Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se kanë aplikuar për të përfituar pagën e luftës 21 mijë biznese, nga të cilat për 12 mijë e 640 është miratuar kërkesa.
Pjesa tjetër, bëri të ditur Ibrahimaj në një prononcim në media, nuk përfshihet në kategorinë e personave që përfitojnë, ose strukturat e administratës tatimore po verifikojnë në terren situatën.
Ibrahimaj u shpreh se procesi i verifikimit të të gjitha rasteve do të përfundojë më datë 10 maj.
Ibrahimaj apeloi qytetarët dhe përfaqësuesit e biznesit që të dërgojnë në adresat e e-mail të vëna në dispozicion nga DPT-ja çdo ankesë të tyre.
“Ne kemi vendosur enkas adresat e e-mail-it, ku tatimpaguesit të ankohen. Kërkesat e tyre do të rivlerësohen nga DPT”, theksoi Ibrahimaj.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se në mjaft raste kanë aplikuar për të përfituar pagën e luftës edhe biznese që nuk janë të mbyllura, por po vijojnë aktivitetin.
Gjithashtu Ibrahimaj tha se as qytetarët dhe as biznesi nuk është penalizuar për shkak se ka vendosur të dhënat gabim.
E pyetur lidhur me deklaratën e ish-deputetes Tabaku se ka seleksionim në përzgjedhjen e bizneseve, Ibrahimaj e mohoi një fakt të tillë duke theksuar se: “Kjo është e pavërtetë. Diskriminim dhe seleksionim nuk mund të ketë. Jemi të hapur që të bëjmë transparente procedurat”./atsh