Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zbatimi me rigorozitet i masave për frenimin e përhapjes së COVID-19 mund të na lejoje hapjen e shtegut për lehtësime në lëvizje, ndërsa paralajmëroi rritje të ndëshkimeve për shkelësit.
Rama publikoi foto të tregut në Kombinat në Tiranë, ku bashkia ndërhyri duke vendosur një sistem të ri dezinfektimi në hyrje daljet e tregut, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Mirë, vetëm disiplinimi i plotë këtë javë na hap shtegun për lehtësimet me pikatore. Brenda ditës sot, gati rritja e ndëshkimeve, që i hap rrugë lehtësimeve shkallë-shkallë në vijim”, deklaroi Kryeministri Rama.
Nisur nga pamjet e javës së shkuar, ku shfaqej një mungesë ndërgjegjësimi dhe zbatimi të rregullave në tregjet e kryeqytetit, ditën e sotme vihet re prezencë e forcave ushtarake dhe efektivëve të policisë, veçanërisht në tregun e Kombinatit.
Sot tregu i Kombinatit është hapur për blerësit me rregullat e reja të vendosura.
Qytetarët qëndrojnë tek rrathët e verdhë që shërbejnë për të ruajtur distancë.
Ka vetëm një hyrje dhe një dalje. Në hyrje të tregut qytetarëve u kërkohet autorizimi që kanë marrë leje për të dalë nga shtëpia dhe më pas i nënshtrohet dezinfektimit te tuneli.
Pasi përfundojnë pazaret, në dalje qytetarët i nënshtrohen sërish procesit të dezinfektimit. /atsh