Aurora

Aksident në Kamëz, makina përplas për vdekje këmbësorin

Një aksident me pasojë një të vdekur ka ndodhur para pak minutash në Kamëz. Aksidenti ka ndodhur në rrugën ‘Skëndërbej’, ndërsa mjeti ka përplasur një këmbësor rreth 70 vjeç.

Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e ngjarjes. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet.

Vijon…

Aksident në Kamëz, makina përplas për vdekje këmbësorin Read More »

I dogjën audin 60 mijë eurosh, dyshimet se i riu vlonjat…

Dje në Vlorë u dogj një automjet tip “Audi A7”, në pronësi të Admir Malajt. Ngjarja ndodhi në fshatin Bishan të Novoselës, ndërsa automjeti që u shkrumbua totalisht kap një shifër prej 60 mijë eurosh.

Policia thekson se pronari i automjetit dyshohet se merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Malaj kishte vetëm disa ditë që kishte mbërritur në vendin e tij të lindjes nga Italia, ku edhe jeton prej vitesh, ndërsa automjeti i tij luksoz është djegur plotësisht nga zjarrvënia.

Përveç pistës së hetimit që lidhet me aktivitetin e tij në shtetin italian, po hetohet edhe për ndonjë problematikë të krijuar kohë më parë në fshatin e tij të lindjes.

Sipas Policisë, Malaj nuk rezulton person me precedent penal, megjithatë grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, nuk ka përjashtuar asgjë rreth hetimeve dhe pas dyshimeve se është i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

“Më datë 09.04.2018, në fshatin Bishan ka marrë flakë automjeti tip ‘Audi A7’, në pronësi të shtetasit A.M., të cilin e kishte të parkuar pranë banesës”, bën të ditur Policia.

I dogjën audin 60 mijë eurosh, dyshimet se i riu vlonjat… Read More »

Trafikantët pikasin policinë dhe braktisin çantën me drogë në mes të pyllit në Janinë

Rreth 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë është gjetur mëngjesin e sotme në kufirin Greqi-Shqipëri.

Sipas policisë greke, droga u gjet e futur në një çantë, e cila ishte braktisur në një zonë pyjore në Neohori të Pogonit, në Janinë.

Dyshohet se trafikantët kanë pikasur policinë, dhe janë larguar me shpejtësi duke braktisur drogën.

Pas sekuestrimit të drogës dhe peshimit të saj, ka rezultuar së në çantë kishte ekzaktësisht 19 kg 450 gramë marijuanë.

Sakaq, policia greke po vijon kontrollet në zonë dhe po punon për kapjen e poseduesve të lëndës narkotike.

Trafikantët pikasin policinë dhe braktisin çantën me drogë në mes të pyllit në Janinë Read More »

Biznesi i vogël proteston, reagon Qeveria, Ahmetaj: Më tregoni një çmim të vetëm të rritur!

Ulja e pragut të TVSH-së, Ahmetaj: Fokusi janë bizneset e mëdha – 56% e sipërmarrjes ngelet jashtë skemës
Biznesi i vogël dhe i mesëm do të ulë sot qepenët nga ora 11.00-12.00 për të kundërshtuar futjen në TVSH.

Në një takim me gazetarët, ministri i Financave, Arben Ahmetaj po sqaron vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.

“Nuk ka asnjë tatim të ri, nuk ka asnjë ngarkesë të re, nuk ka asnjë taksë të re. Opozita në qëllimshmëri kërkon të përdorë një masë anti-informaliteti të duhur për të turbulluar ambjentin shqiptar për një masë që që këtë muaj provohet kollaj që është e duhur. Ju ftoj të më tregoni një çmim të rritur në dyqane. Mosrritja e çmimeve është premtim i mbajtur, përkundër rritjes së inflacionit”- theksoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj tregoi dy vendime të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha në protokoll të Ministrisë së Financave të ish-ministrit Ridvan Bode.

“Në vendimin e parë është ulja e pragut të TVSH-së nga 8 milionë lekë në muaj në 5 milionë lekë në muaj xhiro. Në vendimin e dytë të qeverisë Berisha, sipas Ahmetajt, tregohet vendimi i ish-ministrit Bode për ta ulur më tej pragun e TVSH-së për bizneset nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë në muaj”- tha Ahmetaj.

Ministri i Financave ka theksuar se fokusi i punës së ministrisë është biznesi i madh, jo i vogli. Sipas Ahmetaj, kjo reformë nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por ka në fokus saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh. Sipas ministrit, 56% e sipërmarrjes do të ngelet jashtë detyrimit për deklarim, rreth 60 mijë sipërmarrje të vogla me xhiro nën 2 milionë lekë.

“Nuk synohet që biznesi i vogël të jetë gjeneratori i të ardhurave të TVSH-së. Nga bizneset e vogla me TVSH arkëtohen rreth 1 miliard lekë TVSH, kjo përfaqësohen vetëm 0,08% të totalit të TVSH-së të mbledhur nga tatimet dhe doganat. 90,2% e totalit të TVSH-së mblidhet nga biznesi i madh.

Fokusi është te biznesi i madh, është te qartësia e transaksionit për të mbledhur më shumë TVSH nga biznesi i madh. 56% e sipërmarrjes do të ngelet jashtë detyrimit për deklarim, që janë rreth 60 mijë biznese me nën 2 milionë lekë.” – ka sqaruar ministri Arben Ahmetaj.

Ahmetaj dha si shembull rastet e vendeve të ndryshme të Europës, të cilat kishin aplikonin TVSH-në edhe për bizneset e vogla, shpesh me një prag xhiroje më të ulët se Shqipëria.

Biznesi i vogël proteston, reagon Qeveria, Ahmetaj: Më tregoni një çmim të vetëm të rritur! Read More »

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën

Në prill të vitit 1991 në Shqipëri ndodhi një ngjarje që konfirmoi plotësisht rrëzimin e sistemit komunist. Me dekret të presidentit Ramiz Alia u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Njëri prej tyre ishte Bedri Blloshmi, i cili në vitin 1976 u dënua me vdekje për agjitacion e propagandë. Por ndërsa të vëllanë Vilsonin e pushkatuan, atij ia konvertuan dënimin në 25 vjet burg nga të cilat bëri 16 vjet. 27 vjet më pas ai rrëfen për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” momentin e lirimit, kalvarin në burgje por edhe arsyen e madhe përse arrestuan për shkaks e nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Për lirimin e të burgosurve

“Më 27 mars të vitit 1991 ndodhesha në burgun e Burrelit. Më thanë që do lirohesha me kusht. Kjo ishte absurde. Unë bashkë me të burgosurit e tjerë kishim dëgjuar që në Shqipëri kishin ardhur përfaqësue stë Komitetit të Helsinkit dhe ata kishin kërkuar lirmin e të burgsurve politikë, por në fakt nuk besonim te ky lirim.

Kur më thanë që do lirohesha me kusht, nuk pranova. U habitën të gjithë. Më thanë që të ikja, të shkoja në shtëpi. Por si mund të pranoja unë lirimin por me kusht. Kisha bërë 16 vjet burg pa bërë asgjë dhe më kishin pushkatuar vëllanë. Por një i burgosur që i lirua atë ditë, përpara se të shkonte në shtëpinë e vet, shkoi në Tiranë dhe u dorëzoi përfaqësuesve të Helsinkit një letër që ne kishim shkruar se ndodheshim ende në burg.

U bë rrëmijë e madhe. Përfaqësues të Komiteti i Helsinkit ditën tjetër u nisën për në burgun e Burrelit, ndërsa ne që ishim në burg për gjithë natën na transferuan në Qafën e Barit. Kështu që kur ata kontrolluan qelitë nuk gjetën asnjë të burgosur politik.

Më 29 mars më liruan mua. Njeriu i parë që mendova ishte nëna. Ajo ishte njeriu që kishte vuajtur më shumë. Unë 16 vjet në burg dhe Vilsoni u pushkatua pa llogaritur babanë, xhaxhanë e të tjerë. Udhëtova deri në fshatin tim Bërzeshtë të Librazhdit.

Në orën 01.00 të natës mbërrita në shtëpi. Ishte një moment prekës. Rastësisht, edhe pse ishte vonë, dera ishte gjysmë hapur sepse babai dhe vëllai priteshin të ktheheshin nga ara ku punonin. Kur nëna më pa, shtangu dhe menjëherë i ra të fiktë. Thirra me të madhe të më ndihmonin.

Erdhën dy nuset e kushërinjve dhe e përmendëm nënë. Ajo vetëm më puthte dhe më merrte erë. Të dy qamë si fëmijë. Ishte moment prekës. Në fund tha: Ah sikur të ishte edhe Vilsoni! Pak më vonë ika në Greqi. Kur u ktheva ne të burgosurit bëmë disa greva. Mbaj mend se zumë me forcë godinë e shkollës së Partisë këtu në Laprakë. Qeveria e Ylli Bufit na pajisi me viza greke ne nja 100 të dënuar politikë dhe të gjithë bëmë pushime 1 mujore në Greqi, falas.

Oferta për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit

Xhaxhai im i mërzitur më tha se më kërkonin në Degën Ushtarake por sipas tij kjo nuk ishte shenjë e mirë. Unë isha në Berzeshtë dhe sipas fletëthirrjes duhet të paraqitesha për të verifikuar ditët e zborit që bënim në atë kohë. Por sipas xhaxhait kjo ishte shenjë e keqe. Më porositi të qendroja si burrë. Shkova në degën ushtarake dhe prej andej më dërguan në degën e Punëve të Brendshme.

Oficeri që më priti më tha shkoqur. Je i ri, 25 vjeç, e ke jetën përpara. Çdo bësh ti në kooperativë. Që të dalim në temë: Ti do bëhesh bashkëpunëtor i Sigurimit dhe do jetosh mes të mirave në qytetin e Librazhdit. Do kesh para sa të duash, do kesh vajza sa të duash, por vetëm me zor jo. Vetëm ama do na shërbesh ne. Do na tregosh armiqtë e popullit në Berzeshtë dhe më tej. Do ti zbulosh cilët janë. Unë nuk pranova. Ai më tha dy rrugë ke: Ose me Sigurimin, ose në burg. Unë ia ktheva kurrën e kurrës nuk bashkëpunoj. Nuk mund ta bëja këtë gjë ishte një ofertë e ndyrë që unë tu bëja keq njerëzve. Më lanë 24 orë kohë të mendohesha.

Më dërguan në hotel turizmin e Librazhdit. Ishte vatër e Sigurimit atje. Atje bëheshin të gjitha. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Në mëngjes erdhën dhe më morën. Përsëri nuk pranova të bashkëpunoja. Pra mua që më kishin arrestuar dhe dënuar pothuajse të gjithë paraardhësit të bëhesha bashkëpunëtor i tyre?! Ishte e papranueshme. Më futën në burg me akuzën agjitacion porpagandë dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor. Më pas arrestuan dhe vëllanë Vilsonin. Sipas atyre që kam zbuluar im vëlla Vilsoni ndiqej nga 11 bashkëpunëtorë, ndërsa unë nga 3. Në jetë të jetëve nuk do ti fal kurrë ata që më dënuan. Nuk jam hakmarrë por nuk do ti lë kurrë. I kam kërkuar instancave që ata të dënohen por nuk e kanë bërë. Më kanë marrë jetën. Nuk i fal.

Për lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës
11 prilli 1985 ishte dita më e lumtur e jetës sime. Enveri nuk merrte më frymë. Ndodhesha në Spaç. Lajmi mori dhenë dhe vërtetë ne u gëzuam. Na pikasën. Ne festonim, ata më arrestuan sepse kuptuan që ne ishim të gëzuar. Më futën në izolim në qeli dhe atje torturat ishin çnjerëzore. Më lidhën kokë e këmbë dhe më varën në një hekur. Në kokë me vendosën hekura. Unë i rashë murit me kokë dhe me doli gjak. Ky ishte shpëtimi im. Erdhën në zgjidhën dhe më lanë të lidhur në dysheme. Në fakt ata thurën një plan për të më eleminuar. Futën një të dënuar politik për të më vrarë në burg. Por ai më tregoi dhe kështu plani nuk u realizua. Qelitë ishin mizerabël. As nevojat personale nuk na linim ti kryenim. I kryenim në qeli. /Ora News/

Blloshmi tregon kalvarin në burgje: Më morën jetën Read More »

Pse jo lugë metali për mjaltin? Mësoni të vërtetat

Të gjitha këshillat e ekspertëve për konsumin e mjaltit. Këtë ndoshta nuk e dinit, por ka ekspertë që besojnë se disa enzima mirëbërëse tek mjalti shkatërrohen nga kontakti me bakrin dhe hekurin.

Madje këto metale mund të prodhojnë edhe disa kripëra toksike të dëmshme. Ndaj ata janë kundër përdorimit të lugëve metalike për mjaltin. Në këtë mënyrë shmanget ndryshimi i shijes apo transferimi i substancave të padëshiruara metalike. Ky paralajmërim i beftë ngjall habi për vetë faktin se shumica e bletërritësve përdorin mjete inoksi. Kjo që do të thotë se kontakti minimal mes mjaltit dhe lugëve metalike ka shumë pak gjasa të shkaktojë probleme.

Mjetet metalike të përftimit të mjaltit nga bletërritësit janë të inoksiduara prandaj problemi nuk ekziston në prodhim. Të gjithë mund të biem dakord se lugët e drurit janë më të mirat në kuzhinë, por ngrënia e mjaltit me një lugë inoksi, porcelani, qeramike apo plastike nuk duhet t’ju shqetësojë.

Megjithatë, jo të gjitha mjetet e kuzhinës janë inoksi ndaj nëse në etiketën e tyre nuk lexohet një gjë e tillë, atëherë më mirë mos e përdorni për mjaltin.

Nëse keni lugë ose pirunj, sipërfaqja e të cilave ka çarje dhe gërvishjte, këto nuk duhet t’i përdorni për mjaltin, madje për asnjë ushqim tjetër. Të vetmet metale të cilët nuk kanë asnjë lloj problemi me mjaltin janë ari dhe argjendi i pastër. Nëse pjesa e pasme e dorezës së lugëve, pirunjve dhe thikave tuaja shkruan ‘Stainless Steel’ tregon se metali i përdorur është material inoksi.

Ruajtja e mjaltit

Një tjetër aspekt i rëndësishëm ndaj të cilit duhet të tregojmë kujdes është mënyra se si duhet ruajtur mjalti. Mjalti duhet ruajtur në kavanozë qelqi të mbyllur mirë ose plastikë të një cilësie të lartë.

Kavanozët duhen mbajtur në një vend të errët dhe larg dritës së diellit. Moti i ftohtë dhe ruajtja në kushte frigoriferike mund ta kristalizojë dhe forcojë mjaltin. Rrjedhimisht kjo mënyrë ruajtje mund të shkaktojë humbjen e shijes dhe errësim të ngjyrës.

Klima e ngrohtë dhe kushtet e ambientit ku e ruani mjaltin mund të kenë ndikim të ndjeshëm në ngjyrën e tij. Mjalti mund të marrë një ngjyrë më të errët dhe mund të bëhet më i hollë, duke u rikthyer në gjendjen fillestare të lëngut. Mjalti që forcohet mund të kthehet në gjendjen e mëparshme duke e futur në një enë me ujë të ngrohtë. Por duhet të siguroheni që temperatura e ujit të mos i kalojë 35-37 Gradë Celsius. Parimisht, mjalti duhet ngrohur që të zbutet dhe ftohur që të trashet.

Një tjetër këshillë që ka të bëjë me ruajtjen e mjaltit në kuzhinë. Mos e vendosni në dritare, pranë sobës ose në raftet sipër vendit të gatimit. Kjo për faktin se temperaturat e larta e zhveshin mjaltin nga shija karakteristike.

Pse jo lugë metali për mjaltin? Mësoni të vërtetat Read More »

Studimi: Ju mund të përcaktoni se si ndihet dikush duke parë vetëm ngjyrën e fytyrës

Ndonjëherë mund të ndiheni sikur njerëzit janë tepër në harmoni me emocionet tona, aq shumë sa të mund të kuptojnë aq mirë ndjenjat tona edhe nëse ne i fshehim ato mjaft mirë.

Rezulton se fytyrat tona mund ta zbulojnë të vërtetën në një mënyrë që ju as nuk e mendoni.

Sipas hulumtimeve të reja, rrjedha jonë e gjakut i përgjigjet ndjenjave tona, gjë qe rezulton me ndryshime në ngjyrën dhe pamjen e fytyrës sonë.

Një studim zbuloi se njerëzit mund të identifikojnë saktësisht në 75 % të kohës se çfarë dikush po ndjen vetëm duke parë ndryshimet delikate të ngjyrës së lëkurës.

Ndërkohë që tashmë studiuesit kanë projektuar një algoritëm kompjuterik që njeh emocionet njerëzore 90 për qind të kohës.

“Ne identifikuam modelet e ngjyrosjes së fytyrës që janë unike për çdo emocion që kemi studiuar,” tha Aleix Martinez, profesor i inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe një nga autorët e studimit.

“Jo vetëm që i perceptojmë këto ndryshime në ngjyrën e fytyrës, por i përdorim ato për të identifikuar saktë se si ndjehen njerëzit e tjerë, nëse e bëjmë me vetëdije apo jo”.

Lumturia ishte emocioni më i lehtë i identifikueshëm, me kompjuterin që e identifikoi atë me saktësi 90%.

Emocionet në lidhje me lumturinë, si psh “surprizat befasuese”, u renditën në vend të dytë në rreth 85%, pastaj zemërimi në 80%, dhe trishtimi në 75%.

“Frika nga gjërat që ja u shpifin” ishte më pak e njohur, e cila u identifikua saktë 65% të kohës një normë e cila konsiderohet relativisht e lartë.

Studimi: Ju mund të përcaktoni se si ndihet dikush duke parë vetëm ngjyrën e fytyrës Read More »

“Dosjet e nxehta” janë gati, mbyllet verifikimi për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Maji sjell surpriza

Njerëzit e sistemit të drejtësisë shumë shpejt do të mësojnë nëse kalojnë apo ngelin në procesin e vetingut. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka mbyllur procesin e verifikimit të pasurisë për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. ILDKP është institucioni kyç, i cili merret me zbulimin e pasurive dhe aferave të zyrtarëve të lartë, përfshi edhe njerëzit e drejtësisë.

Pas gati një viti intensiv pune, ILDKP ka mbyllur procesin e verifikimit për të gjithë. Bëhet fjalë për rreth 3000 persona, dosjet e së cilëve tanimë janë në duart e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

ILDKP gjatë procesit të verifikimit ka bashkëpunuar me shumë institucione ligjzbatuese dhe jo vetëm të vendit, siç janë Drejtoria e Pastrimit të Parave, zyrat e pasurive të paluajtshme, drejtoritë e tatimeve, bankat, prokuroria dhe Policia e Shtetit. Të gjitha këto institucione kanë dhënë informacione mbi transferta bankare, shitje blerje pasurish, dhënie qeraje, apo gjithçka tjetër që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët. Madje, një rol tepër të madh në këtë proces e ka pasur Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka kaluar në sitë pasuritë e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshi edhe familjarët e tyre, duke vënë në dispozicion të ILDKP verifikimet për çdo emër konkret.

Kështu që dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve tani janë në duart e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe për rrjedhojë procesi i vetingut për njerëzit e drejtësisë edhe pse u duk i ngadalësuar, duket se do të ecë mirë.

Sipas informacioneve të gazetës “Sot”, nga muaji maj e në vijim procesi do të jetë më i shpejtë, falë të cilit shumë shpejt do të mësohen kush janë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Megjithatë, interesant është fakti se paralelisht me progresin e arritur nga ILDKPI, edhe Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar duket se është në të njëjtën linjë me të.

Edhe DSIK ka përfunduar verifikimin e kontrollit të figurës për çdo gjyqtar dhe prokuror, dhe tanimë dosja e secilit është në duart e organeve të vetingut. Pra pas kësaj pune intensive dhe koordinimi mes institucioneve ligjzbatuese, duke se shumë shpejt do të shohim zhvillime dhe rezultate konkrete sa i takon procesit të vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë konkretisht.

“Dosjet e nxehta” janë gati, mbyllet verifikimi për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Maji sjell surpriza Read More »