Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë vizitës së sotme në Durrës ka zhvilluar një takim me drejtues dhe punonjës të Policisë vendore në qark, të cilët i falënderoi për gjithë angazhimin në përmbushje të detyrave.
Në takim, ministri Lleshaj tha se “vërtet duket sikur kemi sot dy herë më shumë polici. Në fakt, Policia është ai numër që ka qenë, por është shtuar prezenca, është shtuar koha e shërbimit për secilin prej jush. Kështu që gjej mundësinë që përmes jush t’i përshëndes dhe t’i falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë për angazhimin që po bëjnë”.
Lleshaj u premtoi nga Durrësi punonjësve të Policisë së Shtetit se do merren masa për kompensimin financiar të tyre.
“Sigurisht, qeveria mban shënim për këtë, në kuptimin që ne do të marrim masat e plota për kompensimin e përpjekjeve tuaja, në kuptimin e orëve shtesë, të ngarkesës së madhe që po mbani, por prapë theksoj se ne mbajmë një barrë të madhe për këtë situatë, pas barrës që mbajnë punonjësit e bluzave të bardha. Por ju, bluzat blu po ashtu, mbani një barrë të madhe në këtë situatë dhe duhet të vazhdojmë me këtë intensitet”, theksoi ai.
Po ashtu, Lleshaj shtoi se “e rëndësishme është që Policia nuk është përgjegjëse vetëm për koronavirusin, por është përgjegjëse për të gjithë atë gamë detyrash, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi, lufta ndaj krimit, parandalimi i krimit, lufta ndaj fenomeneve të tjera, që cenojnë rendin e sigurinë publike e shumë e shumë përgjegjësi të tjera”./atsh