Andueli

Albërie Hadërgjonaj debaton ashpër me përfaqësuesit e kanalit të njohur në Youtube, ‘Arkiva Shqip’: Jeni plehra!

Albërie Hadërgjonaj ka debatuar ashpër me përfaqësuesit e kanalit të njohur në Youtube, “Arkiva Shqip”, pas prishjes së kontratës me këta të fundit.

Në studion e emisionit “Ftesë në Pesë”, Hadërgjonaj akuzon “Arkiva Shqip” se i kanë fshirë historikun e punës së saj.

Këngëtarja e njohur reagoi pasi kanali në Youtube akuzon atë se i ka shantazhuar që këngët e saj të jenë edhe në këtë platformë edhe në kanalin e saj personal.

Në studio, palët kanë shpërthyer edhe në ofendime, ndërsa këngëtarja i akuzon drejtuesit e kanalit në Youtube si “mashtrues”.

Pjesë nga debati:

Albërie Hadërgjonaj: Më thanë ke dy rrugë, o do fshihet historia jote, ose do të rrish aty. Sa rreni ju të dy, jeni të paparashikueshëm. Unë jam në një status që nuk më interesojnë ata, por këtu duhet të ketë një zë për ata artisë që shkojnë atje, më kanë quajtur prostitutë.

Drejtuesit e Arkiva Shqip: Ku e kishe fjalën ti kur bën etiketime të tilla?

Albërie Hadërgjonaj: Me ato që merresh ti

Drejtuesit e Arkiva Shqip: Nëse më thua emrin e asaj, unë e prish tani kontratën e asaj

Albërie Hadërgjonaj: Anxhela ti je shumë larg, e gjithë Shqipëria e di për ty. Nuk kam frikë askënd në këtë botë, se jam me të drejtën e Zotit. Ti Anxhela je e padurueshme.

Drejtuesit e Arkiva Shqip: Na ka thënë që po e bëj këtë gjë për shantazh, që unë o do bëj si thotë Albëria që klipet do rrinë dhe tek Arkiva dhe te faqja e saj, ose do bëj skandal publik

Albërie Hadërgjonaj: Ju jeni plehra. Më kanë quajtur të dehur, këta më kanë bërë shantazh mua. Unë i kërkoj të falur atyre që kanë parë një Labërie të shqetësuar, por ka njerëz të ligjë si puna e këtyre dy krimbave që mund të të njollosin. Kërkoj të falur se dola nga natyra

Drejtuesit e Arkiva Shqip: Atë do thuash se nuk ke ça thua.

Albërie Hadërgjonaj: Ju bëni gjithçka, po kaq kisha se nuk ja vlen. Anxhela je shumë mashtruese, njerëzit që kanë punuar me ju, rrini larg, ju lutem.

Drejtuesit e Arkiva Shqip: Kemi pasur raste në të kaluarën që kanalet e tyre janë kaluar në një faqe tjetër, jemi munduar ta bëjmë sa më qetë, kemi bërë kalim dhe rikthim bashkëpunimesh.

Albërie Hadërgjonaj: Bieta, të iki unë se nuk e dëgjoj dot këtë mashtruesen, ç’kusur kam unë të dëgjoj gënjeshtrat e këtyre. Unë bëra gafë që u mora me Arkiva Shqip.

Albërie Hadërgjonaj debaton ashpër me përfaqësuesit e kanalit të njohur në Youtube, ‘Arkiva Shqip’: Jeni plehra! Read More »

Mos i puthni fëmijët në buzë, ja cfarë thonë psikologët

Është e pakufijshme dashuria e prindërve për fëmijët, të cilët mundohen t’ia shprehin në forma të ndryshme të vegjëlve të tyre.

Madje shpesh edhe duke i puthur në buzë, pa e ditur se diçka e tillë është e gabuar.

Psikologët sugjerojnë prindërit që të mos i puthin më fëmijët në buzë, duke renditur edhe disa arsye.

Fëmijët mund të mos menaxhojnë kufijtë e tyre personalë

Buzët dhe goja janë kufinjtë personalë të trupit të një fëmije, kështu shpjegon psikologia Charlotte Reznick.

Kur puthni një fëmijë në buzë, ju i tregoni se kufinjtë e trupit të tij janë të hapur dhe se dikush mund të hyjë në territorin e tyre pa asnjë problem.

Fëmijët mund të marrin infeksione të rrezikshme përmes puthjes në buzë

Meqenëse fëmija ka një sistem imunitar më të dobët, sqaron Charlotte Reznick, disa infeksione të rrezikshme mund të hyjnë në trupin e tyre përmes pështymës.

Fëmija mund të fillojë të puthë njerëz të tjerë në buzë si një shprehje e simpatisë

Fëmija mund të fillojë të sillet në të njëjtën mënyrë si i keni mësuar në shtëpi jashtë rrethit familjar duke puthur fëmijë të tjerë ose të rritur në buzë, si një mënyrë për të shprehur simpati.

Psikologia tregon se, edhe pse është një gjest i pafajshëm nga ana e prindërve, fëmijët do e mësojë këtë gjest, duke i imituar prindërit. /noa.al/

Mos i puthni fëmijët në buzë, ja cfarë thonë psikologët Read More »

Murrizi synon Topallin në partinë e re: Do e kontaktoj

Jozefina Topalli është një nga “të piketuarit” nga Myslim Murrizi për ta pasur në partinë e re më të cilën do të hyjë në zgjedhjet e 25 prillit. Deputeti i opozitës së re, i ftuar në Report Tv ka bërë me dije se do ta ftojë ish-kryeparlamentaren që t’i bashkohet, teksa e konsideron si një mikeshë me të cilën kanë kaluar shumë peripeci në ’97.

“Nuk kam hasmëri politike, ajo ka qenë mikeshë e imja, kemi kaluar peripeci të llahtarshme, pse jo do të përpiqem të kontaktoj jo vetëm Topallin, por me të gjithë ata që duan t’i bashkohen atyre që kërkojnë pushtet me votë, e jo me rrotë”, tha Murrizi.

Megjithatë, teksa nga njëra anë synon që t’i bashkohet një figurë politike e vjetër, nga ana tjetër, Rudina Hajdari nga opozita e re me të cilën kanë qenë bashkë në betejën për lista të hapura, nuk do t’i bashkohet në partinë e re. Për këtë, Murrizi shprehet se nuk ka mbetur i zhgënjyer, ndryshe nga Halit Valteri, pasi rrëfen se Hajdari në asnjë moment nuk i kishte premtuar se do shkonin bashkë në zgjedhje.

“Një zhgënjim i atij (Halit Valteri) jo i imi, me idenë që kemi qëndruar së bashku për kauzën e hapjes së listave, jo vetëm me Hajdarin. Tani duhet të ndahet gjithsecili të mirë e tij. S’na kishte premtuar se do ishim bashkë në parti. Unë iu kam thënë do organizojmë një lëvizje me një sigël partie, që të mos spekulojmë me të qenit deputet dhe të kandidojmë në 12 qarqe. Hajdari nuk ka qenë e prirur për të qenë pjesë e lëvizjes së përbashkët”, tha Murrizi.

Për zgjedhjet e 25 prillit, ai iu premton qytetarëve se do të jenë më të fortë në Kuvend, teksa nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor.

“Do të kandidojmë në 12 qarqe me 140 kandidatë me lista të hapura. Do të jemi më të fortë në Kuvend, hapja e listave është një sukses i yni. Kushtetuta nuk ndryshohet më. Luli dhe Rama inshAllah po i mbyllin listat, nëse mendojnë se mund të vijnë në pushtet me militantë, i ftoj shqiptarët që të votojnë forcat e tjera politike që do jenë në garë me 100% lista të hapura. Nuk i përjashtoj koalicionet pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Murrizi nuk i ka kursyer një përgjigje kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi për nënqeshjen e tij në studion e Report Tv ku u pyet për lista të hapura. Duke theksuar se për të ka konsideratë, se ndryshe nga të tjerët nuk e ka blerë partinë, Murrizi shtoi se opozita e re nuk ka qenë një shtojcë e Ramës.

“Nuk dua të merrem me Shehin, ruaj konsideratë. Ai të gjejë një ligj që Murrizi ka votuar një ligj të Ramës. Ai mund të qeshë edhe me të madhe me bëmat që kanë bërë në 97 dhe e çuan pa frena dore”, tha ai.

Në fund, ka sqaruar opinionin publik se logoja e partisë “Lidhja Demokratike e Shqipërisë” nuk do të jetë përfundimtarja.

Murrizi synon Topallin në partinë e re: Do e kontaktoj Read More »

Prezantohen emrat e rinj të kabinetit qeveritar

Largimet dhe emërimet e paralajmëruara për këtë shtator kanë nisur me zv.ministrat në qeverisje dhe nuk përjashtohen lëvizje më tej, edhe me ministrat.

Rama tha se “të lodhurit” do të ulen në stolin e rezervave.

Dy zëvendës ministra të rinj janë emëruar sot me vendim të Këshillit të Ministrave.

Të dy janë emëruar në Ministrinë e Drejtësisë.

Bëhet fjalë për Adea Pirdeni, pedagoge e së Drejtës Publike dhe Klajd Karameta, jurist dhe një prej pesë ekspertëve që kanë punuar për reformën në drejtësi në Shqipëri.

“Sot gjatë prezantimit të dy zëvendës ministrave të rinj të Drejtësisë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, znj. Adea Pirdeni dhe z. Klajd Karameta”, – tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“I uroj suksese të dy kolegëve që janë bërë pjesë e ekipit drejtues politik për të vijuar në përmbushjen e prioriteteve në fushën e drejtësisë”.

‘Jam e sigurt që të dy zëvendës ministrat e sapoemëruar do të jenë vlerë e shtuar në zbatimin e agjendës së Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare”, u shpreh Gjonaj.

Emrat e rinj kanë zënë vendet e Toni Gogu, i cili u bë pjesë e Bashkisë së Tiranës me detyrën e kreut të këshillit Bashkiak, dhe të Fjoralba Caka.

Kjo e fundit dha dorëheqjen pak kohë më parë për arsye personale.

/NOA.al

Prezantohen emrat e rinj të kabinetit qeveritar Read More »

Ish-ministri Malaj, kritika Ramës për Shahinin: PS po keqpërdoret

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, e sheh shumë të gabuar për të rinjtë mesazhin e dhënë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, se nuk do të kontribuojë në fushatën e ardhshme zgjedhore dhe se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të detyrës si ministre.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Malaj vlerëson si të drejtë normale të ministres Shahini që të zgjedhë çfarë është më e mira për të dhe familjen e saj, por ai mendon se Besa i ka prerë në besë aspiratat dhe ambiciet e të rinjve që duan të angazhohen në politikë, sidomos grave dhe vajzave.

Deklarata e ministres Shahini se do të largohet nga Shqipëria pas mbarimit të mandatit qeverisës, sipas Malajt tregon mënyrën e papërgjegjshme se si Kryeministri Rama ka ndërtuar kabinetin e tij qeverisës “me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit”.

Malaj shprehet se ndryshe nga socialistët e thjeshtë, të cilët bëjnë fushatë dhe japin votën për PS-në, “besnikë deri në vdekje”, njerëzit që Rama ka ofruar në qeveri dhe në Parlament janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas dhe zotërojnë 80 për qind të pushtetit të PS-së në të gjitha përfaqësimet, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në fushatën zgjedhore të PS-së sepse kërkon t’i bashkohet familjes në Kosovë. Si e vlerësoni politikisht një qëndrim të tillë nga një anëtare e kabinetit qeverisës?

Besoj se znj. Shahini gëzon lirinë e plotë për të bërë zgjidhjet më të mira për familjen e saj dhe për angazhimet e ardhshme shkencore apo politike në Kosovë dhe jashtë saj. Si anëtare kabineti, ajo kishte një karrierë politike pa angazhime partiake, gjë që është normale në demokracitë funksionale, pasi individë të ndryshëm edhe në qeveritë e vendeve perëndimore marrin mandate politike edhe pa qenë anëtarë të partive politike. Por ata duhet të gëzojnë një avantazh publik të spikatur në fushën përkatëse ku shërbejnë, si ministër ose në jetën publike. Në këtë kontekst, znj. Shahini i ka “krahët e lirë” të bëjë zgjedhjen e saj, pa ndierë detyrime ndaj socialistëve apo ndaj opinionit publik në Shqipëri, sepse ndoshta kjo ka qenë kontrata informale me Kryeministrin: “Do të shërbej në qeverinë tuaj deri sa të jem ministër, pas asaj gjithçka kthehet në pikënisje zero”.

Cila është përgjegjësia e Kryeministrit nga një deklaratë e tillë?

Kryeministri nuk ka asnjë përgjegjësi, as morale, as politike dhe as ligjore, të paktën deri në auditimin e Ministrisë së Arsimit pas zgjedhjeve 2021, sepse ai e bazoi përzgjedhjen e ministrave, kryetarëve të bashkive dhe titullarëve në institucione dhe agjenci të rëndësishme të qeverisjes së vendit, te përzgjedhjet spontane dhe thellësisht personale të pushtetit të tij absolut dhe abuziv. Rama e ndërtoi hierarkinë e tij qeverisëse nga qeliza më e vogël përfaqësuese në nivel vendor e qendror deri te mandatet më të larta politike te “kandidatë parafabrikatë”, me përzgjedhjet e tij spontane dhe “individë që betoheshin” publikisht apo në heshtje se do të absolutizonin modelin e tij të lidershipit. I keni parë disa ministra, që sa herë hapin gojën në publik thonë se këtë “dhuratë nga qielli” apo këtë të mirë e ke vetëm nga Kryeministri Rama? Rama nuk ka asnjë përgjegjësi, gjithashtu, sepse shqiptarët e kanë votuar dhe rivotuar edhe pas këtij keqshpërdorimi të pushtetit në përzgjedhjen dhe promovimin e përfaqësuesve politikë të PS-së. Kjo “mbështetje” në parti, në Parlament, në publik e ka bërë Ramën mospërfillës, arrogant dhe abuzues me postin e rëndësishëm të Kryeministrit të një vendi që po varfërohet akoma më shumë edhe nga keqqeverisja e tij dhe po mbetet i bllokuar në perspektivën e tij europiane.

Si duhet të ndihet një socialist, i cili mund të mos e ketë gjetur një vend pune gjatë qeverisjes socialiste dhe përsëri angazhohet në fushatat zgjedhore për ta bërë përsëri fituese PS-në?

Ju lutem, ndani rilindasit nga socialistët e thjeshtë, të cilët janë 99 për qind e PS-së. Ata janë me mijëra njerëz të mirë, shumë prej tyre janë “besnikë deri në vdekje”, të cilët pranojnë të japin votën thjesht dhe vetëm për besnikëri, pa kërkuar asnjë shpërblim personal apo familjar. Ndërsa pjesa prej 0.67 % e G99-ës, që ka sot mbi 80 % të pushtetit real të socialistëve në çdo nivel përfaqësimi, janë klonuar nga Mjaft-istë në Rilindas, duke i shërbyer Ramës pa asnjë përgjegjësi shtetërore dhe pa asnjë përgjegjësi politike, por thjesht për promovim të pamerituar. Por siç thotë me ironinë labe një mik i përhershëm i Ramës në Vlorë, këta nuk janë “gurë themeli të socialistëve”, por janë “gurë të hedhur” në oborrin e PS-së, të cilën e keqpërdorën deri në dhimbje PS-në për pushtetin e tyre të paditur, të papërgjegjshëm, deri edhe të lidhur me krimin.

Cili mund të jetë mësimi që del nga një qëndrim i tillë i një ministreje?

Kjo është pyetja thelbësore e kësaj interviste. Ministrja Shahini, përpara se ta (keq)përdorë lirinë saj për çdo zgjedhje të saj personale, duhet të qartësojë trashëgiminë e saj politike në politikën shqiptare dhe në Ministrinë e Arsimit. Trashëgimia e saj në politikë është një model jopozitiv. Me këtë deklaratë, akoma në postin e ministrit të Arsimit – ajo u jep një mesazh zhgënjyes dhe negativ brezave të të rinjve, të rinjve shqiptarë dhe në veçanti mijëra vajzave dhe grave që kanë ambicie të natyrshme politike. Mesazhi i Besës është mungesa e besës ndaj tyre.

Sepse Besa me veprimin e saj edhe pa folur, u jep mesazhin: Mos u përpiqni të shërbeni, mos u lodhni të sfidoni, thjesht gjeni njeriun e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe mund të fluturoni në karrierë nga një profil modest, në ministre të Arsimit të një vendi, ku treguesit e arsimit u përkeqësuan akoma më shumë gjatë drejtimit të saj. Mësimi, nga rastet e promovimeve spontane dhe prodhimi i “liderëve parafabrikatë”, është i qartë: partitë politike u shërbejnë mirë interesave të popullit dhe vendit të tyre, i plotësojnë më mirë sfidat ndaj vendit të tyre në pozitë dhe opozitë, në varësi nga cilësitë e liderëve në çdo mandat politik. Rruga më e mirë e identifikimit, promovimit, përmirësimit të cilësisë së liderëve politikë dhe qeverisës duhet të jetë investimi afatgjatë nëpërmjet programeve të lidershipit, intershipet dhe akademitë politike. Në rast të kundërt, cilësia e lidershipit politik do të përkeqësohet dhe për pasojë, edhe qeverisja e vendit do të përkeqësohet, ndërsa Shqipëria rrezikohet të vazhdojë krizën e tejzgjatur të liderëve parafabrikatë, spontanë, të babëzitur dhe arrogantë.

Ish-ministri Malaj, kritika Ramës për Shahinin: PS po keqpërdoret Read More »

‘Me të kap ty zëre se ke kapur një trans’/ Fansja e fyen në koment, por as Jonida Maliqi s’kursehet

Këngëtarja e njohur Jonida Maliqi sapo e ka bërë një ndjekëse të pendohet për komentin në një foto të sajën.

Së fundmi, Jonida ka publikuar një foto në Instagramin e saj, ku dhe ka marrë një koment fyes nga një ndjekëse. “Je ber si tran svestit, me te kap ty zere se kapur trans”, shkruan komentuesja, por nuk ka vonuar shumë as përgjigja e këngëtares.
“Me mire vetvetja se sa si ti prototip i vulgaritetit”, i shkruan Jonida, duke e bërë komentuesen të pendohet.

‘Me të kap ty zëre se ke kapur një trans’/ Fansja e fyen në koment, por as Jonida Maliqi s’kursehet Read More »

Jozefina Topalli:Nuk do kthehem në PD, sa kohë Lulzim Basha do të jetë në krye të saj

Ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli akuzon Partinë Demokratike nën drejtimin e kreut aktual Lulzim Basha se ka vepruar me dy standarde, në procesin që ka nisur për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

“Atë e kam në postën time elektronike dhe jam habitur shumë. Por më shumë jam habitur nga qëndrime të ndryshme nga ata që vendosin për të tilla gjëra. Ndoshta në fakt nuk është fjala e duhur “çuditur”, pasi nuk duhet të çuditesh kur ka disa standarde në procese të caktuara që për mua nuk janë thelbësore, por formale”, tha Jozefina Topalli.

Ajo akuzon personalisht edhe kryedemokratin Lulzim Basha se ka dobësuar opozitën dhe shtron nevojën e një lëvizje të shqiptarëve për të sjellë ndryshim.

Por lëvizje, nuk do të thotë për Topallin krijimi i një partie te re politike?

“Nuk kam dëshirë të hyj apo të krijoj parti politike. Dëshira ime është të krijohet një lëvizje për ndryshim pasi ka një të vërtetë të madhe. Nëse gjërat shkojnë keq duhen ndryshuar”, – shtoi ish kryetarja e Kuvendit.

Ndryshim, sipas saj, nuk sjell as rotacioni politik.

“Rotacioni mes tre personave që bashkëpunojmë me njëri-tjetrin nuk kanë sjellë ndryshim. Është riciklim”, nënvizoi Topalli.

Gjatë intervistës sot në studion e A2, ajo u shpreh e fyer, që i është kërkuar të plotësonte formularin e fazës së parë edhe pse një udhëzim i PD e përjashtonte nga ky detyrim.

Topalli përsëriti disa herë se kryedemokrati ka bashkëpunuar me kryeministrin për interesa personale përkundër kauzave të opozitës dhe paralajmëroi se nuk do kthehet në PD, sa kohë Lulzim Basha do të jetë në krye të saj.

/NOA.al

Jozefina Topalli:Nuk do kthehem në PD, sa kohë Lulzim Basha do të jetë në krye të saj Read More »

Humb jetën shqiptari në Gjermani/ Miku i tij dedikim prekës: Të v ranë pabesisht

Një shqiptar është v rarë në rrethana të paqarta në Gjermani.

Lajmin e bëri të ditur miku i tij, Ylli Toska, përmes një postimi në Facebook, ku edhe i dedikoi disa vargje lamtumire.

“Bekim Neziraj, 43 vjeç, u v ra mbrëmë pabesisht, në orën 22:20. Kēln. Gjermani”, shkroi Toska.

Vargje lamtumire – nga Ylli Toska

Jeta më ka gjunjëzuar shpeshherë, miku im,

Por sot lajmi për vr asjen tënde më pikëlloi,

E si do mundet dheu të të tresë,

Këtë as sot e as nesër nuk dua ta besoj,

E çfarë duhet t’i them babës tënd, vëllai im ?

Atje thellë në Pejë ku qielli prek malin,

Si mundi dora e të pabesit,

Që ty tinëzisht jetën ta ndali?

Oh, jo nuk e besoj kurrë, se trimat nuk vdesin,

Por ata ngrihen lart në qiej si idhtarë,

Se mendoja kurrë Bekim Neziraj,

Të shkruaja për ty vargje, lamtumire, për t’u ndarë!

Sot pikëllimin e shpirtit po e ndaj me yjet,

Se zemra ime këtë gjëmë se përballon dot,

Nuk e di, nëse do ketë të nesërme,

Se krimi nuk falë askënd, sot!

A mos është ëndërr, kjo mynxyrë,

Sepse jeta më bëri që të humbas, shumë nga shokët e mi!

E zotit u bëftë! them gjithmonë

Se sot jemi, por të nesërmen askush nuk e di!

Kushtuar mikut tim Bekim Neziraj, 43 vjeç,

i vrarë mbrëm pabesisht, në orën 22/ 20. Kēln. Gjermani

/NOA.al

Humb jetën shqiptari në Gjermani/ Miku i tij dedikim prekës: Të v ranë pabesisht Read More »