Koronavirusi i ri ka vazhduar të përhapet me shpejtësi pothuajse të jashtëzakonshme duke shkaktuar vdekje në katër anët e botës, përfshirë dhe vdekjen e një foshnjeje gjashtë javëshe në SHBA, duke u bërë një prej moshave më të vogla mes më shumë 46 000 viktimave nga pandemia.
Më shumë se 900,000 raste me COVID-19 janë regjistruar në të gjithë botën, mes të cilëve 215 000 në SHBA, ku sëmundja po përparon më shpejt. Në mungesë të një kapaciteti të mjaftueshëm depistimi, këto shifra ka shumë të ngjarë të jenë më të ultëta se në realitet..
Pavarësisht masave kufizuese që prekin gati një banor të planetit në dy, bilancet po bëhen më të rënda me më shumë se 13 000 të vdekur në Itali, 9 000 në Spanjë, më shumë se 5 000 në SHBA, 4 000 në Francë …
Vdekja e një foshnjeje të porsalindur në Konektikat, vdekja e një foshnjeje nëntë muajshe në Çikago dhe e një djali 13-vjeçar në Britaninë e Madhe ka goditur shpresat, pasi fëmijët deri tani janë kursyer relativisht nga ky virus.
“Është dëshpëruese”, theksoi Ned Lamont, guvernator i shtetit verilindor.
“I shqetësuar thellësisht”, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus pranoi rritjen e vrullshme të numrit të rasteve.
“Ne duhet të jemi të bashkuar për të luftuar këtë virus të panjohur dhe të rrezikshëm,” theksoi ai./atsh