Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës së shkëlqyer të qytetarëve, në 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID”.
“Shumë e rëndësishme: falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID”, iu drejtua Rama qytetarëve.
Rama tha se “ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur”.
Po ashtu, Kryeministri tha se duhet të vazhdojmë kështu, me durim të madh, sepse armikun e kemi pas çdo porte”.
“Po vazhduam kështu do të dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë, më të mirë, më të fortë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”, tha ai./atsh