Aurora

Listat e hapura/ Basha: Rama prishi thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Edi Rama e prishi në esencë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore pas deklaratës se mbështet kërkesën e opozitës parlamentare për hapjen e listave.

“Në esencë Rama ka prishur sot marrëveshjen e 5 qershorit, në të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore që do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave. Ne si opozitë në këto 7 muaj kemi bërë gjithçka për të arritur një marrëveshje konsensuale”, – theksoi Basha në një konferencë për shtyp.

“Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura është për koalicionet parazgjedhore që prej fillimit të demokracisë kanë qenë një realitet politik e sanksionuar në Kushtetutë. Rama ka vetëm një tmerr dhe frikë, zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Maskat ranë se kishte vënë si alibi një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë nga partitë politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe më pas u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, leje ndërtimi dhe premtime për t’u nxjerrë njerëz nga burgu. Ishin mall i blerë nga Edi Rama”, – tha Basha.

Basha tha se “PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Ne jemi për mazhoritar të pastër me dy dhoma që asnjë kryeministër nesër të mos i ngjajë as hijes së Ramës që kontrollon të gjitha pushtetet. Ndaj jemi të vendosur që një diskutim ta bëjmë por jo me Balla-opozitën, por me gjithë shqiptarët. Jemi gati dhe për referendum në këtë drejtim”, – tha Basha.

“Nëse Rama do kishte interes për lista të hapura nuk do e linte për një pazar fundkorriku, kur OSBE e ka hedhur poshtë 2 ditë më parë si shkelje flagrante ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqipëria s’mund të jetë peng i Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit është e qartë. Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Jo sepse nuk deshëm ne, por sepse Rama donte depolitizim. Por ai do të heqë koalicionet parazgjedhore”, – tha Basha. /atsh

Listat e hapura/ Basha: Rama prishi thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit Read More »

New York Times: Shqipëria dhe Kosova ndër vendet që këshillohen për të kaluar pushimet gjatë pandemisë

Prestigjozja amerikane New York Times rendit Shqipërinë dhe Kosovën ndër vendet ku këshillon qytetarët amerikanë për të kaluar pushimet gjatë periudhës së pandemisë.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ndau edhe shkrimin e New York Times.

“Kufijtë janë hapur që në qershor dhe ka një numër të ulët të të prekurve”, shkruhet në artikull./atsh

New York Times: Shqipëria dhe Kosova ndër vendet që këshillohen për të kaluar pushimet gjatë pandemisë Read More »

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot situatën e qetë dhe atmosferën e sigurisë në Maqedonin e Veriut para zgjedhjeve.

“Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve. Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër”, u shpreh Meta.

“Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me deficitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta. Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian. Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë. E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani”, tha ai. /atsh

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë Read More »

AKU kryen 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, asgjësohen 22.3 tonë produkte ushqimore

Trupat inspektuese të AKU-së si pjesë e Taskforcës antiCOVID kanë kryer sot 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit të AKU, “në çdo monitorim kërkohet vëmendje e shtuar në të gjitha bizneset që të zbatohet protokolli i sigurisë kundër përhapjes së COVID-19.”

“Gjatë inspektimeve është bllokuar një sasi prej 100 kg djathë me destinacion asgjësimin, pas rezultatit pozitiv me E. Coli. Ndaj një subjekti që tregtonte mish pa vulë dhe certifikatë veterinare i është bllokuar një sasi mishi prej 10 kg dhe rrjedhimisht është vendosur dhe masë administrative Është bërë asgjësimi i një sasie prej 22.3 tonë produktesh ushqimore me kërkesë të vetë subjektit.”,- njofton AKU.

“Janë dhënë 9 paralajmërime në disa biznese për higjenizim të ambienteve të punës, rinovim të librezës së ujit, rinovim të librezës shëndetësore etj. Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 24 mostra për monitorim të qumështit në fruta-perime për mbetje pesticidesh dhe në molusqe. AKU vijon të jetë pandërprerë në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit”, – përfundon njoftimin AKU. /atsh

AKU kryen 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, asgjësohen 22.3 tonë produkte ushqimore Read More »

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë

Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.

“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.

Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, tha Margariti./atsh

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë Read More »

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.

“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.

“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.

“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që japin për Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, “është pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, për ta parë më më shumë dashuri vendin tonë, Shqipërinë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër falë mbështetjes së SHBA”.

Leli falënderoi gjithashtu Ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen për Reformën Zgjedhore, duke shprehur besimin dhe optimizmin që pas kësaj reforme të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike.

Ai e cilësoi misionin e Ambasadores së SHBA-së, një mision sa diplomatik po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri.

Leli e cilësoi Vlorën e këtyre 5 viteve, një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit. Ai vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për ta përkthyer atë në ekonomi.

“Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë”, tha ai.

Në emër të komunitetit të banorëve të zonës së Babicës, Leli falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, për projektin e financimit dhe transformimit të shkollës “Selam Musai” në këtë njësi administrative të Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mbrëmjen e të dielës, ajo ishte në një darkë pune me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet, ndërkohë që, në vazhdim do të zhvillojë vizita në objekte muzeale në Vlorë, në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, ku funksionon edhe Këndi Amerikan, në mjediset e Bazës Ushtarake të Pashalimanit etj./atsh

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime Read More »

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës nga ku bëri të ditur se nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes.

“Bashkë, gra dhe burra, nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes. Në 2021-shin ne do të fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”, deklaroi Spiropali.

Ministrja Spiropali mori pjesë në takimin “Përfaqësimi gjinor në Partinë Socialiste, vlerë e forcës politike më progresiste”.

Falë vizionit të Kryeministrit Rama, tha ajo, PS është sot forca politike ku gratë dhe vajzat janë pjesë e pandarë e progresit, në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, këshilla bashkiakë, administratë, Parlament dhe qeveri.

Në takim morën pjesë disa prej deputeteve dhe përfaqësueseve të Partisë Socialiste./atsh

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng Read More »

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, nuk duhet të deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Kryeministri Rama foli për “situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës”.

“Dëshiroj që të rinënvizoj edhe njëherë me këtë rast, atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë gjatë vizitës time në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës. Theksoj se ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin këta në Kosovë, qofshin në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë. Një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se se “natyrisht që për fat të keq janë të pritshme keqinterpretimet qoftë mes nesh në mjedisin shqipfolës, qoftë edhe në mjedisin anglishtfolës të këtij qëndrimi duke ngatërruar pikërisht thelbin, pasi ky qëndrim nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar, e lëre më pastaj për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor”.

“Por ka të bëjë me krejt të kundërtën, me diskretitimin publik të këtij procesi përmes një shpalljeje mediatike të panjohur në praktikën e mirë të drejtësisë të një fajësie të supozuar të Kreut të Shtetit të Kosovës dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës së bashku me të tjerë. Në këtë pikë nuk ks mundësi të bëhet asnjë kompromis në heshtje”, tha Rama.

Rama shtoi se “unë i kam parë dhe i kam ndjekur jo pa shqetësim deklaratat ndërkombëtare inkurajuese me demek për drejtësinë dhe deklaratat ku konsiderohet me demek një hap pozitiv ajo që të gjithë bota mbarë lexoi, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka”.

“Ai është një hap shumë shqetësues që e kthen organin e specializuar të akuzës në një organ të paragjykuar detyrimisht dhe jo të respektuar”, tha Rama. /atsh

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare Read More »