Andueli

Ambasada jep njoftimin e rëndësishëm për Shqiptarët në Greqi

Ambasada shqiptare në Greqi ka ndryshuar procedurën e aplikimit dhe marrjes së pasaportave dhe mjeteve të identifikimit, për shtetasit shqiptarë që punojnë apo edhe jetojnë në vendin fqinj.

Këto ndryshime vijnë pas ndtyshimve që janë bërë në krye të Ambasadës Shqiptarë në Athinë, ku pak ditë më parë u emëruar, Luela Hajdaraga.

Sot data e takimit jepet për 10 ditë pune nga momenti i aplikimit dhe shpërndarja e pasaportës realizohet për 4 javë, ndërsa premton akoma më shumë shkurtimin e kohës së pritjes.

“Të nderuar bashkatdhetarë, duke filluar nga data 27 korrik 2020 Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë ka kryer procedurat për pajisje me pasaportë për 19.331 shtetas”.

“Gjithashtu në këtë hapësirë kohore janë shpërndarë 18.575 dokumente biometrike”.

“Më e rëndësishmja në këtë iniciativë është fakti se sot data e takimit jepet për 10 ditë pune nga momenti i aplikimit dhe shpërndarja e pasaportës realizohet për 4 javë. Brenda muajit tetor 2020 koha e pritjes për marrjen e shërbimit do të shkurtohet në 5 ditë pune dhe në total pasaportat do të dorëzohen për 3 javë” – thuhet në njoftimin e Ambasadës Shqiptare në Greqi.

Në kuadër të angazhimit për rritjen e cilësisë së shërbimit të Zyrës sonë Konsullore, si dhe lehtësimit të procedurave ndaj qytetarëve tanë me banim në zonat e largëta, Ambasada Shqiptare në Athinë dhe edhe njoftimin e rëndësishëm:

Kanë mbërritur në Zyrën e Shpërndarjes pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë pasaportat dhe kartat e identitetit për aplikimet e kryera deri në datën 4 shtator 2020.

Spërndarja e dokumenteve biometrikë do të vijojë me të dy mënyrat:

Nëpërmjet tërheqjes në sportel nga vetë qytetari ose nga persona të tretë të pajisur me autorizim (deklaratë me përgjegjësi nga K.E.P), nga dita e hënë deri në të premte, ora 08:00-16:30.

Nëpërmjet shërbimit postar:

Bazuar në e-mailet e grumbulluara deri në datën 20 shtator 2020 në postën tonë elektronike [email protected]

Bazuar në deklaratat e plotësuara me adresat e sakta pas aplikimit në Zyrën Konsullore, praktikë e futur në zbatim nga data 21 shtator 2020.

Fillon shërbimi postar edhe për shpërndarjen e Kartave të Identitetit. Kjo do ju kursejë tashmë distancat dhe kostot që rrjedhin nga paraqitja e detyruar fizike në sportelin e Ambasadës. Aktivizimin e kartës suaj ID mund t’a kryeni në çdo zyrë aplikimi për pasaporta të vendit tuaj të banimit në Shqipëri, kur të gjendeni atje.

Gjithashtu, përsa i përket takimeve të ardhshme për aplikimet për dokumente biometrike, duke synuar që në ditët në vijim të zvogëlojmë dukshëm kohën e pritjes për marrjen e shërbimit, kërkojmë bashkëpunimin tuaj lidhur me:

Korrektesën në paraqitjen e dokumentacionit të detyrueshëm të kërkuar paraprakisht (Pasaportë, Kartë ID dhe faturën e pagesës). Pranë Ambasadës si mjete ndihmëse janë pozicionuar makineri ATM për pagesat me kartëmonedha dhe P.O.S për pagesa me çdo lloj karte bankare, megjithatë ne inkurajojmë qytetarët tanë, për shmangien e vonesave, të kenë parapaguar tarifat e tyre pranë degëve të Bankës së Pireut.

Respektimin e orarit të takimit.

Respektimin e numrit të rradhës.

Mbajtjen e distancave me njëri tjetrin.

Shmangien e grumbullimeve.

Hyrjen në sallë vetëm kur ka karrige bosh.

Minimizimin e diskutimeve në ambjentet e Zyrës Konsullore.

Që fëmijët të kalojnë një kohë cilësore ndërsa janë në pritje të aplikimit, tashmë kemi krijuar për ta një hapësirë të veçantë brenda Zyrës Konsullore e cila përmban Biblotekën e Lexuesit të Vogël, ku vogëlushët mund të shfletojnë libra shqip për të gjitha moshat. Sjellim në vëmendjen tuaj se pas përdorimit librat duhet të vendosen sërish në biblotekë për t’u përdorur edhe nga fëmijë të tjerë.

Meqënëse angazhimi ynë i lartë po i jep frytet e veta, urojmë që ato tashmë të jenë të dukshme dhe të prekshme edhe për bashkëatdhetarët tanë.

Duke ju uruar një fundjavë të mbarë, ju mirëpresim nga dita e hënë në shtëpinë tonë të përbashkët.

/NOA.al

Ambasada jep njoftimin e rëndësishëm për Shqiptarët në Greqi Read More »

Hapen pishinat dhe lokalet brenda/ Baret e natës vijojnë të mbyllura

Prej datës 1 tetor të këtij viti, në lokale dhe restorante do të lejhen edhe shërbimet në ambientet e brendshme.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Mnastirliu tha në një komunikim të posaçëm për mediat se përveç lokaleve dhe restoranteve, do të hapen edhe pishinat.

Kjo, sipas ministres, bëhet për t’i dhënë frymëmarje ekonomisë së këtyre bizneseve.

Ndërkaq, lokalet e natës dhe pabet, apo aktivitetet e orëve të mbrëmjes, nuk do të lejohen. /noa.al/

Hapen pishinat dhe lokalet brenda/ Baret e natës vijojnë të mbyllura Read More »

Moti/ Parashikimi 5 ditor i sinoptikanëve. Ja ç’pritet në këto qytete

Reshjet e forta të shiut janë vetëm fillimi i përkeqësimit të motit, pasi pritet të jenë më të forta gjatë ditës së diel dhe të hënën. Gjatë ditës së sotme sasia më e madhe e shiut ka rënë në Shkodër, 40 milimetra ndërsa në Tiranë kanë qenë 32. Më pak reshje ka pasur në Pogradec edhe në Korçë.

Ndërkohë sinoptikanët kanë bërë një parashikim 5 ditor të reshjeve të shiut. Sipas këtij parashikimi në Shkodër do të bien 160 milimetra shi, në punë 150, në Tropojë 140, në Lezhë 130, ndërsa në Tiranë sasia e shiut që pritet të bjerë është sërish e madhe, 120 milimetra shi, po kaq pritet të bjerë edhe në Sarandë e Gjirokastër. 100 milimetra do të bjerë në Durrës dhe në peshkopi ndërsa më pak reshje do të bien në Vlorë, Fier dhe Berat me nga 90 deri në 80 milimetra shi. Kjo është një sasi shumë e madhe uji që do shkarkohet brenda një kohe të shkurtër dhe do të rrisë së tepërmi nivelin e lumenjve dhe të përrenjve.
Konkretisht më së shumti rrezikohet që të shkaktohen problem në Shkodër për shkak se reshjet janë parashikuar të jenë 160 milimetra ose 160 litra për m2. Kështu në Shkodër rrezikon të dalë nga shtrati lumi Buna.

Ndërkohë lumenjtë e tjerë që pritet të sjellin problematika si pasojë e reshjeve janë: Buna, Fan, Mat, Drini i Zi, Shkumbini, Erzeni dhe lumi Drino.

Ndërkohë era sot do jetë problematike kryesisht në detin Jon ku shpejtësia mbetet rreth 65 km/h ndërsa nesër pasdite do ketë një tjetër forcim të erës në det dhe territor, duke arritur shpejtësi deri 75 km/h ndërsa dallgëzimi ne det ngjitet ne 6 ballë.
Reshjet mbeten prezente thuajse në gjithë vendin në formë rrebeshi.

Gazeta Sot

Moti/ Parashikimi 5 ditor i sinoptikanëve. Ja ç’pritet në këto qytete Read More »

‘Si e keni ndër mend të hyni në tempullin e qeverisjes?’/ Spiropali-opozitës: E pamundur të hyni nga dera

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e qeverisë, u shpreh sot se pushteti me vota e ka harruar opozitën.
“Nga Gërdeci në Gërdec. Si e keni ndërmend të hyni në tempullin e qeverisjes ju shakaxhinjtë e politikës?. “Nga dera? E pamundur të hyni nga dera. Nuk hyni dot nga dera. Edhe vetë e dini. Keni bërë aq prapësira sa shqiptarët nuk do ua hapin derën. Ju e keni harruar pushtetin me vota. Pushteti me vota ju ka harruar juve”- tha Spiropali.
“Por ju nuk epeni! Ju që nuk e merrni dot pushtetin me vota dhe nuk hyni dot në pushtet nga dera, pra, ju që pushtetin nuk e meritoni, ju që pa llokma pushteti ju dhemb koka, ju rritet temperatura, ju kap xerxeleja, një ide se nga doni të hyni në tempullin e pushtetit, e keni.”- u shpreh ajo
“Nga dritarja? Nuk duket ide e keqe për humbësa! Por halli është se dritaret e pushtetit janë po aq të dukshme sa edhe dera. Njerëzit janë aq të mllefosur me ju sa nuk do ju lënë të hyni nga dritarja. Nuk do ju japin as aq vota sa duhen për të hyrë nga dritarja”, vijoi Spiropali.
“Nga oxhaku? S’është çudi që ndonjë mëndjendrituri prej jush, nga ata që ju i keni me tepricë, t’i ketë lindur ideja e ngjitjes natën fshehtas mbi çati. Pastaj të zbrisni me litar nga oxhaku. Por oxhaku është i ngushtë, mund t’ju merret fryma. Për më tepër oxhaku nuk e nxë të gjithë lukuninë tuaj. Oxhaku është edhe plot me blozë. Kur të zbrisni mbi vatër do ju djegë zjarri, do jeni mysafirë të përcëlluar, të paftuar, të nxirë. Punë që s’bëhet. Nga oxhaku që i ngjan Kalit të Trojës, është hile që nuk ecën. Harrojeni. Të squtin që ua ka dhënë këtë ide linçojeni në televizionin e ri dhe të zi si oxhak me blozë pa asnjë transparence, që e keni ngritur me pare Gërdeci, domethënë me pare gjaku. Cilësojeni “kolonë e pestë e Edi Ramës në radhët tona” budallain maskara që ju dha idenë e marrjes së pushtetit nga oxhaku. Do ju besojnë fanatikët, besnikët, militantët tuaj që i keni stërvitur duke i rrahur me vaj e me uthull për një kohë të gjatë me klishera komuniste”- tha Spiropali.
“S’është çudi vijoi ajo, t’ju ketë vajtur mendja ta merrni pushtetin si në romanet e Kadaresë. Duke hedhur nga jashtë kërma për ta pushtuar tempullin e pushtetit me coftina dhe yxhyme si turqit kështjellat tona? Me topa balte? Me intriga orientale? Me rrena të mëdha e të vogla? Me pijanecë virtualë?”
“Do ishte e kotë. Do dështonit me sukses. Votuesit e sotëm shqiptarë nuk janë mesjetarë. Mesjetarë jeni ju. Me bombardim të tempullit?
E provuat para ca muajsh. S’ju ndezi. Ju paralajmëruan se do ju shpallin organizatë terroriste. Po e përsëritët, nuk do merren gjithë kohën me ju. Të dytën herë nuk ju paralajmërojnë. Ndoshta doni të vini në pushtet si Selam Musai që e zuri topin nga grika me gunë përmbi tela. Ose si Vojo Kushi që e pushtoi tankun duke i hedhur një granatë brenda. Kot e keni. As njëri as tjetri, dhe të tjerë si ata të dy, nuk janë tuajt”- deklaroi Spiropali.
“O zotërinj pa zotnillëk! E vetmja rrugë e juaja drejt pushtetit është ajo që keni nisur. Rruga e zvarrisjes. Llagëmet. Gjirizat. Rruga e miut.
Thirrini mendjes o të uruar. Të vini në pushtet ju duhen qindra-mijëra vota. Shqipëria nuk ka qindra-mijëra shejtan-budallenj, që të pranojnë t’ua blini votat me pare gjaku dhe me gënjeshtra”- u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se, “gjithsesi ju ca vota do i merrni. Por jo aq sa ju duhen për të hyrë në pushtet nga dera. As aq sa ju duhen për të na hequr frikën se mund të mbetemi në pushtet 20 mandate dhe 40 legjislatura. Shumë më pak. Ju do merrni aq vota sa meritoni. Aq sa u duhen krerëve tuaj të futen në parlament që të sigurojnë imunitet parlamentar për t’u ruajtur nga të papriturat që presin tek dera”.
“Nuk do merrni asnjë votë më tepër se sa duhen për t’i çuar opozitarët idealistë nga humbja në humbje dhe opozitën e kriminalizuar nga Gërdeci në Gërdec”, – deklaroi ajo. /atsh

‘Si e keni ndër mend të hyni në tempullin e qeverisjes?’/ Spiropali-opozitës: E pamundur të hyni nga dera Read More »

Mandati i tretë për Vlorën do të jetë mandati i çuarjes së energjisë së infrastrukturës brenda lagjeve dhe periferive

“Fitorja nuk është qëllim por është rezultati i punës për njerëzit”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama nga qyteti i Vlorës në një prononcim për mediet pas takimit të Asamblesë së PS-së në qytetin bregdetar, duke theksuar se është shpresëplotë për fitore.

“Sigurisht janë takime në funksion të betejës që kemi përpara për të adresuar probleme, për të trajtuar çështje të caktuara dhe për të mobilizuar veten në funksion të një beteje që absolutisht si çdo betejë, si çdo ndeshje fitohet atëherë kur mbaron, nuk është asnjëherë e fituar para se të mbarojë. Kështu që pavarësisht se ne jemi besimplotë që do të fitojmë duhet të bëjmë maksimumin, sepse fitorja nuk është qëllim në vetvete por rezultat i punës që bëhet për njerëzit në krye të detyrës”, deklaroi Rama.

Lidhur me nivelin e shërbimeve që administrata po ofron për qytetarët, Rama tha se ka një transformim të madh të punës së administratës në tërësi me revolucionin dixhital.

“Unë besoj që kemi bërë një transformim të madh të punës së administratës në tërësi me revolucionin dixhital. Janë miliona vajtje e ardhjet e kursyera për shërbime që deri dje merreshin duke u sorollatur. Por, nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk kanë të drejtë kur ankohen për adminitratën dhe se administrata është aty ku duam. Vazhdojmë punën për të përmirësuar administratën dhe pjesë e këtij problemi janë drejtues që nuk sillen në mënyrë të përgjegjshme. Kjo është një luftë e vazhdueshme dhe unë nuk dorëzohem. Njerëzit duhet të bëjnë durim, sepse është e lehtë të konstatosh, por shumë e vështirë ta ndryshosh këtë. Është e qartë që sa më shumë përmirësohemi aq më shumë bëhet e padurueshme mungesa e përmirësimeve të mëtejshme”, u shpreh Rama, duke theksuar se njerëzit edhe mund t’i kenë harruar radhët për të paguar dritat, apo për të marrë pensionin.

I pyetur lidhur me kandidimin e tij, Rama u shpreh se kandidon apo jo formalisht në Vlorë, “mua me Vlorën s’më ka ndarë e s’më ndan asnjëherë asgjë. Mandatin e tretë do të bëjmë edhe më shumë se këto dy mandate së bashku”.

“Eksperienca më ka mësuar se ndryshimi ka një impakt të madh energjizues si fillim, pastaj rrit shumë pritshmëritë dhe natyrshëm krijon pakanëqësitë, që do të thotë se shumëkush që jeton në lagjet periferike të Vlorës , ky ka qenë një debat që e kam patur në Tiranë si kryetar bashkie, sot thotë që bukur shumë çka është bërë, por këtu tek unë nuk është bërë ajo që prisja”, tha Rama.

Është gjë e madhe, shtoi ai, që pritshmëria është rritur, sepse nuk ekzistonte më parë pritshmëria, sepse ishin mësuar njerëzit me një nivel të caktur.

“Por kjo duhet adresuar dhe mandati i tretë për Vlorën duhet të jetë mandati i çuarjes së energjisë së infrastrukturës së qendrës së qytetit brenda lagjeve dhe periferive. Po ashtu edhe në rajonet që janë ish- komuna, ku janë bërë gjëra por ka akoma shumë për të bërë. Nuk është një objektiv hava, por realist që në fund të dekadës së ardhshme Vlora të ketë miliona turistë”, deklaroi kryeministri.

Lidhur me deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, Rama sugjeroi se duhet konsideruar për moshën që ka si një njeri që thjesht duhet lënë në vetminë e tij.

“Pastë jetë të gjatë e shëndet e i gëzoftë sa më gjatë nipat e mbesat, por Shqipërisë e shqiptarëve ska më se çfarë iu jep. Është për mua thjesht një person që duhet injoruar plotësisht”, shtoi kryeministri. /atsh

Mandati i tretë për Vlorën do të jetë mandati i çuarjes së energjisë së infrastrukturës brenda lagjeve dhe periferive Read More »

Mot i keq/ Parashikimi për javët në vazhdim shqetësues

Qeveria shqiptare lëshoi sot përmes ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, një alarm për motin e keq, duke paralajmëruar se javët në vazhdim do të jenë shqetësuese.

“Intensiteti i lartë i reshjeve siç e kemi parë edhe në Itali vjet apo në Francë më parë, mund të arrijë nivele të papërballueshme nga infrastruktura e kullimit dhe parashikimet për javën e ardhshme janë shqetësuese”, deklaroi Olta Xhaçka në një dalje të posaçme për mediat para pak minutash.
“Moti i keq mund të na ekspozojë në situata të papritura. Ndërtimet e pakontrolluara dhe kolektorët e bllokuar na ekspozojnë ndaj problemeve të ndryshme kur prurjet janë të nivelit të lartë. Forcat e Armatosura janë në gadishmëri. Jam shpresëplotë se falë asaj që kemi bërë nuk do të përsëriten më situatat e viteve të shkuara në Shkodër e Lezhë”, u shpreh Xhaçka.
Informacionet e marra nga Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit dhe nga qendrat sinoptike homologe të vendeve fqinjë flasin për një fundjavë të karakterizuar nga stuhi dhe reshje të mëdha shiu, të cilat mund të jenë shkak për përmbytje në disa zona, kryesisht në prefekturat Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier apo Gjirokastër.

Mot i keq/ Parashikimi për javët në vazhdim shqetësues Read More »

Reshjet e shiut/ARRSH: Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar se shiu i dendur ka përshkuar vendin gjatë natës së djeshme, por pa krijuar probleme në rrugët kombëtare.

ARRSH ka informuar ndër të tjera se ka pasur rënie gurësh, apo edhe degë pemësh të thyera, të cilat janë pastruar menjëherë nga kompanitë e mirëmbajtjes teksa në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht.

“Ka pasur rënie gurësh, apo edhe degë pemësh të thyera, të cilat janë pastruar menjëherë nga kompanitë e mirëmbajtjes. Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht”, njofton ARRSH..

Grupet e punës janë në terren duke mbajtur situatën në kontroll’’, ka njoftuar ARRSH. /atsh

Reshjet e shiut/ARRSH: Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht Read More »

Meta: Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet

Presidenti Ilir Meta ndan bindjen se demokracia nuk mund të sajohet, por se ajo kërkon energjinë e të rinjve.

Ai ndan një shkrim të cilin e quan një analizë të shkëlqyer të profesor Bajram Hysa, për të cilin thotë se na fton për reflektim të gjithëve:

“Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi”.

Ikja e të rinjve, po thahet demokracia- Nga Profesor Bajram Hysi

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-ës kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT. Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç. 15.3 mijë persona ishin të grupmoshës 18-34 vjeç. Mos vallë ne shqiptarët po jetojmë epilogun e kohëve biblike dhe të kohëve moderne?

Krizë e thellë besimi

Kush i shtyn vallë të rinjtë tanë të ikin në masë? Forca tërheqëse e pasurimit? Jo. “Kurrë mos beso se një njeri që kapet pas fitimeve materiale është i lumtur”, thoshte Seneka. Lumturinë dhe mirëqenien çdokush e sheh në vendin e tij. Por të rinjtë janë në krizë të thellë besimi. Janë të ndrydhur në vetvete, kur ndiejnë rreth vetes klimën e përjashtimit dhe mospranimit. Shteti ndaj tyre sillet si racist. I përbuz, i fyen me lloj-lloj formash. Kur aplikojnë për punë e kualifikime, dokumentet e tyre përfundojnë në kosh. Ata e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre, për të shfrytëzuar aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike. Për të mos folur për nevojtarët në zonat rurale, të cilët janë larg qendrave të debatit për të drejtat e njeriut. Përtej fjalorit patriotik, forumet tona akademike duhet të evidentojnë dhe debatojnë shkakun kryesor të këtyre ikjeve masive të të rinjve.

Prishen rregullat e lojës demokratike

Unë mendoj se ikjet masive ndodhin pasi të rinjtë tanë nuk kanë një kontratë me vendin e tyre, me kombin e tyre. Ata janë shqiptarë, por ndihen sikur nuk i përkasin Shqipërisë, sepse thelbi i përkatësisë në thelb është bashkësia kulturore. Në Shqipëri ka ndodhur një anomali historike, është shkërmoqur bashkësia kulturore që do t’u lejonte të rinjve të integroheshin në gjirin e kombit. Mbrojtja e demokracisë nuk i mobilizon, më tepër sesa shkelja e vlerave të saj. Të rinjtë që ikin nuk e kanë kuptuar siç duhet rëndësinë e rolit të tyre në jetën e kombit dhe pjesëmarrja e tyre ka ardhur duke u dobësuar. Ideja se disa çështje, mbi të cilat ata mendojnë se nuk kanë asnjë ndikim, zgjidhen pa pjesëmarrjen e tyre, pa dyshim shpjegon te të rinjtë dhe te grupet e varfra dhe më të prekshme njëfarë ftohtësie në lidhje me rregullat e lojës demokratike.

Demokracia kërkon energjinë e të rinjve

Ndaj është imperative që nxënësit dhe studentët duhen përgatitur me përgjegjësitë e njeriut të lirë të së ardhmes, të edukohen me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndryshe do të ketë pasoja afatgjata mbi fatin e të gjithëve. Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e këtyre të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet e thahet.

Qytetar i gjallë është ai që ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësues. Shumë të rinj, me prirje të larmishme politike, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, ndaj fati i zgjedhjeve mbetet në dorë të militantëve tradicionalë. Rama u bë autokrat pikërisht pse të rinjtë dhe njerëzit që presupozohen të jenë aktivë në jetën politike e sociale, i sundon ndjenja e apatisë dhe mosreagimit kur dhunohen dhe nëpërkëmben rregullat demokratike.

Duke iu nënshtruar skemave të mendimit autoritar të Kryeministrit, e lejuan atë të përvetësojë demokracinë, të bëjë një qeveri me njerëz të paditur, që shquhen vetëm si mjeshtër të korrupsionit dhe PPP-ve. “Rilindasit” kanë ndërtuar një pushtet për vete, që nuk ndahet me të tjerët, duke prodhuar skamje, varfëri ekstreme, vetmi të hidhur dhe shterpë. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk kanë një ide të qartë mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë shoqëria në shkallë lokale, ku pjesëmarrja e tyre është e fuqishme.

Dhe jemi në një situatë kur përjetojmë “melankolinë e demokracisë”. Kur një njeri i vetëm, i veshur me të gjitha pushtetet, bën çfarë t’i shkrepet. Hap e mbyll listat si t’i dojë qejfi. Ndryshon rregullat e lojës në mes të lojës.

Gjithçka buron nga kriza e sotme e arsimit

Të rinjtë kanë të drejtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por Shqipëria nuk i përgatit ata me përgjegjësitë e njeriut të lirë. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi. Liria është e pamundur për të paditurin. Ka vite që te ne ka munguar edukimi bazë. Është zbehur roli i shkollave. Është rrënuar prestigji dhe roli i universiteteve.

Qeveria kreu vetëvrasje ditën që ndryshoi ligjin e arsimit të lartë, duke cenuar autonominë dhe vënë në pikëpyetje rolin e universiteteve . Sot nuk ka programe që shkollat dhe universitetet të lidhen me jetën. Hendeku mes arsimit të ofruar dhe shijeve të nxënësve është jashtëzakonisht i thellë. Të rinjtë kanë një botë të vetën. Dikur ne ishim të mohuar si popull, sot të rinjtë mohohen si individë. Koha, energjia dhe fondet që i kushtohen edukimit themelor përbëjnë investimin njerëzor më përcaktues për të ardhmen e vendit.

Mjafton të përmendim se në vitin 2018, arsimit i janë akorduar fonde sa 2.47% e PBB-së, ndërsa në vitin 2019 ai nuk i kalon nivelet e mbështetjes së ofruar në vitin 2013. Shkollat dhe universitetet kanë për detyrë t’i përgatisin të rinjtë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, si qytetarë me të drejta të barabarta. Duket se PD-ja dhe opozita ka një projekt bashkëkohor për arsimimin dhe punësimin e të rinjve, për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Meta: Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet Read More »