka bujqësore” 5000m2 dhe 6000 m2, fituar me kontratë shkëmbimi. Shkëmbimi është bërë me dy apartamente dhe tre garazhe të deklaruar më herët. (Nuk jepet vendndodhja e tokave bujqësore dhe data e veprimeve ligjore).
2) Gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë në 31.12.2016, pakësuar 3 427 279 lekë.
3) Gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë në 31.12.2016, të ardhura nga shitja më 28.10.2016 i apartamentit 140 718 euro. (Në deklaratën e fillimit të detyrës gjendja në llogari ishte 105 203 euro nga të cilat më 27.09.2016 janë transferuar 5 000 euro në llogarinë e kartës së kreditit dhe në 28.10.2016 janë kredituar 39 800 euro nga shitja e apartamentit).
4) Kartë krediti me limit 200 000 lekë.
5) Kartë krediti me limit 1 700 euro.

SHPENZIMET E DEKLARUESHME 2016

Shpenzime për blerjen e një are me sip. 5000 m2 në Tiranë, marrë më 08.02.2017 me të ardhura nga shitja e ap. vlera 8 000 euro, pjesa takuese e deklaruesit për këtë pronë sipërfaqe arë është 50 %.

PS shet deputetin Hyseni. Rama: Dil sqaro pasurinë Read More »

Nga ndërhyrjet estetike, zbulohen teknikat për trafikimin e emigrantëve në SHBA

Pesë grupet e trafikut të klandestineve, te arrestuar një javë më parë nga Policia, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vinin ne perdorim teknika nga me te ndryshmet, duke shkuar deri te nderhyrjet estetike.

Grupi fillimisht mundohej të siguronte pasaporta autentike, që merreshin kryesisht në Bullgari, si pjesë e BE-së. Këto pasaporta, pasi siguroheshin, falsifikoheshin në një punishte të sajuar te “Kodra e Diellit” në Tiranë, në varësi të kërkesave nga emigrantët që kërkonin të emigronin në Britani, SHBA apo vende të BE-së.

Pasaportave u bëhej ndërhyrje në foton e personit dhe ato zëvendësoheshin me foton e emigrantit.

Në këtë mënyrë, emigranti mund të lëvizte me to lirisht në vendet e BE-së, kryesisht në Britani. Por ndonjëherë nuk ishte e mundur që të behej ndërhyrja, për shkak të fluksit dhe kërkesave të mëdha. Në dosjen hetimore njihet një rast i veçantë i një personi të quajtur Izmir. Ky person kërkonte të udhëtonte drejt vendeve të BEsë.

I pandehuri, Luan Qyrku, i ka ardhur në ndihmë me një ide krejt ndryshe. Pasi ka siguruar pasaportën e një shtetasi bullgar, i cili ngjasonte me pamjet e Izmirit, e kanë dërguar këtë të fundit në Bullgari, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje estetike të thjeshtë.

Në këtë mënyrë, Izmiri dukej njësoj si personi që ia kishte blerë pasaportën dhe mund të lëvizte me të drejt vendeve të BE-së. Por si ky rast ka edhe të tjerë, që bëheshin kryesisht në Bullgari, ku edhe oferta për shitjen e pasaportës ishte e lartë. Disa pjesëtarë të tjerë të grupit ishin të ngarkuar që të shoqëronin emigrantët deri në destinacionin final.

Hyrje-daljet e shpeshta të tyre të pasqyruara në sistemin TIMS i kanë nxjerrë zbuluar. Grupet kriminale shqiptare bashkëpunonin edhe me shtetas të huaj, kryesisht bullgarë, të cilët prisnin dhe sistemonin emigrantët në vendet tranzite. Hetimet për këto grupe vazhdojnë ende, pasi dyshohet se pjesëtarët janë edhe më shumë.

ITINERARET

Tri linja për në Amerikë, po kaq për në Kanada dhe një linjë për në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë rrugët kryesore që ndiqnin të arrestuarit për emigrantët e paligjshëm. Linja e parë për të mbërritur në Amerikë niste nga Shqipëria drejt Italisë, më pas në Francë, në Meksikë dhe SHB.

E dyta niste nga Shqipëria, në Malin e Zi, në Serbi, Gjermani, Spanjë, Meksikë ose Kosta Rika dhe mbërrinin në SHBA. Linja e tretë që përdorej nga trafikantët ishte nisja nga Kosova, në Bullgari, Spanjë, nga ku më pas udhëtonin drejt Kosta Rikës e arrinin në destinacion në Amerikë.

Për të udhëtuar në drejtim të Kanadasë përdoreshin këto linja: Nisja bëhej nga Shqipëria drejt Malit të Zi, më pas në Serbi, në Gjermani, në Spanjë dhe në aty përdoreshin dy linja, e para direkte drejt Kanadasë, ndërsa e dyta kalonte fillimisht nga Spanja në Panama e më pas në Kanada.

Rruga tjetër niste po nga Shqipëria, në Kosovë, në Bullgari, në Spanjë dhe më pas në Kanada.

Ndërsa linja tjetër niste po nga Shqipëria drejt Kosovës, në Belgjikë, në Republikën Dominikane dhe nga aty në Kanada. Për të udhëtuar në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar përdorej vetëm një linjë. Niste nga Shqipëria, në Mal të Zi, Serbi, Gjermani, Spanjë dhe nga aty direkt në Britaninë e Madhe.

Nga ndërhyrjet estetike, zbulohen teknikat për trafikimin e emigrantëve në SHBA Read More »

Shqiptarit i vdes gruaja kur shkon në Zvicër, i la 3 fëmijë. Tani merr lajmin e tmerrshëm…

Një familje shqiptare e zhytur thelle ne borxhe, tani do duhet ta nisi jeten nga e para per shkak se borxhet e shumta dhe mungesa e gatishmërisë për t’i paguar ato, kanë bërë që kosovarit t’i shqiptohet masa e dëbimit nga Zvicra.

Edhe pse ka mbi 30 vjet që jeton në Zvicër, prej vitit 1981 si punëtor sezonal, e pas martesës në vitin 1985, kishte fituar edhe lejen e qëndrimit në këtë vend. Kosovari ka tre fëmijë të rritur, të cilët jetojnë në Zvicër.

Pas vdekjes së gruas, ai në vitin 2012 ishte martuar në Kosovë me një shtetase bullgare, transmeton albinfo.ch. Nisur nga gjendja e tij e rëndë financiare, Zyra Kantonale për Migracion, në vitin 2013 kishte refuzuar tia ndante bashkëshortes së tij të re lejen e qëndrimit në Zvicër. Borxhet e shumta ishin po ashtu shkaku që autoritetet në vitin 2015 nuk pranuan tia bënin vazhdimin e lejes së qëndrimit edhe atij vetë.

Zyra në fjalë me atë rast i ishte referuar Regjistrit të Zyrës së Përmbarimit (Betreibungsregister), në të cilën ai ishte i regjistruar 30 herë si borxhli, me një borxh të gjithëmbarshëm prej 92.000 frangash. Krahas kësaj, ndaj tij janë lëshuar edhe disa urdhëresa tjera për shlyerje të borxhit, transmeton albinfo.ch. Për shkak të këtyre borxheve, atij i është tërhequr vërejtja tri herë, por ai nuk kishte ndryshuar sjelljet e veta.

Pasi që të gjitha instancat në nivel kantoni e kishin shpallur fajtor, kosovari kishte bërë ankesë edhe në Gjykatën Federale. Në ankesën e tij ai kishte argumentuar se hyrja e tij në borxhe nuk kishte ndodhur “me dëshirë” dhe se ai kishte bërë çdo gjë që ishte në fuqinë e tij për t`i shlyer ato. Pastaj, dëbimi, ose kthimi në Kosovë, nisur nga mosha që ka dhe nga një infarkt që ka pësuar së fundi, nuk është masë e duhur, mendon ai. Kjo aq më tepër pasi që duhet të mbahet parasysh se ai jeton prej më shumë se 30 vitesh në Zvicër dhe fëmijët e tij janë rritur këtu, përcjell albinfo.ch. Madje ai vetë është i integruar këtu dhe nuk ka më lidhje me Kosovën.

Gjykata Federale në përgjigjen e saj ka pranuar se fakti i pasjes së borxheve të shumta si i tillë, nuk është i mjaftueshëm për shfuqizimin e lejes së qëndirmit dhe për dëbimin e dikujt nga Zvicra. Por gjykata e arsyeton vendimin e instancave kantonale për dëbim në rastin konkret me faktin se 59 vjeçarit i ishte tërhequr vërejtja tri herë, me çrast i ishte kërkuar që të shlyente borxhet. Por ai, në vend se të përmirësonte gjendjen e tij financiare, hynte në borxhe të reja. Kështu, as Gjykata Federale tashmë nuk beson në përmirësimin e situatës në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Para kësaj, edhe Gjykata Administrative e St. Gallenit kishte konstatuar se ekzistonte një interes publik që kosovarit ti merrej leja e qëndrimit me qëllim mbrojtjen e kreditorëve të ardhshëm.

Ndërkaq, sipas vendimit të Gjykatës Federale, dëbimi i tij, përkundër qëndrimit mbi 30 vjeçar në Zvicër, është adekuat, pasi që kosovari nuk i ka ndërprerë lidhjet me vendlinjen e tij. Duke qenë se ai atje ka të afërm, pas kthimit mund të llogarisë se do të krijojë një rreth shoqëror dhe të jetojë atje.

Shqiptarit i vdes gruaja kur shkon në Zvicër, i la 3 fëmijë. Tani merr lajmin e tmerrshëm… Read More »

Historitë e trishta femërore të Kaninës…

…nga Maria Frëngu, Rugina Balsha e deri te Donika, bashkëshortja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut

Ilirjan Gjika

Kështjellat janë objekte të trashëgimisë kulturore me origjinë antike dhe mesjetare. Edhe vendi ynë, Shqipëria, ka trashëguar nga e kaluara një sërë kështjellash, të cilat sot përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe historike. Ndërkohë që secila prej tyre përmban në vetvete histori nga më të ndryshmet rreth ngjarjeve që lidhen me to.

Edhe sot janë të njohura dhe të famshme legjendat e vjetra mbi Rozafën dhe Argjiron e deri tek ato më të rejat për Vasiliqinë e Ali Pashës. Por kështjella shqiptare që bart histori të shumta, të ngjashme me ato të tragjedive shekspiriane është padyshim ajo e Kaninës.

Në këtë fortesë kanë ushtruar aktivitetin e tyre një sërë emrash të njohur nga historia si Robert Guiskardi, Boemundi i Tarentit, despotët e Epirit, admirali Filip Kinardi, Jovan Komnen Asenin, pasardhësi i tij Aleksandri, i pari i dinastisë së Kastriotëve, Balsha II, princi serb Merksha Zharkoviç, Gjergj Arianiti, Gjegju Sinan Pash, etj.

Ndërkohë që krahas burrave të përmendur dhe të fuqishëm të kohës, në Kaninë, kanë vepruar edhe shumë “figura femërore”, të cilat janë bërë tashmë objekt shkrimesh të ndryshme, që nisin nga folklori popullor për të mbërritur deri te letërsia e kultivuar apo historia.

Le ta nisim me temën e parë, për të cilën, në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, një autor modern si Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”. Sipas saj gjatë fushatës normane të vitit 1081, kalorësi i shquar i shquar i Perëndimit, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Në pamundësi për ta marrë me luftë, njerëzit e tij përdorën një tjetër taktikë.

Ata e bindën gruan e komandantit bizantin që për një shpërblim të mirë të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer. Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë.

Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, kalorësi i shquar norman u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhër, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit (Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).

Ky ishte fundi tragjik i kësaj historie të trishtë, e cila do të vijonte përsëri në Kaninë. Dhe vijmë kështu te historia e dytë, e cila është edhe ndodhia më mbresëlënëse dhe njëkohësisht më e dhimbshme e tematikës së sotme. E tillë është ajo që lidhet me një nga zonjat e Kaninës, Maria Frëngun, të cilën jo pa qëllim, historiani Pëllumb Xhufi, në librin e tij “Nga Paleologët te Muzakajt” e quan edhe si: “Zonja fatale e Kaninës”.

Si gruaja e dy burrave të fuqishëm të kohës, Maria, do të bëhej autorja kryesore e vrasjeve të tyre, që përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të “kronikës së zezë’’ të shekullit XIII, në historinë e Arbërisë mesjetare. Duhet thënë se Maria Frëngu ishte kunata e despotit të Epirit, Mihal II dhe për qëllime politike u martua fillimisht me qeveritarin bizantin të Arbërit, Kostandin Habaronin. Pas vdekjes së tij për të njëjtat motive politike ajo u martua përsëri, por këtë radhë me mëkëmbësin e mbretit të Napolit, admiralin Filip Kinardi (Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, 55, 2009, f. 72).

Duke i shërbyer qëllimeve ekspansioniste të kunatit të saj, despotit Mihal II, Maria do të komplotonte dhe do të arrinte të eliminonte fizikisht të dy burrat e saj. Këtë aktivitet vrastar dhe tipik bizantin ajo do ta ushtronte me gjithë talentin e saj pikërisht në kalanë e Kaninës, atje ku kishte edhe pronat e saj.

Ndërkohë gratë do të ishin përsëri protagoniste të ngjarjeve që kishin të bënin drejtpërdrejt me këtë kështjellë. Historia e tretë ka të bëjë me gratë e familjes Balsha. Kështu pas vrasjes së princit Balsha II, në betejën e Savrës së vitit 1385, në Kaninë do të zotëronte e veja e tij, Komnena Muzaka, e quajtur ndryshe edhe “Zonja e Vlorës”. Por vdekja e parakohshme e të shoqit, njërit që kishte marrë përsipër të bashkonte Arbërinë do ta sillte Komnenën në krye të një zotërimi të rëndësishëm strategjik, që ishte e pazakontë për rolin e një gruaje. Gjithsesi, kjo gjë duhet parë edhe në kushtet e kohës kur rreziku osman në Ballkan kërcënonte Adriatikun. Në këtë kontekst edhe përpjekjet e saj për t’iu gjetur zotërimeve një princ apo për t’i vënë ato nën mbrojtjen e Venedikut dështuan. Pikërisht në kohën kur Vlora nisi të kërcënohej nga ky pushtim, ajo do të vdiste dhe në krye të principatës do të vihej e bija, princesha Rugina Balsha.

E përmendur në folklorin popullor njëlloj si Rozafa apo Argjiroja por ndryshe nga ato, Rugina, njihet si një personazh i mirëfilltë historik. Ajo qëndroi në krye të zotërimeve të Vlorës në vitet 1415-1417. Por Rugina nuk pati fat t’i mbronte zotërimet e saj nga sulmi osman. Pasi dështoi në përpjekjet për t’ia dorëzuar principatën Venedikut ajo u largua në ekzil. Një natë të errët pasi doli nga kështjella e Kaninës Rugina, kaloi përgjatë shpateve të malit të Shashicës dhe mori rrugën drejt Himarës për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz ku dhe vdiq në dëshpërim (E. B. Vlora, f. 44). Edhe sot në Vlorë, përgjatë shpateve të maleve të Shashicës, Lungarës dhe majës së Llogorasë ruhet një toponimi e dendur që lidhet me shtegtimin e tragjik dhe të dhimbshëm të saj. Emra të tillë si “shkëmbi”, “përroi” apo “burimi” i Ruginës kanë qenë një lëndë e pasur etnografike e mbledhur dhe publikuar prej kohësh prej studiuesve të kësaj fushe.

Ndërkohë që emri i historisë së fundit që lidhet me figurat femërore në Kaninë është padyshim ai i Donika Arianitit, bijës së princit Gjergj Arianiti, njërit prej heronjve të qëndresës anti-osmane të shekullit XV. Në ditët e sotme historia aludon se dasma e saj u zhvillua në Kaninë atje ku Gjergj Arianiti kishte selinë. Kurse gojëdhënat popullore e “dëshmojnë” një fakt të tillë duke theksuar se ceremonia e martesës së Donikës me Skënderbeun u zhvillua këtë kështjellë. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Arianitit tregon se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë” (Akademia e Shkencave. Epika Historike, I, Tiranë 1983, f. 133).

Kështjella e Kaninës

Kështjella e Kaninës ngrihet mbi një kodër prej 380 m të lartë në pjesën juglindore të qytetit të Vlorës. Arkeologët e kanë përcaktuar si një fortesë me karakter mbrojtës që i shërbente qysh në antikitet bashkësisë ilire të Amantëve. Me një sipërfaqe prej 3.5 ha dhe e rrethuar me mure që i përkasin teknikave, stileve dhe kohëve të ndryshme, kështjella, ishte e aftë të strehonte njerëz dhe mjete të konsiderueshme. Qëllimi i saj ishte kontrolli mbi gjirin e Vlorës, fushat bregdetare dhe luginën e poshtme të Lumit Shushica. Këtë rol ajo e luajti edhe gjatë shekullit të fundit, kur në vitet ‘90, kur prej saj u largua i fundmit nënrepart i Ushtrisë shqiptare.

Kështjella e Kaninës mbetet edhe sot një nga destinacionet e preferuara të turizmit historik dhe kulturor në Vlorë. Nuk mund të kuptohet Vlora pa Kaninën dhe anasjelltas Kanina pa Vlorën. E natyrisht që një shkrim i tillë nuk shërben veçse si një “ngacmim” që nëpërmjet përmendjes së këtyre personazheve të historisë, të “pasurojmë pasaportën” turistike të këtij monumenti.

Historitë e trishta femërore të Kaninës… Read More »

Pamje fantastike nga fshatrat e Vlorës, një shëtitje për të kujtuar historinë

Këto pamje fantastike vijnë nga fshatrat Velcë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik. Në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës. Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të crregullt, me perimetër rreth 270 metra.

Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi. Kjo është një zonë me vlera të veçanta monumentale veçanërisht në prehistori me shpella karstike të cilat paraqesin shumë interes për historianët dhe spelologët. Vlen të përmenden 70 shpellat karstike të Velcës nga të cilat njëra prej tyre është monument kulture i kategorisë së parë si dhe shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qenë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive. Emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë: Vendi i Fiqve.

Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak shkruan në vitin 1923: Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike. Po kështu në fshatrat Ramicë dhe Matogjin janë vërejtur shtëpi me dy kate me vlera të vecanta ndërtimore si banesat e vëllezërve Dervishaj në Ramicë dhe banesa e fisit Musaraj në Matogjin. Matogjini është vendlindja e shkrimtarit të soc-realizmit Shevqet Musaraj. Në fshatin Matogjin ndodhet dhe Rrapi shekullor i cili është monument natyre.

Pamje fantastike nga fshatrat e Vlorës, një shëtitje për të kujtuar historinë Read More »