Konferenca e Kryetarëve miratoi sot ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020 dhe vendosi thirrjen e seancës plenare në 16 prill.
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve. Konferenca u zhvillua online, me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex).
Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, informoi Konferencën e Kryetarëve se “Kuvendi i Shqipërisë ka vazhduar të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Dy javët e fundit komisionet e përhershme parlamentare janë mbledhur rregullisht online dhe kanë shqyrtuar e projektaktet e depozituara, të cilat janë përcjellë për shqyrtim në seancën plenare. Kjo situatë ka sjellë si domosdoshmëri edhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, për të parashikuar dispozitat e nevojshme të funksionimit të Kuvendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kur nuk është e mundur zhvillimi i mbledhjes me prezencën fizike të deputetëve.
Përvojat e parlamenteve të vendeve të BE-së, të përshtatura për kushtet e pandemisë, parashikojnë mbledhjen e seancave plenare me numër të kufizuar deputetësh, pa cenuar të drejtën e secilit deputet për të votuar. Prandaj edhe ndryshimet e propozuara, reduktimi i kuorumit e pjesëmarrjes dhe zhvillimi i mbledhjeve online, nuk cenojnë të drejtën e deputetëve të Kuvendit për te votuar. Ndërkohë, këto forma mbledhjesh nuk duhet të cenojnë etikën parlamentare, kërkesat dhe standardet për të cilën mbeten po aq rigoroze sa në kushtet e zakonshme.”
Konferenca miratoi me konsensus plotësimet në Rregulloren e Kuvendit, për rregullimin e funksionimit te veprimtarisë parlamentare në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe të pandemisë.
Konferenca shqyrtoi dhe miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 mars – 17 prill 2020, të cilët parashikojnë zhvillimin e seancave plenare në datat 16, 23 dhe 30 prill.
Në këto seanca do të kenë prioritet shqyrtimi e miratimi i akteve normative me fuqinë e ligjit dhe i projektligjeve që kanë lidhje me pandeminë COVID-19.
Seancat do të zhvillohen me pjesëmarrjen dhe prezencën në sallë të të gjithë deputetëve, me numër dhe kohë të kufizuar diskutimesh, dhe për të zbatuar standardin e distancimit social, për uljen e deputetëve do të shfrytëzohen edhe mjediset e tjera të sallës së seancave plenare.
Seancat do të jenë të mbyllura për publikun dhe do të sigurojnë akses për RTSH, i cili do të transmetojë live dhe do t’u mundësojë sinjalin edhe medieve të tjera.
Konferenca miratoi edhe rendin e ditës të mbledhjes së seancës plenare të datës 16 prill./atsh