Andueli

“Turizmi patriotik i nevojshëm”/ Klosi: Vetëm në 20 ditët e para të qershorit 120 mijë turistë të huaj

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “këtë vit turizmin patriotik e kemi shumë të nevojshëm dhe bëmë një gjë shumë të madhe e hapëm kufirin të parët në rajon. Vetëm në 20 ditët e para të qershorit janë 120 mijë pasaporta të huaja që janë futur në Shqipëri”.

Në një interviste televizive, Klosi tha se “është një shifër më pak se qershori i 2019-s, ku ishin 600-700 mijë, është një rënie e madhe e lëvizjes, por shpresojmë që në korrik dhe gusht, që ka dhe numrin më të madh të pasaportave të huaja, të ketë më shumë lëvizje”.

Sipas tij, çarteri parë turistik në Europë erdhi në Shqipëri nga Bjellorusia.

“Deri tani nga data 12 kanë ardhur 6 çarterë nga Bjellorusia. Çarteri i parë që Ukraina nxori me turistë ka ardhur në Shqipëri të premten, ndërkohë që do vijnë 5 çarterë në javë nga Ukraina. Ne bëmë disa lëvizje në kuadër të politikave që po ndjek secili shtet për të promovuar Shqipërinë si destinacion i qëndrueshëm”, – theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “jemi në shifra shumë të mira për sa i përket menaxhimit të koronavirusit”.

Më tej, ministri Klosi u shpreh se “dakordësitë dhe politikat e hartuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë bërë që turizimi të shndërrohet në një degë të rëndësishme të ekonomisë, por që padyshim ka nevojë për ndryshime të mëdha në infrastrukturë. Ka gjithashtu nevojë për investime nga bashkitë për të trajtuar zonat e turizmit, ka nevoja shumë të mëdha për politika fiskale, për politikat e ruajtjes së jetës së qytetarëve nga pikëpamja e rendit dhe shëndetësisë”.

“Është një sektor kaq miks, i cili pa i bërë qytetet të vizitueshme, pa investimet që janë bërë në infrastrukturën rrugore, në të gjithë imazhin e Shqipërisë turistike, por edhe pa investimet e jashtëzakonshme që janë bërë nga komuniteti lokal i biznesit do të ishte e pamundur të kishte progres”, – nënvizoi Klosi.

Ministri Klosi tha se “rritja e shifrave në këto 7 vite të qeverisë së Edi Ramës krahasuar me atë që gjetëm në 2013 është e dukshme. Nga më pak se 3 milionë turistë kemi vajtur në 6.4 milionë turistë e kjo dëshmon që ka një investim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e zhvillimit të infrastrukturës turistike”.

“Këtë vit kemi më shumë të nevojshëm se kurrë turizmin patriotik, në mënyrë që të afërmit tanë të vijnë t’i kalojnë pushimet në Shqipëri”, – tha Klosi./atsh

“Turizmi patriotik i nevojshëm”/ Klosi: Vetëm në 20 ditët e para të qershorit 120 mijë turistë të huaj Read More »

Ministria e Shëndetësisë apel bareve dhe restoranteve të zbatojnë protokollet higjieno-sanitare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bëri apel bizneseve, bar-kafe dhe restorante të zbatojnë me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë.

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “këto biznese duhet të kryejnë shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.

Ajo u shpreh se “për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me COVID-19, që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive”.

“Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike. Prandaj u drejtohemi si çdo ditë, qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e vendosura, të mbajnë maskën kudo ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik, kurse bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara, për të ruajtur punonjësit por edhe qytetarët të cilëve u shërbejnë”, tha ajo.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.

“Mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën. Biznese, bar, kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë. Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore”, tha Tomini.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të evitojnë festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar.

“Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19”, tha Tomini./atsh

Ministria e Shëndetësisë apel bareve dhe restoranteve të zbatojnë protokollet higjieno-sanitare Read More »

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Meta: Nevojitet strategji konkrete afatgjatë, për përballimin e përhapjes së pandemisë

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent”, deklaroi sot Meta.

“Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Gjithashtu, shtoi ai, “është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurt dhe të shpejtë nga pandemia”.

“Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë gjithë të prekurve, theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese”, tha Meta.

“Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”, u shpreh ai.

“Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij”, theksoi Meta./atsh

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Meta: Nevojitet strategji konkrete afatgjatë, për përballimin e përhapjes së pandemisë Read More »

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte paralajmëruar për sot daljen e tij të parë para mediave pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për qëllim krime lufte.

Dalja për media ishte pritur sonte, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kjo pasi Zyra e Presidencës ka njoftuar se adresimi publik i presidentit Hashim Thaçi shtyhet për nesër në orën 20:00./atsh

Aktakuza nga Gjykata Speciale/ Thaçi shtyn për nesër daljen para mediave Read More »

Zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, u rrit në mbi 15 mijë tonë në 2019-n

Në vitin 2019, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 15.011 tonë nga 14.875 tonë që ishte në vitin 2018, duke shënuar një rritje me 0,91 %.

Kategoritë ujore të peshkimit janë: det, bregdet, laguna, ujëra të brendshme, akuakulturë dhe molusqe.

Dy janë kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit, përkatësisht peshkimi “Detar” me 36,64 % dhe “Akuakultura” me 34,83 %, pasuar nga ujërat e brendshme me 18,46 %, ndaj prodhimit gjithsej.

Në vitin 2019, rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Ujërat e brendshme” me 14,20 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 8,56 % dhe kategoria “Akuakultura” me 1,77 %.

Kategoria ujore “Laguna” ka pësuar rënie me 73,25 %, krahasuar me një vit më parë, pasuar nga kategoria “Molusqe” me 2,98 %./atsh

Zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, u rrit në mbi 15 mijë tonë në 2019-n Read More »

“Menaxhimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura”/ BE mbështetje për mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar

Sektori i ujit është një nga gjashtë prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Projekti “Mbështetje e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, synon të forcojë kapacitetet në nivel kombëtar dhe vendor në sektorin e ujit.

Veçanërisht ky projekt fokusohet në mirëfunksionimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar.

Përmes këtij projekti mbështetet përmirësimi i performancës së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve dhe operimi dhe mirëmbajtja e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.

Po ashtu mbështetet rritja e kapaciteteve të personelit drejtues dhe teknik të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve përmes trajnimeve të ndryshme.

Edukim mbi rëndësinë e trajtimit të ujërave të ndotura është po ashtu në fokus të këtij projekti, përmes së cilit është kryer monitorimi i ujit. 38 shkolla dhe 2576 nxënës nga 9 qytete janë përfshirë në këtë projekt.

Informimi publik dhe biseda me qytetarët mbeten po ashtu të rëndësishme. Sipas të dhënave rreth 64% të qytetarëve janë të gatshëm të paguajnë për shërbime të përmirësuara të ujit dhe ujërave të ndotura./atsh

“Menaxhimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura”/ BE mbështetje për mirëmbajtjen e infrastrukturës përgjatë bregdetit shqiptar Read More »

Manastiri i Ardenicës dhe kisha e Karavastasë/ Gjurmë jetike të qytetërimit tonë, destinacione për t’u zbuluar nga vizitorët

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ftoi sot qytetarët që të vizitojnë Lagunën e Karavastasë, ndërsa sugjeroi vizitën në manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë.

Braçe shprehet se “këto janë gjurmët jetike të qytetërimit tonë”.

“Diell ka përsëri, vapa sapo ka nisur. Kështu që përfito edhe një herë e bëje të dielën tënde ndryshe! Vizito dy pasuri të jashtëzakonshme të religjionit e kulturës shqiptare, qytetërimit tonë, manastirin e Ardenicës dhe kishën e Karavastasë”, tha ai.

“Dëgjo, mëso, shiko, pyet e merr përgjigje, ndiz një qiri për vete e të dashurit e tu! Më beso është krejt tjetër gjë! Nise në manastirin e Ardenicës në Kolonjë, Lushnjë, të çon autostrada aty. Ngjitu sipër në një kodër pishash dhe e dallon lehtësisht nga arkitektura. Pastaj kthehu pas, tek Pushimi i Shoferit merr majtas drejt deri në fshatin Gur, aty merr majtas përsëri e vijon drejt për në Karavasta, Divjakë. Rruga të çon vetë deri tek kisha e kuqe e Shën Thanasit! Qetësi, paqe, histori, art, qytetërim, besim i fortë në Zot qysh para 250-300 vitesh”, vijon Braçe.

Ai shprehet se” veç detit, lagunës, parkut, kodrave të pyllëzuara e me liqene plot, vizitorët mund të shkojnë edhe në kishat tona”./atsh

Manastiri i Ardenicës dhe kisha e Karavastasë/ Gjurmë jetike të qytetërimit tonë, destinacione për t’u zbuluar nga vizitorët Read More »

Mjeku Harxhi mesazh qytetarëve: Sjellja individuale e rëndësishme në parandalimin e COVID-19

Nga ambientet e jashtme të spitalit Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku i njohur Arjan Harxhi ka apeluar për kujdes me qëllim parandalimin e COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e mjekut ndërsa ka theksuar se sjellja individuale është e rëndësishme në këtë periudhë pandemie që po kalojmë.

“Gjithësecili ka përgjegjësi e veta, përsa i përket kujdesit dhe parandalimit të COVID-19. Edhe sjellja individuale është shumë e rëndësishme. Ju lutem dëgjoni apelin e prof. Arjan Harxhit nga spitali infektiv. Me kujdes çdo ditë, e mundim”, shprehet Manastirliu.

Mjeku Harxhi thotë se pasojat e kujdesit apo moskujdesit tonë si individë, do të reflektohen në të ardhmen e afërt, të mesme apo qoftë edhe në atë afatgjatë.

“Me sëmundjet infektive është shumë e rëndësishme, dihet që çdo fushë ka përgjegjësitë e veta dhe duhet ta rishikojë këtë lloj pozicioni, përgjegjësitë që kanë institucionet shtetërore, që ka shoqëria, që ka individi sa i përket kujdesit të parandalimit por edhe për të parë sesi do të jetë pozicioni i secilit prej këtyre në të ardhmen e afërt, afatmesme dhe afatgjatë”, u shpreh Harxhi. /atsh

Mjeku Harxhi mesazh qytetarëve: Sjellja individuale e rëndësishme në parandalimin e COVID-19 Read More »