Aurora

Kufiri detar, diplomati Shaban Murati: Greqia firmosi në vitin 1925

Diplomati i karrierës Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, bën një analizë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, veçanërisht të marrëveshjes së detit të vitit 2008 dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010. Sipas tij, Gjykata jonë Kushtetuese ka rrëzuar objektin e marrëveshjes, pasi nuk ka pasur asnjë çështje për detin mes dy vendeve.

Të dy vendet, sipas ambasador Muratit, kanë njohur dhe kanë respektuar kufijtë detarë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 dhe Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe të vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë. Këto çështje diplomati i njohur i trajton në librin e ri të tij të dalë pak kohë më parë, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”

SHABAN MURATI

NJË UDHËKRYQ ARTIFICIAL DIPLOMATIK

Diplomacia dhe qeveria shqiptare e kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit, jo vetëm ndërmorën një akt të pashembullt të pazareve në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, por krijuan edhe një vatër të re tensioni dhe përplasjeje në marrëdhëniet midis dy shteteve, që janë të dyja anëtare të NATO-s.

Çdo qeveri shqiptare që do të vinte pas ikjes së qeverisë që nënshkroi marrëveshjen e anuluar të detit, do të ndodhej mes dy zjarresh: nga një anë presionet e shumëllojta të Greqisë për të ringjallur marrëveshjen e anuluar të detit dhe nga ana tjetër, tensionet e reja si rezultat i mospranimit të marrëveshjes nga qeveritë pasardhëse. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me vendimin e saj të datës 15.4.2010 të anulimit të marrëveshjes së nënshkruar më 27 prill 2009 nga ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, dhe nga ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, në prani të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Kosta Karamanlis, ka shkruar një epokë modeli juridik dhe përgjegjshmërie të rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike etj.

Emrat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që meritojnë një vlerësim historik, siç pasqyrohet në aktin e vendimit nr.15, datë 15.4.2010, janë: Vladimir Kristo, kryetar, dhe anëtarë: Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Berberi, Sokol Sadushi, Admir Thanza dhe Xhezair Zaganjori, i cili ka qenë edhe relator i çështjes.

Vlera madhore e aktit të saj qëndron, së pari sepse ajo iu kundërvu politikës zyrtare dhe presionit zyrtar të miratimit të një marrëveshjeje të dëmshme antikushtetuese.

Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, është fakti se Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka anuluar dhe ka hedhur poshtë objektin e marrëveshjes. Çdo qeveri dhe çdo diplomaci shqiptare pas vitit 2013, pra pas largimit të qeverisë së “detit”, duhet të kishte parasysh se çështja e detit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet trajtuar në dritën, frymën dhe kornizat juridike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kjo do të thotë se çështja e kufijve detarë në marrëdhëniet midis dy shteteve nuk ekziston.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj nuk ka lënë asnjë ekuivok dhe ka konfirmuar në nivelin më të lartë juridik se kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë ekzistuar që me Protokollin e Firences dhe as ekipet negociuese shqiptare dhe greke dhe as marrëveshja e anuluar e detit nuk kishte asnjë të drejtë ta bënte objekt të saj këtë realitet historik ekzistues.

Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka rrë- zuar edhe objektin e saj dhe konkretisht, ka rrëzuar çdo pretendim grek apo të lobit grek në Shqipëri për ekzistencën e nevojës së ratifikimit të kufijve shtetërorë detarë. E përmbledhur në një fjali, çështja e detit është një çështje e paqenë. Kufijtë janë vendosur me Traktatin dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 e deri te Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë.

Gjatë veprimtarisë sime në MPJ të Shqipërisë deri në vitin 2015, kam parashtruar idetë dhe rekomandimet e mia se trekëndëshi strategjik, që ka përcaktuar qeveria në programin e saj të politikës së jashtme në vitin 2013, nuk pritet të funksionojë në mënyrë të njëtrajtshme në të tre këndet. Nuk pritet që Greqia t’i japë të njëjtën rëndësi, që Tirana i ka përcaktuar asaj në politikën rajonale të Shqipërisë. Kjo duket vjen nga fakti se pranimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë do të thotë pranim i një barazie dhe rëndësie reciproke në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që qarqet drejtuese greke duket e kanë të vështirë ta pranojnë.

Athina e konsideron partneritetin strategjik si nevojë të Shqipërisë dhe jo si nevojë reciproke. Kjo do të thotë që bëhet e këshillueshme që edhe qeveritarët e Shqipërisë të mos e përmendin vend e pa vend Greqinë si partneritet strategjik, në qoftë se linja e acarimit të problemeve me Shqipërinë rritet nga ana e tyre dhe në qoftë se qeveritarët grekë nuk e zënë me gojë partneritetin strategjik, siç veprojnë zakonisht. Mendimi im ka qenë që në çështjen e detit nuk ka arsye dhe as interes që Shqipëria të jetë nismëtare e rihapjes së bisedimeve.

Nëse Greqia i kërkon ato bisedime, Athina duhet ta bëjë hapin e parë diplomatik nëpërmjet një note zyrtare, në të cilën do të duhet të parashtrojë pse kërkon rihapjen e bisedimeve. Kjo pikënisje ndikon në tërë procesin e mëtejshëm diplomatik të negocimit. Në kohën e baticës së presionit diplomatik grek mbi Shqipërinë, pas ndryshimit të qeverive në Shqipëri në shtator 2013 dhe në Greqi në janar 2015, disa zyrtarë të mesëm dhe të lartë në Tiranë nisën të hedhin në qarkullim tezën e një rinegocimi të marrëveshjes së vdekur të detit me Greqinë.

Ajo që e bën më shqetësuese këtë dukuri është fakti që disa hallka në administratën shtetërore, të cilat në “përshkrimin e vendit të punës” kanë detyrën e dhënies së rekomandimeve për marrëdhëniet me vendet e tjera, gjithashtu janë përpjekur t’i veshin mantel zyrtar tezës së mësipërme. Çfarë do të thotë të rinegociosh marrëveshjen e vdekur të detit, të hedhur poshtë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin e saj historik të 15 prillit 2010? Rinegocimi i marrëveshjes së vdekur të detit do të thotë të përpiqesh të ringjallësh, në një formë apo tjetër, të njëjtën marrëveshje të zhvleftësuar dhe efektet e saj të dëmshme.

Do të thotë të bësh objekt tratativash të reja diplomatike të njëjtën marrëveshje, që ligjëronte humbjen e 350 kilometrave katrorë hapë- sirë detare territoriale shqiptare dhe dhënien e saj Greqisë. Do të thotë të bësh përsëri tratativa diplomatike me të njëjtin objekt të paligjshëm, që kishte qysh në titull marrëveshja e vitit 2009. Do të thotë të pranosh dhe të ribësh pazare me të huajt për kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Do të thotë të hedhësh në tratativa ato 140 koordinata të marrëveshjes së vdekur, që goditnin integritetin territorial në ujërat e brendshme dhe në detin territorial të Shqipërisë.

Do të thotë, në fund të fundit, të ripranosh dhe të ringjallësh marrëveshjen e vjetër të pavlefshme, me kënaqësinë infantile, që përpiqen të përhapin sirenat e lobit grek në Shqipëri, se tani Greqia mund të tregohet gjeneroze dhe të na rikthejë disa kilometra katrorë nga hapësira e madhe që i dhuroi asaj qeveria e vitit 2009. Shfaqja e tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit nuk është e rastësishme. Në radhë të parë duhet thënë se ajo është një tezë greke, pjesë e strategjisë së diplomacisë së Athinës për t’i imponuar Shqipërisë cedimin e ujërave territoriale shqiptare.

Plani diplomatik grek për këtë temë përbëhet nga dy faza. Faza e parë është ajo e imponimit nëpërmjet presionit diplomatik dhe fizik grek të zbatimit të marrëveshjes së vdekur, pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në këtë fazë përfshihen edhe përpjekjet arrogante për të zbatuar në mënyrë të njëanshme arbitrare marrëveshjen e vdekur dhe për të dërguar misione eksplorimi për hidrokarbure në detin Jon në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë.

Në funksion të këtij presioni grek janë edhe idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë, sipas të cilëve, për hir të “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” të Shqipërisë me Greqinë, ia vlen të sakrifikohen territoret dhe integriteti territorial i vendit. Faza e dytë është ajo e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit, të cilën Greqia dhe klakerët e saj në Tiranë duan ta shesin si lëshim dhe të pranojë të ulet në bisedime të reja diplomatike, për të diskutuar të njëjtën marrëveshje dëmtuese, të njëjtin objekt të paligjshëm marrëveshjeje, të njëjtat koordinata gllabëruese të marrëveshjes së vjetër etj..

Lobimi i tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit ka në Shqipëri grupin e vet të interesit. Në këtë grup përfshihet së pari lobimi politik nga qeveria e mëparshme e vitit 2009, e cila është aktori dhe fajtori i nënshkrimit të marrëveshjes së vjetër të aneksimit të detit shqiptar. Duke zhurmuar për rinegocimin e marrëveshjes, politikanët dhe ish-ministrat e lidhur me atë akt antikushtetues, tentojnë t’i bëjnë retushin dhe apologjinë një krimi shtetëror.

Me një gur ata tentojnë të vrasin dy zogj; edhe realizojnë angazhimet dhe detyrimet, që kanë marrë në skenë dhe në prapaskenë ndaj Athinës, kur firmosën marrëveshjen e detit, dhe nga ana tjetër, synojnë “të bëjnë pis” dhe të përziejnë në skenën e krimit kombëtar qeverinë e Partisë Socialiste të pas vitit 2013, e cila në fondin e saj ka regjistruar një kredit historik me padinë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së detit, të firmosur nga qeveria e vitit 2009.

Një grup tjetër interesi janë hijet e ekipit diplomatik dhe ushtarak, që u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e cedimit të integritetit territorial të Shqipërisë në bisedimet me palën greke në vitet 2008-2009. Të lënë në paqe nga shteti, nga qeveria dhe nga prokuroria, hienat e detit shqiptar janë rizgjuar dhe për fat të keq, siç ndodh në shtetet që ende nuk janë bërë shtete, ata janë në poste kyçe të diplomacisë dhe të administratës shtetërore.

Një rinegocim i marrëveshjes së vdekur do të hiqte nga supet e tyre çdo lloj apo formë akuze për aktin e rëndë të papërgjegjësisë profesionale, juridike dhe morale, që ata realizuan kundër interesave të vendit të tyre në vitin 2009. Grupi i tretë i interesit për rinegocimin e marrëveshjes janë njësitet e lobit grek në politikën shqiptare, në të dy krahët, tek e majta dhe tek e djathta, të cilët janë të lidhur nga interesa financiare dhe jofinanciare me institucionet e ndryshme greke dhe përpiqen të realizojnë një detyrë të vjetër të bërjes fakt të kryer të rrudhjes territoriale të Shqipërisë dhe të ekspansionit territorial të Greqisë.

Ajo që bie në sy është fakti se të tre grupet e mësipërme janë në sinkron në objektivin për të krijuar një lloj alarmi publik dhe politik brenda në Shqipëri për “kataklizmën” që mund të ndodhë nëse zemërohen drejtuesit e shtetit fqinj. Sipas lobistëve grekë në Tiranë, për të shmangur “kataklizmën”, Shqipëria duhet të japë edhe detin, edhe Vjosën, edhe tokën, edhe nëntokën, edhe qiellin, me përjashtim të pronave private të pjesëtarëve të tri grupeve të mësipërme. Por çdo përpjekje për rinegocimin e marrëveshjes së detit ka bllokadën e pakapërcyeshme juridike dhe kushtetuese, të vulosur nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e ka zhvleftësuar dhe e ka bërë nul atë marrëveshje, kështu që asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, tani dhe në të ardhmen, nuk mundet të bëjë objekt bisedimesh atë marrëveshje të vdekur. Çdo përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen e detit përbën një faj penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur në verdiktin e saj si antikushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes dhe në radhë të parë objektin e saj. Asnjë institucion zyrtar në Shqipëri, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ulet në tavolinën e bisedimeve me të njëjtin objekt të marrëveshjes së vjetër të zhvleftësuar, e cila kërkonte të legalizonte ratifikimin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, të caktuar dhe të sanksionuar në dokumente dhe akte formalo-juridike ndërkombëtare.

Asnjë institucion dhe qeveri shqiptare, asnjë zyrtar shqiptar, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ndërmarrë ndonjë hap për tratativa me të huajt për kufijtë shtetërorë të ujërave të brendshëm dhe të detit territorial të Shqipërisë. Duke zbërthyer karakterin antiligjor të marrëveshjes së detit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj historik të 15 prillit 2010 thekson: “Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujëra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar”….

….Shqipëria nuk ka asnjë arsye as të ngutet e as të krijojë alarme false. Shteti mbron interesat dhe integritetin e tij dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi në 27 maj 2015 se “Ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”. Intriga e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit synon pikërisht negocimin e interesit kombëtar. Shqipëria mund të hapë bisedime me Greqinë vetëm për objektin fillestar, për të cilin Athina zyrtare ka kërkuar bisedime në vitin 2007. Greqia ka kërkuar zyrtarisht bisedime vetëm për shelfin kontinental. Qeveria e asaj kohe i është përgjigjur kërkesës greke me vendimin për të filluar bisedimet për shelfin kontinental.

Nëse qeveria dhe diplomacia shqiptare e vitit 2009, për arsye që i dinë vetëm ata, bënë devijimin e madh dhe hynë në rrugën e rrezikshme të cedimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial, kjo nuk është faturë që paguhet nga interesi kombëtar dhe nga pavarësia e Shqipërisë. Bisedimet për shelfin mund të jenë objekt dhe këtë start, sipas interpretimit dhe praktikës diplomatike, duhet ta kërkojë përsëri pala greke. Recetat e tjera, po të përdorim një metaforë të stërkonsumuar, që e kanë qejf fshatarët e politikës shqiptare, “shpien ujë në mullirin e Greqisë”./Panorama

Kufiri detar, diplomati Shaban Murati: Greqia firmosi në vitin 1925 Read More »

”Qenke qeth sot”, nis me batuta mbledhja e komisionit hetimor për çështjen ‘Tahiri’

Komisioni hetimor parlamentar për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri është mbledhur gjatë ditës së sotme, ndërsa është shoqëruar me debate dhe batuta që në nisje të tij. Debati nisi për shkak të rendit të ditës, ku përfaqësuesja e PS, Ermonela Felaj kërkoi kalimin e disa pikave të diskutuara në mbledhjen e kaluar ku opozita nuk mori pjesë.

Por kreu i Komisionit, Edi Paloka tha se mbledhja e kaluar ishte nul dhe mazhoranca ka uzurpuar postin e tij. Sipas Palokës komisioni u mblodh për të bërë zhurmë, pasi atë ditë zhvillohej gjyqi për ‘kuksianët’ dhe mazhoranca kërkonte të bënte zhurmë.

Debatet:

Paloka: Ju atë ditë keni uzurpuar postin tim dhe nuk keni pasur të drejtë që të mblidhni komisionin. Ju e bëtë që te bënit zhurmë, pasi atë dite ishte gjyqi për kuksianët. E ashtuquajtura mbledhje ishte në shkelje të ligjit dhe është nul. Sot është mbledhja e tretë dhe jo e katërt.

Flamur Noka i drejtohet Bashkim Finos: Bashkim qenke qeth mirë sot.

Felaj: Duhet të vazhdojmë në atë pikë që e kemi lënë dhe jo kur të doni ju. Ne jemi paraqitur në ketë mbledhje dhe ju nuk ishit paraqitur. Unë nuk kam marrë kompetencën tuaj. Ju na akuzoni se ne vonojmë komisionin, por ne kemi qenë korrekt dhe kemi ardhur në çdo mbledhje.

Noka: Pa marrë autorizimin tim ju nuk duhet të ishit mbledhur dhe të shqyrtonit çështjen. Keni uzurpuar postim tim.

”Qenke qeth sot”, nis me batuta mbledhja e komisionit hetimor për çështjen ‘Tahiri’ Read More »

Zbulohet misteri/ Ky është burri i deputetes së Bashës, që ka postin e rëndësishëm në ministrinë e Ditmir Bushatit

Gjatë ditës së sotme deputetja e PD, Liljana Elmazi përmes një statusi në Facebook, zbuloi se socialistët në pushtet kishin “kursyer” vetëm një person nga ana e PD nga shkarkimi.

Pa dhënë emra Elmazi shpreh se person i në fjalë mban postin e këshilltarit pranë një ministrie dhe është bashkëshort i deputetes së PD-së.

Ministri ka punësuar burrin e deputetes së Bashës si Këshilltar të tij. Në këtë mënyrë, ky ministër i bie që ka siguruar edhe një deputete nga rradhët e opozitës.

Por tashmë është zgjidhur misteri. Mësohet se bëhet fjalë për bashkëshortin e Grida Dumës, Ilir Shqinën. Ky i fundit mban postin e këshilltarit diplomatik në Ministrinë e Jashtme që drejton Ditmir Bushati.

Zbulohet misteri/ Ky është burri i deputetes së Bashës, që ka postin e rëndësishëm në ministrinë e Ditmir Bushatit Read More »

Zgjedhjet vendore përçajnë opozitën e bashkuar, deputetët e LSI braktisin Monën. Marrin pjesë në komisone

Thellohen përçarjet brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Teksa kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë bërë thirrje për vijimin e aksionit opozitar, situata brenda këtyre dy partive nuk duket fort e kënaqshme. Gazeta ka mësuar se janë disa çështje, të cilat kanë çuar këto parti në një “përplasje” mes njëra-tjetrës. Së pari mësohet se shumë anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë filluar të braktisin partinë e Kryemadhit, duke iu bashkuar Partisë Demokratike në bashkitë e drejtuara nga demokratët.

Sipas informacioneve, këto lëvizje të militantëve të LSI janë bërë me qëllim që këta të fundit të ruajnë vendet e punës, por edhe në këmbim të një vendi pune, sidomos për ata anëtarë që janë të papunësuar. Po ashtu, gazeta ka mësuar se një tjetër arsye që ka futur PD-në dhe LSI në konflikt është moskoordinimi i bazës së këtyre dy partive.

Mësohet se baza demokrate është e irrituar sa i takon bashkëpunimit të Bashës me Kryemadhin, duke bërë që të mos ndërmarrin asnjë lëvizje për të mobilizuar dhe çuar përpara aksionin opozitar të paralajmëruar nga krerët e opozitës. Ndërkohë rasti më i freskët, ka qenë dje, ku deputeti i LSI, Robert Bitri, i cili është një zë kritik ndaj Bashës, ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, pavarësisht se opozita ka paralajmëruar bojkot të komisioneve.

Pra në një farë mënyre prania e zotit Bitri në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, është një mesazh i fortë dhe i qartë për Kryemadhin, se ai nuk pajtohet me bashkëpunimin e LSI-së me PD-në.

Përplasje për zgjedhjet vendore

Mirëpo, nuk ndalet me kaq pasi gazeta ka mësuar se janë edhe disa çështje të tjera, që kanë thelluar përçarjet brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për ndarjen e bashkive, sa i takon zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Gazeta e ka deklaruar pak ditë më parë se Basha dhe Kryemadhi kanë nisur konsultimet, duke ndarë bashkitë me njëra-tjetrën. Sipas informacioneve, mos hapja rrugë e Bashës në disa bashki të mëdha, të cilat drejtohen nga LSI, si ajo e Gjirokastrës, duke kërkuar që kandidat në këtë njësi administrative të jetë një i nominuar nga radhët e Partisë Demokratike, ka futur në përplasje PD me LSI.

Po ashtu, gazeta mësoi se Basha ka qenë stoik duke mos lëshuar pe edhe në thuajse 15 bashkitë e drejtuara nga demokratët, për të cilat mësohet se ka kërkuar që kandidatët garues në zgjedhjet vendore për këto njësi të jenë të përzgjedhurit e tij dhe jo të Kryemadhit.

Bitri sulmon Bashën

Pavarësisht mbledhjes së përbashkët të dy grupeve parlamentare dhe vendimit për bojkot, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë të unifikuar në qëndrimin e tyre. E ndërsa PD në thuajse shumicën e rasteve ka bojkotuar komisionet parlamentare, e kundërta ka ndodhur me disa nga deputetët e LSI, të cilët jovetëm kanë dalë kundër vendimit të Kryemadhit por kanë marrë pjesë në komisione.

Madje, deputetët e LSI nuk kanë kursyer edhe akuzat në adresë të Lulzim Bashës. Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti Bitri është shprehur kundër vendimit të përbashkët PD dhe LSI për mosbindje civile dhe braktisje së jetës parlamentare. “Lulzim Basha nuk është kryetar i partisë sime dhe nuk jam dakord për mosbindje civile dhe braktisjen e Parlamentit”, deklaroi deputeti i LSI, Robert Bitri, pak ditë më parë./SOT

Zgjedhjet vendore përçajnë opozitën e bashkuar, deputetët e LSI braktisin Monën. Marrin pjesë në komisone Read More »

Vlorë : Investimi mbyll 200 biznese (Video)

Në nisje të sezonit turistik, në një kohë kur Vlora mbushet me turistë, një nga rrugët kryesore të saj është bllokuar.

1.5 kilometër e Bulevardit Ismail Qemali është hapur i gjithi si pjesë e një rikonstruksioni që do të kushtojë 12 milionë euro, por projekti që synon të përmirësojë të gjithë zonën po u kushton shumë shtrenjtë 200 bizneseve që janë në të dyja anët e rrugës.

Ata thonë se po famimentojnë. Askush nuk kalon më në këtë rrugë.

Pronarët e lokaleve, dyqaneve thonë se kanë shumë pak klientë, ndërsa në këtë periudhë bllokimi janë të detyruar që të paguajnë taksat e plota pa asnjë lehtësim.

Anëtar të Këshillit Bashkiak thonë se këtë shqetësim e kemi ngritur dhe Këshill për heqjen e taksave.
Ndërkohë, një pjesë e bizneseve, por edhe shumë biznese të reja janë hapur në zonën e Lungomares, atje ku projekti po përfundon.
Top Channel

Vlorë : Investimi mbyll 200 biznese (Video) Read More »

Zbulohet rrjeti i pedofilëve, 40-vjeçari josh fëmijët në Facebook. Ligji i lidh duart policisë (Foto)

“Fiks Fare” ka zbuluar një rrjet pedofilësh që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Gazetarët e emisionit investigativ në Top Channel treguan mbrëmjen e së mërkurës sesa lehtë bien prè e këtyre abuzuesve fëmijët minorenë. Mangësia që ka Kodi Penal në Shipëri, i cili nuk e parashikon krimin e pedofilisë në rrjetet sociale, ka çuar në lulëzimin e këtij fenomeni kohët e fundit.

Në “Fiks Fare” erdhi një informacion për një burrë mbi 40 vjeç, i cili përdorte rrjetet sociale për t’u afruar me fëmijë, kryesisht djem të vegjël, për t’iu kërkuar më vonë favore seksuale, duke abuzuar me padijen e tyre për shkak të moshës.

Gjatë komunikimit me fëmijët, ai thotë se nuk i intereson mosha, duke i shprehur dashuri dhe duke i kërkuar të flasin nëpërmjet Facebookut, me mesazhe, por edhe me videotelefonata. Pas këtij informacioni, fillimisht u verifikua faqja e tij në Facebook. Ai kishte mbi 4.000 miq, mbi 80% e të cilëve nga fotot dukej që ishin minorenë. Nga komentet e bëra në Facebook nuk heziton të vendosë zemra, apo të shprehë dashurinë për “vëllezërit e tij”, siç edhe iu referohet atyre në shumicën e kohës.

Për të vërtetuar nëse ky ishte një rast i izoluar apo jo, gazetarët e “Fiksit” hapen dy profile në Facebook, atë të një djali dhe një vajze, përkatësisht 13-vjeçarë. Pas ftesave dhe pranimeve filloi komunikimi, ku në “chat”-in privat kërkonin informacion për moshën dhe nëse ishte aktiv apo pasiv, e më pas bënin bisedë seksuale.

Në bisedat që djali minoren, 13-vjeçari i “Fiksit”, ka bërë me djem të moshës 20 dhe burra deri në 50 vjeç, që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë, i është kërkuar të bëhet: i dashuri i tyre, të dërgojë foto të vetes dhe organit të tij seksual, të japë të dhëna për vendin ku jeton, shkollën, preferencat seksuale, gjatësinë, etj.. I është kërkuar të flasë me ta në video nëpërmjet Facebookut dhe për më tepër, një 13-vjeçari i kanë dërguar foto të organit seksual, duke e pyetur nëse i pëlqen. Më pas i kanë treguar sesi do ia heqin turpin, apo sesi do të bëjnë marrëdhënie seksuale me të, nëse ai shkon t’i takojë. Madje, njëri prej tyre i tregoi djalit 13-vjeçar se ky favor kushtonte 50 euro, ose shumë të hollash në lekë.

Rasti më flagrant është ai i një 50-vjeçari, i cili i tregon djalit 13-vjeçar që është i martuar, pasiv dhe i kërkon atij ta takojë. Ai i tregon se çfarë do t’i bëjë gjatë aktit seksual dhe i lë takim në darkë për të folur. Kur djali nuk i përgjigjet, ai e merr më shumë se 10 herë në telefon nëpërmjet Facebookut, deri në orët e vona të natës.

Në profilin e vajzës, ftesat për miqësi vërshuan lumë. Nuk munguan kërkesat për favore seksuale, pavarësisht se merrnin vesh moshën e saj të vogël. Më e rënda është e një 30-vjeçari, i cili i thotë që është e njomë dhe e pyet nëse është e “prishme”, apo e virgjër. Ai i tregon se në çfarë mënyre mund të kryejë marrëdhënie me të, edhe pse është e ndaluar me ligj. Ai i tregon se ka mënyra të tjera për të bërë seks, pa humbur virgjërinë. Në Facebook mban emrin Çuni Pasiv.

 

Rreziku që vjen nga përdorimi i rrjeteve sociale nuk parashikohet në ligj

“Fiksi” u interesua edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë lidhur me këtë ngjarje. Një specialiste e krimit kibernetik konfirmoi se, për ta është e ndaluar të stimulojnë raste si ky i “Fiks Fare”, për të zbuluar apo arritur te pedofilët apo abuzuesit. Sipas saj, denoncime të ngjashme që kanë ardhur për raste të tilla janë vetëm 2, e ato kanë ardhur nga shteti italian për dy shtetas shqiptarë. Ndërsa shumë denoncime nga Shqipëria bëhen për vjedhje të identitetit të personave.

Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve thotë për “Fiks Fare” se, kjo është pedofili. Ligji nuk e parashikon këtë lloj krimi që vjen nga rrjetet sociale, ndërsa specialistëve të krimit kibernetik nuk iu lejohet të stimulojnë apo të infiltrohen në rrjetet sociale për të zbuluar abuzuesit.

“Në muajin nëntor kemi kërkuar pranë Kuvendit, Komisionit të Ligjeve, ndryshimin e 13 neneve të Kodit Penal, pikërisht për këtë situatë. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Për këtë arsye do ta ripërsërisim këtë kërkesë edhe në muajin maj”, shtoi ai.

“Fiksi” intervistoi edhe Vasilika Hysin, nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila thotë se situata duhet të ndryshohet menjëherë dhe duhet filluar që nga ligji. Sipas një nisme edhe të UNICEF-it, situata në rrjetet sociale është alarmante dhe në to përfitojnë abuzues dhe pedofilë./top channel

Zbulohet rrjeti i pedofilëve, 40-vjeçari josh fëmijët në Facebook. Ligji i lidh duart policisë (Foto) Read More »

O zot sa e trishtë, punëtorët gjejnë foshnjen e porsalindur tek plehrat, rrëqethin me atë që bëjnë

Një foshnje e porsalindur e seksit femër u gjet nga punonjësit e pastrimit në mesin e mbeturinave në lagjen Esenyurt të Stambollit të mërkurën në mëngjes.

Pastruesit thanë se po dëgjonin foshnjën duke qarë dhe menjëherë lajmëruan policinë për këtë zbulim të pazakontë. Një njësi policore dhe një ekip mjekësor nxituan menjëherë në vendngjarje.

Hetimet janë iniciuar nga policia lokale. Vajza e vogël u dorëzua tek nje ekip mjekesh pediater te zones pasi kontrolli i duhur u krye nga ekipet mjekësore ne vendngjarje.

Shkodra News

O zot sa e trishtë, punëtorët gjejnë foshnjen e porsalindur tek plehrat, rrëqethin me atë që bëjnë Read More »

Dy tentativa të Fahri Balliut për t’u bërë komunist. Pse nuk ia arriti?

Ka dy histori me Fahri Balliun para viteve 90′-të, në dy kohë të ndryshme. Herën e parë ai ka qenë në Elbasan dhe ka kërkuar të bëhet komunist, por shefi i atëhershëm i Degës së Punëve të Brendshme nuk dha “Okay-in” që Fahriu të pranohej në parti.

Më pas ka edhe një tentativë të dytë të Fahri Balliut për të hyrë në parti, atëherë Partia e Punës së Shqipërisë, partinë e diktatorit Enver Hoxha. Dihej se në atë kohë kishte marrëdhënie të ngushta me Hekuran Isain, por edhe njohje të afërta me Ramiz Alinë, por edhe nga tentativa e fundit afër viteve 90′-të, Fahri Balliu nuk u pranua në Partinë e Punës, pra nuk u partnua komunist. A thua se kishte njolla në biografi apo në një histori tjetër politike, jo aspak, por përkundrazi ishte njeri i përkëdhelur, ndiqte nga pas Ramiz Alinë dhe shkruante fjalët e tij.

Nga ana tjetër është nga ata që deri në vitin 1992 nuk u dorëzua, edhe në kohën kur shembeshin muret e komunizmit dhe “muri i Berlinit” binte në Shqipëri, Fahriu shkruante sesi duhet të ishin komunistët e rinj të Partisë së Punës dhe si duhet të ndryshonte kjo parti në “Zërin e Popullit”, që të mos lejonte të djathtët, pra demokratët, që në atë kohë ai i quante revanshistë që donin të rrëzonin sistemin.

Po pse nuk u pranua Fahriu në parti? Këto janë dy episode mjaft domethënëse, të cilat për ata që nuk i dinë mund t’u kujtojmë disa rregulla që ka pasur sistemi i atëhershëm, të cilat kanë qenë tepër kokëforta, rregulla të cilat zbatoheshin për gjithkënd, edhe për shërbëtorin më të paepur të partisë, siç ishte Fahri Balliu.

Në parti nuk pranoheshin ata persona të cilët kishin spiunuar apo kishin qenë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Pra, komunistët kurrsesi nuk mund të ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo komunist nuk bëheshe dot në rast se ke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Janë të paktën dy tentativa të Fahri Balliut për tu bërë komunist. Nuk ia arriti. Pse? Kishte spiunuar ndokënd? Kishte qenë spiun i Sigurimit të Shtetit? Cila është arsyeja që Partia e Punës në atë kohë nuk e pranoi Fahriun, pasi degët e Punëve të Brendshme, edhe ajo e Tiranës, edhe ajo e Elbasanit, nuk jepnin “Okay-in” e tyre që Fahriu të hynte në parti?

Njolla në biografi nuk kishte, i afërt dhe mik i ngushtë me Hekuran Isain, mik edhe me Ramiz Alinë, Fahri Balliu nuk u pranua kurrë komunist.

Kishte qenë spiun i Sigurimit të Shtetit? Kjo është pyetja. Në fakt, shumë e akuzojnë si të tillë dhe i thonë edhe një pseudonim, dikush “këndezi” e dikush ndonjë pseudonim tjetër, por Fahri Balliu nuk e ka hapur ende dosjen e tij dhe si person publik duhet ta hapë me çdo kusht këtë dosje. Të gjithë duhet ta lexojmë se cila është historia e botuesit të gazetës “55”, babait shpirtëror të Lulzim Bashës, për të kuptuar sa të vërtetë janë këto njerëz, por edhe për të mos harruar historinë nga vijnë dhe ku shkojnë.

Por ëndrra e Fahri Balliut u bë më pas realitet. Pra ai u bë spiun zyrtarisht, por më vonë, pasi erdhi demokracia. Herën e parë tentoi të bëhej komunist, por nuk e qasnin sepse ndoshta kishte qenë spiun. Herën e dytë u bë vërtet spiun. Ai ka qenë pjesë e strukturave të Sigurimit, por pas viteve 90′-të./CNA.al

Dy tentativa të Fahri Balliut për t’u bërë komunist. Pse nuk ia arriti? Read More »