Loading...

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve

Mazhoranca përveç ndryshimeve në Kodin Penal dhe atë Rrugor është duke vlerësuar dhe aktualizimin me situatën të rregullores së Kuvendit.

“Së pari duhet të sqarojmë se këtu bëhet fjalë për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve dhe dua të sqarojë se 99.9% e shqiptarëve i kanë zbatuar masat shtrënguese të deritanishme në mënyrën më të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti t’i falënderoj. Por kemi dhe një 0.01% të personave që jetojnë në Shqipëri të cilët ende nuk e kanë kuptuar që kjo është një luftë. Një luftë me një armik të padukshëm, që edhe pse jemi në një moment të mirë sa i takon shifrave dhe kurbës së ecurisë së kësaj pandemie në vendin tonë, na duhet që për këta 0.01%, ashtu sikurse dhe vendet e tjera, dhe në disa parlamente të tjera, janë depozituar dhe po diskutohen masa të tilla të aktualizimit të Kodit Penal”,- tha Balla.

“Një situatë e tillë nuk është parë kurrë. Kujtoj këtu, ashtu sikurse tha Kancelarja Angela Merkel, një situatë e tillë për Gjermaninë nuk ishte parë që nga lufta e dytë botërore. E pra, Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë sikurse dhe në vendet e tjera ka pasur deficite që duhen rregulluar, sepse moszbatimi i urdhrit të karantinës, apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, ngjitëse përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për COVID-19”, – tha Balla.

“Po bëjmë disa ndryshime penale jo vetëm për këtë pandemi, por duhet të jemi parashikues dhe për raste të tjera. Por betejën dhe luftën e kemi me COVID-19 momentalisht. Në këtë kontekst veç masave administrative, është e domosdoshme të aktualizojmë kodin tonë penal edhe me këtë rast”, – tha Balla.

“Unë ju ndoqa teksa ju transmetuat 9 raste të reja të identifikuara me COVID-19 në Shqipëri. Tre prej tyre janë në Elbasan dhe këta në Elbasan janë për fajin e disa personave të tjerë që kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Këta janë kontaminuar me virusin për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë që kemi vendosur”, – tha Balla.

Duke folur për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, Balla tha se do shqyrtohet dhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. “Në fund të fundit kuvendi duhet të japë një shembull të mirë të distancimit social. Kuvendi i Shqipërisë ka ushtruar aktivitetin e tij të domosdoshëm legjislativ duke përdorur teknologjinë. Situata të tilla të shkaktuara nga COVID 19 nuk i kemi parashikuar në rregulloren e Kuvendit, prandaj duhet që dhe në rregullore të ndërhyjmë. Kuvendi do mblidhet në datë 16 dhe do të diskutojë edhe për këto ndryshime”,- tha Balla, gjatë intervistës së dhënë pasditen e të enjtes për një media vizive. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com