Nëntë qendra shkencore në Belgjikë kanë ndërmarrë studimin e medikamenteve për reumatizëm në luftën kundër COVID-19.
Qëllimi i studimit është të konstatohet nëse këto medikamente e ngadalësojnë reagimin inflamator që del nga infeksioni me COVID-19.
Sipas shkencëtarëve, rreth 20 % e të infektuarve paraqesin sëmundje të rënda të mushkërive të cilat shkaktojnë mungesë të oksigjenit në trup. Studimi fokusohet në rolin e substancave inflamatore në organizëm të cilat shkaktojnë ndezje kur imuniteti goditet fuqishëm.
“Këto substanca të quajtura citokine luajnë rol edhe tek pacientët me reumatizëm”, sqarojnë
shkencëtarët.
“Kërkimet shkencore që po zhvillohen në Kinë dhe Itali tregojnë prani të shtuar të citokineve tek personat të cilët janë në asistencë respiratore”, thotë profesori Bart Lambreht nga Spitali universitar në Gent.
Shkencëtarët u referohen studimeve nga vende të tjera ku tre të katërtat e pacientëve me formë të rëndë të Kovid-19 treguan përmirësim të dukshëm të gjendjes pasi që u mjekuan me medikamente kundër reumatizmës”, thotë profesori Lambreht. /atsh