Këshilli i Ministrave vendosi sot që Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë page mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.
Në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi që nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.
“Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin anti COVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr. 1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.6”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese.
Atsh
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare./