Loading...

Mosrespektimi i distancimit social në tregje/ Nga e hëna, do të shkohet deri në heqje lirie për këdo që shkel rregullat

“Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve, ndërsa Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke ndarë foto të tregjeve të tejmbushura nga njerëzit në Tiranë.

Në kushtet kur nuk respektohet asnjë masë e distancimit social në tregje, Rama tha se “përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”.

“Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”, tha Rama.

Sipas tij, “masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie”.

Rama tha se “Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës”. “Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar”, tha Kryeministri.//atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com