Drejtuesit e automjeteve të cilëve u kalon afati i kolaudimit, nuk duhet të shqetësohen, pasi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, Drejtoria e Policisë Rrugore ka nxjerrë një urdhër që për këtë kategori automjetesh do lejohet qarkullimi me kushtin e vetëm që të kenë kryer pagesën e siguracionit teknik te mjetit.
Sipas urdhrit të datës 31/03/2020, i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti i Sigurisë Publike, theksohet se “në zbatim të masave kufizuese shkaktuar nga përhapja e pandemisë COVID 19 dhe shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka pezulluar aktivitetin për një periudhë të pacaktuar. Në këtë drejtim, Drejtoria e Policisë Rrugore dhe komisariatet rajonale të Policisë Rrugore udhëzohen të njohin lejet e qarkullimit, licencat, lejet e drejtimit të cilave u ka skaduar afati i përdorimit pas datës 13/03/2020, deri në një urdhër të dytë”.
Po ashtu, automjeteve që u ka skaduar afati i kontrollit fizik vjetor apo periodik, do vijojnë qarkullimin pa penalitete. Drejtuesit e këtyre automjeteve do jenë të detyruar të pajisen me policën e sigurimit të detyrueshëm të automjetit.
Në urdhëresë theksohet se gjobat, për rastet e shkeljeve, do të vijojnë të paguhen sipas afateve të përcaktuar nga legjislacioni. /atsh