Andueli

ISHP, fakte mbi transmetimin e COVID-19

Koronaviruset janё një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda.

Instituti i Shëndetit Publik i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve të cila lidhen me këtë sëmundje dhe përhapjen e tij.

A mund të transmetohen Koronaviruset dhe Koronavirus i ri nga një person tek tjetri?

Po, disa koronaviruse mund të transmetohen nga një person tek tjetri, zakonisht pas kontaktit të ngushtë me një pacient të infektuar, për shembull midis anëtarëve të familjes ose në një mjedis të kujdesit shëndetësor.

Koronavirus i ri, përgjegjës për sëmundjen e COVID-19 gjithashtu mund të transmetohet nga një person tek tjetri përmes kontaktit të ngushtë me një rast të infektuar.

Si transmetohet Koronavirus i ri nga një person tek tjetri?

Koronavirus i ri është një virus i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë. Mënyrat kryesore të përhapjes nga personi i infektuar janë nëpërmjet:

pështymës, kollitjes dhe teshtitjes, kontakteve personale të drejtpërdrejta

duarve, për shembull duke prekur me duart e ndotura (ende jo të lara) gojën, hundën apo sytë, në raste të rralla, infeksioni mund të ndodhë përmes kontaminimit fekal.

Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen me ushqim, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar. Gjithsesi, ende vazhdojnë studimet për të kuptuar më mirë se si transmetohet ky lloj virusi.

Si të trajtojmë “kontaktin e ngushtë” të një rasti të konfirmuar me COVID-19?

Çdo individ që raporton çfaredolloj kontakti me një rast të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV duhet të raportohet pranë NJVKSH-së përkatëse menjëherë, dhe më pas, prej NJVKSH ose pranë ISHP-së me formularin e hetimit. Kjo procedurë duhet të kryhet menjëherë dhe brenda 24-orëve.

Sa më shpejt të jetë e mundur, NJVKSH në bashkëpunim me ISHP-në, fillon identifikimin e personave që kanë patur të njëjtin ekspozim si rasti i dyshuar apo i mundshëm (subjekte të ko- ekspozuara) dhe subjekteve që kishin kontakt të ngushtë me rastin gjatë periudhës së tij simptomatike ose dhe perpara shfaqjes se shenjave klinike.

Në pritje të konfirmimit të rastit, për shkak të paqartësive të rëndësishme të deritanishme në lidhje me këtë sëmundje cdo kontakt duhet te mbahet ne vetekarantine dhe pas konfirmimit te rastit, kontaktet qendrojne ne vetekarantine apo në një mjedis të përshtatur si karantine per te siguruar distancimin social te tyre duke zbatuar rregullat e karantines.

A është e vërtetë që Koronavirusi i ri mund të transmetohet përmes kontaktit me shufrat apo dorezat mbajtëse të autobusëve duke qenë afër një personi që kollitet?

Bazuar në të dhënat e disponueshme, konsiderohet shumë e pamundur që një infeksion të mund të merret përmes shufrave apo dorezave mbajtëse të autobusit. Nga ana tjetër, aktualisht jemi në mes të sezonit të gripit. Prandaj, nëse shfaqen simptoma të tilla si ethe, kollë, dhimbje të fytit, dhimbje koke dhe, veçanërisht, vështirësi në frymëmarrje, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj. Sidoqoftë, për të parandaluar infeksionet, përfshirë infeksionet e frymëmarrjes, është praktikë e mirë të lani duart shpesh dhe me kujdes pasi të prekni objektet dhe sipërfaqet potencialisht të ndotura para se të prekni fytyrën, sytë dhe gojën. /atsh

ISHP, fakte mbi transmetimin e COVID-19 Read More »

“Jo panik! Qëndroni në shtëpitë tuaja”/ Cani: Reanimacioni më i mirë është optimizmi juaj dhe respektimi i rregullave

“Sot duhet të ngremë vetëm një flamur të përbashkët politik për të gjithë shqiptarët e të jemi bashkëpunëtorë për fitoren e jetës”.

Ky është mesazhi që, Alma Cani, shefja e reanimacionit në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ka dhënë sot për qytetarët shqiptare.

Ajo i ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për të respektuar jetën, përgjatë periudhës së vështirë që ka krijuar koronavirusi.

Cani është shprehur se, reanimacioni më i mirë gjatë këtyre ditëve është optimizmi ndërsa shprehet se kjo situatë do të kalojë vetëm përmes bashkimit mes shtetit dhe popullit.

“Jo panik! Qëndroni në shtëpitë tuaja! Respektoni jetën tuaj dhe të tjerëve! Reanimacioni më i mirë është optimizmi juaj dhe respektimi i rregullave! Kjo furtunë do të kalojë akoma më shpejt falë unionit shtet e popull! Sot duhet të ngremë vetëm një flamur të përbashkët politik për të gjithë shqiptarët e të jemi bashkëpunëtorë për fitoren e jetës!”, ka theksuar Cani./atsh

“Jo panik! Qëndroni në shtëpitë tuaja”/ Cani: Reanimacioni më i mirë është optimizmi juaj dhe respektimi i rregullave Read More »

PD propozon 3 masa urgjente për frenimin e përhapjes së virusit

Partia Demokratike ka reaguar sot pasdite në një deklarate shpërndarë medieve lidhur me masat që duhet të marrë qeveria për të mbrojtur personelin shëndetësor dhe qytetarët nga koronavirusi.

Partia Demokratike propozon 3 masa urgjente që duhet të marrë qeveria për të mbrojtur personelin shëndetësor dhe qytetarët nga koronavirusi.

“Pas mjekëve dhe infermierëve të spitalit të Durrësit dhe Beratit, sot media raporton se edhe mjekë dhe infermierë në spitalin e Fierit, janë futur në karantinë, për shkak se i kanë shërbyer personave të prekur nga koronavirusi pa mjetet e nevojshme mbrojtëse. Po bëhet 1 javë që kur është konfirmuar rasti i parë me koronavirus, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë që të përmbushë kërkesën kryesore për të pajisur me mjetet mbrojtëse të gjithë personelin shëndetësor në vend. Shqipëria ka personel të kufizuar shëndetësor dhe nuk kemi luksin që ata të futen në karantinë. Nëse kjo ndodh masivisht, bie muri mbrojtës mes qytetarëve dhe virusit të rrezikshëm. Mjekët nuk do të jenë në gjendje të trajtojnë qytetarët e sëmurë. Akoma nuk është vonë që qeveria t’i japë fund papërgjegjshmërisë me të cilën ka vepruar deri tani më raport me sistemin shëndetësor. Për ta ruajtur atë nga kolapsi, është emergjente pajisja e stafit mjekësor me mjete mbrojtëse”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike shton se “Neni 6 i ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, sanksionon detyrimin që Qeveria të marrë masa të përgjithshme për mbrojtjen nga sëmundjet infektive të puonjësve të shëndetësisë. Ligji detyron sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale të punonjësve të shëndetësisë dhe personave të tjerë të ekspozuar ndaj agjentëve infektues nga kontaminimi, infektimi dhe prekja nga sëmundjet infective”.

PD shprehet se kryeministri dhe qeveria duhet të marrin disa masa të detyrueshme nga ligji.

“Mbrojtja e personelit mjekësor me pajisje dhe mjete speciale. Dezinfektim me shpejtësi në nivel kombëtar për rrugët, mjediset publike dhe ndërtesat jopublike. Miratimin pa vonesë të paketës social-ekonomike për shmangien e krizës”, theksohet në deklaratën e PD-së./atsh

PD propozon 3 masa urgjente për frenimin e përhapjes së virusit Read More »

2 javët e ardhshme do tregojnë shkallën e agresivitetit të koronavirusit, Rama: Të stërvitemi për një luftë që nuk do të jetë e shkurtër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se “2 javët e ardhshme do të na tregojnë shkallën e agresivitetit të koronavirusit në gjithë territorin e Shqipërisë”.

Rama tha se “rritja e numrave do të vijojë dhe sot nuk e kemi dot përgjigjen se sa lart do të ngjitet kurba, por çka po bëjmë bashkërisht është e vetmja rrugë për ta penguar rritjen, nuk ka ilaç tjetër dhe këtë do të vazhdojmë të bëjmë”.

“Duhet ta marrim me qetësi dhe kokëfortësi, të stërvitemi për një luftë që nuk do të jetë e shkurtër me zakonet tona të përditshme që na cimbisin në çdo moment. Nuk kemi parë gjë akoma dhe kjo pa asnjë shaka”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se testin e koronavirusit nuk mund ta bëjë kushdo, apo ata që kanë shenja të lehta gripi, por vetëm ata që kanë shenja të dukshme”.

“Ka nga ata që marrin madje 127 duke kërkuar me insistim të bëjnë testin se kanë ardhur nga Italia apo kanë takuar dikë që ka ardhur nga Italia. Ky nuk është një kriter për t’u shqetësuar dhe bërë testin. 80% nuk do ndiejnë asgjë dhe nuk kanë për ta marrë vesh kurrë nëse morën po jo koronën”, tha Rama.

Por sipas tij, “secili prej nesh do të sillet njësoj sikur ta ketë virusin dhe prandaj duhet të ruaj të tjerë pavarësisht se mund të ndihen shumë mirë”.

“Nuk mjaftojnë disa shenja gripi për t’u alarmuar dhe bërë testin. Shpallja e pandemisë nga OBSH përcakton edhe kriteret bazë të marrjes së testit që lidhen me një gjendje më të vështirë se sa ajo e simptomave të lehta gripale”, tha Rama.

Ndërkohë, ai theksoi se nuk e dimë se “deri kur do të vazhdojmë t’u nënshtrohemi masave shtrënguese për qarkullimin me makinë, por këtë nuk e dimë dhe askush, askund në botë nuk e di”.

“Sa më shumë të shtrëngohemi sot aq më shumë e kemi bërë tonën përballë këtij armiku që vjen bashkë me të panjohura tepër të mëdha. Prandaj durim dhe shumë kujdes. Mos harroni se 80% e atyre që kanë simptoma e kalojnë me sukses ditën, duke ndenjur në shtëpi”, tha Rama./atsh

2 javët e ardhshme do tregojnë shkallën e agresivitetit të koronavirusit, Rama: Të stërvitemi për një luftë që nuk do të jetë e shkurtër Read More »

Basha shpërndan mesazhin e ekipi mjekësor: Ju jeni heronj, Shqipëria ju sheh me admirim

Kryetari i PD-së Lulzim Basha poston fotot dhe mesazhin e shpërndarë nga ekipi mjekësor i spitalit Infektiv duke i konsideruar heronj.

“Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë kudo në Shqipëri dhe personeli i Spitalit Infektiv në Tiranë! Jeni heronjtë tanë! Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju! Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë sfidë që kemi përpara! Në këto kohë ju nuk jeni vetëm prindër, bashkëshortë, bijë e bija, motra dhe vëllezër të familjarëve tuaj, por të të gjithëve ne bashkqytetarëve tuaj”, shprehet ai.

“Mirënjohje të thellë kombëtare për secilin prej jush! Askush nuk ju sheh çuditshëm, e gjithë Shqipëria ju sheh me admirim për punën dhe përkushtimin tuaj! Zoti ju bekoftë ju dhe të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha ai./atsh

Basha shpërndan mesazhin e ekipi mjekësor: Ju jeni heronj, Shqipëria ju sheh me admirim Read More »

Çfarë është dhe si përhapet koronavirusi

Kryeministri Edi Rama përmes një serie fotografish me shpjegime përcolli për qytetarët mënyrën sesi përhapet koronavirusi, si hyn në organizmin tonë dhe dobëson imunitetin dhe mënyrën sesi del dhe infekton të tjerët dhe rrezikun që paraqet për shëndetin e njerëzve.

Ja sesi koronavirusi merr peng qelizat tona.

Virusi që shkakton Covid-19 po përhapet në të gjithë botën. Njhen të paktën 6 lloj koronavirusesh që prekin njerëzit, disa prej të cilëve shkaktojnë ftohje të zakonshme dhe dy që shkaktojnë epidemi: SARS dhe MERS.

Koronavirusi e merr emrin nga gjembat si kurorë që mbulojnë sipërfaqen e tij. Virusi mbështillet nga një flluckë molokulash lipide, që shkatërrohen nga kontakti me sapunin.

Virusi futet në trup nga hunda, goja apo sytë, pastaj lidhet me qelizat në rrugët e frymëmarjes që prodhon një protein të quajtuar ACE2. Virusi besohet se vjen nga lakuriqi i natës, ku mund të jetë bashkuar me një protetinë të ngjashmë.

Virusi infekton qelizat duke bashkuar membranën e vet të yndyrshme me membranën e qelizës. Sapo futet, koronavirusi lëshon një pjesë të materialit gjenetik të quajtuar RNA.

Gjenomi i virusit ka më pak se 30,000 “gërma” gjenetiike (i yni është me 3 miliardë.) Qelizat e infektuara e lexojnë RNA dhe fillojnë të prodhojnë proteinë që mposhtin sistemin imunitar dhe ndihmojnë prodhimin e virusit.

Me përhapjen e infeksionit, makineria qelizore fillon të prodhojë gjemba e proteina që do të jenë kopje të reja të koronavirusit. Kopjet e reja të virusit mblidhen dhe çohen në skajin e jashtëm të qelizës.

Çdo qelizë e prekur mund të lëshojë miliona kopje të virusit para se qeliza të shpërbëhet dhe shkatërrohet plotësisht. Virusi mund të infektojë qelizat afër apo të përfundojë në spërkla që dalin nga mushkëritë.

Shumica e infeksioneve të Covid-19 shoqërohen me temperaturë të larrtë ndërsa sistemi imunitar mundohet të luftojë virusin. Në raste më të rënda, sistemi imunitar mund të reagojë duke nisur të luftojë qelizat e mushkërisë. Mushkëria bllokohet nga lëngjet dhe qeliza të vdekura dhe frymarrja vështirësohet. Në pak raste virusi mund të shkaktojë sindomën akute të vështirësisë në frymarrje e deri në vdekje.

Dalja nga trupi e virisit

Kollitja dhe teshtima mund të ndotin më spërkla me virus njerëzit dhe sipërfaqet përreth, ky virus mund të qëndrojë aktiv nga disa orë në disa ditë. Njërzit e prekur mund të vënë maskë për të shmangur përhapjen e virusit, por njerëzit e tjerë nuk kanë përse të vendosin maskë nëse nuk po kujdesen për një person të infektuar./atsh

Çfarë është dhe si përhapet koronavirusi Read More »

Covid-19/ Lëvizja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk këshillohet në grup

Kryeministri Edi Rama, gjatë një deklarate për mediat, ditën e enjte, garantoi se lëvizja në këmbë nuk do të ndërpritet, por është e këshillueshme që kjo lëvizje të realizohet në distancë, jo në grup.

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu nënvizoi se është me shumë rëndësi të kuptohet se po punohet për të ngadalësuar shpejtësinë e shpërndarjes, pasi sipas tij 80% e popullsisë do të preket nga ky virus, por nuk do ta marrë vesh që e kanë pasur, teksa pjesa tjetër do ketë shqetësimet e një gripi, ndërsa pjesa më e vogël 20% e 20%-it do të ketë nevojë dhe për vëmendjen më të madhe.

“Ecja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk është e këshillueshme në grup. Nuk është e këshillueshme askërrkund që familje të tëra të mblidhen te Liqeni e të qëndrojnë për piknik. Ecja po, lejohet, por jo në grup. Të dalin të ecin, por nuk është e këshillueshme të mblidheni të gjithë në bulevardin e Elbasanit për ditën e verës”,- tha Rama.

“Përsa i përket autobuzëve të punëtorëve, kur bëhet fjalë për kompani prodhuese, është shumë e rëndësishme të merren masa për t’u bërë dezinfektime, por flasim për më tutje, s’po flasim për këto tre ditë. Makinat që transportojnë ushqimore do lëvizin lirisht, duhet të ketë në kroskot listën e dërguar me email nga administratori i kompanisë në këtë adresën e emailit [email protected] , ku të shënohet emri, mbiemri i tij, targa e mjetit të shkruar me dorë nga ai vetë. Në mënyrë që të garantojnë kontroll të shpejtë dhe pa probleme. Po ashtu emrin e mbiemrin e administratorit dhe numrin e telefonit”,- tha Rama.

Kryeministri tha se qasja e vendit tonë është strikte.

“Po dëgjoja kryeministrin britanik, që sot shpjegoi pse në Britaninë e Madhe nuk do mbyllen shkollat dhe Universitetin, por masat do t’i përshkallëzojë më ngadalë, është një qasje. Përsa na takon, ne do të ndjekim qasjen strikte të përshkallëzimit, sipas planit për të ngadalësuar maksimalisht shpërndarjen e virusit”,- theksoi Rama.

“Nuk është ideja të bëjmë sa më shumë teste, nuk është ideja të kapim me teste të gjithë ata që kanë koronën. Koronën do ta marrin masivisht si një virus gripi, por njësoj si me virusin e gripit, siç tregon eksperienca e Kinës, 80% e jona s’do ta marrë vesh kurrë e patën apo jo. Dje dëgjuat kancelaren e Gjermanisë që tha se 60-70% e gjermanëve do të preken nga ky grip. Por siç ju thashë, 80% e atyre që do të preken s’do ta marrin vesh kurrë dhe 20% i atyre që do të ndjehen jo mirë, që do kenë shqetësime, është 20% që do kemi fokusin e vëmendjes. Te 20% prapë një pjesë e kalon si një grip, rrufë, pak temperaturë, këputje, dhimbje kockash, por nuk shkojnë në një gradë më të vështirë, më të rëndë. Dhe këto 80% e kalojnë në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër ka nevojë kurimin. Nuk jemi këtu në kushtet kur duhet të bëjmë sa më shumë teste, por duhet t’i bëjmë teste personave që shfaqin simptomat dhe shqetësimet. Nuk ka kufizim për fluturimet, veç Italisë dhe SHBA, që i mbylli të gjitha fluturimet me Europën, pasi në SHBA duhet të prisni momentin që do rihapen fluturimet dhe kompanitë duhet të bëjnë shtyrjen për një datë tjetër. Air Albania do ta bëjë shtyrjen e biletës për në Itali. Atyre që i kalon data si rezultat i bllokimit, do të kenë të rezervuar vendin kur hapen fluturimet. Përsa i përket masave, ato janë dimanike dhe progresive”,- tha Rama.

“Masat nuk ndalojnë ardhjen e virusit, masat na japin mundësinë ta ngadalsojmë shpërndarjen. Pasi nëse shkojmë të gjithë në stadium, na ndodh një situatë ku ndodh rritja e shpejtë të rasteve dhe e atyre që kanë nevojë për shërbim në spital. Sepse kur Lombardia kolapsoi, kolapsioi sepse kishte më shumë pacientë që kishin nevojë për respiratorë se çfarë kishte mundësi dhe Italia sot po blen respiratorë, Kina i ofrojë një shumë të konsiderueshme dhe 1 000 infermierë sepse kolapsioi sistemi”,- shtoi Rama.

“Këto masat na ndihmojnë të ruajmë rritjen e numrin me gradualitet dhe të gjithëve t’u mundësojmë shërbimin në spital. Do kemi një situatë të vështirë. Këto që po them janë të konfirmuara nga të gjitha burimet e ekspertizës. Kjo nuk është as shaka, ku secili mund të japë opinionet e veta. Ata që thonë se duhet të kishin mbyllur kufirin e kanë gabim, se vende të tjera po e bëjnë me ngadalë”-, tha Rama./atsh

Covid-19/ Lëvizja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk këshillohet në grup Read More »

“Unë rri në shtëpi”/ Balerini Kledi Kadiu apel qytetarëve shqiptarë kundër përhapjes së koronavirusit

Balerini i famshëm shqiptar, Kledi Kadiu, i cili punon dhe jeton në Itali i është bashkuar fushatës sensibilizuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Ministria e Shtetit për Diasporën ka shpërndarë videon e ndërgjegjësimit nga balerini i mirënjohur shqiptar Kledi Kadiu për bashkëkombasit e tij në Shqipëri.

Kadiu është shprehur se “gjithçka do të shkoj mirë edhe në Shqipëri”.

“Unë rri në shtëpi. Rigorozitet dhe optimizëm si në Itali dhe në Shqipëri”, thekson Kadiu.

“Vetëm kështu do ta mundim, të gjithë bashkë”, shprehet balerini shqiptar.

“Atdhetarë këtej dhe andej Adriatikut, për shkak të përhapjes së koronavirusit po përjetojmë çaste të vështira, të papara në kohë paqeje. Gjithkush prej nesh duhet të bëjë atë që na kërkohet. Duke ndryshuar pak stilin e jetës. Unë rri në shtëpi. Ju ftoj ta bëni dhe ju duke ruajtur veten dhe të dashurit tonë që nga kjo situatë të dalim sa më shpejtë. Ju përshëndes nga Italia Kledi”, thotë balerini i famshëm, Kledi Kadiu./atsh

“Unë rri në shtëpi”/ Balerini Kledi Kadiu apel qytetarëve shqiptarë kundër përhapjes së koronavirusit Read More »