Aurora

Basha ‘buzë greminës’, audit Rrugës së Kombit për vjedhjen e 230 milionë eurove

Mazhoranca ka vendosur që të zbardhë një herë e mirë aferën me Rrugën Durrës-Kukës. Bashkë me abuzimet që u bënë në marrëveshjen me CEZ, këto dy ngjarje mund të cilësohen si vjedhja e shekullit. Kreu i PD, Lulzim Basha, ishte ministër Transporti në atë kohë dhe arriti t’i shpëtojë drejtësisë. Deri më sot ka pasur shumë thirrje nga qytetarët dhe vetë deputetë të PS që kjo aferë të zbardhet, por si nga drejtësia ashtu dhe nga mazhoranca nuk pati asnjë lëvizje.

Shumë shpejt Ministria e Energjisë dhe Transportit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të nisin një audit sa i takon ndërtimit të të gjithë rrugës Durrës-Kukës. Burime të sigurta në selinë rozë konfirmojnë për “Sot”, se pasi shpërtheu debati për vendosjen e tarifës, deputetët kanë shtuar presionet ndaj kryeministrit që të hetohet një herë e mirë abuzimi që është bërë në këtë rrugë.

Më këmbëngulës ka qenë deputeti Erjon Braçe, i cili ka deklaruar se nëse qeveria nuk bën asnjë kallëzim penal, do të jetë ai personalisht që do i drejtohet prokurorisë. Ahmetaj dhe Gjiknuri janë duke punuar për të ngritur një grup auditi, i cili do të verifikojë të gjitha procedurat që ka ndjekur qeveria “Berisha” në ndërtimin e këtij aksi, i cili ka shkaktuar shumë debate ditët e fundit.

Procedura do të jetë e njëjtë si me atë që u bë për rrugën Tiranë-Elbasan, ku shkuan për ndjekje penale disa zyrtarë të LSI. Por nëse ndodh për aksin Durrës-Kukës, atëherë aty vjedhja është shumë herë më e madhe dhe të akuzuar kanë qenë ish-ministri i Transportit Lulzim Basha, si dhe zyrtarë të Ministrisë së Financave, e cila drejtohej nga Ridvan Bode në atë kohë. Ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit ai i cili zbuloi shumë shkelje dhe kjo solli një hetim ndaj Lulzim Bashës, por ato u pushuan për shkak të skadimit të aftit të procedurave. Por nëse do të kemi një kallëzim të ri për këtë çështje, atëherë kreu i opozitës mund të mos ketë të njëjtin fat.

Abuzimet

Sipas raportit të KLSH, në rrugën Durrës-Kukës u vodhën 230 milionë euro. Në atë kohë Kontrolli i Lartë i Shtetit theksonte se vjedhja e parave është bërë me fatura fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër, me tatimin mbi të ardhurat, me pagesa për punë të pakryera. Sipas dosjes dhe raportit të KLSH që në fillim të këtij projekti, janë vënë në dukje shkeljet, por gjithçka kaloi në qeveri ku vendosi Berisha politikisht.

Ndërkaq, kontrata e përpiluar dhe më pas e nënshkruar nga Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik, Andi Toma, me përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel & Enka” është bërë në bazë të ligjeve angleze dhe jo atyre shqiptare.

“Tatimi mbi të ardhurat me vlerën 460 mijë euro është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Ndërsa 184,213 milionë lekë është vlera e rritjes së volumit të punës në kontratat e lidhura me 5 kontraktorë në segmentin Kalimash-Morinë. Rreth 116,687 milionë lekë është vlera e likuiduar për punë të pakryer në segmentin Kalimash-Morinë, duke qenë një shifër fiktive që tregon për një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.

Gjithashtu është konstatuar edhe një shumë prej 45,878 milionë lekësh dëm ekonomik, si rezultat i hartimit të kërkesave diskriminuese për kualifikim në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e lotit të tretë të segmentit Kalimash-Morinë dhe 9,693 milionë lekë të tjerë dëm ekonomik, për shkak të skualifikimit të padrejtë të një oferte me vlerë më të ulët. Të gjitha këto kapin shifrën e 461,779 milionë lekëve dëm ekonomik nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, shkaktuar vetëm për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash-Morinë”, thuhet në raport.

Basha ‘buzë greminës’, audit Rrugës së Kombit për vjedhjen e 230 milionë eurove Read More »

Ja çfarë ndodh me ju nëse laheni çdo ditë

Mesa duket këto janë përfundime surprizë rreth një studimi për pisanjosët.

E në fakt populli thotë shpesh: Me mire shulaq se sa i pastër.

Së fundmi një kërkim shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e San Diegos, publikuar së fundmi, ka dalë në përfundimin se trupi ka më shumë dëme sesa përfitime nga dushi i përditshëm.

Sipas studiesve, larja ditë për ditë nuk është e nevojshme pasi çon në largimin e vajrave natyrale që trupi prodhon. Përdorimi i sapunit dhe shampove të ndryshëm çdo ditë, çon në largimin e vajrave dhe si pasojë sjellë një flok të thatë dhe shumë të dobët.

E nga ana tjetër, kërkuesit shprehen se edhe pse mund të përdoren produkte hidratuese ato janë një zëvendësim shumë i dobët i asaj që trupi bën në mënyrë natyrale.

Ja çfarë ndodh me ju nëse laheni çdo ditë Read More »

Dënohet “peshku i madh” i tjetërsimit të tokave në Vlorë

Teksa janë zhvilluar një sërë seancash gjyqësore në gjykatën e Vlorës, një trupë gjykuese e kësaj gjykate, tre ditë më parë ka vendosur të dënojë me 3 vite burg biznesmenin Pëllumb Petritaj. Ky i fundit njihet në qytetin e Vlorës si një nga njerëzit që nëpërmjet dokumentave të falsifikuara ka arritur të tjetërsojë shumë sipërfaqe tokësore në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit në Vlorë.

E ndërsa për çështjen penale të nisur nga prokuroria e Vlorës, që bënte fjalë për abuzimet me tokat në Karaburun, Petritaj, ka mundur në rrethana të dyshimta ti shpëtojë rrjetës së drejtësisë duke mos u marrë as i pandehur, tre ditë më parë ai u gjet fajtor nga gjykata e Vlorës duke e dënuar me 3 vjet burg. Pas këtij dënimi, duket se testi i radhës do jetë në gjykatën e Apelit të Vlorës, e cila do vendosi ose jo që dënimi i biznesmenit të marrë formë të prerë ose jo.

Banorë të fshatit Zvërnec, të cilët kanë depozituar kallëzim në prokurori që prej vitit 2010, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se përveç dënimit me burg për Pëllumb Petritaj, trupi gjykues ka vendosur të konfiskojë dhe sipërfaqen tokësore prej 150 hektarë tokë, që ishte përfituar me dokumenta të falsifikuara.

Gjykata për dhënien e këtij vendimi është bazuar në paligjshmërinë e dokumenteve dhe për pasojë ka vendosur konfiskimin dhe kalimin e kësaj sipërfaqe tokësore në favor të shtetit.

Pëllumb Petritaj konsiderohet dhe dyshohet nga prokuroria e Vlorës si një nga njerëzit kryesorë dhe nismëtari e financuesi, i disa skemave abuzive që synonin tjetërsimit e tokave shtetërore në bregdetin turistik të Vlorës. Gjithashtu gjykata e Vlorës së bashku me Pëllumb Petritaj ka gjetur fajtorë dhe ka dënuar me nga dy vjet burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” tre persona të tjerë, ish-zyrtarë të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë. Më konkret me dy vjet burg është dënuar Petro Puleri me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Kthimit të Pronave.

Dënim me dy vite burgim kanë marrë dhe dy ish-juristët e Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorës, shtetasit Klodian Jahaj dhe Miriam Isufi. Nga hetimi gati 1 vjeçar që ka kryer prokuroria e Vlorës ka konstatuar se zyrtarët e dënuar të Komisionit të Kthimit të Pronave në Vlorë,në mënyrë të kundraligjshme u kishte njohur trashëgimtarëve të shtetasit Ramiz Shehu sipërfaqen e tokës prej 150 hektarë. Vitet e fundit prokuroria dhe gjykata e Vlorës, po përballen me falsifikime të shumta të pronave në qytetin bregdetar por edhe me veprimtari të kundraligjshme edhe nga vetë institucionet shtetërore në këtë qark.

Pikërisht në 27 mars 2018 për abuzimet me pronat në Karaburun, gjykata e Vlorës shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e dokumentave për 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës të martën, ndërkohë që i dha pafajësi avokatit Enkes Hysendhima. Trupi gjykues i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia shpalli përgjegjës kryesor Rajmond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec.

Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg. Ish-punonjësja e hipotekës, Blerina Dhrami u dënua me 6 vjet burg ndërsa arkivistja e gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj me 3 vjet burg. Avokati i Mëzit, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Dënohet “peshku i madh” i tjetërsimit të tokave në Vlorë Read More »

Dalin emrat e të shkarkuarve nga Rama në institucionin e rëndësishëm. Ja kush u largua

Në kulmin e lulëzimit të kanabisit, nga mesi i vitit 2016, në tryezën e Edi Ramës nisën të bëhen më të shpeshta informacionet për implikimin e policëve në biznesin e drogës.

Gjithsej 59 raporte me informacione për 127 policë të survejuar nga agjentët e SHISH, rrodhën në media pak muaj më parë.

Zbulohet dokumenti i ShISH me 127 emrat e krerëve të policisë të implikuar me drogën

Në këto dokumente u përmendën për herë të parë Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, policët e dosjes Tahiri, që konsiderohen hallkat kyçe në zinxhirin që lidh kampionët e qeverisë me nënkampionët e kanabisit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i përdori atëherë disa sinjale të SHISH si pikënisje për dosjet hetimore.

Qeveria heshti.

Me Visho Ajazi Likën, kryeministri u nda me një shtrëngim duarsh, një dekoratë dhe me propozimin si ambasador në NATO. Me bashkëpunëtorët e Visho Ajazit, bashkëhartues të raporteve të kanabisit, pati vetëm ndëshkime.

Pa kaluar 2 muaj nga largimi i Visho Ajazit, zëvendësi i tij, Helidon Bendo largoi nga detyra të gjithë drejtuesit e mëparshëm. Spastrimi në SHISH gjatë kësaj kohe është rrënjësor dhe stafi i vjetër drejtues është lëvizur.

Lapsi.al ka siguruar një listë me emrat e drejtuesve të SHISH që u zbritën në detyrë me urdhër të drejtuesit aktual, Helidon Bendo. Vlen të thuhet se një pjesë e të shkarkuarve kanë marrë vlerësime nga partnerët e huaj, në veçanti nga SHBA, ndërsa të gjithë janë bashkëhartues të raporteve të zbulimit të policëve të implikuar në trafik droge.

Janë zbritur në detyrë Drejtori i Zbulimit, Drejtori i Kundërzbulimit, Drejtori i Bërthamës së Brendshme dhe të Jashtme të Shërbimit, Drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Drejtori i Arshivës Sekrete, Drejtori i Personelit, dhe Drejtorët e të gjithë qarqeve.

Lista me emrat e shkarkuar nga detyra

ish Drejtori i Zbulimit, Ferdinand Marku

ish Drejtori i Kundërzbulimit, Kujtim Prifti

ish Drejtori kundër Krimit të Organizuar, Robert Tuci

ish Drejtori i Arshivës Sekrete, Nestor Babameto

ish Drejtori i Sigurisë së Personelit, Astrit Qinani

ish drejtori i Tiranës, Nevzat Shehu dhe dy ish nëndrejtorët

ish Drejtori i Durrësit, Tonin Prendi

ish Drejtori i Dibrës, Bardhok Gega

ish Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, Hazbi Brahja

Lapsi.al mësoi se mes emrave që i kanë zëvendësuar të larguarit nga detyra ka ish-inspektorë, për disa prej të cilëve ka pasur masa disiplinore, ndërsa pjesa më e madhe të emëruarve janë ish punonjës të sigurimit të shtetit.

Lista me drejtuesit e rinj të emëruar në detyrë

Mevlut Matraku, drejtor i Performancës

(krijohet drejtori e re)

Refail Milo, Drejtor i Administratës-  (krijohet drejtori e re)

Qerim Dede, Drejtor i Sigurisë në Aparatin Qendror

Gëzim Bime, drejtor në KKE në Aparatin Qëndror

Agim Karalliu, Drejtor i SHISH në Tiranë

Ilir Tafa, Drejtor i SHISH, Durrës

Eltjon Nikolla, Drejtor i SHISH në Fier

V.E drejtor i SHISH në Elbasan

R.S, Drejtor i SHISH, Sarandë

Astrit Alija Drejtor i SHISH, Dibër

Ismail Salliu Drejtor i SHISH, Vlorë,

Xhevdet Zeqo, Drejtor i SHISH, Gjirokastër,

Julian Marku Drejtor i KKON në AQ

Vlen të thuhet se vetë Bendo ka një bashkëpunim të gjatë me ish drejtuesit e shkarkuar, pasi ka qenë zëvendës i Visho Ajazi Likës. Për momentin, Helidon Bendo, mbetet drejtuesi i komanduar i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ende nuk është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Raportet që hartoi SHISH kanë qenë temë diskutimi në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë. Bujar Nishani ka pranuar se veç Edi Ramës, me të dhënat ishte njohur ish Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ishte koha kur akuzat ndaj Edi Ramës për lidhje me krimin dhe drogën u përshkallëzuan me çadrën e protestës para kryeministrisë. Ishte koha kur Rama dhe Tahiri i gruponin në “frontin e së keqes”, ata që denonconin kanabisin.

Raportet e Shërbimit Informativ Shtetëror sinjalizonin se situata kishte dalë jashtë kontrollit në policinë e shtetit.

Ato ishin dëshmi tronditëse se deri ku shkoi implikimi i policisë në biznesin e kanabisit.

Një skandal të këtyre përmasave, qeveria nuk mund t’ia lejonte vetes para zgjedhjeve. Të dhënat u mbajtën të fshehta deri kur Antimafia Italiane arrestoi Habilajt, solli përgjimet në Tiranë dhe skandali shpërtheu fort në opinionin publik.

Po bëhen 5 muaj që kur italianët sollën në Shqipëri materialet e dosjes Tahiri. Janë dashur pak muaj që gjithçka të ndryshojë në prokurori dhe në SHISH, jo thjesht në emrat e drejtuesit, por edhe në nivelet e tjera të të dy institucioneve.

Dalin emrat e të shkarkuarve nga Rama në institucionin e rëndësishëm. Ja kush u largua Read More »

Kryeministri Rama ultimatum bizneseve në bregdet, nga Velipoja në Sarandë: Keni kohë deri në…

Kryeministri Rama u shpreh sot se nuk “do të tolerohet asnjë biznes që derdh ujërat e zeza në det”.

Rama duke folur në konferëncën e titulluar “Panairi Mesdhetar i Turizmit” nënvizoi edhe njëherë atë që është thënë më herët nga Ministria e Turizmit se do të ndëshkohen të gjithë ata që kanë godina pranë vijës bregdetare dhe derdhin ujërat e zeza në det.

Sakaq numri një i qeverisë u bëri thirrje të marrin masa sa janë në kohë ende pa u hapur sezoni turistik, ose përndryshe do të ketë ndëshkime, siç tha Rama.

“Njoftimin e kanë marrë prej disa kohësh nuk do të lejohen dhe do të ndëshkojmë strukturat pritëse në bregdet që derdhin ujërat e zeza në det. Të marrin masa të pajisen me sistemet e depove. Mbase në këtë sezon nuk do arrihet gjithçka, por kushdo që mund të shkelë do ndëshkohet”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama ultimatum bizneseve në bregdet, nga Velipoja në Sarandë: Keni kohë deri në… Read More »

Babai i një vajze bën thirrjen urgjente nga spitali i Tiranës … (foto)

Thirrje për ndihmë!

Arthur Zhuleku, një i ri nga Tirana, baba i një vajze bën apel për ndihmë.

Zhuleku ndodhet në urgjencën e Kirurgjisë në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe thotë se ka nevojë për gjak, edhe pse nuk specifikon grupin.

E sipas familjarëve të tij mund të shkojë çdokush të dhurojë gjak pavarësisht grupit që ka pasi spitali duke mbledhur rezervat që i duhen, i jep të riut gjakun e grupit që posedon.

“Ju lutem jam ne nje gjendje kritike shendetesore. Ju lutem te gjithe atyre qe me kane per zemer te dhurojne gjake per mua.

Te urgjenca e kirurgjise, Nene Tereza.

Ju lutem sa me shpejt”, shkruan Zhuleku.

Ne bëjmë apel për këdo që mundet të paraqitet pranë QSUT ose së paku ta shpërndajë këtë njoftim, për t’i ardhur në ndihmë të riut.

Babai i një vajze bën thirrjen urgjente nga spitali i Tiranës … (foto) Read More »

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga…

Zbardhen debatet.

Seanca plenare e Kuvendit ka zgjatur dje për rreth 2 orë, thuajse po aq sa zgjati protesta e opozitës, e cila bllokoi akset rrugore në gjithë vendin. Por në mungesë të pakicës në Parlament, deputetët e maxhorancës janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë procesit të votimit.

Incidenti kryesor u shënua dje gjatë votimit të projektligjit për “Diasporën”. Shkak është bërë një amendament që ministri për Diasporën kërkonte të përfshinte në projektligj, por duke e futur në procedurë në emër të deputetit socialist Andor Shameti.

Por ky propozim u refuzua nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, e cila u mbështet dhe nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla. Deputeti propozues Shameti nuk e lexoi propozimin, gjë që la të kuptohej se nuk e dinte se çfarë ishte propozuar. Ndërkohë që Taulant Balla tha se amendamenti ishte propozuar jashtë afateve.

Ajo që acaroi më shumë Pandeli Majkon, ishte e qeshura e Edi Ramës dhe fakti se ai nxori kartonin e abstenimit kur propozimi u rrëzua. Në mënyrë demonstrative, Pandeli Majko mori letrat që kishte në tavolinë dhe përplasi karrigen, duke u larguar nga votimi. Ndërkohë që Gramoz Ruçi është acaruar me deputetin e PS-së, Ervin Bushati, të cilit i ka kërkuar të bëjë autokritikë dhe të mos sjellë materiale me lapsuse në Parlament.

Bushati tentoi të korrigjojë një gabim gjuhësor në projektligjin për statistikat, po mori vërejtje nga Ruçi. “Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse”, tha Ruçi. Ndërkohë, gjatë votimit të Kodit të Sjelljes, Gramoz Ruçi është përplasur me Bashkim Finon, i cili votoi abstenim.

DEBATI NË KUVEND

Pandeli Majko:Dua të falënderoj Komisionin e Politikës së Jashtme për punën e bërë, do flasë zoti Adnor dhe për të shprehur opinionin tim lidhur me projektligjin, besoj është bërë një punë e përbashkët shumë e mirë. Do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat do të jenë të karakterit teknik dhe mendoj se ato do t’i propozojë zoti Adnori. Dua të falënderoj Komisionin e Jashtëm për propozimet shumë të frytshme…

Adnor Shameti: Ky projektligj ka për qëllim të mbështesë Diasporën ku jeton dhe ku punon. Të mbrojë të drejtën e anëtarëve të saj për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditat e vendit të origjinës që është Shqipëria. Ky projektligj është në përputhje të plotë me programin politik të Këshillit të Ministrave, ku çështja e shqiptarëve në botë zë një vend të mëvetësishëm në kuadër të orientimit politik, në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë, integrimin europian të shqiptarëve në botë. (Nis miratimi nen për nen i projektligjit për “Diasporën”)

Gramoz Ruçi:Shtohet një nen i ri me riformulim të ri…

Mimi Kodheli: Zoti kryetar, cili nen është shtuar?

Gramoz Ruçi: Neni 23. Një amendament nga Adnor Shameti, propozohet shtim neni i titulluar “Komiteti shtetëror për diasporën”. Do shpreheni zoti Adnor?

Adnor Shameti: Sipas raportit, zoti kryetar dhe sipas variantit të paraqitur deputetëve. Mimi Kodheli: Nuk është sipas raportit. Në raport neni nuk ka një shtesë të nenit 24, lidhur me “Komitetin shtetëror për Diasporën”. Unë mendoj që ky komitet i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave funksionon si organ këshillimor dhe nuk duhet të jetë pjesë e ligjit. Sepse ndërkohë funksionon si i tillë me VKM. Nuk është diskutuar në komision, ndaj mendoj që nuk duhet të futet.

Pandeli Majko: Unë e përkrah amendamentin e relatorit. Mendoj që bëhet fjalë për Komitetin Shtetëror të Diasporës që drejtohet nga Kryeministri. Dhe është, sipas nenit 3, pjesë lista e institucioneve dhe çdo institucion kërkon një nen të vetin për t’u shpjeguar dhe kjo që ka sjellë relatori është thjesht një rregullim juridik i renditjes së neneve dhe shpjegimit të institucioneve. Komiteti Shtetëror është institucion, sipas nenit 3 dhe nuk besoj se sjell ndonjë dëmtim të relacionit në gjithë logjikën e vet. Unë propozoj që Komiteti të mos ketë renditjen e të gjithë ministrive, vetëm të thuhet Komiteti është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave në fushën e Diasporës. Të shprehemi me nen të posaçëm për Komitetin Shtetëror që drejtohet nga Kryeministri.

Taulant Balla:Në aspektin procedural, nuk e keni sjellë në kohë amendamentin, që të jemi korrekt me vendimin e komisionit.

(Edi Rama qesh më të madhe)

Taulant Balla: Kryetar, mbështetim propozimin e kryetarit të Komisionit të Jashtëm. Erjon Braçe: Kryeministri ka edhe më shumë kompetenca tani…

Mimi Kodheli:Jam dakord me propozimin e kryetarit të Grupit.

Gramoz Ruçi: Hidhet në votim pro, kundër, abstenim, amendamenti i paraqitur nga zoti Shameti..,

(Grupi i PS përçahet, Balla nxjerr kartonin e kuq. Disa deputetë nxjerrin kartonët jeshilë. Kurse Edi Rama abstenon)

Pandeli Majko: Kjo është pa kuptim… (Çohet dhe përplas karrigen. Largohet nga votimi)

Gramoz Ruçi: Nuk fiton… Neni tjetër, zoti Shameti, do shpreheni? Jo. Hidhet në votim.

Taulant Balla: Shtype o Niko… Niko…

(Projektligji për statistikat)

Ervin Bushati:Neni 17 në fund të pikës tre, në raportin e komisionit të shtohen fjalët “si dhe kryen dhe gjykon të arsyeshëm auditimin statistikor te prodhuesit e statistikave zyrtare”.

Gramoz Ruçi:Ministri i Financave ka vërejtje?

Erjon Braçe:S’ka lidhje ministri i Financave këtu.

Ervin Bushati: Në nenin 21, që është ndryshuar, kemi një redaktim gjuhësor, fjala “garanton” zëvendësohet me fjalën “vlerëson”.

Gramoz Ruçi: Zotëri, propozimet i keni përpara. Keni vërejtje për atë që keni bërë? Atëherë bëni autokritikë dhe na i sillni materialet pa lapsuse. Kush është dakord me lapsusin e komisionit. Miratohet.

(Votimi i Kodit të Sjelljes. Bashkim Fino voton abstenim)

Gramoz Ruçi: Hapet votimi me elektronikë për kodin e sjelljes. Zoti Fino, mos e keni ngatërruar?

Bashkim Fino: Jo s’e kam ngatërruar, kam qëndrimin tim. Si e kam ngatërruar, mos provoko.

Gramoz Ruçi:Nuk të provokova ty, mund të votosh si të duash i dashur.

Bashkim Fino: E kam shprehur mendimin tim. Pse më pyet vetëm mua.

Gramoz Ruçi: Më fal që të pyeta. 74 pro, asnjë kundër, 1 abstenim.

VOTIMET

Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017  – 75 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro

Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër

Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 Pro

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro

Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro

Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundwr 1 abstenim

Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro.

Zbardhet sherri brenda maxhorancës – Grupi i PS votë kundër, Majko përplas karrigen, ikën nga… Read More »

Shpërndante kokainë e marijuanë në lokalet e natës, arrestohet 24-vjeçari

Një 24-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit pasi dyshohet se shpërndante drogë.

Sipas policisë Blerim Oshafi, shiste dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë dhe marijuanë në lokalet e natës.

Atij iu sekuestruan 4.5 gramë kokainë, 7 gram marijuanë të ndara në doza për shitje, si dhe 8200 lekë të reja dhe automjeti  me targë AA212ND

“Me date 04.04.2018 ora 21:30 seksioni per hetimin e narkotikeve finalizoi me sukses plan operacioni “shperndarsi” ku u be e mundur kapja ne flagrance i shtetasit Blerim Bashkim Oshafi i dtl.26.04.1993 lindur dhe banues ne Durres lagja 13.

Pasi mbi bazen e informacioneve qe dispononte seksioni per narkotiket ky shtetas shiste lend narkotike te llojit kokain dhe Marjuane ne lokalet e nates. U sekuestruan ne cilesin e proves materjale 7 grame lende narkotike Marjuane dhe 4.5 grame lend narkotike Kokaine e ndare ne doza gati per shitje.

Shuma prej 8.200 leke te reja si automjeti me targe AA212ND ne pronsi te ketij shtetasi. Materjalet ju referuan prokurorise Durres per vepren penale prodhim shitje te narkotikeve parashikuar nga neni 283 i K.Penal,” shkruhet në njoftimin e policisë.

Shpërndante kokainë e marijuanë në lokalet e natës, arrestohet 24-vjeçari Read More »