Andueli

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 243 qytetarë të testuar, dita me pozitivitetin më të ulët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se 24 orët e fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19 vetëm 4 persona.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Në 24 orët të fundit janë testuar 243 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Që nga fillimi epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend, ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64 %.

“Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitive 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Krujë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat. Të shëruar janë 28 qytetarë”, u shpreh Daja.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (12 Maj 2020)
Testime totale 11332
Testime molekulare 10802
Testime serologjike 530
Raste pozitive 876
Raste të shëruara 682
Raste Aktive 163
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 70
Krujë 51
Shkodër 16
Kamëz 12
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 2
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 4 raste të reja nga 243 qytetarë të testuar, dita me pozitivitetin më të ulët Read More »

Balla në spitalin “Shefqet Ndroqi”: Falë punës suaj, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë

Në ditën Ndërkombëtare të Infermierit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, Klodiana Spahiu shpërndanë karajfila në shenjë mirënjohjeje për stafin e infermierëve në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, të cilët janë në vijën e parë të luftës përballë COVID-19.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se falë punës së mjekëve dhe infermierëve, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë.

“Ju shpreh mirënjohje për atë për atë kujdes që keni treguar ndaj të gjithë personave që u trajtuan në spitalin COVID 2 dhe dita e infermierëve nuk është rastësi, që përkon pas ditës së Europës. Janë dy gjera që për Shqipërinë janë shumë të lidhura me njëra–tjetrën. E para, drejtimi i Shqipërisë mbetet ai i integrimit europian dhe e dyta, falë jush dhe kujdesit tuaj të veçantë, ne jemi ndër vendet e para në Europë sa i përket numrit të vogël të jetëve të humbura. Edhe pse çdo jetë e humbur është një fatkeqësi për çdo familje shqiptare”, tha Balla.

Ai u shpreh se “sot ne kemi mundësi të shohim përpara”. “Sot janë konstatuar vetëm 4 raste të reja. Të urojmë që të shkojë drejt përfundimit kjo situatë e cila ishte e jashtëzakonshme e që duhet të kalojë një brez për të kaluar një situatë e ngjashme si kjo. Na është dashur që brenda 3-4 muajve të kalojmë 2 fatkeqësi. Faleminderit infermierëve dhe mjekëve, sepse pa ata nuk bëhet protokolli mjekësor”, deklaroi Balla./atsh

Balla në spitalin “Shefqet Ndroqi”: Falë punës suaj, sot Shqipëria ka numrin më të ulët të viktimave në Europë Read More »

12 të shtruar në Klinikën Infektive, prej tyre dy në gjendje të rënduar

Në raportin e ditës së sotme, Klinika Infektive, njofton se në klinikë janë të shtruar 21 raste, 12 prej tyre janë me COVID-19.

Gjendja e pacientëve të sëmurë me COVID- 19 është si vijon: 8 raste janë në gjendje të stabilizuar, 4 raste janë në trajtim me oksigjeno-terapi dhe përkujdesje intensive.

Dy prej tyre janë në gjendje më të rënduar, njëra në repart e cila është edhe në hemodializë si dhe një rast tjetër me përkujdesje intensive ndodhet në repartin intensiv të kësaj klinike./KosovaPress/

12 të shtruar në Klinikën Infektive, prej tyre dy në gjendje të rënduar Read More »

Dita Ndërkombëtare e Infermierëve/ Meta: Institucionet, kujdes maksimal për vlerësimin e merituar

“Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, na kujton sot se mirënjohja e thellë, falënderimi dhe përkujdesja për heronjtë e ditëve tona, nuk duhet të shprehet vetëm në një ditë”, tha presidenti Ilir Meta.

Meta tha se “shoqëria jonë dhe institucionet shtetërore duhet të tregojnë kujdes maksimal për trajtimin dhe vlerësimin e merituar të infermierëve, të cilët me përkushtimin, profesionalizmin, sakrificat dhe dashurinë për jetën, shkëlqyen në vijën e parë të përballjes me COVID-19, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”.

“Krenar për ju dhe përherë mirënjohës”, tha kreu i Shtetit./atsh

Dita Ndërkombëtare e Infermierëve/ Meta: Institucionet, kujdes maksimal për vlerësimin e merituar Read More »

Shqipëria destinacion i pastër dhe i sigurt turistik

Aktiviteti turistik do të fillojë në respektim të masave të përcaktuara, sipas protokolleve që kanë hartuar ekspertët e shëndetësisë, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe pushuesve nga përhapja e COVID-19.

Kështu u shpreh Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit gjatë një interviste televizive ku ndër të tjera tha se, “në kushtet e mbërthyera nga pandemia, COVID-19, ky është një vit mbijetese për sektorët e ekonomisë dhe të turizmit dhe kjo situatë nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën”.

“Kur flasim për parashikime të sektorëve të ekonomisë dhe atij turistik, duhet të kemi parasysh që pandemia nuk është konsideruar e mbyllur nga ekspertë shëndetësor. Kemi një liberalizim të fashave orare, duke marrë në konsideratë pikërisht ato që janë më të rëndësishme sot respektimin e masave që na vijnë nga ekspertët, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe të vizitorëve”, – tha Moçka.

Ajo që është e rëndësishme, nënvizoi ajo, është fakti që të rikthejmë aktivitetin e sektorëve ekonomikë dhe të turizmin duke respektuar protokollet e posaçme që janë një detyrim nga ekspertët e shëndetësisë, në kushtet kur pandemia nuk ka mbaruar dhe nuk ka një mënyrë sesi ne të mbrohemi përveç atyre masave që kanë rekomanduar ekspertët e shëndetësisë, distancimi fizik dhe higjiena.

Duke u ndalur në mbështetjen që ka dhënë qeveria për sektorin e turizmit në kushtet e pandemisë Moçka tha se, “në ndryshim nga shumë vende të tjera, turizmi ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë që ka sjellë të ardhura rekord, ndaj turizmi ka marrë një paketë të posaçme ndihme, e konsideruar si paketa e pagave të luftës dhe jo e luksit, që do të thotë, ndihmë për të përballuar këtë situatë të vështirë. Për të vijuar me atë që quhet kredia për sektorin turistik. Janë këto disa mekanizma të ndërmarra nga qeveria shqiptare për sektorin turistik në këtë kohë të vështirë”.

Ajo tha se, pagat e luftës ka funksionuar për tre muaj, duke marrë në konsideratë që ky sektor të rinisë aktivitetin turistik.

Moçka tha se, “turizmi i brendshëm është një nga potencialet më të mëdha të rimëkëmbjes së sektorit, ndërsa është grupi i posaçëm i ekspertëve që njofton për liberalizmin e masave që do t’i paraprijë edhe hapjes së kufijve”.

“Është e rëndësishme të ruajmë emrin destinacion turistik, pasi vendet turistike janë duke marketuar nën këtë slogan, si vende të pastra dhe të sigurta nga COVID-19. Ndërsa do të kemi një liberalizim të masave të mëtejshëm, që nis më 18 maj me riaktivizimin e bareve dhe lokaleve, por që të gjithë duhet të tregohemi të përgjegjshëm në zbatimin e masave mbrojtëse”, – tha ajo. /atsh

Shqipëria destinacion i pastër dhe i sigurt turistik Read More »

Epidemiologu Alimehmeti: Shqipëria e ka kaluar tashmë ciklin e koronavirusit por duhet kujdes

Epidemiologu, Ilir Alimehmeti në një nga mediat e vendit deklaroi se Shqipëria e ka kaluar tashmë ciklin e koronavirus dhe ndaj numri i të prekurve ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

“Sa është i përhapur vërtetë virusi nuk mund ta themi dot vetëm përmes tamponit, tamponi është vetëm një fotografi e momentit. Mund të themi që për momentin ky virus e ka bërë ciklin e vet, pasi që në fillim mendohej se do të ishte rreth 10 javë, pra rreth 70 ditë. Ne sot jemi në ditën e 100-të dhe mund të themi qartësisht se këtë cikël e kemi plotësuar”, tha mjeku.

Alimehmeti theksoi më tej se me rritjen e temperaturave, në vendin tonë do të ulet ndjeshëm mundësia për t’u infektuar nga koronavirus, por kjo nuk do të thotë se do të zhduket plotësisht.

“Fuqia e virusit ulet në temperaturë të lartë. Nuk e zhdukin komplet por e minimizojnë mundësinë ngjitëse të tij në temperatura të larta. Shfaq një sezonalitet, por ndryshe nga gripi, koronavirus në verë nuk zhduket komplet. Temperatura do na ndihmojë shumë por nuk do ta zhdukë. Ky virus jeton shumë pak në ambient me diell”, u shpreh epidemiologu.

Më tej, ai theksoi se virusi do të ketë një rikthim në vjeshtë. Lidhur me teoritë se virusi është krijuar në laborator, ai tha se, nuk ka asnjë provë dhe asnjë studim të vetëm që e mbështet këtë ide, pasi të gjitha studimet tregojnë se është krijuar nga natyra. “Së pari nuk ka asnjë provë dhe asnjë studim të vetëm që ky virus është krijuar në laborator. Ky virus është krijuar në mënyra natyrore dhe nga kafshët është transmetuar tek njeriu. Për sa do të kemi ne jetë viruse dhe bakter të reja do të ketë gjithmonë”, tha Alimehmeti. /atsh

Epidemiologu Alimehmeti: Shqipëria e ka kaluar tashmë ciklin e koronavirusit por duhet kujdes Read More »

Situata në spitalet COVID e qëndrueshme/ 28 pacientë të shtruar, 3 prej tyre në terapi intensive

Në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” në Tiranë situata paraqitet e qëndrueshme prej ditësh, ndërsa aktualisht po marrin shërbim 28 pacientë.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete”.

“Më pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, – tha Tomini.

Në 24 orët e fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Sot është shënuar numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit./atsh

Situata në spitalet COVID e qëndrueshme/ 28 pacientë të shtruar, 3 prej tyre në terapi intensive Read More »

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare

Rregullat e mbylljes në shtëpi kanë mërzitur disa njerëz në Shqipëri, por, me krahët e tyre ”të prerë” për shkak të pandemisë së koronavirusit, ata kanë lejuar që flamingot dhe zogjtë e tjerë të lulëzojnë në një lagunë bregdetare pranë detit Adriatik, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post”.

Zyrtarët lokalë dhe banorët thonë se popullsia e flamingove ka arritur deri në rreth 3 000 në Lagunën e Nartës, një habitat i rëndësishëm i shpendëve ujorë, që u kthyen në vitet e fundit pas një mungese të gjatë.

Vëzhguesit e zogjve gjithashtu kanë vërejtur më shumë pelikanë, çafka dhe specie të tjera këtë pranverë në lagunën 28 ​​kilometra katrore, që ndodhet 145 kilometra në jug të Tiranës.

“A nuk është e bukur të shohësh flamingo të patrembur përreth?”, pyet Dhimitër Konomi, pjesë e një grupi lokal që administron peshkimin tregtar në Lagunën e Nartës, ndërsa zogjtë e mëdhenj me qafë të gjatë qëndrojnë në ujërat e cekëta.

”Ndalimi i funksionimit të një kriporeje dhe ulja e aktivitetit njerëzor të të gjitha llojeve gjatë pandemisë shpjegon pse zogjtë po grumbullohen në lagunë”, thotë Nexhip Hysolokaj, një ekspert rajonal i biodiversitetit.

”Flamingot janë një specie shumë delikate dhe mospasja përreth automjete ose vizitorë u përshtatet atyre”, shton ai.

“Ata kanë gjetur ushqim dhe qetësi dhe kjo ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të shumohen”, tha Hysolokaj.

Studiuesit planifikojnë të studiojnë flamingot për të parë nëse qetësia e krijuar nga koronavirusi është e favorshme për shndërrimin e lagunës në një vend ku mund të bëjnë fole dhe të shumohen.

Konomi thotë se një lagune e mbushur me jetë është një thesar që mund të nxisë turizmin.

Por, Hysolokaj është më pak i prirur të tërheqë turistët konvencionale në lagunën që është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me dunat rëre, ligatina, ishuj dhe plazhe që mbështesin faunën e larmishme si dhe zogjtë.

Ai e përshkruan atë si “mushkëritë” e Vlorës, qyteti më i afërt.

“Duhet të ketë një turizëm të qëndrueshëm, por alternativ. Natyrisht le të vijnë kampistë, t’i përdorim plazhet, të përdorin biçikletat apo udhëtimet edukative sepse Vlora është shumë afër”, shton ai./atsh

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare Read More »