Këngëtares Aurela Gaçe i kanë vjedhur Facebook-un pak ditë më parë. Fenomeni i piraterise kibernetike ka ndjekur dhe personazhë të tjerë të njohur, kohët e fundit.
“Te falënderoj me zemër per punën tënde prej mjeshtri”, – i tha ajo sot, një djali, i cili punoi për të gjurmuar hajdutët dhe për t’i rikthyer faqen on-line” këngëtares së njohur.
Djali që ajo falenderoi dhe nuk e njihte më parë quhet Rei Orendi.
“Që ta dini ju, ky super djali këtu, punoi për të më kthyer faqen zyrtare në Facebook “fanpage””, – tha Aurela.
“Ishte nje “luftë ” e ashpër ditore mes nesh e hajdutëve . Ata ishin grup. Rei ishte vetëm . E ajo qe më gezon, përveçse zotësisë së tij, eshte edhe ana njerëzore. Ai u afrua te me ndihmoje pa asnje perfitim, thjeshtë doli në mbrojtje te imazhit tim, pa më takuar kurrë më parë” – shtoi këngtëarja.
“Ku gjenden kollaj këta njerëz? Faleminderit” – tha Aurela Gaçe, teksa e përgëzoi sot publikisht djalin e talentuar .
Moderatorja Alketa Vejsiu dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Toni Gogu, janë emra të tjerë të njohur që kanë denoncuar vjedhjen e llogarive të tyre në rrjetet sociale, gjatë ditëve të fundit.
Opozita e bashkuar e përfaqësuar në Këshillin Politik nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i ka dërguar një letër përfaqësuesit socialist Damian Gjiknuri, ku kërkohet që Partia Socialiste të pranojë ekspertizën e OSBE/ODIHR për gjetjen e dakordësisë.
Në letër thuhet se është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që, me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it, pasi reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë”, thuhet në letër.
Letra e plotë e opozitës
Gjiknuri,
Këshilli Politik funksinon vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimmarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.
Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit. Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve. /noa.al
“Profeti i kokoshkave t’i lërë batutat bajate dhe të respektojë çdo pikë e presje të Marrëveshjes Historike të 5 Qershorit”.
Me këto fjalë reagon Presidenti Ilir Meta, ndaj gjuhës ironike të Kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti kreun e shtetit si makinist treni.
Meta thotë se shefin e pakicës së pakicës, nuk ka formulë e marifet që e shpëton nga data 25 prill, dita e zgjedhjeve parlamentare.
“Por fajin për këtë situatë të rëndë psiqike, prapë e ka Opozita e Bashkuar. Se ajo e mësoi keq duke ja lënë fushën bosh për të kapur 100% të pushteteve”, shkruan Presidenti.
Ky reagim vjen pasi, më herët Rama tha se “Programi i Lulit është një tramvaj me shalqin që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”.
Përplasjet në distancë, nisën, pasi lideri i opozitës Lulzim Basha, nga Durrësi kërkoi që të vihet në zbatim plani me pesë pika i Partisë Demokratike për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit./noa.al
Pas dy orë e gjysmë, ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik ku kërkohet konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Socialisti Damian Gjiknuri tha për mediat se iu kërkua opozitës së bashkuar që të sjellin një variant për koalicionit sipas sistemit europian dhe më tej të kërkohet mendim tek OSBE/ODHIR.
“Nuk pranojnë, qëllimi është politik dhe sebepi i letrës së ODHIR është taktikë imponuese: prano atë që dua unë se ajo më intereson, ose unë nuk jap asnjë lloj konsensusi. I kemi kërkuar një formulim të një vendi europian, produkt europian, që i trajton koalicionet siç i kërkon PD. Të imponosh konsensus me modele jo europiane është e papranueshme. Hajde diskutojmë për pragun kombëtar, apo për hapjen e listave natyrshëm duke ruajtur disa parametra, si prag votash që i jep mundësinë dhe zgjedhësve të votojnë dhe partitë të përfaqësohen, dhe jo model kaotik ”, u shpreh Gjiknuri.
Megjithatë ai shtoi se duhet të ecin përpara pasi tha se koha është kritike, pasi ndryshe rrezikohet shumë për zgjedhjet.
Gjiknuri solli si shembull, “Një qark që ka 50 mijë vota, 70% e zgjedhësve zgjedhin ekipin. Nëse 40 mijë kanë zgjedhur ekipin, ai që ka marrë 5 mijë vota del deputet. Jo se ne kemi dy fletë votimi”.
Sipas tij ky është një sistem i balancuar që ruan stabilitetin e partive dhe se mazhoranca synon që listat e partive kryesore të jenë të përfaqësuara. /noa.al
Sipas studimeve të kryera, pijet energjike kanë efekte shumë negative në shëndet. Ato sugjerojnë se pijet energjike janë si karamele të lëngshme me një goditje. Ata janë të ëmbla dhe të gazuara dhe mjaft stimuluese, por një studim nga Journal of the American Heart Association thotë se konsumatorët duhet të bëjnë kujdes.
Përbërësit, duke përfshirë nivele shumë të larta të kafeinës, guaranës dhe taurinës mund të rritin presionin e gjakut dhe të shkaktojnë keqfunksionime në zemër, potencialisht të rrezikshme për jetën.
“Secili përbërës individual në përgjithësi mund të konsiderohet si i sigurt, por kur i bashkoni, ajo që ndodh është çështja,” thotë Sachin Shah, profesor i farmaceutikës në Universitetin e Paqësorit dhe bashkëautor i një studimi.
Studiuesit parashikojnë që tregu i pijeve energjike do të arrijë 61 miliardë dollarë deri në vitin 2021, i nxitur nga konsumatorë si 35-vjeçari Antoine Smith, i cili filloi të konsumonte pije energjike ndërsa ishte në kolegj, tetë vjet më parë. Tani që po rrit një vogëlush, ato janë pjesë e rutinës së tij.
“Unë duhet të konsumoj të paktën gjashtë deri në tetë brenda ditës,” tha ai.
Smith pi një përzierje markash, përfshirë Monster Energy, Red Bull dhe Full Throttle.
“Kam një varësi”, tha ai duke qeshur. “Kjo është e trishteshme. Unë jam duke qeshur, por është e trishtë”.
Disa procese gjyqësore janë përpjekur të lidhin pije energjike me çështje shëndetësore dhe vdekje kardiake, por pa sukses. Në një deklaratë, Shoqata Amerikane e Pijeve thotë se pijet energjike plotësojnë rregullat federale të sigurisë dhe tashmë shfaqin këshillime për konsumatorët të cilët mund të jenë në një rrezik të shtuar, si fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Por Laura MacCleery me Qendrën për Shkencë në Interesin Publik tha se një problem është mënyra se si kompanitë e pijeve lejohen të krahasojnë nivelet e kafeinës kur kërkojnë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave.
“Kompanitë përdorin supozime shumë të ndryshme për sa kafeinë konsumojmë në burime të tjera,” tha ajo.
Në këtë material do të paraqesim disa prej sëmundjeve dhe problemeve që shkakton konsumimi i tyre:
Probleme kardiovaskulare:
Para se të pini pije energjike duhet të siguroheni që nuk keni probleme me zemrën.
Studimet tregojnë se pijet energjike shkaktojnë kontraksione të forta të zemrës, të cilat mund të çojnë deri në atak kardiak.
Sasia e lartë e kafeines në pijet energjike çon drejt këtyre problemeve kardiake.
Dhimbje koke dhe migrenë
Ankth: Doza e madhe e kafeinës që gjendet në një kanaçe pije energjike çon në ankth madje edhe sulme paniku të forta.
Pagjumësi: Efekti kryesor i pijeve energjike është t’i mbajë njerëzit zgjuar dhe abuzimi me to çon deri në probleme me pagjumësinë.
Diabet të tipit 2: pijet energjike kanë sasi të larta sheqeri në përbërje, ato nxisin qelizat prodhuese të insulinës në pankreas, gjë e cila të çon në diabet të tipit 2.
Ndërveprimi me ilaçe: nuk është e këshillueshmë të konsumoni pije energjike nëse jeni duke marrë ilaçe, veçanërisht ilaçe për depresion.
Varësia: njerëzit që konsumojnë shpesh pije energjike krijojnë varësi ndaj tyre, njësoj si një person që krijon varësi ndaj duhanit apo alkoolit.
Nervozizëm: sasia e lartë e kafeinës çon në nervozizëm.
Dridhje duarsh Presion i lartë i gjakut Ndjesi lodhjeje dhe pafuqie Agresion
Qeveria ka urdhëruar të gjitha institucionet shtetërore në vend që duke filluar nga 1 tetori i sotëm, të gjithë nëpunësit të dalin çdo ditë në punë me orar të plotë. Të njëjtin urdhër ka lëshuar dhe kryetari i bashkisë Tiranë”, Erion Veliaj.
Urdhëresat vijnë pak ditë pasi qeveria njoftoi se do të zbatojë kërkesën e Komitetit Teknik të Ekspertëve për rihapjen nga 1 tetori të mjediseve të brendshme dhe të mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave.
Por urdhrat e qeverisë dhe bashkisë që administrata të mos punojë më pjesërisht ose plotësisht nga shtëpia, vijnë në të njëjtën kohë me një apel të fortë që lëshuan publikisht anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Instituti i Shëndetit Publik.
Jo më larg se pasditen e djeshme, e mërkurë, Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, kërkoi që institucionet dhe kompanitë të aplikojnë punën nga shtëpia për punonjësit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, që, kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit. Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura ne normalitetin e ri”, ishte thirrja e bërë nga Cami.
Deri dje, si qeveria dhe bashkia nxitnin vazhdimisht punën nga shtëpia jo vetëm për nëpunësit publikë, por edhe për punonjësit e kompanive private.
Tetori koincidon edhe me nisjen e fushatës intensive të partive kryesore në vend, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. /noa.al/
Duke nisur nga dita e sotme, e enjtja e 1 tetorit, hapen baret, restorantet dhe pishinat e mbyllura, të mbyllura prej muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjatë marrjes së këtij vendimi Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura.
Ndër rregullat që duhen respektuar janë distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt.
Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ndërkohë do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji. /noa.al
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka dhënë një argument të ri se përse nuk lejohet muzika në kafene.
I ftuar në studion e Report Tv, Klosi tha se valët përhapin virusin, një argument i ri ky, që nuk ishte dëgjuar më parë, por që ministri e tha me siguri.
“Nuk duhet t’ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, se për politikat e turizmit do ishte shumë mirë që të ishin të hapura, por kjo pyetje duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe.
Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pika alkoolike, njerëizt duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë”, tha Klosi.