Andueli

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët

“Ne do të kemi sezon turistik dhe besoj se javën e ardhshme do të kemi konkluzionet për këtë çështje”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “ne sot mund të sjellim në Shqipëri më shumë turistë se çdo herë tjetër”.

“Kërkesat janë të pafundme, presioni është shumë i madh nga vende si Hungaria, Ukraina, vendet nordike etj., por çështja është: a duhet apo jo t’i sjellim? Ata janë të organizuar me fluturime të dedikuara. Janë qeveritë e tyre që thonë në Shqipëri ne jemi gati t’i mbështesin turistët të vijnë, sepse Shqipëria ka situatën më të mirë nga të tjerët, por pyetja është a duhet apo nuk duhet”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “janë shqiptarët që nuk do të lejohen të shkojnë asgjëkundi”. “Shqiptarët do ta ketë të pamundur përgjithësisht të bëjnë pushime jashtë për arsye të të tjerëve. Ne duam që bregdetin e vendit t’ia vëmë në dispozicion shqiptarëve në të katër anët”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot kam bërë disa biseda telefonike me disa nga kolegët e mi në Europë dhe situata është e paqartë”. “Ata kanë vendosur 15 qershorin që Shengeni është i mbyllur, por brenda tyre ka debate nga më të ndryshmet. Të gjithë po synojnë turizëm të brendshëm apo me korridore, Austria me Gjermaninë e Danimarkën, Italinë nuk e do asnjë njeri në korridor”, tha Rama. /atsh

“Do të kemi sezon turistik”/ Bregdetin e vendit në dispozicion shqiptarëve në të katër anët Read More »

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën

Regjisori Altin Basha në një intervistë për Euronews, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, që do të jetë i pari, pasi ai që ekziston sot është emëruar i tillë, por nuk ka qenë parashikuar që të funksionojë si teatër. Idenë e ndërtimit të teatrit me para të buxhetit të shtetit, sipas regjisorit të njohur, është ideja më e mirë e mundshme.

“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm, pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh Basha.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e artistëve e mbështesin idenë e ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa solli në kujtesë dhe rastet kur vende të tjera kanë shembur teatrin kombëtar.

“Po u jap dy shembuj, Hungaria e ka shembur tri herë teatrin kombëtar. Një herë e ka shembur për të ndërtuar hyrjen e metrosë së Budapestit. Suedia e ka shembur, ka pasur një teatër prej druri. Nuk shoh ndonjë gjë dramatike në shembjen e asaj ndërtese dhe ndërtimin e një teatri. Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër. Për sa kohë marrim më shumë salla dhe teknologji”, deklaroi regjisori.

Basha duke folur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar tha se do të jenë tri salla me një kapacitet prej 1 mijë spektatorë, ndërsa vetëm investimi në teknologji do të arrijë në 10 milionë euro.

“Ka tri salla të mbyllura, një sallë të hapur një ka kapacitet 650, një 350 dhe 150 dhe do të përdoret një teknologji nga më të përparuarat në rajon. Është marrë për model teatri kombëtar bullgar dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Ka një kosto shumë të madhe, 10 milionë euro vetëm në teknologji. Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë, por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, tha ai.

Regjisori thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.

“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja, sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike, do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që t’i shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës”, përfundoi Basha. /atsh

“Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër”/ Altin Basha pro shembjes së Teatrit, i rikujton PD-së Piramidën Read More »

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë serish thirrje qytetarëve për kujdes në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke thënë se lehtësimi i masave nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.

Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar tetë raste të reja me koronavirus dhe asnjë të shëruar, duke bërë kështu që totali i të prekurve të arrijë në 927.

Kjo ka bërë që IKSHPK të alarmojë qytetarët që të vazhdojnë të ruajnë distancën sociale, mbajtjen e higjienës dhe maskave deri në shuarjen e plotë të COVID-19.

“Lani duart me kujdes 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në deklaratë.

IKSHPK u ka bërë serish thirrje edhe institucioneve për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim./KosovaPress/

IKSHPK apelon qytetarët për kujdes të shtuar nga COVID-19 Read More »

Gara për SPAK, më datë 18 maj intervistohen katër kandidatë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokuror në Prokurorinë e Posaçme, njofton se në datën 18 maj do të zhvillohen intervistat me kandidatët.

KLP njoftoi të enjten se intervistat zhvillohen “në zbatim të nenit 14, pika 3 të rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe do të zgjasin jo më shumë se 45 minuta për secilin kandidat”.

“Orari i zhvillimit të intervistave është si më poshtë: Dorina Bejko 10:00; Dritan Premçi 10:45; Sotir Kllapi 11:30; Vladimir Mara 12:15”, njoftoi KLP.

Kandidatët do të njoftohen nominalisht për orarin e zhvillimit të intervistës. /atsh

Gara për SPAK, më datë 18 maj intervistohen katër kandidatë Read More »

“Prej ditësh në disa zona të kuqe asnjë rast me COVID-19″/Mjeku Alimehmeti: Këtë vit duhet të bëjmë plazh

“Përveç numrit të vogël të rasteve të reja duhet të shohim që nuk ka më raste të rënda. Tashmë jemi në ditën e 13 pa asnjë vdekje pra vdekja e fundit është në datën 30 prill pra në maj nuk ka më asnjë vdekje nga COVID-19”, tha mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti gjatë një interviste televizive.o

I pyetur nëse duhet bërë plazh këtë vit Alimehmeti tha se , “uji i detit përmban kripë dhe jod që e vrasin virusin. Ata që nuk lejojnë qytetarët të futen në det, nuk e paskan kuptuar akoma natyrën e virusit”.

“Edhe pishina nuk është problem. Në pishinë thjesht duhet pasur parasysh grumbullimi i njerëzve. Në pishina grumbullohen shumë persona”- tha ai.

Ai tha se bashkitë e shpallura “zona të kuqe” nga qeveria nuk kanë pse të mbahen në kufij të kuq në një kohë kur rastet pozitive me COVID-19 janë minimale, ose prej ditësh në disa prej tyre s’ka fare.

“Qyteti i Durrësit prej një jave s’ka asnjë rast pozitiv me COVID-19, pse izolohet si zonë e kuqe”, tha mjeku Alimehmeti.

Ai tha se,“kur ke kaq pak raste, kur s’ke asnjë rast sot në Krujë, kur ke dy raste në Tiranë dhe asnjë në Durrës prej më shumë se një jave, s’ke pse i mban këto bashki në zonat e kuqe”.

“Unë bëj pjesë të ajo masa që thonë që nuk duhen mbajtur këto masa. Në bazë të evidencave këto masa duhet të lirohen siç po lirohen”, përfundoi mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti./atsh

“Prej ditësh në disa zona të kuqe asnjë rast me COVID-19″/Mjeku Alimehmeti: Këtë vit duhet të bëjmë plazh Read More »

Rama për televizionin kroat: Idetë më të mira për të ardhmen e Europës gjenden në Ballkan

Javën e kaluar në Zagreb u zhvillua një samit online, ku morën pjesë udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Redaktorja e çështjeve të jashtme të Televizionit N1, Ivana Dragiçeviç, bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përshtypjet e tij për samitin dhe perspektivën europiane të rajonit.

Samiti që mendohej të ishte kurora e presidencës kroate të Këshillit të Bashkimit Europian, u zhvillua nën hijen e krizës së COVID-19 dhe online. Dhe ne pamë që në tekstin e deklaratës së miratuar, nuk përmendej as zgjerimi i BE-së dhe as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut. Dhe kjo ndodhi pasi BE kishte dhënë dritën jeshile në mars që të dy vendet të fillonin negociatat e anëtarësimit. Cili është reagimi juaj për këtë?

Së pari, unë dua të them, jo ​​për hir të formalitetit, por sepse meriton të përmendet, se Presidenca Kroate ka qenë vërtet shumë e mirë. Dhe mund ta them këtë sepse mund ta krahasoj me presidencat e mëparshme. Kjo presidencë ishte ajo që nxori në pah më së miri Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të adresuar një perspektivë të përbashkët të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Së dyti, fjala “zgjerim” është një fjalë shumë e vështirë, më e madhja dhe më e vlefshmja në Bashkimin Europian, por më shumë se kaq nuk do të doja të ankohesha për këtë sepse në fund të fundit këto janë dokumente që i përkasin arkivave, ato nuk vlejnë për punën e vërtetë.

Nëse flasim për punën e vërtetë – atëherë tani ne kemi këtë metodologji të re. Ju përmendët vendet e mëdha dhe të pasura, dhe ne jemi në dijeni për debatin që ka vazhduar për këtë, por në thelb zgjerimi është politika strategjike e BE-së. A mendoni se kjo metodologji e re gjithashtu i jep një lloj pronësie mbi këtë proces shteteve anëtare? A ngjall besim te të dyja palët? Sepse ne e dimë që kishte mungesë besimi për shkak të situatave të brendshme politike në vende të ndryshme të BE-së. A mundet tani Holanda, Danimarka apo ndonjë vend tjetër të thotë se ju nuk keni bërë diçka që në thelb ju e keni bërë? Pra, si e shihni gjithë këtë proces?

Sigurisht që ato munden. Dhe gjithmonë munden. Para së gjithash, metodologjia e re ishte një rrugëdalje nga një bllokim. Së dyti, kur e kalon atë – kjo varet vërtet, nga mënyra se si dikush do ta përdorë. Dhe nga përvoja mësuam se për ne, dhe në përgjithësi për vendet që janë të vogla dhe nuk janë të pasura, se gjithmonë flitet për rregulla, rregulla, rregulla. Për të tjerët, vendet më të mëdha dhe më të pasura, gjendet gjithmonë një mënyrë. Pra, nëse ato duan të shohin diçka në një mënyrë të caktuar, do ta shohin atë gjithmonë në këtë mënyrë të caktuar. Nëse dëshirojnë ta shohin atë në të kundërt, do ta shohin atë në të kundërt.

Kështu ndodh. Dhe në fund të fundit nuk mund të ketë ndonjë ndryshim. Ato themeluan BE-në, ato janë të fuqishme, ato kanë të drejtën e tyre të ushtrojnë fuqinë e tyre, dhe kushdo do ta bënte këtë. Unë nuk do të ankohesha për këtë. Thjesht do të thosha që ka disa gjëra të mira në metodologjinë e re, dhe nëse ato materializohen në të mira në jetën reale, kjo do të ishte diçka e shkëlqyer. Nëse jo, jo. Pra, nuk ka asgjë për t’u çuditur.

Më korrigjoni nëse gaboj, por mua më duket se jeni paksa i zhgënjyer.

Jo, nuk jam i zhgënjyer, thjesht jam realist. Unë mendoj se kështu është dhe nuk mund ta ndryshojmë këtë. Presidenca Kroate bëri shumë, dhe unë me të vërtetë mendoj se jemi të detyruar t’i jemi mirënjohës Presidencës Kroate dhe Kryeministrit tuaj, sepse ai u tregua shumë i zoti për të ecur përmes këtij labirinti që nuk është i lehtë, dhe duke i dalë në fund me diçka konkrete.

Natyrisht, ai mbështeti vullnetin politik të Gjermanisë dhe të të tjerëve, ndërkohë që edhe Franca ndryshoi kursin e saj. Kështu që, më në fund,ky proces u përfundua dhe ne arritëm t’i hapnim këto negociata.

Natyrisht që tani, nga deklarata e hapjes së negociatave dhe deri te hapja e vërtetë e tyre dhe deri tek procesi i vërtetë i anëtarësimit është një rrugë e gjatë. Ne e dimë këtë dhe jetojmë me të.

Për sa i përket kontekstit dhe planit që do të pasojë, a mendoni se deri në fund të këtij viti, gjatë presidencës gjermane, do të merrni një dritë jeshile ose një datë për të filluar konferencën ndërqeveritare?

Unë kurrë nuk u përgjigjem këtyre lloj pyetjeve. Pra,kur bëhet fjalë për të menduar se çfarë do të ndodhë kur BE-së do t’i duhet të marrë një vendim. Ju nuk e dini asnjëherë këtë. BE nuk është më e parashikueshme dhe nëse ju parashikoni, atëherë është më mirë ta luani mirë këtë kartë dhe thjesht të thoni “Jo”.

Por, me Presidencën Gjermane ka vend të themi që ata do të vazhdojnë të ecin në këtë drejtim, sepse Gjermania gjithmonë ka pasur një pozicion shumë të qartë për Ballkanin Perëndimor. Kancelarja gjermane ka një vizion shumë të qartë se nga vijmë, ndoshta për shkak të së kaluarës së saj, pasi ajo u rrit në një regjim komunist dhe gjithashtu për vendin ku duhet të shkojmë.

Tani, a do të ndodhë kjo? Unë nuk e di. Është më mirë të mos vësh bast për BE në kuptimin e parashikimit të këtyre gjërave. Po, mund të ndodhë.

Sa besim mund të ketë ndaj BE-së Shqipëria ose vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë proces, kur e dimë se ka shumë çështje të brendshme që duhet të zgjidhen brenda vetë BE-së? Sa besim ka midis qytetarëve në këtë proces dhe sa fuqi mund të ketë dikush që qeveris këto shtete për ta bërë atë më funksional?

Para së gjithash, një këshillë – kurrë mos i pyesni shqiptarët për këtë sepse ata kanë dashuri të pakushtëzuar për BE-në dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me rrëmujën në të cilën BE ndodhet sot, ose çfarëdo që përfaqëson BE-ja ndërsa flasim, lidhur me kushtet e pasigurisë, mungesës së strategjisë e tjerë.

Bëhet fjalë për të qenë pjesë e një hapësire ku kemi zgjedhur lirisht që të jemi dhe ku mund të jemi të lirë.

Ne asnjëherë nuk mundëm të zgjidhnim. Ne jetuam nën Perandorinë Osmane, jetuam nën fashizëm, jetuam nën komunizëm, ne kishim një mbretëri të vetëkrijuar, mbretëria e fundit në Europë e krijuar nga një ish-ministër i Brendshëm. Kështu që BE për ne është gjithçka. Prandaj është më mirë që të mos pyetemi për këtë, sepse rrezikojmë të keqkuptohemi.

Si kryeministër, keni punuar në reformimin e sistemit gjyqësor, zbatimin e sundimit të ligjit, të gjitha këto reforma që kërkohen nga BE. Por, ju ishit kundër një rezistence dhe stereotipeve ndaj Shqipërisë në BE. A mendoni se kjo marrëdhënie mund të ndryshojë në të ardhmen?

Unë do të thosha që e kaluara është një arsye shumë e rëndësishme pse ne jemi kaq të dashuruar pa kushte me BE-në, nëse mund të them kështu, dhe pse këmbëngulim të “martohemi” me të. Por, edhe pse, nga ana tjetër,edhe ata insistojnë se duan të “martohen”, nuk duket se e duan këtë. Por, ne do të vazhdojmë të ngulim këmbë derisa të martohemi.

Për sa i përket së ardhmes, më lejoni të them se, ashtu si vendet e tjera mund të dëshmojnë, në kuptim të fakteve dhe jo të opinioneve apo ndjenjave publike, se procesi i anëtarësimit në BE është shumë i dobishëm për një vend. Kjo nuk është diçka që bëhet për të kënaqur ata në Bruksel, Hagë apo Berlin. Kjo është për të ndërtuar një shtet të bazuar në parimet e pushteteve të pavarura, të institucioneve funksionale e tjerë. Të cilat, përndryshe, nuk do të mund t’i ndërtonim, sepse nuk kemi një traditë të tillë, siç thashë më lart.

Pra, ajo që na mungon për sa i përket traditës, ne po e kompensojmë me këtë proces. Për shembull, ne po ndërtojmë një sistem gjyqësor të pavarur në Shqipëri, ku nuk kemi pasur kurrë një gjyqësor të pavarur dhe ku jemi të gjithë kushërinj dhe kjo mendoj se është njësoj edhe për ju kroatët, por nuk dua ta përmend… Kështu që, nuk është e lehtë.

Pa BE-në, pa këtë udhërrëfyes, kjo shtytje dhe kjo tërheqje, dyshoj se ne do të mund ta realizonim. Pra, është një mjet unik për të ndërtuar një shtet.

Të gjitha këto janë përmendur në Deklaratën e Zagrebit, së bashku me gjërat që ne ende kemi të gjitha të përbashkëta, pavarësisht nëse jemi në BE apo jo si trajtimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar… Ne e dimë se Ballkani perceptohet nga mënyra se si është dhe se ai është ai që është. Por, në vendin tuaj keni pasur një rezistencë të fortë nga opozita, keni pasur protesta në rrugë vitin e kaluar, keni pasur përplasje me Presidentin. A mund të na siguroni se demokracia po funksionon në Shqipëri?

Siç e thashë tashmë, kur gjykoheni nga të tjerët, dhe ju ndodh që të jeni të vegjël dhe nuk jeni të pasur, duhet të vuani paragjykime që mund të jenë ekstreme. Kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Po, krimi i organizuar është një problem, por krahasuar me krimin e organizuar të Europës, krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor është i vogël. Por, duke qenë i vogël, kjo gjithashtu është diçka që mund të jetë shumë e veçantë dhe nganjëherë shumë shqetësuese për fqinjët. Dhe kjo është arsyeja pse ata kanë të drejtë të ankohen për këtë.

Në të njëjtën kohë, ne na duhet të merremi me të gjitha këto çështje. Ne duhet të shohim veten dhe të mos fajësojmë askënd tjetër për këtë, sepse në fund është e dobishme për ne. Nga ana tjetër, po, ne kemi problemet tona, mosmarrëveshjet tona, mënyrën tonë të gjykimit të këtyre gjërave. Dhe ju e dini, në Ballkan apo në Mesdhe, njerëzit kanë emocione të forta, por, ka të bëjë edhe me rritjen në një hapësirë demokratike.

Ne jemi lindur, rritur dhe pjekur në një hapësirë ku tjetri nuk ekzistonte, kundërshtarët nuk ekzistonin dhe ku të menduarit ndryshe nuk lejohej. Tani na duhet të rritemi. Në këtë kuptim, është një demokraci e re, ende një demokraci adoleshente. Ne na duhet të piqemi më shumë, nuk është e lehtë, por do të mbërrijmë patjetër atje.

Por, a mund të na garantoni se jeni në këtë drejtim? Sepse t’i shikoje ato imazhe nga ky këndvështrim ishte diçka jo edhe aq e këndshme. E kam fjalën për protestat e vitit të kaluar në Tiranë.

Nëse do t’i kishit parë të njëjtat imazhe në Paris, atëherë do të thoshit se kjo është demokraci. Por, kur i shihni në Tiranë, atëherë thoni: “Ata janë të çmendur”. Dhe ne në fakt jemi diku në mes. Nganjëherë është një demokraci e të çmendurve, por sërish është demokraci. Është ajo që është. Ne duhet ende të rritemi dhe të piqemi.

Nëse flasim për të ardhmen, ne na duhet një e ardhme e qëndrueshme sa i takon ekonomisë. Kemi parë paketën e madhe ekonomike të akorduar gjatë Samitit të Zagrebit dhe që ka të bëjë me përballimin e krizës së pandemisë së COVID-19, por edhe me rimëkëmbjen social-ekonomike në vjeshtë. A mendoni se kriza social-ekonomike mund të çojë në trazira politike? Ne e dimë që Shqipëria përjetoi një tërmet të tmerrshëm në nëntor, kurse tani është kriza e korona virusit. Si do ta menaxhoni të gjithë këtë?

Kur u goditëm nga tërmeti, menduam se do të mbaronte me kaq. Por, nuk ishte e thënë, pasi mbërriti edhe pandemia. Ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Mendoj se është mirë që Europa po lëviz në këtë drejtim, për ne, për Ballkanin është mirë që në njëfarë mënyre u përfshi në këtë paketë ndihme. Do të shohim se për çfarë do të jetë. Është mirë që kanë qenë njëkohësisht të hapur ndaj idesë sonë lidhur me angazhimin me Bankën Qendrore Europiane, si vende jo anëtare të BE-së. Kjo është gjithashtu gjë e mirë.

Pra, në tërësinë e saj Europa është forcë e së mirës. Dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Sepse nganjëherë është e lehtë të fajësosh Europën, por në të njëjtën kohë pa Europën ne nuk do të ishim aty ku jemi – e kam fjalën për të gjithë ne.

Në rastin e tërmetit, ne u bëmë dëshmitarë të një solidariteti të madh. Meqë ra fjala, meqë nuk kam folur me median kroate që prej asaj kohe, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar qeverinë dhe popullin kroat që ishin aty për ne.

Nga dërgimi i një ekipi të jashtëzakonshëm shpëtuesish për të nxjerrë dhe shpëtuar njerëzit nga rrënojat, te premtimi i Kroacisë për ndërtimin e një shkolle këtu dhe pastaj përmes Presidencës kroate të BE-së. Të bën të ndjehesh shumë mirë. E vlerësojmë me gjithë zemër faktin që jemi miq kaq të ngushtë me Kroacinë, dhe që një mik kaq i ngushtë është në një pozicion për të të ndihmuar.

Sa i takon ekonomisë, meqë Shqipëria është fqinjë e BE-së, apo e rrethuar nga vendet e BE-së, që janë fqinjë të saj, ka pasur shumë ide për përmirësimin e bashkëpunimit. Njëra prej tyre është e ashtuquajtura ideja për “miniSchengenin”. Cili është qëndrimi juaj ndaj saj dhe ndaj idesë që ngjan gati-gati abstrakte, që shpesh konsiderohet si “bashkëpunim rajonal”? Duke marrë parasysh se kemi ende shumë çështje dypalëshe në rajon mes shtetesh, që ende nuk i kanë zgjidhur mes tyre, si çështja mes Kosovës dhe Serbisë, dinamikat e brendshme në Bosnje-Hercegovinë, për të mos përmendur fqinjin tjetër tuajin, Maqedoninë e Veriut.

Unë besoj fort se cilësia e jetës kur jetojmë së bashku, qoftë në një familje, brenda një ekipi sporti, një komuniteti, një organizate, biznesi, një shteti, rajoni dhe në botë, nuk ka vërtet rëndësi se sa biem dakord me njëri-tjetrin, por në mënyrën se si nuk biem dakord. Nëse nuk biem dakord në një mënyrë të qetë, është mirë, është jetë e mirë. Nëse nuk biem dakord në një mënyrë jo edhe aq të këndshme, atëherë jeta është e keqe.

Pra, ne kemi pasur shumë jetë të trazuar këtu në Ballkan, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë vijuar në një mënyrë aspak të këndshme. Dhe për të jetuar së bashku, për të gëzuar jetën së bashku, për të ecur përpara së bashku, ne nuk duhet domosdoshmërisht të biem dakord për gjithçka. Thjesht na duhet të gjejmë një mënyrë për të punuar së bashku dhe zgjidhur qetësisht mosmarrëveshjet tona. Dhe të përpiqemi dhe t’i zgjidhim ato me qetësi.

Pra bashkëpunimi rajonal është vendimtar për ne. Ju në Kroaci jeni pjesë e BE-së, kurse ne, jo. Dhe deri kur edhe ne të jemi atje, nuk e kuptoj pse ne nuk mund të jemi në gjendje të lëvizim lirshëm brenda rajonit tonë. Të kemi lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, që janë katër liritë e vetë BE-së.

Pra, përmbushja e këtyre katër lirive është ajo për të cilën dikush pati idenë e keqe që ta quante “miniSchengen”. Unë e urrej atë term, sepse vetë jam shumë i gjatë për të pranuar gjëra mini. Schengeni është përdorur si pikë referimi dhe ka të bëjë me këto katër liri brenda Ballkanit Perëndimor.

Pra, po, ka plot mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, por kjo nuk duhet të jetë pengesë ndaj bashkëpunimit. Dhe sa më shumë të bashkëpunojmë, sa më shumë të flasim, sa më shumë njerëzit do të mund të njohin njëri-tjetrin në nivelet e secilit prej tyre, në jetë, në biznes, shkëmbimet njerëzore, shkëmbimet kulturore dhe shumë gjëra të tjera, atëherë do të jetë më e lehtë për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për t’i rregulluar gjërat.

Përndryshe, nëse do të prisnim që të zgjidhim gjithçka para se të nisim të bashkëpunojmë, atëherë nuk do të jemi kurrë në gjendje, as të bashkëpunojmë dhe as të zgjidhim gjithçka.

Ju përmendët disa gjëra interesante, por unë do të doja t’i rikthehesha Deklaratës së Zagrebit. Për mua ishte interesante se si BE-ja kërkonte të theksonte qartësisht se janë ata që po investojnë më shumë se kushdo në Ballkanin Perëndimor, pasi diskutimi rreth Ballkanit Perëndimor është ende dominues në gjeopolitikë. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë, pasi kemi dëgjuar të flitet shumë rreth ndikimit të Rusisë, politikës së energjisë, ndikimeve të ndryshme strategjike… A është e vërtetë kjo histori, apo është thjesht një diskutim i nxitur nga shqetësimet brenda BE-së.

Ka fuqi të caktuara që sot janë në një pozicion më të mirë se Europa. Ajo që dua të them është se këto fuqi mund të bëjnë plane për 10, 20, apo edhe 100 vitet e ardhshme, kurse Europa bën plane vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Dhe i duhet të planifikojë shumë zgjedhje, dhe gjithsecili ka zgjedhjet e tij, dhe të gjitha këto kanë shumë rëndësi.

E kemi parë këtë në përvojën tonë, e kemi provuar këtë në lëkurën tonë. Çfarëdo ata thonë, ne e dimë këtë. Nëse ka zgjedhje diku, dhe ai vend është i rëndësishëm në vendimmarrje, atëherë ne na duhet të presim. Por pastaj u vjen radha zgjedhjeve në një vend tjetër dhe ne sërish na duhet të presim, e kështu me radhë.

Por, kur flasim për influencat, mendoj se është mirë që Komisioni i ri dhe presidentja e re e Komisionit kanë ardhur në një situatë ku njerëzit pak a shumë e kuptojnë që kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Nuk mund të ketë vetëm teknokraci dhe burokraci, por duhet të jetë më politike, më gjeopolitike. Kështu, le të shpresojmë që kjo do të materializohet edhe më tutje. Por duhet të them që sinjalet e deritanishëm janë inkurajues.

Kur vjen puna te Shqipëria, është paksa më e lehtë, pasi ne i njohim disa prej këtyre personave më parë dhe tani erdhi radha t’i njohim në mënyrën e vështirë. Pra ne nuk joshemi prej tyre. Orientimi ynë i vetëm është Europa dhe rruga jonë e vetme është Europa.

Në këtë vend e gjejmë të vështirë që të biem dakord edhe për ngjyrat – nëse unë them se diçka ka ngjyrë vjollcë, opozita thotë se është blu; ose, nëse ata thonë që është e verdhë, unë them që është portokalli. Ne e kemi të vështirë të merremi vesh për motin, apo se sa është ora. Por kurrë nuk e kemi pasur të vështirë të jemi në një mendje lidhur me drejtimin ku duhet të shikojë vendi dhe në cilin drejtim duhet të shkojmë.

Ne dikur ishim Koreja e Veriut e Europës, kishim regjimin më brutal dhe më të çmendur komunist, partinë komuniste më diktatoriale – ne jemi, mendoj, vendi i vetëm që nuk kemi pasur asnjë parti tjetër komuniste që prej ndryshimit të regjimit. Pra, në këtë aspekt, kjo është shumë e qartë. Nuk ka fuqi të tjera që do të mund ta transformonin Shqipërinë në një bastion, që do të shikonte në një drejtim tjetër.

Sikurse një poet i Rilindjes sonë ka thënë: “Ne jetojmë në një vend ku dielli lind aty ku perëndon”. Pra, është Perëndimi.

Konferenca e ardhshme “E Ardhmja e Europës” mund të na japë disa përgjigje se si Europa do ta transformojë vetveten. A mendoni se ekzistojnë ide në Ballkanin Perëndimor lidhur me të ardhmen e Europës dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në të sipas një formati të caktuar?

Mendoj se idetë më të mira rreth së ardhmes së Europës gjenden pikërisht në Ballkan, pa diskutim. Sepse ata janë të sinqertë dhe, sinqerisht, nuk ndikohen nga interesa personale. Ka vetëm një interes personal në Ballkan, të bëhemi pjesë e kësaj familjeje dhe t’i japim gjithçka kësaj familjeje.

Ndoshta, kur të mbërrijmë deri aty mund të mos i kemi më ide aq të mira se si duhet të jetë Europa, por, po, idetë më të mira për të ardhmen e Europës gjenden në Ballkan, por kjo është edhe arsyeja përse ato ide nuk janë të realizueshme./atsh

Rama për televizionin kroat: Idetë më të mira për të ardhmen e Europës gjenden në Ballkan Read More »

Pandemia/ Basha: Shqipëria, 10 herë më shumë të papunë krahasuar me vendet e tjera të rajonit

Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha deklaroi se, sot në Shqipëri ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës nga Rama, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Sa më shumë qytetarë takoj aq më prezent bëhet shqetësimi për rrënimin e ekonomisë shqiptare. Faturat dhe taksat e larta, rënia drastike e konsumit por edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e qeverisë Rama po e çojnë biznesin në kolaps dhe qytetarët drejt varfërisë së pashmangshme. Sot në Shqipëri ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës nga Rama, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, tha Basha.

“Të rinisësh normalitetin pa strategji dhe pa ndihmë konkrete siç bën Rama do të thotë t’i çosh qytetarët drejt krizës së thellë ekonomike dhe greminës së mjerimit”, u shpreh Basha.

“Pandemia ekonomike ka prekur shumicën e familjeve shqiptare që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Dhe jo për fjalë dhe show në Facebook”, theksoi Basha.

“Mbi 70% e shqiptarëve janë sot pa asnjë ndihmë ekonomike dhe pa të ardhura”, shtoi Basha. //atsh

Pandemia/ Basha: Shqipëria, 10 herë më shumë të papunë krahasuar me vendet e tjera të rajonit Read More »

Braçe denoncon abuzimin me çmimet në tregun agroushqimor në Tiranë: Grabitje e dyfishtë e fermerëve dhe qytetarëve

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka denoncuar sot abuzimet me çmimet që, sipas tij, bëhen nga tregu agroushqimor në Tiranë.

Braçe ka kryer një kontroll në orën 05:30 të mëngjesit të sotëm në tregun agroushqimor, duke e cilësuar si treg monopol, pasi sipas tij, abuzohet hapur me çmimet dhe nuk jepet asnjë faturë apo kupon.

Braçe është shprehur se dhe kur i pyet për çmimin, e caktojnë atë vetë sipas dëshirës, duke e vendosur aty për aty pa paraqitur asnjë kupon tatimor, asnjë faturë dhe duke fituar deri në 20 lekë për kilogram, më shumë se dhe vetë bujku që e prodhon dhe ua shet atyre me një çmim tepër të ulët 20-25 lekë.

“Grabitja e dyfishtë vazhdon! Prej orës 5:30 të këtij mëngjesi, isha në tregun monopol të Tiranës, tregun agroushqimor. Nuk u zhgënjeva! Një pazar tërësisht i paligjshëm, grabitës deri në fund. Në një orë rresht, në çdo cep të tij, në rrugë, kamionë, furgonë apo magazina, asnjë faturë! Asnjë kasë! Asnjë kupon! zero zero! Asnje etiketë çmimi! Çmime që vendosen aty për aty, me goje! Dëgjojini vetë. Sa është domatja? Po me 7 thotë ky! Sa është qepa? Me 400! Sa është patatja? Veri dorën dhe caktoje vetë çmimin! Dëgjoni vetë!”, ka theksuar Braçe.

“Pazar banal ku djersa e bujkut në 6-7 muaj për atë produkt shkon dëm e grabitur! Shkova sot në pazarin monopol agroushqimor të Tiranës sepse dje në Divjakë këta u rikthyen tek frikësimi i bujkut dhe dhuna mbi të; kanë grumbulluar nëpër fusha qepën me 20-25 lekë, pataten me 30-35 lekë! Pa faturë, autofaturë siç e quajnë, thjeshtë kanë ngarkuar, paguar atë çmim qesharak e kanë ikur. Një pjesë, më kopilat ndër këta pazarxhinj, kishin prerë fatura fiktive me çmim 40 lekë, një xhiro e neveritshme faturash që mbushen fiktivisht me dorë në çdo hallkë sa kohë këtu në Tiranë, pazarin qendror, nuk ka në qarkullim as faturë e as kupon në çdo shitje. Një pjese e tyre u kapën dje, u kontrolluan, u ndëshkuan, por shumica vijuan rrugën”, ka thënë Braçe.

“Sot, tek ky pazari i Tiranës çmimi i qepës ishte 30 lekë, 35 lekë, 40 lekë, 45 lekë në varësi të gojës, kurrë të faturës; jam vetë dëshmitari. pra, nëse bujku në Divjakë nuk po merr leket e tij nga qepa e prodhuar, këta pazarxhinjtë e Tiranës, thjesht nga Divjaka në ketë treg, fitojnë 5, 10, 15, 20 lekë për kilogram! Shume më tepër se bujku që në më të shumtën e herëve po fiton zero lekë!”, ka shtuar Braçe.

“Kështu edhe për pataten, domaten, specin, karotën etj, super produkte të Divjakës, Lushnjes, Beratit, Fierit. Më shumë krahasoni këto çmime të pazarit monopol të Tiranës me çmimet e po të njëjtave produkte që blini në tregjet e hapura të lagjeve apo dyqanet po aty. Qepa është 60 leke dhe tregtari fiton nga 15 deri 25 leke për kg, patatja është 70/80 leke ne varësi të gojës dhe tregtari fiton nga 30 deri 30 leke për kg, domatja është 110-120 leke dhe tregtari fiton 40 deri 50 leke për kg! E kuptoni çfarë grabitjeje?”, ka shkruar Braçe./atsh

Braçe denoncon abuzimin me çmimet në tregun agroushqimor në Tiranë: Grabitje e dyfishtë e fermerëve dhe qytetarëve Read More »