Andueli

Ministria e Shëndetësisë: 45 raste të reja, 2 humbje jete dhe 57 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 45 raste pozitive.

Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik duke informuar sot për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë, theksoi se “vijon të ketë shtrime të reja në spital me simptoma të rënduara si pasojë e COVID-19 dhe raste të reja pozitive të identifikuara nga epidemiologët në terren. Fatkeqësisht, një 74-vjeçare nga Shkodra dhe një 82 vjeçare nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv si pasojë e insuficiencës respiratore progresive, pavarësisht trajtimit në terapi intensive dhe përpjekjeve të stafit mjekësor”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave”, – tha Dervishi.

Sipas saj, aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 45 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 21 raste në Tiranë, 10 në Shkodër, 4 në Elbasan, nga 3 raste Delvinë, Kurbin, nga 1 rast në Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 1516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 999 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

“Numri i rasteve të rritura në 2 javët e fundit e ka vendosur sistemin shëndetësor në gadishmëri të shtuar, por në të njëjtën kohë është edhe një apel për të gjithë qytetarët për të qenë bashkëpunëtorë në këtë betejë. Ju lutemi, respektuar rregullat, duke ruajtur distancën nga njëri tjetri, duke mbajtur maskat në ambientet e mbyllura ku nuk është e mundur të ruhet distanca, duke ruajtur higjienën personale, duke ruajtur veten dhe të tjetër në mënyrë që të kufizojmë sa më shumë që të jetë e mundur përhapjen e COVID-19”, – tha Dervishi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh.

Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes. Në rast se ju apo një i afërm i juaji keni shenja klinike të COVID-19, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

COVID-19 – Statistika (1 Korrik 2020)
Testime totale 27303
Raste pozitive 2580
Raste të shëruara 1516
Raste Aktive 999
Humbje jete 65 (Qarku Tiranë 36, Durrës 11, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 9, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 367
Durrës 201
Shkodër 150
Vlorë 110
Fier 47
Lezhë 42
Korçë 28
Kukës 19
Elbasan 16
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 6/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 45 raste të reja, 2 humbje jete dhe 57 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të Asamblesë së OKB-së/ Kim uron Besiana Kadarenë: Pozicion i rëndësishëm

Shqipëria është zgjedhur sot në postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar sot ambasadoren e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Besiana Kadare për këtë arritje.

“Përgëzime Besiana Kadare për zgjedhjen e Shqipërisë në këtë pozicion të rëndësishëm”, është shprehur ambasadorja Kim.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare u shpreh sot se “është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia”, tha Kadare.

“Është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një shikueshmëri të madhe në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo./atsh

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të Asamblesë së OKB-së/ Kim uron Besiana Kadarenë: Pozicion i rëndësishëm Read More »

Të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, OFL kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 4 personave

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve.

Konkretisht i është nisur kërkesë shtetasit H. A., banues në Fushë Krujë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; shtetasit M. K., banues në Krujë, nën hetim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Po ashtu, OFL i ka nisur kërkesë për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë edhe shtetasit A. H., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”; si dhe A. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special./atsh

Të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, OFL kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 4 personave Read More »

Dita Ndërkombëtare/ Ambasada e SHBA-së: Roli i parlamentit më jetik se kurrë në kohë krize

Në ditën ndërkombëtare të parlamentarizmit, Ambasada amerikane në Tiranë ka përcjellë një mesazh për rolin e parlamentit, duke theksuar se “parlamentet e fortë janë një gur themeli i demokracisë”.

Ambasada e SHBA-së shprehet se “parlamentet përfaqësojnë zërin e njerëzve, miratojnë ligje, shpërndajnë fonde për të zbatuar ligje dhe politika, dhe i bëjnë qeveritë të japin llogari. Ata punojnë për të siguruar që të gjithë njerëzit të përfitojnë nga politikat, veçanërisht ata më të pambrojturit”.

“Në kohët e COVID-19, parlamentet dhe institucionet e tjera qeveritare i nënshtrohen të njëjtave masave distancimi shoqëror si organizatat e tjera publike dhe private. Megjithatë, në një kohë krize, roli i parlamentit është më jetik se kurrë për miratimin e ligjeve emergjente, shpërndarjen e burimeve dhe shqyrtimin e veprimeve të qeverisë”, thekson Ambasada e SHBA-së. /atsh

Dita Ndërkombëtare/ Ambasada e SHBA-së: Roli i parlamentit më jetik se kurrë në kohë krize Read More »

Mjekët e infermierët, të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale si ditën e parë të epidemisë

“Mjekët dhe infermierët, aseti ynë më i çmuar janë sot e gjithë ditën në vijën e parë të përballjes me COVID19, vijojnë të jenë të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale, si ditën e parë të epidemisë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke publikuar foto nga qendrat spitalore ku mjekët e infermierët shërbejnë, theksoi se ata vijojnë të jenë të pajisur më së miri.

“Jo vetëm në spitalin infektiv, por kudo ku ata shërbejnë, nga qendrat shëndetësore në spitale, vijojnë të jenë të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale, si ditën e parë të epidemisë, duke ofruar shërbime për çdo qytetar në nevojë, me rihapjen e sistemit shëndetësor”,- theksoi Manastirliu

“T’i ndihmojmë të gjithë bashkë, të kufizojmë përhapjen e COVID-19, duke respektuar rregullat e thjeshta të higjienës, vendosjen e maskës dhe distancimin fizik! Bashkë kundër COVID-19″,- bëri thirrje ministrja Manastirliu. /atsh

Mjekët e infermierët, të pajisur me mjetet e mbrojtjes personale si ditën e parë të epidemisë Read More »

“Kosova nuk mund të jetë mish për top”/ Vetëdijësim ndërkombëtar për t’u kuptuar se një paçavure si kjo është fyese për kombin shqiptar

“Kosova nuk duhet të barrikadohet, nuk duhet ta ndalë dialogun dhe nuk duhet të nënvlerësojë rrezikun që vjen nga implikimet e këtij brutaliteti për të cilin kam ardhur këtu”, deklaroi sot nga Prishtina, Kryeministri Edi Rama.

Rama kujtoi një fakt, kur Kosovës iu kërkua të plotësonte kushtet për liberalizimin e vizave, kur edhe pse të gjitha kushtet u plotësuan doli që duhej bërë dhe demarkacioni me Malin e Zi”.

“Se çfarë lidhje kishte kjo me liberalizimin e vizave këtë e dimë, politike, se lidhje teknike nuk kishte. Nuk më rezulton se kishte ndonjë rrugë në atë zonë të kufirit që lidhte Prishtinën me Parisin apo Londrën. Ishte politike dhe ajo histori mbeti si lëmsh përpara në këmbët e Kosovës duke i thënë: zgjidheni këtë, kur ta zgjidhni do liberalizohen vizat. U zgjidh kjo dhe vizat nuk u liberalizuan. Mos u çudisni, nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet dhe nëse sot nuk shfrytëzojmë si komb, por në radhë të parë këtë duhet ta bëjë Kosova, Shqipëria ka detyrë vetëm ta mbështesë, këtë moment për ta rikthyer në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Gjenerata që kanë bërë luftën nuk janë më aty, pjesa dërrmuese e tyre janë në pension, flas në botën ndërkombëtare. Të tjerët ca i dinë, ca s’i dinë. Të gjithë nuk e dinë fare, flas në nivelet më të larta se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë dhe mbi luftën e Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

“Ka më pak se 10 vendime nga Haga për autoritet serbe për deportim të 1 milion njerëzve me dhunë, pa llogaritur 20 mijë raste përdhunimesh dhe pastaj edhe të gjithë të vrarët e të zhdukurit. Ndërkohë le të numërojmë sa janë personat që janë të proceduar në të gjitha ato shkallë gjyqesh, edhe këtu edhe në Hagë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa janë në Serbi ata që janë gjykuar për krime të luftës dhe Serbia në raport me krimet e luftës nuk i ka vetëm me Kosovën? Bëhen 20 vetë? Pra ka një disproporcion kolosal për të mos thënë tjetrën, shikoni nivelet e goditjes. Sigurisht është e vërtetë se në Hagë ishin Millosheviçi, ishte Presidenti, zv.kryeministri, Ministri i Brendshëm, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por ai ishte një shtet policor dhe agresor, me një formacion ushtarak që vepronte në mënyrë vertikale dhe që u angazhua për spastrimin etnik që kapi 1 milion të deportuar”, tha Rama.

Rama tha se “po t’i kthehemi pasqyrës nga ana jonë, e Kosovës gjendja është alarmante nga kjo pikëpamje”.

“Po të hyjmë brenda zhvillimit të gjithë proceseve, të gjitha janë bërë nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Nuk di unë të të ketë pasur asnjë autoritet shteti i Kosovës për t’i devijuar, mbyllur, penguar ato procese që kanë qenë gjitha nën monitorim ndërkombëtar. Nëse kjo situatë nuk bëhet publike dhe nuk vihet në rendin e ditës që të kuptohet mirë se Kosova nuk mund të jetë mish për top në mënyrë të vazhdueshme. Këtu vajza të reja dhe djem të rinj, ndoshta dhe më të rinj se vetë Kosova. Ka kuptim që gjyshërit dhe baballarët tuaj lëviznin lirisht në kohën e ish-Jugosllavisë dhe juve ju kërkohet vizë. Pse ndodh kjo? Natyrisht ka arsye politike në Europë ka dinamika të brendshme. Dje, komunikoja me Brukselin për listën e vendeve që do të hyjnë apo jo në rrugët e hapura për dy javët e para për koronavirusin. Bëhej diskutimi në Bruksel dhe kishte shtete europiane që thoshin: nuk duam të na vijnë këtu nga Ballkani, Turqia dhe bota njerëz të infektuar. Kjo është politike”, tha Rama.

Rama theksoi se “Kosova sot duhet të përfaqësohet e bashkuar dhe e vetëdijshme që duhet të zhvillojë 3 procese njëkohësisht”.

“Së pari, në procesin e vetëdijësimit të bashkësisë ndërkombëtare për nevojën që drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë dhe për nevojën që një paçavure si kjo të kuptohet pse është fyese për kombin shqiptar, pse është fyese për luftën, për ata që sot nuk jetojmë më jo thjesht për faktin se kryetari i shtetit merret dhe trajtohet si mostër që ha njerëz. E dyta, dialogu duhet të vazhdojë me kapacitete të plota dhe e treta, pa diskutim, nuk kam pikën e dyshimit që qëndrueshmëria në proces e Kosovës duhet të dëshmohet nga brenda jashtë, se nuk mund të vijë nga jashtë brenda”, tha Rama.

“Mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi në qëllim. Secili ka këndvështrimin e vetë për arritjen e qëllimit, por sigurisht që duhet të jemi respektues ndaj njëri-tjetrit kur mendojmë ndryshe nga njëri-tjetri. Nuk mundemi dot, të paktën për këto tema të mëdha dhe kjo është tema më e madhe e jona. Nuk kemi asnjë temë tjetër ne më të madhe se kjo. Integrimi në BE i Shqipërisë dhe i vetë Kosovës është një temë shumë e madhe, por jo kaq e madhe sa vetë njohja përfundimtare e Kosovës si shtet sovran edhe nga Serbia. Në këtë pikë, ne kemi shumë pak për t’u ndarë në armiq dhe tradhtarë. Zakonisht ata që bëjnë patriotin më të madh në këto raste janë ata që janë më të dyshuar për paaftësi për të parë të ardhmen”, tha Rama./atsh

“Kosova nuk mund të jetë mish për top”/ Vetëdijësim ndërkombëtar për t’u kuptuar se një paçavure si kjo është fyese për kombin shqiptar Read More »

Deputeti Kujtim Gjuzi përjashtohet deri në 1 korrik nga punimet e Kuvendit

Byroja e Kuvendit vendosi sot përjashtimin e deputetit Kujtim Gjuzi nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare deri më datë 1 korrik.

Sipas Urdhrit të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua mbledhja e Byrosë së Kuvendit, për shqyrtimin e ankesës së deputetit Kujtim Gjuzi kundër vendimit të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën “Për marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Kujtim Gjuzi “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare për 10 (dhjetë) ditë”.

Në fund të seancës Byroja vendosi përjashtimin e deputetit Kujtim Gjuzi nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare deri më datë 1 korrik./atsh

Deputeti Kujtim Gjuzi përjashtohet deri në 1 korrik nga punimet e Kuvendit Read More »

Vizita zyrtare në Kosovë, Rama takim me presidentin Hashim Thaçi

Në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë, Kryeministri Edi Rama u prit sot edhe nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takimin e organizuar në Presidencën e Kosovës, Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Më herët gjatë ditës së sotme Kryeministri Rama u takua me Kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e partisë “Nisma Socialdemokrate”, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë, sikurse shprehet “për të mësuar më shumë” në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli./atsh

Vizita zyrtare në Kosovë, Rama takim me presidentin Hashim Thaçi Read More »